ATV

Author: ATVLive

  • Astronomja nga Kosova Pranvera Hyseni, vendos Kosovën në hartën e shkencës planetare

    Astronomja nga Kosova Pranvera Hyseni, vendos Kosovën në hartën e shkencës planetare

    Pranvera Hyseni, astronomja shqiptare nga Kosova, po përfaqëson vendin në njërën nga konferencat më të mëdha të shkencës planetare në Houston, Teksas, ku mbi 2 mijë shkencëtarë dhe studentë nga e gjithë bota ndajnë kërkimet e tyre më të fundit.

    Pas muajsh analizash të familjeve të asteroideve nga të dhënat e mbledhura përmes teleskopit të NASA-s Infrared Telescope Facility, ajo do të prezantojë studimin e saj të enjten në mëngjes me temën:
    “Investigating The Distribution of Soluble Organic Matter Among Hydrated Asteroid Families”.

    Përveç prezantimit të hulumtimit të saj, Hyseni do të ketë një vizitë private në NASA’s Johnson Space Center, duke përjetuar nga afër vendin ku zhvillohen misionet e fluturimeve njerëzore në hapësirë.

    Si e vetmja përfaqësuese nga Kosova, ajo e konsideron këtë një moment të rëndësishëm për vendin, duke e vendosur Kosovën në hartën e shkencës planetare.

  • Studentët bllokojnë RTS-në, kaluan natën para televizionit publik

    Studentët bllokojnë RTS-në, kaluan natën para televizionit publik

    Në këtë lokacion kanë kaluar natën studentët dhe qytetarët që mbrëmë rreth orës 23 kanë bllokuar objektin e Radio Televizionit të Serbisë në rrugën Takovska. Siç kanë paralajmëruar ata do të bllokojnë hyrjen në televizionin publik për në orën 22:00, për të “çliruar RTS”.

    Studentët në një postim në Instagram deklaruan se daljet do të lejohen për të gjithë punonjësit, por askush nuk do të hyjë derisa “RTS të çlirohet”.

    Përpara hyrjes kryesore, rojet e sigurisë kanë formuar një mur njerëzor dhe nuk po i lejojnë punonjësit të hyjnë në godinë, por kushdo që do mund të largohet, raporton Danas.

    Mirëpo, Radio Televizioni i Serbisë sot në mëngjes e transmeton programin e mëngjesit nga studiot në Takovska 10, edhe pse ishte paralajmëruar se programi do të transmetohet nga Košutnjaku.

    Një grup punonjësish arritën të hynin në ndërtesën e RTS-së dhe siç tha për N1 Aleksa, student në Fakultetin Matematikor nga Novi Sadi, punonjësit hynë nga një depo aty pranë nëpër hapësirat e bodrumit.

    “Studentët janë të dislokuar në tri pika – e para është para hyrjes kryesore në Takovska 10, e dyta në Aberdareva, ku janë vendosur edhe gardhe metalike, dhe e treta në fund të Aberdarevës, menjëherë pas kryqëzimit me rrugën Ilija Garašanina, ku janë vendosur edhe gardhe metalike, në mënyrë që punonjësit e raportuesit të mos i afrohen ndërtesës, tha gazetarja e N1, përcjell KosovaPress.

    Me studentët janë edhe një numër i caktuar qytetarësh. Disa erdhën përpara punës për të ofruar mbështetje. Nuk ka policë të uniformuar, gjë që nuk do të thotë se nuk ka oficerë të zbatimit të ligjit me rroba civile.

    Studentja Gjurxha Seniq, e cila tërë natën e ka kaluar para RTS-së, thotë se nuk janë të lodhur, se po “pompojnë fort” dhe se as shiu nuk mund t’ua prishë dsponimin.

    Përballë RTS është edhe Dijana Hrka, nëna e Stefanit (27), një prej viktimave të shembjes së tendës në stacionin hekurudhor të Novi Sadit.

