ATV

Author: ATVLive

  • Kryetari i Supremes: Nga informacionet që kam, Pallati i Drejtësisë s’ka pranim teknik- problem me hapësirat

    Kryetari i Supremes: Nga informacionet që kam, Pallati i Drejtësisë s’ka pranim teknik- problem me hapësirat

    Në mbledhjen e Asamblesë së Kryetarëve të Gjykatave dhe Gjyqtarëve Mbikëqyrës, të enjten, si pikë e rendit të ditës ishte diskutimi për vazhdimin e investimeve në gjykata. Me këtë rast, kryetari i Gjykatës Supreme, Fejzullah Rexhepi tha se po punojnë në një objekt, në të cilin nga infomracionet që posedon, nuk ka pranim teknik, duke shtuar se kanë probleme edhe me hapësirat.

    “Me sa e di, Pallati s’ka pas asnjëherë pranim teknik, të paktën e kam këtë informacion, një investim mbi 25 milionë mos me pas pranim teknik dhe afër 2 mijë persona me punu brenda objektit për mu nuk është normale”, tha Rexhepi, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    Mirëpo, sipas tij, këto kushte të punës nuk duhet ta dekurajojnë stafin e sistemit gjyqësor dhe se duhet të vazhdojnë me punën dhe ofrimin e shërbimeve për palët.

    Po ashtu, Rexhepi shtoi se problem janë edhe hapësirat brenda Pallatit.

    “Ta bëjmë sa më funksional, që të mundësojmë një punë normale brenda Pallatit edhe hapësirat janë problem, menaxhimi problem…”, shtoi Rexhepi.

    Paraprakisht, drejtori i Sekretariatit të Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK), Shkelzen Maliqi tha se investimet në sistemin gjyqësor të Kosovës gjatë vitit 2024 për renovim kanë kaluar shifrën mbi 130 mijë euro dhe për inventar mbi 164 mijë euro. Sipas tij, këto shifra janë të vogla në krahasim me nevojat.

    Po ashtu, Maliqi tha se janë bërë dhe po bëhen investime në arkivat e gjykatave dhe në funksionalizimin e objekteve të gjykatave të reja.

    Më pas, kryesuesi i KGJK-së, Albert Zogaj kërkoi nga kryetarët e gjykatave dhe mbikëqyrësit që t’iu bëhet presion Këshillit dhe Sekretariatit në veçanti për të gjitha problematikat me të cilat ballafaqohen.

    Sipas Zogajt, nuk ka kushte të përshtatshme për palët në gjykatë e monitoruesit, dhe se për këtë duhet angazhim që të përmirësohen këto kushte.

    Më pas, kryetari i Gjykatës së Apelit, Valon Totaj tha se gjendja në Pallatin e Drejtësisë është alarmante, sidomos për sigurinë. Sipas tij, problemet janë të natyrave të ndryshme, duke nisur nga ato më elementare që lidhen me higjienë, dyert e zyrave dhe parkingun.

    Totaj tha se ka raste kur futen palë nëpër zyra të gjyqtarëve, për çka edhe e kanë problem largimin e njëjtëve, duke kërkuar kështu një angazhim që siguria të rritet në Pallatin e Drejtësisë.

    “Gjendja në Pallatin e Drejtësisë është alarmante, qoftë brenda hapësirave por edhe të aspektit të sigurisë, ku e vërejmë sidomos periudhën e fundit”, tha Totaj.

    Në këtë takim, u diskutua po ashtu për monitorimin që OSBE-ja i bën sistemit gjyqësor. Zyrtarët nga Misioni i OSBE-së në Kosovë, Mark Lasser- shef i Sektorit për Ligj dhe Drejtësi, si dhe Kahramon Sanginov- zyrtar i Projektit për Monitorimin e Rasteve të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionet, prezantuan rolin e programeve të monitorimit të gjyqësorit, si dhe metodologjinë dhe parimet e aplikuara në monitorim.

    Pas prezantimit, kryetari Rexhepi tha se bashkëpunimi do të vazhdojë dhe do të shihet se si do të realizohet në të ardhmen.

    Gjatë këtij takimi, u diskutua edhe për hartimin e një akti nga ana e KGJK-së, për të qartësuar përgjegjësitë ndërvepruese të KGJK-së dhe SKGJK-së me gjykatat.

    Agron Maxhuni, mbikqyrës i Gjykatës Themelore në Mitrovicë, dega Vushtrri, tha se është mëse i nëvojshëm hartimi i një akti të tillë pasi që Këshilli ka miratuar një sërë aktesh dhe se duhet të qartësohen përgjegjësit e administratorit dhe kryetarëve të gjykatave.

    Më pas, u votua rekomandimi që Këshilli të fillojë punën për përpilimin e këtij akti.

    Asambleja caktoi gjykatësin Maxhuni si përfaqësues për ndërveprim me Komisionin për Administrimin e Gjykatave, krejt kjo me qëllim të lehtësimit dhe adresimit të problemeve që ka sistemit gjyqësor me administrimin e gjykatave.

    Po ashtu, në këtë takim u diskutua për fuqizimin e zyrave/shërbimit të ekzekutimit në gjykata (standardizimi i veprimeve, unifikimi i procedurave, si dhe definimi i përgjegjësive).

    Me këtë rast, u nxor rekomandim që Komisioni për Administrimin e Gjykatave të identifikojë problematikat dhe pastaj të fillojë me hartimin e një akti për unifikimin e praktikave pranë gjykatave për ekzekutimin e sanksioneve penale ose edhe civile.

    Paraprakisht, kryetarja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Albina Shabani-Rama tha se është e nevojshme që Komisioni për Administrim të Gjykatave dhe vetë Sekretariati i Këshillit të kenë të përcaktuara detyrat dhe përgjegjësitë.

    Ajo shtoi se nuk është se kanë pasur takime të shumta me Komisionin dhe kërkoi që të dihen përgjegjësitë e Komisonit.

    “Po kërkojmë me u qartësu përgjegjësia e Sekretariatit dhe Komisionit për Administrim të Gjykatave dhe nuk është se kemi pas takime të shpeshta për ndihmë dhe përgjegjësitë që kanë në raport me përgjegjësitë e gjykatave m’u ba më të njohura përgjegjësitë e Komisionit për Administrimin e Gjykatave”, tha Shabani-Rama.

  • ​Përleshje mes sigurimit dhe qytetarëve para Kuvendit të Beogradit

    ​Përleshje mes sigurimit dhe qytetarëve para Kuvendit të Beogradit

    Ka përfunduar seanca e stuhishme e Kuvendit të qytetit të Beogradit. Para ndërtesës ka pasur përleshje dhe incidente me sigurimin privat ku ndërhyri edhe policia, ku të paktën pesë aktivistë u arrestuan.

    Që nga mëngjesi herët, asamblistët në sheshin Nikolla Pashiq u pritën me gardhe metalike dhe një numër të madh të personelit të sigurisë. Kur do të fillonte seanca, asamblistët e opozitës dolën para stolit të kryetarit, të cilët mbanin në dorë flamujt e Serbisë dhe vazhdimisht transmetonin dhe këndonin himnin serb. Gjatë asaj kohe asamblistët e qeverisë ishin të ulur. Plani, siç thanë më parë përfaqësuesit e opozitës, ishte të parandalohej puna në kuvendin e qytetit, por të shmangej çdo dhunë dhe ndërhyrje në ndërtesë, raporton N1.

    Asamblistët e mazhorancës e miratuan rendin e ditës, ndërsa ritmet e “Bozhe pravde” bënë jehonë dhe vazhduan punën e tyre, sikur gjithçka ishte në rregull. Më pas ata përfunduan me shpejtësi punën e tyre dhe miratuan të gjitha pikat e rendit të ditës, përcjell KosovaPress.

    Në të njëjtën kohë, një incident ka ndodhur para Kuvendit, ku ka ndodhur një përleshje mes sigurimit privat dhe qytetarëve të grumbulluar. Qytetarët hodhën vezë dhe bojë të kuqe. Më pas policia zëvendësoi sigurimin privat para godinës dhe pasuan arrestime.

  • ​KQZ sot mban mbledhje, kjo pikë do të diskutohet

    ​KQZ sot mban mbledhje, kjo pikë do të diskutohet

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve sot në orën 15:00 do të mbajë mbledhje.

    Njëra nga pikat e rendit të ditës është “Shqyrtimi dhe miratimi i rekomandimit për hapjen e të gjitha kutive të votimit me fletëvotimet e dërguara nga votuesit jashtë Kosovës në kutitë postare të KQZ-së”.

    Ndërkohë të mërkurën në mbrëmje ka përfunduar procesi i numërimit të votave për zgjedhjet e përgjithshme të 9 shkurtit, në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve.

    “Ju njoftoj se në orën 21:00 është përmbyllur procesi i numërimit të më shumë se 15 mijë e 500 fletëvotimeve nga votimi me kusht dhe nga votimi i personave me nevoja të veçanta, të cilat njëkohësisht janë fletëvotimet e fundit që numërohen dhe që i takojnë procesit zgjedhor të Zgjedhjeve për Kuvendin e Republikës së Kosovës, të mbajtura më 9 shkurt 2025”, tha zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi, raporton KosovaPress.

  • Shënohet Dita Evropiane e Logopedisë, kërkohet shtimi i numrit të logopedëve në institucione

    Shënohet Dita Evropiane e Logopedisë, kërkohet shtimi i numrit të logopedëve në institucione

    Për herë të parë në Kosovë, nga ana e institucioneve shtetërore, po shënohet Dita Evropiane e Logopedisë, nga Zyra për Qeverisje të Mirë, në bashkëpunim me organizatën “zë”, ku u trajtuan sfidat që kanë logopedët në Kosovë.

    Nga një hulumtim pesë vjeçar i organizatës “Zë”, në vitin 2020 nga 400 logopedë të diplomuar, vetëm 27 prej tyre janë të licencuar, e dy prej tyre të punësuar në QKUK, raporton KosovaPress.

    Drejtori i Zyrës për Qeverisje të mirë në Zyrën e Kryeministrit, Habit Hajredini tha se falë këtij bashkëpunim, me institucionet përgjegjëse do të mundohen të bëjnë progres dhe të identifikojnë sfidat e logopedëve në Kosovë.

    “Është një fushë e shkencave që merret me studime të diagnostifikimit dhe trajtimit të çrregullimit të komunikimit. Ne, jo vetëm që ngrisim vetëdijen te qytetarët dhe shoqëria, por bëjmë përgjegjës institucionet për të marrë premtime adekuate në këtë fushë. Falë këtij bashkëpunimi, ne së bashku me institucionet përgjegjëse mundohemi të bëjmë progres dhe të identifikojmë sfidat. Më 2024 është nda një buxhet nga ana e qeverisë që ka të bëjë me ofrimin e shërbimeve sociale ku hynë edhe shërbimet për logopedi”, tha Hajredini.

    Ndërsa, drejtori ekzekutiv i organizatës “Zë”, Lekë Gjurgjiali shpalosi hulumtimin e tij pesë vjeçar.

    Sipas tij, në vitin 2021 Klinika e ORL-së ka ofruar vetëm 379 shërbime logopedike, ndërsa organizata tij dyfishin e këtyre shërbimeve.

    “Në vitin 2020 kemi pa që kanë qenë rreth 400 logopedë të diplomuar, shqetësuese ka qenë që prej tyre vetëm 27 kanë qenë të licencuar. Në një hulumtim më të thellë, Prej 27, vetëm 7 prej tyre në edukim të vazhdueshëm me master. Në vitin 2020, Vetëm dy prej tyre kanë punuar në sektor publik, i vetmi vend në sektor publik është QKUK-ja ose Klinika e orl-së. 25 të tjerë kanë qenë në sektorë privat ose joqeveritar. Në kuadër të SHSKUK-se dhe Klinikës së ORL-së janë ofruar vetëm 379 shërbime logopedike. Ne të njëjtën kohë organizata “Zë” i ka ofruar dyfishin e këtyre shërbimeve”, u shpreh ai.

    E Donjeta Kelmendi nga organizata KOMF u bëri thirrje institucioneve qendrore dhe atyre lokale që të rrisin numrin e logopedëve në institucione.

    “ Kjo si ditë shërben edhe për të avokuar dhe ngritur zërin për të gjitha këto sfida dhe shqetësime për logopedët që hasin në Kosovë por jo vetëm për ta, por edhe fëmijët. Numri i logopedëve në institucione publike është shume i vogël. Ne kemi një mungesë shumë të madhe. E dimë që shërbimet e logopedit janë jetike të cilat ndihmojnë shumë aftësitë e të folurit. Të jetë një thirrje drejtuar institucioneve qeveritare dhe komunave që duhet të investojnë në shërbimin e tyre”, shtoi ajo.

    Shërbimet logopedike, ndihmojnë fëmijët që kanë probleme në të folur dhe në komunikim. /kp

  • Shea: Kosova të jetë e përgatitur, Trump mund ta pyes se çfarë favoresh ofron për t’i mbajtur trupat amerikane

    Shea: Kosova të jetë e përgatitur, Trump mund ta pyes se çfarë favoresh ofron për t’i mbajtur trupat amerikane

    Ish-zëdhënësi i NATO-s, Jamie Shea, ka thënë se Kosova duhet të jetë e përgatitur sa i përket ndonjë zhvillimi të mundshëm sa i përket pranisë së forcave amerikane.

    Shea ka thënë se Kosova duhet të jetë e përgatitur pavarësisht faktit se kontingjenti amerikan në Kosovë është i vogël dhe s’është barrë e madhe financiare për Amerikën, kur krahasohet me kontingjentet në Gjermani apo Poloni.

    Sipas ish-zëdhënësit të NATO-s, Trump mund të pyes Kosovën se çfarë do të japë në këmbim të mbajtjes së trupave në Kosovë.

    “Por, Trump është transaksional dhe ai mund ta pyesë Kosovën se çfarë favoresh mund t’i ofrojë për t’i mbajtur trupat [amerikane] në Kosovë – sidomos në formë të marrëveshjeve biznesore dhe mundësive për investime. Ndaj, jini të përgatitur”, ka thënë Shea për Radio Evropa e Lirë.

    Ai gjithashtu kujton se Trump, në të kaluarën, “është përpjekur ta luajë paqebërësin mes Beogradit dhe Prishtinës” dhe thotë se trupat amerikane në Kosovë “i japin SHBA-së një levë më të madhe në këtë rol”.

  • ​Ekipet e përbashkëta hetimore, Hargreaves: Mbani përgjegjësi për të mbrojtur pavarësinë e institucioneve

    ​Ekipet e përbashkëta hetimore, Hargreaves: Mbani përgjegjësi për të mbrojtur pavarësinë e institucioneve

    Sot, është mbajtur ceremonia e lansimit të ekipeve të përbashkëta hetimore, me mbështetjen e Ambasadës Britanike në Kosovë, të zbatuar nga Sustainble Criminal Justice Solutions (SCJS), për “Forcimin e policimit të drejtuar nga inteligjenca dhe mbështetjen e krijimit të ekipeve të përbashkëta hetimore kundër financave të paligjshme.

    Një nismë e rëndësishme që synon të forcojë bashkëpunimin ndërinstitucional ndërmjet departamentit të Policisë së Kosovës dhe Departamentit të Inteligjencës dhe Analizës.

    Ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Jonathan Hargreaves, tha se është përgjegjësi e këtyre institucioneve për të mbrojtur pavarësinë dhe efikasitetin e institucioneve. Tutje ambasadori Hargreaves tha se i ka bërë përshtypje mënyra se si Kosova e realizon këtë mision. Ai theksoi se ka ende punë për të bërë, por gjithashtu theksoi se është i vetëdijshëm për synimin që kanë këto institucione për të forcuar më tej demokracinë.

    “Ju jeni ata që mbani përgjegjësinë për të mbrojtur të drejtat dhe për të ruajtur një nga shtyllat më të rëndësishme të demokracisë, pavarësinë dhe efikasitetin e institucioneve. Dhe gjithmonë më ka bërë përshtypja mënyra se si ju në Kosovë, e realizoni këtë mision. Sigurisht ka ende punë për të bërë, siç e dimë nga disa nga raportet e BE-së dhe organizatave të tjera ndërkombëtare, me të cilat jeni të njohur edhe ju, ashtu siç jam edhe unë. E di që po punoni me përkushtim për çështjet e ngritura në ato raporte. Por gjithashtu e di që po e bëni këtë me synim për të forcuar më teje demokracinë”, theksoi Hargreaves.

