ATV

Author: ATVLive

  • Edon Zhegrova i nis stërvitjet individuale

    Edon Zhegrova i nis stërvitjet individuale

    Edon Zhegrova po sheh dritë në fund të një tuneli.

    Ylli kosovar është afër rikthimit në fushën e blertë pas lëndimit që e kishte pësuar në fund të vitit të kaluar.

    Nga ajo kohë, “Messi i Kosovës” ka vuajtur shumë pasi nuk po mund ta bënte atë që di më së miri dhe që e do më së shumti.

    Sidoqoftë, sot Lille e solli lajmin e shumëpritur dhe të gëzueshëm.

    “Një tjetër lajm i mirë, rikthimi i Edon Zhegrovës në stërvitje individuale”, njoftoi klubi francez për rikthimin e 25 vjeçarit, i cili disa ditë do të ushtrojë individualisht para se t’i bashkohet ekipit në stërvitje, kur edhe do të ishte gati për t’u rikthyer në ndeshje zyrtare.

    Edoni i ka zhvilluar 21 ndeshje në këtë sezon me Lillen, ndërsa i ka realizuar 8 gola dhe i ka bërë 2 asistime.

    Zhegrova është i vendosur ta rikthejë formën optimale dhe ta tregojë veten në muajt e fundit të eksperiencës në Lille para transferimit në një klub më të madh evropian, e cila pritet të ndodh në verën e ardhshme.

    Atë e pëlqejnë mbi të gjitha klubet italiane, Napoli e Juventus, por e përcjellin me kujdes edhe klubet nga Gjermania, por në Angli e në Spanjë.

    Fatkeqësisht, futbollisti ofensiv nuk do të mundë ta ndihmojë Kombëtaren e Kosovës në dy ndeshjet e rëndësishme kundër Islandës në këtë muaj, në “play-off” të Ligës së Kombeve.

  • Euronews Serbia: Djali i Trump ka arritur në Beograd, do të takohet me Vuçiqin

    Euronews Serbia: Djali i Trump ka arritur në Beograd, do të takohet me Vuçiqin

    Euronews Serbia ka raportuar se Donald Trump Jr., djali i presidentit amerikan Donald Trump, ka arritur në Beograd.

    “Siç mësojmë, Trump Jr është planifikuar të takohet me presidentin serb Aleksandar Vuçiq në Beograd”, shkruan ky medium.

    Donald Trump Jr është një biznesmen dhe nënkryetar ekzekutiv i Organizatës Trump.

    Trump Jr në Beograd ka qenë edhe vitin e kaluar, ku u takua me biznesmenë serbë në një darkë për të diskutuar perspektivat e investimeve në Serbi.

  • Qentë e ngordhur në kamion, pamje të rënda nga rruga Mitrovicë – Vushtrri

    Qentë e ngordhur në kamion, pamje të rënda nga rruga Mitrovicë – Vushtrri

    Pamje të tmerrshme janë shfaqur sot në rrugën Mitrovicë – Vushtrri.

    Aty është pa një kamion me disa qen të ngordhur.

    Rastin e ka publikuar gazetarja Ajda Shukriu.

    Derisa nuk dihet se kujt i takon ky kamion.

    “Komuna e Mitrovicës ka deklaruar se kjo veturë nuk është e tyre dhe nuk ka lidhje me ta. Atëherë kush qëndron pas kësaj? A ka ndonjë institucion që do të marrë përgjegjësi për këtë krim ndaj kafshëve? Si aktiviste e të drejtave të kafshëve, si gazetare e edhe si qytetare e thjeshtë kërkojë transparencë dhe hetim urgjent nga organet kompetente!”, deklaroi ajo.

  • ​Vizita e NATO-s në Kosovë, Zemaj: Më e rëndësishmja e viteve të fundit

    ​Vizita e NATO-s në Kosovë, Zemaj: Më e rëndësishmja e viteve të fundit

    Vizita e NATO-s në Kosovë është vlerësuar si më e rëndësishmja e viteve të fundit nga ambasadori i Republikës së Kosovës për Marrëdhëniet me NATO-n, Astrit Zemaj.

    “Drejt Kosovës nën përkujdesjen e forcave ajrore të Italisë, Këshilli i Atlantikut të Veriut të NATO-s( NAC 32 Aleatët) dhe Partnerët, së bashku me strukturat më të larta drejtuese civile dhe ushtarake. Vizita më e madhe dhe më e rëndësishme e NATO-s në vendin tonë në vitet e fundit”, ka shkruar Zemaj në rrjetin social Facebook, raporton KP.

    Zemaj shtoi se Republika e Kosovës të gjithë aleatëve dhe partnerëve ju është mirënjohëse për mbështetjen dhe kontributin e vazhdueshëm për vendin dhe forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar, si dhe për paqen, sigurinë dhe stabilitetin në rajon.

  • Kosova të përshpejtojë në miratimin e planit kombëtar të energjisë dhe klimës

    Kosova të përshpejtojë në miratimin e planit kombëtar të energjisë dhe klimës

    Sipas një hulumtimi të Institutit për Siguri dhe Reziliencë- Prevent, mbi katastrofat natyrorë dhe sfidave të shkaktuara nga ndryshimet klimatike, del se Kosova nuk ka kapacitete institucionalë me u përballë me këto ndryshime të klimës që po ndodhin çdo ditë.

    Sipas këtij raporti, disa nga kërcënimet kryesore që përballet shoqëria dhe institucionet në Kosovë nga ndryshimet klimatike janë përmbytjet e shpeshta, të cilat kanë shkaktuar dëme të mëdha në infrastrukturë, bujqësi dhe shtëpi banimi.

    Andi Batusha hulumtues në Institutin për Siguri dhe Reziliencë – Prevent theksoi se nuk ka koordinim të mirëfillt ndërinstitucional dhe se sipas tij, ka ndërgjegjësim të ulët të publikut në përpjekjet për qëndrueshmëri klimatike.

    Batusha, rekomandon që të përshpejtohet miratimi i Planit kombëtar të energjisë dhe klimës.

    “Kosova nuk ka kapacitete institucionale me u përballë me këto ndryshime të klimës. Kemi sistemet e reagimit të cilat mungojnë në kuptimin që nuk ka burime dhe kapacitete të mjaftueshme. Koordinim të dobët ndërinstitucional. Ndërgjegjësimi i ulët i publikut në përpjekjet për qëndrueshmëri klimatike. Një rekomandim është që Kosova duhet të përshpejtojë miratimin e planit kombëtarë të energjisë dhe klimës”, tha Batusha.

    Ndërsa, Adea Kondirolli nga Open Society Foundations Ëestern Balkans shtoi se në këtë dokument shfaqen hapat që duhet me i ndërmarrë shteti për me u përballë me këtë temë.

    “Në këtë konferencë është me rëndësi me përmend se a janë të gatshme institucionet tona për me menaxhua këtë fatkeqësi natyrore që po ndodhin për shkak të ndryshimeve klimatike dhe a i kemi mekanizmat e qarta për me i menaxhua. Ky dokument nuk është vetëm një vërtetim për situatën aktuale, por hapat që duhet me i ndërmarrë ne si shtet për me u përballë me këtë temë”, shtoi Kondirolli.

    Ky raport synon të analizojë kapacitetet e institucioneve në Kosovë qe janë përgjegjëse për parandalimin dhe reagimin ndaj pasojave të ndryshimeve klimatike.

  • Arrestohet ish-lideri filipinas për vrasjet në “luftën e tij kundër drogës”

    Arrestohet ish-lideri filipinas për vrasjet në “luftën e tij kundër drogës”

    Policia e Filipineve ka arrestuar ish-presidentin Rodrigo Duterte pas lëshimit të një urdhërarresti nga Gjykata Ndërkombëtare Penale, e cila e akuzon atë për krime kundër njerëzimit për “luftën e tij kundër drogës”.

    Duterte, 79 vjeç, u arrestua menjëherë pas mbërritjes në aeroportin e Manilës nga Hong Kongu, raporton, transmeton KosovaPress. Ai nuk ka kërkuar falje për fushatën e tij të ashpër anti-drogë, e cila çoi në vrasjen e mijëra njerëzve gjatë mandatit të tij si president nga 2016 deri në 2022, dhe si kryetar i qytetit të Davao përpara kësaj periudhe.

    Ish-zëdhënësi i tij, Salvador Panelo, e ka quajtur arrestimin “të paligjshëm”, duke argumentuar se Filipinet dolën nga Gjykata Ndërkombëtare Penale më 2019.

    Aktivistët e quajtën arrestimin një “moment historik” për viktimat e luftës kundër drogës dhe familjet e tyre.

    Duterte, që kishte shkuar në Hong Kong për fushatë për zgjedhjet e ardhshme të 12 majit, tha se nuk kupton arsyen e arrestimit dhe kërkoi llogari për privimin e lirisë, transmeton KosovaPress.

    Arrestimi i tij shënon një “fillim të një kapitulli të ri në historinë e Filipineve”, sipas shkencëtarit politik Richard Heydarian, dhe theksoi rëndësinë e sundimit të ligjit dhe të drejtave të njeriut.

  • SHBA dhe Ukraina diskutojnë në Arabinë Saudite për t’i dhënë fund luftës së nisur nga Rusia

    SHBA dhe Ukraina diskutojnë në Arabinë Saudite për t’i dhënë fund luftës së nisur nga Rusia

    Bisedimet e nivelit të lartë mes delegacioneve të Ukrainës dhe Shteteve të Bashkuara për përfundimin e luftës së Rusisë në Ukrainë, kanë nisur të martën në Arabinë Saudite.

    Bisedimet po zhvillohen teksa është raportuar se të paktën tre persona janë vrarë dhe 18 të tjerë janë plagosur si pasojë e sulmeve masive me dronë në 10 rajone të Rusisë.

    Mbrojtja ajrore ruse ka thënë se i ka rrëzuar 337 dronë ukrainas përgjatë natës.

    Në qytetin-port të Detit të Kuq, Xhedah, gazetarët kanë mundur të hyjnë shpejt në dhomën ku delegacioni i lartë ukrainas është takuar me diplomatë amerikanë për të diskutuar se si t’i jepet fund konfliktit më të madh në Evropë prej Luftës së Dytë Botërore.

    Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio është parë i buzëqeshur para mediave, por jo edhe zyrtarët ukrainas që janë ulur në anën tjetër të tavolinës, për të nisur takimin që po zhvillohet në një hotel luksoz.

    Sekretari Rubio, i cili është duke udhëhequr delegacionin amerikan, ka thënë se bisedimet do të fokusohen rreth asaj se çfarë do të jetë në gjendje të pranojë Ukraina në tekstin e marrëveshjes, dhe që ky shtet duhet të bëjë koncesione për territorin që veçse e ka pushtuar Rusia.

    “Gjëja më e rëndësishme është që duhet të largohemi nga këtu me ndjesinë që Ukraina është e përgatitur për të bërë gjëra të vështira, ashtu sikurse rusët, që duhet të bëjnë punë të vështirë për t’i dhënë fund konfliktit, apo për ta pauzuar për një kohë, në ndonjë formë dhe mënyrë”, u ka thënë Rubio gazetarëve më 10 mars, në rrugë për në Xhedah.

    Udhëheqësi i delegacionit ukrainas, Andriy Yermak, shef i stafit të presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka thënë se “mbrojtja e interesave ukrainase” dhe një “vizion i qartë për dhënie fund të luftës” janë në agjendën e Kievit për bisedimet njëditore.

    “Një armëpushim për luftën trevjeçare të Federatës Ruse në shtetin tim, nuk është dukur kurrë më afër”, ka thënë Yermak në një kolumnë të publikuar në të përditshmen Guardian, në ditën e takimit.

    “Armëpushimi në Ukrainë nuk do të ndodhë vetëm përmes përpjekjeve diplomatike”, ka thënë ai.

    “Këtu përfshihet rritja e presionit politik dhe financiar ndaj Rusisë, për të rritur koston në rast të rikthimit të konfliktit”.

    Oleksandr Merezhko, udhëheqës i Komitetit parlamentar ukrainas për Punë të Jashtme, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se takimi duhet të shihet si “hap i parë drejt përmirësimit të marrëdhënieve në mes të administratës së re Trump dhe Ukrainës”, dhe një “takimi direkt” mes Zelenskyt dhe presidentit amerikan, Donald Trump.

    “Pres që do të dëgjojmë prej miqve amerikanë nëse Trump ka ndonjë strategji sa i përket Ukrainës, rreth përfundimit të agresionit rus”, ka thënë ai.

    “Sepse, deklaratat e fundit të presidentit Trump ngrenë shumë pyetje”.

    Mbetet të shihet nëse Shtetet e Bashkuara janë të përgatitura për të rikthyer ndihmën dhe bashkëpunimin në fushën e inteligjencës me ukrainasit.

    Para takimit, Trump ka thënë se administrata e tij e ka pezulluar shpërndarjen e inteligjencës me Ukrainën.

    John Herbst, ish-ambasador amerikan në Ukrainë, ka thënë se rikthimi i bashkëpunimit në fushën e inteligjencës do të shihej si rezultat pozitiv për Kievin.

    “Nëse hiqet masa pas bisedimeve, kjo do të jetë gjë e mirë”, ka thënë Herbst për Radion Evropa e Lirë.

    “Nëse nuk hiqet, kjo është shenjë që do të vazhdojë politika e Trumpit me presion ndaj Ukrainës”.

    Përtej këtyre synimeve të mëdha, më shumë hollësi për takimin nuk janë bërë publike.

    Rubio ka refuzuar që të deklarojë se si mund të duket një marrëveshje përfundimtare, ndërsa Departamenti amerikan i Shtetit nuk ka dhënë hollësi nëse në Xhedah do të diskutohet për nënshkrim të marrëveshjes për minerale, apo për çështje të inteligjencës.

    “Mënyra e vetme si përfundon kjo luftë është nëse Rusia dhe Ukraina ulen në tavolinën negociuese dhe të dyja marrin vendime të vështira”, ka thënë një zëdhënës i Departamentit amerikan të Shtetit, në disa përgjigje për Radion Evropa e Lirë.

    “Pjesëmarrja në negociata do të jetë e dukshme nëse të dyja palët janë serioze për paqe”.

    Këto bisedime reflektojnë përpjekje të reja diplomatike për përfundim të luftës, pas një diskutimi të ashpër dhe të pashembullt mes presidentit ukrainas, Volodymyr Zelenky me presidentin amerikan, Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë.

    Zyrtarët ukrainas u kanë thënë mediave të hënën se do të propozojnë armëpushim që mbulon Detin e Zi, që do të siguronte lëvizje të sigurt të anijeve, do të ndalonte përdorimin e raketave me rreze të gjatë, të cilat kanë goditur civilët në Ukrainë, si dhe për lirimin e të burgosurve. /REL

  • Çfarë plani ka Trump për Ballkanin Perëndimor?

    Çfarë plani ka Trump për Ballkanin Perëndimor?

    Javët e fundit kanë treguar, se sa shpejt mund të ndryshojnë situatat nën Presidentin e SHBA Donald Trump. Çfarë mund të thotë kjo për Ballkanin Perëndimor?

    Tri luftërat e Jugosllavisë të viteve 1990 – në Kroaci (1991-95), Bosnjë – Hercegovinë (1992-95) dhe Kosovë (1999) – morën fund përfundimisht nën udhëheqjen e SHBA. Që atëherë dy misione ushtarake të drejtuara nga BE dhe NATO garantojnë paqen në këto ish-zona lufte. Por që prej më shumë se dy vjetësh situata në Ballkanin Perëndimor acarohet vazhdimisht.

    Spiralja e dhunës filloi në dhjetor 2022. Pasi përfaqësuesit e pakicës serbe në Republikën e Kosovës nën orientimin e kryeqytetit të Serbisë, Beogradit, u larguan nga institucionet e shtetit kosovar – gjyqësori, policia dhe administrata – presidenti serb Aleksandar Vuçiç filloi një grumbullim të trupave në kufirin verior të vendit fqinj.

    Ish-diplomati gjerman, Wolfgang Ischinger akuzoi Vuçiçin se dëshironte të “luante rolin e një Putini të vogël”. “Më duket e paimagjinueshme, se si Vuçiç dhe udhëheqja serbe po nxisin telashe këtu. Fajin për këtë shkallëzim ia jap ekskluzivisht Beogradit.”

    Vuçiç nga ana tjetër theksoi, se ushtria e Serbisë do të mbronte pakicën serbe në “krahinën jugore” të Serbisë – siç e quan ende udhëheqja në Beograd Kosovën, e cila nuk ka qenë nën kontrollin serb që nga viti 1999. Gjatë vitit 2023 situata u përshkallëzua: Në trazirat në maj serbë të dhunshëm goditën dhe plagosën 90 ushtarë të NATO-s nga trupa e paqes në Kosovë, KFOR.

    Situata në Kosovë për pak sa nuk përshkallëzoi

    Në shtator të vitit 2023 pranë manastirit ortodoks serb Banjska në veri të Kosovës pati luftime mes paraushtarakëve serbë dhe policisë kosovare. Katër vetë humbën jetën dhe dhjetëra paraushtarakë serbë të udhëhequr nga një i besuar i Vuçiçit arritën të arratiseshin në Serbi. Ata lanë pas një arsenal ushtarak modern me vlerë milionash nga rezervat e ushtrisë serbe, që mund të kishte pajisur më shumë se 100 luftëtarë.

    Këtu me sa duket ishte planifikuar një operacion më i madh ushtarak – ndoshta me qëllim pushtimin e katër komunave veriore të Kosovës, ku minoriteti serb përbën shumicën e popullsisë në vendin e banuar kryesisht nga shqiptarët. Në tetor 2023 Vuçiçi urdhëroi pastaj tanket të drejtoheshin drejt Kosovës, të cilat u ndaluan vetëm nga ndërhyrjet diplomatike nga Uashingtoni dhe NATO.

    Në prill 2024 gjenerali amerikan Christopher Cavoli, Komandanti Suprem i NATO-s për Evropën, paralajmëroi Kongresin e SHBA për synimet e Beogradit, duke thënë se rritja e trupave serbe pas sulmit në Banjska ishte “kërcënimi më i madh i dhunës ndërshtetërore” prej 25 vjetësh.

    Kërcënime kundër Bosnjës

    Ndërkohë zëvendëskryeministri i Serbisë Aleksandar Vulin kërcënoi një vend tjetër fqinj gjatë një vizite në kryeqytetin rus Moskë: “Bosnja nuk ka qenë kurrë kaq afër fundit të saj”. Pak më parë Milorad Dodik, presidenti separatist i “entitetit” të dominuar nga serbët në Bosnje dhe Hercegovinë, Republika Srpska (RS), u dënua nga Gjykata e Lartë e Bosnjës me një vit burg dhe gjashtë vjet ndalim ushtrimi të detyrës.

    Vetëm pak ditë më parë Dodik pati kërcënuar se një vendim fajësimi ndaj tij mund t’i jepte një “goditje fatale” Bosnjës. Presidenti i RS u akuzua për shpërfillje të vendimeve të Përfaqësuesit të Lartë, Christian Schmidt. Përfaqësuesi i Lartë është institucioni më i lartë i komunitetit ndërkombëtar në Bosnje, që siguron paqen në vend që nga fundi i luftës 1992-95. Pas dënimit të tij Dodik shkoi më tej dhe inicioi miratimin e ligjeve në Parlamentin e RS, të cilat janë në fuqi fletoren zyrtare të sigurisë shtetërore.

    “Serbë tradhëtarë”

    Pas dënimit të tij Dodik ndërmori nismën në Parlamentin e Republika Srpska (RS) për miratimin e një sërë ligjesh, që ndalojnë organet boshnjake të sigurisë dhe drejtësisë të veprojnë në RS. Këto ligje hynë në fuqi të premten (6.03.2025) – por nuk janë zbatuar nga të gjtiha autoritetet. Punonjësit në kuartierin qendror të Bosnjes autoritetit policor të shtetit të Bosnjes, Agjencia shtetërore e Hetimit dhe Sigurisë (SIPA), vazhdojnë punën, kolegët e tyre në përfaqësië rajonale në kryeqytetin e RS, Banja Luka, në të kundërt janë larguar nga vendet e tyre të punës.

    Presidenti i RS-së Dodik pati paralajmëruar: Të gjithë, që qendrojnë në institucionet e shtetit boshnjak, do të trajtohen si “serbë tradhëtarë”. Gjatë një takimi me presidentin e Serbisë Vuçiç në Beograd më 6 mars Dodik madje pretendoi, “se boshnjakët nga Sarajeva duan një konflikt të armatosur në Bosnje”, për “t’u hakmarrë ndaj serbëve”.

    Schmidt: “Është tejkaluar vija e kuqe”

    Përfaqësuesi i lartë Schmidt reagoi më 8 mars. Në radion kombëtare gjermane Deutschlandfunk ai tha, se me “sulmin e Dodikut ndaj sovranitetit dhe integritetit territorial të Bosnje dhe Hercegovinës” është “tejkaluar vija e kuqe”. Schmidt i kërkoi bashkësisë ndërkombëtare, që t’i përkushtohet më fort krizës në Bosnje.

    Për herë të parë Përfaqësuesi i Lartë kritikoi krahas Dodikut në mënyrë eksplicite edhe qeverinë serbe, së cilës “duhet t’i tregohen qartë kufijtë”.

    Diplomati Christian Schmidt me syze dhe dorën ngriturDiplomati Christian Schmidt me syze dhe dorën ngritur

    Përfaqësuesi i lartë, Christian Schmidt i kërkoi bashkësisë ndërkombëtare, që t’i përkushtohet më fort krizës në Bosnje.Fotografi: Elvis Barukcic/AFP/Getty Images

    Për të mbrojtur nga sulmet e mundshme memorialin e gjenocidt në Srebrenicë, trupa e paqes e BE-së, EUFOR, ka vendosur njësitë në këtë qytet në lindje të Bosnjes. Në Srebrenicë në gusht 1995 serbët e armatosur të Bosnjes vranë mbi 8000 myslimanë boshnjake.

    Paralajmërimi nga SHBA

    Paraljamërimi i ministrit të Jashtëm të SHBA-së Marco Rubiomë 8 mars në platformën X në adresë të Dodikut, është një sinjal pozitiv, ai shkruan: “Veprimet e presidentit të RS, Milorad Dodik minojnë institucionet e Bosnje dhe Hercegovinës dhe kërcënojnë sigurinë dhe stabilitetin…. Ne u bëjmë thirrje partenëve në rajon, që të bashkohen me ne për të vepruar kundër këtij qëndrimi të rrezikshëm dhe destablizues.”

    Kongresmenia republikane Ann Wagner nga Missouri e quajti në platformën X Dodikun një “kriminel brutal”, që duhet ndaluar. “Unë jam në kontakt me Ministrinë e Jashtme të SHBA.së dhe me kolegët e mi në Kongres, për të shqyrtuar, se si mund t’u kundërvihemi përpjekjeve flagrante të qeverisë së Dodikut për të minuar paqen në rajon”, shprehet Wagner.

    Vuçiç gjithnjë e më autokrat

    OJQ-ja Human Rights Watch jep një pamje të zymtë të peizazhit të medias dhe lirisë së shtypit në Serbi. Grupet e monitorimit të zgjedhjeve i kritikuan zgjedhjet e dhjetorit 2023 si as të drejta dhe as të lira. Opozitës iu dha pak kohë transmetimi nga media, e cila është rreth 90 për qind e kontrolluar nga qeveria. Vuçiçit iu dhanë mbi 300 orë transmetim televiziv atë vit. Pra, ai ishte dhe është i kudongjendur.

    Në indeksin për lirinë e shtypit të organizatës Reporterë pa Kufij për vitin 2024 vendi ra nga pozicioni i 91-të në të 98-in, pas Tanzanisë. Amnesty International zbuloi se qeveria serbe përdor ilegalisht spyware, për të spiunuar opozitarët. Por pavarësisht politikave të tij gjithnjë e më represive, presioni ndaj Vuçiçit po rritet.

    Protestat në Serbi bëhen gjithnjë e më të mëdha

    Për herë të tretë, në fund të janarit një makinë u fut në një tubim proteste në Beograd kundër korrupsionit endemik në Serbi, i cili sipas protestuesve është përgjegjës ndër të tjera për rrëzimin e një tende gjoja të saporinovuar në stacionin hekurudhor në qytetin verior serb Novi Sad më 1 nëntor 2024, ku humbën jetën 15 persona.

    Në sulmin me makinë në protestën e janarit u plagosën rëndë dy mjeke. Pas një amoku të parë të tillë me makinë në nëntor 2024 Vuçiç u tall në televizion me viktimën: “Duhet të arrestojmë shoferin tani? Dikë që nuk ka shkelur asnjë ligj, që ka vozitur në rrugën e tij? A jeni në rregull?”

    Pensionistët kundër Vuçiçit

    Ndërkohë protestat e studentëve, që filluan pas aksidentit në Novi Sad, vazhdojnë prej gati katër muajsh e gjysëm. Ata janë bërë një lëvizje masive, që përfaqëson të gjitha shtresat e popullsisë serbe. Kjo u bë e dukshme në demonstratën e 1 marsit 2025 në qytetin jugor serb të Nishit, ku mijëra studentë, që kishin marshuar atje nga të gjitha pjesët e Serbisë, u pritën me entuziazëm, duke u gostitur nga dhjetëra mijëra banorë dhe çiklistë, që edhe ata kishin vajtur posaçërisht atje.

    Demonstrata në Nish nuk ishte më e madhja e muajve të fundit – por gjithsesi imazhet duhet të kenë qenë kërcënuese për Vuçiçin, sepse edhe një nga grupet e tij kryesore mbështetëse, pensionistët, u përfaqësuan në numër të madh. Mbetet për t’u parë, se si do të zhvillohet më tej kjo lëvizje, e cila nuk ka lidership qendror dhe kundërshton rreptësisht çdo lloj përvetësimi politik. Protesta masive e radhës është paralajmëruar për 15 mars, në Beograd.

    Çfarë do të bëjë SHBA?

    Planet politike të presidentit Trump për Ballkanin Perëndimor janë ende të panjohura. Ekonomikisht si individ privat ai është aktiv përmes kompanive të tij në Serbi dhe Shqipëri. Rrethi i Trumpit nuk e fsheh se Beogradi, i lidhur me Moskën, është i preferuari i presidentit në Evropën Juglindore.

    Që nga fundi i luftërave në Jugosllavi në vitet 1990 SHBA kanë qenë gjithmonë ato, që në fund kanë zgjidhur shumë konflikte të vogla brenda dhe ndërmjet shteteve pasardhëse. Tani jo vetëm vëzhguesit, por edhe shumë njerëz në vendet e Ballkanit Perëndimor, pyesin veten: Çfarë do të ndodhë, nëse Uashingtoni nuk do ta bënte më këtë?

    Nëse Presidenti Trump braktis Ukrainën, një nga aleatët më të ngushtë të Shteteve të Bashkuara, me aq lehtësi siç po bën tani, si do t’i trajtonte shtetet e vogla si Bosnja apo Kosova? BE duhet të jetë e përgatitur për të gjitha eventualitetet në Evropën Juglindore. (DW)

  • TikTok përforcon masat për adoleshentët

    TikTok përforcon masat për adoleshentët

    Karakteristika të reja të personalizueshme për të menaxhuar kohën e kaluar në aplikacion, transparencë mbi kontaktet e adoleshentëve dhe një mjet për të inkurajuar çaktivizimin në mbrëmje. Këto janë karakteristikat e reja të shpallura nga TikTok, një përmirësim i Family Connection (Lidhja e Familjes), “mjeti që për pesë vjet ka mbështetur prindërit dhe kujdestarët për të krijuar një mjedis të sigurt dhe pozitiv”.

    “Tejkalimi i bashkëpunimit me familjet dhe duke ndjekur udhëzimet e ekspertëve – thotë TikTok-u në një njoftim – karakteristikat e reja ofrojnë më shumë kontroll dhe personalizim për prindërit për të mbështetur djemtë dhe vajzat në zhvillimin e zakoneve digjitale të balancuara”.

    Ndër karakteristikat e reja të prezantuara është pushimi nga ekrani, që i lejon prindërit dhe kujdestarët të vendosin kufizime të personalizuara për të bllokuar qasjen në TikTok për adoleshentët në periudha kohore specifike, shkruan ANSA, transmeton KosovaPress.

    Transparenca në rrjetin social: prindërit dhe kujdestarët do të mund të shohin se kë ndjekin fëmijët e tyre në TikTok, kush i ndjek ata dhe cilat llogari kanë bllokuar.

    Duke filluar nga muajt e ardhshëm, kur një adoleshent të raportojë një video që e konsideron të papërshtatshme, do të mund të njoftohet gjithashtu një prind, kujdestar ose një i rritur tjetër i besuar, edhe jashtë “Family Connection”.

    Përfundimisht, ky përditësim ka funksionin “kohë për pushim”: nëse një adoleshent (ndërmjet 13 dhe 15 vjeç) është në TikTok pas orës 22:00, përmbajta e tij ‘For You’ do të ndërpritet nga ky funksion i ri që përbëhet nga një kujtesë me ekran të plotë dhe muzikë relaksuese, e cila është projektuar për të inkurajuar relaksimin dhe ndërgjegjësimin për kohën, përcjellë KosovaPress.

    “Integrimi i një elementi meditativ është planifikuar në javët në vijim”, përfundon TikTok.

  • 25 Vjet Pas Intervenimit të NATO-s: Roli i KFOR-it në Kosovë

    25 Vjet Pas Intervenimit të NATO-s: Roli i KFOR-it në Kosovë

    Më shumë se dy dekada më parë, NATO-ja intervenoi në Kosovë me qëllim që të ndalë terrorin që po shkaktohej nga forcat serbe, në luftën e viteve 1998/99.

    Për 78 ditë zhvilloi bombardime mbi caqet e ushtrisë së atëhershme serbe, deri në Marrëveshjen e Kumanovës e cila shënoi kapitullimin e Serbisë me largimin e të gjitha forcave serbe nga Kosova dhe shënoi fundin e bombardimeve, shkruan KosovaPress.

    Marrëveshja ishte negociuar në mes të KFOR-it dhe zyrtarëve ushtarakë ish-jugosllavë. Ky veprim dërgoi në krijimin e një force paqeruajtëse ndërkombëtare në Kosovë të udhëhequr nga NATO-ja.

    KFOR-i, nën udhëheqjen e NATO-s, zbarkoi në Kosovë në qershor të vitit 1999 – misioni i tij është garantimi i sigurisë dhe lëvizjes së lirë për të gjitha komunitetet.

    Prezenca ushtarake ndërkombëtare në Kosovë u autorizua përmes rezolutës 1244 të Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Ishte misioni më i madh paqeruajtës i Organizatës së Traktatit të Atlantikut Verior, me rreth 50.000 trupa.

    Sot, rreth 4.600 trupa të KFOR-it e vazhdojnë misionin e tyre në Kosovë. Ata vijnë nga 27 shtete të botës.

    Ushtarakët ndërkombëtarë u zvogëluan në numër nga viti në vit, pas përmirësimit të situatës në vend. Por, rëndësia e pranisë së tyre u theksua edhe njëherë në vitin 2023 pas tensioneve në veri të vendit – pjesë e banuar me shumicë serbe – ku shefi i atëhershëm i NATO-s, Jens Stoltenberg njoftoi për shtim të trupave.

    KFOR-i është reaguesi i tretë i sigurisë në vend, pas Policisë së Kosovës dhe EULEX-it, shkruan KosovaPress.

    Në vitin 2023 Serbia – përmes gupeve kriminale – sulmoi Policinë e Kosovës dhe la të vrarë rreshterin Afrim Bunjaku. Një vit më vonë, sulmoi edhe infrastrukturën kritike të shtetit.

    Këto zhvillime vetëm sa rritën thirrjet e autoriteteve të Kosovës për anëtarësim sa më të shpejtë në NATO. Por, janë disa shtete anëtare që ende nuk e njohin pavarësinë e Kosovës të shpallur më 2008 – pengesë kjo në rrugën drejt aleancës më të madhe ushtarake.

    Ushtarët e KFOR-it vazhdojnë të patrullojnë pranë vijës kufitare me Serbinë dhe prania e tyre në Kosovë konsiderohet të jetë e domosdoshme.

    Qëndrimi i NATO-s për prezencën ushtarake në Kosovë sigurisht do të dëgjohet edhe njëherë të martën në Prishtinë nga vetë shefi i aleancës, Mark Rutte i cili po qëndron sot në Kosovë, transmeton KosovaPress.

    Rutte do të takojë krerët e shtetit dhe do të flas para gazetarëve në një konferencë për media me presidenten Vjosa Osmani.