ATV

Author: ATVLive

  • ​Sa përfiton financiarisht Kosova për kalimin në Ligën B të Ligës së Kombeve?

    ​Sa përfiton financiarisht Kosova për kalimin në Ligën B të Ligës së Kombeve?

    Kombëtarja e Kosovës në futboll tashmë është ngritur një rang më lartë në Ligën e Kombeve duke u futur në Lign B të kësaj gare pasi në ndeshjen e playoff-it e mposhti Islandën në dy ballafaqime, raporton KosovaPress.

    Kjo përveç se është një arritje historike në aspektin sportiv, do t’i sjellë Kosovës, përkatësisht Federatës së Futbollit (FFK) edhe të hyra të konsiderueshme financiare, shkruan KosovaPress.

    Sipas rregullit të UEFA-s, skuadrat që garojnë në Ligën B përfitojnë 1.5 milionë euro, shifër kjo mjaftë e lartë për një federatë si ajo e Kosovës. Këto ta ardhura tashmë janë të garantuara pasi një vendim i tillë erdhi nga UEFA në vitin 2018.

    Vlen të theksohet se fituesi i përgjithshëm i Ligës së Kombeve UEFA, pas turneut final, do të marrë 10.5 milionë euro.

  • I dyshuari për vrasjen e 19-vjeçarit në Vushtrri e pranon fajësinë

    I dyshuari për vrasjen e 19-vjeçarit në Vushtrri e pranon fajësinë

    I dyshuari për vrasjen e 19-vjeçarit A.Z., në Vushtrri e ka pranuar fajësinë, konfirmoi Prokuroria Themelore në Mitrovicë. Ai gjendet në ndalim 48-orësh, raporton EO.

    “Është arrestuar një i dyshuar për veprën penale ‘Vrasje e rëndë’, dhe i njëjti me vendim të prokurorit gjendet në ndalim 48-orësh. Është sekuestruar arma me të cilën dyshohet se është kryer kjo vrasje, Prokuroria dhe policia janë duke mbledhur provat relevante në lidhje me rastin. Gjatë marrjes së deklaratës i dyshuari e ka pranuar fajësinë për vrasjen. Në afatin e paraparë ligjor prokuroria do të paraqesë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarit për këtë rast”, njoftoi prokuroria.

  • Shea thotë se është zhgënjyese që Serbia ende s’ka kërkuar falje për krimet në Kosovë

    Shea thotë se është zhgënjyese që Serbia ende s’ka kërkuar falje për krimet në Kosovë

    Ish-zëdhënësi i NATO-s gjatë luftës në Kosovë, Jamie Shea, në përvjetorin e bombardimeve të NATO-s tha se është zhgënjyes fakti që, edhe pse kanë kaluar 26 vjet, Serbia ende nuk ka kërkuar falje për krimet që ka bërë në Kosovë.

    ” Shumë nga figurat e qeverisë serbe sot erdhën në jetën politike gjatë epokës nacionaliste të Millosheviqit dhe kanë trashëguar pikëpamjen e tij të shtrembëruar për historinë serbe dhe jugosllave. Por shumë serbë në opozitë dhe në shoqërinë civile e dinë të vërtetën dhe unë nuk i kam hequr shpresat që në të ardhmen të krijohet një komision i përbashkët serbo-kosovar për të vërtetën historike dhe përgjegjësinë. Millosheviqi u padit nga GJNP për krime lufte në Kosovë dhe ky proces mblodhi, gjithashtu, shumë prova. Dhe vetë Vuçiq shkoi në Srebenicë në përvjetorin e korrikut disa vite më parë. Pra, le të ngulmojmë”, tha ai në një intervistë për RTKlive.

    Shea mes tjerash komentoi edhe situatën aktuale të sigurisë në rajon.

