ATV

Author: ATVLive

  • Mikrobiologjia Klinike në QKUK pranoi rreth 40 mijë mostra brenda një viti

    Mikrobiologjia Klinike në QKUK pranoi rreth 40 mijë mostra brenda një viti

    Ndonëse ende nuk janë bërë 4 vjet nga formimi i Shërbimit të Mikrobiologjisë Klinike në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, numri i mostrave të pranuara që iu janë nënshtruar analizave mikrobiologjike në vitin 2024 arrin në 40 mijë, apo afro 30 mijë më shumë se në vitin 2021. Derisa prioritet për Mikrobiogjinë Klinike është fuqizimi i Diagnostikës Molekulare, për të avancuar shërbimet në dobi të klinikave dhe pacientëve.

    Mikrobiologjia Klinike pranon çdo ditë mostra nga pacientët e hospitalizuar në të gjitha klinikat e QKUK-së.

    Ushtruesja e detyrës së drejtoreshës në Shërbimin e Mikrobiologjisë Klinike në QKUK, Greta Lila Azizi në një intervistë për KosovaPress thotë se që nga themelimi i kësaj njësie, vit pas viti që nga 2021-ta, është rritur dukshëm numri i mostrave të pranuara për analizë.

    “Gjatë vitit 2021 numri i mostrave ka qenë më i ulët, ishte pandemia. Ka qenë një numër më i reduktuar i mostrave. Por, ndër vite numri i mostrave që janë pranuar këtu është rritur. Përgjatë vitit 2021 kanë qenë diku rreth 11 mijë mostra. Pastaj, kjo kronologjikisht ka shkuar duke u rritur vit për vit. Dhe tash së fundi në vitin 2024 kemi arritur deri në 40 mijë mostra që janë pranuar në Shërbimin e Mikrobiologjisë Klinike, në laborator”, tha Lila Azizi.

    Ajo potencon se punën si shërbim i ri në QKUK e nisën me tre mikrobiologë dhe teknikë laborantë, porse me zgjerimin e gamës së shërbimeve ndër vite, është më se dyfishuar numri i stafit.
    Specialistja e mikrobiologjisë, Greta Lila Azizi thotë se në gjashtëmujorin e parë të këtij viti, pritet të fuqizohet edhe Diagnostika Molekulare. Sipas saj ky shërbim do reduktojë dukshëm kohën e raportimit të rezultateve të analizave nga mostrat e marra, përcjell KosovaPress.

    Për KosovaPress, mikrobiologia Greta Lila Azizi tregon se në shërbimin e Mikrobiologjisë Klinike në QKUK kryhet një gamë e gjerë e analizave mikrobiologjike.

    Ajo shtoi se ekziston një laramani e madhe e mostrave që i nënshtrohen analizave mikrobiologjike.

    Shërbimi i Mikrobiologjisë Klinike në QKUK është formuar me datë 18 mars 2021, pasi që ministri i Shëndetësisë, kishte miratuar popozim Vendimin për ndryshimet në Statutin e QKUK-së, pas pranimit të kërkesës nga Bordi Drejtues i ShSKUK-së, me datë 8 shkurt 2021.

  • Një person i vdekur si pasojë e zjarrit në Prapashticë

    Një person i vdekur si pasojë e zjarrit në Prapashticë

    Të shtunën në fshatin Prapashticë të Komunës së Prishtinës, si pasojë e një zjarri dyshohet se në një fushë një person ka humbur ndjenjat dhe pas ekzaminimit nga ekipet mjekësore është konstatuar që viktima është pa shenja jete, raporton KP.

    Kështu ka njoftuar policia në raportin 24 orësh duke thënë se me urdhër të prokurorit trupi i pajetë i dorëzohet mjekësisë ligjore për obduksion.

  • Shteti evropian që kishte dënim me vdekje për puthjen në publik

    Shteti evropian që kishte dënim me vdekje për puthjen në publik

    Më 9 mars të vitit 1562 në Napoli të Italisë, puthja në publik u ndalua me ligj edhe u bë e dënueshme me vdekje. Nëse autoritetet shihnin ndonjë çift duke u puthur, atëherë pasonte dënimi me vdekje.

    Institucionet ishin të shqetësuara për moralin dhe shëndetin publik. Mirëpo, ky veprim ndikoi shumë pak në përhapjen e murtajës në Evropë, shkruan KosovaPress.

