ATV

Author: ATVLive

  • Kurti: Falë sakrificave të tyre, sot Kosova është një shtet i pavarur dhe demokratik

    Kurti: Falë sakrificave të tyre, sot Kosova është një shtet i pavarur dhe demokratik

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë homazhe në Prekaz për nder të Ditës së Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), raporton EO.

    Ai kujtoi sakrificat e familjes Jashari dhe të gjithë luftëtarëve që dhanë jetën për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.

    “Tre brezat e Jasharëve 59 gjithsej rreth gjysma gra e fëmijë u flijuan me 5-6-7 mars 1998, për çlirimin e Kosovës për lirinë pavarësinë dhe bashkimin. Epopeja e UÇK-së i dha një hovë të pandalshëm kryengritjes së armatosur dhe luftës çlirimtare. U vetëdijesuar edhe ndërgjegjësua edhe publiku ndërkombëtare dhe diplomacia botërore”, tha Kurti.

    Kurti theksoi se, edhe pse nuk janë fizikisht ndër ne, figura të shquara si Shaban Jashari, Hamza Jashari dhe Adem Jashari do të mbeten përherë në kujtesën e popullit dhe në zemrat e qytetarëve të Kosovës.

    “Sot baca Shaban do të ishte 100 e sivjet Hamza do të bëhet 75 e Ademi 70, ata nuk i kemi fizikisht por ata kanë vetëm ditëlindjen, kanë 2 prill, 19 prill dhe 28 nëntori. Vdekja e tyre është Epopeja e UCK dhe tani ndonëse nuk e kemi kryekomandantin, Hamzën e Shabanin të gjithë tjerët e kemi bacin Rifat me shtëpinë plotë nipa dhe mbesa, por kemi Kosovën republikë me demokraci dhe zhvillim”, ka deklaruar Kurti.

  • Osmani nga Prekazi: Nuk duhet të devijojmë nga rruga e shtruar me sakrificë e dëshmorëve dhe martirëve

    Osmani nga Prekazi: Nuk duhet të devijojmë nga rruga e shtruar me sakrificë e dëshmorëve dhe martirëve

    Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani së bashku me kryeministrin Albin Kurti, kryeparlamentarin Glauk Konjufca kanë bërë homazhe në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz, raporton EO.

    “Kujtojmë Epopenë Çlirimtare të Kosovës, e cila i dedikohet përkujtimit tonë të përbashkët, në këtë kohë lirie, secili dëshmor e martirë që ka dhënë jetën për Kosovë. Mbi të gjitha i kushtohet sakrificës guximit dhe trimërisë të treguar nga familja Jashari. Ata luftuan shumë më gjatë sesa përgjatë viteve të luftës duke u shndërruar në emblemë të UCK-së, dhe duke i shndërruar kullat e Jasharëve në simbol të një kalaje të lirisë, që edhe sot e mbron Kosovën”, tha Osmani.

    Ajo ka theksuar se asnjëherë nuk duhet të harrojmë dhe as të devijojmë nga rruga e shtruar me sakrificën e dëshmorëve dhe martirëve.

    “Edhe fëmijët tanë inspirohet për rrugën përpara për mbrojtën e lirisë mbi të gjitha na përkujtohet se sa i lartë ka qenë për të fituar lirinë tonë. Asnjëherë nuk duhet të harrojmë as të devijojmë nga rruga e shtruar kjo sakrificë e dëshmorëve dhe martirëve, gjithnjë një rrugë do të shërbejë si dritë udhërrëfyese për forcimin e Kosovës”, ka thënë Osmani.

  • ​Skeningu neonatal për herë të parë në Kosovë

    ​Skeningu neonatal për herë të parë në Kosovë

    Për herë të parë në Kosovë, brenda pak ditësh, në Klinikën e Neonatologjisë pranë Qendrës Klinike Universitare të Kosovës do të realizohet skeningu metabolik neonatal, i cili mundëson zbulimin e hershëm të sëmundjeve gjenetike tek foshnjet. Një shërbim i tillë ende nuk kryhet në vendet e rajonit.

    Sipas drejtorit të Klinikës së Neonatologjisë, Luan Morina skeningu metabolik neonatal është arritja më e madhe në mjeksinë preventive, shkruan KosovaPress.

    Ai tregon se laboratori, aparaturat moderne dhe hapësira janë gati që të jetësohet ky projekt, derisa potencon se edhe stafi shëndetësor është trajnuar për realizimin e këtij shërbimi.

    “Si projekt tjetër që tashmë jemi në fazën finale dhe veçse janë çështje ditësh dhe mund të themi me një krenari shumë të madhe, mund ta falënderojmë Ministrinë e Shëndetësisë, SHSKUK-në, QKUK-në që kanë bërë të realizohet edhe skeningu metabolik neonatal. Që për herë të parë bëhet në vendin tonë dhe mund të themi se ky nuk bëhet në shtetet fqinje, pra në regjion nuk realizohet. Skeningu metabolik neonatal ka të bëjë më diasgnostifikimin e hershëm të sëmundjeve gjenetike. Sëmundje që në moment të lindjes nuk detektohen, por në faza të caktuara të jetës. Me testimet që ne do të realizojmë, ne do të diagnostifikojmë ose do të bëjmë të mundshëm detektimin e këtyre fëmijeve të cilët do të kenë predispozita në një kohë ta caktuar që të manifestojnë këtë sëmundje. Ky skening neonatal në fillim do të startojmë me pesë sëmundje: fenilketonurinë, galaktozeminë, fibrozën cistike, hipotiroidizën kongjenital dhe atrofinë spinale muskulare. Skeningun neonatal mund ta quajmë si e arritura më e madhe e mjekësisë preventive”, thekson Morina, shkruan KosovaPress.

    Morina përmend transportin neonatal, me ç’rast bëhet bartja e foshnjeve nga spitalet regjionale në Klinikën e Neonatologjisë, që kanë nevojë për trajtim intensiv.

    Neonatologu Luan Morina, në një intervistë për KosovaPress thotë se sfidë për këtë klinikë mbetet trajtimi i foshnjeve të lindura para kohe. Porse shton se falë punës dhe profesionalizmit të stafit, është arritur që edhe foshnjet e lindura me nga 700 gramë të mbijetojnë.

    “Klinika e Neonatologjisë ofron shërbime të shumta, duke filluar nga trajtimi i prematuritetit, i cili mbetet sfidë e Neonatologjisë. Kur jemi te prematuriteti janë ato foshnje që lindin para kohe, foshnje të cilat shtatzënia ndërprehet para javës së 37-të. Ne kemi raste kur kemi prematuritet të thellë. Duke filluar nga 24-25 javë, por që është preamturiteti më i thellë ose faza më e vështirë, ku foshnjet lindin me një peshë të vogël 500/600 gramë…Falë punës, suksesit dhe trajnimit gjithmonë të stafit dhe profesionalizmit të stafit të klinikës tonë kemi rezultate të mira dhe kemi arritur që foshnjet me nga 700/800 gramë që të mbijetojnë”, tha Morina.

    Ndërkaq, drejtori i Neonatologjisë në QKUK, Luan Morina potencon se prioritet për këtë klinikë mbetet angazhimi për rënien e mortalitetit të foshnjeve, shkruan KosovaPress.

    “Nëse e krahasojmë me një neonatologji para 15 viteve ose edhe më shumë, kur mortalitetin e kemi pasur 30 pro mil, që mund të themi se ka qenë shifër shumë e madhe. Tashmë ne, falë angazhimit të stafit kemi një numër shumë më të ulët. Kemi një mortalitet në rënie, kemi më pak se 14 pro mil. Mirëpo, edhe kjo shifër do të ishte më e mirë, sikur mos ta kishim edhe një fenomen në rritje siç është prematuriteti siç e përmenda, ai i thellë. Ku normalisht një foshnje e cila lind në prematuritet 24-25 javë, është pak më e vështirë, ka më pak mundësi që të shkojë mirë dhe të mbijetojë. Këto foshnje na e rrisnin numrin e vdekshmërisë”, potencon Morina.

    Ai tregon se aktualisht në Klinikën e Neonatologjisë po trajtohen mbi 80 foshnje, ku 9 prej tyre janë në respirator.

    “Në Klinikën e Neonatologjisë aktualisht i kemi 83 foshnje të cilat janë duke marrë trajtim në klinikën tonë. Prej tyre i kemi 9 foshnje që i kemi në ventilim mekanik ose në respirator, foshnje që janë të intubuara dhe janë në aparat të frymëmarrjes…Prej tyre në trajtim ose një metodë jo më inavzie, CPAP, i kemi 10 foshnje në CPAP, të cilat gjithashtu kanë nevojë për përkrahje respiratore. Ndërsa prej këtyre foshnjeve, 16 pranime nga jashtë, ose janë foshnje që janë referuar nga spitalet regjionale dhe private”, tregon Morina.

    Përveç tjerash, Morina tregon se kjo klinikë funksionon me 30 mjekë specialistë, derisa shton se synim mbetet rritja e numrit të stafit të mesëm, shkruan KosovaPress.

    Ai thotë se hapësirat janë të mjaftueshme dhe se janë te furnizuar mirë me barna esenciale.

    Klinika e Neonatologjisë është i vetmi shërbim terciar në nivel të Republikës së Kosovës, e cila kryen shërbime shëndetësore ndaj të gjitha foshnjave. Përveç në Klinikën Obstetrike Gjinekologjike në QKUK, Neonatologjia ofron trajtim edhe për foshnjet që lindin në spitalet regjionale dhe në ato private.

  • “Gratë Ambasadore” – Mbahet tryezë diskutimi për Ditën Ndërkombëtare të Grave

    “Gratë Ambasadore” – Mbahet tryezë diskutimi për Ditën Ndërkombëtare të Grave

    Në Kolegjin AAB është mbajtur tryezë diskutimi me titullin “Gratë ambasadore”, në të cilën morën pjesë gratë diplomate me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Grave. Kjo tryezë u moderua nga prorektorja e Kolegjit AAB Venera Llunji, ndërsa në fjalën hyrëse rektori Blerim Olluri tha se institucioni avokon fuqishëm për barazinë gjinore dhe lidershipin e grave. Ai tutje shtoi se prezenca e ambasadoreve në tryezën e diskutimeve shërben si frymëzim dhe tregon rolin vendimtar që kanë gratë në formësimin e politikave.

    “Kolegji AAB qëndron si avokues i fuqishëm për barazi gjinore dhe lidership të grave. Ne krenohemi për nxitjen e një mjedisi akademik dhe profesional ku gratë janë jo vetëm prezente por edhe mbajnë poste drejtuese. Me këtë rast, le të rikonfirmojmë përkushtimin tonë për të thyer barrierat, për të nxitur mundësi të barabarta dhe për të njohur kontributin e jashtëzakonshëm të grave në të gjitha fushat”, tha rektori Olluri ndër të tjera.

    Pjesëmarrëse në tryezë ishin: Sh.S Ambasadorja e Kroacisë në Kosovë Danijela Barišić; Sh.S Ambasadorja e Sllovenisë në Kosovë Minca Benedejčič; Sh.S Ambasadorja e Maqedonisë së Veriut në Kosovë Shpresa Jusufi; Konzullja e përgjithshme e Kosovës në New York Arta Rama, Sh.S Ambasadorja e Kosovës në Holandë Vjosa Dobruna, Sh.S Ambasadorja e Kosovës në Itali Lendita Haxhitasim, Ambasadorja e Vullnetit të Mirë për Kosovën Elvana Shala dhe Kavya Rajan nga OSBE.

    Theksi i diskutimeve ishte në sfidat, përpjekjet dhe arritjet e shumta që kanë shënuar gratë në diplomaci. Ambasadoret e ftuara ndanë histori, përvoja dhe reflektime të ndryshme për të gjithë të pranishmit, të cilat ndërlidheshin me punën e tyre të deritanishme dhe kontributin e dhënë si diplomate në shtete të ndryshme të botës.

  • Rama bën nderime pranë shtatores së heroit të Kombit Zahir Pajaziti

    Rama bën nderime pranë shtatores së heroit të Kombit Zahir Pajaziti

    Në kuadër të shënimeve të 27-vjetorit të Epopesë së UÇK-së, kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka bërë nderime pranë shtatores së heroit të Kombit Zahir Pajaziti, raporton EO.

    Rama ka thënë se fal të rënëve për liri ne sot mund të planifikojmë të ardhmen.

    “Bëmë nderime për nder të ditëve të fillimit të UÇK-së, të familjes së komandantit legjendar Adem Jashari dhe të gjithë dëshmoreve të rënë për lirinë, pavarësinë, paqen që ne sot e kemi edhe arsyen që sot mundemi ta planifikojmë për vetën për të ardhmen tonë”, tha Rama.

  • OVL e UÇK-së bën homazhe në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz

    OVL e UÇK-së bën homazhe në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz

    Me rastin e Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, kanë bërë homazhe në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz, raporton EO.

    Kryetari i Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve, Xhavit Jashari, tregoi arsyen e mosbashkëpunimit me Qeverinë.

    “Ne si organizata kemi menduar që mos t’i fyejmë dëshmorët. Ne jemi për institucione, ne i çmojmë institucionet, por brenda kësaj Qeverie ka njerëz anti-UÇK të cilët e kanë fyer luftën dhe kanë tentuar ta njollosin dhe kanë bashkëpunuar me Gjykatën Speciale ku sot padrejtësisht i kemi krerët e UÇK-së”, tha Jashari.

    Jashari tha se fyerja më e madhe është kur Mimoza Kusari-Lila kërkon ndihmë nga Lista serbe për t’i goditur veteranët nga e drejta e tyre.

    “Përveç organizatës, do të ishte fyerje për familjarët e mi që i kam dëshmorë nëse bëj homazhe me ministren e Punëve të Jashtme e cila është deklaruar se ka deponuar dëshmi kundër krerëve të UÇK-së. Për neve është fyerje nëse bëjmë homazhe me ministrin Hekuran Murati i cili ka deklaruar se më mirë e më lehtë do të dilnim nëse paguanim mercenarë. Fyerja më e madhe është kur Mimoza Kusari-Lila kërkon ndihmë nga Lista serbe për t’i goditur veteranët nga e drejta e tyre”, u shpreh Jashari.

  • ​Enrique paralajmëron Liverpoolin para ndeshjes kthyese

    ​Enrique paralajmëron Liverpoolin para ndeshjes kthyese

    Trajneri i PSG-së Luis Enrique ka dhënë reagimin e tij për humbjen 1-0 kundër Liverpool-it në ndeshjen e parë të fazës 1/16-tës së Ligës së Kampionëve.

    Trajneri i Paris Saint-Germain, Luis Enrique u ankua për humbjen ‘e padrejtë’ të skuadrës së tij ndaj Liverpoolit, transmeton KosovaPress.

    “Reds” janë në pozitë komode para ndeshjes kthyese pasi fituan 1-0 në ndeshjen e parë në “Parc des Princes”. Skuadra e Arne Slot u dominua gjatë gjithë kohës nga një sulm i fuqishëm i PSG-së por ishte portieri Alisson Becker heroi i skuadrës angleze.

    Por sulmet e fuqishme të skuadrës franceze u zhvleftësuan në tre minutat e mbetura kur zëvendësuesi i Liverpool, Harvey Elliott shënoi për të dhënë një triumf të shkëlqyeshëm skuadrës angleze.

    Dy skuadrat do të takohen në ndeshjen e kthimit në “Anfield” të martën dhe ish-trajneri i Spanjës është zotuar se lojtarët e tij do të marrin pikat pozitive në atë përballje.

    “Është shumë e padrejtë. Ishte një lojë shumë e kompletuar nga ne, ndoshta ndeshja jonë më e kompletuar në Champions League. Në pjesën e parë, golat e pritur ishin totalisht në favorin tonë. Ata goditën një herë dhe shënuan. Lojtari i tyre më i mirë ishte portieri Alisson. Është pak e çuditshme, por ndihem shumë krenar për ekipin tim, lojtarët dhe tifozët. Kishte një atmosferë të mrekullueshme, por futbolli ndonjëherë është i padrejtë. Duhet të shënosh. Do ta marrim në një mënyrë pozitive dhe do të mendojmë për ndeshjen e kthimit në Liverpool”, ka thënë Enrique pas ndeshjes, përcjellë KosovaPress.

    “Nuk ka asgjë për të shpjeguar, ne ishim shumë më mirë se Liverpooli. Shumë më mirë! E përsëris, por lojtari i tyre më i mirë ishte portieri. Ne ishim vërtet më të mirë se Liverpooli por ata fituan. Nëse doni të shihni negativin, unë nuk e shoh atë. Jam shumë krenar për ekipin tim dhe lojtarët e mi. Ka mbetur një ndeshje e dytë në Liverpool, ne nuk do të dorëzohemi”, tha në fund ai.

  • Në Prekaz vendoset simboli me emrat e 1 432 fëmijëve të vrarë gjatë luftës

    Në Prekaz vendoset simboli me emrat e 1 432 fëmijëve të vrarë gjatë luftës

    Sot në Prekaz është vendosur një simbol me emrat e 1432 fëmijëve të vrarë gjatë luftës në Kosovë, raporton Ekonomia Online.

    Ëndrrat e secilit prej tyre u ndalën në gjysmë. Drejtësia për këta fëmijë ende nuk është arritur.

    Nxënës të shkollave fillore në Kosovë edhe sot po vizitojnë Prekazin, si dhe këtë simbol ku kanë lexuar emrat e moshatarëve të tyre të vrarë gjatë luftës.

  • Rama sqaron se pse përdor epitetin “kënetë” për opozitën

    Rama sqaron se pse përdor epitetin “kënetë” për opozitën

    Kryeministri Edi Rama, gjatë rubrikës ‘Sy m’sy’, ka treguar se pse përdor epitetin kënetë për opozitën, duke thënë se “kjo është për të pasur të qartë një gjë, që alternative ndaj nesh është kënetë.”

    Rama tha se “po të kthehemi mbrapsht, Shqipërinë e kemi gjetur kënetë”.

    Ndër të tjera tha se opozita është një “kënetë që s’i duhet dreqit, se këneta ka përfitimet e veta. Bufi, ai i vërteti i kënetës, është ku e ku me këtë bufin tjetër, që është buf me dy këmbë e dy duar”.

    Rama: Është shumë interesante sepse kur unë bëj një shfrytëzim metaforik të gjuhës shqipe, ka njerëz që skandalizohen. Ndërsa kur të tjerë bëjnë një shfrytëzim barbar të gjuhës shqipe, duke përdorur fjalët më ekstreme dhe më brutale, është normale.

    Kënetë dhe çfarë kënete. Kënetë që s’i duhet dreqit, se këneta ka përfitimet e veta. Bufi, ai i vërteti i kënetës, është ku e ku me këtë bufin tjetër, që është buf me dy këmbë e dy duar.

    Kjo është për të pasur të qartë një gjë, që alternative ndaj nesh është kënetë. Dhe po të kthehemi mbrapsht, Shqipërinë e kemi gjetur kënetë.

    Borxhet në sistem, gjeneratorët nga të katër anët, të shpoheshin hundët nga djegia e motorëve. A s’’shte kënetë? Kur shoh sot ku jemi, nuk ka krahasim. Kemi dalë nga këneta.

  • “Paralajmërimi i fundit” i Trumpit, vjen reagimi i Hamasit

    “Paralajmërimi i fundit” i Trumpit, vjen reagimi i Hamasit

    Hamasi tha të enjten se kërcënimet e përsëritura të presidentit amerikan, Donald Trump, kundër palestinezëve përbëjnë mbështetje për kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu, që të tërhiqet nga armëpushimi në Gaza dhe ta intensifikojë rrethimin e Gazës.

    Trumpi kërkoi të mërkurën që Hamasi “t’i lirojë të gjitha pengjet tani, jo më vonë”, përfshirë trupat e pengjeve të vdekura, “ose MBAROI për ju”, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”, transmeton Nacionale.

    Në një përgjigje për këtë agjenci, zëdhënësi i Hamasit, Abdel-Latif Al-Qanoua, tha: “Rruga më e mirë për t’i liruar të burgosurit e mbetur izraelitë është që pushtimi (Izraeli) të futet në fazën e dytë (të armëpushimit) dhe detyrimi i tij që t’i përmbahet marrëveshjes së nënshkruar nën sponsorizimin e ndërmjetësve.”

    Armëpushimi në Gaza, i cili hyri në fuqi në janar, u negociua me pjesëmarrjen e një emisari të Trumpit bashkë me të dërguar të administratës në largim të ish-presidentit Joe Biden. Në pakt bëhet thirrje që pengjet e mbetura të lirohen në fazën e dytë të armëpushimit, gjatë të cilës do të negocioheshin planet përfundimtare për përfundimin e luftës, përcjell gazeta “Nacionale”.

    Faza e parë e armëpushimit përfundoi të shtunën dhe Izraeli ka vendosur bllokadë të plotë për hyrjen e mallrave në Gaza, duke kërkuar që Hamasi t’i lirojë pengjet e mbetura pa filluar bisedimet për përfundimin e luftës.

    Palestinezët thonë se kjo bllokadë mund të shkaktojë vdekje nga uria në mesin e popullsisë prej 2,3 milionë banorësh që jetojnë në rrënojat e Gazës.

    Trumpi e bëri kërcënimin e ri pas një takimi në Shtëpinë e Bardhë të mërkurën me një grup të pengjeve që ishin liruar gjatë fazës së parë të armëpushimit në Gaza.

    “Unë do t’i dërgoj Izraelit gjithçka që i nevojitet për ta kryer punën, asnjë anëtar i Hamasit nuk do të jetë i sigurt, nëse ju nuk bëni ashtu si them unë” – shkroi Trumpi në rrjetin “Truth Social”.