    “Situata në rajon është e tensionuar aktualisht për shkak të rezistencës kokëfortë të Milorad Dodik në Republikën Serbe të Bosnjës për të bashkëpunuar me institucionet shtetërore, pas dënimit të tij nga Gjykata e Lartë në Sarajevë. Gjithashtu, qeveria serbe sapo ka dhënë dorëheqjen në vazhdën e demonstratave më të mëdha që janë parë ndonjëherë në vend kundër një qeverie në detyrë. Ne kemi, gjithashtu, ndikimin e fatkeqësisë së tmerrshme të klubeve të natës në Maqedoninë e Veriut, e cila shpresojmë se nuk do të ketë pasoja politike destabilizuese. Por NATO po e vëzhgon situatën nga afër dhe sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, sapo ka vizituar Bosnjën dhe Kosovën dhe është konsultuar me KFOR-in. Situata në rajon, aktualisht, nuk ofron shumë shpresë për përparim të menjëhershëm politik, por NATO, duke punuar ngushtë me BE-në, do të sigurohet që të ruhet mjedisi i përgjithshëm i sigurisë”, deklaroi.

  • Sot i jepet lamtumira e fundit 19-vjeçarit që u vra mbrëmë në Vushtrri

    Sot i jepet lamtumira e fundit 19-vjeçarit që u vra mbrëmë në Vushtrri

    Familja Zymeri nga fshati Shtitaricë i Vushtrrisë, ka hapur të pamen për 19-vjeçarin Ardit Zymeri, i cili u vra mbrëmë nga i dyshuari Bleon Dibrani.

    Familja mbrapa kamerave kanë deklaruar se lamtumira e fundit do t’i jepet sot në varrezat e fshatit Dubofc, në orën 16:30.

    Nga familja nuk kanë qenë të gatshëm të prononcohen, pasi siç thanë janë në pritje të informatave zyrtare nga organet kompetente.

  • ​Identifikohen dy persona të dyshuar për disa vjedhje në Ferizaj, arrestohet njëri prej tyre

    ​Identifikohen dy persona të dyshuar për disa vjedhje në Ferizaj, arrestohet njëri prej tyre

    Njësiti i Hetimeve të stacionit policor në Ferizaj, pas një hetimi intensiv lidhur me veprat penale “Vjedhja e Rëndë”, ka arritur të identifikojë dy persona të dyshuar për kryerjen e këtyre veprave në qytetin e Ferizajt, kryesisht në lokale.

    Policia ka njoftuar se pas përpjekjeve të vazhdueshme për të gjetur të dyshuarin B. T, 23 vjeç ai është ndaluar nga Njësia e Hetimeve të Prishtinës, nën dyshimin për një vepër të ngjashme në rajonin e Prishtinës, raporton KosovaPress.

    Nën autorizimin e prokurorit të shtetit dhe në praninë e avokatit mbrojtës, B.T është intervistuar nga Njësiti i Hetimeve të stacionit të policisë në Ferizaj dhe gjatë intervistimit dhe ballafaqimit me provat e mbledhura, ai ka pranuar kryerjen e disa veprave penale të “Vjedhjes së rëndë” në rrugët e Ferizajt: “Bajram e Gursel Sylejmani”, “Hamëz Jashari”, “12 Qershori”, “Dëshmorët e Kombit”, “Agim Matoshi”, “Latif Hasani”.

    Gjatë hetimeve janë siguruar prova materiale, duke përfshirë video incizime nga kamerat e sigurisë dhe sende të ndryshme që ndihmojnë në ndriçimin e këtyre rasteve.

    “I dyshuari B. T ndodhet në ndalim për 48 orë, ndërsa hetimet vazhdojnë në koordinim me prokurorin e shtetit. Njësiti i Hetimeve po vazhdon përpjekjet për të siguruar prezencën e të dyshuarit të dytë dhe për të grumbulluar prova të tjera relevante. Zyra për Informim e Policisë Rajonale të Ferizajt do të vazhdojë të informojë publikun për zhvillimet e mëtejshme”, thuhet në njoftim.

  • 40 vjet nga ndarja nga jeta e ikonës së filmit Sandër Prosi

    40 vjet nga ndarja nga jeta e ikonës së filmit Sandër Prosi

    Ka qenë 24 marsi i vitit 1985, kur në një nga sheshet e xhirimit të filmit “Pranverë e Hidhur”, të Kinostudios “Shqipëria e Re”, skenat e të cilit po përgatiteshin në plazhin e Durrësit, humbi jetën nga një aksident fatal, Sandër Prosi, një nga aktorët më të famshëm të skenës dhe kinematografisë shqiptare.

    Po cila ishte e kaluara e Sandër Prosit, ku kishte studiuar ai dhe si mundi që të bëhej një nga yjet e teatrit dhe filmit shqiptar?

    Familja Prosi

    Sandër Prosi u lind në 6 janar të vitit 1920 në Shkodër, ku nëna e tij, Aspasia, kishte shkuar për të qëndruar për pak kohë në familjen e saj.

    Sandri ishte fëmija i fundit i Jovan Prosit, nga tre djem dhe tre vajza që kishte ajo familje e vjetër tiranase me origjinë vllehe dhe kur lindi Sandri, familja e tij banonte në një shtëpi të vjetër në rrugën e “Barrikadave”.

    Jovan Prosi, u kujdes që t’u jepte fëmijëve një arsimim sa më të mirë. Kështu Kleanthi, vëllai i madh i Sandrit, u diplomua për stomatologji dhe pas diplomimit ai hapi një klinikë private diku afër “Pazarit të Ri” në Tiranë.

    Pas Kleanthit, po në të njëjtin profesion studio edhe i vëllai tjetër, Aristidhi, por ai nuk pati fatin të jetonte gjatë dhe vdiq në Tiranë në moshën 30 vjeçare, pasi ishte kuruar në një nga klinikat e Zvicrës.

    Vdekjen e Aristidhit, familja e përjetoi dyfish pasi të gjithë ata mbaheshin me të ardhurat e klinikës së Kleanthit dhe Arstidhit.

    Kur Sandri ishte në vitin e fundit të gjimnazit të shtetit në Tiranë, shpesh herë shkonte tek klinika dhe punonte, duke zëvëndësuar vëllain e madh, i cili shkonte në Bukuresht për të takuar të afërmit e familjes së tyre.

    Pasioni i tij, muzika

    Ndonëse fëmijët e Jovan Prosit ishin të dhënë të gjithë pas profesionit të stomatologut, Sandri i vogël bënte dallim nga ata, pasi që kur ishte në bangat e shkollës fillore, shfaqi prirje për muzikën.

    Këtë pasion i’a ushqeu dhe babai i tij, i cili merrte leksione violine nga mjeshtri i madh, Ludovik Naraçi. Sandri studioi disa vite edhe instrumentat e fizarmonikës dhe kitares, madje aty nga fundi i viteve ‘30, ai mori vëndin e parë në një konkurs violine të organizuar nga Ministria e Arsimit e Kulturës së asaj kohe.

    Përveç muzikës, ai ishte i dhënë shumë edhe mbas kinematografisë botërore dhe asokohe ai mbildhte foto të ndryshme revistash të filmave italianë duke i koleksionuar ato.

    Pas mbarimit të gjimnazit në vitin 1938, Sandri mundi të përfitojë një bursë nga qeveria e Zogut, për të studiuar për stomatologji në një nga universitetet e Vjenës. Në kryeqytetin austriak, ai studio për dy vite, dhe më pas atij i’u ndërpre bursa pas pushtimit italian të Shqipërisë.

    Si pasojë e kësaj ai u detyrua që të kthehej në Tiranë, ku herë pas here ndihmonte të vëllanë, Kleanthin në klinikën dentare.

    Më pas ai shkoi në Bari të Italisë, ku disa nga miqtë e tij anti-fashistë që ishin të internuar aty, i thanë që të mos rikthehej në Tiranë, pasi aty kishte shpërthyer lufta.

    “Unë nuk i dëgjova këshillat e miqve të mi, pasi kisha dobësi për nënën time Aspasinë”, kujtonte Sandri lidhur me kthimin e tij në atdhe.

    Prosi e Mima në 1943-in te “Vilhelm Tel”

    Në vitet 1942-43, maturantët e gjimnazit shtetëror të Tiranës, ku midis të cilëve ishte dhe aktori Naim Frashëri, vunë në skenë dramën “Vilhelm Tel”. Për këtë ata kërkuan ndihmën e shokëve të tyre më të rritur, Sandër Prosit dhe Prokop Mimës, të cilët kishin jo më shumë se 3-4 vite që ishin larguar nga shkolla.

    Kjo premierë pati një sukses të padiskutueshëm dhe për këtë patën një meritë të madhe Prosi dhe Mima. Kjo shfaqje do të shënonte edhe fillimin e karrierës së tyre si aktorë të teatrit dhe kinematografisë shqiptare.

    Gjatë viteve të pushtimit të vëndit, 1939-’44, Sandër Prosi nuk u përfshi në asnjë nga forcat politike të asaj kohe, por sipas disa dëshmive, në fund të vitit 1944, ai figuronte në listat e komunistëve për t’u arrestuar, si ish-pjestar i formacioneve të rinisë së organizatës nacionaliste të Ballit Kombëtar.

    Madje sipas disa dëshmive, si p.sh. ajo e bërë publikisht nga Xhemal Alimehmeti, ish-eksponent rinisë nacionaliste të Ballit Kombëtar, diku aty nga fundi i tetorit apo fillimi i nëntorit 1944, Sandër Prosi me gjithë shokun e tij i ngushtë Prokop Mima, u arrestuan nga një njësit partizan dhe u dërguan në malin e Dajtit në afërsi të fshatit Priskë, ku partizanët i kishin improvizuar disa godina të vjetra si burg dhe mbanin aty shumë nga të arrestuarit e atyre ditëve.

    Aty nga mesi i muajit dhjetor, të gjitha të arrestuarit që ishin aty i zbritën në Tiranë dhe i “sistemuan” në dy burgjet që sapo ishin vënë në funksion, por Sandri me Prokop Mimën mundën të liroheshin, pasi përveç pjesëmarrjes së tyre në pjesën “Vilhelm Tel” të organizuar nga rina e Ballit Kombëtar, nga hetimet nuk rezultoi që ata të kishin pasur aktivitet në rradhët e asaj organizate nacionaliste.

    Por kjo ngjarje dhe akuza si “ish-pjesëtar i Rinisë së Ballit Kombëtar”, do ta ndiqte Sandrin dhe mikun e tij të ngushtë, Prokop Mimën, edhe për shumë vite, pasi ata kishte filluar punë si aktor në Teatrin Popullor.

    Në Teatrin Popullor

    Pas mbarimit të Luftës aty nga fillimi i viti 1945, Sandri së bashku me mikun e tij Prokop Mimën, u afruan në korin e Filarmonisë së Shtetit, pasi më parë kishin dhënë “prova”, duke kënduar në korin e Kishës Orthodokse.

    Në korin e Filarmonisë, Sandri qëndroi deri në fundin e vitit 1947, kur u thirr për të luajtur si aktor në Teatrin Popullor. Në atë kohë u ofruan pranë atij teatri edhe aktorët Mihal Popi, Besim Levonja, Loro Kovaçi, Prokop Mima, etj.

    Sandri u aktivizua që në pjesët e para të vëna në skenë nga regjizori Pandi Stillu, ashtu dhe nga rusi Kriçkov. Lidhur me rolet e tij në Teatrin Popullor, Rikard Ljarja, një nga aktorët e mëdhenj të kinematografisë shqiptare, kujtonte:

    “Ndonëse për vetë moshën unë nuk kam pasur nderin që të luaj së bashku me Sandrin, përveç dy-tre roleve në kinematografi, di të them se ai ka qënë një njeri i jashtëzakonshëm. Roli i tij më i spikatur ka qënë ai i Horatios tek “Hamleti”.

    Them kështu, pasi ai ishte një rol i një njeriu të mirë si në dramë ashtu dhe në filma, është tepër e vështirë që të realziosh role si ai i Horatios, mikut të ngushtë të Hamletit.

    Megjithatë loja e Sandrit tek Horatio, ishte virtuoze, gjë që e bëri të shkëlqejë atë me gjithë madhështinë e tij. Sandri kishte dhunti interpretuese tek rolet në filma, të cilat fillonin që nga portreti, fiziku i tij, deri tek gjestikulacionet.

    Ai diti të dallojë shumë mirë filmin nga teatri, të cilat janë dy gjëra krejt të ndryshme, por ai e gjeti veten më së miri në film”, përfundon Ljarja për kolegun e tij. Sipas dëshmive të Rikard Ljarjes, por dhe kolegëve të tjerë të tij, përveç punës së madhe që ai bënte me rolet në studiot e teatrit, Sandri atë gjë e vazhdonte për orë të tëra, edhe në shtëpinë e tij.

    Lidhur me këtë, djali i tij i madh, Aristidhi kujton:”Babai punonte shumë në shtëpi me rolet e tija të Teatrit. Kështu më kujtohet aty nga mesi i viteve ‘60-të, ai ka punuar për afro katër vite për rolin e Otellos.

    Aq shumë ishte i dhënë pas atij roli, saqë edhe unë që isha i vogël, arrita t’i mësoja përmëndësh, pothuaj pjesën më të madhe të monologjeve të asaj drame. Po kështu edhe kur dilnim në xhiro në shëtitoren e Tiranës, ai shpesh përshpëriste me vete rolet e tija.

    Në çdo kohë ai e kishte mëndjen vetëm tek rolet”, kujton i biri, Aristidhi.

    Në filmat e parë

    Pas shumë roleve në dramat e pjesët e tjera që u vunë në skenën e Teatrit Popullor, me krijimin e Kinostudjos “Shqipëria e Re”, kur filluan që të realizoheshin filmat e parë shqiptarë, Sandër Prosi ishte një nga aktorët që u aktivizua me role kryesore në ato filma.

    Kështu Sandri, mori pjesë në filmin “Furtuna” që ishte një bashkëprodhim shqiptaro-rus, e më pas në filmin “Vitet e para” në rolin e një inxhinieri që punonte për tharjen e asaj kënete.

    Pas këtyre filmave me të cilat filloi kinematografia shqiptare, Sandër Prosi vazhdoi të interpretojë një galeri rolesh, ku ndër më kryesoret janë: oficer i Sigurimt të Shtetit te ”Detyrë e Posaçme”, italiani te ”Oshëtimë në Bregdet”, doktor Borova te “I teti në bronx”, Kapedani i bigës, te “Horizonte të hapura”, komunisti te “Debatiku”, babai i Zanës te “Plagë të vjetra”, si dhe role të tjera kryesore te “Mëngjeze Lufte”, “Yjet e netëve të gjata”, “Udha e Shkronjave”, “Shtigje Lufte”, “Fije që priten”, “Përballimi”, “Gjenerali i Ushtrisë së vdekur”, “Nëntori i Dytë”, “Dora e ngrohtë” etj.

    Nga roli i drejtorit të shkollës te filmi “Debatik” që ishte roli i tij i parë në kinematografi, e deri tek ai i fundit te filmi ”Pranverë e Hidhur” në vitin 1985, që Sandri nuk arriti ta përfundojë, ai shënon 29 role nga më të arrirët të kinematografisë shqiptare, të cilat kanë hyrë në fondin e artë të filmit shqiptar.

    Po kështu përveç këtyre, nga viti 1947 e deri në vitet e fundit të karrierrës së tij artistike, Sandër Prosi luajti edhe mbi 100 role në teatrin shqiptar.

    Si jetoi Sandër Prosi?

    Ndonëse Sandër Prosi pati një ngritje të shpejtë si aktor duke u bërë një nga më të njohurit e kinematografisë shqiptare, ai bënte një jetë krejt të thjeshtë.

    Ai së bashku me familjen e tij, nga bashkëshortja Filomena dhe dy djemtë Aristidhi e Adriani (të dy muzikantë) deri në vitin 1976, kanë banuar në një shtëpi të vjetër tiranase, e cila kishte vetëm një dhomë e një guzhinë, te rruga e “Barrikadave”.

    Në vitin 1976, shteti u detyrua që t’i jepte një apartament më të zgjeruar aktorit të madh Sandër Prosi. Në atë shtëpi, Sandri përgatiti pjesën më të madhe të roleve të tija, ku spikati ai i Otellos, për të cilin i’u desh katër vite punë.

    Prosi nuk e kishte kurrë zakon të ankohej për kushtet në të cilat banonte dhe punonte. Ndonëse ishte një nga më të famshmit e kinematografisë shqiptare, nuk kishte televizor në shtëpinë e tij dhe shumë nga filmat e kohës ishte i detyruar që të shkonte për t’i parë tek i vëllai Kleanthi.

    Siç tregojnë kolegët dhe familjarët e tij, Sandër Prosi ishte i mbyllur në vetvete. Lidhur me këtë djali i tij Aristidhi kujton:

    ”Babai bënte një jetë të rregullt familjare. Ai nuk pinte alkol, ndonëse frekuentonte zakonisht barin e “Vollgës” dhe atë të katit të tretë në Pallatin e Kulturës, që ishin dhe dy nga lokalet ku ai shkonte zakonisht me kolegët e tij artist, (nga miqtë më të afërt kishte Prokop Mimën e Naim Frashërin) dhe pinte rreth shtatë-tetë kafe në ditë, të cilat i shoqëronte me tre paketa cigaresh”.

    Pasionet e Sandrit

    Ashtu si gjithë njerëzit e tjerë dhe Sandër Prosi në jetë, kishte hobet e pasionet e tija. Lidhur me këtë, i biri Aristidhi, kujton:”Im atë që nga rinia e tij, kishte një pasion për zogjtë, gardelinat dhe kanerinat.

    Ai i mbante ato nëpër kafaze në shtëpi dhe kujdesej shumë për to. Një herë kur në teatër ju desh një kanarinë, ai mori një nga ato të shtëpisë dhe u bë shumë keq kur atë ia hëngri macja, ngaqë dikush nga kolegët e tij i kishte lënë derën e kafazit të hapur.

    Po kështu babai nuk i’u nda kurrë muzikës, pasionit të parë të tij. Ai mbante në shtëpi një numër të madh disqesh gramafoni me muzikë klasike dhe operistike, ku më shpesh kishte dëshirë të dëgjonte simfoninë pastorale të katërt të Bethovenit.

    Një pasion të madh kishte dhe për librat, ndonëse për vetë natyrën e punës së tij, nuk kishte shumë kohë të lexonte. Përsa i përket kinematografisë botërore, im atë kishte idhull, aktorin e madh francez Zhan Gaben, ndonëse nuk mbante foto të tija në shtëpi, për vetë rrethanat e asaj kohe.

    Sa herë kishte shfaqe, na merrte me vete e pas mbarrimit të saj, ne e prisnim aty përpara ish monumentit të Stalinit.

    Babai nuk e kishte kurrë për zakon që të shante njeri, e aq më pak kolegët e tij. Aktori i madh Sulejman Pitarka thonte shpesh:

    “Unë nuk kam lënë njeri në teatër pa bërë fjalë, por me të vetmin që nuk u fjalosa kurrë, ishte Sandër Prosi dhe kjo jo për meritën time”.

    Vdekja aksidentale

    Aktori i madh Sandër Prosi, vdiq krejt papritur në moshën 65 vjeçare, kur ishte në kulmin e energjive të tij krijuese. Ka qenë viti 1985 kur ai ishte caktuar që të lunate një rol tek filmi “Pranverë e hidhur”, të autorëve Luan Rama e Muharrem Fejzo.

    Skenat e xhirimit të atij filmi, ishin vendosur në ambientet e plazhit të Durrësit, në hotelet e të cilit ishte akomoduar dhe trupat e aktorëve. Paraditen e 24 marsit, teksa Sandri po dilte nxitimthi nga dhoma e tij e hotel “Adriatikut” ku po studionte skenarin, humbi jetën në mënyrë tragjike.

    Të nesërmen e asaj dite, në një nga sallat e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë, pranë arkivolit me trupin e tij u bënë homazhe nga kolegët, miqtë, shokët dhe qindra banorë të Tiranës, të cilët e përcollën aktorin e madh për në banesën e tij të fundit.

    Për kontributin e tij të madh në zhvillimin e artit tonë skenik e kinematografik ai është nderuar me titullin e lartë “Artist i Popullit”, me çmime të Republikës dhe urdhra e medalje të tjera.

    Në 25-vjetorin e vdekjes së tij, aktori i madh Sandër Prosi, u dekorua nga Presidenti i Republikës, me Urdhrin “Nderi i Kombit”, ndërsa në 24 shkurt të vitit 2017, ai u nderua me urdhërin “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”, pas vdekjes./memorie.al

  • ​“Sa do të zgjasin bombardimet, çka mund të dalë gjatë rrugës”, kujtime nga selia e NATO-s

    ​“Sa do të zgjasin bombardimet, çka mund të dalë gjatë rrugës”, kujtime nga selia e NATO-s

    “Sa do të zgjaste, cila do të jetë siguria e popullit në Kosovë, çka mund të dalë gjatë rrugës…”. Këto ishin mendimet që i silleshin në kokë atij që mbante pozitën e zëdhënësit të NATO-s, në kohën kur aleanca më e madhe ushtarake vendosi të bombardojë caqet serbe.

    “Të përfshihesh në një luftë është kohë ankthi për të gjithë”, kujton sot në një intervistë për KosovaPress, Jamie Shea, i cili thotë se ndjenja kryesore më 1999 ishte se “nuk ka alternativë”.

    Organizata e Traktatit të Atlantikut Verior (NATO) vendosi të intervenoi në Kosovë me qëllim që të ndalë terrorin që po shkaktohej nga forcat serbe, në luftën e viteve 1998/99.

    NATO-ja po ndërmerrte operacionin e dytë më të madh luftarak – pas atij në Bosnje e Hercegovinë më 1995.

    Aleanca, për herë të parë po vepronte me forcë ushtarake pa miratimin e shprehur të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

    Jamie Shea, zëri i NATO-s gjatë kohës së bombardimeve, kthehet në kohë dhe kujton se ajo kohë ishte shqetësuese për të gjithë.

    Por, a ishte vendimi i duhur sipas tij?

    “Ishte një moment që të bënte të mendoheshe. Sa do të zgjaste? A do të ishte e suksesshme NATO? Po, strategjikisht, por sa javë? Çfarë mund të kishte në terren në ndërkohë? Cila do të ishte siguria e popullit të Kosovës? Këto ishin të gjitha gjëra shumë shqetësuese. Të përfshihesh në një luftë është një kohë ankthi për të gjithë. Por nga ana tjetër, ndjenja ime kryesore ishte se nuk kishte alternativë. NATO kishte investuar shumë në besueshmërinë e saj për të qenë e gatshme të përdorë forcën nëse kishte një arsye të mirë dhe ishte absolutisht e nevojshme. Aleatët ishin të bashkuar sepse, sigurisht, ai vendim duhej të merrej me konsensus. Dhe për dikë si unë që kam jetuar, e dini, përmes viteve të tmerrshme të Bosnje e Hercegovinës, siç e përmenda, e dini, me masakrën e Srebrenicës, me vonesën e punës, me hezitimin, me mandatet kontradiktore, kurrë duke përdorur forcën në mënyrë vendimtare, gjëja kryesore mbi të gjitha ishte të mos kemi atë përvojë të frikshme të dekurajimit përsëri. Dhe këtë herë, për të marrë një veprim vendimtar në emër të të drejtave të njeriut. Dhe mendoj se ishte një nga vendimet më të mira që ka marrë NATO-ja. Dhe mendoj se Kosova sot e vërteton plotësisht që ai ishte vendimi i duhur për t’u marrë”, thotë ish-zëdhënësi i NATO-s.

    Bombardimet e NATO-s, të filluara më 24 mars 1999, zgjatën 78 ditë – deri në Marrëveshjen e Kumanovës.

    Kjo marrëveshje shënoi kapitullimin e Serbisë duke bërë që forcat e saj të largohen nga Kosova.

    Marrëveshja e atëhershme ishte negociuar në mes të KFOR-it dhe zyrtarëve ushtarakë të ish-jugosllavisë.

    Kjo edhe e solli vendimin që në Kosovën e shkatërruar nga lufta të zbarkojë një forcë paqëruajtëse ndërkombëtare. Sigurisht, e udhëhequr nga NATO-ja.

    Për ish-zëdhënësin e NATO-s, i cili kishte qëndruar në Kosovë në qershor të vitit 1999, Kosova sot ka përparuar goxha.

    “Dhe kur jam në Prishtinë, jo aq shpesh sa do të doja, e dini, a shoh përparim? Absolutisht. Rrugë të reja, hotele të reja, ndërtesa të reja, zyra qeveritare, njerëzit duken më mirë, njerëzit sigurisht janë veshur shumë më mirë. Ata nuk janë miliarderë, por sigurisht duken më të pasur se njerëzit e traumatizuar që zbulova kur vizitova Prishtinën në qershor 1999. Menjëherë pas fushatës ajrore, ka një popullatë të re shumë të gjallë, ka institucione arsimore kudo, vërtet është një ndjenjë e një kulture të shoqërisë e cila është, në lëvizje, dinamike, ka probleme, por po shikon përpara. Pra, po, unë shoh përparim”, thotë Shea./KP

  • ​Dita kur u dogj Çarshia e vjetër e Gjakovës

    ​Dita kur u dogj Çarshia e vjetër e Gjakovës

    Sot mbushen 26 vjet nga mbrëmja e llahtarshme e 24 marsit 1999, të cilën qytetarët e Gjakovës e mbajnë mend si natën më të gjatë dhe më të tmerrshme të shfrenimit të pushtetit serb ndaj popullsisë civile në shenjë hakmarrjeje për fillimin e bombardimeve të NATO-s ndaj caqeve serbe.

    Atë natë u ndez flakë e tërë Çarshia e vjetër e Gjakovës si dhe u vranë në mënyrën më mizore dhjetëra civilë të pafajshëm. Bashkë me bombardimet, për 78 ditë me radhë, si në gjithë Kosovën edhe në Gjakovë vazhduan vrasjet, dhunimet, djegiet dhe dëbimet masive të popullsisë shqiptare, raporton KosovaPress.

    Në Çarshinë e vjetër të Gjakovës, që prej themelimit, ushtroheshin dhjetëra zeje të ndryshme, duke filluar nga armëtarët, argjendarët, kazangjinjtë, lëkurëpunuesit, rrobaqepësit, zhgunaxhinjtë, qëndistarët, zdrukthëtarët, kazazët, qeleshepunuesit, gërçakxhinjtë, saraçët, opingaxhinjtë, çergaxhinjtë e çibukxhinjtë.

    Ekspertët kanë vlerësuar se Çarshia e Madhe, siç njihet ndryshe, paraqet njërin nga komplekset monumentale më të mëdha jo vetëm në Kosovë, por edhe jashtë saj. Ajo ishte një qendër e rëndësishme pazari, zanatit, por edhe një kompleks i madh kulturor, historik e fetar në mbarë vendin.

    Shtrija e saj nga veriu në jug arrin në 1000 m, ndërsa sipërfaqja e gjithmbarshme e saj është 34.000 metra katrorë. Ajo ishte vatër e zhvillimit ekonomiko-shoqëror dhe kulturor të rajonit të Gjakovës. Në të u zhvilluan të gjitha zejet e mundshme.

    Më 1999 u dogj me të gjitha përmendoret kulturore historike në të, por u rindërtua pas luftës falë ndihmës së organizatave ndërkombëtare, raporton KosovaPress.

  • ​Shqipëria kërkon pikët e para, sonte e pret Andorën në Tiranë

    ​Shqipëria kërkon pikët e para, sonte e pret Andorën në Tiranë

    Kombëtarja e Shqipërisë është gati për ndeshjen e dytë në Grupin K ndaj Andorrës, e vlefshme për kualifikueset e Kupës së Botës 2026.

    Kuqezinjtë mbyllën përgatitjet ditën e djeshme në stadiumin “Arena Kombëtare”. Të gjithë lojtarët u stërvitën normalisht dhe do të jenë në dispozicion të trajnerit Silvinjo për ndeshjen ndaj Andorrës, sjkruan KosovaPress.

    Takimi Shqipëri – Andorra do të luhet në “Arenën Kombëtare”, në Tiranë, në orën 20:45.

    Ndeshjen e parë në kuadër të këtij grupi Shqipëria e humbi në ballafaqim me Anglinë në “Wembley” me rezultat 2-0, andaj sonte kërkohet vetëm fitorja dhe tri pikët e para.

  • Vjosa Osmani: 24 Marsi, dita kur liria mori krahë!

    Vjosa Osmani: 24 Marsi, dita kur liria mori krahë!

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka theksuar se 24 marsi është dita kur liria mori krahë dhe bota demokratike nuk heshti.

    Ajo theksoi se kjo ditë shënon momentin kur aleatët e NATO-s u ngritën për të mbrojtur një popull që po luftonte për ekzistencë, i rrezikuar nga regjimi gjenocidal i Serbisë.

    “Ishte dita kur ndaj errësirës triumfoi drita e shpresës,” u shpreh Osmani, duke shtuar se nga flaka e sakrificës dhe lufta çlirimtare lindi Kosova e lirë.

    26 vjet më pas, Kosova ecën krenare, sovrane dhe e palëkundur drejt të ardhmes më të ndritur.

    “Lavdi të gjithë të rënëve për liri! Falënderim aleatëve që ndihmuan kauzën tonë për një Kosovë shtet të lirë, të pavarur e sovran!” – përfundoi Osmani.