Një rrëfim i mbushur me emocione dhe dhimbje në emisionin The Elite Way në ATV.
Këngëtarja e njohur Dafina Dauti nuk mundi t’i mbante lotët teksa foli për momentet e fundit me nënën e saj, duke treguar sa e freskët mbetet mungesa e saj në jetën e përditshme.
Ajo thotë se ndarja me nënën është një dhimbje që nuk zbehet kurrë, dhe çdo ditë ajo e ndjen boshllëkun e saj.
“Jam unë aty prej fillimit deri në fund. Jam unë, sepse isha pranë saj në momentet e fundit. Të mungon Dafir? Shumë. Më mungon shumë. Nuk po flas kurrë për të, sepse dhimbja është ende e freskët. Kam menduar se mërzia mund të zbehet, por nëna nuk harrohet kurrë”, tha ajo mes lotësh.
Rrëfimin e plotë të Dafina Dautit në The Elite Way, e gjeni në videon më poshtë:
Ish-deputeti i LDK-së, Adem Salihaj, në emisionin COMPASS në ATV, tha se lideri aktualë i partisë, Lumir Abdixhiku si dhe ish-lideri Avdullah Hoti, janë të dy produkt i ish-kryetarit Isa Mustafa.
Ai thotw se Abdixhiku ka bërë një prerje të madhe në LDK, duke larguar kuadro të vjetra dhe duke tentuar të ndryshojë frymën rugoviste të partisë.
“Lumir Abdixhiku ka bërë një prerje, ka larguar përnjëherë shumë kuadro të vjetra të LDK-së dhe ka tentuar të fshijë historinë e partisë dhe të presidentit Rugova. Ai ka dashur që gjithçka të fillojë me të dhe të jetë alfa dhe omega e LDK-së”, tha Salihaj.
Ai shtoi se as Avdullah Hoti nuk është figura që mund ta reformojë LDK-në.
“Unë mendoj se as Avdullah Hoti nuk është një figurë që do të bënte mrekulli në LDK. Edhe ai, sikurse Lumir Abdixhiku, është produkt i Isa Mustafës. Të dy i ka instaluar në LDK Isa Mustafa”, u shpreh Salihaj.
Deklaratën e plotë të Adem Salihajt në COMPASS, e gjeni në videon më poshtë:
Ish-deputeti i LDK-së, Adem Salihaj, në emisionin COMPASS në ATV, tha se një koalicion mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe LDK-së do të ishte një zgjidhje e mirë, me ndarjen e posteve kryesore mes dy partive.
Sipas tij, një marrëveshje ku Vetëvendosja merr postin e kryeministrit dhe LDK-ja atë të presidentit do të ishte në interes të LDK-së, duke shmangur një opozitë të gjatë.
“Unë mendoj se nëse do të bënte një koalicion me Vetëvendosjen dhe do të kishte një rol serioz, jo një rol të një partie marionetë, do të ishte më mirë për LDK-në. Një kompromis ku Vetëvendosja merr kryeministrin dhe LDK-ja presidentin do të ishte një zgjidhje e mirë”, tha Salihaj.
Ai tha se një opozitë e gjatë mund të dëmtojë LDK-në, pasi ka rrezik që partia të humbasë edhe më shumë mbështetje nëse mbetet jashtë qeverisjes për tetë vite radhazi.
“Nëse katër vjet ka qenë në opozitë dhe rri edhe katër vjet tjera, unë mendoj që njerëzit do të lodhen dhe ka rrezik që të mos mund të ngrihet, por mund të ketë edhe rënie,” u shpreh Salihaj.
Deklaratën e plotë të Adem Salihajt në COMPASS, e gjeni në videon më poshtë:
Ish-deputeti i LDK-së, Adem Salihaj, mbrëmë në emisionin COMPASS në ATV, tha se politikat e Isa Mustafës, Agim Veliut dhe Lutfi Hazirit e kanë dëmtuar rëndë Lidhjen Demokratike të Kosovës.
Sipas Salihajt, bashkëpunimi i ngushtë i këtyre figurave me PDK-në dhe ish-krerët e saj ka ndikuar në rënien e mbështetjes për LDK-në.
“Afërsia e Isa Mustafës dhe Agim Veliut me Lutfi Hazirin, si dhe raportet e tyre shumë të mira me PDK-në, me Kadri Veselin dhe Hashim Thaçin, e kanë sjellë LDK-në në këtë situatë që është sot”, tha Salihaj.
Ai shtoi se rezultatet e zgjedhjeve të fundit janë pasojë e këtyre qëndrimeve politike, duke theksuar rënien e partisë në skenën politike.
“Zgjedhjet e kaluara LDK-ja i përfundoi me 14 për qind, tani është rritur në 17-18 për qind, por pasojat e politikës së Isa Mustafës, Agim Veliut dhe Lutfi Hazirit janë të dukshme edhe sot”, u shpreh Salihaj.
Deklaratën e plotë të Adem Salihajt në COMPASS, e gjeni në videon më poshtë:
Në Blagoevgrad të Bullgarisë u mbajt një ceremoni zyrtare për dërgimin e një kontingjenti të Komandës së Brigadës së Tretë, e cila do të marrë pjesë në Forcën Rezervë Operacionale të Forcës Stabilizuese të NATO-s në Kosovë.
Priftërinjtë shërbyen me lutje solemne për shëndet dhe kthim të suksesshëm nga misioni, ndërsa fjalimet u mbajtën nga kryetari i Komunës së Blagoevgradit Metodi Bajkushev dhe guvernatori i rajonit të Blagoevgradit, Georgi Dinev.
“Ushtria bullgare kontribuon në sigurinë dhe stabilitetin e Ballkanit Perëndimor, tha gjatë ceremonisë shefi i mbrojtjes Admirali Emil Eftimov”, njofton Agjencia Telegrafike Bullgare (BTA).
Ai vuri në dukje se 120 persona do të dërgohen nga Komanda e Brigadës së Tretë të Blagoevgradit në zonën e misionit për të paktën tre muaj.
Atmosfera pritet të jetë e jashtëzakonshme sonte në stadiumin “Fadil Vokrri”. Të gjitha biletat për përballjen mes Kosovës dhe Islandës janë shitur, me “Dardanët” që do të ofrojnë përkrahje maksimale nga tribunat.
Ky takim zhvillohet me fillim nga ora 20:45, me Kosovën që kërkon fitore në ndeshjen e parë, duke bërë një hap të madh pastaj para ndeshjes kthyese, e cila zhvillohet të dielën.
Bashkimi Evropian duhet të përgatitet menjëherë për mundësinë e një konflikti të gjerë me Rusinë, sipas një dokumenti strategjik të publikuar sot nga Komisioni Evropian.
Në këtë dokument, i njohur si Libri i Bardhë, sugjerohet se nëse Rusia arrin qëllimet e saj në Ukrainë, mund të përpiqet të zgjerojë ambiciet e saj territoriale. Viti 2030 është parashikuar si një periudhë potenciale për këtë zhvillim.
“Evropa duhet të jetë e gatshme për luftë nëse dëshiron ta shmangë atë,” thuhet në dokument.
Kjo strategji e re është një përgjigje edhe ndaj deklaratave të presidentit të SHBA-së, Donald Trump, i cili ka lënë të kuptohet se Shtetet e Bashkuara mund të mos jenë më një mbështetje e pakushtëzuar për paqen në Evropë.
“Arkitektura e sigurisë, në të cilën kemi ndërtuar mbështetjen tonë, nuk mund të konsiderohet më e sigurt,” tha Ursula von der Leyen, presidentja e Komisionit Evropian, duke theksuar nevojën për rritjen e investimeve në mbrojtje dhe forcimin e aftësive industriale të Evropës në këtë fushë.
Komisioni ka identifikuar shtatë fusha kyçe ku duhet të mbyllen boshllëqet në aftësitë ushtarake, përfshirë mbrojtjen ajrore dhe atë nga raketat, përdorimin e dronëve dhe luftën elektronike.
Sipas Komisionit, shtetet anëtare të BE-së duhet të bashkëpunojnë më ngushtë për të blerë dhe porositur së bashku të paktën 40% të materialeve ushtarake të nevojshme, për të eliminuar varësitë dhe për të bërë blerje masive të municioneve, raketave dhe dronëve.
Gjithashtu, Komisioni ka njoftuar se do të mobilizohen rreth 800 miliardë euro për projekte të riarmatimit, duke përfshirë një fond të ri prej 150 miliardë eurosh, i cili do të përjashtojë përkohësisht disa investime të mbrojtjes nga kufizimet e borxhit dhe deficitit të BE-së.
Për më tepër, Komisioni planifikon të thjeshtojë rregulloret dhe kërkesat për industrinë e armëve, me qëllim që të sigurojë një mbështetje edhe më të fortë për Ukrainën, e cila aktualisht po përballet me sulmet e Rusisë.
Në një intervistë për emisionin informues ALARM në ATV, stomatologu Albert Syla foli për kujdesin ndaj shëndetit oral, duke vënë në pah një dukuri shqetësuese në vendin tonë, ku thotë se ‘pacientët po i kushtojnë më shumë rëndësi estetikës së dhëmbëve sesa shëndetit të tyre të përgjithshëm”.
Sipas tij, edhe pse njerëzit kanë qasje të lehtë në shërbimet dentare, fokusi i tyre është kryesisht tek dukja e jashtme, ndërsa kujdesi për higjienën dhe shëndetin e dhëmbëve shpesh anashkalohet.
“Ne jemi me fat që kemi qasje të lehtë në shërbimet dentare. Në botë, rreth 30% e popullsisë nuk ka këtë mundësi. Por fatkeqësisht, shumica e pacientëve i kushtojnë më shumë rëndësi dukjes estetike të dhëmbëve, veçanërisht pjesës ballore, sesa kujdesit të plotë. Pjesa anësore e dhëmbëve, e cila është thelbësore për përtypjen dhe shëndetin e përgjithshëm, shpesh neglizhohet”, tha ai.
Intervistën e plotë të stomatologut Albert Syla në ALARM, e gjeni në videon më poshtë:
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, do të nënshkruajë të enjten një urdhër ekzekutiv të pritur gjatë me të cilin synohet mbyllja e Departamentit të Arsimit, duke përmbushur një premtim kyç të fushatës, sipas një përmbledhjeje të Shtëpisë së Bardhë që e ka parë agjencia e lajmeve “Reuters”.
Edhe para se të nënshkruhet, ky urdhër ishte duke u sfiduar nga një grup i prokurorëve shtetërorë në shtetet amerikane që udhëhiqen nga demokratët, të cilët kanë paraqitur padi me synimin për ta bllokuar mbylljen e këtij departamenti nga Trumpi dhe ndërprerjen e përjashtimeve nga puna të gati gjysmës së stafit, që u njoftuan javën e kaluar.
Trumpi dhe këshilltari i tij miliarder, Elon Musk, kanë bërë përpjekje që të mbyllin programe dhe institucione qeveritare si Agjencia për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID) pa miratimin nga Kongresi, por zhbërja e Departamentit të Arsimit do të ishte përpjekja e parë e presidentit për të mbyllur një agjenci të nivelit të kabinetit.
Kreu i Shtëpisë së Bardhë nuk mund ta mbyllë Departamentin e Arsimit pa legjislacion nga Kongresi, hap që mund të jetë i vështirë. Republikanët e Trumpit kanë shumicë ulësesh 53 me 47 në Senat, por për miratim të legjislacioneve të rëndësishme si mbyllja e një agjencie të nivelit të kabinetit do të nevojiteshin 60 vota, pra edhe mbështetja e shtatë demokratëve.
Demokratët e Senatit nuk kanë dhënë ndonjë shenjë se do ta përkrahin mbylljen e Departamentit të Arsimit, raporton agjencia “Reuters”.
Në urdhrin ekzekutiv të presidentit, sekretarja e Arsimit, Linda McMahon, udhëzohet që “t’i ndërmarrë të gjithë hapat e nevojshëm për ta lehtësuar mbylljen e Departamentit të Arsimit dhe për t’ua rikthyer autoritetin e arsimit Shteteve, ndërkohë duke vazhduar që të garantohet shpërndarja efikase dhe e papenguar e shërbimeve, programeve dhe përfitimeve në të cilat amerikanët mbështeten”.
Trumpi kishte propozuar që Departamenti i Arsimit të mbyllej edhe gjatë mandatit të tij të parë si president, por Kongresi nuk kishte vepruar në këtë drejtim.
Muajin e kaluar, presidenti amerikan tha se dëshironte që ky departament të mbyllej menjëherë, por pranoi se ndoshta do të kishte nevojë për përkrahje nga Kongresi dhe sindikatat e mësuesve për ta arritur këtë qëllim./Nacionale
Dita botërore e shëndetit oral kremtohet më 20 mars. Kjo ditë ka si qëllim rritjen e ndërgjegjësimit për rëndësinë e kujdesit për shëndetin oral dhe promovimin e mënyrave për të parandaluar problemet dentare si kariesi, sëmundjet e gingivës dhe humbja e dhëmbëve.
Po ashtu, është një mundësi për të theksuar rëndësinë e vizitave të rregullta te dentisti dhe edukimin e njerëzve për zakonet e shëndetshme të higjienës orale.
Kjo ditë është përcaktuar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, dhe pikërisht në këtë ditë realizohen aktivitete të ndryshme për ndikimin e tij në mirëqenien e përgjithshme.
Tema e kësaj dite ndryshon çdo vit dhe zakonisht fokusohet në aspekte të ndryshme të kujdesit dentar, si edukimi për ushqyerjen e shëndetshme, evitimi i duhanit dhe alkoolit, si dhe ndihma për arritjen e shërbimeve dentare për të gjithë, veçanërisht për ata që nuk kanë mundësi të trajtohen.
Zgavra e gojës mban të gjitha llojet e baktereve, viruseve dhe kërpudhave. Disa prej tyre vendosen aty, duke qenë pjesë e florës normale të gojës.
Si rregull i përgjithshëm, ato janë të padëmshme kur gjenden në sasi të vogla. Megjithatë, një dietë e pasur me sheqer, krijon gjendje dhe probleme në të cilat bakteret që prodhojnë acid mund të shumohen. Ky acid shpërndan smaltin e dhëmbëve dhe shkakton probleme të mëtejshme dentare.
Një nga objektivat kryesore është që të inkurajohen njerëzit të zhvillojnë zakone të mira të higjienës orale, si pastrimi i dhëmbëve dy herë në ditë dhe përdorimi i fijeve dentare.
Po ashtu, sensibilizimi i rrezikut të sëmundjeve orale që mund të ndikojnë në shëndetin e përgjithshëm është një aspekt i rëndësishëm i kësaj dite.
Shumë njerëz nuk janë të vetëdijshëm për ndikimin e zakoneve të këqija të higjienës orale në shëndetin e përgjithshëm. P.sh., mungesa e kujdesit të duhur oral mund të çojë në inflamacion të mishit të dhëmbëve, që më pas mund të ndikojë në shëndetin e trupit duke rritur rrezikun e infeksioneve dhe përkeqësuar disa kushte të tjera mjekësore.
Një tjetër synim i kësaj dite është të ofrohet mundësi për trajtim dhe edukim të shëndetit oral, duke ofruar mbështetje për ata që nuk kanë mundësi të shkojnë tek dentisti për shkak të barrierave ekonomike, gjeografike ose sociale./Përgatiti: Sara Shehu