Para ardhjes së sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, Kosova ka marrë masa të shtuara sigurie.
Siguria maksimale për vizitën e sekretarit vërehet edhe në pamjet e siguruara nga EO.


Para ardhjes së sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, Kosova ka marrë masa të shtuara sigurie.
Siguria maksimale për vizitën e sekretarit vërehet edhe në pamjet e siguruara nga EO.


Me incidente po përcillet protesta e studentëve në Beogard.
Mediat serbe, kanë raportuar se pas një konfrontimi mes protestuesve dhe gjoja studentëve që duan “të mësojnë” ka pasuar një sulm fizik, transmeton KosovaPress.
Sipas Nova-s, rasti ka ndodhur në “parkun e Pionierëve”.
Një incizim i një bisede mes njërit prej qytetarëve të pranishëm dhe të ashtuquajturve student është publikuar në profilin e “Sava Embankment”, e më pas ka pasuar sulmi fizik.
Njëri nga nxënësit u hodh mbi gardh, i ndjekur nga një tjetër dhe filluan të godasin me shqelma dhe grushta njërin prej të pranishmëve, ndërsa policia doli me vrap me vonesë, duke hezituar të reagojë në mënyrë adekuate, transmeton KosovaPress.
Banditi është kthyer pas gardhit pas pak kohësh dhe me gjithë këmbënguljen e qytetarëve që policia ta arrestojë, kjo nuk ka ndodhur dhe ka vazhduar me ofendimet.
Është Nikolla Trajkoviq Trajçe, siç ka zbuluar një përdorues në rrjetin social X. Trajkoviq është nga Prishtina që jeton në Stepojevc.
Shembja e një pjesë të çatisë në një stacion të trenit në Novi Sad, që la të vdekur 15 persona, çoi Serbinë në protesta. Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq ka akuzuar shërbimet e jashtme se qëndrojnë prapa protestave, ndërsa dorëheqje deri tash kanë dhënë kryeministri i Serbisë, Millosh Vuçeviq dhe kryetari i Novi Sadit Milan Gjuriq.
Protestat në Serbi kanë hyrë në muajin e pestë.

Banorët e Grenlandës po votojnë në një zgjedhje që në vitet e kaluara ka tërhequr pak vëmendje ndërkombëtare, por që mund të jetë vendimtare për të ardhmen e territorit arktik. Interesi i përsëritur i Presidentit të SHBA-së, Donald Trump, për të blerë Grenlandën e ka vënë atë në qendër të vëmendjes dhe ka ushqyer debatet mbi marrëdhëniet e ishullit me Danimarkën, raporton BBC.
Grenlanda është nën kontrollin e Danimarkës për rreth 300 vjet, duke pasur autonomi të brendshme, por politikën e jashtme dhe mbrojtjen e vendos Kopenhagën. Tashmë, pesë nga gjashtë partitë në fletën e votimit mbështesin pavarësinë e Grenlandës, duke u dalluar vetëm për shpejtësinë e realizimit të saj, përcjell KosovaPress.
Interesi i SHBA-së ka nxitur thirrje për shpalljen e pavarësisë, me shumë debate që përqendrohen në “kur”, jo “nëse”, do të fillojë ky proces. Ndërkohë, partia Naleraq kërkon të nisë menjëherë procesin e shkëputjes nga Danimarka dhe të ketë marrëdhënie më të ngushta me SHBA-në. Në anën tjetër, partia Demokraatit mendon se është ende herët për të kërkuar pavarësinë, duke theksuar se ekonomia duhet të forcohet më shumë.

Për shumëkënd, lajmet e vazhdueshme të këqija na mpin reagimin ndaj katastrofave klimatike. Por hulumtimet sugjerojnë se një lloj i ri tregimi gjithëpërfshirës për natyrën, përmes realitetit virtual (VR), mund të ndërtojë empati dhe të na inspirojë të veprojmë, shkruan BBC.
“Një eksperiencë VR më ka prekur emocionalisht, ku ndjek historinë e një pangolini të ri, Chestnut, që përpiqet të mbijetojë në shkretëtirën Kalahari”, shprehet në artikullin e BBC Neës. Ndërsa numri i insekteve ka rënë për shkak të ndryshimeve klimatike, Chestnut lufton për të gjetur ushqim dhe, në fund, vdes. Ky lloj i narrativës VR ka dëshmuar të jetë më i fuqishëm dhe më prekës se mediat e tjera, duke ndikuar në sjelljen dhe qëndrimet ndaj mjedisit, shkruan KosovaPress.
Kompani si HabitatXR po përdorin VR për të krijuar eksperienca që shfaqin natyrën në mënyrë gjithëpërfshirëse. Studimet tregojnë se këto eksperienca mund të rrisin lidhjen tonë me natyrën dhe të na nxisin të veprojmë për ta mbrojtur. VR është veçanërisht e fuqishme në provokimin e ndjenjës së madhështisë dhe mahnitjes, që mund të na motivojë të bëjmë sakrifica për mjedisin.
Megjithatë, edhe pse VR mund të ndihmojë në rritjen e ndërgjegjësimit dhe qasjes në natyrë, ajo nuk mund të zëvendësojë përvojat reale në natyrë. Për më tepër, VR mund të jetë një mundësi për ata që nuk kanë qasje të lehtë në natyrën reale, siç janë ata që nuk kanë parqe afër shtëpisë.

Zyrtari i lartë ukrainas, Andriy Yermak tha të martën se bisedimet midis Shteteve të Bashkuara dhe Ukrainës “kanë nisur në mënyrë shumë konstruktive”, raporton CNN.
“Takimi me ekipin amerikan filloi në mënyrë shumë konstruktive dhe ne po punojmë për të sjellë një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme”, tha Yermak, i cili është shefi i stafit të presidentit të Ukrainës, përcjellë KosovaPress.
Yermak është pjesë e ekipit negociator të Ukrainës, së bashku me ministrin e jashtëm të vendit, ministrin e mbrojtjes dhe zyrtarë të tjerë, të cilët zhvillojnë takim me Sekretarin amerikan të Shtetit, Marco Rubio dhe këshilltarin e sigurisë kombëtare, Mike Waltz, në Arabinë Saudite.
Takimi i sotëm ndërmjet zyrtarëve të lartë amerikanë dhe ukrainas është duke u zhvilluar tani në hotelin Ritz-Carlton në Xheda, Arabinë Saudite.
Zyrtarët refuzuan të përgjigjen në pyetjet e gazetarëve që bëheshin me zë të lartë për ndihmën ushtarake të ndërprerë të SHBA-së dhe propozimin ukrainas për një armëpushim të pjesshëm, ndërsa u ulën përballë njëri-tjetrit në një tavolinë të gjatë druri.
Këshilltari i sigurisë kombëtare të Arabisë Saudite dhe ministri i Jashtëm u ulën në krye të tavolinës, përcjellë KosovaPress.
Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, është ulur pranë Këshilltarit të Sigurisë Kombëtare, Mike Waltz.
Nga ana ukrainase, ndihmësi kryesor i Presidentit Volodymyr Zelensky, Andriy Yermak, është në qendër, me Ministrin e Jashtëm Andri Sybiha dhe Ministrin e Mbrojtjes Rustem Umerov pranë tij.

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte ka mbërritur për takim me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani.
Ai është pritur të martën me ceremoni shtetërore në Presidencë, raporton KP.
Pas takimit, Rutte dhe Osmani do të mbajnë konferencë për media.
Vizita e tij në Kosovë vjen pas asaj që shefi i NATO-s e ka zhvilluar në Bosnje e Hercegovinë.

Qeveria e Kosovës të mërkurën pritet të mbaj mbledhjen e radhës ku në rend dite janë 18 pika.
Në njërën nga pikat e rendit të ditës pritet të shqyrtohet nisma për lidhjen e Marrëveshjes Kornizë për bashkëpunim në Fushën e Mbrojtjes, ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të përfaqësuar nga Departamenti i Mbrojtjes, raporton KosovaPress.
Në mbledhje pritet të shqyrtohet edhe nisma për lidhjen e Marrëveshjes së Përgjithshme të Sigurisë ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Sllovenisë, për Shkëmbim dhe Mbrojtje të Ndërsjellë të Informacionit të Klasifikuar.



Ambasadori i Kosovës në Gjermani, Faruk Ajeti, ka bërë të ditur se bashkatdhetarët që deri më tani janë regjistruar në qytetet gjermane si shtetas të Serbisë, mund ta ndërrojnë këtë. Ambasadori Ajeti në një video mesazh ka theksuar se mërgimtarët duhet t’iu drejtohen organeve kompetente gjermane dhe të kërkojnë siç tha ai që në kategorinë e shtetësisë të largohet një herë e përgjithmonë shtetësia e Serbisë, përcjell KosovaPress.
Ambasadori Faruk Ajeti thekson se ky ndryshim vjen nga një qarkore nga Ministria Federale e Punëve të Brendshme të Gjermanisë.
“Të nderuar, bashkatdhetar, më shumë se 17 vjet, qindra e mijëra qytetarë të Republikës së Kosovës janë regjistruar me automatizëm në komunat e ndryshme gjermane, në mënyrë të padrejtë dhe të gabuar dhe si shtetas të Serbisë. Tani e kam kënaqësinë e veçantë të ju njoftoj se si rezultat i punës dhe angazhimit tonë diplomatik, ky problem i pazgjidhur dhe i trashëguar prej vitesh, nga sot e tutje do të marrë fund. Në vazhdën e përpjekjeve tona të pandërprera dhe komunikimeve të shumta me institucionet gjermane, përkatësisht me Kancelarin Federale, Ministrinë Federale të Punëve të Jashtme, Ministrinë Federale të Punëve të Brendshme dhe Ministrinë Federale të Drejtësisë, kemi kërkuar që shtetasit e Kosovës të regjistrohen vetëm si shtetas të saj dhe assesi të mos evidentohen më edhe si shtetas serbë. Jo vetëm 16 lënde gjermane, por edhe mbi 5 mijë e 200 qendra të regjistrimit civil në krejt Gjermaninë e kanë pranuar tashmë një qarkore nga ministria Federale e Punëve të Brendshme të Gjermanisë ku janë njoftuar për këtë ndryshim të rëndësishëm për shtetasit e Kosovës”, theksoi ambasadori Ajeti përmes një video-mesazhi të publikuar në Facebook.
Ambasadori Ajeti i ka ftuar shtetasit e Kosovës që janë të prekur nga ky fenomen të drejtohen te institucionet gjermane ose t’i drejtohen ambasadës së Kosovës në Gjermani.
“Ata tani e tutje do të regjistrohen vetëm si shtetas të Republikës së Kosovës. Rrjedhimisht u bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve tanë me vendbanim në Gjermani dhe që janë të prekur nga ky fenomen që t’u drejtohen organeve kompetente gjermane në qytetin apo vendbanimin ku jetojnë për të bërë korrigjimin e dokumentacionit tuaj. Çfarë duhet të bëni? Duhet të kërkoni që në kategorinë e shtetësisë së dokumentacionit përkatës të largohet një herë e përgjithmonë shtetësia e Serbisë. Për informacione shtesë, lusim qytetarët e Kosovës të kontaktojnë Ambasadën tonë në Berlin apo misionin më të afërt konsullor në Gjermani. Duke shprehur keqardhje të thellë për këtë problem të trashëguar nga viti 1999 dhe që ka prekur shumë kënd prej jush, falënderojmë shtetin mik gjerman për eliminimin e këtij problemi të rëndësishëm për identitetin tonë shtetëror”, theksoi ambasadori Ajeti.
Ky hap shënon një arritje të rëndësishme për qytetarët e Kosovës në Gjermani, duke siguruar trajtim të drejtë dhe njohje të plotë të shtetësisë së Kosovës.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, e ka pritur në takim Trump Junior, djalin e presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump.
Vuçiqi tha se me Trump Junior folën rreth marrëdhënieve dypalëshe midis Serbisë dhe Shteteve të Bashkuara por edhe për temat aktuale që formësojnë skenën politike dhe ekonomike globale.
“Theksova rëndësinë e marrëdhënieve ekonomike dhe politike ndërmjet Serbisë dhe Shteteve të Bashkuara dhe theksova rëndësinë e bashkëpunimit strategjik mes dy vendeve dhe projekteve të përbashkëta në vitet e ardhshme”.
“Ky takim simbolizon angazhimin për forcimin e marrëdhënieve dypalëshe dhe punën së bashku për të adresuar sfidat globale”, shkroi Vuçiq.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se brezi i demonstruesve dhe aktivistëve të vitit 1981, ishin shtyllë e grupeve themeltare të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që me luftën e drejtë në dekadën pasuese, e çliruan Kosovën në qershor të vitit 1999.
Në një postim në ‘Facebook’ kryeministri Kurti ka shkruar se më 11 mars 1981, studentët e Universitetit të Prishtinës u ngritën në një demonstratë masive, duke protestuar kundër shtypjes dhe diskriminit, mohimit e kufizimit të të drejtave, si dhe kundër shfrytëzimit dhe pabarazive që shteti i Jugosllavisë po ua bënte shqiptarëve në tërë federatën jugosllave, por veçanërisht në Kosovë.
“Demonstrata e asaj të mërkure, e datës 11 mars 1981, u shtyp dhunshëm nga policia jugosllave, por fryma e indinjatës dhe e rebelimit të studentëve u kthye në inspirim për një rezistencë gjithëpopullore. Të tjera demonstrata u organizuan edhe më 26 mars, pastaj më 1 dhe 2 prill, që protestat studentore i kthyen në demonstrata gjithëpopullore. Ato u shtypën me dhunë nga policia, kurse në muajt dhe vitet pasuese, autoritetet jugosllave bënë mijëra arrestime arbitrare, gjyqe dhe burgosje politike, duke e bërë Kosovën vendin me numrin më të madh të të burgosurve politikë për kokë banori në gjithë Evropën”, ka shkruar Kurti.
Ai vuri në pah se në demonstratat e vitit 1981, u shfaq parulla “Kosova Republikë”, e cila vazhdoi të shkruhej gjatë tërë asaj dekade, herë e plotë e herë si një akronim me dy shkronja “KR”.
“Shumë organizata politike ilegale fituan forcë nga demonstratat e vitit 1981 dhe nga trashëgimia e tyre, duke e mbajtur të gjallë shpirtin e revoltës popullore dhe të rezistencës për një Kosovë të lirë. Brezi i demonstruesve dhe aktivistëve të vitit 1981, ishin shtyllë e grupeve themeltare të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që me luftën e drejtë në dekadën pasuese, e çliruan Kosovën në qershor të vitit 1999”, theksoi më tej Kurti.
Ai, tutje, vuri në dukje rrugëtimin historik të vendit, nga demonstratat e vitit ’81 e këndej, deri në shpalljen e pavarësisë.
“Kështu, parulla popullore “Kosova Republikë”, u bë Deklaratë Kushtetuese më 2 korrik 1990 dhe Kushtetutë e Kaçanikut më 7 shtator 1990 drejt realitetit politik të shpallur më 17 shkurt 2008, në formacionin politik e juridik të Republikës së Kosovës si shtet i pavarur”, tha Kurti, teksa u shpreh se brezat e ardhshëm duhet kujtuar me mirënjohje të thellë dhe me nderime e respekt, studentët dëshmorë, organizatorët, të plagosurit e të burgosurit, si dhe të gjithë pjesëmarrësit e asaj lëvizje që e mbajti aktive rezistencën e popullit të Kosovës drejt aspiratës së tij për liri dhe shtetndërtim.