    Ardian Hajdaraj, kryesues i Këshillit Prokurorial, duke falënderuar Ambasadën Britanike për ndihmën e dhënë përmes këtij projekti, theksoi se ekspertiza e ofruar, mbështetja e ofruar dhe bashkëpunimi me ekspertë vendor kanë qenë thelbësore për të siguruar cilësinë në përputhje me standardet më të larta ndërkombëtare.

    “Shpreh mirënjohjen më të thellë dhe falënderimet e mia më të sinqerta për Ambasadën Britanike që përmes projektit të saj, përveç të tjerave ka luajtur një rol kyç në hartimin e rregullores për ekipet e përbashkëte të hetimeve, akti i cili është i një rëndësie të veçante në hetimin e veprave penale të cilat bien në kompetence të prokurorisë speciale. Kontributi juaj ekspertiza e ofruar nga ekspertët e projektit, mbështetja e pa kursyer dhe bashkëpunimi me ekspert vendor kanë qenë thelbësore për të siguruar cilësinë përmbajtën e saktë në përputhje me standardet më të larta ndërkombëtare”, tha ai.

    Ndërsa drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, tha se lansimi i ekipeve të përbashkëta hetimore është një hap i rëndësishëm në forcimin e sundimit të ligjit dhe sigurisë për qytetarët.

    Hoxha tha se këto ekipe do të angazhohen në hetimin e krimeve të rënda, të cilat kërkojnë një koordinim të ngushtë dhe shkëmbimin e informacioneve mes institucioneve.

    “Sot ne po lansojmë një iniciativë të re që do të forcoj kapacitet tona hetimore dhe do të filloj bashkëpunimin ndërinsitutcional për të arritur rezultate më të shpejta dhe efikase. Lansimi i ekipeve të përbashkëta hetimore është një hap tjetër në forcimin e sundimit të ligjit dhe sigurisë për qytetarët tanë. Ekipet e tilla do të ndihmojnë për të përmirësuar koordinimin dhe bashkëpunimin midis agjencioneve të ndryshme duke përfshirë policinë, prokurorinë dhe institucionet e tjera ligj zbatuese. Këto ekipe do të angazhohen në hetimin e krimeve të rënda, përfshirë edhe ato që lidhen me krimin e organizuar, korrupsionin dhe krimet ndërkombëtare të cilat kërkojnë një koordinim të ngushtë dhe shkëmbimin e informacioneve mes institucioneve për të arritur rezultate të shpejta dhe efektive”, potencoi Hoxha.

    Në këtë ceremoni u theksua rëndësia e bashkëpunimit ndër institucional për forcimin e sundimit të ligjit dhe rritjen e efikasitetit të institucioneve.

  • Koreja e Veriut ndalon vizitat e turistëve, disa javë pas rihapjes

    Koreja e Veriut ndalon vizitat e turistëve, disa javë pas rihapjes

    Koreja e Veriut ka ndaluar vizitat e turistëve, vetëm disa javë pasi turistët perëndimorë hynë për herë të parë në këtë vend pas pesë vitesh.

    Pasi mbylli kufijtë në fillim të pandemisë Covid-19 në vitin 2020, Koreja e Veriut filloi të lehtësojë kufizimet në mes të vitit 2023, duke hapur dyert për vizitorët rusë në vitin 2024 dhe për turistët perëndimorë muajin e kaluar në qytetin Rason.

    Megjithatë, disa agjenci turistike, përfshirë KTG Tours, Young Pioneer Tours dhe Koryo Tours, njoftuan se udhëtimet janë anuluar deri në njoftim të dytë. Arsyeja e ndalimit nuk është sqaruar nga Pyongyang.

    Në shkurt, turistët perëndimorë nisën të vizitojnë Rason, një qytet që konsiderohet si zonë ekonomike speciale, por vizitat ishin shumë të kufizuara, pa mundësi për të komunikuar me vendasit dhe pa qasje në internet.

    Po ashtu, aplikimet ndërkombëtare për Maratonën e Pyongyang, e planifikuar për 6 prill, janë pezulluar për momentin, raporton BBC News.

  • Abdixhiku: Sakrifica e familjes Jashari është vetë liria

    Abdixhiku: Sakrifica e familjes Jashari është vetë liria

    Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku me bashkëpunëtorë, kanë bërë homazhe në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz, me rastin e Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, raporton EO.

    Nga aty, kreu i LDK-së tha se sakrifica e familjes Jashari është vetë liria.

    “Sot bëjmë nderime në 27-vjetorin e Epopesë së UÇK-së, duke nderuar sakrificën e madhe sublime të familjes Jashari, të komandantit legjendar, Adem Jashari si një sakrificë përkujtimore të vet lirisë, shtetësisë dhe pavarësisë së Republikës së Kosovës”, u shpreh Abdixhiku.

  • Osmani viziton Kompleksin Memorial “Adem Jashari”: Në kohët më të errëta, ata ndezën dritën e shpresës

    Osmani viziton Kompleksin Memorial “Adem Jashari”: Në kohët më të errëta, ata ndezën dritën e shpresës

    Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka vizituar sot kompleksin memorial “Adem Jashari” në Prekaz, duke nderuar figurën e komandantit legjendar Adem Jashari dhe familjes së tij, shkruan EO.

    Në homazhe, Osmani theksoi rëndësinë e qëndresës heroike të Jasharajve gjatë marsit të vitit 1998, të cilët, nga plumbi i parë deri në fund, nuk u thyen, por përqafuan pavdekësinë.

    Ajo lavdëroi veprën dhe sakrificat e familjes Jashari, të cilët ende mbeten simbol i shpresës dhe forcës për lirinë e Kosovës.

    “Sot si çdoherë, në homazhe në kompleksin memorial në Prekaz dhe në vizitë në kullën e Jasharajve te Baca Rifat. Nga plumbi i parë e deri te qëndresa heroike e marsit 1998, komandanti legjendar Adem Jashari dhe familja Jashari nuk u thyen, nuk u zmbrapsën, por përqafuan pavdekësinë. Ata edhe sot mbeten dritë udhërrëfyese për rrugën tonë përpara.
    Në kohët më të errëta, ata ndezën dritën e shpresës. Në sfidat më të mëdha, ata gjetën forcën për të ecur përpara. Në momentet kur liria dhe e ardhmja e Kosovës u vunë në pikëpyetje, ata u bënë përgjigjja, u bënë mburoja dhe zemra e këtij vendi”, ka thënë Osmani.

  • DW: Nuk do të jetë i lehtë formimi i qeverisë në Kosovë – cilat janë skenarët e mundshëm?

    DW: Nuk do të jetë i lehtë formimi i qeverisë në Kosovë – cilat janë skenarët e mundshëm?

    Lëvizja Vetëvendosja e Albin Kurtit doli partia e parë në zgjedhjet e 9 shkurtit, por nuk do të mund ta formojë e vetme qeverinë dhe i duhet të bëjë koalicione.

    Ishte numërimi që zgjati më shumë krahasuar me zgjedhjet e mëparshme. Më në fund të mërkurën mori fund i gjithë procesi i numërimit të votave për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit në Kosovë. Lëvizja Vetëvendosja e kryeministrit, Albin Kurti renditet partia e parë me 42.28% të votave, duke siguruar 48 mandate. E dyta renditet Partia Demokratike e Kosovës (PDK) me 20.96%, duke siguruar 24 mandate. Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) fitoi 18.43% dhe siguroi 20 mandate, ndërsa Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma fituan vetëm 7.08%, duke siguruar 8 mandate. 20 ulëse në Kuvendin e Kosovës janë të rezervuara për pakicat, 10 nga to për serbët e Kosovës.

    “KQZ-ja është e obliguar që të presë të paktën 48 orë para se të shpallë rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve për Kuvendin e Kosovës. Ky nen parasheh mundësinë që në PZAP, në një afat brenda 48 orëve nga ndodhja e shkeljes së supozuar, të paraqiten ankesat për administrimin e numërimit që është zhvilluar në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve”, tha zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.

    Por si e shohin situatën aktuale analistët politikë, ku Vetëvendosja e Kurtit nuk e mori shumicën absolute për ta formuar e vetme qeverinë? Sipas tyre, rezultati i komplikon gjërat dhe, realisht, të dy palët mund të formojnë qeverinë me koalicione: edhe Vetëvendosja, por edhe të gjitha partitë opozitare së bashku.

    Cilët janë skenarët e mundshëm?

    Ehat Miftaraj, analist politik, i tha DW-së se “edhe përkundër faktit që LVV nuk ka marrë votat e mjaftueshme për të formuar qeverinë, duke marrë për bazë specifikat që ka sistemi kushtetues në Kosovë, mbesin disa skenarë, që ndikohen si nga faktorë të brendshëm ashtu edhe nga ata të jashtëm.” “Skenari i parë është një koalicion mes LVV-së, partive të komunitetit jo shumicë (përjashto Listën Serbe) dhe një partie politike shqiptare. Që ky skenar të realizohet në praktikë, do të kërkonte qasje afruese nga LVV dhe një gjuhë të moderuar për të lënë hapësirë për bashkëpunim, e cila nuk ka ndodhur deri më tani. Përkundrazi, lideri i LVV-së i quajti liderët opozitarë me gjuhë të urrejtjes dhe gjuhë ofenduese si ‘hajvanë’, që në gjuhën shqipe është sinonim i fjalës ‘kafshë’. Në këtë drejtim, është krijuar përshtypja se LVV, të paktën në publik me veprimet e saj, po abstenon nga e drejta për të formuar qeverinë e ardhshme, duke krijuar atmosferë dhe klimë përçarëse e polarizuese kundër të gjithëve”, thotë Miftaraj.

    Por nga analistët shihen edhe skenarë të tjerë mundshëm, si për shembull formimi i qeverisë së pakicës nga ana e partive politike opozitare, së paku me komunitetet jo shumicë. Analisti Miftaraj e parashikon si të mundshëm këtë skenar, nëse ka vullnet politik mes tre partive politike opozitare. “Me kushtin që të gjejnë gjuhën e përbashkët dhe së paku dy parti opozitare të pajtohen që pozita e kryeministrit t’i takojë njërës prej tyre, të harmonizojnë programin qeveritar dhe të pajtohen për qëndrimet lidhur me dialogun Kosovë-Serbi dhe çështje të tjera me rëndësi, si raportet me BE-në, masat ndëshkuese etj.”

    BE pret formimin e qeverisë së re në Kosovë

    Zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit në Kosovë u mbajtën pa incidente. Pas një bojkoti disa vjeçar, në zgjedhje mori pjesë edhe Lista Srpska, partia më e madhe e serbëve të Kosovës.

    Në deklaratën e përbashkët të drejtueses së diplomacisë evropiane, Kaja Kallas, dhe komisioneres për Zgjerimin, Marta Kos, thuhet se BE-ja pret që në Kosovë të formohen Kuvendi dhe qeveria e re. “Bashkimi Evropian pret që Kuvendi dhe Qeveria e re të formohen në përputhje me vullnetin e popullit dhe se do të vazhdojë të mbështesë Kosovën në rrugën e saj për të arritur integrimin evropian, përfshirë zbatimin e angazhimeve të saj, sidomos në lidhje me marrëdhëniet me Serbinë dhe forcimin e sundimit të ligjit.”

    Në deklaratën e BE-së i bëhet thirrje autoriteteve në Kosovë që të angazhohen për bashkëpunim rajonal të përgjegjshëm dhe të intensifikojnë përpjekjet për të forcuar sundimin e ligjit dhe administratën publike, si dhe për të mbrojtur lirinë e shprehjes. “Progresi në normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë është mënyra e vetme që Kosova të arrijë progres në rrugën e saj evropiane”, theksohet në deklaratë.

    Në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit garuan 28 subjekte politike dhe një kandidat i pavarur. Katër kandidatë nga katër partitë më të mëdha garuan për postin e kryeministrit. Të drejtë vote kishin rreth 2 milionë qytetarë, ndërsa votuan vetëm rreth 800 mijë, e shndërruar në përqindje, pak mbi 40%. Parlamenti i Kosovës i ka 120 ulëse dhe, në bazë të rezultatit, Lëvizja Vetëvendosja, që doli partia e parë, nuk do të mund ta formojë e vetme qeverinë. Asaj i duhet koalicion me ndonjërën nga partitë e tjera. /DW