ATV

Author: ATVLive

  • Gjendet një grua nga komuna e Ferizajt e cila u shpall zhdukur

    Gjendet një grua nga komuna e Ferizajt e cila u shpall zhdukur

    Shoqata e Kosovës për Kërkim dhe Shpëtim, ka njoftuar se H.I , është gjetur pas kërkimeve të bëra në disa zona.

    Sipas këtij njoftimi, gruaja nga komuna e Ferizajt tani është e sigurt.

    “Pas angazhimit të SHKKSH-së dhe mbështetjes së komunitetit, ajo u lokalizua dhe tani ndodhet nën kujdesin e duhur”, thuhet në njoftim.

    Falënderojmë të gjithë ata që ndihmuan në kërkime, shpërndanë informacionin dhe ofruan mbështetje në këtë proces. Solidariteti dhe bashkëpunimi juaj ishin vendimtarë për një përfundim të suksesshëm.

    “Ju lutemi, qëndroni të informuar dhe të kujdesshëm. Në raste emergjente, mos hezitoni të kontaktoni ekipet tona të shpëtimit”, thuhet ndër të tjera në njoftim.

  • LDK nderon ish-kryetarin e Istogut, Haki Rugova në trevjetorin e vdekjes

    LDK nderon ish-kryetarin e Istogut, Haki Rugova në trevjetorin e vdekjes

    Kryetari i komunës së Istogut, Ilir Ferati, njëherësh anëtar i kryesisë së LDK-së, bashkë me struktura të degës dhe familjarë, sot bënë homazhe në nderim të jetës dhe veprës së ish-kryetarit të komunës së Istogut dhe nënkryetarit të LDK-së, Haki Rugova, në 3-vjetorin e vdekjes së tij.

    E Lidhja Demokratike e Kosovës, përmes një postimi në Facebook, thotë se sot kujtohet një personalitet dhe veprimtar i dalluar i saj, duke shtuar se Rugova ishte shembull i përkushtimit dhe kontributit të jashtëzakonshëm në shtetndërtimin e Kosovës.

    “Angazhimi i tij ishte i pandalshëm në proceset e vështira të Kosovës. Ai për më shumë se tre dekada qëndroi i palëkundur në veprimtarinë e tij atdhetare e politike. Prandaj si i tillë, mbetet dhe kujtohet gjithmonë si model i njeriut të urtë e punëtor, i afërt dhe bashkëpunues. Lavdi jetës dhe veprës së Haki Rugovës. I përjetshëm kujtimi për të!”, thuhet tutje.

  • Reagon Lista Serbe: Me krenari themi që e kem mbështetjen e Vuçiqit, ndërsa Rashiqi e ka Kurtin

    Reagon Lista Serbe: Me krenari themi që e kem mbështetjen e Vuçiqit, ndërsa Rashiqi e ka Kurtin

    Lista Serbe ka reaguar pas konferencës për shtyp të Kryeministrit të Kosovës në dorëheqje, Albin Kurtit, i cili tha se Serbia ka ndërhyrë në zgjedhjet duke i ndihmuar Listës Serbe.

    Këta të fundit thanë se “me krenari themi që kemi mbështetjen e Aleksandar Vuçiqit…ndërsa Nenad Rashiqi, Albin Kurtin”.

    Lista Serbe, mes tjerash, pretendon se mandati që ka fituar Nenad Rashiq në Kuvendin e Kosovës është fituar me vota të shqiptarëve.

  • Zjarri në Deçan është nën kontroll, njofton Agjencia e Menaxhimit Emergjent

    Zjarri në Deçan është nën kontroll, njofton Agjencia e Menaxhimit Emergjent

    Agjencia e Menaxhimit Emergjent ka bërë të ditur të dielën se është vërejtur një shtim i zjarreve në nivel vendi.

    Në njoftim thuhet se një nga zjarret më të mëdha aktualisht është regjistruar në Komunën e Deçanit, në vendin e quajtur “Çeli”, ku është përfshirë një sipërfaqe me gështenja dhe shkurre.

    Sipas agjencisë, zjarri është nën kontroll.

    “Pas pranimit të njoftimit, janë mobilizuar forcat e NJPZSH-Deçan dhe NJPZSH-Junik, pjesëtarë nga Agjencia Pyjore si dhe vullnetarë. Ekipet po punojnë intensivisht për shuarjen dhe parandalimin e përhapjes së mëtejshme të zjarrit, aktualisht, zjarri është nën kontroll”, thuhet në njoftim.

    Agjencia e Menaxhimit Emergjent ka apeluar për kujdes të shtuar nga të gjithë qytetarët, veçanërisht gjatë stinës së thatë, duke shmangur ndezjen e zjarreve në natyrë dhe duke raportuar menjëherë çdo rast të dyshimtë në numrin emergjent 112.