    Ky duket të ishte vetëm fillimi i historisë së ndalimit të puthjeve në pubik. Në vitin 1910 Franca ndaloi puthjet në stacione sepse konsideronin që puthjet po vononin mjetet e transportit.

    Përgjatë historisë kontrollimi i marrëdhënieve seksuale ka qenë shpesh pjesë e censurave. Në Britani të Madhe në vitin 1439, Mbreti Henry VI ndaloi puthjen në përpjekje për të ndaluar përhapjen e një sëmundjeje në mbretërinë e tij.

  • Kukulla ikonë Barbi mbush 66 vjeç

    Kukulla ikonë Barbi mbush 66 vjeç

    Barbi mbush 66 vjeç dhe në përpjekje për të ecur në një hap me kohën, një seri e re kukullash po prezantohen, përfshirë Barbin në karrierë dhe modelet që frymëzojnë vajzat e vogla.

    Një astronaut, një futbollist dhe një spikere lajmesh janë mes kukullave të reja që kompania e lodrave Mattel do të prezantojë në festën e përvjetorit, në Singapor.

    Një seri femrash të suksesshme po ashtu kanë kukulla barbi me imazhin e tyre në nder të gjashtë dekadave jetë të kukullës më të dashur. Mes tyre janë tenistja Naomi Osaka, aktorja amerikane Jara Shahidi dhe kukulla e parë maore në histori, e modeluar sipas gazetares neozelandeze sportive, Melodie Robinson, raporton KosovaPress.

    Mattel ka shënuar përvjetorin duke bërë një partneritet me Singapore Flyer, një rrotë e madhe panoramike në qytetin shtet, që përkohësisht është shndërruar në një ambient ku ngado sheh Barbin.

    Mattel ka bërë shumë ndryshime gjatë viteve, duke prezantuar lloje të ndryshme kukullash, në përmasa të ndryshme trupore dhe ngjyra të ndryshme lëkure.
    Më shumë se 1 miliard kukulla Barbi janë shitur që nga debutimi i saj në panairin amerikan të lodrave në New York më 9 mars 1959.

  • Kurti dhe Rashiq mbajnë konferencë për media, s’dihet arsyeja

    Kurti dhe Rashiq mbajnë konferencë për media, s’dihet arsyeja

    Kryeministri Kurti dhe ministri Rashiq do të mbajë sot konferencë për media nga ora 11:00.

    Arsyeja nuk është bërë e ditur.

    “Agjenda e Kryeministrit të Republikës së Kosovës e datës 09.03.2025. Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti së bashku me ministrin për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq mban konferencë për media. VENDI: Ndërtesa e Qeverisë. KOHA: 11:00”, thuhet në njoftim.

  • Kontratat kolektive “gjunjëzojnë” komunat, akuzojnë Qeverinë për neglizhencë

    Kontratat kolektive “gjunjëzojnë” komunat, akuzojnë Qeverinë për neglizhencë

    Kontratat kolektive po vazhdojnë të krijojnë sfida të mëdha financiare për komunat në Kosovë, duke e bërë të vështirë funksionimin e rregullt të institucioneve komunale, raporton Ekonomia Online.

    Ekonomia Online ka kontaktuar me dy kryetarë komunash të cilët po ankohen se kompensimi i punonjësve u ka shkaktuar atyre telashe të mëdha financiare.

    Kryetari i Lipjanit, Imri Ahmeti, ka thënë për Ekonomia Online se obligimi që e ka komuna që ai e drejton është rreth pesë milionë euro.

    “Natyrisht po, është një prej problemeve dhe sfidave që kanë krejt komunat e Kosovës. Në fakt është trashëguar një obligim borxh që do duhej me qenë i Qeverisë e jo i komunave sepse komunat nuk janë palë kontraktuese, nuk janë subjekt i nënshkrimit të kontratave. Qeveria është dashtë me trashëgua edhe përgjegjësitë obliguese që janë ndaj saj dhe jo vetëm benefitet që mund trashëgohen nga ish-qeveritë e kaluara dhe është një problem për të cilën ka një konstatim të përbashkët edhe nga vetë Qeveria që është në dëm të projekteve të komunave, një obligim jashtëzakonisht i madh e cila pengon zhvillon e projekteve të caktuara në secilën komunë”.

    “Natyrisht ne nuk kemi një kosto përfundimtare që mund ta dimë sepse këtë kosto po e shton përditë e më shumë çështja e shpenzimeve të përmbaruesve, të gjyqësorit dhe të tjera, megjithatë një obligim që ka Komuna e Lipjanit i përafërt mund të sillet rreth 5 milionë euro”, ka thënë Ahmeti.

    Ahmeti konsideron se niveli qendror po i neglizhon komunat me mosgatishmërinë për t’ua hequr këtë barrë.

    “Nuk mund të nxjerrë një konstatim të tillë, në fakt vërehet një mos interesim dhe një neglizhim i zgjidhjes së problemit, edhe pse saktësisht e dinë që ky problem nuk është çështje e komunave por e nivelit qendror, dhe do duhej me u marrë niveli qendror, me i trajtua këto probleme dhe me i zgjidh. Tek e fundit, ekziston qeveria për të zgjidh problemet e jo për të transmetuar probleme apo për të bartë problemet në nivele lokale”.

    Dëm të madh këto kontrata po u shkakton edhe Komunës së Hanit të Elezit. Kryetari Mehmet Ballazhi, ka thënë për Ekonomia Online se këto mjete po merren nga investimet kapitale, teksa si përjashton as nga kategoria paga dhe mëditje.

    “Po natyrisht, si çdo komunë tjetër edhe ne jemi në fazën e këtij kolapsimi ashtu siç ka thënë edhe Asociacioni i Komunave, sepse ne jo vetëm vitin e kaluar por edhe këtë vit të njëjtin problem e kemi me këto lëndë përmbarimore, edhe pse ne jemi munduar që të bëjmë një marrëveshje me mësimdhënës, gjykatë dhe avokatë, mirëpo megjithatë mundësitë e pagesave të këtyre kontratave kolektive nuk e kemi, kështu që po kalojmë te përmbarimi e kështu po na shkakton probleme në projekte, paga e mëditje nëse ata i marrim nga kjo kategori”, deklaroi Ballazhi.

    Ballazhi ka thënë se gjysma e buxhetit për investime kapitale do të shkojnë për t’i paguar këto kontrata.

    “Përafërsisht nëse nuk gaboj është dhe nëse nuk del edhe diçka tjetër, është diku mbi 200 mijë euro i kemi pa paguar tani. 50 për qind e buxhetit për investime kapitale. Për një komunë që ka një buxhet prej 550 mijë për investime kapitale”, u shpreh Ballazhi.

    Kostoja e saktë e padive të ngritura në komuna, nuk është e qartë, meqë ato janë në faza të ndryshme, ndërsa nga Asociacioni i Komunave të Kosovës, kanë deklaruar se kostoja mund të sillet në rreth 35 milionë euro.

    Në koordinim me këtë asociacion, komunat kanë ngritur padi ndaj Qeverisë së Kosovës, duke kërkuar kthimin e mjeteve të shpenzuara gjatë kompensimit të mësimdhënësve, por këto padi, deri më tani, nuk janë trajtuar në gjykata.

  • Përballë ndryshimeve globale, Kosova “t’i rimendojë aleancat”

    Përballë ndryshimeve globale, Kosova “t’i rimendojë aleancat”

    Ndërsa dallimet mes Shteteve të Bashkuara dhe Evropës rriten, Kosova, po ashtu, përballet me një moment përcaktues: Ku të kërkojë mbështetje? Me sfidat që e presin – nga dialogu me Serbinë deri tek anëtarësimi në organizatat ndërkombëtare – ekspertët i sugjerojnë t’i forcojë lidhjet me BE-në dhe me aleatë përtej Perëndimit.

    Në katër javët e fundit, SHBA-ja i çoi mesazh Evropës që të mos llogarisë përgjithmonë në mbrojtjen prej saj, evropianët folën për nevojën e “pavarësisë” në siguri dhe shprehën shqetësim për të ardhmen e NATO-s, në Zyrën Ovale kishte përplasje diplomatike mes presidentit amerikan, Donald Trump, dhe atij ukrainas, Volodymyr Zelensky, Uashingtoni ia ndali ndihmën ushtarake Kievit dhe pezulloi ndarjen e informacioneve të inteligjencës me të…

    Në Kosovë, për gati katër javë, u numëruan vota – votat që u dhanë për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit. Procesi i numërimit të tyre nisi atë natë dhe nuk përfundoi deri më 5 mars.

    Çështja nuk është më te kjo vonesë, por te pyetja që mbetet pa përgjigje: Kush dhe kur do ta formojë qeverinë e re?

    Ndërkohë që ngjarjet në botë shpalosen me shpejtësi njëra pas tjetrës, udhëheqësit politikë në Kosovë duket se kanë hyrë në pazarllëk me njëri-tjetrin për ulëset parlamentare.

    Të vetmen gjë që e thonë me siguri është se për proceset kritike përpara – nga dialogu me Serbinë deri tek anëtarësimi i Kosovës në organizatat ndërkombëtare – do të vazhdojnë të mbështeten te SHBA-ja dhe BE-ja.

    “Ne jemi pjesë e Evropës kontinentale, ndërsa në raport me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, partneriteti strategjik ka qenë gjithmonë shtyllë e orientimit tonë”, thotë për programin Expose të Radios Evropa e Lirë, Mimoza Kusari-Lila, shefe e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje – aktualisht në pushtet.

    “Ka sfida me administratën e re amerikane – ato që shihen edhe botërisht – por ne u qëndrojmë vlerave dhe parimeve të njëjta strategjike”, shton ajo.

    Enver Hoxhaj, nga Partia Demokratike e Kosovës, e cila në zgjedhjet e 9 shkurtit doli e dyta, pas Vetëvendosjes, thotë se për politikën e jashtme, adresë e parë e Kosovës duhet të jenë Shtetet e Bashkuara, pastaj Brukseli, Berlini, Parisi e Roma.

    “Por, ajo për çfarë ka nevojë Kosova në këtë kohë, është që ta kuptojë se rendi ndërkombëtar, i cili e ka krijuar Kosovën e pavarur, nuk ekziston më”, thotë ai.

    “Është një rend i ri ndërkombëtar, ku Kosova do të duhej të gjendej në mënyrë strategjike”, vlerëson Hoxhaj.

    E, nga partia e tretë më e madhe në Kosovë – Lidhja Demokratike e Kosovës – thonë se vendi duhet të luajë mençur që të mos ndikohet nga riorganizimi i diplomacisë ndërkombëtare.

    “Edhe pse mund të ketë dallime në mendime e në qëndrime mes SHBA-së dhe Evropës, Kosova nuk e ka luksin që të zgjedhë mes këtyre palëve”, sipas Besian Mustafës nga kjo parti.

    Në BE, nga fundi i vitit të kaluar, ka udhëheqje të re, e cila ka shprehur mbështetje për integrimin evropian të Kosovës, por ka përsëritur se ky rrugëtim i saj varet nga normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë, që është ende larg.

    Edhe në SHBA, nga fillimi i këtij viti, ka administratë të re me në krye presidentin Donald Trump, i cili është zotuar se do t’i zgjerojë lidhjet me Kosovën.

    Megjithatë, vëzhguesit thonë se ngjarjet e javëve të fundit, kanë treguar se fokusi mund të ndryshojë me shpejtësi, ndaj edhe Kosova duhet të përshtatet me një botë, ku aleancat janë në lëvizje dhe asgjë nuk është e garantuar.

    Romana Vlahutin, nga Fondi Gjerman Marshall i Shteteve të Bashkuara, thotë se pozicioni i Ballkanit Perëndimor në politikën e jashtme të SHBA-së, nuk është i sigurt. Kosova, sipas saj, duhet të fokusohet në forcimin e partneriteteve me vendet evropiane dhe me vetë BE-në.

    BE-ja nga viti 2023 ka në fuqi disa masa ndëshkuese kundër Kosovës, për shkak të tensioneve në veri të saj. Nga viti 2022, blloku nuk e ka shqyrtuar as aplikimin e Kosovës për anëtarësim në të.

    E pyetur se a mund të mbështetet Kosova në një BE të tillë – me 27 anëtarë të ndryshëm – Vlahutin thotë:

    “Vërtet, nuk është në interesin e BE-së që të ketë ndonjë krizë të hapur në kontinentin evropian. Është absolutisht në interesin e BE-së që Ballkani Perëndimor të jetë i sigurt dhe i qëndrueshëm. Dhe në këtë kontekst, mendoj se interesat e Kosovës dhe interesat e BE-së janë të njëjta”.

    Për Tefta Kelmendin nga Këshilli Evropian për Marrëdhënie me Jashtë, Kosova duhet t’i ripërpunojë marrëdhëniet e saj me BE-në dhe shtetet anëtare kyçe, të tilla si Franca.

    Përçarja transatlantike, thotë ajo, ka implikime serioze për sigurinë e gjerë evropiane dhe Kosova, duke qenë në një zonë gri, pa njohje të plotë ndërkombëtare, është veçanërisht e cenueshme.

    Kelmendi vlerëson se kjo është një kohë kritike për BE-në për të rritur mbështetjen e saj për Kosovën, por thotë se edhe Kosova duhet të jetë më pragmatike dhe fleksibile dhe të përshtatet me shpejtësi kundrejt pasigurive.

    “Kosova duhet të luajë mençur dhe në mënyrë konstruktive. Është koha e fundit që ajo të angazhohet në mënyrë konstruktive në dialogun me Serbinë, të nisë t’i zbatojë marrëveshjet për normalizimin e marrëdhënieve me të dhe t’ia hapë rrugën vetes për anëtarësim në BE”.

    “Normalisht, kjo nuk vlen vetëm për Kosovën. BE-ja duhet t’i bëjë trysni edhe Serbisë për të shkuar në drejtimin e duhur”, thotë Kelmendi.

    Ajo shton këtu se është tejet e rëndësishme për Kosovën që t’i diversifikojë edhe aleancat dhe partneritetet ndërkombëtare. Në mënyrë të posaçme, ajo thotë se Kosova duhet ta kuptojë realisht rolin e rëndësishëm të Turqisë që ka në botë dhe ta shfrytëzojë partneritetin me të për t’i kapitalizuar synimet e veta.

    “Turqia mbetet një partnere shumë e rëndësishme e sigurisë dhe mbrojtjes për rajonin. Së voni, ka edhe një përmirësim raportesh midis saj dhe BE-së. Ndaj, Kosova duhet ta përdorë këtë si avantazh dhe të kërkojë ndihmën e Turqisë për t’i bindur shtetet që s’e njohin, që ta njohin. Pra, në secilin rast, partneriteti i Kosovës me shtete jashtë BE-së dhe jashtë SHBA-së është, gjithashtu, i rëndësishëm për arritjen e qëllimeve diplomatike”, vlerëson Kelmendi.

    Vlahutin pajtohet se Turqia është një aleate e vlefshme për Kosovën, që mund ta ndihmojë të forcojë pozicionin e saj ndërkombëtar.

    “Mendoj se Bashkimit Evropian do t’i duhet të përafrohet me Turqinë. Turqia është një fuqi serioze ushtarake dhe mund të bëjë shumë të mira në rajon. Po të isha në Kosovë, unë do të isha në kontakt me Ankaranë”, thotë Vlahutin, e cila ka shërbyer si ambasadore e BE-së në Shqipëri.

    Kosova është vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor që nuk është kandidat për anëtarësim në BE.

    Marrëdhëniet e tensionuara me Serbinë e kanë penguar edhe në procese të tjera, si anëtarësimi në Interpol, UNESCO, Këshill të Evropës e kështu me radhë.

    Në vitet e fundit, Qeveria e kryeministrit Albin Kurti është kritikuar në mënyrë të posaçme nga zyrtarët amerikanë, për shkak të disa vendimeve që janë parë si të pakoordinuara dhe me ndikim jo të mirë në jetesën e komunitetit serb në Kosovë.

    Kelmendi nuk e përjashton mundësinë që Kosova të përballet me trysni të shtuar nga Shtetet e Bashkuara, për t’u siguruar autonomi më të madhe komunave me shumicë serbe.

    “Ne vetëm mund të shohim atë që po ndodh me Ukrainën dhe të imagjinojmë se çfarë mund të ndodhë me Kosovën. Asaj mund t’i duhet të bëjë koncesione shumë të vështira në raport me Serbinë, apo komunat në veri të vendit”, thotë Kelmendi.

    Për Vlahutinin, këto janë situata, të cilat, thjesht, “nuk mund t’i përballoni nëse nuk jeni të bashkuar” dhe që kërkojnë “shumë punë, shumë komunikim, shumë dialog dhe shumë miq e partnerë”.

    Ajo beson se opsioni më i mirë për Kosovën është që udhëheqësit politikë të bëhen bashkë, për të siguruar përfshirjen e të gjitha grupeve në menaxhimin e proceseve të rëndësishme.

    “Në momente sfiduese, uniteti kombëtar është i një rëndësie të madhe”, thotë Vlahutin.

    “Gjëja e vetme që më jep shpresë në këtë kohë, është mënyra se si është bashkuar Evropa. Kam ndjesinë sikur edhe Mbretëria e Bashkuar është rikthyer plotësisht në BE”, shton ajo.

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e cila ka rol udhëheqës në politikën e jashtme të vendit, përsërit vazhdimisht rëndësinë e partneriteteve ndërkombëtare për zhvillimin dhe stabilitetin e Kosovës.

    Analistët thonë se këto zotime duhet të tejkalojnë retorikën e thjeshtë dhe të shndërrohen në veprime të prekshme dhe progres të matshëm.

    Udhëheqësit politikë, me gjasë, janë duke i vazhduar diskutimet për formimin e qeverisë së ardhshme – kush me kë e kujt sa – por bota është duke lëvizur me shpejtësi dhe nuk ndalet për askënd./REL/

  • Mot me diell e vranësira të dielën

    Mot me diell e vranësira të dielën

    Mot me diell dhe vranësira të shpërndara pritet të mbajë të dielën në Kosovë.

    Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka njoftuar se temperaturat, ndryshe nga një ditë më parë, do të jenë më të ulëta në ditën e fundit të javës.

    Temperaturat minimale sipas institutit pritet të jenë nga -6 deri -4°C, ndërsa maksimalet do të lëvizin nga 5°C deri në 8°C.

    “Era do të fryjë nga veriperëndimi me shpejtësi 1-3 m/s”, thuhet në njoftim.

  • Haliti: Ajo që po ndodh në Ukrainë, mund të ndodhë edhe në Kosovë

    Haliti: Ajo që po ndodh në Ukrainë, mund të ndodhë edhe në Kosovë

    Njëri nga themeluesit e UÇK-së, Xhavit Haliti, në emisionin CONTEXT në ATV, ka paralajmëruar se situata në Ukrainë mund të përsëritet edhe në Kosovë në një formë tjetër, duke përmendur sfidat që vendi përballet për shkak të statusit të tij ndërkombëtar.

    Haliti tha se Kosova është në një pozitë të vështirë për shkak të mungesës së anëtarësimit në OKB dhe situatës ekonomike.

    “Ne edhe me pasë Plan B, e kemi vështirë për shkak të situatës ekonomike që e kemi, për shkak të statusit që e kemi, për shkak se s’jemi anëtarë të OKB-së. Por, ajo që po ndodh me Ukrainën, në një variant tjetër mund të ndodhë edhe në Kosovë”, tha Haliti.

    Ai tha se Kosova duhet të përgatitet për të përshtatur politikat e saj ndaj kërkesave të administratës së Donald Trumpit.

    “Kosova duhet të jetë e përgatitur për t’iu përshtatur kërkesave të zotit Trump dhe e para që duhet të bëjë është të përgatitet për atë që mund t’i ofrojë atij si Kosovë”, tha Haliti.

    Intervistën e plotë me Xhavit Halitin në CONTEXT e gjeni në videon më poshtë:

  • Haliti zbulon kohën kur ka ndodhur komunikimi i parë zyrtar mes UÇK-së dhe SHBA-së

    Haliti zbulon kohën kur ka ndodhur komunikimi i parë zyrtar mes UÇK-së dhe SHBA-së

    Njëri nga themeluesit e UÇK-së, Xhavit Haliti, në emisionin CONTEXT në ATV, ka treguar se komunikimi i parë zyrtar mes Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka ndodhur në fillim të shkurtit 1998.

    Haliti tha se ky komunikim shënoi një moment historik për UÇK-në, pasi ndihmoi në ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovës.

    “Komunikimi i parë zyrtar me UÇK-në ka filluar në fillim të shkurtit 1998”, tha Haliti, duke nënvizuar rëndësinë e këtij momenti në krijimin e lidhjeve me SHBA-në.

    Ai tha se nga ai moment filloi puna për të bindur faktorët ndërkombëtarë për nevojën e ndërhyrjes në Kosovë dhe për të krijuar mbështetje diplomatike.

    “U desh të krijohej një klimë diplomatike botërore për të ndërhyrë. Ne patëm fat sepse grupi politik që vendosi për veprim ishte i unifikuar, pavarësisht sfidave dhe mospajtimeve të brendshme”, tha Haliti.

    Intervistën e plotë me Xhavit Halitin në CONTEXT e gjeni në videon më poshtë: