ATV

Author: ATVLive

  • “U la familja Jashari vetëm në luftë” – Haliti tregon çfarë ndodhi dhe si

    “U la familja Jashari vetëm në luftë” – Haliti tregon çfarë ndodhi dhe si

    Njëri nga themeluesit e UÇK-së, Xhavit Haliti, në emisionin CONTEXT në ATV, ka folur për rrethanat e sulmit ndaj familjes Jashari dhe mënyrën se si ndodhi ngjarja historike në Prekaz. Ai tha se Adem Jashari nuk duhej të kthehej në shtëpi pa mbrojtje.

    Haliti u shpreh se në atë periudhë nuk kishte formacione të mirëorganizuara për mbrojtjen e familjes Jashari.

    “Mendimi im ka qenë që Adem Jashari s’duhej të shkojë në shtëpi asnjëherë më. Sepse ai nuk ka pasur bodigarda, nuk ka pasur roje dhe as ndonjë repart që e mbante rreth shtëpisë për ta ruajtur”, tha Haliti.

    Ai tha se në atë kohë luftëtarët e UÇK-së kryenin aksione dhe më pas ktheheshin në familjet e tyre, ndërsa nuk kishte një sistem të avancuar sinjalizimi dhe mbrojtjeje.

    “Janë kryer dy-trembëdhjetë aksione për një natë, pesë aksione për një natë, por pastaj janë kthyer pothuajse të gjithë në vendet e tyre, te familjet ose njerëzit e besueshëm ku qëndronin”, tha Haliti.

    Haliti shtoi se edhe pse disa luftëtarë ishin të armatosur dhe përpjekjet për mbrojtje ekzistonin, mundësitë për një organizim të shpejtë dhe të fuqishëm në atë kohë ishin të kufizuara.

    Intervistën e plotë me Xhavit Halitin në CONTEXT e gjeni në videon më poshtë:

  • Xhavit Haliti rrëfen takimin e parë me Adem Jasharin dhe qëndrimin e tij në Shqipëri

    Xhavit Haliti rrëfen takimin e parë me Adem Jasharin dhe qëndrimin e tij në Shqipëri

    Njëri nga themeluesit e UÇK-së, Xhavit Haliti, në emisionin CONTEXT në ATV, ka treguar për takimin e tij të parë me Adem Jasharin në Tiranë dhe vendin ku ai qëndronte gjatë kohës që ishte në Shqipëri.

    Haliti tha se Jasharin e takoi për herë të parë në kryeqytetin shqiptar, në një periudhë kur një grup i luftëtarëve të UÇK-së po stërvitej atje.

    “Adem Jasharin e kam takuar për herë të parë në Tiranë, në kohën kur një grup që ishte në ushtrime atje ishte nisur për Kosovë dhe disa ishin arrestuar. Nuk i kam të qarta detajet se si është kthyer apo nëse ishte nisur fare Ademi”, tha Haliti.

    Ai tha se Jashari kishte qëndruar për një kohë të gjatë në Shqipëri dhe se banonte në Shtëpinë e Oficerëve në Tiranë.

    “Ai për një kohë bukur të gjatë ka qëndruar në Shqipëri, ka banuar në Shtëpinë e Oficerëve, që ishte për të vetmuarit, ata që i quanin edhe të pamartuar”, tha Haliti.

    Intervistën e plotë me Xhavit Halitin në CONTEXT e gjeni në videon më poshtë:

  • KQZ nuk miraton rekomandimin që të numërohen 177 kuti të votimit përmes postës

    KQZ nuk miraton rekomandimin që të numërohen 177 kuti të votimit përmes postës

    Me tone të ashpra është zhvilluar të enjten mbledhja e Komisioni Qendror të Zgjedhjeve, e gjitha kjo pas një rekomandimi të Sekretariatit të KQZ-së.

    Me 4 vota për KQZ nuk ka miratuar rekomandimin e sekretariatit të KQZ-së për hapjen e të gjitha kutive të votimit me fletëvotimet e dërguara nga votuesit jashtë Kosovës në kutitë postare të KQZ-së, raporton Ekonomia Online.

