ATV

Author: ATVLive

  • ​Vazhdon Championsi, sot vëmendja në derbin madrilen

    ​Vazhdon Championsi, sot vëmendja në derbin madrilen

    Të martën u mësuan katër skuadrat e para që siguruan plasmanin në fazën çerekfinale të Ligës së Kampionëve për edicionin 2024/25 ku Interi, Bayerni, PSG dhe Barcelona janë tashmë në tetëshen më të mirë të kësaj gare, shkruan KosovaPress.

    Ndërkohë nga ndeshjet që do të zhvillohen sonte do të mësohen edhe katër skuadrat tjera, derisa vëmendja më e madhe do të jetë në stadiumin “Wanda Metropolitano”, aty ku zhvillohet derbi i madh spanjoll ndërmjet Atletico Madridit dhe Real Madridit. Ndeshja e parë ndërmjet tyre, e zhvilluar javën e kaluar përfundoi me fitoren e “Los Blancos” me rezultat 2-1, raporton KosovaPress.

    Ndërsa tri ndeshjet tjera të ditës së sotme janë: Lille-Borussia Dortmund, Arsenal-PSV dhe Aston Villa-Clubb Brugge.

  • Prokuroria e Bosnjës lëshon urdhër për ndalimin e Dodikut

    Prokuroria e Bosnjës lëshon urdhër për ndalimin e Dodikut

    Zyra e Prokurorit të Bosnje e Hercegovinës i ka lëshuar urdhër policisë për ndalimin e presidentit të Republikës Sërpska (RS), Millorad Dodik, kryeministrit Radovan Vishkoviq dhe kryetarit të Paralmentit të këtij entiteti, Nenad Stevandiq, me qëllim që të merren në pyetje.

    Lajmi është konfirmuar për Radio Televizionin e Republikës Sërpska nga Qeveria e Republikës Sërpska.

    Autoritetet në Republikën Sërpska planifikojnë që entitetin në Bosnje e Hercegovinë ta përcaktojnë si shtet të popullit serb, t’i japin të drejtën për vetëvendosje, të krijojnë ushtrinë e vet dhe të heqin Këshillin e Popujve, sipas një drafti të ri të Kushtetutës të Republikës Sërpska, të cilin e ka parë Radio Evropa e Lirë. Këto ndryshime bien ndesh me Kushtetutën e Bosnje e Hercegovinës.

    Urdhri për ndalimin e Dodikut, Vishkoviqit dhe Stevandiqit u lëshua nga prokurori i Prokurorisë së Bosnjës, Çazim Hasanpahiq. Ata akuzohen se kanë kryer veprën penale të “sulmit ndaj rendit kushtetues”, raportoi Radio Televizioni i Republikës Sërpska, duke cituar konfirmimin nga Qeveria e Republikës Sërpska.

    Ligji për procedurën penale i Bosnje dhe Hercegovinës parashikon mundësinë e lëshimit të urdhrit për sjellje të detyruar për dhënien e dëshmisë, në rast se personi i thirrur në institucionet gjyqësore refuzon ta bëjë këtë.

    Zyra e Prokurorit ka dorëzuar urdhrin për ndalim te policia gjyqësore dhe ka kërkuar ndihmë nga Ministria e Brendshme e Republikës Sërpska dhe nga Agjencia për Hetime dhe Mbrojtje (SIPA), raportoi radioja në Republikën Sërpska.

    Drejtori i gjykatës policore në Republikën Sërpska, Zhellko Dragojeviq, i tha televizionit se kjo polici nuk ka dhe nuk mund të lëshojë urdhëra të ndalimit sepse kjo gjë është brenda juridiksionit të SIPA-së dhe Gjykatës Policore të Gjykatës së Bosnjës.

    Asambleja Kombëtare e Republikës Sërpska parashihet të diskutojë më 12 mars draft-kushtetutën e këtij entiteti më 12 mars, që paraqet edhe një lëvizje tjetër secesioniste nga autoritetet e këtij entiteti, pasi u miratuan ligje që ndalojnë funksionimin e institucioneve gjyqësore dhe hetuese të Bosnjës në territorin e Republikës Sërpska. Këto ligje hyn në fuqijavën e kaluar.

    Në një seancë më 12 mars, deputetët në Republikën Sërpska po ashtu pritet të diskutojnë për krijimin e një gjykate speciale dhe zyre të prokurorisë për të “mbrojtur rendin kushtetues”.

    Këto ligje jokushtetuese janë mriatuar pasi që Dodiku u dënua, në shkallë të parë, nga Gjykata e Bosnjës me një vit burgim dhe gjashtë vjet ndalim të ushtrimit të postit të presidentit për mosrespektim të vendimeve të përfaqësuesit të Lartë ndërkombëtar.

  • ​Qendra Muzeore e Krujës me 9 mijë e 307 vizitorë në dy muaj

    ​Qendra Muzeore e Krujës me 9 mijë e 307 vizitorë në dy muaj

    Qendra Muzeore e Krujës në dy muajt e parë të vitit ka tërhequr një numër të lartë turistësh vendas e të huaj.

    Muzeu Kombëtar “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”, Muzeu Etnografik dhe Pazari karakteristik ka shënuar një rritje në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, shkruan ATSH.

    Drejtori i Muzeut Kombëtar “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” dhe Muzeut Etnografik Krujë, Mehdi Hafizi tha për Agjencinë Telegrafike Shqiptare se “9307 vizitorë është totali i vizitorëve në qendrën muzeore Krujë, ku numrin më të lartë të turistëve të huaj gjatë muajit janar dhe shkurt 2025 e përbëjnë vizitorët nga Kina, Italia, Spanja dhe SHBA”, përcjell KP.

    “Ndërsa në Muzeun Gjergj Kastrioti Skënderbeu në Krujë ka një rritje me 20% krahasuar me 2-mujorin e parë të vitit 2024. Konkretisht në janar dhe shkurt ky muze u vizitua nga 8176 vizitorë”, tha Hafizi.

    Hafizi tha se “gjatë kësaj periudhe ka pasur një interes të shtuar edhe të studentëve nga Kanadaja dhe Danimarka për Muzeun “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”, të cilët kanë mësuar më shumë për historinë e vendit tonë dhe të heroit tonë Kombëtar. Por nuk kanë munguar edhe nxënësit dhe studentët nga Shqipëria dhe Kosova”.

    Kruja njihet për turizmin historik njëditor, por me shtimin e strukturave akomoduese turistët po qëndrojnë më gjatë në këtë qytet historik. Pazari karakteristik i Krujës me rrugicat e ngushta me kalldrëm, ku ofrohen punime artizanale tradicionale është një ndër të preferuarit e turistëve. Por turistët nuk ikin nga Kruja pa vizituar edhe Muzeun Kombëtar “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” dhe Muzeun Etnografik Krujë.

  • ​33 vjet nga vdekja e Martin Camajt

    ​33 vjet nga vdekja e Martin Camajt

    Sot bëhen 33 vjet nga vdekja e shkrimtarit dhe albanologut shqiptar, Martin Camaj në Munih. Kërkimet akademike të Camajt u përqendruan në gjuhën shqipe dhe dialektet, në veçanti të atyre në Italinë jugore.

    Veprimtaria e tij letrare në harkun 45 vjeçar ka disa shkallë zhvillimi. Ai e nisi me poezinë, zhanër mbas të cilit i mbeti besnik gjithë jetën, kurse gjatë viteve të fundit u përqendrua shumë te proza, raporton KosovaPress.

    Martini u lind në Dushman të Dukagjinit më 13 korrik 1927 në vendin e quajtur Telumë. Datëlindja 1925 duket të jetë një gabim shtypi. Vendlindja e tij është “… në një vis të egër, ‘ku s’ka shkelë kurrë kamba e kalit’, kaq i thyeshëm ashtë ky vend”, sipas vetë Martinit.

    Në vendlindje kaloi dhjetë vitet e para të jetës së tij. Nis të fitojë në mënyrë autodidakte njohuritë e para në shkrim e lexim shqip dhe matematikë. Kjo gjë do t’i binte në sy ish-pagëzuesit P. David Pepës OFM, duke e nxitur të ndërmjetësojë pranë instancave eprore në Shkodër që të ndërmerrnin përpjekje për arsimimin dhe përgatitjen – pse jo – për meshtari.

    Në vitin 1935 vendoset përfundimisht në Shkodër dhe fillon të marrë arsim të rregullt pranë kolegjit jezuit “Xaverianum”, ku do kalonte edhe tuberkulozin. Rektor i kolegjit atëbotë qe P. Giuseppe Valentini SJ, prej të cilit mësojmë se arsimin fillor 5 vjeçar e kishte përfunduar në 4 vjet.

    Pesë vitet në vijim ai ndoqi rregullisht gjimnazin, gjë që i dha të drejtën për të vijuar studimet në liceun klasik të kolegjit. I ati vdes pak vite pasi Martini i vogël u fut në kolegj.

    Studimet detyrohet t’i ndërpresë në vitin e tretë, më 1946 – mbas mbylljes së instituteve fetare të Shkodrës. Ai themeloi në Prekal shkollën ku veproi si mësues i vetëm deri më 1948.

    Camaj merrte pjesë në rezistencën kundër partizanëve komunistë me çetën e kapiten Gjon Destanishtës dhe në gusht qe i detyruar me jetuar në ilegalitet derisa ia arriti me ikë në Jugosllavi bashkë me At Daniel Gjeçajn OFM dhe grupin e përbërë prej 36 vetash. Kështu nuk pati më rast të kontaktojë me familjen, një vëlla i tij bëri 30 vjet burg. Kryen për tre muaj një kurs intensiv për mësuesinë në Pejë (1 korrik – 30 shtator 1949), mandej punon një vit (1949-’50) mësues në Tuz në shkollën “Mahmut Lekiq”.

    Viti 1950 e gjen Martinin në Beograd ku u regjistrua në universitetin e kryeqytetit jugosllav. Diplomohet pas pesë vitesh më 2 korrik 1955 duke dhënë provime diplome në degën e filologjisë romane me fusha kryesore gjuhë dhe letërsi italiane. Në qershor 1951 martohet në fillim ne bashki, mandej ne kishën ortodokse e më pas atë katolike me mësuesen Nina Bogdanoviq.

    Pas mbylljes së studimeve në Beograd, Camaj përgatitet për formimin pasuniversitar në albanologji pranë fakultetit filozofik të Univ. të Sarajevës, i udhëhequr nga albanologu prof. Henrik Bariç – kryetar i Institutit Albanologjik në Sarajevë.

    Në bashkëpunim me të dhe me mentorin e dytë prof. Rikard Kuzhmiç vendos të promovojë në filologji duke përzgjedhur si temë doktorate “Gjuha e Gjon Buzukut”. Kërkesa përkatëse e mentorëve të tij miratohet prej këshillit shkencor të atij fakultet në mbledhjen që u mbajt më 16 shkurt 1956.

    Po atë vit, duke parë shëndetin në rënie të profesorit dhe gjendjen e rënduar në Republikën Federale, vajti në Itali (të paktën qysh më 20 shtator të ’56s) ku e shoqja nga sëmundja detyrohet të heqë një veshkë.

    Nën mentoratin e Koliqit më 15 mars 1960 mbron me vlerësime maksimale pranë Universitetit te Romës, tezën e doktoratës mbi “Mesharin” e Gjon Buzukut, e cila u botua po atë vit si botim i revistës “Shêjzat” (që e redaktonte tash tre vite dhe do ta bënte deri më 1971) nën titullin: Il Mesale di Gjon Buzuku. Contributi linguistici allo studio della genesi.

    Ndarja përfundimtare me Martinin ndodh në vitin 1968, dhe mbas kësaj date Nina kthehet në Milano ku do të jetojë deri në nëntor të vitit 1987. Prej 1965 deri në 1971 qenë vitet vendimtare për konsolidimin e vatrës albanologjike duke e vështruar si fushë komplekse të kërkimit shkencor.

    Më 1969 martohet me Erikën, me të cilën nuk do kishte fëmijë. Më dt. 16 korrik 1971 merr emërimin si profesor joordinar në albanologji, ndërsa më 14 shtator 1978 emërohet ordinar me marrëdhënie punësimi të përhershëm, më 30 shtator 1990 lirohet nga detyra si profesor i merituar. Jetoi në Lenggries, vend që i kujtonte trojet ku kishte lindë. Vdes më 12 mars të vitit 1992 në Munih.

