ATV

Author: ATVLive

  • Macron sugjeron zgjerimin e ombrellës bërthamore të Francës në vendet aleate, për shkak të agresionit rus

    Macron sugjeron zgjerimin e ombrellës bërthamore të Francës në vendet aleate, për shkak të agresionit rus

    Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, ka thënë të mërkurën se do të ishte “çmenduri” të shpërfillej kërcënimi që tani përbën Rusia për Evropën dhe theksoi se është i hapur për bisedime për shtrirjen e ombrellës bërthamore të Francës në vendet aleate të Parisit në kontinent.

    Ai i bëri këto komente në prag të një takimi emergjent të liderëve të Bashkimit Evropian, që pritet të mbahet sot në Bruksel, për të diskutuar për rritjen e buxhetit ushtarak, që është kërkesë e rëndësishme e administratës amerikane për shkak të shqetësimeve në lidhje me përkushtimin e Uashingtonit ndaj NATO-s dhe çështjeve të sigurisë evropiane.

    Macron tha në një fjalim televiziv se “ombrella jonë bërthamore na mbron neve: është e plotë, sovrane dhe plotësisht franceze”.

    “Megjithatë, duke iu përgjigjur thirrjes historike të kancelarit të ardhshëm gjerman [Friedrich Merz], kam vendosur ta hap debatin strategjik për mbrojtjen e aleatëve tanë në kontinentin evropian përmes ombrellës sonë [bërthamore]”, shtoi ai.

    Macroni tha gjithashtu se Franca do të duhet të shpenzojë më shumë për mbrojtjen dhe u zotua se Parisi do të vazhdojë ta mbështesë Kievin në luftën e tij kundër pushtimit nga Rusia, i cili ka hyrë në vitin e katërt.

    “Rusia është bërë kërcënim për Francën dhe Evropën”, tha Macron. “Të shikosh dhe të mos bësh asgjë do të ishte marrëzi”.

    Ai tha se shpreson se Shtetet e Bashkuara “do të mbeten përkrah nesh” – por shtoi se Evropa duhet të jetë e përgatitur për të kundërtën.

    “E ardhmja e Evropës nuk ka pse të vendoset në Uashington apo Moskë”, tha Macron. “Pafajësia e 30 viteve të fundit… ka marrë fund”.

    “Kush mund të besojë se Rusia e sotme do të ndalet në Ukrainë? Rusia është bërë kërcënim për Francën dhe Evropën dhe do të mbetet e tillë për vitet në vijim”, shtoi ai.

    “Përtej Ukrainës, kërcënimi rus është i pranishëm dhe ndikon në vendet e Evropës. Na prek edhe neve”, nënvizoi Macron.

    Të gjitha kombet kërkojnë t’i mbajnë të fshehta hollësitë e arsenalit të tyre bërthamor, dhe Macron nuk foli në veçanti për hollësitë kur sugjeroi zgjerimin e ombrellës bërthamore të Francës.

    Ombrella bërthamore e Francës u zhvillua nga presidenti i atëhershëm, Charles de Gaulle, në fillim të viteve ‘60, i krijuar për të qenë plotësisht i pavarur nga Shtetet e Bashkuara, të cilat në atë kohë ishin në garë për armë bërthamore me Bashkimin Sovjetik.

    Qëndrimet e Macronit janë shprehur gjithashtu nga lideri i partisë së ekstremit të djathtë në Francë, i cili tha se “mbrojtja e interesave franceze nuk ndalet në kufijtë [francezë]”.

    “Që nga koha e de Gaulleit, ombrella bërthamore franceze, në thelb, mbron disa fqinjë dhe disa partnerë evropianë”, tha këtë javë presidenti i partisë Tubimi Kombëtar, Jordan Bardella.

    Sipas Federatës së Shkencëtarëve Amerikanë, Shtetet e Bashkuara (5.044 koka bërthamore) dhe Rusia (5.580) zotërojnë rreth 88 për qind të inventarit të përgjithshëm të armëve bërthamore në botë.

    Franca ka rreth 290 koka bërthamore dhe Britania rreth 225, sipas faqes së internetit të federatës. Kina ka rreth 500.

    Merz, i cili ka gjasa të jetë kancelari i ardhshëm gjerman pasi partia e tij fitoi zgjedhjet parlamentare muajin e kaluar, ka ngritur pyetje nëse NATO-ja duhet të mbetet në “formën e saj të tanishme” deri në samitin e qershorit, dhe ka sugjeruar që të mbahen bisedime me Parisin dhe Londrën për zgjerimin e mbrojtjes së tyre bërthamore.

    Shqetësimet mbi përkushtimin e SHBA-së ndaj Ukrainës dhe Evropës u rritën pasi Shtëpia e Bardhë tha se presidenti Donald Trump ka pezulluar ndihmën ushtarake amerikane për Ukrainën dhe pas komenteve të drejtorit të Agjencisë Qendrore të Inteligjencës (CIA) se ka kufizuar ndarjen e informatave të inteligjencës me Kievin.

    Trump, i cili e ka bërë përfundimin e luftës në Ukrainë një nga prioritetet kryesore të mandatit të tij të dytë, ngriti gjithashtu shqetësime mes aleatëve evropianë pasi i telefonoi presidentin rus Vladimir Putin në mes të shkurtit dhe më pas dërgoi zyrtarë të lartë për t’u takuar me homologët e tyre rusë në Arabinë Saudite.

    Takimi në Bruksel do të mbahet gjithashtu pas vizitës fatkeqe të presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky në Shtëpinë e Bardhë, gjatë të cilës pritej nënshkrimi i një marrëveshjeje për zhvillimin e përbashkët të mineraleve të rralla dhe burimeve të hidrokarbureve të Ukrainës – një hap që Trump e ka cilësuar si thelbësor për arritjen e paqes midis Ukrainës dhe Rusisë.

    Në vend të kësaj, një takim para kamerave në Zyrën Ovale u shndërrua në një përplasje të hapur, ku Trumpi i tha Zelenskyt se ai duhet të jetë më mirënjohës për mbështetjen amerikane dhe se nuk është në pozitë për të bërë kërkesa.

    Pas komenteve të Macronit, Zelensky shkroi në rrjetet sociale: “Jam mirënjohës ndaj Macronit për vizionin e tij të qartë dhe përpjekjet tona të përbashkëta për të arritur paqen”.

    Fokusi i samitit të 6 marsit në Bruksel do të jetë mbi gjetjen e mënyrave se si BE-ja mund të krijojë mjete për të siguruar mbrojtjen e saj dhe atë të Ukrainës, pasi synon ta zvogëlojë varësinë e saj ndaj Shteteve e Bashkuara pas Luftës së Dytë Botërore.

    “Përballë situatës në rritje të kërcënimeve, është e qartë për ne që Evropa… duhet tani shumë shpejt të bëjë përpjekje të mëdha, shumë shpejt, për t’i forcuar aftësitë mbrojtëse të vendit tonë dhe të kontinentit evropian”, tha Merz më 3 mars.

    Macron, i cili ka kërkuar prej kohësh të luajë rol aktiv diplomatik që nga pushtimi i plotë i Ukrainës nga Rusia, tha se po planifikon një takim me aleatët evropianë javën e ardhshme për të diskutuar mundësinë e dërgimit të forcave paqeruajtëse në Ukrainë në rast të një marrëveshjeje për armëpushim ose një akordi afatgjatë.

    “Për të siguruar që Ukraina të mos pushtohet nga Rusia përsëri pas një marrëveshjeje paqeje, ne duhet të përgatitemi për këtë”, tha Macron.

    “Javën e ardhshme do të mblidhen në Paris shefat e shtabit të ushtrive të shteteve që dëshirojnë të kryejnë përgjegjësitë e tyre në këtë drejtim”, theksoi ai.

