Mësohet se Ulqini do të jetë vendi nikoqir i shtatores së Gjergj Kastriotit Skenderbeut, dhe kjo shtatore do të vendoset pikërisht në bulevardin që mban edhe emrin e figurës më të rëndësishme të kombit shqiptar, përcjell albinfo.ch.
Për krijimin e kësaj shtatoreje, Komuna e Ulqinit tashmë ka hapë thirrjen ndërkombëtare për skulptorët, thirrje nëpërmjet të cilës është bërë e ditur se po kërkojnë skulptorët me ide sa më kreative për realizimin e kësaj shtatoreje.
Konkursi tashmë është shpallë dhe do të rri i hapur deri më 29 prill të këtij viti, dhe organizatorët bëjnë të ditur se ky konkurs do të vlerësohet më pas nga pesë anëtarë profesionistë të jurisë, të cilët do të përzgjedhin tre punimet më të mira të konkursit, ku vendi i parë do të merr të drejtën e realizimit final të shtatores.
Ndërkohë bëhet e ditur se vendi i parë do të shpërblehet me 3 mijë euro, përderisa vendi i dytë me 2 mijë e 500 euro, kurse i treti me 2 mijë sosh.
“Pjesëmarrësit në Konkurs janë të obliguar që punimet e tyre t’i dorëzojnë brenda afatit të caktuar në Sekretariatin për kulturë dhe veprimtari shoqërore përmes Byrosë së qytetarëve të Komunës së Ulqinit, adresa Bulevardi Gj.K.Skenderbeu pn, Ulqin. Dokumentat e konkursit janë të publikuara në faqen zyrtare të Komunës së Ulqinit www.ul-gov.me ku mund të shkarkohen nga të gjithë të interesuarit për pjesëmarrje në konkurs”, thuhet mes të tjerash në thirrjen për skulptorët.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryeministri në detyrë Albin Kurti kanë hyrë ndaras në Kullën e Jasharëve për 27-vjetorin e Epopesë së UÇK-së në Prekaz, raporton KosovaPress.
Vëllai i Adem Jasharit, Rifat Jashari ka pritur ndaras Osmanin dhe Kurtin në kullë.
Me rastin e 27-vjetorit të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, presidentja Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti vizituan Kullën e Jasharëve në Prekaz, por ndaras nga njëri-tjetri.
Ndërsa, në Kompleksin Memorial “Adem Jashari”, krerët e shtetit kanë bërë homazhe së bashku, presidentja e vendit, Vjosa Osmani, kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca dhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti, raporton KosovaPress.
Jasharët, zhvilluan rezistencë më 5, 6 dhe 7 mars, ku u përballën me forcat serbe, më 1998. Ai ishte sulmi i tretë ndaj tyre por që mori jetën e 55 personave – 22 prej të cilëve ishin të familjes së ngushtë të Adem Jasharit, shkruan KosovaPress.
Pesë, gjashtë dhe shtatë marsi shënon Epopenë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës – manifestim që mbledh në Prekaz qytetarë, organizata e përfaqësues të institucioneve.
Marrëveshja e lëvizjes së lirë mes pikave kufitare të Vërmicës dhe Morinës, nga 1 marsi ka pushuar së funksionuari për një periudhë dymujore.
Gjatë kësaj periudhe, pikat kufitare të Shqipërisë dhe Kosovës, do të bëjnë përpunim e të dhënave të drejtueseve të automjeteve dhe udhëtarëve me procedurë të përshpejtuar.
Kjo edhe për shmangien e radhëve dhe pritjeve për shkak të fluksit të lartë të lëvizjes së mjeteve dhe udhëtarëve nisur edhe nga fakti i përmirësimit të kushteve të motit.
Edhe pse drejtuesit e mjeteve dhe udhëtarët shprehen për lëvizje të lirë gjatë gjithë vitit ata thonë se nuk është pritur gjatë në kufi ndërsa kontrollet i shohin normale.
Ndërkohë gjatë fundjavave dhe festave zyrtare lëvizja është pa kontrolle për automjetet me traga të Shqipërisë dhe Kosovës.
Marrëveshja e lëvizjes së lirë të nënshkruar mes Kosovës dhe Shqipërisë në pranverën e vitit të kaluar shmangu trafikun dhe lehtësoi lëvizjen kufitare gjatë sezonit veror. Pika kufitare e përbashkët Shqipëri-Kosovë, përpunon numrin më të madh të mjeteve dhe udhëtarëve që hyjnë dhe dalin në të dyja anët e kufirit.
Instituti Norvegjez Nobel ka njoftuar se numri i nominimeve për Çmimin Nobel të Paqes për vitin 2025 ka arritur në 338, nga të cilët 244 janë individë dhe 94 janë organizata. Kjo shifër shënon një rritje krahasuar me 286 nominimet e vitit të kaluar, por mbetet më e ulët se rekordi prej 376 kandidatësh të regjistruar në vitin 2016.
Kongresmeni republikan në SHBA, Darrell Issa, ka propozuar presidentin Trump për ta fituar këtë çmim. Ai deklaroi përmes një postimi në platformën X se “askush nuk e meriton më shumë çmimin se sa presidenti amerikan”.
Zyra e kongresmenit ka sqaruar se kandidatura e Trumpit është propozuar për shkak të përpjekjeve të tij për të arritur paqen në Lindjen e Mesme.
Ndërkohë, mediat ukrainase raportojnë se deputeti Oleksandr Mereshko ka dorëzuar propozimin për Trumpin që në nëntor të vitit të kaluar, në përpjekje për të tërhequr vëmendjen e ish-presidentit amerikan pas sukseseve të tij në zgjedhjet e SHBA-së.
Përveç Trumpit, një sërë figurash të tjera të njohura janë nominuar për Çmimin Nobel të Paqes. Deputetët e parlamentit norvegjez kanë propozuar ish-sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, sekretarin e përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres, dhe Papa Françeskun, sipas mediave ndërkombëtare.
Vitin e kaluar, ky çmim prestigjioz iu dha organizatës japoneze Nihon Hidankyo, e cila përfaqëson të mbijetuarit e sulmeve bërthamore në Hiroshima dhe Nagasaki.
Pas takimeve të krizës në Paris dhe në Londër, liderët evropianë janë mbledhur të enjten në Bruksel për një “samit të veçantë”, në të cilin bën pjesë edhe plani i tyre për një rritje të madhe ushtarake.
Drafti i konkluzioneve, i parë nga Radio Evropa e Lirë, përmend rritjen e mbrojtjes ajrore, artilerisë dhe “armëve precize”.
“Bashkimi Evropian do ta bëjë vërtet ndryshimin” në mbrojtje, tha një zyrtar i lartë i BE-së në prag të samitit. Ai shtoi se ka “gatishmëri të qartë” nga të gjithë për këtë çështje.
Samitit i së enjtes u thirr më 27 shkurt, si përgjigje ndaj zhvillimeve të shpejta diplomatike. Por, prej atëherë, zhvillimet janë përshpejtuar, pas përplasjes në Zyrën Ovale dhe vendimit të Uashingtonit për ta pezulluar ndihmën ushtarake për Ukrainën.
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, pritet të marrë pjesë në samit, edhe pse nuk është ende e qartë nëse do ta bëjë ketë fizikisht apo virtualisht.
Cili është plani për riarmatosjen e Evropës?
Një pikë kyçe do të jetë plani i paraqitur nga kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, më 4 mars, i quajtur riarmatosja e Evropës.
Plani parashikon lëshimin e deri në 800 miliardë eurove për shtetet anëtare të BE-së për t’i shpenzuar për mbrojtjen.
Konkluzionet e draftit të samitit, të cilat janë parë nga REL-i, e mirëpresin në përgjithësi planin, duke hapur rrugën për miratimin e planeve më të hollësishme në takimin e ardhshëm të Këshillit të BE-së më 20-21 mars.
Duke theksuar nevojën për “rritje të konsiderueshme të shpenzimeve për mbrojtjen”, teksti kërkon “veprime në nivelin e BE-së” për të forcuar kapacitetet ushtarake përballë “kërcënimeve të shkaktuara nga Rusia dhe Bjellorusia”.
Liderët e shteteve të BE-së gjithashtu pritet të mirëpresin rregullat e reja për huamarrjen të paraqitura nga Banka Evropiane e Investimeve, duke liruar fonde për financimin e projekteve si, kazermat dhe spitalet ushtarake.
Para samitit, pati letra e von der Leyen mori përgjigje pozitive.
Ministrja e Jashtme gjermane, Annalena Baerbock, tha se ky është “hapi i parë i rëndësishëm”, ndërsa kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis postoi në rrjetet sociale: “Tani duhet të punojmë për t’i shtjelluar hollësitë”.
A mund të mbrohet Evropa pa ndihmën e SHBA-së?
Plani vjen në një kohë kur Uashingtoni njoftoi pezullimin e ndihmës ushtarake për Ukrainën, dhe për disa, kjo është përpjekje e Evropës për t’u përgatitur për skenarin më të keq pa ombrellën amerikane të sigurisë.
Në përgjithësi, politikanët evropianë e kanë hedhur poshtë këtë.
“Ne nuk duhet të heqim dorë nga SHBA-ja”, tha ministri i Jashtëm çek, Jan Lipavsky, më 4 mars, ndërsa kryeministri britanik Keir Starmer u tha gazetarëve në konferencën e Londrës gjatë fundjavës: “Unë nuk pranoj që SHBA-ja të jetë aleat i pasigurt”.
Por, fakti se ata po i thonë këto gjëra është një shenjë e shqetësimit të Evropës nga vendimet dhe deklaratat që po vijnë nga Uashingtoni.
Dhe, në prag të samitit, Presidenti francez Emmanuel Macron ngriti dyshime të tjera.
“Unë dua të besoj se SHBA-ja do të mbeten përkrah nesh”, tha ai në një fjalim televiziv drejtuar kombit. “Por, ne duhet të jemi të përgatitur nëse kjo nuk ndodh”.
A mund Zelensky t’i ndreqë marrëdhëniet me Trumpin?
Përqendrimi kryesor mbetet rregullimi i marrëdhënieve të krisura mes presidentit amerikan, Donald Trump, dhe Zelenskyt. Ka pasur disa lëvizje në këtë drejtim në ditët para samitit.
Në fjalimin e tij në Kongres më 4 mars, Trump tha se Zelensky i kishte shkruar atij pas përplasjes së fundit në Zyrën Ovale, dhe se lideri ukrainas është i gatshëm të kthehet në tryezën e negociatave.
Të nesërmen, këshilltari i tij për sigurinë kombëtare, Mike Waltz, i tha Fox News se pezullimi i ndihmës ushtarake mund të hiqej nëse Ukraina do ta nënshkruajë një marrëveshje që i jepte Uashingtonit qasje në pasuritë e saj minerale – një mundësi që, sipas një zyrtari të SHBA-së, është ende e mundur pasi Zelensky shprehu pendesë për përplasjen me Shtëpinë e Bardhë.
Ndërkohë, më 5 mars, një zëdhënëse e qeverisë franceze i tha gazetarëve se presidenti Emmanuel Macron po shqyrtonte një vizitë të përbashkët në Uashington me Zelenskyn dhe kryeministrin britanik Keir Starmer.
Por, një zyrtar i Parisit më vonë sqaroi se nuk kishte ende plane të përcaktuara për këtë.
Çështja e Ukrainës mund të zbulojë gjithashtu mungesën e unitetit të BE-së në samitin e veçantë.
Pas fjalimit të tij televiziv drejtuar kombit më 5 mars, Macron pati një darkë me kryeministrin hungarez Viktor Orban në Pallatin Elysee në prag të samitit.
Qëllimi i tij ishte ta bindte Orbanin, i cili ka zhvilluar lidhje të ngushta me presidentin rus Vladimir Putin, që ta mbështesë një deklaratë që mbështet Ukrainën.
Është e mundur që Hungaria ta nënshkruajë planin për riarmatim, por ta refuzojë miratimin e konkluzioneve për Ukrainën.
Në fjalimin e tij televiziv, Macron tha se do të ishte “çmenduri” të shpërfillej kërcënimi që tani përbën Rusia për Evropën dhe theksoi se është i hapur për bisedime për shtrirjen e ombrellës bërthamore të Francës në vendet aleate të Parisit në kontinent.
Kush mund të dërgojë trupa në Ukrainë?
Siç u tha, ky takim pason një seri takimesh të mëparshme për krizën, më së fundmi në Londër më 2 mars.
Një pikë kyçe nga ai takim ishte se Britania e Madhe, Franca dhe shtete të tjera do të punonin për një plan të përbashkët paqeje me Ukrainën, të cilin do ta çonin më pas në Uashington. Mund të ketë disa diskutime për këtë në margjinat e Brukselit.
Një pikë tjetër kyçe nga bisedimet e fundit është plani për të formuar një forcë ushtarake evropiane për ta dërguar në Ukrainë si pjesë e një marrëveshjeje armëpushimi ose paqeje.
Deri tani, Britania e Madhe dhe Franca kanë thënë se janë gati të dërgojnë trupa në terren. Starmer tha në Londër se edhe shtete të tjera janë angazhuar, por refuzoi t’i emëronte ato.
Një zyrtar i lartë i BE-së konfirmoi se shtetet anëtare kanë shprehur gatishmërinë, por “të hysh në detaje është ende herët.” Megjithatë, ai shtoi, “duhet të fillojë puna dhe ky Këshill Evropian është një moment i mirë për të nisur atë punë”. /Radio Evropa e Lirë
Zelanda e Re ka shkarkuar ambasadorin e saj më të lartë në Mbretërinë e Bashkuar, Phil Goff, pas komenteve të tij që vinin në dyshim njohuritë historike të presidentit amerikan Donald Trump.
Gjatë një eventi në Londër, Goff krahasoi përpjekjet për t’i dhënë fund luftës midis Rusisë dhe Ukrainës me Marrëveshjen e Mynihut të vitit 1938, e cila i dha Adolf Hitlerit kontrollin mbi një pjesë të Çekosllovakisë. Ai kujtoi kritikën e Winston Churchill ndaj marrëveshjes dhe shtoi: “Presidenti Trump e ka rikthyer bustin e Churchill në Zyrën Ovale. Por mendoni se ai e kupton vërtet historinë?”
Komentet e tij u cilësuan si “thellësisht zhgënjyese” dhe e bënë të “papranueshme” mbajtjen e tij në detyrë, tha Ministri i Jashtëm i Zelandës së Re, Winston Peters. Shkarkimi erdhi pasi Trump pezulloi ndihmën ushtarake për Ukrainën pas një debati të ashpër me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, raporton BBC.
Goff e krahasoi Trumpin me Churchill-in, i cili, megjithëse i shkëputur nga qeveria britanike, e kundërshtoi Marrëveshjen e Mynihut, duke e parë atë si një dorëzim ndaj kërcënimeve të Gjermanisë Naziste. Ai citoi edhe fjalët e Churchill drejtuar kryeministrit të atëhershëm britanik, Neville Chamberlain: “Kishit zgjedhjen mes luftës dhe turpit. Zgjodhët turpin, por do të keni edhe luftën”, përcjell KosovaPress.
Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Kosovë (DHTIK) shpreh sërish shqetësimin për kamatat e larta të kredive nga bankat komerciale në vendin tonë.
Megjithëse sipas DHTIK edhe në raportet e BQK-së kreditë e këqija vazhdojnë të jenë shumë të ulëta, bankat mbeten dorë shtrënguese sa i përket dhënies së kredive me norma më të favorshme të interesit.
“Kjo qasje po u shkakton probleme të mëdha bizneseve tona, të cilat përkundër shumë sfidave, po përpiqen të zgjerojnë investimet e tyre. Numër i madh i bizneseve tona anëtare, kanë raportuar për norma të larta të interesit dhe administrata jo efikase”, thuhet në reagimin e Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Kosovë (DHTIK), raporton KosovaPress.
Sipas DhTIK, mungesa e likuiditetit është jetike për të mbështetur prodhimin dhe eksportet.
“Derisa në vendet e rajonit shtetet kanë ndërmarrë veprime të ndryshme, ku sipas të dhënave që i kemi mbledhur, normat e interesit në kredi janë shumë më të ulëta. Madje ka shtete, të cilat kanë marrë iniciativa për të inkurajuar bizneset edhe nga Kosova që të bartin prodhimin, duke ju ofruar kushte shumë më të favorshme, përfshirë edhe kamata shumë më të ulëta sesa ato që i ofron sektori bankar në Kosovë”, thuhet në njoftim.
Me këtë rast Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Kosovë, i bënë thirrje institucioneve kompetente shtetërore, BQK-së dhe sektorit bankar, që të ndërmarrin hapa të menjëhershëm në mbështetje të bizneseve, pasi nga kjo qasje po pëson ekonomia edhe ashtu e brishtë e vendit, e cila përballet me numër të madh të sfidave.
Ndryshe, bankat komerciale në Kosovë vazhdojnë me i rritur fitimet e tyre vit pas viti. Ky sektor financiar në vend, ka arritur të ketë profit të lartë gjatë vitit 2024.
Sipas raportit të fundit të Bankës Qendrore të Kosovës(BQK) për vitin 2024, nga kreditë bankare dhe shërbimet tjera ndaj qytetarëve dhe bizneseve, bankat komerciale kanë pasur fitim të pastër 182.1 milionë euro ose rreth 27 milionë euro më shumë se në vitin 2023. Në vitin 2023 profiti i bankave ishte 155 milionë euro, raporton KosovaPress.
Norma e interesit mesatare është mbi 6 për qind. Sipas BQK-së vlera e kredive për ekonomitë familjare, biznese dhe korporata tjera financiare arrin 5 miliradë e 813.4 milionë euro.
Për më shumë se 25 vjet, misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, ofron siguri. Por, në kohën kur zyrtarët amerikanë sinjalizojnë zvogëlimin e mundshëm të pranisë së tyre ushtarake në Evropë, lindin edhe pyetjet: a do të mbeteshin ushtarët amerikanë në KFOR, apo do të kërkonte administrata Trump favore në këmbim të tyre?
Nga Departamenti amerikan i Mbrojtjes thonë se, tash për tash, nuk ka ndonjë ndryshim sa i përket pozicionimit të forcave të tyre. Por, me tensionet e vazhdueshme në Ballkan dhe me ndryshimin e prioriteteve globale, Kosova duhet të përgatitet për çdo skenar, thonë ish-zyrtarë të NATO-s.
“Secili ushtar i KFOR-it e kupton plotësisht dhe qartë detyrën e tij për t’i mbrojtur të gjithë qytetarët e Kosovës”, deklaroi më 25 qershor të 1999-ës komandanti i atëhershëm i misionit paqeruajtës të NATO-s, Mike Jackson.
Kjo forcë nisi të dislokohej në Kosovë atë muaj, menjëherë pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Kumanovës, e cila detyroi tërheqjen e plotë të ushtrisë dhe policisë serbe nga Kosova.
Fillimisht përbëhej nga rreth 50.000 trupa, për të arritur me kalimin e viteve në rreth 4.600.
Më shumë se 25 vjet më vonë, misioni i saj mbetet i njëjtë: “ruajtja e një mjedisi të sigurt për të gjithë”, por e ardhmja e forcës disi e diskutueshme.
Një zyrtar nga Departamenti amerikan i Mbrojtjes konfirmon se, “tash për tash, nuk ka asnjë ndryshim në pozicionimin e forcave për të njoftuar”.
Por, ish-zyrtari i lartë i NATO-s, Jamie Shea, thotë se presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, “është transaksional” dhe se mund të kërkojë nga Kosova favore në këmbim të mbajtjes së trupave.
“Ndaj, jini të përgatitur”, thotë Shea.
Ish-komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Kadri Kastrati, vlerëson se vendi, aktualisht, nuk është në gjendje të vetëmbrohet.
Si lindën pikëpyetjet për trupat amerikane në Evropë?
Ishte fillimisht sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, i cili porositi Evropën se duhet të përgatitet për një rishikim dhe reduktim eventual të pranisë ushtarake amerikane.
Gjatë një vizite në Varshavë, muajin e kaluar, Hegseth tha se e ardhmja e saj do të varet nga kërcënimet globale dhe prioritetet strategjike amerikane.
“Kjo është arsyeja përse mesazhi ynë është kaq i ashpër për aleatët tanë evropianë. Tani është koha për të investuar, sepse nuk mund të supozoni se prania e Amerikës do të zgjasë përgjithmonë”, tha ai më 14 shkurt.
Sipas një dokumenti që siguroi gazeta amerikane The Washington Post, Hegseth urdhëroi, gjithashtu, udhëheqësit e Pentagonit dhe të ushtrisë amerikane që të bëjnë plane për shkurtimin e buxhetit të mbrojtjes për 8 për qind, në secilin prej pesë vjetëve të ardhshëm.
Këtij debati, një element tjetër ia shtoi edhe zëvendëspresidenti amerikan, JD Vance.
Ai i kritikoi udhëheqësit evropianë për refuzimin e së djathtës ekstreme, ndërsa të ardhmen e trupave amerikane në Evropë e lidhi me politikëbërjen në kontinent.
Duke folur në Konferencën e Veprimit Politik Konservator më 20 shkurt, Vance tha se amerikanët nuk do të mbështesin mbajtjen e trupave në Gjermani, nëse njerëzit atje mund të burgosen për postime fyese në mediat sociale.
“E gjithë mbrojtja e Gjermanisë subvencionohet nga taksapaguesit amerikanë”, tha ai.
Situata shkaktoi jo pak ankth në mesin e aleatëve këndej Atlantikut.
Njeriu që pritet të bëhet kancelar i Gjermanisë, Friedrich Merz, tha se synim i tij do të jetë arritja e pavarësisë nga SHBA-ja në aspektin e sigurisë.
“Për mua, prioritet absolut do të jetë forcimi i Evropës sa më shpejt që të jetë e mundur”, tha ai.
Trump, edhe gjatë mandatit të parë si president, u ka kërkuar vazhdimisht aleatëve evropianë që t’i rrisin ndjeshëm kontributet e tyre financiare në mbrojtje.
I pyetur gjatë një konference me gazetarë, më 18 shkurt, se a do të ishte i gatshëm të konsideronte tërheqjen e të gjitha trupave amerikane nga Evropa, në kuadër të një marrëveshjeje me presidentin rus, Vladimir Putin, për paqe në Ukrainë, Trump tha:
“Askush nuk më ka kërkuar ta bëj këtë. Nuk mendoj se duhet ta bëjmë. Nuk do të doja ta bëja”.
Prania e trupave amerikane në Evropë
Shtetet e Bashkuara kanë disa baza operative dhe ushtarake në Evropë.
Numri më i madh i ushtarëve amerikanë – mbi 35.000 – është i dislokuar në Gjermani.
Ky vend, njëherësh, ka edhe bazën më të madhe ajrore amerikane – Ramstein – ku janë të vendosur mbi 16.000 ushtarakë, civilë e kontraktorë.
Bazat ushtarake të SHBA-së në Evropë
Përveç përforcimit të përkohshëm në fillim të luftës së Rusisë në Ukrainë, prania ushtarake amerikane në Evropë ka shkuar duke u zvogëluar që nga përfundimi i Luftës së Ftohtë.
Sipas Komandës Evropiane të SHBA-së, numri i përgjithshëm i forcave amerikane në Evropë është luhatur mes 75.000 dhe 105.000 që nga viti 2022.
Prej tyre, aktualisht, rreth 63.000 forca janë të dislokuara në mënyrë të përhershme, ndërsa të tjerat janë me rotacion.
Në Kosovë, Shtetet e Bashkuara kanë rreth 600 ushtarë në kuadër të misionit KFOR, në krahasim me mbi 5.000 sa kishin në ’99-tën.
Nga ai vit kanë edhe kampin Bondsteel, i cili gjendet pranë Ferizajt, në juglindje të Kosovës, dhe shërben si baza më e madhe ushtarake e SHBA-së në Ballkan.
Ushtarë amerikanë në bazën Bondsteel në Kosovë.
Çka thotë NATO-ja?
Edhe NATO e pyetur se a ka ndonjë plan për të siguruar që prania e KFOR-it në Kosovë mbetet e pandryshuar, në vazhdën e reduktimit të mundshëm të trupave amerikane në Evropë.
Në përgjigjen që mori, mes tjerash, thuhet se “zyrtarët amerikanë e kanë bërë të qartë angazhimin e tyre ndaj Aleancës, përfshirë praninë e SHBA-së në Evropë”.
Aty, po ashtu, thuhet se SHBA-ja i ka bërë të qarta pritjet e saj që aleatët e NATO-s të bëjnë më shumë, të investojnë më shumë dhe të prodhojnë më shumë, “në mbështetje të sigurisë sonë të përbashkët”.
“NATO-ja vazhdimisht i përshtatet mjedisit që ndryshon… KFOR-i vazhdon të zbatojë mandatin e tij – bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999 – për të kontribuar në një mjedis të sigurt për të gjithë njerëzit dhe komunitetet që jetojnë në Kosovë”, tha një zyrtar i NATO-s dhe shtoi se “SHBA-ja vazhdon të luajë një rol themelor” brenda misionit KFOR.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha në një takim me komandantin e KFOR-it, Enrico Barduani, më 4 mars, se Evropa po përballet me një situatë të ndërlikuar gjeopolitike dhe se “angazhimi i përbashkët me KFOR-in dhe NATO-n mbetet thelbësor”.
“Jini të përgatitur”
Shea, i cili ka shërbyer në role të ndryshme në NATO deri në tërheqjen e tij në vitin 2018, nuk pret ndryshime të menjëhershme në praninë e trupave amerikane në Evropë, e rrjedhimisht as në Kosovë, por thotë se situata mbetet e pasigurt dhe duhet vëzhguar me kujdes.
Sipas tij, kontingjenti amerikan në Kosovë është i vogël dhe “nuk është barrë e madhe financiare për SHBA-në, në krahasim me forcat amerikane në Gjermani apo Poloni”.
Ai gjithashtu kujton se Trump, në të kaluarën, “është përpjekur ta luajë paqebërësin mes Beogradit dhe Prishtinës” dhe thotë se trupat amerikane në Kosovë “i japin SHBA-së një levë më të madhe në këtë rol”.
“Por, Trump është transaksional dhe ai mund ta pyesë Kosovën se çfarë favoresh mund t’i ofrojë për t’i mbajtur trupat [amerikane] në Kosovë – sidomos në formë të marrëveshjeve biznesore dhe mundësive për investime. Ndaj, jini të përgatitur”, thotë Shea.
Për më tepër, shton ai, zvogëlimi i buxhetit të Pentagonit do ta detyrojë me doemos ushtrinë amerikane të bëjë kursime dhe t’i rishpërndajë burimet e saj.
Pse është e rëndësishme prania e NATO-s në Kosovë?
Gati 26 vjet pas përfundimit të luftës dhe 17 vjet pas shpalljes së pavarësisë, Kosova nuk njihet nga Serbia dhe marrëdhëniet mes dy vendeve mbeten të tensionuara.
Ndonëse janë në negociata për normalizimin e tyre qysh në vitin 2011, shteti fqinj vazhdon ta konsiderojë Kosovën si pjesë të veten.
Pas njësulmi të armatosur në veri të vendit, më 2023, autoritetet kosovare e akuzuan atë për tentim aneksimi të kësaj zone të banuar me shumicë serbe.
Serbia mohoi se kishte gisht në atë sulm, por grumbulloi për disa ditë trupa ushtarake në kufi me Kosovën.
Forca e Sigurisë e Kosovës nuk jep informacione për kapacitetet e saj mbrojtëse, duke i konsideruar si të ndjeshme, por ish-komandanti i saj, Kadri Kastrati, vlerëson se vendi, aktualisht, nuk është në gjendje të vetëmbrohet.
“Fatkeqësisht, jemi shumë larg, sepse nuk është investuar”, thotë ai.
“Jemi shumë larg edhe kapaciteteve njerëzore, edhe atyre infrastrukture, pajisjeve dhe armatimit”, shton ai.
FSK-ja është në proces të shndërrimit në ushtri të rregullt dhe pritet t’i ketë mbi 7.500 pjesëtarë aktivë dhe rezervistë, nga rreth 2.500 sa ka aktualisht.
Ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Ejup Maqedonci, ka thënë në fund të vitit të kaluar se Kosova, në katër vjet, ka shpenzuar mbi 269 milionë euro për blerje të armatimit.
Ajo që dihet është se vendi ka siguruar armë edhe nga dy fuqi të NATO-s: SHBA-ja dhe Turqia, dhe se synon të ndërtojë edhe fabrikën e tij për prodhimin e municioneve.
Duke folur për rëndësinë e NATO-s në Kosovë, ish-ministri i Mbrojtjes, Agim Çeku, thotë se situata e sigurisë në vend nuk ka ndryshuar në mënyrë thelbësore që nga ndërhyrja e aleancës ushtarake në vitin 1999.
“NATO-ja ka ardhur në Kosovë për shkak të qasjes agresive të Serbisë ndaj Kosovës dhe shqiptarëve. Fatkeqësisht, kjo qasje nuk ka ndryshuar ende. Serbia vazhdon ta trajtojë Kosovën si pjesë të saj dhe vazhdon të ushqejë ëndrra për kthimin e saj në Kosovë”, thotë Çeku për Radion Evropa e Lirë.
Derisa të mos ketë marrëveshje për njohje reciproke mes Kosovës e Serbisë, ai thotë se misioni i NATO-s, KFOR, do të mbetet faktor kyç për sigurinë në vend.
“Ai është garanci edhe për stabilitetin e gjithë Ballkanit Perëndimor”, thotë Çeku.
Në frymë të ngjashme me Çekun shprehet edhe ish-ministri i Mbrojtjes i Shqipërisë, Fatmir Mediu.
“Ballkani ka një rëndësi të madhe strategjike për NATO-n, veçanërisht për shkak të daljes në Mesdhe dhe Adriatik. Por, për Kosovën, prania e NATO-s është edhe më e rëndësishme – për të garantuar stabilitetin e saj dhe për të parandaluar destabilizimin e situatës nga aktorë të tillë si Serbia, Rusia e Kina”, thotë ai.
A do të mund të mbijetonte KFOR-i pa ushtarë amerikanë?
Ish-zyrtari i NATO-s, Shea, thotë “po”.
“KFOR-i ka qenë nën komandën italiane dhe turke dhe pjesa më e madhe e trupave janë evropiane”, thotë ai dhe shton se “evropianët menaxhojnë vetë me Bosnje e Hercegovinën që nga viti 2004”.
Por, pavarësisht kësaj, Shea argumenton se mbajtja e trupave amerikane në Kosovë sa më gjatë që të jetë e mundur, është e dobishme, sepse, siç thotë, siguron vëmendjen e vazhdueshme të SHBA-së.
“Çizmet e SHBA-së në terren e mbajnë Kosovën në ekranin e radarit në Shtëpinë e Bardhë dhe në Departamentin e Shtetit, si dhe ndihmojnë që SHBA-ja të mbetet e angazhuar në dialogun Kosovë-Serbi”, thotë Shea.
Me rritjen e pasigurisë në rajon – për shkak të gjykimit të udhëheqësit të Republikës Sërpska, Millorad Dodik, dhe protestave të vazhdueshme në Serbi – forcat amerikane shërbejnë si një faktor stabilizues, sipas tij.
Si mund të përgatitet Kosova për secilin skenar?
Mediu thotë se është koha që Kosova të rreshtohet sa më pranë NATO-s dhe Shteteve të Bashkuara, “e jo të ndjekë politika të brendshme që sjellin përçarje”.
“Vendi duhet të ketë një qasje proaktive për anëtarësim në NATO dhe t’i thellojë marrëdhëniet strategjike me SHBA-në”, thotë ai.
Aktualisht deputet në Kuvendin e Shqipërisë, Mediu sugjeron edhe krijimin e një force të përbashkët ushtarake me vendet anëtare të NATO-s në Ballkanin Perëndimor – Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut dhe Malin e Zi – për të ndërtuar, siç thotë, një mekanizëm të fuqishëm mbrojtës.
“Stabiliteti i Kosovës dhe i gjithë rajonit nuk mund të lihet në mëshirën e fatit”, thotë Mediu.
Shea thekson gjithashtu rëndësinë e angazhimit të Kosovës me administratën e Trumpit në të gjitha nivelet, “për të siguruar se interesat e saj komunikohen drejt dhe befasitë shmangen”.
“Trump është i paparashikueshëm, kështu që, më së miri, përgatituni për të gjithë skenarët”, thotë Shea.
Marrë parasysh stilin transaksional të diplomacisë së presidentit amerikan, Shea shton se Kosova duhet t’i identifikojë edhe fushat për negociata të mundshme me të.
Interesat biznesore janë gjithmonë të larta, thotë ai, duke marrë si shembull edhe marrëveshjen e përfolur mes SHBA-së dhe Ukrainës për mineralet.
Nevoja për këtë balancë delikate, që përcakton sigurinë e Kosovës, ishte evidente qysh në vitin 1999, kur gjenerali Jackson – tashmë i ndjerë – refuzoi urdhrine komandantit të tij amerikan për të bllokuar forcat ruse kur hynë në Kosovë, pa marrëveshje me NATO-n.
“Nuk do ta filloj Luftën e Tretë Botërore për ju”, u raportua t’i ketë thënë Jackson gjeneralit Wesley Clark në qershor të ’99-ës.
Nëse Jackon e parandaloi atë mbi çerek shekulli më parë, përse siguria sot do t’i lihej rastësisë?/Radio Evropa e Lirë
Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca ka thënë se Familja Jashari ka bërë aktin më të lartë, aktin më sublim të sakrificës për lirinë e vendin, raporton EO.
Konjufca tha se familja Jashari është krijuese e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
“Me çdo 5, 6 dhe 7 mars vijmë këtu të gjithë së bashku për t’u përkulur para varreve të Jasharëve të rënë në vitin 1998, për arsye se Familja Jashari është krijuese e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, është esenca e UÇK-së, e po ashtu e ka bërë edhe aktin më të lartë, aktin më sublim të sakrificës për lirinë e vendin tonë”, tha ai pas homazheve në Prekaz.
“Ata si familje e kanë pasur të mishëruar në zemrat dhe shpirtin e tyre një të vërtetë e cila e ka shpëtuar popullin e Kosovës, e kjo e vërtetë është se liria nuk fitohet pa armë në dorë, duke luftuar me armë në dorë dhe nuk fitohet pa i dhënë dëshmorët e vet. Kështu veproi Familja Jashari dhe për këtë arsye ne si komb, si popull i detyrohemi më së shumti për lirinë dhe për çlirimin e Republikës së Kosovës dhe Familjes Jashari”, tha Konjufca.