    Ky rekomandim u kundërshtua nga anëtaret e opozitës, të cilët thanë se janë vetëm për vendimin e PZAP-së dhe jo rekomandimin e sekretariatit.

    Besnik Buzhala, u.d drejtor i sekretariatit të KQZ-së, tha se Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, sipas vendimeve të datës 04.03.2025, ka miratuar ankesën e subjektit politik Lëvizja VETËVENDOSJE!, me ç’rast 15 fletëvotimet të cilat janë shpallur të pavlefshme, të vlerësohen të vlefshme dhe të njëjtat të përfshihen në rezultatin përfundimtar.

    Sipas tij, duke u bazuar në informatat e mbledhura, fletëvotimet e tilla gjenden në shumicën e kutive tjera, e që përfshijnë subjektet politike të ndryshme, dhe me këtë rast ai tha se sekretariati i KQZ i rekomandon KQZ që të marrë vendim për hapjen e të gjitha kutive të votimit përmes postës, me qëllim që të ri vlerësohen dhe të numërohen të gjitha fletëvotimet që janë shpallë të pavlefshme, në përputhje me vendimin e PZAP, ku të njëjtat pastaj, do të hyjnë në rezultate për subjektet politike dhe për kandidatët.

    “Sekretariati i rekomandon KQZ-së që të hapë të gjitha kutitë me votat e diasporës me zarf, 177 kuti, ku janë 1631 fletëvotime të pavlefshme, në mënyrë që të vlerësohen këto kuti në fletëvotimet që janë shpallur te pavlefshme, bazuar na vendimin e Pzap për shpalljen të pavlefshme të 15 fletëvotimeve, pas ankesës së subjektit politik, LVV”, ka thënë ai.

    Anëtari i KQZ nga PDK Ilir Gashi, ka thënë se janë kundër këtij rekomandimi dhe se janë për vetëm për vendimin e PZAP-së.

    Gashi tha se vendimi i PZAP është marr dhe është si një rezultat i një procedure.

    “Keni bërë një kërkesë hipotetike e cila nuk do të duhej të vije nga ju. Janë fletëvotimi që janë burimi i një printeri. Unë kam thënë që nga fillimi që ky proces është i kontaminuat. Unë jam për të respektuar vetëm vendimin e PZAP vetëm për vendimit konkret, asnjë kuti tjetër nuk duhet të hapet pa një vendimi të PZAP. Unë kërkoj që ky rekomandim të mos mbështetet. Duhet që t’i presim afatet e ankesave”, ka thënë ai.

    Anëtari i KQZ nga VV-ja Sami Kurteshi, ka thënë se janë pro këtij rekomandimi.

    “Rekomandimi ishte i detajuar, ne kemi një vendim të PZAP-së, që gabimisht janë shpallur të pavlefshme. Bëhet fjalë për fletëvotime që kanë qenë të shtypura. PZAP thotë se janë të vlefshme sepse është ditur qëllimi i votuesit. Duhet të nxirren të gjitha fletëvotimet e pavlefshme dhe të rinumërohen”, ka thënë ai.

    Anëtari i KQZ-së nga AAK-ja Ibrahim Selmonaj, ka thënë se gjithë procesi i votimit me postë për të dhe partin e tij është i kontaminuar.

    Për këtë ai ka thënë se e përkrahin vetëm vendimin e PZAP.

    “Edhe në numërofshin të gjitha votat me postë për mua dhe AAK janë vota të kontaminuara, të dyshuara dhe janë vota që nga fillimi që ka nisur regjistrimi dhe transporti nuk na japin një garanci që kjo votë është e sigurt. E mbështes vendimin e PZAP”, ka thënë ai.

  • ​Jack Daniels kritikon vendimin e Kanadasë për të hequr alkoolin amerikan

    ​Jack Daniels kritikon vendimin e Kanadasë për të hequr alkoolin amerikan

    Provincat kanadeze po heqin alkoolin amerikan nga raftet e dyqaneve në përgjigje të politikës tregtare të Trump, e ka thënë kreu i prodhuesit të Jack Daniel’s, Brown-Forman.

    Disa provinca kanadeze, përfshirë Ontario-n, që është edhe më e populluara, morën masa këtë javë në hakmarrje për tarifat e SHBA-ve për produktet kanadeze, shkruan BBC.

    Këshilli i Kontrollit të Alkoolit të Ontarios (LCBO), një nga blerësit më të mëdhenj të alkoolit në botë, e hoqi alkoolin e prodhuar në SHBA nga raftet e tij të martën.

    Kreu i Brown-Forman, Lawson Whiting, tha se përgjigja kanadeze ishte “pa proporcionale” ndaj tarifave prej 25 për qind për produktet kanadeze të imponuara nga administrata Trump. “Do të thosha se është më keq se një tarifë, sepse është duke hequr produktet tuaja, duke i larguar plotësisht ato nga raftet”, shprehu Whiting, pwrcjell KosovaPress.

    Në përgjigje të tarifave, Kanadaja ka hakmarrë me tarifa 25 për qind për produktet e importuara nga SHBA, përfshirë birrën, pije aloolike dhe verën.

    Disa provinca gjithashtu morën masa vetë, përfshirë Ontario-n dhe Nova Scocinë, shkruan BBC News.

    Kryeministri i Ontarios, Doug Ford, tha se LCBO shitet pothuajse 1 miliard dollarë alkool amerikan çdo vit. “Që nga sot, çdo një nga këto produkte është larguar nga raftet”, tha Ford të martën.

    LCBO është shpërndarësi ekskluziv në Ontario, që do të thotë se shitësit e tjerë, bare dhe restorante në provincë nuk do të kenë mundësi të rimbushin produktet amerikane, tha Ford.

    Megjithatë, zoti Whiting tha se Kanadaja përbën vetëm 1 për qind të shitjeve totale të Brown-Forman, kështu që firma mund ta përballojë këtë goditje.

    Kanadezët po këshillohen nga LCBO të blejnë produkte të prodhuara në Kanada. Disa kanadezë janë kthyer tek produktet lokale si përgjigje ndaj tarifave të Trump.

  • ​Prodhuesi turk i dronëve Baykar nënshkruan marrëveshje bashkëpunimi me gjigantin Italian

    ​Prodhuesi turk i dronëve Baykar nënshkruan marrëveshje bashkëpunimi me gjigantin Italian

    Prodhuesi kryesues turk i dronëve Baykar Technologies dhe gjiganti i mbrojtjes Leonardo kanë nënshkruar marrëveshje partneriteti në teknologjitë pa pilot.

    Marrëveshja u nënshkrua nga shefi ekzekutiv i kompanisë Leonardo, Roberto Cingolani dhe kreu i kompanisë Baykar, Selçuk Bayraktar dhe shefi ekzekutiv, Haluk Bayraktar. Ceremonia u zhvillua në selinë e kompanisë Leonardo në Romë, shkruan AA, transmeton KosovaPress.

    “Ne kemi qenë në negociata intensive për muaj të tërë. Ne tashmë po punonim me Leonardon dhe ka sisteme që i kemi integruar”, tha Selçuk.

    “Ne tashmë ishim duke bashkëpunuar dhe kimia dhe sinergjia janë zhvilluar në një mënyrë magjepsëse në muajt e fundit”, shtoi ai. Duke theksuar se të dy kompanitë kanë veçori plotësuese, Selçuk tha se “Ne mund të bëjmë sistemet më të mira së bashku. I falënderojmë për bashkëpunimin, jemi shumë të lumtur që nisim këtë rrugëtim”.

    Cingolani, nga ana tjetër, tha se sot është një ditë shumë e rëndësishme pasi “po nënshkruajmë një memorandum mirëkuptimi me Baykar”.

    “Ne kemi identifikuar gurë themelin e rëndësishëm me kolegët tanë nga Baykar”, tha ai. Duke theksuar se po kalojnë një periudhë komplekse, Cingolani tha se marrëveshja është produkt i punës së tyre intensive në pesë muajt e fundit.

    “Ky është një rezultat i madh”, tha Cingoloni duke theksuar se marrëveshja është pesëvjeçare, por parashikon një bashkëpunim më të thellë. Ai shtoi se i ka lënë shumë përshtypje vizita e tij në objektet e kompanisë Baykar në Istanbul, duke theksuar se Baykar ka një familje shumë të gjerë produktesh në UAV (mjete ajrore pa pilot).

    Prodhimi do të kryhet në Türkiye dhe Itali nën partneritetin e dy kompanive. Baykar dhe Leonardo presin që tregu i mjeteve ajrore pa pilot në Evropë të arrijë në 100 miliardë dollarë në 10 vitet e ardhshme.

    Baykar Technologies, prodhuesi i mjeteve ajrore luftarake pa pilot (UCAV) Bayraktar TB2 dhe Bayraktat Akıncı, ka zgjeruar rrjetin e tij të bashkëpunimit në Itali.

    Në muajin dhjetor, kompania turke bleu gjigantin italian të hapësirës ajrore Piaggio.

  • ​Netflix do të investojë 16.7 miliardë euro në 2025

    ​Netflix do të investojë 16.7 miliardë euro në 2025

    Kompania e transmetimit Netflix pritet të shpenzojë 16.7 miliardë euro për përmbajtje në vitin 2025, një rritje prej 11% krahasuar me vitin e kaluar, por kjo “nuk është as afër tavanit”, tha Drejtori i Financave i platformës, Spencer Neumann.

    Kjo është një rritje prej rreth 11% krahasuar me shpenzimet për përmbajtje në vitin 2024, shtoi ai, duke folur në Konferencën e Teknologjisë, Media dhe Telekomunikacioneve të Morgan Stanley në San Francisco, Kaliforni, raporton LUSA.

    Netflix shtoi 19 milionë abonetë në tremujorin e fundit të vitit 2024 dhe e mbylli vitin me një total prej 301 milionë anëtarësh në mbarë botën, por Neumann theksoi se platforma mbetet “e vogël” sipas të gjitha masave kyçe, duke thënë se ka kapur vetëm 6% të tregut të saj të mundshëm, përcjell KosovaPress.

    Dretori gjithashtu deklaroi se kompania ka “mundësi rritjeje” në të gjitha zhanret, përfshirë sportet, dhe se pjesë e strategjisë është të identifikojë “ku është mundësia më e madhe për të rritur dhe investuar”.

    Neumann tha se tre nga seritë e saj më të suksesshme origjinale do të kthehen me përmbajtje të re në ekran, konkretisht “Wednesday”, “Stranger Things” dhe “Squid Game”, kështu që investimi në përmbajtje të licencuar po rritet gjithashtu.

    Platforma filloi të investojë në përmbajtje të drejtpërdrejtë, siç janë ndeshjet e mundjes WWE ose transmetimi i drejtpërdrejtë i Çmimeve të Sindikatës së Aktorëve të Hollywoodit (SAG Awards).

  • ​“Nën një qiell me pupla”, tani edhe në gjuhën shqipe

    ​“Nën një qiell me pupla”, tani edhe në gjuhën shqipe

    “Nën një qiell me pupla”, tani është para lexuesve kosovarë edhe në gjuhën shqipe. Ish-oficeri britanik, Ade Clewlow ka përmbledhur në një libër historinë e tij në Kosovë mbi ngjarjet e rëndësishme të viteve 2008-2009. Britaniku në atë kohë ishte me një mision operacional në Kosovë.

    Ish-ushtaraku në atë kohë ishte dëshmitar i një prej proceseve më të rëndësishme – shpërbërjes së Trupave Mbrojtëse të Kosovës, dhe krijimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës.

    Pasi përfundoi misionin e tij më 2009 në Kosovë, Clewlow u kthye në Britaninë e Madhe dhe gjashtë vjet më vonë e nxori librin “Under A Feathered Sky”.

    Në Prishtinë, u kthye sërish pas disa vjetësh, që lexuesve kosovarë t’ua sjellë librin edhe në gjuhën shqipe.

    Ade Clewlow tha të enjten se libri iu dedikohet qytetarëve të Kosovës.

    “Unë besoj me pasion se është një libër i rëndësishëm për njerëzit që ta lexojnë, të cilët ndoshta normalisht nuk do të kishin mundësinë që të dinë se çfarë ndodh “prapa telave” ose “prapa vellos” të një organizate multinacionale. Pra, tani mendoj se kam ardhur rreth e qark, gjysma e rrethit ishte të publikoja librin në gjuhën angleze dhe tani kemi bërë një rreth të plotë, libri është publikuar në shqip. Libri është i dedikuar për njerëzit e Kosovës, dhe tani jam shumë shumë i lumtur, që njerëzit e Kosovës mund ta lexojnë atë”, tha ai.

    Ai pati edhe një mesazh për institucionet vendore, për çka tha se është momenti që të rivendosen marrëdhëniet me Bashkimin Evropian.

    “Në këtë moment jemi në një kohë shumë të vështirë në aspektin gjeopolitik, çfarë besuam para gjashtë muajve nuk është realiteti sot. Pra, mendoj se në shumë mënyra është koha që të rivendosim marrëdhëniet dhe është momenti që të lidhemi me Evropën dhe me Mbretërinë e Bashkuar, që ata të njohin rëndësinë e ruajtjes së një Ballkani të qëndrueshëm, pra një Kosove të qëndrueshme. Dhe ky është mendimi im personal, duhet të bëhet një BE e bashkuar, në mënyrë që të ketë ndonjë shpresë për një mjedis më të qëndrueshëm në Kosovë dhe Ballkanin Perëndimor”, shtoi ai.

    Zëvendëskomandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Enver Cikaqi foli për kontributin e ish-ushtarakut britanik gjatë kohës sa ka shërbyer në Kosovë.

    “Edhe sot e kujtojmë me shumë pietet kontributin e Ade. Ajo çfarë është më e rëndësishme që do ta them në perspektiven time dhe nga detyra dhe pozita ime që jam sot duhet që të falënderojë shumë Ade për kontributin e tij dhe në të njëjtën kohë edhe për librin ngase kjo tregon se historia e bashkëpunimit edhe komunikimit të përbashkët mes dy forcave tona daton që prej luftës, para gjeneral Çekut dhe gjeneral Haradinajt, në këtë rast që marrë këtë të drejtë për të thënë se sa e rëndësishme ka qenë bashkëpunimi i të dy forcave tona që nga koha e luftës”, u shpreh Cikaqi.

    Ish-shefi i AKI-së, Burim Ramadani tha se ky libër është unik dhe dëshmi e gjallë, të cilin duhet ta lexojnë të gjithë.

    “Ato javë të themelimit të FSK-së, menjëherë pas pavarësisë së Kosovës nuk kanë qenë të zakonshme. Dhe në atë periudhë historia është bërë ose të paktën një pjesë e historisë së Kosovës është bërë dhe autori Ade Clewlow i ka përshkruar jo vetëm nuancat e atyre momenteve por e ka përshkruar edhe rrjedhën se si për të arritur suksesin duhet të ketë jashtëzakonisht dedikim ose përshkrim. Siç e përshkruan autori Ade, jo të gjithë ishin të lumtur në ato momente lumturie të themelimit të Forcës. Ishin shumë aktorë të involvuar. Besoj që ky libër është dëshmi e gjallë që secili duhet ta lexojë dhe veçanërisht oficerët e rinj, politikanët e rinj, diplomatët në Kosovë dhe profesionistët e angazhuar”, tha ai.

    Në promovimin e këtij libri mori pjesë ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Jonathan Hargreaves, ish-kryeministri Ramush Haradinaj, udhëheqësi i parë i TMK-së Agim Çeku dhe gjeneral Xhavit Gashi.

    Ade Cloëloë, i ngarkuar me misione në shumë vende të botës, u gjend në Kosovë si kolonel-lejtënant në vitin 2008 – pak pas shpalljes së pavarësisë.

    Ai ishte i ngarkuar me detyra operacionale për gjashtë muaj dhe pa prej afër procesin e shpërbërjes së Trupave Mbrojtëse të Kosovës, si dhe krijimin e Forcës së Sigurisë së Kosovë që u bë në janar të vitit 2009.

    Përvojën e tij në Kosovë e ruajti edhe të shkruar, të cilën më vonë do ta titullonte “Under a Feathered Sky: Role in the Neëly Independent Kosovo” (Nën një qiell me pupla: Historia e parrëfyer e rolit të NATO-s në Kosovën e pavarësuar rishtas)./kp

  • Ekonomisti serb: Serbia po falimenton

    Ekonomisti serb: Serbia po falimenton

    Profesori serb i ekonomisë, Sllobodan Komazec, deklaroi sot se borxhet e Serbisë arrijnë në 105.3 miliardë euro dhe se vendi po i afrohet falimentimit.

    Ai thotë se Serbia me në krye Aleksandar Vuçiqin janë duhe e shkatërruar buxhetin në investime të panevojshme siç janë pajisjet ushtarake dhe avionët luftarak, shkruan Beta, transmeton KosovaPress.

    “Qeveria vazhdon të marrë hua në mënyrë të pamatur për të mbuluar investime vërtet të panevojshme dhe joefikase ‘Rafale’, pajisje ushtarake e të ngjashme”, përfundoi Sllobodan Komazec.

    Komazec tha për agjencinë Beta se shteti ka marrë një barrë të madhe borxhi, e cila, siç tha ai, po mbyt dhe pamundëson financiarisht zhvillimin e ekonomisë.

    “Huamarrja e pakontrolluar si një proces i fshehur ka çuar në barrën e madhe të borxhit publik dhe të jashtëm të Serbisë. Barra e borxhit që shtyn me peshën dhe detyrimet e saj të borxhit është rritur në mbi 105 miliardë euro. Sektori publik ka akumuluar borxhin e jashtëm në 27.8 miliardë euro dhe borxhin e brendshëm në 12.2 miliardë, gjithsej 40 miliardë euro”, tha profesori.

    Ai shtoi se kompanitë kanë 18.3 miliardë euro borxh jashtë vendit, dhe 11 miliardë kredi nga bankat vendase, në total 29.3 miliardë euro.

    “Popullsia merr 14.3 miliardë euro hua nga bankat në vend. Përveç këtyre borxheve klasike, ka edhe detyrime të tjera që rëndojnë ekonominë. Këtu përfshihet TVSH-ja e papaguar prej katër miliardë eurosh, garancitë e lëshuara të vonuara shtetërore prej 1.1 miliardë euro, kamatëvonesa për borxhet prej pesë miliardë eurosh, borxhet në sistemin e investimeve të huaja direkte prej 10.8 milionë eurosh të papaguara 20 miliardë euro. Detyrimet totale të borxhit arrijnë në 105.3 miliardë euro”, theksoi Komazec, shkruan Beta.

    I pyetur se cilat do të jenë pasojat e detyrimeve të mëdha të borxhit, Komazeci tha se mekanizmi “i pakontrolluar” i huamarrjes, pa projekte, programe, përllogaritje efektesh dhe kontrolli, çon në rritje të shpejtë të borxhit, që çon në falimentim dhe falimentim të shtetit.

    “Nëse produkti i brendshëm bruto në vitin 2024 ka qenë 76.4 miliardë euro, kjo do të thotë se barra e borxhit arrin në 113 për qind të prodhimit të brendshëm bruto. Nëse shtohen detyrimet e tjera të borxhit (kamatat dhe borxhet e fshehura), barra e borxhit arrin në 138 për qind të PBB-së 28 për qind të prodhimit të brendshëm bruto”, shpjegoi Komazec.

    Sipas tij, huamarrja e pakontrolluar dhe përdorimi joefikas i borxhit kanë krijuar një kurth borxhi në të cilin ekonomia në tërësi punon vetëm për interesat e borxheve.

  • ​Prekazi historik me mijëra vizitor

    ​Prekazi historik me mijëra vizitor

    Mijëra qytetarë nga vende të ndryshme të Kosovës e rajonit kanë vizituar të enjten Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz, në shënim të Epopesë së lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

    Në tokën ku u shkrua historia me gjak, ku çdo gur e çdo prag flet për qëndresën e një familjeje që zgjodhi lirinë para jetës, vizitorët u ndalën me përulësi para sakrificës së tyre. Ata kujtuan dhimbjen e marsit tragjik të vitit 1998, por edhe ndjenjën e krenarisë që mbetet e përjetshme, raporton KosovaPress.

    Njëkohësisht bënë thirrje për më shumë vlerësim dhe përkujdesje institucionale ndaj kontributit të dëshmorëve për liri dhe pavarësi.

    “Ndihem krenar, por më dhimben shumë ata që dhanë jetën për këtë vend”, thotë mes lotëve qytetari, Januz Musliu nga Komuna e Mitrovicës.

    Derisa, shprehet i zhgënjyer për mënyrën si po trajtohet sot sakrifica e tyre nga institucionet shtetërore.

    “Ndihem krenar shumë, por po më dhimbem më së shumti ata që kanë dhënë jetën për këtë vend… Këtu veç njerëzit e lig kanë bërë kështu, kjo është dashtë të jetë më mirë, por kanë këqyr përveti, kanë mundur të rregullojnë më mirë këtë vend.. Ditë shumë e rëndë kjo”, rrëfen Musliu.

    Nga Prizreni kishte ardhur Nazmi Qollaku, me një ndjenjë të thellë respekti për heronjtë e kombit.

    “Nuk kam fjalë sa e meritojnë kjo familje. Prej Prizreni jam ardhë t’i vizitoj e nderoj këta… Ata që ja dinë vlerën luftëtarëve duhet të bëjnë çdo gjë dhe më tepër, shteti i ka në duar, ne nuk mund të bëjmë asgjë… duhet të bëjë më shumë”, tha Qollaku.

    Bekë Mulaj, një tjetër vizitor, kujtoi me dhimbje marsin e vitit 1998, kur u zhvillua beteja heroike e familjes Jashari.

    “Mërzinë më të madhe e kemi ditë në vitin 1998, tragjedia më e madhe që nuk e përshkruan askush deri më tash. Dhimbje të gjithë, por ranë këta e na dhanë lirinë…Deri diku (po vlerësohet sakrifica tyre) por qysh duhet jo, qysh kanë kontribuar këta, ne nuk po kontribuojmë për ta, as ne, as udhëheqësia”, tha Mulaj.

    Vetëm nga 1 deri më 6 mars, afër 30 mijë qytetarë kanë vizituar Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz.

    Ndërsa deri më sot nga fillimi vitit pa e llogaritur ditën e sotshme numri i përgjithshëm që vizituan Prekazin është mbi 14 mijë.

    Kështu ka bërë të ditur Ciceroni i këtij kompleksi, Ilaz Halimi. Ai për KosovaPress ka thënë se vetëm sot më 6 mars rreth 16 mijë qytetarët e vizituan këtë vend.

    Ndryshe 5,6 dhe 7 marsi njihet si Epopeja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ku u vranë 59 anëtarë të familjes Jashari pas rezistencës tri ditore.

  • Parakalojnë motoçiklistët në nderim të Epopesë së UÇK

    Parakalojnë motoçiklistët në nderim të Epopesë së UÇK

    Me rastin e 27-vjetorit të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, motoçiklistë nga klube të ndryshme të vendit kanë organizuar një parakalim në qytetin e Skenderajt, duke nderuar sakrificën dhe heroizmin e dëshmorëve të luftës, raporton EO.

    Ky aktivitet tashmë është bërë tradicional dhe shënon respektin e vazhdueshëm për luftën çlirimtare dhe familjen Jashari, simbolin e qëndresës dhe sakrificës për lirinë e Kosovës.

    Motoçiklistët, të pajisur me flamuj kombëtarë dhe të UÇK-së, kaluan nëpër rrugët e Skenderajt, duke u ndalur në Prekaz për të bërë homazhe në Kompleksin Memorial “Adem Jashari”.