    “Ukraina ka të drejtë për paqe dhe siguri, dhe kjo është në interesin tonë, është në interes të sigurisë së kontinentit evropian. Në këtë kuadër, ne po punojmë së bashku me miqtë tanë në Britaninë e Madhe, Gjermani dhe disa shtete të tjera evropiane”, përfundoi ai. /REL

  • Pak momente pasi u ngrit në ajër, shpërthen motori i aeroplanit – pilotja bën ulje emergjente në Bukuresht

    Pak momente pasi u ngrit në ajër, shpërthen motori i aeroplanit – pilotja bën ulje emergjente në Bukuresht

    Ky është momenti rrëqethës kur motori i një aeroplani shpërthen pak sekonda pasi ngritet në ajër në Rumani.

    Bëhet fjalë për aeroplanin Airubs A320 të aviokompanisë HiSky Europe, i cili po largohej nga kryeqyteti rumun gjatë 3 marsit – përkatësisht nga aeroporti ndërkombëtar Oradea, transmeton Telegrafi.

    Por aeroplani krejt befasisht pësoi një defekt teknik, derisa dritat e ndërtesave të kryeqytetit rumun akoma shiheshin në pamjet e filmuara nga një pasagjer.

    Në video shihet shpërthimi në krahun e majtë të aeroplanit që po fluturonte mbi Bukuresht. Madje ishte një shpërthim i fuqishëm që u dëgjua brenda fluturakes.

    Sorin Balogh që gjendej brenda aeroplanit në atë kohë, tha se “të gjithë ishin të shokuar derisa ana e majtë e aeroplanit mori ngjyrë portokalli”.

    Ishte pilotja me përvojë që bëri ulje emergjente në aeroportin ndërkombëtar Coanda, vetëm 17 minuta pasi ishte ngritur në ajër.

    Nuk raportohet për të lënduar, por aeroplani është dërguar për servisim dhe kontrolle të detajuara për të përcaktuar shkakun që çoi në këtë shpërthim. /Telegrafi/

  • Vdes një punëtor në Rahovec

    Vdes një punëtor në Rahovec

    Një ngjarje tragjike ka ndodhur në Rahovec, ku një punëtor ka humbur jetën.

    Tashmë i ndjeri ishte dërguar pa shenja jete në emergjencën e spitalit në Gjakovë.

    Menjëherë pas marrjes së informacionit policia ka dalë në vendngjarje për të kryer hetimet.

    Policia e Kosovës ka nisur hetimet për këtë rast, i cili është cilësuar si “Asgjësim,dëmtim ose heqje e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikim i sigurisë në vendin e punës”.

  • KEDS-i tregon se ku do të ketë ndërprerje të energjisë sot

    KEDS-i tregon se ku do të ketë ndërprerje të energjisë sot

    Kompania për Distribuimin e Energjisë Elektrike në Kosovë (KEDS) njofton se sot do të kryhen punime të domosdoshme për siguri të sistemit energjetik.

    Si rezultat i kësaj, në disa lokalitete do të ketë ndërprerje energjie.

    Ky është orari sipas rajoneve:

    Prishtinë

    1.

    Nga NS 220/35/10 [kV] Podujeva do të ndërprehet:

    Dalja 10[kV] Livadicë (kodi: 14000011) prej orës 09:00 deri në ora 11:00

    Vendet: Dumnicë, Shtedime, Mirovc, Livadicë dhe Dogana.

    Arsyeja: Realizimi i punimeve sipas pëlqimit elektro-energjetik dhe projektit të aprovuar.

    Pejë

    1.

    Nga TS 110/10[kV] Deçani do të ndërprehet:

    Dalja 10kV Barani (kodi: 53000002) ne dy termine nga ora 09:00 deri 11:00 dhe nga 15:00 deri 17:00

    Vendet: Beran, Prapaqan, Berliq, Krushevci i Ri, Rashiq, Gjocajt, Turjaka e Ulët, Vranoci i Madh, Vranoci i Vogël, Baran i Ulët, Qallapek, Kusoriq, Llugagjitë dhe Buqan.

    Arsyeja: Ndërprerje për shkyçje dhe rikyçje të urave.

    2.

    TS 110/10[kV] Deçani

    Nga Dalja 10kV Barani do të ndërprehen këta trafostacione:

    1.TS 10/04kV Gllogjan 4- private (kodi: 53000002040) nga ora 9:00 deri 17:00

    TS 10/04kV Nepole l (kodi: 53000002042) nga ora 9:00 deri 17:00
    TS 10/04kV Nepole ll (kodi: 53000002043) nga ora 9:00 deri 17:00
    Vendet: Gllogjan dhe Nepole.

    Arsyeja: Punët e parapara sipas planit investiv.

    Mitrovicë

    1.

    Nga NS 110/10 [kV] Vushtrria 2 do të ndërprehet:

    Dalja 10 [kV] Novolani (kodi: 73000005 ) prej orës 10:30 deri 11:00 dhe nga ora 15:00 deri 15:45

    Vendet: fshatrat: Bukosh, Dervar, Dolak, Druar, Kollë, Mihaliq, Novolan, Reznik, Shallc dhe Vërnicë.

    Arsyeja: krijimi i kushteve të punës pa tension, manipulim me ndarësit e tensionit të mesëm.

    2.

    NS 110/10 [kV] Vushtrria 2

    Nga Dalja 10 [kV] Novolani do të ndërprehen nga ora 10:30 deri në ora 15:45 këto nënstacione:

    NS 10/0.4[kV] TS -TSSH Zhabarët (kodi: 73000005028)

    NS 10/0.4[kV] TS -EDONA GRUP SHPK (kodi: 73000005040) nga ora 10:30 deri në ora 15:45

    Vendet: Një pjesë e Novolanit.

    Arsyeja: Ndërprerje për siguri – vendosja e shtyllave 10kV në projektin TS Zhabar Novolan.

    Gjilan

    1.

    Nga NS 35/10 [kV] Gjilani II do të ndërprehet:

    Dalja 10 [kV] Frigoriferi (kodi:60061005) nga ora 10:30 deri 10:45 dhe nga ora 14:45 deri 15:00

    Vendet: rrugët: 28 Nëntori (një pjesë), Afrim Zhitia, Agim Rashiti (një pjesë), Ali Hulugrica (një pjesë), Dheu i Bardhë (një pjesë), Fatmir Ibishi, Fehmi Agani, Gjergj Fishta (një pjesë), Hasan Tasini (një pjesë), Memin Beqiri, Metush Krasniqi, Rexhep Mala, Rukije Haliti, Shyt Mareci, Te Bazeni, Vëllezërit Llozana dhe fshatrat Kufcë e Epërme (një pjesë), Poredinë (Lagjja Poredinë).

    Arsyeja: Krijimi i kushteve të punës pa tension, manipulim me ndarësit e tensionit të mesëm.

    2.

    NS 35/10 [kV] Gjilani II

    Nga Dalja 10 [kV] Frigoriferi do të ndërprehet:

    NS 10/0.4[kV] TS -Baja-Bazeni (kodi: 60061005062) prej orës 10:30 deri në ora 15:00

    Vendet: Një pjesë e rr. Vëllezërit Frashëri.

    Arsyeja: Ndërprerje për siguri- rritja e fuqise së transformatorit për arsyeje të mbingarkesës, do te rritet fuqia nga 630kVA në 1000kVA te Baja-Bazeni.

    Punime nga pala e tretë

    1.

    Nga NS 35/10[kV] Artana do të ndërprehet:

    Dalja 10[kV] Slivova (kodi: 60024003) prej orës 10:00 deri në ora 14:00

    Vendet: fshatrat: Artanë-Llabjan (një pjesë), Artanë (një pjesë), Bostan, Brus (një pjesë), Dragoc, Kukavicë, Gelmivad (një pjesë), Izvor, Koznicë, Llabjan, Llajshevc, Manishnicë, Parallov (një pjesë), Prekovc, Vlasali dhe Zebincë.

    Arsyeja: realizimi i punimeve sipas pëlqimit elektro-energjetik dhe projektit të aprovuar.

  • ​Kurti, më i votuari në Kosovë

    ​Kurti, më i votuari në Kosovë

    Të mërkurën në mbrëmje ka përfunduar procesi i numërimit të votave për zgjedhjet e përgjithshme të 9 shkurtit, në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve derisa KQZ-ja është e obliguar që të presë të paktën 48 orë para se të shpall rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve për Kuvendin e Kosovës.

    Sipas rezultatit preliminar të këtyre zgjedhjeve kryeministri në detyrë dhe lideri i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti në zgjedhjet përgjithshme 2025, ka marr 337 mijë e 101 vota, derisa LVV ka arritur të fitoj 396 mijë e 22 vota, raporton KosovaPress.

    Sipas këtyre rezultateve Kurti e ka kaluar me vota presidenten e Kosovës Vjosa Osmani, e cila si lidere e Listës Guxo në zgjedhjet e vitit 2021 ishte personi më i votuar në Kosovë me 300 mijë e 788 vota.

    Ndryshe në zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2021, Vjosa Osmani, kishte garuar në kuadër të listës së Vetëvendosjes ndërsa kreu i LVV-së, Albin Kurti nuk ishte lejuar që të garojë për deputet, për shkak të një dënimi të formës së prerë, për hedhje të gazit lotsjellës në ambientet e Kuvendit.

  • ​Shqipëria në kulm turistik

    ​Shqipëria në kulm turistik

    Barometri Botëror i Turizmit tregon se vendet klasike të pushimeve verore si Spanja, Greqia dhe Turqia tërheqin turistë më së shumti, por kur bëhet fjalë për rritjen e përqindjes më të lartë të turistëve gjatë pesë viteve të fundit, mbizotërojnë destinacione të tjera dhe këtu kryeson Shqipëria, shkruan Jean-Claude Raemy për faqen e njohur zvicerane blick.ch.

    ”Udhëtimi në Ballkan është trend! Kjo del nga shifrat e Barometrit të ri Botëror të Turizmit, të publikuar nga Organizata Botërore e Turizmit e OKB-së, raporton ATSh.

    Këto vende evropiane kanë parë rritjen më të madhe të vizitorëve që nga viti 2019:

    1.Shqipëria (+80%)

    2.Andorra (+35%)

    3.Malta (+29%)

    4.Serbia (+29%)

    5.Luksemburgu (+24%)

    6.Lihtenshtejni (+20%)

    7.Portugalia (+18%)

    8.Danimarka (+17%)

    9.Bosnje-Hercegovina (+15%)

    10.Turqia (+14%)

    Shqipëria është dukshëm në krye, ndërsa dy vende të tjera të Ballkanit, Serbia dhe Bosnjë-Hercegovina janë pjesë e dhjetëshes, përcjell KosovaPress.

    Shqipëria në kulm turistik

    Marco Wipfli ka vite që është specializuar në udhëtimet e pushimeve në Ballkan me kompaninë e tij të udhëtimit ”Meersicht”, me seli në Zyrih. Ai vë në dukje një rritje të madhe të kërkesës turistike për Shqipërinë në Zvicër.

    Vendi po përgatitet për mirëpritur më shumë turistë.

    ”Unë nuk di asnjë rajon në botë ku aktualisht po zhvillohen aq shumë ndërtime sa në Rivierën Shqiptare”, u shpreh Wipfli.

    Sapo të përfundojnë komplekset hoteliere, turistët do të rriten masivisht. Këtë vit do të hapet një aeroport i ri në Vlorë. Kur kjo gjë të ndodhë, udhëtarët do të gjenden në plazhet më të bukura të Shqipërisë në më pak se 30 minuta. Më parë zgjaste rreth pesë orë nga aeroporti i Tiranës.

    Profesionistja e udhëtimeve përmend çmimet e ulëta si arsye të kërkesës së lartë.

    ”Fortesat” rajonale të turizmit në Kroaci dhe Malin e Zi janë bërë shumë më të shtrenjta, mbi të cilat Shqipëria ofron një alternativë më të lirë.

    Megjithatë, Wipfli supozon se çmimet në Shqipëri do të rriten në vitet e ardhshme.

  • Arrestohet një burrë në Prishtinë, i rrahu dhe kërcënoi me armë vëllanë dhe kunatën

    Arrestohet një burrë në Prishtinë, i rrahu dhe kërcënoi me armë vëllanë dhe kunatën

    Një burrë është arrestuar në Prishtinë, pasi që i kishte sulmuar fizikisht dhe kërcënuar me armë vëllain dhe kunatën. E gjithë kjo kishte ardhur si pasojë e një mosmarrëveshjeje rreth një prone.

    Gjatë kontrollit tek i dyshuari është gjetur dhe sekuestruar substancë e dyshuar narkotike e llojit marihuanë.

    “Rr. “Kamer Loshi”, Prishtinë 05.03.2025-13:53. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, pasi që ai pas një mosmarrëveshjeje rreth një prone kishte kanosur me armë dhe kishte sulmuar fizikisht vëllanë dhe kunatën e tij. Gjatë kontrollit tek i dyshuari është gjetur dhe sekuestruar substancë e dyshuar narkotike e llojit marihuanë. Ai pas intervistimit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje”, thuhet në njoftimin e policisë.

  • Qytetarët mendojnë se edhe Kosova mund të preket nga tarifat e reja të Trumpit

    Qytetarët mendojnë se edhe Kosova mund të preket nga tarifat e reja të Trumpit

    Kosovarët janë të shqetësuar për ndikimin e tarifave të reja prej 25% që presidenti amerikan, Donald Trump, ka vendosur për importet nga Meksika dhe Kanadaja, të cilat janë futur në fuqi më 4 mars 2025, raporton Ekonomia Online.

    Sipas qytetarëve, këto masa mund të kenë ndikim të drejtpërdrejtë në ekonominë e Kosovës, edhe pse vendi nuk ka tregti të madhe me këto shtete.

    Zymber Mramori ka thënë se Kosova do të preket nga këto tarifa, duke pasur parasysh nivelin e ulët të pagave dhe pensioneve, dhe ka apeluar për masa paraprake.

    “Sipas lajmeve do të preket edhe Kosovës, prej këtyre tarifave edhe vendin ynë do të preket, kështu do të ndikojë edhe tek ne, shpresojmë që jo shumë. Tek ne ndikon më shumë reflektohet sepse ne jemi më të dobët, i kemi pagat e ulëta, pensionet gjithashtu. Po frikohet të gjitha shtetet e tij e lëre ne, edhe pse nuk kemi një tregti të madhe por do të ndikojë sigurisht. Duhet me marrë masa me shikuar se çka po marrin shtetet tjera, por ne nuk mundemi me gjë sepse nuk keni një ekonomi të zhvilluar por duhet të jemi të kujdesshëm me ekspertet me pyet se çka duhet më bë në këto raste”, ka thënë Mramori.

    Nga ana tjetër, Zafer Beqiri ka theksuar se Kosova është një shtet i vogël dhe ekonomia e saj është e varur nga importet, duke i përballuar çmimet e larta me mundësitë e kufizuara.

    “Çka do të ndikojë tek ne kur nuk ka asnjë ekonomi, jetojmë sot për nesër. Do të ketë shtrenjtimi mund të ndikojë edhe tek ne por ne jemi bisht i qitelisë. Nuk janë të përballueshme çmimet por po i përballojmë si po mundemi. Nuk janë të duhura çmimet me pagat e punëtorëve janë shumë të ulëta, çmimet janë të larta, jetojmë si po mundemi”, tha ai.

    Ai ka shtuar se tarifat e reja mund të ndikojnë, por nuk pritet që të ketë ndryshime të mëdha për shtetin.

    “Me Trump nuk mundemi të shtyhemi, ne shtet i vogël nuk kemi mundësi më shumë me zhvilluar, nuk do të ndikojë tek ne. Nuk mund të ndryshojë asgjë ne të gjithë importojmë nuk po më fal askush të gjitha gjërat po i blejmë”, ka theksuar ai.

  • Priten rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve, KQZ i shpall pas afatit 48-orësh për ankesa

    Priten rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve, KQZ i shpall pas afatit 48-orësh për ankesa

    Procesi i numërimit të të gjitha votave për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit ka përfunduar në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR), mbrëmjen e së mërkurës, pas një vonese mbi dy orësh.

    Shkaku i kësaj vonese ishte një kuti që nuk mund të numërohej për shkak të problemeve në sistem.

    Të mërkurën u numëruan votat me kusht dhe ato të personave me nevoja të veçanta, duke e çuar numrin total të fletëvotimeve të numëruara në mbi 15,500.

    Sipas zëdhënësit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valmir Elezi, rezultatet përfundimtare nuk do të shpallen deri të paktën pas kalimit të afatit 48-orësh për ankesa, i cili ka filluar të mërkurën në orën 21:00.

    Ky afat mundëson që të paraqiten ankesat në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) lidhur me administrimin e numërimit.

    Gjithashtu, Elezi njoftoi se KQZ-ja do të realizojë rinumërimin e fletëvotimeve për një subjekt politik në komunën e Vushtrrisë, pas kërkesës së Prokurorisë Themelore të Mitrovicës.

    Pritet që pas përfundimit të këtij afati dhe shqyrtimit të mundshëm të ankesave, KQZ do të shpallë rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të 9 shkurtit.

    Sipas rezultateve ende preliminare të zgjedhjeve të 09.02.2025 Lëvizja Vetëvendosje ka fituar 40.9% apo 345,760 vota, e ndjekur nga PDK me 22.04% apo 186,302 vota, LDK 17.64% apo 149,095 vota, koalicioni AAK-Nisma Socialdemokrate 7.46% apo 63,035 vota.

    Këto rezultate nuk përfshijnë votat e diasporës, ato me kusht dhe të personave me nevoja të veçanta.

  • Mot i kthjellët dhe me diell edhe sot

    Mot i kthjellët dhe me diell edhe sot

    Kushte të motit të kthjellët dhe me diell mbeten edhe ditën e enjtë. Orëve të mëngjesit, ultësirave mund të ketë kushte për mjegullinë.

    Herë herë mund të kalojnë vransira të pakta, kryesisht shtresore të larta. Frynë erë e lehtë jugore e juglindore 2-5m/s, e pjesë lindore të vendit deri në 8 e 10m/s. Temperaturat minimale zbresin deri në -2C e 2C, derisa maksimale vazhdojnë me rritje deri në 18C e 19C.

    Më shumë vransira kalojnë mbi vend ditën e premtë dhe të shtunë, por kryesisht të larta, që nuk pengojnë rrezet e diellit. Temperaturat ende të larta deri në 20C e 21C, maksimalet. Nga dita e diel sërish priten të dominojnë më shumë kthjellimet, e temperaturat mbesin të larta 18C deri 20C. Minimalet luhaten ndrëmjet -1C e 4C.

    Indeksi i cilësisë së ajrit mund të qëndrojë më gjatë në vlera të dobëta ditëve vijuese, meqenëse kushtet më stabile atmosferike mbajnë më të ngujuar ndotësit ajror pranë sipërfaqe, e sidomos orëve të mbrëmjes, kur mund të kalojnë vlerat e çastit edhe në shumë të dobëta.

    Ndërkohë që në pjesë tjera, kryesisht nga Dukagjini, indeksi mbetet më gjatë në vlera të pranueshme. Në vlera të pranueshme indeksi zbret edhe nga rrafshi i Kosovës orëve të pasdites, njofton Mendimi për Motin.