ATV

Author: ATVLive

  • Kosova pasive në lobim

    Kosova pasive në lobim

    Përgatiti: Armand Hoti

    Njohës të dinamikave diplomatike, vlerësojnë se është koha që Kosova të kontraktojë kompani efektive lobimi, sidomos në qendrat kryesore demokratike.

    Intensifikimi i lobimit për anëtarësim në organizata rajonale e ndërkombëtare, është paraparë edhe në Programin Kombëtar për Integrime Evropiane.

    Por Kosova këtë vit nuk e asnjë kompani të kontraktuar për lobim, as nw Shtetet e Bashkuara të Amerikës, aty ku Serbia i ka aktive pesë të tilla.

    “Ne po i bëjmë dy vjet që jemi në sanksione nga Bashkimi Evropian, nuk kemi relacione të mirëfillta me SHBA-të, që është sponsor i pavarësisë sonë…fatkeqësisht ne kemi një Qeveri që nuk ka të angazhuar asnjë kompani në qendrat e vendimarrjes, e në veçanti në ShBA”, tha Donat Syla, ish-konsull në Kanada.

    Profesori Basri Muja thotë se Uashingtoni është adresa kritike ku kërkohet lobimi.

    “Në staza të shkurta Kosova duhet t’i shfrytëzoj të gjitha kapacitetet që i ka, në mënyrë që të vendosë kontakte me politikbërësit në vendet kryesore, këtu kam para së gjithash fjalën për Shtetet e Bashkuara”, tha Basri Muja, profesor.

    Lobi rezultoi t’i sjell hajr Kosovës dikur.

    “Ardhja deri te pavarësia e Kosovës ka qenë një proces shumë delikat, mos të harrojmë që ne kemi pasur lobin shqiptar në Amerikë i cili ka qenë jashtëzakonisht i fuqishëm në periudha shumë delikate”, tha Syla.

    Kosova njohjen e fundit, e mori në vitin 2020 nga Izraeli.

    Pesë vende të Bashkimit Evropian: Qipro, Greqia, Sllovakia, Romania dhe Spanja akoma nuk e njohin Kosovën.

  • PSRK-ja e ngarkon edhe për dhunë seksuale, shqiptarin në arrati

    PSRK-ja e ngarkon edhe për dhunë seksuale, shqiptarin në arrati

    Përgatiti: Nora Luta

    Për shqiptarin që në Tribunalin e Hagës dëshmoi në favor të Sllobodan Millosheviqit, Prokuroria Speciale ngriti aktakuzë për krime lufte në mungesë.

    Muharrem Ibraj, sipas aktakuzës së siguruar nga televizioni akuzohet se gjatë 1998-s në Osek Hylë të Gjakovës, me babanë dhe vëllain e tij, dhunuan nën kërcënimin e armës një person.

    “I pandehuri Muharrem Ibraj nè bashkëkryerje me babin e ti Musën dhe vëllain e tij Isufin, të armatosur, të uniformuar në uniforme policore, duke përdorur forcën e detyrojnë të kryejë marrëdhënie seksuale pa pëlqimin e saj. Musë Ibraj i kishte thënë të shkojë në shtëpi duke e kërcënuar se nëse do i tregonte dikujt për këtë ngjarje do ta vrasin gjithë familjen”, thuhet në Aktakuzë.

    Sipas dosjes, Ibraj akuzohet se më 28 shkurt të 1998-s mori pjesë direkt në vrasjen dhe keqtrajtimin e civilëve në Osek Hylë të Gjakovës.

    “Muharrem Ibraj i kërcënon dhe i fyen të pranishmit me fjalë të ndryshme dhe në ato momente e godet me shuplakë të dëmtuarin e parë. i pandehuri në prezence të familjarëve dhe te afërmve te viktimës që shin prezent aty, shtie disa here në drejtim të viktimës me një pushke automatike te llojit AK 47. ku në ato momente viktima ndërron jetë si pasojë e plagëve vdekjeprurëse”, thuhet më tej në Aktakuzë.

    72 vjeçari, akuzohet gjithashtu se si pjesëtar i forcave serbe, në bashkëkryerje rrahu dhe sulmoi fizikisht disa persona, të cilët i kishin dërguar në stacionin e Policisë, me pretekstin se ishin pjesëtar të UÇK-së, e pastaj të njëjtit janë liruar.

    Muharrem Ibraj, që nga përfundimi i luftës u arratis në Serbi, ku edhe jeton aktualisht.

  • Vetëvendosje, nesër pritet të dorëzojë ankesë në Supreme

    Vetëvendosje, nesër pritet të dorëzojë ankesë në Supreme

    Përgatiti: Pranvera Krasniqi

    Lëvizja Vetëvendosje nuk është pajtuar me vendimin e PZAP-së për anulimin e përsëritjes së procesit të votimit me postë dhe largimin e disa kandidatëve të LDK-së nga lista përfundimtare e deputetëve.

    Andaj, për këtë do të dorëzojë ankesë në Gjykatën Supreme.

    Këtë e konfirmoi anëtari i komisionit zgjedhor që vjen nga kjo parti, Sami Kurteshi.

    “Ne do ta shfrytëzojmë afatin kohor prej 48 orëve për dorëzimin e ankesës në gjykatën supreme. Ankesën do ta dorëzojmë të premten para orës 15:00”, ka thënë Sami Kurteshi.

    Varësisht vendimit që merr supremja, sipas Eugen Cakollit, nga Demokracia në Veprim, varet edhe certifikimi rezultateve.

    “Vetëvendosje ka mundësinë që me zvarrit procesin…shumica e vonesave deri tash tash kanë ardhë edhe prej kqz-së në procedurat e numërimit…”, tha Cakolli.

    Ndërsa sa i përket udhëheqësisë së re njohësit nuk shohin ende asnjë bashkëpunim eventual ndërmjet partive.

    Komisioni qendror i zgjedhjeve shpalli rezultatet përfundimtare më 15 mars.

    Sipas rezultateve, LVV prin me më së shumti vota, pasuar nga PDK-ja, LDK-ja dhe koalicionin AAK-NISMA.

  • Identifikohen mbetjet mortore të Elhami Tahiragës, u zhduk më 1998

    Identifikohen mbetjet mortore të Elhami Tahiragës, u zhduk më 1998

    Përgatiti: Arian Hajdaraj

    Më 19 korrik të vitit 1998, Elhami Tahiraga, u nis nga Rahoveci drejt Malishevës për ta dërguar një të afërm në spital.

    Por, kjo e diel, ishte e fundit ditë kur u pa i gjallë, meqë Elhamiu nuk u kthye asnjëherë.

    “Muaji korrik u kanë, 1998. E kanë plagosë njëfarë hoxhe të Rahovecit, dhe me shokun e tij e kanë qu në Malishevë me shëru, kur janë kthy, në hyrje të Rahovecit na kanë thanë që e kanë vra”, tha Naile Tahiraga, bashkëshortja e Elhami Tahiragës.

    Familja e institucionet, nuk ndalën së kërkuari për të, por pa sukses, deri në vitin 2024, kur u gjetën mbetje mortore të cilat dhanë shpresë se mund të ishin të Ehamiut. Pasi u kryen analizat, kjo dilemë shua.

    “Por, unë kam pas shpresë se mos është në burg, se mos kthehet. Por deri sot skena ditë gjë, kur kjo shoqata-komisioni, e kanë marrë gjakun e fëmijëve. të martën kemi marrë një lajm të mirë që e kemi gjet”, tha Tahiragës.

    Tani, familjarët të cilët jetojnë jashtë Kosovës, presin që sa më shpejtë të kthehen, për ta kryer varrimin.

    “Nana e vëllezërit e kishim vetëm një shpresë – ta gjejmë e ta varrosim, që të kemi ku ta qojmë një lule”, tha Suada Tahiraga – Gashi, vajza e Elhami Tahiragës.

    Komisioni qeveritar për të pagjetur, së fundmi arriti t’i identifikojë edhe disa mbetje mortore të personave që ishin vrarë në masakrën e Kralanit.

  • ​Kosova përmbyll suksesshëm programet me FMN-në

    ​Kosova përmbyll suksesshëm programet me FMN-në

    Është përmbyllur me sukses Programi i Aranzhimit për Gatishmëri (SBA) për Kosovë në shumë prej 100 milionë eurosh dhe aranzhimi Resilience and Sustainability Facility në shumë prej rreth 80 milionë eurosh.

    Në konferencën e përbashkët për media, e cila u organizua nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, Banka Qendrore e Kosovës dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar, është theksuar progresi i arritur nga programet.

    Ministri në detyrë i Financave Hekuran Murati tha se të dyja këto programe ishin dakorduar dy vjet më parë pas një serie negociatash dhe kishin për qëllim mbështetjen për shtetet që përmbushin politikat fiskale. Ai nënvizoi se Kosova është bërë shteti i parë në Evropë dhe rajon që përfitoi nga ky program.

    “Që të dyja këto programe ishin dakorduar dy vjet më parë pas një sërë negociatash dhe si synim kanë pasur që të mbështes shtetet që performojnë mirë nga aspekti i politikave fiskale dhe Kosova u bë shteti i parë në Evropë dhe rajon që kishte përfituar nga ky program. Synimi kryesor i programit është rritja e kapaciteteve të energjisë së ripërtërirë, më konkretisht e kemi pasur tash së fundi lansimin e ankandit për energji me erë me kapacitet prej 150 megavat, por kanë qenë edhe masa tjera. Ndërkaq, me programin e aranzhimit për gatishmëri (SBA) është synuar ruajtja e stabilitetit makroekonomik, por edhe përshpejtimi i zbatimit të reformave që mundësojnë rritje ekonomike të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse. Që të dyja programet kanë zgjatur dy vjet dhe Kosova ka përmbushur të gjitha kriteret, prandaj në këtë rast me rishikimin e fundit që përmbyllet sot Kosovës i vihen në dispozicion edhe pjesa e mbetur e mjeteve, pra që janë 16 milionë nga programi i aranzhimit për gatishmëri si dhe 10 milionë tjera nga programi i rezilencës dhe qëndrueshmërisë do të disbursohen në llogarinë e qeverisë së Kosovës, ndërkaq programi i aranzhimit për gatishmëri mbetet në gjendje gatishmërie në rast se është e nevojshme”, tha Murati.

    Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Ahmet Ismaili tha se bankat vazhdojnë të luajnë një rol të rëndësishëm në mbështetje të ekonomisë reale. Raporti i kredive dhe depozitave ka arritur në 84.6 për qind, me një rritje dyshifrore në kredi dhe depozita.

    “Kjo arritje reflekton angazhimin tonë të përbashkët dhe të palëkundur për stabilitetin financiar, për qëndrueshmërinë ekonomike dhe reformën institucionale dhe atë të sektorit financiar… BQK ka punuar me përkushtim për forcuar strukturat e saj qeverisëse, institucionale, për të rritur stabilitetin financiar dhe për të përshtatur kornizën rregullative me standardet ndërkombëtare veçanërisht ato të BE-së…Sektori ynë bankar mbetet i fortë, i qëndrueshëm, me likuidet të lartë, fitimprurës dhe me nivele të ulëta të kredive jo performuese. Bankat vazhdojnë të luajnë një rol të rëndësishëm në mbështetje të ekonomisë reale. Raporti i kredive dhe depozitave ka arritur në 84.6 për qind, me një rritje dyshifrore në kredi dhe depozita”, tha Ahmeti.

    Kreu i Misionit të FMN-së në Kosovë, David Amaglobeli ka vlerësuar se është arritur progres i konsiderueshëm dhe se objektivat e caktuara fillimisht për programin janë përmbushur me sukses.

    “Më vjen mirë që raportoj se është arritur progres i konsiderueshëm dhe se objektivat e caktuara fillimisht për programin janë përmbushur me sukses. Gjatë programit ne kemi parë rritje të fortë ekonomike 4.1 për qind më 2023 dhe presim edhe në 2024 rritja të jetë 4.4 për qind, që është prej më të lartave në Evropë. Në të njëjtën, kohë kemi pasur ulje të inflacionit, në vitin 2022 para fillimit të programit, inflacioni ishte 11.2 për qind, në vitin e kaluar inflacioni mesatar ishte 1.6 për qind. Pra, është një rënie e ndjeshme. Përgjatë këtyre zhvillimeve kemi parë po ashtu një ngritje të konsiderueshme të punësimit dhe të pagave”, tha ai.

    Kujtojmë, më 2023 Bordi Ekzekutiv i FMN-së kishte miratuar Programin e Aranzhimit për Gatishmëri (SBA) për Kosovë, në shumë 100 milionë euro, si dhe aranzhimin Resilience and Sustainability Facility në shumë 78 milionë euro për rritjen e kapaciteteve gjeneruese të energjisë së ripërtërirë. /KP

  • “Pandemia për mua ishte një sukses shumë i rëndësishëm” – Fatbardha Hoxha flet për hitin e saj të parë

    “Pandemia për mua ishte një sukses shumë i rëndësishëm” – Fatbardha Hoxha flet për hitin e saj të parë

    Në emisionin THE ELITE WAY në ATV, këngëtarja Fatbardha Hoxha ndau rrugëtimin e saj muzikor dhe sfidat me të cilat është përballur.

    Ajo tregoi se suksesin e saj më të madh e ka arritur pikërisht gjatë pandemisë, një periudhë që për shumë artistë ishte sfiduese, por për të rezultoi një pikë kthese në karrierë.

    Sipas saj, mungesa e vetëbesimit dhe vështirësitë për të pasur mbështetje nga familja ishin pengesa në fillimet e saj, por me kalimin e kohës ajo vendosi të ndjekë ëndrrën e saj.

    “Kur je në moshë të vogël, nuk ke shumë vetëbesim dhe ndonjëherë nuk ke as përkrahje nga familja. Ne si shqiptarë jemi rritur me vëllezër dhe shpesh na është thënë se nuk mund të shkojmë në studio, sepse nuk dihet çfarë ndodh atje. Kjo më bëri të ndalesha për një kohë. Por me kohën, duke u rritur, vendosa që dua të arrij diçka. Dhe kështu ndodhi, hiti im i parë erdhi gjatë pandemisë. Për mua, ishte një sukses shumë i rëndësishëm”, tha ajo.

    Deklaratën e plotë të Fatbardha Hoxhës në THE ELITE WAY, e gjeni në videon më poshtë:

  • Ku ka më shumë bakshishe, në Kosovë apo Maqedoni?

    Ku ka më shumë bakshishe, në Kosovë apo Maqedoni?

    Në emisionin STUDIO A në ATV, gjatë ditës së djeshme ishte e ftuar një familje e veçantë nga Maqedonia, e përbërë nga muzikantët Agim, Leart dhe Lavdrim Ajrullahu, së bashku me zonjën e shtëpisë, Vjollca Ajrullahu.

    Përveç bisedave për angazhimet e tyre profesionale, ata ndanë detaje mbi atmosferën familjare gjatë muajit të Ramazanit dhe eksperiencat e tyre si muzikantë.

    Duke folur për traditën e bakshisheve në vende të ndryshme, Leart Ajrullahu u shpreh se është e vështirë të veçohet një vend i caktuar, por përmendi Maqedoninë si një vend ku, në përgjithësi, muzikantët respektohen shumë.

    “Nuk kisha mundur me e cekë ndonjë vend sepse, siç tha babi, kudo që shkojmë na respektojnë, se bakshishi është një si shenjë respekti për neve muzikantëve, por kisha me e cekë ndoshta në Maqedoni në përgjithësi, nuk po di prapë çfarë të them”, tha ai.

    Për më shumë, shikoni intervistën e tyre në videon më poshtë:

  • Duket e pabesueshme, por Erza e TikTok-ut ka fituar afro 130 mijë euro në këtë platformë

    Duket e pabesueshme, por Erza e TikTok-ut ka fituar afro 130 mijë euro në këtë platformë

    Në emisionin STUDIO A në ATV, tiktok-erja e njohur Erza Rudaku zbuloi një informacion befasues për ndjekësit e saj.

    Ajo tregoi se përmes TikTok-ut ka arritur të fitojë një shumë të konsiderueshme parash, duke e kthyer këtë platformë në një burim të rëndësishëm të ardhurash.

    Sipas Erzës, gjatë tre viteve e gjysmë, ajo ka grumbulluar një shumë që i ka ndihmuar të përmbushë nevoja të rëndësishme në jetën e saj.

    “Me thanë të drejtën, brenda këtyre viteve, ndoshta janë bërë diku 130 – 140 mijë euro. Është shumë interesant, sepse ato para qysh fitohen, ashtu edhe shkojnë. E kam paguar fakultetin, kam
    blerë veturë për me pasë rrugën shtëpi-fakultet, gjëra të djalit, banesën e kështu”, tha ajo.

    Për më shumë, shikoni një pjesë nga intervista e saj në videon më poshtë:

  • Varrosen 59 viktimat e Koçanit, familjarët të pikëlluar në ceremoninë mortore

    Varrosen 59 viktimat e Koçanit, familjarët të pikëlluar në ceremoninë mortore

    59 viktimat e tragjedisë në Koçan u dërguan në banesën e fundit këtë të enjte.

    Të paktën 59 njerëz vdiqën dhe 155 të tjerë u lënduan si pasojë e shpërthimit të zjarrit në një klub nate në Koçan, në orët e para të 16 marsit.

    Trupat e të vdekurve do të varrosen në pjesë të ndryshme të vendit, përfshirë Koçanin, Shtipin, Shkupin, Strumicën dhe fshatin Obleshevë.

    Qeveria e Maqedonisë së Veriut urdhëroi institucionet shtetërore dhe këshilloi qeveritë lokale dhe punëdhënësit e sektorit privat t’i lirojnë të gjithë të punësuarit në territorin e Koçanit nga detyrat e punës për ditën e varrimit.

    Kreu i Kishës Ortodokse Maqedonase – Kryepeshkopata e Ohrit (KMK-OA), kryepeshkopi Stefan, ka bërë thirrje për unitet dhe lutje pas tragjedisë së tmerrshme në Koçan.

    Qeveria maqedonase ka shpallur shtatë ditë zie për këtë tragjedi, ku shumica e viktimave ishin të rinj.

    Autoritetet kanë premtuar hetim të shpejtë dhe të plotë, si dhe kanë arrestuar 23 dyshuar deri tani, 11 prej të cilëve ndodhen në paraburgim.

    Autoritetet kanë zbuluar se klubi operonte në mënyrë të paligjshme, nuk kishte dokumente të vlefshme për punë, nuk dispononte leje për përdorimin e piroteknikës dhe nuk kishte nënshkruar kontratë me grupin muzikor.

    Ndër shkeljet e konstatuara është edhe lejimi i të miturve në klub.

    Rreth 500 njerëz ndodheshin në klubin e natës kur zjarri shpërtheu teksa bendi ADN po performonte.

    Ndërkohë, të gjithë të lënduarit në zjarrin e Koçanit po mjekohen në vend dhe në qendrat e specializuara mjekësore jashtë vendit.

    Ministria e Shëndetësisë e Maqedonisë së Veriut njoftoi të mërkurën se 64 pacientë janë duke u mjekuar në institucionet publike shëndetësore në vend, dhe janë në gjendje relativisht të qëndrueshme, ndërsa 13 të tjerë janë duke u mjekuar në objektet shëndetësore private dhe 101 pacientë po mjekohen jashtë vendit.

  • ​Osmani në takim me presidentin e Letonisë

    ​Osmani në takim me presidentin e Letonisë

    Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur sot në takim zyrtar Presidentin e Letonisë, Edgars Rinkēvičs, i cili po zhvillon një vizitë zyrtare në Kosovë.

    Takimi është duke u mbajtur në presidencë dhe pas takimit, dy presidentët pritet të mbajnë një konferencë për media.