  • Kurti akuzon Serbinë për ndërhyrje në zgjedhjet në Kosovë

    Kurti akuzon Serbinë për ndërhyrje në zgjedhjet në Kosovë

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se Serbia ka ndërhyrë në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit. Ai ka përmendur 7 instanca shtetërore serbe përgjegjëse për këtë ndërhyrje, raporton Ekonomia Online.

    Kurti, në një konferencë për media të dielën me ministrin për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq, ka deklaruar se shteti serb është përpjekur t’i dëmtojë subjektet rivale serbe, sidomos partinë e Nenad Rashiqit, i cili aktualisht mban postin e ministrit për Komunitete dhe Kthim në Republikën e Kosovës.

    “Serbia orvatet që vendin tonë jo vetëm ta mbaj peng në zhvillimin e brendshëm politik por edhe në avancimin e marrëdhënieve ndërkombëtare. Në zgjedhjet e fundit, format e ndërhyrjes kanë ndryshuar për shkak të përmirësimit të dukshëm të gjendjes së sigurisë në katër komunat veriore si rezultat i sundimit të rendit dhe ligjit, të luftimit të suksesshëm të grupeve kriminale dhe terroriste, si dhe mbylljes së strukturave ilegale. Ndikimi i dikurshëm brutal e fizik, përfshirë këtu edhe rrahjet e vrasjet, nuk ka qenë i mundur më. Si zëvendësim janë rritur format tjera të kërcënimeve hibride, kryesisht joshja dhe kushtëzimi financiar, shantazhet e frikësimet por edhe sulmet kibernetike”, ka thënë Kurti.

    Shefi i ekzekutivit ka thënë se Serbia është munduar edhe t’i frikësojë votuesit në Kosovë, teksa ndikimi është dalluar edhe te komunitetet e tjera jo-shumicë.

    “Aparati shtetëror i Serbisë ka bërë përpjekje të jashtëzakonshme t’i dëmtojë subjektet rivale serbe, veçanërisht Partinë për Liri, Drejtësi e Mbijetesë të Nenad Rashiqit dhe Demokracia serbe të Aleksandër Arsenijeviq por edhe votuesit e komuniteteve tjera, kryesisht rom e ashkali. Përfaqësues të caktuar nga të gjitha subjektet tjera politike, janë tërhequr nga gara pas kërcënimeve që kanë marrë. Këto raste janë shënuar edhe në katër komunat veriore, edhe në gjashtë komunat tjera me shumicë serbe”, u shpreh Kurti.

  • Ushtarët letonezë patrullojnë në veri “për të garantuar lirinë e lëvizjes dhe sigurinë e përgjithshme”

    Ushtarët letonezë patrullojnë në veri “për të garantuar lirinë e lëvizjes dhe sigurinë e përgjithshme”

    Ushtarët letonezë në Komandën Rajonale të Lindjes kanë kryer një patrullim rutinor në Veri të Kosovë “për të garantuar lirinë e lëvizjes dhe sigurinë e përgjithshme”.

    Më tutje thuhet se këto janë pjesë e “misionit të përditshëm të KFOR-it për të garantuar një mjedis të sigurt për të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë”.

    “KFOR-i vazhdon të zbatojë mandatin e tij – bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999 – për të kontribuar në një mjedis të sigurt dhe të sigurt për të gjithë njerëzit dhe komunitetet që jetojnë në Kosovë dhe lirinë e lëvizjes, në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme. KFOR-i punon në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) në rolet e tyre përkatëse si reagues të sigurisë.”

  • Kurti: Synojmë që në mandatin e ardhshëm me mua si kryeministër, pakicat t’i kemi në kabinetin qeveritar

    Kurti: Synojmë që në mandatin e ardhshëm me mua si kryeministër, pakicat t’i kemi në kabinetin qeveritar

    Kryeministri Albin Kurti sot gjatë konferencës për media është pyetur nga gazetarët nëse do të bashkëpunojë me ministrin aktual Nenad Rashiq dhe pakicat tjera joserbe për formimin e qeverisë.

    Ai u përgjigj pozitivisht.

    “Ne bashkëpunojmë edhe me pakicat e tjera dhe synojmë që në mandatin tonë të ardhshëm qeveritar me mua si kryeministër, t’i kemi edhe ata në mazhorancën tonë e në kabinetin qeveritar”, tha ai.

    Kurti e lavdëroi Rashiqin duke e quajtur “ministër shembull” dhe tha se ai ka punuar shumë për qytetarët serbë të Kosovës.

    “Ne bashkëpunojmë me pakicat në Kosovë, me të gjitha ato që duan të kontribuojnë, të përfitojnë, të integrohen. Pa dyshim që ministri Rashiq është ministër shembull i qeverisë sonë por edhe është ministri që ka kontribuar për komunitetin serb më shumë sesa cilido ministër tjetër në këtë pozitë para tij”, tha ai.

  • Ushqimet që parandalojnë rënien e flokëve

    Ushqimet që parandalojnë rënien e flokëve

    Ushqimet e shëndetshme mund të ndihmojnë flokët tuaj të qëndrojnë të fortë dhe me shkëlqim. Ajo që hani gjithashtu mund t’ju ​​ndalojë edhe të humbni flokët. Nëse nuk merrni ushqimet e duhura me përbërës të shëndetshëm atëhere mund ta vëreni te flokët tuaja.

    Acidet yndyrore thelbësore, veçanërisht omega-3, luajnë një rol kryesor në shëndetin e lëkurës, flokëve dhe thonjve tuaj. Duhet të hani disa nga këto ushqime, të cilat janë të pasura me omega-3, çdo ditë:

    Salmon, tuna,dhe peshq të tjerë të yndyrshëm

    Vaj liri

    Arra dhe bajame

    Vitaminat B6, B12 dhe acidi folik janë gjithashtu të rëndësishme për flokët tuaj. Vegjetarianët shpesh nuk marrin mjaftueshëm sasi të tyre.Ushqimet me B6 përfshijnë banane, patate (të bardha dhe të ëmbla), dhe spinaq. Burime të mëdha të B12 përfshijnë mishin, shpendët, peshkun dhe produktet e qumështit.Ju mund të merrni acid folik me shumë fruta dhe perime të freskëta, veçanërisht agrumet dhe domatet. Produkte me drithëra integrale dhe të fortifikuara, fasule dhe thjerrëza gjithashtu.

    Proteina është gjithashtu shumë e rëndësishme për të mbajtur flokët tuaj të shëndetshëm, por shumë njerëz nuk marrin sa duhet. Mishi i peshkut dhe mishi i pulës, vezët dhe produktet e sojës janë burime të mira.

    Ushqimet e duhura mund të jenë vërtet të mira për flokët tuaja, por humbja e flokëve ka shumë shkaqe. Ndonjëherë, faktorët gjenetikë si te meshkujt tullac mund të luaj rol. Sëmundja e tiroides, anemia, sëmundjet autoimune dhe çështjet e hormoneve gjithashtu mund të shkaktojnë ndryshime ose humbje të flokëve.

  • Prishtina cakton lokacionin për shtatoren e Adem Jasharit

    Prishtina cakton lokacionin për shtatoren e Adem Jasharit

    Kryetari i Prishtinës, ka thënë se kanë caktuar lokacionin për vendosjen e monumentit të Adem Jasharit në kryeqytet, teksa për këtë vend është marrë edhe pëlqimi edhe nga vetë familja Jashari.

    Rama ka thënë se monumenti i Adem Jasharit do të vendoset mbi nënkalimin në rrugën “Agim Ramadani”, ndërsa konkursi do të jetë ndërkombëtar.

    “Tash kemi një lajm të mrekullueshëm që vetëm se jemi marrë vend me familjen Jashari për pozicionimin e shtatores së Adem Jasharit. E dini se e kemi projektin e madh të nënkalimit në rrugën ‘Agim Ramadani’ derisa pjesa e sipërme do ta bëjmë sheshin ‘Nënë Terezë’ me pjesën e vjetër të Kryeqytetit, pra e gjithë ajo do të jetë për këmbësorë dhe për të gjithë vizitorë. Është një pozicionim i mrekullueshëm, pra mund të ndërlidhet me gjithë qytetin dhe kjo do të jetë pika e pozicionimit të shtatores së Adem Jasharit”, ka thënë Rama.

    Rama ka thënë se në bashkëpunim me familjen Jashari, kanë rihapur konkursin për shtatoren e heroit kombëtar, Adem Jashari, i cili do të jetë ndërkombëtar.

    “Do të jetë madhështore, do të jetë një konkurs ndërkombëtarë tash, siç e dini që ne e kemi pasur një konkurs ndërkombëtar paraprak, mirëpo në diskutim me familjen kemi vendosur që ta rishpallim (konkursin) me një lokacion që tashmë veçse jemi pajtuar me familjen Jashari”, u shpreh Rama.

  • Superliga vazhdon me ndeshjet e xhiros së 23-të, luhet në Gjilan dhe Klinë

    Superliga vazhdon me ndeshjet e xhiros së 23-të, luhet në Gjilan dhe Klinë

    Albi Mall Superliga e Kosovës vazhdon sot me dy ndeshjet e fundit të xhiros së 23-të.

    Do të jenë dy ndeshje shumë interesante, ku katër skuadra kërkojnë pikët për të pikët maksimale.

    Gjilani në top formë takohet me Feronikelin ’74, ku synon një fitore të radhës për të vazhduar ngjitjen në tabelë.

    Në anën tjetër mysafirët nga Drenasi synojnë që të vazhdojnë të shkaktojnë befasi.

    Sfidë shumë interesante pritet të jetë edhe ajo mes Dukagjinit dhe Malishevës që zhvillohet në stadiumin ’18 qershori’ në Klinë.

    Klinasit kërkojnë vetëm fitore për t’i ikur zonës së rënies, derisa mysafirët synojnë që me një fitore të dali në pozitën e dytë në tabelë.

    Të dyja sfidat e ditës së sotme fillojnë nga ora 14:00.