ATV

Author: ATVLive

  • Punimet në rrugën “Rexhep Luci” në Prishtinë vazhdojnë, banorët të shqetësuar për vonesat

    Punimet në rrugën “Rexhep Luci” në Prishtinë vazhdojnë, banorët të shqetësuar për vonesat

    Punimet për transformimin e rrugës “Rexhep Luci”, në Prishtinë filluan në nëntor të vitit 2024, me qëllim krijimin e një hapësire më të sigurt dhe funksionale për këmbësorët.

    Megjithatë, në shtator 2024, qarkullimi i veturave në këtë rrugë u ndalua për të lejuar punimet, duke shkaktuar shqetësime te banorët. Pavarësisht protestave dhe peticioneve, Komuna insistoi në kthimin e rrugës në një minishesh. Në muajin qershor 2024, Drejtoria e Shërbimeve Publike hoqi pengesat, duke lejuar qarkullimin e veturave për mirëmbajtje dhe furnizim, por ky veprim u kritikua nga banorët.

    Sipas zëdhënësit të komunës, Donat Lushaku ky projekt që është i dizajnuar kohë më parë, por për shkaqe të ndryshme nuk ka filluar deri më tani. Tani po fillojmë me transformimin e kësaj rruge e kemi një zhvillim të mirëfilltë ku e heqim asfaltin dhe krijojmë materiale si gurë të cilat janë shumë më të mira se asfalti nga shirat e ndryshëm.

    Por sipas tij, vazhda e punimeve është duke vazhduar me një intensitet të shtuar, të cilat sipas tij pritet të përfundojnë në shtator të këtij viti.

    Më tej, ai ka potencuar se kanë marrë edhe masa të shumta për të ruajtur ndotjen e kryeqytetit në atë pjesë, kështu kanë marrë parasysh edhe shqetësimet e qytetarëve.
    Megjithatë, sipas qytetarëve të cilët frekuentojnë këtë rrugë, këto punime janë stërzgjatur.

    Ndryshe, investimet infrastrukturore në Prishtinë kanë një rëndësi të jashtëzakonshme për zhvillimin e qytetit, si në përmirësimin e kushteve të jetesës, rrugët, ujësjellësit, kanalizimet dhe energjia elektrike, të cilat kontribuojnë drejtpërdrejtë në përmirësimin e kushteve të jetesës për qytetarët e Prishtinës. Një infrastrukturë e mirë funksionale mund të ndihmojë në rritjen e cilësisë së jetesës dhe komoditetit për banorët.

    Po ashtu këto investime po tërheqin investitorë dhe mundësojnë rritjen e sektorëve të tjerë ekonomikë. Infrastruktura moderne mund të nxisë zhvillimin e biznesit, të cilat janë një burim i rëndësishëm i punësimit dhe rritjes ekonomike.

    Dhe krejt në fund arrijnë përmirësimin e transportit dhe lëvizshmërisë. /Përgatiti: Sara Shehu

    Më shumë detaje i gjeni në videon më poshtë:

  • Afrim Gala: Mjeshtër i djepave për dëmijë nga Gjakova, artizan i traditës dhe pasionit

    Afrim Gala: Mjeshtër i djepave për dëmijë nga Gjakova, artizan i traditës dhe pasionit

    Afrim Gala është një mjeshtër i njohur nga Gjakova, i cili ka një përkushtim të veçantë për krijimin e djepave për fëmijë. Me një eksperiencë të gjatë dhe të pasur në punimin e drurit, ai është bërë një emër i njohur në komunitetin e tij dhe përtej tij. Djepat që ai krijon janë jo vetëm funksionalë, por gjithashtu janë produkte artizanale me cilësi të lartë dhe një dizajn unik që pasqyron pasionin e tij për mjeshtëri dhe artin tradicional.

    Afrimi është një punëtor i dedikuar, i cili përdor teknika të lashta të punimit të drurit, duke i dhënë çdo djepi një prekje individuale dhe të veçantë. Çdo detaj është i punuar me kujdes, duke siguruar që djepat të jenë të sigurt për përdorim, por edhe të bukur për sytë e prindërve dhe fëmijëve. E ajo që i bën të veçantë djepat e Afrimit është modeli dhe dizajni “gjakovar” siç i quan vetë ai.

    Djepi në të cilin janë rritur fëmijët e Afrimit, sot përdoret edhe nga nipërit e mbesat e tij.

    Kjo ia shton vlerën dhe veçantinë edhe më shumë djepave të familjes Gala.

    Punën e tij e karakterizon dashuria për zanatin, aftësia për të krijuar produkte të qëndrueshme dhe estetika që i jep një ndjesi ngrohtësie dhe sigurie çdo dhome fëmijësh. /Përgatiti: Edona Aliu

    Më shumë detaje i gjeni në videon më poshtë:

  • Rritja rekord e çmimit të arit: Faktorët që po shtyjnë vlerën në nivelin më të lartë

    Rritja rekord e çmimit të arit: Faktorët që po shtyjnë vlerën në nivelin më të lartë

    Çmimi i arit ka arritur nivele rekord, duke u afruar pranë 3000 dollarëve për 1 ounce. Në tregun fizik, një ounce (28 gramë) ari ka arritur në 2943 dollarë, duke u rritur me 0.3% krahasuar me çmimin e mëparshm në tregje. Në një moment, çmimi arriti një rekord të ri prej 2946 dollarësh, që është hera e nëntë këtë vit që arrihet një kulm i ri që nga fillimi i vitit.

    Sipas Shoqatës Botërore të Arit, çmimi i arit u rrit mbi 28% vitin e kaluar për shkak të kërkesës së lartë nga bankat qendrore dhe investitorët gjatë periudhave të tensioneve të larta gjeopolitike. Bankat qendrore kanë vazhduar të mbushin rezervat edhe në vitin 2024, duke rritur ritmin e blerjeve në tetor, dhe pritet të vazhdojnë këtë trend edhe në vitin 2025.

    Kërkesa për investime në ar është rritur gjithashtu për shkak të rreziqeve gjeopolitike dhe luhatjeve të forta në tregjet financiare rajonale. Investitorët rifilluan blerjet në tremujorin e tretë të vitit pasi bankat qendrore nisën të ulnin normat kryesore të interesit.

    Në fillim të këtij viti, nervozizmi u shtua pas deklaratave të presidentit amerikan Donald Trump për tarifat doganore. Trump tha se planifikon të vendosë tarifa prej rreth 25% për importet e makinave, si dhe tarifa të ngjashme për gjysmëpërçuesit dhe produktet farmaceutike. Tregtarët kanë frikë se këto tarifa mund të çojnë në një luftë tregtare dhe të dëmtojnë ekonominë globale.

    Analistët besojnë se rritja e çmimit të arit është nxitur nga deklaratat e Trumpit për tarifat ndaj veturave dhe ilaçeve, që mund të hapin rrugën për arritjen e nivelit prej 3000 dollarësh. Që kur u rikthye në Shtëpinë e Bardhë, Trump ka vendosur tashmë një tarifë prej 10% për importet nga Kina dhe një tarifë prej 25% për importet e çelikut dhe aluminit nga vende të ndryshme të botës.

    Gjithashtu, çmimi i argjendit, i cili përdoret në komponentët elektrikë, u rrit me 0.4%, duke arritur në 32.99 dollarë për ounce. Ndërkohë, platini, i cila përdoret në katalizatorët e automjeteve, ra me 0.6% në 981.56 dollarë. Ndërsa çmimi i paladiumit mbeti pothuajse i pandryshuar, në 987.75 dollarë.

    Një tjetër faktor që po ndikon në rritjen e çmimit të arit është rritja e borxhit global dhe shqetësimet për inflacionin. Meqenëse bankat qendrore po përpiqen të balancojnë politikat monetare për të menaxhuar inflacionin, investitorët po e shohin arin si një alternativë më të sigurt për ruajtjen e pasurisë së tyre. Kjo ka sjellë një rritje të vazhdueshme të kërkesës për ar si një mjet mbrojtës ndaj zhvlerësimit të monedhave dhe krizave ekonomike.

    Në përmbledhje, rritja e çmimit të arit reflekton shqetësimet globale mbi stabilitetin ekonomik dhe politik, duke e bërë atë një aset të preferuar për investitorët që kërkojnë siguri në kohë pasigurie. /Përgatiti: Erin Zhushi

    Më shumë detaje i gjeni në videon më poshtë:

  • Dita ndërkombëtare e lumturisë

    Dita ndërkombëtare e lumturisë

    Në korrik 2012, Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara shpalli një rezolutë, sipas së cilës Dita Ndërkombëtare e Lumturisë do të shënohet çdo vit më 20 mars.

    Objektivi i kësaj dite është të theksohet se lumturia dhe prosperiteti nuk janë vetëm dëshira personale, por edhe qëllime globale. Kjo ditë na kujton se lumturia është një aspekt thelbësor i jetës njerëzore dhe duhet promovuar, raporton KosovaPress.

    Në vitin 2015, Kombet e Bashkuara prezantuan 17 Objektiva të Zhvillimit të Qëndrueshëm (SDG) që synojnë zhdukjen e varfërisë, reduktimin e pabarazisë dhe mbrojtjen e planetit. Këto tre objektiva janë vendimtare për lumturinë dhe prosperitetin global.

    Si matet lumturia?

    Për të matur lumturinë, “Raporti i Lumturisë Botërore” publikohet çdo vit nga Rrjeti i Zgjidhjeve për Zhvillim të Qëndrueshëm të Kombeve të Bashkuara (UNSDSN).

    Ky raport vlerëson cilësinë e jetës dhe kënaqësinë e njerëzve në më shumë se 150 vende. Ai bazohet në të dhënat nga Sondazhi Botëror i Gallup dhe merr në konsideratë gjashtë faktorë kyç:

    Produkti i Brendshëm Bruto (GDP) për frymë – Statusi ekonomik i një vendi dhe të ardhurat individuale.

    Mbështetja Sociale – Niveli i ndihmës që njerëzit marrin në kohë të vështira.

    Jetëgjatësia e shëndetshme – Jetëgjatësia mesatare dhe cilësia e shërbimeve të kujdesit shëndetësor.

    Liria për të bërë zgjedhje të jetës – Aftësia për të marrë vendime për jetën personale.

    Bujari – Tendenca e njerëzve për t’u angazhuar në filantropi dhe donacione.

    Perceptimi i korrupsionit – Transparencë dhe ndershmëri në institucionet qeveritare.

    Vendet që renditen më të lartat janë Finlanda, Danimarka, Zvicra, Islanda dhe Norvegjia. Këto vende kanë siguri të fortë shoqërore, standarde të larta jetese, shërbime të shkëlqyera të kujdesit shëndetësor dhe qeveri transparente.

    Vendet që renditen më të ulëtat janë Afganistani, Libani, Zimbabveja. Për shkak të krizave ekonomike, paqëndrueshmërisë sociale dhe cilësisë së dobët të jetës, niveli i lumturisë së qytetarëve në këto vende është shumë i ulët.

    Hulumtimet sugjerojnë se njerëzit e lumtur jetojnë më gjatë dhe kanë një rrezik më të ulët të sëmundjeve të zemrës dhe presionit të lartë të gjakut.

  • Presidenti i Letonisë viziton Kosovën, takohet me Osmanin

    Presidenti i Letonisë viziton Kosovën, takohet me Osmanin

    Presidenti i Letonisë, Edgars Rinkēvičs, do të jetë për vizitë këtë të enjte në Kosovë, do të pritet në takim nga presidentja Vjosa Osmani.

    Takimi do të zhvillohet në orën 13:00, dhe mediat do të kenë mundësinë të filmojnë pamje nga pritja dhe fillimi i bisedimeve.

    Pas takimit, presidentja Osmani dhe presidenti Rinkēvičs do të mbajnë një konferencë të përbashkët për media, ku do të diskutohet për tematikat kryesore të marrëdhënieve dypalëshe.

    Mediat janë të ftuara të jenë prezente në Kabinetin e Presidentes në Presidencë, duke nisur nga ora 12:30.

  • Tragjedia në Koçan: Nga 178 të plagosurit, 101 pacientë po trajtohen jashtë shtetit

    Tragjedia në Koçan: Nga 178 të plagosurit, 101 pacientë po trajtohen jashtë shtetit

    Ministria e Shëndetësisë së Maqedonisë së Veriut ka dhënë detaje për gjendjen e pacientëve në institucionet brenda dhe jashtë vendit, konform procedurave të përcaktuara për raportim nga qendrat mjekësore jashtë vendit.

    Kjo ministri ka njoftuar se të gjithë pacientët trajtohen në mënyrë adekuate dhe marrin kujdes mjekësor të nivelit të lartë 24 orë në vend dhe në qendrat e specializuara mjekësore jashtë vendit.

    “Nga gjithsej 178 të lënduar, aktualisht në objektet shëndetësore publike në vend po trajtohen 64 pacientë, të cilët janë në gjendje relativisht stabile, 13 pacientë po trajtohen në objektet shëndetësore private dhe 101 pacientë po trajtohen në qendrat mjekësore të huaja”, thuhet në njoftim.

    Ministria tha se në Austri, nga gjithsej gjashtë pacientë që ishin në terapi intensive, një pacient është transferuar në repart, ndërsa të tjerët janë në gjendje më të rëndë, por të qëndrueshme, ndërkaq në Lituani, katër pacientë janë ende në terapi intensive, të cilët aktualisht janë në gjendje të qëndrueshme.

    “Në spitalin e Bullgarisë janë shtruar gjithsej 15 pacientë, nga të cilët shtatë janë intubuar dhe 6 i janë nënshtruar ndërhyrjes kirurgjikale, me hemodinamikë të qëndrueshme dhe dy kanë nisur të lëvizin sot”.

    “Në Slloveni në Qendrën Klinike Universitare në Lubjanë janë shtruar dy pacientë, të cilët janë në gjendje të rëndë shëndetësore, me përmirësim të lehtë që nga dita e djeshme. Në Greqi, nga gjithsej 12 pacientë, dy janë në gjendje kritike, por të qëndrueshme për momentin, tre prej të cilëve i janë nënshtruar operacionit. Në Athinë kanë mbërritur mëngjesin e sotëm pacientë të rinj, të cilët janë shtruar në spital dhe janë nën vëzhgim”.

    “Në Belgjikë dhe Itali janë shtruar në spital 4 pacientë dhe të gjithë janë stabil. Dy pacientë në gjendje të rëndë por stabile janë shtruar në spital në Kroaci dhe janë duke u bërë analiza shtesë për tre pacientët e rinj të ardhur. Gjithashtu, në Poloni po trajtohen edhe dy pacientë, njëri prej të cilëve është ekstubuar dhe tjetri në terapi intensive. Sot po zhvillohen aktivitete përgatitore për transportin e dy pacientëve në Suedi”, thuhet tutje në njoftimin e kësaj ministrie./Alsat.mk

  • ​470 vjet më parë nisi rrugën fjala e shkruar shqip, “Meshari” i Gjon Buzukut

    ​470 vjet më parë nisi rrugën fjala e shkruar shqip, “Meshari” i Gjon Buzukut

    Libri i parë në gjuhën shqipe, “Meshari i Gjon Buzukut”, nisi të shkruhej 470 vjet më parë, më 20 mars 1554 dhe përfundoi më 5 janar 1555.

    Muzeu Historik Kombëtar solli sot me rastin e këtij përvjetori një fragment nga kjo vepër në dialektin origjinal në të cilin u shkrua:

    “U doni Gjoni, biri i Bdek Buzukut, tue u kujtuom shumë herrë se gluha jonë nukë kish gj~ të ëndigluom ën së shkruomit shenjëtë, ën së dashunit së botësë s’anë, desha me u fëdigunë, për s~ mujta me ditunë, me zhdritunë pak mendetë e atyne qi të ëndiglonjinë… “Ëndë vietët M.D.L.IV. njëzet dit ëndë mars zuna ënfill, e ënbarova ëndë vietët një M.D.L.V., ëndë kallënduor”, raporton KP.

    Kështu shkruan Gjon Buzuku në Meshar, veprën letrare më të vjetër shqipe të botuar dhe të ruajtur deri sot.

    Libri përbëhej nga 110 fletë por kopja e librit që ka arritur është e cunguar dhe i mungojnë 16 faqet e para dhe ndër to edhe ballina me faqen kryesore.

    Buzuku ishte prift katolik, famullitar i një kishe në Shqipërinë Veriore, jo aq larg nga vendi i botimit dhe një nga lëvruesit më të rëndësishëm të gjuhës shqipe. Me veprën e vet ai konsolidoi një traditë të rëndësishme të të shkruarit të gjuhës shqip me alfabet latin.

  • Kosovë-Islandë, dardanët zbresin sonte në “Fadil Vokrri”

    Kosovë-Islandë, dardanët zbresin sonte në “Fadil Vokrri”

    Kombëtarja e Kosovës në futboll synon që përmes ndeshjeve të play-off-it të ngrihet në Ligën B të Ligës së Kombeve.

    Për ta arritur këtë objektiv, Dardanët duhet të tregohen më të suksesshëm se Islanda në dy ndeshjet që do të zhvillohen mes tyre brenda tri ditëve.

    Dueli i parë zhvillohet sonte në “Fadil Vokrri” në Prishtinë me fillim nga ora 20:45 dhe para ndeshjes, trajneri Franco Foda në konferencë për media të zhvilluar dje bëri të ditur se mesfushori Valon Berisha dhe mbrojtësi Amir Rrahmani janë ende duke u rikuperuar nga lëndimet, andaj paraqitja e tyre sonte është në dyshim

    Trajneri i dardanëve theksoi se nga lojtarët do të kërkojë që të bëhet presion ndaj Islandës që nga minuta e parë e ndeshjes, shkruan KP.

    Optimistë për fitore u shpreh edhe sulmuesi anësor, Milot Rashica i cili deklaroi se përkundër se Islanda ka lojtarë kualitativ,.Dardanët duhet tq bëjnë lojën e tyre duke shfrytëzuar në maksimum cilësitë individuale që kanë lojtarët.

    Atmosfera në stadiumin “Fadil Vokrri” pritet të jetë e zjarrtë pasi janë shitur të gjitha biletat që ishin në dispozicion, pra rreth 13 mijë.

  • ​Parashikimi i motit për sot

    ​Parashikimi i motit për sot

    Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka njoftuar se sot do të mbaj mot me diell.

    Temperaturat minimale sipas institutit do të lëvizin ndërmjet -1 deri 1 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 12-16 gradë Celsius.

    “Do të fryjë erë nga drejtimi i jugperendimit e lehtë deri mesatare”, thuhet në njoftim.

  • ​Rachel Zegler thotë se iu kërkua të dëshmonte trashëgiminë latine për filmin West Side Story

    ​Rachel Zegler thotë se iu kërkua të dëshmonte trashëgiminë latine për filmin West Side Story

    achel Zegler, ylli i filmit të ardhshëm Snow White, tha se gjatë procesit të përzgjedhjes për filmin e saj të parë të madh, West Side Story, ajo u desh të “dëshmonte identitetin e saj” si kolumbiano-amerikane përpara një grupi të drejtorëve me ngjyrë të bardhë.

    Në një intervistë për Allure, Zegler foli për identitetin e saj kulturor dhe tha se emri i saj shpesh krijonte hutim.

    “Kur isha në garë për rolin e Marías në West Side Story, më telefononin vazhdimisht për të pyetur nëse isha me të vërtetë latine. Mendova, A doni t’ju sjell abuelita-n (gjyshen) time? E sjell në studio nëse doni ta takoni”.

    Zegler, e lindur në New Jersey, ka një nënë me prejardhje kolumbiane dhe një baba me rrënjë polake, shkruan The Guardian.

    Filmi Snow White, një ripërpunim i animacionit klasik të vitit 1937, është bërë objekt debatesh mbi përfaqësimin dhe ndryshimet kulturore. Kritikët e kanë akuzuar si një rishikim “i vetëdijshëm për çështjet sociale” të një historie klasike, njësoj si në rastin e Halle Bailey në The Little Mermaid.

    Zegler ka marrë kritika edhe për komentet e saj politike, duke mbështetur kauzën palestineze dhe kritikuar mbështetësit e Donald Trump, për të cilat më vonë kërkoi falje. Ajo gjithashtu ka vënë në pikëpyetje mesazhin e filmit origjinal të Disney, duke thënë se princi “e përndjek” Borë Bardhën.

    Bordi Britanik i Klasifikimit të Filmit (BBFC) i ka dhënë filmit një vlerësim PG ( Parental Guidance – Udhëzim Prindëror ), me përshkrime skenash që disa i kanë cilësuar si tejet të ndjeshme, përfshirë një skenë ku “një grua helmohet qëllimisht” dhe një tjetër ku “një person kërcënon të fusë diçka në pjesën e pasme të dikujt gjatë një shkëmbimi komik”, transmeton KosovaPress.