    “Ata janë të gjithë fëmijët e mi. Më mbajnë gjallë, bashkë me djalin tim të vogël. Kam ardhur për të mbështetur, për të luftuar për atë drejtësi. Mbrëmë ishte shumë e shëmtuar që policia sulmoi këta fëmijë. Nuk duhej të ishte kështu. E pashë videon dhe mendoj se duhet të heqin dorë nga ajo. Nuk shkohet ndaj fëmijëve me mburoja. Fëmijët nuk bënë asgjë të keqe. Nuk mund të flija. Kam ardhur herët në mëngjes këtu dhe do të qëndroj me ta sa të jetë e nevojshme”, tha Dijana Hrka për N1.

  • 44 vjet nga demonstratat që tronditën ish-Jugosllavinë

    44 vjet nga demonstratat që tronditën ish-Jugosllavinë

    Sot mbushen 44 vjet nga demonstrata e studentëve të Kosovës më 11 mars e vitit 1981. Kjo demonstratë është vlerësuar njëra ndër to që tronditi ish-Jugosllavinë.

    44 vjet më parë, në mars të vitit 1981, në Prishtinë shpërthyen demonstratat e studentëve me kërkesa sociale.

    Demonstratat që ndodhën në Kosovë, 44 vjet më parë, më 11 mars, nisën si shprehje e pakënaqësisë së studentëve shqiptarë të Universitetit të Prishtinës, të cilët me 4 mars të vitit 1981, në Mensën e Studentëve brenda Qendrës së Studentëve në Prishtinë, protestuan spontanisht ndaj kushteve jo të mira, sipas tyre, në të cilat jetonin dhe studionin në atë kohë.

    Por, më pas, më 11 dhe 27 mars, si dhe më 1 dhe 2 prill të vitit 1981, kërkesat fillimisht me përmbajtje sociale, evoluuan në kërkesa që shpërfaqnin pakënaqësitë politike, shoqërore dhe kombëtare.

  • Tregjet e aksioneve në SHBA dhe Azi kanë pësuar rënie

    Tregjet e aksioneve në SHBA dhe Azi kanë pësuar rënie

    Tregjet e aksioneve në SHBA ranë ndjeshëm të hënën për shkak të shqetësimeve mbi ndikimin negativ ekonomik të tarifave të Presidentit Donald Trump. Në Azi, humbjet fillestare të së martës u zbutën deri në pasdite.

    Kjo erdhi pasi Trump deklaroi në një intervistë televizive se ekonomia amerikane ishte në një “periudhë tranzicioni”, duke pranuar shqetësimet për një recesion të mundshëm. Që nga ajo deklaratë, zyrtarët dhe këshilltarët e tij janë përpjekur të qetësojnë investitorët.

    Tregjet aziatike pësuan luhatje të martën, raporton BBC, me Nikkei 225 që u mbyll me 0.6% rënie dhe Kospi të Koresë së Jugut me 1.3% rënie. Të hënën, në SHBA, S&P 500 ra me 2.7%, Dow Jones me 2% dhe Nasdaq me 4%.

    Aksionet e Teslës ranë 15.4%, ndërsa Nvidia dhe kompani të tjera të mëdha teknologjike si Meta, Amazon dhe Alphabet pësuan rënie të ndjeshme. Analistët thonë se paqartësia rreth tarifave të Trump po ndikon negativisht te tregjet, përcjell KosovaPress.

    Një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë tha se tregjet po reagojnë ndryshe nga bizneset, të cilat sipas tij po mbështesin agjendën e Trump me miliarda investime.

    Investitorët shqetësohen se tarifat e Trump do të rrisin çmimet dhe do të dëmtojnë ekonominë amerikane. Masat u vendosën si reagim ndaj Kinës, Meksikës dhe Kanadasë, të cilat kanë mohuar akuzat e Trump për trafik droge dhe emigracion të paligjshëm.

  • Spiuni i dyshuar rus synon post të lartë sigurie në Serbi dhe Azi Qendrore

    Spiuni i dyshuar rus synon post të lartë sigurie në Serbi dhe Azi Qendrore

    Një diplomat rus, i tërhequr nga Brukseli mes një spastrimi të spiunëve nga autoritetet belge, është nominuar për të drejtuar misionin në Beograd të organit më të madh të sigurisë në Evropë, sipas një hetimi të përbashkët të Radios Evropa e Lirë dhe disa mediave evropiane.

    Moska ka nominuar Dmitry Iordanidin, ish-zëvendësshef i misionit të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) në Bosnjë e Hercegovinë, me një përvojë të gjerë në Ballkan, për të drejtuar misionin e organizatës në Serbi, sipas dokumenteve të brendshme të OSBE-së të siguruara nga REL-i.

    Kandidatura e tij u bë mes akuzave në rritje nga Shtetet e Bashkuara dhe qeveritë evropiane vitet e fundit për aktivitete “të dëmshme” ruse në rajonin e mbuluar nga organizata rajonale e sigurisë me 57 shtete, me seli në Vjenë.

    Iordanidi, 55 vjeç, është një nga 20 diplomatët rusë që u larguan në heshtje nga Brukseli në vitin 2023 për shkak të akuzave nga Shërbimi belg i Sigurisë Shtetërore (VSSE) se ishin spiunë që vepronin nën mbulesë, sipas një liste të përpiluar nga inteligjenca belge dhe të vërtetuar në mënyrë të pavarur nga tri burime të inteligjencës perëndimore, sipas hetimit të përbashkët të REL-it, faqes së lajmeve EUobserver me bazë në Bruksel, gazetës belge De Morgen, revistës javore belge Humo dhe gazetës franceze Le Monde.

    Një burim nga institucionet e inteligjencës e quajti këtë tërheqje të spiunëve si një “rast për të zbrazur sirtarin tonë” pas pushtimit të plotë të Ukrainës nga Rusia në shkurt të vitit 2022.

    Ndërkohë që qeveria belge nuk publikon lista të diplomatëve të akredituar në vend dhe misioni diplomatik rus në Bruksel nuk publikon emrat e personelit të tij, REL-i verifikoi në mënyrë të pavarur praninë e disa prej diplomatëve të dëbuar rusë në Belgjikë në vitin 2023.

    Diplomatët rusë, të cilët nuk janë identifikuar publikisht deri më tani, ishin të lidhur në listë me Shërbimin e Inteligjencës së Jashtme të Rusisë (SVR) ose drejtorinë e saj të inteligjencës ushtarake, të njohur si GRU.

    Iordanidi, të cilin lista e inteligjencës belge e identifikon si të lidhur me SVR-në, është i vetmi diplomat mes 20 të dëbuarve që nuk u shpall persona non grata, sipas një burimi të inteligjencës. Burimi tha se Rusia e tërhoqi Iordanidin pasi Belgjika komunikoi se ai do të shpallej persona non grata nëse Moska nuk do ta tërhiqte atë.

    Tani, Moska po përpiqet ta rikthejë Iordanidin në OSBE, organizatën shumëpalëshe me bazë në Vjenë që, deri në pushtimin e Ukrainës nga Rusia në vitin 2022, kishte luajtur një rol qendror në monitorimin e agresionit rus në Ukrainë dhe përpjekjet për të ndërmjetësuar mes Moskës dhe Kievit.

    Iordanidi u listua si një nga tetë kandidatët për kreun e misionit të OSBE-së në Serbi pas afatit të aplikimeve më 1 dhjetor 2024, sipas dokumentit të siguruar nga REL-i.

  • ​Kosovë-Islandë, dalin në shitje biletat

    ​Kosovë-Islandë, dalin në shitje biletat

    Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) ka bërë të ditur se kanë dalë në shitje biletat për ndeshjen Kosova-Islandë, raporton KosovaPress. Kjo ndeshje zhvillohet më 20 mars nga ora 20:45 në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.

    Ky ballafaqim i Dardanëve është i vlefshëm për fazën e playoff-it të Ligës së Kombeve dhe fituesi i dy ndeshjeve do të promovohet në Ligën B, përcjellë KosovaPress.

    Biletat kushtojnë prej 5 euro deri në 80 euro.

  • Arrestohet një person i dyshuar për armëmbajtje pa leje

    Arrestohet një person i dyshuar për armëmbajtje pa leje

    Policia e Kosovës gjatë hetimit të një rasti të dhunës në familje, tek i dyshuar ka gjetur armë.

    Rasti sipas policisë ka ndodhur në Gjilan derisa janë realizuar kontrolle në shtëpinë dhe objektet përcjellëse të të dyshuarit.

    “Njësitë policore nga Stacioni Policor Gjilan gjatë hetimit të një rasti tjetër të dhunës në familje tek i dyshuari në brezin e tij kanë gjetur një (1) armë pistolete e tipit KEL-TEC të kalibrit 9mm me një karikator dhe dhjetë (10) fishekë. Me leje të Prokurorit të Shtetit është realizuar kontrolle në shtëpinë dhe objektet përcjellëse të të dyshuarit ku gjatë kontrollit janë gjetur dhe konfiskuar edhe një (1) armë e gjatë e tipit AK-47 së bashku me dy (2) karikator dhe njëqind e nëntë (109) fishekë të kalibri 7.62mm dhe njëzet e pesë (25) fishekë të kalibrit 9mm”, thuhet në njoftimin e policisë.

    Me urdhër të Prokurorit të Shtetit i dyshuari sipas policisë është dërguar në mbajtje për 48 orë dhe ndaj tij do të ngritët kallëzim penal për veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedimi i pa autorizuar i armëve”.

  • ​Policia e Kosovës tregon fuqinë edhe në xhudo

    ​Policia e Kosovës tregon fuqinë edhe në xhudo

    Ekipi i Judos “Policia e Kosovës” shënon sukses të jashtëzakonshëm në Turneun Ndërkombëtar Grand Prix Slovakia, shkruan KosovaPress.

    Në Banska Bystrica, Sllovaki – Në një pjesëmarrje të rëndësishme ndërkombëtare, klubi i Judos “Policia e Kosovës” ka përfaqësuar Kosovën me sukses në Turneun Grand Prix Slovakia, ku kanë marrë pjesë mbi 900 garues nga 9 shtete evropiane. Ky turne ishte debutimi i parë ndërkombëtar për ekipin e Policisë së Kosovës, dhe garuesit dëshmuan përkushtim dhe nivel të lartë sportiv, duke fituar tre medalje të çmuara.

    Rezultatet e garuesve:

    Ana Sopjani – Medalja e Argjendtë në kategorinë -78 kg për Kadet & Vendi i dytë në grup-moshën U21. Valdrin Pnishi – Medalja e Bronztë, Vendi i tretë në kategorinë -60 kg.

    Adriatik Bilalli – Vendi i pestë në dy grup-mosha (-90 kg), duke luftuar për medalje.

    Art Thaqi – Paraqitje e fortë në kategorinë -90 kg, por pa plasman përfundimtar.

    Ky sukses është dëshmi e punës së palodhshme, përkushtimit dhe disiplinës së sportistëve brenda policisë së Kosovës, të cilët me mbështetjen e Shoqatës së Sporteve të Policisë së Kosovës dhe Policisë së Kosovës, arritën të përfaqësojnë denjësisht institucionin dhe shtetin e Kosovës, shkruan KosovaPress.

    Klubi i Judos “Policia e Kosovës” do të vazhdojë me përgatitjet për garat e radhës, me synimin për të arritur edhe më shumë suksese në skenën ndërkombëtare.

  • ​Zelensky takohet me Princin e Kurorës së Arabisë Saudite, këto janë temat që u diskutuan

    ​Zelensky takohet me Princin e Kurorës së Arabisë Saudite, këto janë temat që u diskutuan

    Presidenti i Ukrainës Volodymir Zelensky tha se ka pasur takim me Princin e Kurorës së Arabisë Saudite, Mohammed bin Salman.

    Zelensky tha se është mirënjohës për këndvështrimin e tij të mençur për çështjet globale dhe mbështetjen për Ukrainën. Derisa tha se ishte veçanërisht e rëndësishme të dëgjoheshin fjalë besimi në të ardhmen e Ukrainës, raporton KosovaPress.

    “Ne diskutuam të gjitha çështjet kyçe në rendin e ditës – si çështjet dypalëshe ashtu edhe bashkëpunimin me partnerët e tjerë. Unë i pranova përpjekjet e Princit të Kurorës për të afruar paqen e vërtetë. Arabia Saudite ofron një platformë vendimtare për diplomacinë dhe ne e vlerësojmë këtë. Delegacioni ukrainas mbetet në Jeddah për të punuar me ekipin amerikan të martën, më 11 mars, dhe ne shpresojmë për rezultate praktike. Pozicioni i Ukrainës në këto bisedime do të jetë plotësisht konstruktiv”, ka shkruar Zelensky në X.

    Ai tha se me Princin e Kurorës, patën një diskutim të hollësishëm mbi hapat dhe kushtet e nevojshme për t’i dhënë fund luftës dhe për të siguruar një paqe të besueshme dhe të qëndrueshme.

    “E theksova veçanërisht çështjen e lirimit të të burgosurve dhe kthimit të fëmijëve tanë, që mund të bëhet një hap kyç në ndërtimin e besimit në përpjekjet diplomatike. Një pjesë e konsiderueshme e diskutimit iu kushtua formateve të garancive të sigurisë. Ne vlerësojmë gatishmërinë e Arabisë Saudite për të zgjeruar bashkëpunimin ekonomik dhe për të investuar në Ukrainë. Diskutuam sektorët kyç për investime, duke filluar me sigurinë, energjinë dhe infrastrukturën. Ne ndajmë një vizion të përbashkët për zhvillimin dhe ndërveprimin ekonomik, veçanërisht në lidhje me rindërtimin e Ukrainës”, ka shkruar tutje Zelensky.

    Princi i kurorës sipas tij ndau gjithashtu strategjinë ambicioze ekonomike të Arabisë Saudite.

    “Ne jemi të gatshëm të bashkëpunojmë dhe kemi besim se lidhjet më të forta midis kombeve dhe rajoneve tona do të përfitojnë si për popujt tanë ashtu edhe për botën”, përfundoi Zelensky.

  • ​Drita e pret Ballkanin në përballjen e madhe

    ​Drita e pret Ballkanin në përballjen e madhe

    Xhiro e 24 e Superligës së Kosovës në futboll do të nis sot me dy ndeshjet tejet interesante, shkruan KosovaPress.

    Natyrisht se vëmendja do të jetë në Gjilan, aty ku lideri absolut i tabelës, Drita e pret ndjekësin e parë, Ballkanin.

    Drita ka epërsi të thellë prej 12 pikëve ndaj kampionit në fuqi, dhe një fitore eventuale sot do ta mbyllte edhe çështjen e fituesit të titullit, raporton KosovaPress.

    Kjo ndeshje do të zhvillohet në Gjilan me fillim nga ora 14:00.

    Në po të njëjtin orar do të luhet edhe ballafaqimi ndërmjet Ferizajt dhe Llapit. Të dy skuadrat morën nga tri pikë të plota nga fundjava e kaluar ku Llapi mposhti Dritën ndërsa Ferizaj triumfoi kundër Suharekën.