    Është përfshirë thuajse në të gjitha antologjitë dhe veprat ku flitet për shkrimtarët shqiptarë. Kërkimet akademike të Camajt u përqendruan në gjuhën shqipe dhe dialektet, në veçanti të atyre në Italinë jugore. Veprimtaria e tij letrare në harkun 45 vjeçar ka disa shkallë zhvillimi. Ai e nisi me poezinë, zhanër mbas të cilit i mbeti besnik gjithë jetën, kurse gjatë viteve të fundit u përqendrua shumë tek proza.

    Vëllimi i tij i parë me varg klasik “Nji fyell ndër male”, Prishtinë 1953 (Një fyell ndër male), dhe “Kânga e vërrinit”, Prishtinë 1954 (Kënga e lëndinave), u frymëzuan nga banorët e zonave ku lindi, malësorët e veriut, mbas të cilëve qëndroj shumë i afërt shpirtërisht edhe mbas shumë e shumë viteve në mërgim dhe pamundësia për t’u kthyer.

    Këto u ndoqën nga “Djella”, Romë 1958, një novelë me disa vargje mbi dashurinë e një mësuesi me një vajzë të re. Përmbledhja e poezive “Legjenda”, Romë 1964 dhe “Lirika mes dy moteve”, Munich 1967, kishte disa poezi nga “Kânga e vërrinit”, që u ribotuan në “Poezi” 1953-1967, Munich 1981.

    Vargu i pjekur i Camajt reflekton ndikimin e lëvizjes hermetike të poetit italian Giuseppe Ungaretti. Karakteret metaforike dhe simbolike të gjuhës së tij rriten me kohën, siç ndodh edhe me rangun e temave poetike të tij.

    Një përzgjedhje e poezive të tij u përkthye në gjuhën angleze nga Leonard Fox në vëllimet “Selected Poetry”, New York 1990 (Poezi të zgjedhura), dhe “Palimpsest”, Munich & New York 1991./KosovaPress/

  • Shefat ushtarakë evropianë bisedojnë për një forcë paqeruajtëse në Ukrainë

    Shefat ushtarakë evropianë bisedojnë për një forcë paqeruajtëse në Ukrainë

    Shefat ushtarakë të 30 vendeve evropiane dhe anëtare të NATO-s po takohen në Paris për të diskutuar një plan për një mision të mundshëm paqeruajtës në Ukrainë, pas një armëpushimi që do të mund të negociohej me Rusinë.

    Takimi me dyer të mbyllura, që zhvillohet nga 11 deri më 13 mars, vjen në një kohë kur zyrtarët amerikanë u takuan në Arabinë Saudite, me synimin që t’i japin fund luftës trevjeçare të Rusisë kundër Ukrainës.

    Pas takimit, dy delegacionet dolën me një deklaratë të përbashkët ku u njoftua se Ukraina është e gatshme të pranojë propozimin amerikan për një armëpushim 30-ditor. Pala amerikane ka thënë se tani i ka mbetur Rusisë që të pranojë këtë propozim.

    Takimi në Paris mbledh së shefat e shtabeve të ushtrime të të gjitha 30 anëtarëve evropianë të NATO-s, si dhe zyrtarë ukrainas. Por, mungon një pjesëmarrës i rëndësishëm: Shtetet e Bashkuara.

    Zyrtarë evropianë, të cilët folën në kushte anonimiteti, i thanë Radios Evropa e Lirë (REL) se zyrtarët amerikanë nuk ishin ftuar. Ata thanë se Evropa duhet të tregojë se mund të marrë përgjegjësinë për sigurinë e kontinentit dhe të Ukrainës pasi të përfundojë lufta.

    Ministri francez i Mbrojtjes, Sebastien Lecornu, sugjeroi se takimi në Paris do të përqendrohet te mënyra se si Evropa mund të mbrojë krahun lindor të NATO-s “në rast se kontributet e disa vendeve – ose një vendi – do të uleshin në të ardhmen”.

    Komentet e tij, të bëra më 11 mars në fillim të takimit, ishin një referencë ndaj qëndrimit të presidentit amerikan, Donald Trump, i cili ka shfaqur një qasje më miqësore ndaj Moskës dhe ka sugjeruar që Evropa, e cila për dekada ka qenë nën ombrellën e sigurisë amerikane, duhet të mbrohet vetë.

    Franca dhe Britania po punojnë për të krijuar një “koalicion të shteteve të gatshme” të përbërë nga vende evropiane që do të garantonin paqen në Ukrainë pas një marrëveshjeje me Rusinë.

