ATV

Author: ATVLive

  • ​26 vjet nga Beteja në Kotlinë

    ​26 vjet nga Beteja në Kotlinë

    OVL e UÇK-së në Kaçanik sot shënon 26-vjetorin e betejës së 24 marsit 1999, e zhvilluar në Kotlinë të Kaçanikut.

    Gjatë kësaj dite do të përkujtohet rënia heroike e dëshmorëve Ismail Kuqi, Sali Vlashi, Nexhadi Kuqi, Xhemajl Kuqi, Neshat Rexha, Sabit Loku, Sabri Loku, Mahi Loku, Cen Loku, Adnan Loku, Izjah Loku raporton KosovaPress.

    Po ashtu, edhe e martirëve Garip Loku, Naser Loku, Vesel Vlashi, Idriz Kuqi, Zymer Loku, Minah Kuqi, Sherif Kuqi, Beram Loku, Agim Loku, Ismajl Loku, Ismet Loku, Danush Kuqi, Ibush Loku, Naser Loku.

  • ​Shënohet 27-vjetori i Epopesë së Dukagjinit

    ​Shënohet 27-vjetori i Epopesë së Dukagjinit

    Sot mbushen 27 vjet nga zhvillimi i betejës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Gllogjan – Epopeja e Dukagjinit.

    Gjatë ditës së sotme do të ketë disa aktivitete, e cila njihet edhe si Dita e Dëshmorëve të Dukagjinit, raporton KP.

    Aktivitetet e shënimit të Epopesë së Dukagjinit janë organizuar nga Komuna e Deçanit dhe kanë filluar më 21 mars, ndërsa sot mbahen homazhe në Kompleksin Memorial “Dëshmorët e Kombit” në Gllogjan, nga ora 11:00-12:00 dhe një program artistik te Kulla e Haradinajt nga ora 13:00.

    Më 24 mars 1998, në Gllogjan është zhvilluar beteja frontale nga Forcat e UÇK-së dhe forcave të armikut, të cilat e kishin rrethuar Gllogjanin, ndërsa synim kishin shtëpinë e familjes Haradinaj, ku hasën në rezistencë të fuqishme. Në këtë ditë ranë dëshmorë Him Haradinaj, Gazmend e Agron Mehmetaj.

  • ​26 vjet nga rënia e dëshmorit të kombit Bedri Ahmeti-Bedi

    ​26 vjet nga rënia e dëshmorit të kombit Bedri Ahmeti-Bedi

    Sot mbushen 26 vjet nga rënia heroike e dëshmorit dhe heroit të kombit Bedri Ahmeti-Bedi nga Llapashtica e Podujevës.

    Bedri Ahmeti-Bedi kishte ardhur nga Gjermania në Kosovë në vitin 1998 ku si pjesëtar i UÇK-së mori pjesë në shumë luftëra në Dukagjin, Drenicë, Llap etj.

    Ka qenë luftëtar i madh dhe komandant me pseudonimin Bedi. Ka rënë dëshmor, duke luftuar, më 24 mars 1999.

    Bedriu aktivitetin e tij para pjesëmarrjes në UÇK e ka zhvilluar në diasporë. Me fillimin e luftës në Kosovë, ai kthehet nga mërgimi dhe radhitet në radhët e UÇK-së.

    Bedri Ahmeti-Bedi do të përkujtohet përgjithmonë në historinë shqiptare si hero i Kosovës bashkë me Isë Havollin dhe të gjithë dëshmorët e tjerë të kombit shqiptar që kanë dhënë jetën në mbrojtje të atdheut. /kp

  • ​26 vjet nga fillimi i sulmeve të NATO-s ndaj caqeve serbe

    ​26 vjet nga fillimi i sulmeve të NATO-s ndaj caqeve serbe

    Sot mbushen 26 vjet nga fillimi i sulmeve ajrore të NATO-s kundër caqeve ushtarake-policore të Serbisë dhe Malit të Zi.

    Sulmet kishin filluar në orën 19:45, kur aeroplanët e NATO-s lëshuan bombat e para kundër pozicioneve strategjike të ushtrisë së ish Jugosllavisë, siç quheshin dy republikat e ish federatës jugosllave, Serbia dhe Mali i Zi, shkruan KP.

    Urdhrin për fillimin e fushatës bombarduese e kishte dhënë Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bill Clinton. Ai atë natë mbajti para popullit amerikan fjalimin historik, duke lajmëruar se i kishte urdhëruar Aleancën Atlantike të fillonte operacionin ushtarak, si mundësi e vetme e përfundimit të luftimeve në Kosovë.

    “Ne dhe Aleanca e NATO-s kemi bërë të gjitha përpjekjet, me qëllim që të arrinim një zgjidhje paqësore të konfliktit në Kosovë. Por presidenti Millosheviq, i cili në të kaluarën e afërt shkaktoi luftëra të tmerrshme në Kroaci e në Bosnjë, ka vendosur në favor të agresionit në vend se të paqes”, kishte thënë Clinton.

    Sulmet ajrore kundër forcave serbe e malazeze vazhduan deri më 9 qershor, kur u arrit Marrëveshja e Kumanovës, e cila ndryshe njihet edhe si kapitullimi i kriminelit Millosheviq dhe më 11 qershor forcat e armikut fillojnë ta lëshojnë territorin e Kosovës.

    Kjo është ndërhyrja e parë ushtarake e NATO-s që nga formimi i saj, e cila njihet edhe si ndërhyrja historike.

  • ​26 vjet nga vrasja e Bajram Kelmendit

    ​26 vjet nga vrasja e Bajram Kelmendit

    Sot mbushen 26 vjet nga vrasja e avokatit të shquar shqiptar Bajram Kelmendi, dhe dy djemve të tij, Kastriotit dhe Kushtrimit.

    Avokati Kelmendi së bashku me dy djemtë e tij ishin marrë nga forcat serbe më 24 mars, ditën që NATO nisi bombardimet në Kosovë ndaj caqeve serbe, raporton KosovaPress.

    Lajmin për vendndodhjen e kufomave të tyre, Nekibe Kelmendi, tashmë e ndjerë, e kishte marrë më 26 mars.

    Kufomat ishin gjendur afër një distributori gazi në rrugën Prishtinë-Fushë Kosovë.

    Kelmendi, si avokat, kishte proceduar një dosje për krimet e regjimit të Millosheviqit në Kosovë, të cilën do ta dorëzonte në Hagë.

    Kelmendi ishte edhe aktiviste në Këshillin për Mbrojtjen e të Drejtave e Lirive të Njeriut.

  • ​26 vjet pa poetin Latif Berisha

    ​26 vjet pa poetin Latif Berisha

    Kur lufta për çlirimin e Kosovës mori hov të madh, më 24 mars 1999, në natën e parë të bombardimeve të forcave të NATO-s mbi caqet serbe, në Mitrovicë, kriminelët serbë e vranë profesor Latif Berishën, në pragun e shtëpisë së tij.

    Latif Berisha ishte aktivist në lëvizjen gjithëshqiptare të Kosovës dhe ish-kryetar i LDK-së në Mitrovicë. Ai u lind më 18 qershor 1931 në Smrekonicë të Vushtrrisë. Mësimet fillore i kreu në vendlindje, ndërsa ato të mesme në Vushtrri e Prishtinë. Fillimisht më 1949, punoi mësues në shkollën fillore në Pantinë, raporton KosovaPress.

    Këtu filloi të shkruajë poezi e disa prej tyre edhe t’i botojë në revistën letrare “Jeta e Re”. Në vitin 1951 punoi si inspektor në Sekretariatin për Arsim Kulturë dhe Shëndetësi dhe në ato vite kishte qenë edhe anëtar i Kryesisë së Shoqatës së Arsimtarëve.

    Më 1954, Latif Berisha punoi mësimdhënës i Gjuhës dhe letërsisë shqipe në Gjimnazin e ulët të Vushtrrisë, ndërsa më 1955 regjistrohet student i rregullt i Albanologjisë në Fakultetin Filozofik në Beograd. Gjatë kohës së studimeve, më 1957 boti përmbledhjen e poezive “Tufa”.

    Aktiviteti i tij u dallua edhe në formimin e Shoqërisë letrare “Përpjekja” të studentëve shqiptarë që studionin në Universitetin e Beogradit. Në qershor 1959, diplomoi në degën e Albanologjisë dhe pastaj punoi mësimdhënës në Gjimnazin e Mitrovicës “Silvira Tomazini”.

    Më 1963, Latif Berisha i vazhdoi studimet pasuniversitare, Drejtimi i Letërsisë, në Fakultetin Filologjik të Beogradit dhe punoi temën e magjistraturës “Skënderbeu në letërsinë e shkruar shqipe”.

    Më 1965, u zgjodh asistent në Degën e Albanologjisë në Fakultetin Filozofik të Prishtinës, ndërsa më 1968 u zgjodh ligjërues i Historisë së letërsisë shqipe (Romantizmi).

    Që nga viti 1984, punoi në projektin “Skënderbeu në letërsinë shqipe”, të cilin nuk e mbaroi. Në vitin 1991, si dhe shumë mësimdhënës të tjerë, edhe Latif Berishën, regjimi serb e largoi nga puna.

    Gjatë viteve ’90, Latif Berisha u angazhua në lëvizjen e intelektualëve dhe të popullit shqiptar për mbrojtjen e çështjes kombëtare. Ka qenë anëtar i Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe kryetar i Degës së LDK-së në Mitrovicë. U angazhua posaçërisht si udhëheqës në sektorin e kulturës, si dhe ishte i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës.

    Latif Berisha ka botuar vëllimin me poezi “Tufa”(1957), studimet e vështrimet: Ali Asllani dhe krijimtaria e tij poetike”(1963), Skënderbeu në poemën “Kënga e sprasme e Balës” (1968), Skënderbeu në disa krijime të letërsisë shqipe në Jugosllavi (1968), vepra “Lulet e Verës” dhe disa nga dimensionet e saj kuptimore (1972), poema “Bagëti e Bujqësi” (vlera ideoartistike) (1972), Hil Mosi dhe krijimtaria e tij poetike (1972), Andria Kaçiq Mioshiq dhe shqiptarët (1974), Një tufëz vjershash autografe të Zef Serembes (1974) etj.

    Në vitin 2004, ish-presidenti Ibrahim Rugova e dekoroi Latif Berishën me Medaljen e Artë të Pavarësisë, për kontributin e dhënë për liri dhe pavarësi.

  • ​Parashikimi i motit për sot

    ​Parashikimi i motit për sot

    Moti gjatë kësaj jave do të jetë me reshje të konsiderueshme dhe me përmirësim të kushteve agrometeorologjike.

    Pas një periudhe të gjatë pa reshje, instituti njofton se kjo javë pritet të sjellë një përmirësim të dukshëm të deficitit të reshjeve që ka vazhduar që nga muaji shkurt, raporton KosovaPress.

    “Reshjet do të jenë të konsiderueshme, kryesisht në formë shiu në viset e ulëta, ndërsa në zonat malore pritet që reshjet të shoqërohen edhe me borë. Kushtet biometeorologjike dhe agrometeorologjike do të jenë në përmirësim gradual. Megjithatë, në disa zona me infrastrukturë të dobët ekziston mundësia për vërshime të shpejta për shkak të intensitetit të reshjeve”, thuhet në njoftim.

    Derisa moti të hënën do të jetë i vranët dhe me intervale me diell.

    “Vranësirat vende-vende mund te sjellin riga te dobëta shiu. Temperaturat minimale do të lëvizin nga 3C deri në 6°C, ndërsa ato maksimale nga 16°C deri në 19°C. Do të fryjë erë nga juglindja me shpejtësi 1-4 m/s”, thuhet në njoftim.

  • Mësohen kundërshtarët e mundshëm të Kosovës në Ligën B të Nations League

    Mësohen kundërshtarët e mundshëm të Kosovës në Ligën B të Nations League

    Kombëtarja e Kosovës për herë të parë do të luajë në Ligën B të UEFA Nations League, pasi në fazën e play-offit e mposhti në dy ndeshje Islandën.

    Pas përfundimit të ndeshjes, janë mësuar menjëherë edhe kundërshtarët e mundshëm të Kosovës.

    “Dardanët” pritet të jenë të vazon e katërt, ku i “ikë” shteteve, si: Suedisë, Irlandës së Veriut dhe Maqedonisë së Veriut.

    Kështu kundërshtarët e mundëshëm të Kosovës nga vazo 1, 2 dhe 3, janë: Skocia, Hungaria, Polonia, Izreali, Sllovenia, Gjeorgjia, Republika e Irlandës, Rumania, Austria, Ukraina dhe Zvicra.

  • Vrasja e 19-vjeçarit në Vushtrri: Krejt çka dihet deri më tash

    Vrasja e 19-vjeçarit në Vushtrri: Krejt çka dihet deri më tash

    Vushtrria dhe gjithë Kosova janë tronditur mbrëmjen e kaluar.

    Atje, një 19-vjeçar u qëllua me armë zjarri për vdekje në afërsi të qendrës së qytetit.

    Arsyet, rrethanat dhe detaje të tjera për ngjarjen, ende nuk dihen.

    Vitima është me inicialet A.Z, i cili u qëllua me armë zjarri.

    Rastin e konfirmoi mbrëmë Policia e Kosovës.

    “Rreth orës 20:35 policia ka pranuar informatën për të shtëna nga arma e zjarrit, ngjarja ka ndodhur në rrugën “Galip Badivuku” në Vushtrri. Nga hetimet fillestare bëhet e ditur se si pasojë e plagëve të pësuara nga arma e zjarrit ka humbur jetën viktima mashkull/ kosovar rreth 19 vjeçar”, ka deklaruar mbrëmë për zëdhënësi i Policisë për rajonin e Mitrovicës, Avni Zahiti.

    Pak kohë pas vrasjes, Policia arrestoi të dyshuarin, gjithashtu 19-vjeçar, me inicialet B.D.

    “Nga hetimet e kryera në vendin e ngjarjes dhe ekzaminimet e kryera, hetuesit policor si prova materiale kanë gjetur dhe sekuestruar tri (3)gëzhoja. Hetuesit policorë kanë identifikuar dhe arrestuar të dyshuarin B. D., 19 vjeçar nga i cili është konfiskuar një armë pistoletë që dyshohet të jetë përdorur nga i dyshuari në kryerjen e veprës penale. Në shtëpinë e të dyshuarit është realizuar bastisje ku është gjetur dhe konfiskuar edhe një armë e gjatë me pesë (5) fishek.”, ka deklaruar Zahiti.

    I dyshuari, tashmë është ndaluar me urdhër të Prokurorit.

    “Me aktvendin të prokurorit të dyshuarit i është caktuar masa e ndalimit policor. Rrjedha hetimore është duke vazhduar në koordinim me prokurorin e rastit për zbardhjen e plotë të të gjitha rrethanave që ndërlidhen me rastin e veprës penale vrasje e rëndë”, thuhet në përgjigje.

    Policia dhe Prokuroria janë duke vazhduar me grumbullimin e informatave për të zbardhur të gjitha detajet e këtij rasti.

    Kjo vrasja ka shkaktuar edhe reagime në opinionin publik, lidhur me problemet dhe tensionet mes adoleshentëve, të cilat po përfundojnë me vrasje.

  • “Nën 10 mijë euro nuk e kisha prekur klientin” – Stilisti Kaci Lleshi flet pa doreza për vlerën e punës së tij

    “Nën 10 mijë euro nuk e kisha prekur klientin” – Stilisti Kaci Lleshi flet pa doreza për vlerën e punës së tij

    Në emisionin THE ELITE WAY në ATV, stilisti i njohur Kaci Lleshi bëri një deklaratë të guximshme që ngjalli reagime. Ai foli hapur për çmimet në industrinë e bukurisë dhe theksoi se vlerëson jashtëzakonisht shumë punën dhe kreativitetin që sjell në çdo frizurë.

    Sipas tij, puna e një artisti duhet të vlerësohet jo vetëm me fjalë, por edhe me çmim të denjë për atë që ofron.

    “Është bërë e tepërt kjo puna e çmimeve, unë e vlerësoj veten shumë më shumë se ato çmime. Derisa çdo frizurë timen nesër e shoh te çdo frizer, na bëjnë edhe ‘tag’, kështu që ato çmime është pak marre edhe me i diskutu. Më dhimbset vetja me e kap krahërin për 10 mijë euro. Kështu që ai çmim nuk bën as të flitet. Nën 10 mijë euro nuk kisha bërë frizurë, nuk e kisha prek as klientin. Vetëm jam ku jam – në Kosovë – e dua vendin tim, e dua popullin tim. Ai çmim për mua, 400 euro hiç nuk e vlerësoj, si çmim, nëse e shikoj me e vlerësu veten,” tha ai.

    Për më shumë, shikoni intervistën e tij në videon më poshtë: