ATV

Author: ATVLive

  • Zejnaj: Në dialog duhet unitet nga partitë dhe strategji të qartë, ShBA-ja s’ka kohë për teket tona

    Zejnaj: Në dialog duhet unitet nga partitë dhe strategji të qartë, ShBA-ja s’ka kohë për teket tona

    Strategji të qartë dhe unitet nga partitë politike, ka kërkuar politologu Argjend Zejnaj sa i përket dialogut me Serbinë, raporton Ekonomia Online.

    Sipas tij, partitë politike duhet të ulen në një tryezë dhe ta krijojnë strategjinë sa i përket edhe integrimit të Kosovës në arenën ndërkombëtare, pasi sipas tij, Kosova ka humbur energji këto katër vitet e fundit.

    “Jo vetëm partia ose kryeministri i ardhshëm por të gjithë subjektet politikë duhet të ulen në një tryezë që duhet të udhëheqë presidentja e Kosovës dhe ta bëjë një strategji të qartë dhe sa i përket me dialogun dhe me Serbinë dhe sa i përket me integrime dhe me aleancat na janë ftohur gjatë këtyre katër viteve. Duhet të kemi një fokus të veçantë sa i përket dialogut sepse po i humb shumë energji Kosovës dhe po e lë në aspektin e brendshëm dhe atë të jashtëm”, theksoi Zejnaj, teksa pret edhe shtim të presionit nga faktori ndërkombëtar.

    “Do të jetë presion, e pamë edhe vizitën e fundit të dërguarit të ri të BE-së, dhe ky do të jetë më kompetetivë sa i përket lehtësimit të dialogut të Kosovës me Serbinë, për të ardhur deri në një konkluzion të marrëveshjes finale por urojmë që do të ndihmojë edhe ShBA sa më shpejtë që është e mundur. Duhet të respektohet marrëveshjet e arritura që nga fillimi i dialogut dhe në të njëjtën kohë edhe Kosovës i bëri thirrje që të filloj të mendoj seriozisht mënyrë se si do të jepet kompetencë autonomi sociale politike komunitetit serb. E kishte parasysh Asociacionin e komunave serbe, por në të njëjtën kohë kishte përballë një kryeministër i cili ka hezituar për katër vite që të ndërmarrë hapa konkret sa i përket kësaj teme dhe përmbylljes së mundshme të dialogut me Serbinë, këto janë dy pikat kryesore”, ka thënë Zejnaj.

    Zejnaj ka thënë se nëse Shtetet e Bashkuara të Amerikës involvohen direkt në dialog, qasja e Kosovës do të jetë më ndryshe, pasi “ShBA nuk ka kohë të presë për teket tona”.

    “Respektimi nga ana e Serbisë dhe fillimi implementimit nga ana e Kosovës, ky është ngërçi kryesor pa të cilin nëse nuk tejkalohet, nuk do të kemi përmbyllje dhe konkluzion sa i përket dialogut. Nëse do të kemi rikthim të fuqishëm të ShBA-së në tavolinën e dialogut nëse do të jetë Kurti kryeministër, do të duhej të rikapituloj vetveten qëndrimet e tij dhe duhet të qaset ndryshe, përndryshe nuk do të ketë të ardhme as si kryeministër e as të ardhme politike sepse Amerika nuk kanë kohë që të na presin për teket tona”, u shpreh Zejnaj.

  • Protestë kundër tenderit për plazhet: “Ulqini nuk është në shitje”

    Protestë kundër tenderit për plazhet: “Ulqini nuk është në shitje”

    Qindra banorë, përfaqësues të autoriteteve lokale dhe biznesmenë nga Ulqini protestuan dje në këtë qytet në jug të Malit të Zi, duke thënë se “Ulqini nuk është në shitje”.

    Protesta e 22 marsit u thirr për shkak të pakënaqësive lidhur me tenderin për dhënien me qira të plazheve të Ulqinit, të cilat vitet e fundit janë marrë me qira nga biznesmenët lokalë, por këtë vit oferta më e mirë e marrjes me qira të plazheve u vlerësua të ishte ajo e kompanisë arabe, Eagle Hills.

    “Plazhi i Madh nuk është një shkretëtirë që dikush të ndërtojë një Dubai. Plazhi i Madh është një mrekulli e natyrës, 20 kilometra bregdet i paprekur, me rërë të ngrohtë dhe shëruese. Krenaria dhe trashëgimia jonë”, tha Dijana Pellinkoviq, presidente e shoqatës “Ada Bojana”.

    Sipas saj, banorët e Ulqinit nuk janë kundër progresit, por janë kundër projekteve megalomane që fshijnë identitetin lokal.

    “Komuniteti ynë duhet të marrë pjesë në vendimmarrje. Po ngremë zërin kundër centralizmit”, tha përfaqësuesi i qiramarrësve, Albert Kastrati.

    Ai vlerësoi se tenderi për qiramarrjen e plazheve ka diskriminuar qiramarrësit vendas dhe ka favorizuar investitorët e huaj.

    Protesta në Ulqin u mbajt pavarësisht nga fakti se kryeministri i Malit të Zi, Millojko Spajiq, më 20 mars njoftoi se Eagle Hills ka ndërmend të tërhiqet dhe t’ua kalojë plazhet qiramarrësve lokalë.

    Pakënaqësia nisi nga tenderi

    Kompania arabe, Eagle Hills, më 11 mars dorëzoi ofertën më të mirë për dhënien me qira për një periudhë katërvjeçare të nëntë nga 19 plazhet në Plazhin e Madh të Ulqinit.

    Kjo shkaktoi revoltë te qiramarrësit aktualë të plazheve dhe autoritetet lokale, të cilët deklaruan se plazhet po u jepen investitorëve të huaj “përmes marrëveshjeve të dyshimta”.

    Pas kësaj, siç e ka bërë të ditur kryeministri Spajiq, presidenti i kompanisë arabe, Mohamed Alabar, ka hequr dorë nga oferta.

    “Personalisht më ka thënë se për të gjitha plazhet ku kanë konkurruar ulqinakët, është i gatshëm të heqë dorë ose t’i japë me nënqira, siç është e mundur edhe ligjërisht”, tha Spajiq.

    Qeveria e Malit të Zi njoftoi se, sipas nismës së Spajiqit, investitori ka vendosur që plazhet që i ka fituar përmes tenderit, që më parë ishin marrë me qira nga ndërmarrësit lokalë, t’ua dorëzojë atyre me çmimin që ata kanë ofertuar në tender.

    Eagle Hills, që dha ofertën më të lartë për plazhet, është një kompani ndërtimi nga Abu Dabi i Emirateve të Bashkuara Arabe. Kjo kompani njihet për projekte rajonale, sikurse “Belgrade Waterfront”.

    Kompania ka përfaqësinë në Mal të Zi, që është regjistruar pas skadimit të afatit fillestar për dorëzimin e ofertave në tenderin për dhënien me qira të plazheve të Ulqinit.

    Afati për dorëzimin e ofertave, për tenderin e shpallur më 19 shkurt, ishte 4 mars, por ai u zgjat për shtatë ditë.

    Alabar regjistroi kompaninë e tij më 6 mars në Malin e Zi dhe aplikoi në tender. Afatin e zgjati kompania shtetërore që menaxhon plazhet në Mal të Zi.

    Plane për investime në Ulqin

    Spajiq u ka njoftuar ulqinakët se përveç tërheqjes nga tenderi për dhënien me qira të plazheve, kompania nga Abu Dabi është e interesuar që të bëjë investime në Plazhin e Madh, i cili është afër 13 kilometra i gjatë dhe ende i pa ndërtuar.

    Ai tha se kompania është e interesuar të investojnë 30 miliardë euro në një mega-projekt në Ulqin, që do të përfshinte ndërtimin e një aeroporti të madh, spitalit më modern në Ballkan, një marinë dhe rinovimin e qytetit të vjetër të Ulqinit.

    Spajiq muajin e kaluar qëndroi në një vizitë zyrtare në Dubai, ku siç u njoftua më 13 shkurt, u nënshkrua një Memorandum Mirëkuptimi mes Qeverisë së Malit të Zi dhe Emirateve, i cili parashikon shkëmbimin e përvojave për modernizimin e administratës dhe bashkëpunim ekonomik.

    Çfarë i shqetëson politikanët lokalë

    Plani për investimet në mega-projektin në Ulqin nuk ka marrë miratimin e opozitës dhe një pjese të liderëve lokalë.

    Deputeti i Bashkimit Demokratik të Shqiptarëve, Mehmet Zenka, konfirmoi se gjatë një takimi, se Spajiq ka thënë se qëllimi i investitorëve arabë është të marrin me qira të gjithë Plazhin e Madh për 99 vjet.

    Ai theksoi se kjo është e papranueshme, pasi, edhe pse nuk janë kundër investimeve, “Ulqini nuk është në shitje”.

    Sipas tij, një qira për një periudhë 99-vjeçare do të thotë se për Plazhin e Madh do të vendosë dikush tjetër dhe jo komuniteti lokal. Ai shtoi se ekzistojnë edhe lokacione të tjera për investime, por jo 20 milionë metra katrorë të Plazhit të Madh dhe rrethinës së tij.

    Spajiq, siç tha Zenka, ka treguar vetëm një plan ideor të investitorëve nëpërmjet një fotografie, e cila nuk ishte e mjaftueshme për një vlerësim serioz.

    Një ditë para protestës, u mbajt edhe një mbledhje e Kuvendit të Ulqinit, ku u miratuan në parim projektet e reja për këtë qytet.

    Ndër të tjera, u miratua që të gjitha investimet të jenë në përputhje me parimet e zhvillimit të qëndrueshëm, duke respektuar dokumentet planifikues dhe strategjike të komunës dhe shtetit, si dhe duke marrë parasysh qëndrueshmërinë ekonomike, ekologjike dhe shoqërore.

    Abazoviq kërkon që Prokuroria Speciale të reagojë

    Ish-kryeministri Dritan Abazoviq, i cili është nga Ulqini, ka kërkuar që Prokuroria Speciale e shtetit të hetojë rastin e dhënies së qirasë për Plazhin e Madh, duke pretenduar se bëhet fjalë për një vepër korruptive.

    Ai tha se kryeministri Spajiq “ka premtuar pasuri shtetërore dhe komunale pa iu nënshtruar procedurës përkatëse”.

    “Spajiq ka prezantuar një projekt që nuk është parashikuar në Planin Hapësinor të Malit të Zi, dhe është paraqitur si përfaqësues i kompanisë që fitoi qiranë. Procedura e tenderit ishte e dyshimtë dhe rregullat për garancinë bankare u ndryshuan në momentin e fundit”, tha Abazoviq për gazetën “Vijesti”.

    Mali i Zi nuk ka Plan Hapësinor që nga viti 2020.

    Ai shtoi se sipas informacionit që ka, Mohamed Alabar është i pakënaqur, duke theksuar se duke u tërhequr nga qiraja, do të humbiste 100 mijë euro garanci.

    “E vendosën në një pozicion të vështirë. Është shumë i zemëruar dhe i gatshëm të humbasë para për të ruajtur reputacionin e tij”, tha Abazoviq.

    Dyshimet për parregullsi në tenderin për dhënien me qira të plazheve i kishin shprehur që në fillim edhe sipërmarrësit lokalë, të cilët thonë se nuk janë kundër investitorëve.

    “Përmes tenderit, afati i të cilit u shty, në të cilin mori pjesë Eagle Hills Montenegro, ndodhi një sulm i paprecedent i organizuar, i sinkronizuar me institucionet e sistemit”, tha më 18 mars, kryetari i Komunës së Ulqinit, Genci Nimanbegu.

    Nga Qeveria e Malit të Zi pohuan se tenderi është realizuar në mënyrë ligjore dhe se çdo veprim tjetër i ofertuesve, përfshirë mundësinë e tërheqjes, është një vendim që u përket atyre.

    Ulqinakët kanë nisur një peticion, i cili është nënshkruar edhe gjatë protestës, dhe përmes tij kërkohet, veç tjerash, anulimi i tenderit për qiradhënie.

    Plazhi i Madh, i gjatë 13 kilometra dhe me një gjerësi mesatare prej 60 metrash, ndodhet pesë kilometra nga Ulqini, qyteti më jugor i bregdetit malazez, që ndodhet në kufi me Shqipërinë. /REL/

  • 36 vjet nga demonstratat kundër suprimimit të autonomisë së Kosovës

    36 vjet nga demonstratat kundër suprimimit të autonomisë së Kosovës

    Më 23 mars në Kuvendin e Kosovës, u ndryshua Kushtetuta e vitit 1974 dhe u suprimua autonomia e Kosovës në ish-Federatën jugosllave, duke e lënë atë si pjesë të Serbisë.

    Parlamenti i Kosovës ishte i rrethuar me tanke dhe ushtri, dhe nën një shtetrrethim, Serbia dhunshëm ia mori Kosovës autonominë.

    Nga 190 delegatët e pranishëm në Kuvend, 10 prej tyre, edhe pse nën presionin e shtetrrethimit të hekurt, kishin votuar kundër këtij suprimimi, e në mbrojtje të pozitës kushtetuese të Kosovës.

    Para 23 marsit 1989, muaji shkurt i të njëjtit vit do të karakterizohej me grevën e minatorëve të gjigantit Trepça, në mbrojtje të pozitës kushtetuese të Kosovës.

    Në demonstratat kundër suprimimit të autonomisë dhe me kërkesa për krijimin e Republikës së Kosovës, ranë rreth 30 dëshmorë, qindra u plagosën dhe qindra të tjerë u arrestuan dhe u dënuan me burg.

    E tërë fushata kundër Kosovës kishte filluar nga serbët në Fushë Kosovë, më 1987, e cila njihet edhe si lëvizja serbe antishqiptare, ku edhe fillon ardhja në pushtet e kasapit të Ballkanit, Sllobodan Millosheviq.

  • Mungesa e vlerësimit të drejtorëve në Prishtinë, shqetësim për cilësinë e menaxhimit shkollor

    Mungesa e vlerësimit të drejtorëve në Prishtinë, shqetësim për cilësinë e menaxhimit shkollor

    Në Komunën e Prishtinës, prej vitesh nuk është bërë vlerësimi i performancës së drejtorëve të shkollave, edhe pse udhëzimi administrativ e parasheh një proces të tillë. Kjo u bë e ditur për Ekonomia Online nga drejtori i i shkollës fillore “Emin Duraku” në Prishtinë, Visar Osmani.

    Sipas tij, kjo mungesë e monitorimit po krijon një lloj komoditeti te drejtorët, të cilët, pasi marrin mandatin katërvjeçar, nuk i nënshtrohen ndonjë vlerësimi të rregullt mbi punën e tyre.

    Osmani ka ngritur këtë shqetësim duke theksuar se vlerësimi i performancës është i domosdoshëm për të siguruar një menaxhim më të mirë të institucioneve arsimore.

    “Siç e dimë, udhëzimi i fundit administrativ parasheh kriteret për përzgjedhje të drejtorëve dhe zëvendësdrejtorëve. Parashihet që pas një viti secilit drejtor t’i bëhet vlerësimi i përformancës apo çka është punuar brenda një viti. Në Prishtinë ka qenë praktikë edhe më herët, por fatkeqësisht nuk ka ndodhur. Është mirë që të bëhet vlerësimi i përformancës së drejtorëve, jo një vit, po çdo vit. Kështu që të mos krijohet njëfarë lloj komoditeti te drejtorët që vjen mandati e janë katër vjet dhe thuajse konsiderohen të paprekshëm. Por, megjithatë duke filluar nga shkolla jonë, nga unë personalisht, kushdo që vjen, qoftë vlerësim i jashtëm apo i brendshëm është i mirëseardhur, sepse edhe ne mund të ngecim në realizim të objektivave që i kemi përpara dhe ato vlerësime që bëhen ato janë njëfarë lloj imputi që prioritete që i kemi të realizohen dhe të mos ketë stagnim të punës në menagjim të shkollës”, ka thënë ai.

    Osmani ka kujtuar se më parë, drejtorët kishin një periudhë prove njëvjeçare, por kohët e fundit kjo praktikë nuk është zbatuar, edhe pse është një mekanizëm i rëndësishëm për garantimin e cilësisë në arsim.

    “Vitet e fundit nuk është bërë në komunë të Prishtinës, por është mirë që të bëhet. Më herët, ne i kemi pasur dy kontrata kur jemi zgjedhur, një ka qenë njëvjeçare si punë provuese dhe tjetra ka qenë tri që i bie katër vjet mandati. Kohët e fundit nuk është bërë, edhe pse është mirë duke u bazuar në legjislacionin në fuqi që të bëhet një vlerësim i punës njëvjeçare të drejtorëve që vijnë në detyrë. Kjo kishte me qenë mirë edhe për ne, edhe për ata që pretendojnë të vijnë në detyrë, në mënyrë që të dihet që dikush edhe punën tonë e përcjell dhe e monitoron”, ka thënë ai.

    Mungesa e vlerësimit të drejtuesve shkollorë, sipas Osmanit, po ndikon edhe në cilësinë e menaxhimit të shkollave. Ai thekson se disa institucione janë bërë burim i problemeve të përditshme për shkak të keqmenaxhimit.

    Ai ka përmendur edhe se disa shkolla arrijnë rezultate të shkëlqyera në periudha të shkurtra kohore, ndërsa të tjera përballen me probleme që ndikojnë edhe tek komuniteti shkollor më gjerë.

    Sipas tij, një sistem i mirëfilltë vlerësimi do të ndihmonte në identifikimin dhe adresimin e problemeve në menaxhimin e shkollave, duke përmirësuar cilësinë e arsimit në nivel komunal.

    “Varësisht prej shkollave, ne kemi shkolla që janë burime të problemeve në baza ditore. Kemi shkolla që policia çdo ditë rri në shkollë, do të thotë keqmenagjimi e çorienton dhe e dezorganizon punën e institucioneve, është një adresë varësisht prej lidershipit se kush e merr udhëheqjen e shkollës. Ne kemi shkolla që kanë rezultatet të mira në periudha të shkurtra, duke u nisur nga shkolla jonë, pothuajse të parët në nivel vendi. Ideja është që po kemi edhe shkolla që janë burim i problemeve edhe ato probleme mund të barten shumë lehtë edhe në komunitetin e shkollave të tjera”, ka thënë Osmani.

  • Ky është moti për ditën e sotme

    Ky është moti për ditën e sotme

    Sot në Kosovë pritet të mbajë mot me vranësira e nganjëherë me intervale kohore me diell. Do të fryjnë erëra mesatare e në disa lokacione paksa të fuqishme nga jugu dhe juglindja, ndërsa nuk do të mungojnë reshjet e herëpashershme të shiut të karakterit lokal. Temperaturat pritet të luhaten nga 3 minimalja deri në 17 gradë Celsius.

    Në Shqipëri sot pritet mot mjaft i ndryshueshëm, me vranësira, rrebeshe lokale shiu, por edhe me intervale të herëpashershme të shkurtra kohore me diell. Pasdite vonë në jug të vendit parashihen rrebeshe lokalisht paksa më intensive shiu me vetëtima dhe bubullimë, pastaj rrebeshet lokale të shiut “ripërtërihen” në gati tërë vendin.

    Reshje të lokalizuara shiu sot priten edhe në Maqedoninë Veriore, Luginë të Preshevës dhe Mal të Zi, por reshjet nuk do të zgjasin shumë.

    Fillimi i javës së re do të karakterizohet me shira dhe rrebeshe të shpeshta në Shqipëri dhe Mal të Zi, ndërsa në viset tjera reshjet ende do të jenë më të pakta dhe më të rralla, megjithatë reshjet e shiut përhapen apo shpeshtohen në tërë rajonin nga mesi i javës./MeteoBallkan

  • Kosova fiton ndeshjen e parë kundër Islandës 2:1

    Kosova fiton ndeshjen e parë kundër Islandës 2:1

    Kosova triumfoi 2-1 ndaj Islandës në ndeshjen e parë të play-off-it për Ligën B të Ligës së Kombeve, duke bërë hapin e parë drejt promovimit, raporton ATV.

    Dardanët nisën fuqishëm, duke gjetur golin e epërsisë në minutën e 19-të me një finalizim të bukur të Lumbardh Dellovës. Megjithatë, vetëm tre minuta më vonë, kapiteni islandez Orri Oskarsson barazoi rezultatin.

    Në pjesën e dytë, Kosova tregoi dëshirën për fitore dhe riktheu epërsinë me një gol të mrekullueshëm nga Elvis Rexhbecaj në minutën e 58-të. Dardanët patën mundësi të siguronin fitoren me një diferencë më të madhe, por nuk arritën të shënonin golin e tretë.

    Portieri Aro Muric ishte vendimtar me pritjet e tij, duke mbajtur avantazhin e Kosovës. Ndërkohë, Valon Berisha do të mungojë në ndeshjen kthyese më 23 mars, pasi mori kartonin e verdhë që e skualifikon nga përballja në Islandë.

    Me këtë fitore, Kosova ka një mundësi të artë për të vulosur suksesin në ndeshjen e kthimit dhe të sigurojë kalimin në Ligën B. /atvlive.tv

  • Përfundon pjesa e parë: Kosovë – Islandë 1:1

    Përfundon pjesa e parë: Kosovë – Islandë 1:1

    Ka përfunduar pjesa e parë e ndeshjes mes Kosovës dhe Islandës, e vlefshme për inkuadrim në Ligën B të Ligës së Kombeve, raporton ATV.

    Pas 45 minutave lojë, rezultati është i barabartë 1:1.

    Pjesa e dytë pritet të sjellë më shumë emocione dhe përpjekje nga të dyja ekipet për të siguruar një rezultat pozitiv. /atvlive.tv

  • Maqedonci tregon se a do të vazhdojë të jetë ministër i Mbrojtjes në Qeverinë e re

    Maqedonci tregon se a do të vazhdojë të jetë ministër i Mbrojtjes në Qeverinë e re

    Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, në emisionin CONTEXT në ATV, tha se është i gatshëm të vazhdojë të shërbejë si ministër i Mbrojtjes në Qeverinë e re, nëse i kërkohet një gjë e tillë.

    Ai tha se prioriteti i momentit është konsolidimi i institucioneve të Kosovës dhe krijimi i Qeverisë, duke marrë parasysh vonesat e shkaktuara nga proceset zgjedhore dhe procedurat ligjore.

    “Pikë së pari, është e rëndësishme që të konsolidohet Parlamenti dhe të krijohen institucionet, përfshirë Qeverinë e Republikës së Kosovës. Ne, si parti fituese, po bëjmë përpjekje që ta realizojmë këtë sa më shpejt, por kemi parasysh edhe periudhën e procedurave zgjedhore, përfshirë numërimin e votave dhe shqyrtimin e ankesave”, tha Maqedonci.

    Ai sqaroi se ka diskutuar me Kryeministrin për angazhimin e tij të ardhshëm dhe se mbrojtja do të mbetet fusha e tij kryesore e kontributit.

    “Unë vlerësoj që fusha ime do të vazhdojë të jetë mbrojtja dhe, përveç si deputet, do të jem i gatshëm të pranoj detyrën e ministrit të Mbrojtjes nëse më kërkohet në Qeverinë e re”, u shpreh Maqedonci.

    Deklaratën e plotë të Ejup Maqedoncit në CONTEXT, e gjeni në videon më poshtë:

  • Maqedonci: Për herë të parë, ushqimi në Ushtrinë e Kosovës përgatitet nga stafi i saj

    Maqedonci: Për herë të parë, ushqimi në Ushtrinë e Kosovës përgatitet nga stafi i saj

    Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, në emisionin CONTEXT në ATV, tha se për herë të parë, ushqimi për Ushtrinë e Kosovës po përgatitet nga stafi i rekrutuar nga jeta civile, duke siguruar cilësi më të lartë dhe pavarësi nga operatorët privatë.

    Sipas Maqedoncit, ky ndryshim jo vetëm që garanton ushqim më të mirë për ushtarët, por gjithashtu kursen buxhetin dhe rrit qëndrueshmërinë e forcave të armatosura.

    “Është rregulluar edhe çështja e ushqimit për herë të parë në Ushtrinë e Kosovës, për shërbim i cili përgatitet nga stafi i rekrutuar nga jeta civile. Me këtë, ne po kursejmë buxhetin, po ofrojmë mundësi më të mira në aspektin e cilësisë së ushqimit. Por çfarë është më e rëndësishmja, po vendosim vetë qëndrueshmëri me ushqim. Ne nuk varemi më nga operatorët për të përgatitur apo dërguar ushqimin në lokacionet ku njësitë tona operojnë”, tha Maqedonci.

    Deklaratën e plotë të Ejup Maqedoncit në CONTEXT, e gjeni në videon më poshtë:

  • Maqedonci: Qytetarët vazhdojnë të kontribuojnë për Fondin e Sigurisë

    Maqedonci: Qytetarët vazhdojnë të kontribuojnë për Fondin e Sigurisë

    Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, në emisionin CONTEXT në ATV, tha se qytetarët dhe bizneset po vazhdojnë të kontribuojnë në Fondin e Sigurisë, një iniciativë e rëndësishme për fuqizimin e mbrojtjes së Kosovës.

    Ai sqaroi se Fondi i Sigurisë menaxhohet nga Ministria e Financave, por Ministria e Mbrojtjes promovon dhe inkurajon qytetarët dhe bizneset që të kontribuojnë në të.

    “Fondi i Sigurisë menaxhohet nga Ministria e Financave, jo nga Ministria e Mbrojtjes. Natyrisht që ne promovojmë dhe synojmë të bindim qytetarët dhe bizneset që të kontribuojnë, pasi buxheti i Kosovës nuk është i mjaftueshëm për të mbështetur të gjitha projektet e mbrojtjes dhe sigurisë”, tha Maqedonci.

    Ai tha se rritja e investimeve në sektorin e mbrojtjes është e domosdoshme, sidomos përballë kërcënimeve në rritje, si në nivel rajonal ashtu edhe global.

    “Këto investime duhet të rriten për shkak të kërcënimeve që po shfaqen jo vetëm në nivel global, por edhe në rajon. Prandaj, kontributi në Fondin e Sigurisë është jetik për forcimin e kapaciteteve tona mbrojtëse”, u shpreh Maqedonci.

    Deklaratën e plotë të Ejup Maqedoncit në CONTEXT, e gjeni në videon më poshtë: