ATV

Author: ATVLive

  • Kurti në kazermën “Adem Jashari”: Kosova nuk ka pasur asnjëherë ushtri më të armatosur se sot

    Kurti në kazermën “Adem Jashari”: Kosova nuk ka pasur asnjëherë ushtri më të armatosur se sot

    Kryeministri në detyrë Albin Kurti tha se Kosova nuk ka pasur asnjëherë ushtri më të armatosur dhe të pajisur se sot, raporton KosovaPress.

    Në shënimin e 27-vjetorit të Epopesë së UÇK-së, Kurti tha se rreshtimi i kuadrateve ka traditën nga 6 marsi i vitit 1999.

    “Që nga çlirimi i atdheut tonë në qershor 1999 dhe deri më sot e tutje një nga detyrat kyçe për ruajtjen e lirisë së fituar me gjakun e dëshmorëve dhe martireve të popullit tonë ka qenë dhe vazhdon të mbetet fuqizimi i ushtrisë së Kosovë, sot me ngazëllim mund të konstatoj se qysh nga viti 1989 kur Adem Jashari me shok filluan të flasin e të punojnë për në ushtri të Kosovës dhe deri sot kurrë nuk kemi pasur një ushtri më të fortë, më të armatosur, me ta pajisur dhe më të trajnuar se sa sot”, deklaroi ai, transmeton KosovaPress.

    Sulmin e gjerë që e kishte ndërmarrë Serbia në Drenicë për të zhdukur Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës e koncentroi në Prekaz, në zemrën dhe kokën e UÇK-së duke i bërë asaj një rrethim të hekurt.

    Ajo që do të ndodhë në fillimet e marsit të vitit 1998 do të jetë një dëshmi e gjallë për botën e qytetëruar dhe përgjegjësit e saj politik e diplomatik. Në të vërtetë kjo ngjarje kaq e drejtpërdrejtë dhe kaq e fuqishme për nga përmasat e saj të flijimit unikat, të qëndresës e të masakrimit do ta ngrejë çështjen e Kosovës në krye të agjendës botërore. Kështu, në natën e 4 e 5 marsit të vitit 1998, Prekazi rrethohet nga forcat e shumta ushtarake dhe policore. Kjo lë të kuptohet se atje do të ketë rrethim të hekurt, raporton KosovaPress.

  • ​Kolektivi “Marshojmë s’festojmë” bën thirrje për protestë më 8 mars

    ​Kolektivi “Marshojmë s’festojmë” bën thirrje për protestë më 8 mars

    “Kur shteti s’na mbron, revoltohemi” shkruan në banerin që kolektivi “Marshojmë s’festojmë” ka lëshuar sot nga ndërtesa e “Reporting House”, për çka u bë thirrje për protestë më 8 mars. Derisa motivi kryesor i kësaj proteste sipas këtij kolektivi është lufta kundër dhunës.

    Aktivistja Latra Demaçi tha se dhuna ushtrohet nga patriarkati, kapitalizmi racist, pabarazitë globale dhe ideologjitë që sipas saj cilësojnë disa trupa dhe mendje si “të paaftë”, shkruan KosovaPress.

    Ajo përmendi disa raste të vrasjeve dhe dhunës ndaj grave në Kosovë, duke thënë se janë pasoja tragjike të patriarkatit.

    “Marsi po afron e ne rikujtohemi se lufta kundër dhunës strukturore e të përditshme vazhdon. Rikujtohemi se dhuna ushtrohet njëkohësisht nga patriarkati, kapitalizmi racist, pabarazitë globale dhe ideologjitë që cilësojnë disa trupa dhe mendje si të paaftë. Vetëm gjatë kohëve të fundit jemi përballur me: Vrasjen e Erona Çoklit nga ish-burri i saj në Qendrën për Punë Sociale në Ferizaj në prill të vitit të kaluar, vrasjen e Gjuljeta Ukellës nga burri i saj në Pejë vetëm 5 ditë më vonë, vrasjen e gruas nga burri i saj në Graçanicë dhe tentimin për vrasje të gruas në Fushë Kosovë. Ndëshkimin e punëtoreve teknike të Kuvendit të cilat grevuan për paga dhe kushte dinjitoze të punës, amnistimin e dhunës në familje për hir të spektaklit televiziv e jo vetëm…Këto nuk janë raste të izoluara, por pasoja tragjike të patriarkalitetit që mundëson dhunën fizike, emocionale, seksuale e ekonomike që ushtrohet mbi gratë në përditshmëritë tona private dhe publike”, shtoi Demaçi.

    Demaçi bëri thirrje për protestë dhe marshim më 8 mars në orën 12:00 në sheshin “Zahir Pajaziti”.

    Ajo tha se kjo datë “le të jetë për solidaritetin, jetën dhe përkujdesjen për njëra-tjetrën”, duke u thirrur në protestë për dinjitet, siguri dhe mirëqenie të të gjitha grave dhe vajzave.

    “Ky 8 Mars le të jetë për solidaritetin, jetën dhe përkujdesjen për njëra-tjetrën. Këtë 8 mars, ejani të ri zotohemi, të protestojmë e të marshojmë për dinjitetin, sigurinë dhe mirëqenien e të gjitha grave dhe vajzave. Të protestojmë për çrrënjosjen e të gjitha sistemeve të shtypjes në Kosovë dhe për të gjithë popujt. Të marshojmë të zemëruara dhe të zemëruar kundër kulturës së përdhunimit, cenueshmërisë së shtëpive dhe dhunës ndaj trupave dhe mendjeve me aftësi të kufizuara. Marshojmë për grevat si revoltë kundër kapitalizmit neoliberal. Marshojmë për drejtësi, për gratë rome, ashkalike e egjiptiane, ashtu siç ato e përcaktojnë lirinë e tyre. Për gratë trans e queer në shumëllojshmërinë e tyre. Për gratë myslimane që bartin besimin e tyre dukshëm. Marshojmë kundër kolonializmit, gjenocidit e luftës. Për një Palestinë, Kongo, Sudan e botë të lirë. Revoltën për njëra-tjetrën. Nga ora 12:00 në Sheshin ‘Zahir Pajaziti’, ky 8 mars le të jetë për solidaritetin, jetën, përkujdesjen, për njëra-tjetrën”, potencoi ajo.

    Këtë organizmin kolektivi “Marshojmë s’festojmë” e bëri në kuadër të aktiviteteve të marshit për 8 mars./kp

  • ​Tare mund të bëhet së shpejti pjesë e Milanit

    ​Tare mund të bëhet së shpejti pjesë e Milanit

    Rreth 5 vite më parë Igli Tare ishte drejtori sportiv i Lazios dhe ndër më të lakmuarit nga presidentët e klubeve të tjera të futbollit italian dhe ashtu si po përflitet dhe diskutohet sot, edhe në atë kohë drejtuesit amerikanë të Milanit, të tjerë nga këta aktualët filluan kontaktet me Igli Taren.

    Në një intervistë të asaj kohe për Top Channel, Tare sigurisht nuk e fsheh entuziazmin dhe kënaqësinë për të qenë në krye të një klubi si Milani dhe pse në atë kohë ishte në krye të Lazios.

    “Sigurisht që është diçka shumë e mirë deri në një moment të dytë, sepse janë gjëra që duhet të dish t’i menaxhosh mirë. Por unë jam në një ambient shumë familjar dhe një klub të madh. Sa i përket të nesërmes nuk mund ta parashikoj sepse unë vërtetë e quaj Lazios një klub shumë të madh, por duke qenë se jemi profesionist gjithçka mund të ndodhi”, tha asokohe Igli Tare-ish-drejtor i Lazio-s.

    Por në qershor të vitit 2023 Tare largohet pas 18 vitesh nga klubi i Lazios dhe dy vitet e tij në pamje të parë pushim kanë shërbyer për të pritur momentin e duhur për të gjetur atë që i përshtatet më shumë.

    Nëse në deklaratën e pak viteve më parë dukej ëndërr dhe disi larg, sot Igli Tare është shumë pranë postit të drejtorit sportive të Milanit, madje i kontaktuar nga Top Channel, Tare konfirmon vetëm se janë orët vendimtare dhe duhet durim, përcjellë KosovaPress.

    Zyrtarizimi i kësja marrëveshje mund të bëhet në orët e ardhshme. /kp

  • Kryeministri i Grenlandës i përgjigjet Trumpit: S’jemi amerikanë, s’jemi danezë sepse jemi grenlandezë

    Kryeministri i Grenlandës i përgjigjet Trumpit: S’jemi amerikanë, s’jemi danezë sepse jemi grenlandezë

    Kryeministri i Grenlandës, Múte B. Egede, iu përgjigj komenteve të presidentit amerikan Donald Trump, i cili ripërsëriti qëndrimet e tij mbi Grenlandën, duke thënë se “Grenlanda u përket grenlandezëve”.

    “Ne nuk jemi amerikanë, nuk jemi danezë, sepse jemi grenlandezë. Kjo është ajo që duhet të kuptojnë amerikanët dhe liderët e tyre”, tha ai në një postim në Facebook.

    “Ne nuk jemi në shitje dhe nuk thjesht nuk mund ta marrin”, shtoi ai.

    Egede këmbënguli se “e ardhmja e vendit do të përcaktohet nga ne në vendin tonë, sigurisht”.

    Grenlanda do të mbajë zgjedhje të përgjithshme javën e ardhshme, më 11 mars.

  • Dhunë ndaj prindërve, vajza dërgohet në psikiatri

    Dhunë ndaj prindërve, vajza dërgohet në psikiatri

    Në Deçan është arrestuar një e dyshuar pasi raportohet se ka shkaktuar dhunë ndaj prindërve të saj, raporton EO.

    Policia njofton se me vendim të prokurorit, e dyshuara është dërguar në trajtim mjekësor në repartin psikiatrik në Spitalin e Pejës.

  • ​Gjeneral Kudusi Lama rrëfen se si u njoftua për rrethimin e familjes Jashari nga forcat serbe

    ​Gjeneral Kudusi Lama rrëfen se si u njoftua për rrethimin e familjes Jashari nga forcat serbe

    Luftën dhe rezistencën treditore të familjes Jashari, ish-gjenerali Kudusi Lama e konsideron fuqi që solli ndryshim për të ardhmen kombëtare. Më 5, 6 dhe 7 mars, ai shton se u ndërtua Epopeja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Në 27-vjetorin e rënies heroike të familjes Jashari, gjenerali i luftës flet për KosovaPress, duke treguar për kontaktet që kishte në atë kohë me strukturat e UÇK-së.

    Ndër kontribuuesit më të mëdhenj të çlirimit të vendit, gjeneral Kudusi Lama thotë se në pranverën e vitit 1998 ka qenë komandant i divizionit të këmbësorisë në Kukës.

    “Unë në atë periudhë kohore kam qenë në marrëdhënie të drejtpërdrejta me strukturat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe jam informuar menjëherë brenda ditës se çfarë po ndodhte dhe për përpjekjet që po bëheshin për të fuqizuar sa është e mundur atë front nga jashtë… Unë nuk mund të pretendoj se kam pasur njohuri për atë çfarë ndodhi në Prekaz. Unë e mora vesh atë kur atje po zhvillohej luftë, realisht e kam përjetuar me një dhimbje, pavarësisht nga kjo unë e kam përjetuar edhe me një lloj stresi sepse kam menduar që nuk di se si do të veprohej pas këtij momenti. Kam menduar se njerëzit mund të tremben, kam menduar se do të ketë edhe probleme të tjera. Kuptohet unë kam jetuar në një lloj dyzimi në atë periudhë kohore, duke vlerësuar situatën dhe duke bërë përpjekje që sa të jetë e mundur kjo luftë të ndikonte për ta unifikuar luftën, për ta unifikuar popullin, për t’i unifikuar mendimet dhe për ta rritur fuqinë e UÇK-së”, rrëfen Lama për KosovaPress.

    Në rezistencën treditore të familjes Jashari, gjeneral Lama thotë se ata u rrethuan nga mijëra forca ushtarake policore serbe.

    “Lufta e Jasharëve e vitit 1998, më 5, 6 dhe 7 mars ishte vërtet një Epope, ishte një fuqi që solli një ndryshim të jashtëzakonshëm në shpirtin kombëtar, zemrën kombëtare, jetën kombëtare dhe në të ardhmen kombëtare. Atje në Prekaz në ato ditë u zhvillua një luftë e madhe e cila i dha gjam gjithë botës dhe ngriti peshë gjithë shqiptarët për ta kthyer vështrimin drejt së ardhmes së tyre. Mos harroni, në atë kohë në Prekaz janë ndeshur dy fuqi, fuqia shqiptare me vetëm 60 luftëtarë e cila në përbërje të saj kishte burra, gra, pleq, plaka edhe fëmijë, djem e vajza. Dhe përballë tyre e përreth tyre ishin 8 mijë forca ushtarake policore të Jugosllavisë dhe Serbisë. Sepse atje luftonin dy shtete, luftonte edhe Jugosllavia edhe Serbia. Nga këto 8 mijë forca, 4 mijë forca ishin vendosur në rrethimin e këtyre luftëtarëve shqiptarë që ishin vetëm 60”, deklaron ai.

    Trashëgimi e Epopesë së UÇK-së, siç shprehet Lama, janë çlirimtarët e Kosovës të cilët “nuk e heshtën pushkën pas rënies heroike të Jasharëve”.

    “Kurrë nuk ka ndodhur të ndeshen dy ushtri me këtë raport forcash. Megjithatë, forcat – luftëtarët shqiptarë arritën të luftojnë tri ditë, arritën të mbijetojnë, të përballojnë gjithë atë arsenal armësh e mjetesh të Jugosllavisë dhe Serbisë për 72 orë. E në atë periudhë kohe ata edhe luftonin, edhe pushonin, edhe flisnin, edhe këndonin, edhe ushqeheshin, edhe kryenin nevojat e veta dhe përballonin gjithë atë arsenal, çka i bënë ata veçori jo thjesht kombëtare, shqiptare, por veçori botërore. Mos harroni, për tre ditë kanë rënë perandori që janë zhdukur nga faqja e dheut, kurse Jasharët për tre ditë ndërtuan një Epope që e morri emrin Epopeja e Ushtrisë Çlirimtare e Kosovës (UÇK)”, shton ai.

    Doktori i shkencave ushtarake, Kudusi Lama konsideron se ndikimi i kësaj lufte ka qenë jashtëzakonisht i madh për ta fuqizuar UÇK-në. Ai thotë se në pranverën e vitit 1998 e gjithë rinia “dëshironte të bëhej pjesë e luftës dhe të vishte uniformën”.

    “Do i referohem një fjalie të thjesht që ka thënë Rifat Jashari kur mësoi rënien e familjes në luftë me Serbinë dhe Jugosllavinë dhe kur ai pa se gjithë shqiptaria u bë pjesë e familjes së tij dhe tha që ‘unë vërtet humba një familje, por fitova një komb’. Pikërisht këtu qëndron esenca e faktit dhe ndikimit që pati jehona e kësaj lufte në të gjitha hapësirat botërore, jo vetëm për shqiptarët por për botën mbarë. Por, sidomos për shqiptarët të cilët e panë se vetëm rruga e luftës është ajo që mund t’i bëjë faqebardhë përballë jetës së vet dhe përballë lirisë dhe mund t’i bëjë krenarë për atë që mund të jenë nesër. Sepse nuk kishte asnjë rrugë tjetër për ta fituar lirinë dhe nuk kishte asnjë lloj mënyre”, shprehet Lama për KosovaPress.

    5,6 dhe 7 marsi njihet si Epopeja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ku u vranë 59 anëtarë të familjes Jashari pas rezistencës treditore përballë forcave të armatosura serbe./kp

  • ​Parlamenti serb vazhdon debatin, pas kontrolleve të detajuara opozitës i konfiskohet edhe ushqimi

    ​Parlamenti serb vazhdon debatin, pas kontrolleve të detajuara opozitës i konfiskohet edhe ushqimi

    Kuvendi i Serbisë, seanca pranverore e të cilit nisi me incidente, sot do të vazhdojë punën me një diskutim të detajuar të dhjetëra pikave të rendit të ditës. Debati i përbashkët për pikat e rendit të ditës, përfshirë ndryshimet në Ligjin e Arsimit të Lartë që do të plotësonte një nga kërkesat e studentëve në bllokadë, u karakterizua me trazira, me hedhjen e bombave tymuese, përdorimin e aparateve për zjarrfikje dhe goditjen me shkelma të deputetëve, shkruan N1.

    Tri deputete morën ndihmë mjekësore dhe sipas kryetares së Kuvendit Ana Brnabiq, deputetja e Partisë Progresive Serbe, Jasmina Obradoviq, e cila pësoi një goditje në tru, mbetet në gjendje të rëndë. Shtatzëna Sonja Iliq dhe deputetja Jasmina Karanac janë mirë, tha ajo për RTS mëngjesin e sotëm.

    Deputetët e opozitës bënë zhurmë dhe prishën punimet gjatë gjithë seancës me vuvuzela, fishkëllima dhe brohoritje, ndërsa deputetët e qeverisë dhe ministrat folën nga vendet e tyre, transmeton KosovaPress.

    Anëtarët e Drejtorisë së Policisë Kriminale kanë kryer gjatë natës një inspektim në Parlament, në kuadër të një hetimi që duhet të përcaktojë se si janë futur mjetet piroteknike në sallë. Ministria e Brendshme njoftoi se brenda natës përfundoi inspektimi i ndërtesës së Kuvendit pas një informacioni për një kërcënim me bombë dhe u konstatua se ishte fals.

    E fundit nga më shumë se 60 pikat e rendit të ditës është propozimi për shkarkimin e kryetares së Kuvendit, Ana Brnabiq, i paraqitur nga 41 deputetë të opozitës. Në fund të debatit duhet të shpallet edhe dorëheqja e kryeministrit Millosh Vuçeviq.

  • Krasniqi: Prekazi nuk është thjesht një vend – është themeli i shtetit, zemra e kombit

    Krasniqi: Prekazi nuk është thjesht një vend – është themeli i shtetit, zemra e kombit

    Kreu i PDK-së, Memli Krasniqi ka bërë homazhe në Prekaz, në fillimin e Ditëve të Epopesë së UÇK-së.

    Krasniqi thotë se, 27 vite më parë, më 5, 6 dhe 7 mars, në Prekazin e shenjtë, qëndresa u bë betim, flijimi u bë udhërrëfim, e familja Jashari u ngrit në përjetësi.

    “Sërish vjen marsi dhe ne ndërrojmë mot – por vetëm ata nuk plaken kurrë! 27 vite më parë, më 5, 6 dhe 7 mars, në Prekazin e shenjtë, qëndresa u bë betim, flijimi u bë udhërrëfim, e familja Jashari u ngrit në përjetësi! Nga nëna Zahide dhe baca Shaban, nga Hamza te Ademi, nga Kushtrimi te daja Osë – burra e gra, fëmijë e pleq, një familje e tërë nuk u përkul, por qëndroi e pathyeshme, duke i kënduar lirisë edhe në çastet e fundit. Ata e dinin dhe besonin: Liria nuk dhurohet dhe as nuk blihet – ajo fitohet me gjak dhe me sakrificë!”.

    Ai shkruan se edhe pas 27 vitesh, emrat e tyre janë më të mëdhenj se koha, më të fuqishëm se çdo dhembje, më të shndritshëm se çdo yll.

    “Ata janë aty – të përjetshëm – në historinë tonë, në frymën e kësaj toke të lirë, në gjakun që rrjedh në damarët e çdo shqiptari!”.

    Sipas Krasniqit, Prekazi nuk është thjesht një vend – është altari i lirisë, themeli i shtetit, zemra e kombit!

    “Sepse, siç ka thënë vetë komandanti legjendar: Shumë erëra kanë kaluar, por lisit rrënjët s’kanë mundur t’ia shkulin. Kosova është ai lis i pamposhtur që vazhdon të rritet, të zgjerojë degët dhe të ngjitet në lartësi të reja – çdo ditë, çdo vit, deri në përjetësi! Lavdi e përjetshme komandantit legjendar Adem Jashari! Lavdi familjes heroike Jashari! Lavdi të gjithë dëshmorëve të kombit!”.

  • Studentët në Serbi marrin një kërcënim të ri, këtë herë pak ditë para protestës masive të 15 marsit

    Studentët në Serbi marrin një kërcënim të ri, këtë herë pak ditë para protestës masive të 15 marsit

    Krerët e Serbisë kanë nisur të bëjnë një shantazh në formë frikësimi ndaj studentëve protestues. Ata po kërcënojnë me humbje të vitit akademik, nëse bllokadat vazhdojnë. Kryetarja e Kuvendit Ana Brnabiq këtë kërcenim e dha fillimisht me 3 mars, kurse dje e ndërroi datën duke e shtyrë për 17 mars. Dyshohet se kërcënimi vjen për shkak të protestës masive që është paralajmëruar me datë 15.

    Kryetarja e Kuvendit të Serbisë, Ana Brnabiq, tha se 17 marsi është “Dita D” kur bëhet fjalë për mundësinë që ky vit akademik të mos humbasë për shkak të bllokimit të studentëve për më shumë se tre muaj të fakulteteve.

    Para kësaj date, ajo theksoi se 3 Marsi (i cili ka kaluar) ishte “shansi i fundit” për të mbrojtur vitin. Në një intervistë për Nova.rs, profesorët deklaruan se deklarata e Ana Brnabiqit është një përpjekje tjetër për të frikësuar akademikët, sidomos pasi ata paralajmëruan një protestë të madhe më 15 mars dhe se ata personalisht do të sigurohen që viti të mos shkojë kot.

    Pas datës fillestare të 3 marsit, e cila ishte shpallur nga kryeparlamentarja Ana Brnabiq si “dita D” që studentët në Serbi të mos humbasin vitin akademik, dje ajo shpalli një datë të re – 17 marsin.

    Kjo datë e dytë është në fakt, sipas saj, “shansi i fundit” për studentët serbë për të shpëtuar vitin aktual akademik.

    Megjithatë, profesori Vojin Iliq nga Fakulteti i Shkencave Teknike në Novi Sad, tha se deklarata e Brnabiq është një përpjekje tjetër për të frikësuar studentët dhe se vetë anëtarët e universitetit duhet të bëjnë plane për të kompensuar atë që ka munguar.

    “Askush nuk ka të drejtë të flasë marrëzi sepse universitetet janë të pavarura. Vetë anëtarët e universitetit duhet të bëjnë plane se si të kompensojnë atë që kanë humbur dhe si të ecin përpara në semestrin e ardhshëm, por asnjë fakultet nuk po bën asgjë për këtë sepse nuk ka kuptim. Ndoshta ka biseda të brendshme brenda menaxhmentit të fakultetit, por nuk ka kuptim të jepet ndonjë informacion sepse nuk dihet nëse bllokada e fakultetit do të përfundojë më 15 mars, 15 prill apo 15 maj”, thotë profesor Iliq.

    Ai dyshon se shpallja e datës së re ka lidhje me protestën e organizuar nga studentët në Beograd më 15 mars.

    “Brnabiq tha para 17 marsit se ‘D-Day’ ishte 3 Marsi. Dhe çfarë ndodhi pas kësaj date? Asgjë. Pastaj ata dhanë 17 marsin, pikërisht para protestës në Beograd më 15 mars. Pra, ata po flasin marrëzi. Dhe ndoshta ai 3 mars ishte për shkak të protestave në Nish. Ata sigurisht nuk kanë të drejtë të flasin marrëzi. E gjithë kjo më duket si një formë frikësimi dhe të gjithë studentët thonë se nuk do t’i kushtojnë vëmendje asaj që thotë Brnabiq, Vuçiq, apo ndonjë prej tyre. Ato data që po bëjnë publike janë thjesht frikësuese që ata vetë nuk i besojnë, kështu që asgjë”, është i sigurt profesori.

  • Komuna e Prishtinës nderon me mirënjohje familjen Jashari

    Komuna e Prishtinës nderon me mirënjohje familjen Jashari

    Në kuadër të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Komuna e Prishtinës ka mbajtur seancë solemne, me ç’rast kryetari i kryeqytetit, Përparim Rama ka ndarë një mirënjohje për familjen Jashari, raporton EO.

    Seanca sot nisi me intonimin e himnit të Kosovës dhe atij kombëtar, teksa me një minutë heshtje u nderuan dëshmorët dhe martirët e UÇK-së.

    Kryetari Përparim Rama, tha se atë ditë u ngrit një legjendë, Adem, Hamëz dhe Shaban Jashari për të mos vdekur kurrë.

    “Sot mblidhemi në këtë seancë për të nderuar sakrificën e pavdekshme e familjes Jashari e cila ishte pikë kthese drejtë lirisë dhe pavarësisë. Na nderon dhe shton peshë prezenca e Bekim Jasharit. Atë ditë u ngrit një legjendë, atë ditë së Adem, Hamëz dhe Shaban Jashari. Ranë për të mos vdekur kurrë. Sot përulemi me nder para familjes Jashari, para strategut të luftës dhe para heroit Shaban Jashari i cili lindi heronj”, tha ai.

    Ai theksoi se Kosova që po ndërtojmë duhet të jetë Kosova e vlerave.

    “Granatat atë ditë nuk kursyen askënd, as fëmijët, as nënat dhe as motrat. Nëna Zahide jo vetëm që i dha bijtë për këtë tokë por dha edhe jetën dhe më e pakta që mund ta bëjmë është që ta skalisim në kokat tona. Kosova që po ndërtojmë duhet të jetë Kosova e vlerave”, u shpreh Rama, teksa i ndau mirënjohjen.

    Ndërsa, pjesëtari i familjes Jashari, Bekimi, tha se ndihet i nderuar për këtë mirënjohje.

    “Dëshmorët e kombit janë vëllezër dhe motra të lidhur për kauzën e shenjtë për liri. Prehën të qetë në tokën e lirë. Sot duke kujtuar dëshmorët nuk përkulemi vetëm para së kaluarës por ndërtojmë të ardhmen. Ne nuk mund të lejojmë që gjaku i derdhur të mbetet një kujtim por me një përkushtim dhe unitet i qëndrueshëm. Kosova duhet të jrtë një shtet ku drejtësia triumfon”, u shpreh Jashari.