    Takimi i shefave ushtarakë në Paris synon të shikojë se çfarë mund të kontribuojnë aleatët e tjerë në një forcë paqeruajtëse evropiane në Ukrainë, në kuptimin e trupave në terren dhe pajisjeve ushtarake.

    Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, u tha liderëve evropianë gjatë një samiti të posaçëm në Bruksel, më 6 mars, se për të ruajtur një armëpushim të mundshëm në Ukrainë do të nevojiteshin midis 500.000 dhe 800.000 ushtarë, thanë disa zyrtarë evropianë për REL-in.

    Pjesa më e madhe e kësaj force do të përbëhej nga ushtarë ukrainas, por sipas ekspertëve, ata do të duhej të mbështeteshin nga trupa të shtetet evropiane të NATO-s.

    Kush është i gatshëm që të kontribuojë?

    Parisi dhe Londra kanë treguar se janë të gatshëm që të dërgojnë trupa. Gjermania ka të ngjarë që t’iu bashkohet, ndërsa Italia dhe Polonia duket se janë më hezituese.

    Shumë vende evropiane po përballen me sfida si ushtarake, ashtu edhe politike.

    Ministrat e Mbrojtjes të Francës, Britanisë, Italisë dhe Polonisë pritet të takohen në Paris më 12 mars për të diskutuar rreth një force paqeruajtëse evropiane.

    Edhe teksa shefat ushtarakë evropianë po hartojnë plane, dislokimi i forcave do të duhej të miratohej nga parlamentet e vendeve përkatëse. Dhe, kjo nuk është e sigurt.

    Përveç politikave të brendshme evropiane, ekzistojnë edhe dy pengesa të mëdha për çdo forcë të mundshme evropiane në Ukrainë – një pengesë ruse dhe një amerikane.

    Deri më tani, Kremlini e ka refuzuar në mënyrë kategorike praninë e ndonjë personeli ushtarak evropian në Ukrainë. Edhe nëse Moska do të pranonte, shumë vende evropiane kanë sinjalizuar se do të dërgonin trupa vetëm nëse do të kishte një “garanci nga SHBA-ja”.

    Se çfarë do të përfshinte saktësisht një garanci e tillë është ende çështje për negocim. Por, zyrtarë evropianë i kanë thënë REL-it se SHBA-ja është e domosdoshme për mbrojtjen ajrore, inteligjencën dhe transportin.

    “Evropa e vetme nuk mund të kryejë operacione ushtarake në shkallë të gjerë pa ndihmën amerikane”, tha një ambasador evropian për REL-in, i cili foli në kushte anonimiteti.

  • Moti sot: I vranët dhe me riga shiu

    Moti sot: I vranët dhe me riga shiu

    Sot po parashihet të mbajë mot kryesisht me vransira, por me më pak gjasa për të reshura.

    Aty këtu mund të shfaqen kushte për riga lokale shiu, më shumë në perëndim të vendit përreth viseve malore. Frynë erëra mesatare nga jugu e jugperëndimi 4-10m/s. Temperaturat mbesin ende të larta, minimalet zbresin vetëm në 7C e 9C, e maksimalet shkojnë deri në 18C e 20C.

    Reshje shiu përfshinë vendin orëve të hershme të mëngjesit ditën e enjte, derisa gjatë ditës do të fryjë erë më e fuqishme jugperëndimore me hove deri në 20m/s (70km/h) apo edhe më shumë në pjesë të Dukagjinit, deri në 90km/h. Të premten do të ketë më shumë intervale me diell, e të shtunën sërish vranësirat fillojnë të shtohen, derisa të dielën paraqiten reshje shiu, që mund të jenë më të vazhdueshme në pjesë të vendit. Temperaturat shënojnë rritje deri në 20C e 22C ditën e premte dhe shtune, e të dielën zbresin në 15C e 17C. Minimalet mbesin të larta, e luhaten ndërmjet 5C e 9C, njofton Mendimi për Motin.

  • Si bëhet përgatitja e mantiave me mish

    Si bëhet përgatitja e mantiave me mish

    Në rubrikën “Chef i shpisë” të emisionit të mëngjesit ALARM, sot ekipi ATV-së ishte në një vizitë në shtëpinë e zonjës Behije Terllabuqi.

    Ajo në këtë rubrikë tregoi procesin se përgatitjes mantiave me mish.

    Procesin e plotë e përgaditjes e gjeni në videon më poshtë.

  • Demi: Këta tre muaj e fundit nuk dallojnë nga katër vitet e kaluara të qeverisjes

    Demi: Këta tre muaj e fundit nuk dallojnë nga katër vitet e kaluara të qeverisjes

    Hulumtuesi i Atlas Institute, Agron Demi, në emisionin CONTEXT në ATV, tha se tre muajt e fundit të qeverisjes së Vetëvendosjes janë pasqyrim i katër viteve të kaluara, duke mos sjellë rezultate konkrete, sidomos në investimet infrastrukturore.

    Sipas tij, përkundër shpenzimeve të mëdha për investime kapitale, nuk ka pasur përmirësime reale në projekte të infrastrukturës.

    “Është e vërtetë që buxheti për investime kapitale është shpenzuar me qindra miliona, por ka shkuar sidomos në shpronësime. Edhe nëse e shikon statistikat e transportit që i publikon çdo vit Agjencia e Statistikave të Kosovës, nga viti 2021 deri në vitin 2024 nuk ka asnjë metër më shumë të raportuar rrugë të asfaltuara apo rrugë me zhavorr”, tha Demi.

    Ai tha se kjo situatë është një nga arsyet kryesore pse partia në pushtet ka humbur përkrahje në zgjedhjet e fundit.

    “Ky është një dështim dhe po mendoj se është një prej arsyeve përse Vetëvendosje ka humbur një përqindje të madhe në krahasim me zgjedhjet e kaluara”, vlerësoi Demi.

    Deklaratën e plotë të Agron Demit në CONTEXT, e gjeni në videon më poshtë:

  • Gashi: Politika e Trump synon zgjidhjen e çështjes Kosovë-Serbi për të ulur kostot ushtarake

    Gashi: Politika e Trump synon zgjidhjen e çështjes Kosovë-Serbi për të ulur kostot ushtarake

    Ish-nënkryetari i Kuvendit, Ibrahim Gashi, në emisionin CONTEXT në ATV, tha se administrata e Trump synon ta zgjidhë çështjen Kosovë-Serbi për të reduktuar koston e mbajtjes së ushtarëve amerikanë jashtë SHBA-ve.

    Sipas tij, diplomacia amerikane do të angazhohet më fuqishëm për një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë, pasi konflikti i pazgjidhur vazhdon të krijojë sfida për interesat strategjike të SHBA-ve në Ballkan.

    “Besoj që për Amerikën është e domosdoshme një përfshirje më e madhe diplomatike për arritjen e marrëveshjes Kosovë-Serbi. Konflikti i ngrirë dhe lufta hibride e vështirësojnë situatën dhe mbajtja e trupave amerikane këtu ka kosto. Politika e Trumpit synon t’u japë zgjidhje problemeve për të reduktuar këtë kosto”, tha Gashi.

    Deklaratën e plotë të Ibrahim Gashit në CONTEXT, e gjeni në videon më poshtë:

  • Berisha: Punë e madhe që djali i Trump e ka vizituar Serbinë

    Berisha: Punë e madhe që djali i Trump e ka vizituar Serbinë

    Ish-deputeti i PDK-së, Hisen Berisha, në emisionin CONTEXT në ATV, tha se vizita e djalit të ish-presidentit Donald Trump në Serbi nuk ka asnjë ndikim në politikën shtetërore të SHBA-ve.

    Sipas tij, politika amerikane bazohet në vendime institucionale dhe nuk ndikohet nga vizitat individuale të personave jashtë administratës zyrtare.

    “Politika shtetërore amerikane dhe politikat e individëve, pasi lirohen nga detyra ose kur janë biznesmenë, nuk lidhen me njëra-tjetrën. Absolutisht, politika e djalit të Trumpit nuk ka lidhje me politikën e presidentit amerikan, sepse çdo vendim kalon nëpër tre filtra institucionalë: shtetëror, kongres, senat dhe Gjykatë Supreme. Këto janë vizita qejfi dhe nuk e di pse po u jepet një konotacion i madh”, tha Berisha.

    Deklaratën e plotë të Hisen Berishës në CONTEXT, e gjeni në videon më poshtë: