ATV

Author: ATVLive

  • Shënohet Dita ndërkombëtare e pyjeve

    Shënohet Dita ndërkombëtare e pyjeve

    Të premten në Parkun e Pishave në Sllatinë, u shënua Dita Ndërkombëtare e Pyjeve, duke u vënë në pah rëndësia e pyjeve jo vetëm për drurin dhe lëndën djegëse, por edhe për sigurinë ushqimore, pjellorinë e tokës, ruajtjen e biodiversitetit dhe mbrojtjen e burimeve ujore. Gjithashtu, u theksua se pyjet luajnë një rol kyç në përballjen me ndryshimet klimatike përmes ruajtjes së karbonit.

    Ngjarja mblodhi përfaqësues nga FAO – ekipi në Kosovë, Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural dhe aktorë të tjerë lokalë, përfshirë sipërmarrës, sportistë dhe figura publike.

    Ngjarja u shënua në formë bashkëbisedimi mes të ftuarish të përballur me pyjet dhe aspektet shumë qellimore të pyjeve duke e theksuar rolin e tyre në jetën tonë si ushqim dhe ekonmi. Mes të ftuarisht ishte dhe Ministri i Bujqësisë, i Pylltarisë dhe i Zhvillimit Rural, Faton Peci, i cili tha se sektori i pyjeve në katër vitet e fundit ka shënuar përparim të dukshëm.

    “Për një periudhë 12 vjeçare menaxhimi i pyjeve, posaçërisht parandalimi i prerjes së pyjeve ka qenë përgjegjësi prej nivelit qendror në atë lokal, mirëpo sikur komunat nuk e kanë pasur prioritet mbrojtjen e pyjeve, tha Peci duke shtuar se prej që ka hyrë ligji në fuqi, menaxhimi është pjesë e institucioneve qendrore. Përveç strategjisë, planeve të veprimit e task-forcës për parandalimin e prerjeve ilegale, sektori i pyjeve duhet parë edhe në aspektin e fushëveprimtarisë dhe ndikimit që e ka. Mbi 40 për qind e territorit në Kosovë është me pyje dhe kjo është një
    pasuri dhe trashëgimi, të cilën unë e them se jemi vetëm shfrytëzues të përkohshëm, andaj historia do të na gjykojë se si do t’ia lëmë brezit të ardhshëm”, ka thënë Peci, ndër të tjera.

    Në kuadër të bashkëbisedimit për rëndësinë e kësaj dite, u dhanë mesazhe të shumta për ruajtjen e pyjeve dhe mjedisit në përgjithësi.

    Naser Krasniqi, udhëheqës vendor i FAO-së, mes tjerash tha se “ duhet të të investojmë më shumë në edukim, aspekt që po mungon shumë dhei cili është shumë i nevojshëm. Krasniqi mes tjerash tha se investimi në edukim është mëse i nevojshëm dhe kërkon urgjencë sepse nëse vazhdon kështu rrezikohet që këto resurse të shkatërrohen më shumë.

    Mesazhe dhanë edhe pjesëmarrësit tjerë në bashkëbisedim, përfshirë udhëheqësen e WWF në Kosovë Krenare Salihun , e cila tha se sensibilizimi për pyjet të mos bëhet vetëm më 21 Mars por gjatë gjithë vitit. Nga ana tjetër moderatori Resul Sinani, I cili njihet për ecjet e tij nëpër natyrë dhe bjeshkë Brenda dhe jashtë vendit në mesazhin për ditën e pyjeve tha se duhet të investohet më shumë në infrastrukturë duke thënë që shteti duhet t’i kushtojë shumë vëmendje zhvillimit të turizmit malor, si një prej sektorëve me shumë potencial.

    Duke qenë se Kosova është e rrethuar me pyje, gjatë këtij bashkëbisedimi u theksua aspekti ekonomik dhe turistik që mund të promovojë vendi ynë, dhe në këtë aspekt e dha porosinë edhe ndërmarrësi Fehmi Ferati, duke theksuar se duhet që t’i jepet më shumë rëndësi dhe vëmendje zhvillimit të agroturizmit dhe prodhimeve vendore. Në këtë ditë të veçantë ishte edhe ylli i basketbollit Drilon Hajrizi, ku foli për rëndësinë e të ushqyerit me ushqime të shëndetshme me bazë pyjore dhe që në Kosovë mund të bëhet një qendër për përgatitjet sportive në natyrë.

    Ky aktivitet u moderua nga gazetarja Behare Bajraktari, duke mbledhur dhe gërshetuar lidhjet midis pyjeve, ushqimit dhe zhvillimit të qëndrueshëm si dhe duke nxitur bashkëpunimin ndërsektorial për të mbrojtur pyjet për gjeneratat e ardhshme.

    Në kuadër të shënimit të kësaj dite, u prezantuan edhe produkte ushqimore të bazuara në pyje, të përgatitura nga shoqatat e grave. Këto produkte dëshmuan potencialin e madh të pyjeve për të kontribuar në sigurinë ushqimore dhe fuqizimin ekonomik të grave, duke krijuar mundësi të qëndrueshme të jetesës përmes përdorimit të burimeve pyjore.

    Dita e pyjeve u shënua në kuadër të programit “Mbështetje për fuqizimin e menaxhimit të qëndrueshëm dhe shumëqëllimor të pyjeve për të përmirësuar jetesën në vendet rurale dhe për të adresuar ndryshimin klimatik në Kosovë” financuar nga Bashkimi Evropian dhe Suedia dhe zbatuar nga Organizata për Ushqim dhe Bujqësi e Kombeve të Bashkuara – FAO. Aktiviteti u organizua në bashkëpunim me OJQ BB Green Kosova dhe kishte në fokus temën e vitit 2025, “Pyjet dhe Ushqimi.”

  • Fillon dëshminë Naim Maloku në gjykimin ndaj ish-krerëve të UÇK-së

    Fillon dëshminë Naim Maloku në gjykimin ndaj ish-krerëve të UÇK-së

    Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë ka filluar dëshminë dëshmitari i 124-të i Prokurorisë, Naim Maloku në gjykimin ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

    Pyetjet për këtë dëshmitar i ka filluar prokurori James Pace, i cili tha se dëshmitari do të flasë lidhur me rolin që ka pasur ai në UÇK, raporton “Betimi për Drejtësi“.

    “Dëshmitari W04403 është shqiptar i Kosovës që ka pasur role të ndryshme në UÇK në vendndodhje të ndryshme duke përfshirë edhe Dukagjinin. Dëshmitari W04403 ka qenë anëtar i Drejtorisë Operative të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së. W04403 do të japë dëshmi lidhur me rolin dhe përgjegjësitë që ka pasur ai në UÇK, takimet që ka marrë ai në ’98-ën dhe ’99-ën, strukturën dhe organizimin e njësiteve të UÇK-së dhe kontaktin që ka pasur me anëtarët e UÇK-së”, tha Pace.

    Ndryshe, sipas kryetarit të trupit gjykues Charles Smith III, dëshmia e këtij dëshmitari pritet të zgjasë rreth dy ditë. Nga kjo kohë, ZPS-ja ka parashtruar se i duhen katër orë ndërsa ekipet e mbrojtjes të gjitha së bashku kanë parashtruar se iu duhen rreth dhjetë orë për kundërpyetje.

    Në prova materiale, u pranuan të gjitha deklaratat e dëshmitarit të dhëna për ZPS-në së bashku me materialet përcjellëse pasi që nuk pati kundërshtime nga ana e mbrojtjes.

    Ndryshe, ZPS-ja njoftoi se këtë javë pritet të vijë edhe një dëshmitar tjetër, e po ashtu për të martën e javës së ardhshme është planifikuar një dëshmitar.

  • ​Hardinaj: Aleancën me ShBA-në duhet ta ruajmë si sytë e ballit

    ​Hardinaj: Aleancën me ShBA-në duhet ta ruajmë si sytë e ballit

    Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës(AAK), Ramush Haradinaj, ka thënë se aleancën me Shtetet e Bashkuara të Amerikës duhet ta ruajnë si sytë e ballit.

    Haradinaj në 27 vjetorin e Epopesë së Dukagjinit, tha se nuk do të amnistohen ata që dobësojnë aleancën me ShBA-në dhe NATO-n, derisa tha se të njëjtit që e bëjnë një gjë të tillë “nuk janë tanët”, raporton KosovaPress.

    Sipas tij, kush vetë-lavdërohet dhe harron ndihmën e ShBA-së “nuk është me këtë popull dhe këtë vend”.

    “Ditë më të mirë dhe më të madhe shqiptarët nuk kanë përjetuar në historinë e vet, sesa 24 mars 1999. Në atë kohë NATO e prirë nga Amerika hyni në luftë dhe sulmoi armikun tonë, forcat e Millosheviqit, duke bombarduar atë në vend luftime që neve na krijoi epërsi por edhe në Beograd. Kjo është e vërteta e historisë sonë. Na ka pa zoti atë ditë se pa atë ditë do të kishim vështirë me mbërri këtë që e gëzojmë sot. Këtë s’po e thotë dikush që e ka pa nga larg luftën, por dikush që asnjë ditë të luftës se ka lëshu vend luftimin. Ka pa njerëz t’u luftu dhe duke rënë dëshmorë. Unë e di sa trima jemi ne shqiptarët, kam qëndru me trimat, por është mallkim nëse ne vet lavdërohem e harrojmë ndihmën e Amerikës, atyre që na kanë dhënë kur jeta jonë ka qenë rrezik. Është mallkim me ia rreh krahët njëri-tjetrit me thënë se s’kemi nevojë për askënd se ne vet e ruajmë vetën dhe lirinë, kufirin dhe mbrojmë veriun. Ne kemi bërë krejt deri në fishekun e fundit, por për me mbrojt vendin ne e kemi jetike aleancën me Amerikën. Kush mburret dhe vetë lavdërohet dhe kush kujton se është shumë i zoti ta dini se nuk është me këtë vend dhe këtë popull…Kush e donë këtë tokë, vend dhe fëmijë duhet ta ruaj si sytë e ballit aleancën me Amerikën dhe NATO-n. Duhet ta ruaj si ditën e 24 marsit 1999….Asnjëherë nuk do të amnistojmë ata që dobësojmë fuqinë tonë të brendshme dhe aleancat tona. Kushdo qofshin dhe çfarëdo detyrë që kanë. Ata që dobësojnë aleancën me Amerikën nuk janë tonët”, tha ai.

    Haradinaj i cili ka qenë komandat i zonës operative të Dukagjinit tregoi detaje të luftimeve të 27 viteve më parë në Gllogjan.

    “Lufta e tyre(familjes Jashari) sakrifica e tyre deri në flijim të të gjithëve atyre që ishin na largoi dilemat dhe nuk na la zgjidhje tjetër që të luftojmë edhe ne deri në fishekun e fundit dhe njeriun e fundit. S’kishim rrugë tjetër, duke ditur se do të përballemi së shpejti po me atë forcë që sulmoi Jasharajt ne kishim një strategji, ku ndryshuam strategjinë e luftës. Ne e bëmë një plan taktik të kundërpërgjigjes por jo statike. Ishim të sulmuar në shtëpinë tonë, Dauti ishte i pari që u përballë me ata. Menjëherë me hapjen e luftës frontale, forcat serbe në vijën e parë të zjarrit sjelljen mjete të motorizuara, topa 20 milimetra dhe po ashtu mbështetje nga ajri. Kundërpërgjigja jonë planin e kishte përballja e parë në shtëpi. Për një periudhë prej 2 orëve kemi rezistuar në shtëpi, pastaj kemi marrë vendim me u nda në dy grupe. Nana me fëmijët me marrë një drejtim për me ikë nga vend-luftimi, ndërsa motra e madhe, Hilmia, Shkelzeni, Dauti, Frashëri dhe Enveri kemi vazhdu bashkë”, shtoi ai.

    Ndërkaq, kryetari i komunës së Gjakovës, Ardian Gjini, tha se Prekazi dhe Gllogjani kanë nisur historinë për lirinë e Kosovës.

    “Prekazi dhe Gllogjani janë të lidhur ndërmjet veti në mënyrën më të jashtëzakonshme, pasi e kanë nisur historinë të re dhe lirinë tonë….Kryetar Haradinaj, komandat, për shkak se s’jeni dorëzuar dhe keni jetu për me luftu edhe më tutje i gjithë populli i Kosovës ka marrë zemër, është gjallë dhe ka besu se munden me bërë diçka. Ky është mesazhi i kësaj epopeje”, shtoi Gjini.

    Më 24 mars 1998, në Gllogjan është zhvilluar beteja frontale nga Forcat e UÇK-së dhe forcave të armikut, të cilat e kishin rrethuar Gllogjanin, ndërsa synim kishin shtëpinë e familjes Haradinaj, ku hasën në rezistencë të fuqishme. Në këtë ditë ranë dëshmorë Him Haradinaj, Gazmend e Agron Mehmetaj./KP/

  • Pranvera rikthen xhinset dhe fundet me pala

    Pranvera rikthen xhinset dhe fundet me pala

    Në botën e modës, ku trendët ndryshojnë me shpejtësi, ekzistojnë disa artikuj që mbeten të përjetshëm, që nuk i nënshtrohen ndryshimeve të shpejta dhe mbeten gjithmonë tërheqës, e kam fjalën për fundet me pala.

    Kjo prerje, ka kaluar me sukses provën e kohës, duke mbetur gjithmonë në modë, pavarësisht nga tendencat e përkohshme, duke mbetur të përshtatshme për çdo rast, nga një mbrëmje elegante deri në një ditë relaksuese.

    E nëse jeni në kërkim të një pamjeje të freskët dhe të lehtë, fundet e shkurtra me pala janë një tjetër zgjedhja ideale.

    Ato janë të përshtatshme për stinën e verës, duke ju lejuar të lëvizni lirisht dhe të ndjeheni rehat. Mund t’i kombinoni me një bluzë të thjeshtë, këmishë të bardhë ose me një top të printuar me lule.

    Fundet e gjata me pala, nga ana tjetër, ofrojnë një pamje më elegante dhe klasike. Ato janë të përshtatshme për raste më formale, siç janë dasmat ose eventet e punës. Mund t’i kombinoni me një bluzë me mëngë të gjata, apo edhe me xhaketë të hollë.

    Vitet kalojnë, por ato mbeten një “must-have” për pamjet më shik dhe elegante.

    Pavarësisht nëse preferoni modelet e shkurtra në stilin kolegji, ato të gjata për një prekje më casual, apo fundet midi për një look të rafinuar, një gjë është e sigurt: fundi me pala është gjithmonë në modë!

    Xhinset e viteve ’90, me prerjen e tyre të gjerë dhe stilin e tyre të çliruar, do të jenë një nga trendët më të nxehta të vitit 2025. Ato do të jenë të krijuara nga denim i fortë dhe i qëndrueshëm, duke u siguruar që të jenë të rehatshme dhe të zgjasin gjatë. Modeli i tyre do të jetë i thjeshtë dhe i përshtatshëm, me detaje të vogla që i japin një prekje moderne.

    Këto xhinse do të jenë një simbol i pavarësisë dhe i shprehjes së lirë, duke i dhënë mundësi individëve të shprehin personalitetin e tyre përmes veshjes.

    Për më shumë, klikoni linkun në kronikën e përgatitur nga ATV:

  • Art dhe elegancë, në krijimet e Diarta Krasniqit

    Art dhe elegancë, në krijimet e Diarta Krasniqit

    Ajo ka arritur të sjellë një kombinim perfekt midis elegancës dhe funksionalitetit, në çdo pjesë të punës së saj.

    Është kjo Diarta Krasniqi, një emër i ri në botën e modës, që po ngjet shkallët e suksesit në këtë fushë.

    Detajet që përdor në çdo veshje tërheqin vëmendje, e kjo e bënë punën e saj të dallohet.

    Çdo koleksion i saj është një pasqyrë e natyrës së saj kreative dhe synimit për të sjellë diçka të re në treg.

    Për më shumë klikoni kronikën e përgatitur nga ATV:

  • “Luli & Goni Lemes”, pritet të sjellë erë të re në komedinë shqiptare

    “Luli & Goni Lemes”, pritet të sjellë erë të re në komedinë shqiptare

    Komedia e re e regjisorit shqiptar, Bjordi Mezini, “Goni & Luli Lemes”, premton shumë të qeshura dhe argëtim për publikun.

    Me një skenar të shkruar nga Klaudia Brahimaj, filmi ka për qëllim të ofrojë një përvojë të paharrueshme për të gjithë ata që e duan humorin.

    Një nga elementët më të veçantë të këtij filmi është pjesëmarrja e këngëtares së njohur, Aurela Gaçe, e cila pritet të sjellë atmosferë të veçantë dhe energjike.

    Ndërkohë, regjisori Mezini, ka zbuluar për N-Flix datën kur filmi do të vijë në Kosovë.

    Për më shumë klikoni kronikën e përgatitur nga ATV:

  • ​Foda: Kur erdha këtu rezultatet nuk përmbyseshin, tani po

    ​Foda: Kur erdha këtu rezultatet nuk përmbyseshin, tani po

    Trajneri i Kombëtares së Kosovës në futboll, Franco Foda ka folur pas fitores kundër Islandës në dy ndeshje, triumf ky i cili ia siguroi Kosovës kalimin nga Liga C në Ligën B të Ligës së Kombeve.

    Ai në një intervistë për faqen zyrtare të Federatës së Futbollit të Kosovës ka thënë se ishte optimist se do të arritje ky objektiv që ishte shumë i rëndësishëm.

    “Ky ishte qëllimi ynë. Qëllimi i parë ishte të ngjiteshim në Ligën B, nga Liga B e më tej. Sot jam shumë, shumë krenar me ekipin. Pas një disavantazhi e kemi ndjekur lojën tonë që nga fillimi, ishim shumë aktiv në të gjitha fazat e lojës, e dominuam ndeshjen, luajtëm jashtëzakonisht mirë në sulm, ishim shumë të mirë edhe në lojën pa top dhe shihet qartë që ekipi është zhvilluar shumë mirë gjatë javëve dhe muajve të fundit. Tani kemi një grup të mirë prej 20-25 lojtarëve, kishim shumë mungesa por tashmë çdo lojtar mund të zëvendësohet dhe kjo e karakterizon ekipin tonë. Tani duhet thjeshtë të vazhdojmë përpara dhe ta marrim këtë shpirt ekipi edhe në qershor”, ka thënë Foda.

    Ai ka shtuar se tashmë sheh një tjetër përkushtim tek lojtarët, sidomos në karakterin për të luftuar dhe përmbysur rezultatin në një ndeshje, transmeton KosovaPress.

    “Ajo që më bëri përshtypje ishte se ekipi arriti të kthehej në lojë pas disavantazhit. Në fillim kur erdha në Kosovë kjo nuk ndodhte, sa herë që binim në disavantazh e humbnim ndeshjen. Tani jemi në gjendje ta përmbysim rezultatin. Kjo tregon për forcën e ekipit, për shpirtin e skuadrës dhe për energjinë që ka ekipi”, ka shtuar Foda.

    Kryetrajneri i dardanëve ka theksuar se për ndeshjet e shtatorit, të vlefshme për kualifikim në Kampionatin Botëror skuadra do të jetë edhe më e komponuar dhe kështu do të jetë në gjendje të rivalizojë edhe kombëtare të nivelit shumë të lartë.

    “Do të jetë thelbësore që në shtator t’i kemi të gjithë lojtarët ën formë të mirë. Siç thash kemi pasur shumë lojtarë të dëmtuar dhe mungesa por nëse në shtator të gjithë janë gati do të kemi një konkurrencë të fortë në skuadër, kemi një atmosferë të mirë në ekip dhe kur ke shumë lojtarë në dispozicion kjo e rritë edhe më shumë energjinë dhe harmoninë në skuadër. Nëse vazhdojmë kështu kemi mundësi të përballemi edhe me ekipe si Zvicra, Suedia dhe Sllovenia”, ka thënë Foda. /KP

  • ​DhTIK: Hiqet bllokada e shkaktuar nga Ligji për Pronën Publike

    ​DhTIK: Hiqet bllokada e shkaktuar nga Ligji për Pronën Publike

    Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Kosovë ka njoftuar të gjitha kompanitë anëtare se pas një pune të gjatë, është arritur që të hiqet bllokada e shkaktuar nga hyrja në fuqi e Ligjit për Pronën Publike, nga i cili kanë humbur shumë, numër i madh i bizneseve, raporton KosovaPress.

    Sipas DhTIK i njëjti ligj ka pamundësuar edhe realizim të investimeve në disa sektorë, përfshirë edhe në atë të energjisë së pastër, për të cilën vendi ka shumë nevojë.

    “Ne kemi dhënë komentet tona në grupin punues për tri rregulloret që do të mundësonin nisjen e punës së Zyrës për Administrimin e Pronës Publike në Zyrën e Kryeministrit. Rregulloret janë publikuar në Gazetën Zyrtare, që shënon zyrtarisht nisjen e punës së kësaj zyre”, thuhet në njoftimin e DHTIK.

    DhTIK është në pritje të aranzhimit të një takimi me drejtuesit e zyrës së lartpërmendur dhe se do të vazhdoj angazhimin e saj në zgjidhjen e problemeve të bizneseve anëtare.

  • ​U vodh identiteti i tij, gjermani me rekord kriminal që nuk e lë të punësohet

    ​U vodh identiteti i tij, gjermani me rekord kriminal që nuk e lë të punësohet

    Një qytetar i ri gjerman ka treguar si jeta e tij është shkatërruar pas përdorimit të identitetit të tij nga një kriminel në Londër, duke i krijuar një rekord kriminal që tani shfaqet në bazën e të dhënave gjermane.

    Rami Battikh, 24 vjeç, ka kaluar katër vjet pa mundësi punësimi në qytetin e tij, Bonn, duke u bllokuar dhe penguar për të filluar karrierën dhe jetën e tij të pavarur, shkruan The Guardian.

    E gjithë kjo ka filluar pas një udhëtimi të shkurtër në Londër në vitin 2019, ku gjatë qëndrimit të tij ka humbur ose është vjedhur kartela e tij e identitetit gjerman. Kur ka aplikuar për një kartelë të re identiteti, ai nuk e ka menduar shumë për humbjen, por dy vjet më vonë, kur ka përfunduar shkollën e tij profesionale dhe ka marrë dy oferta pune, një nga Vodafone dhe një nga zyra lokale e taksave, ka zbuluar se dikush tjetër kishte përdorur ID-në e tij për të kryer krime në Londër.

    Një kontrolle rutinë e punëdhënësve e ka zbuluar se ai kishte një rekord kriminal në Londër për krime të tilla si drejtimi pa patentë dhe me sigurim të falsifikuar, mashtrim dhe mbajtja e dokumenteve të falsifikuara. Battikh e ka informuar punëdhënësin se ky rekord nuk kishte të bënte me të dhe ka paraqitur prova që ai ka qenë në Tunizi në kohën e krimeve të raportuara, por ata nuk mund të pranonin vetëm fjalët e tij përballë një regjistri të policisë.

    Përpjekjet për të pastruar emrin e tij kanë vazhduar për shumë muaj, duke përfshirë përpjekje nga një gjykatës në Londër për të korrigjuar gabimin, por ende nuk ka pasur asnjë rezultat.

    Për më tepër, më shumë krime janë regjistruar kundër identitetit të tij të vjedhur, duke përfshirë mbajtjen e një thike në një vend publik, dhe kjo ka përkeqësuar edhe më shumë situatën e tij.

    Rami gjendet në një situatë të vështire emocionalisht dhe financiarisht, duke u detyruar të shesë makinën e tij për të mbuluar shpenzimet dhe duke kërkuar ndihmë përmes shkrimeve dhe apelit ndaj autoriteteve britanike. Ai ka ofruar prova të mëtejshme, përfshirë gishta dhe DNA, për të vërtetuar pafajësinë e tij, por ende nuk ka pasur një përgjigje të qartë.

    Në një deklaratë, policia e Metropolit të Londrës ka thënë se janë në dijeni të rastit dhe po punojnë me agjenci të tjera për të rregulluar situatën, por ende nuk ka një zgjidhje të menjëhershme.

    Rami ka apeluar për ndihmë, duke thënë se nuk mund të vazhdojë të jetojë kështu dhe se ndjehet i pafuqishëm për të korrigjuar një gabim që nuk ka bërë vetë.

  • ​Kosova nga përfituese e fondeve të Bankës Botërore, bëhet kontribuuese

    ​Kosova nga përfituese e fondeve të Bankës Botërore, bëhet kontribuuese

    Kosova ka vendosur që të bëhet donatore në IDA-21 një fond që ndihmon vendet më të varfra në botë.

    Zëvendëspresidenti i Bankës Botërore për Financimin e Zhvillimit, Akihiko Nishio, e vlerësoi lart këtë vendim të Kosovës duke e cilësuar këtë hap si një moment historik për Kosovën dhe një dëshmi të qëndrueshmërisë së saj në skenën ndërkombëtare.

    Në një konferencë për media bashkë më ministrin në detyrë të Financave, Hekuran Murati, ai po ashtu theksoi se Kosova zë vendin e saj si donatore në IDA-21 (Shoqata Ndërkombëtare për Zhvillim) duke përmbyllur kështu një cikël të plotë në rrugëtimin e saj të zhvillimit, raporton KosovaPress.

    “Një moment me rëndësi të thellë, jo vetëm për Kosovën dhe Bankën Botërore, por edhe për komunitetin global. Sot, Kosova zë vendin e saj si donatore në IDA-21, siç e përmendi zoti ministër, duke përmbyllur kështu një cikël të plotë në rrugëtimin e saj të zhvillimit. Dhe kjo është arsyeja pse kam ardhur këtu në Prishtinë, për të festuar këtë moment dhe për ta ndarë atë me ju, si dhe për t’ia bërë të ditur botës se Kosova ka marrë këtë vendim shumë të guximshëm, i cili do të ndihmojë vendet më të varfra në botë. Pavarësisht se ka përjetuar plagët e luftës nga viti 1998 deri në 1999 dhe se ka dalë si një nga ekonomitë më të cenueshme të Evropës, vendimi i Kosovës për të kontribuar në IDA-21 mishëron një qëndrueshmëri të jashtëzakonshme. Ky hap shkon përtej thjesht simbolikës. Kjo është një deklaratë e guximshme se edhe kombet që kanë kapërcyer vështirësi të thella mund të jenë kampionë të solidaritetit global… Ky kalim nga përfitues në kontribuues është një rrëfim i rrallë dhe i jashtëzakonshëm, i cili flet për qëndrueshmërinë, vizionin dhe përkushtimin e palëkundur të Kosovës ndaj progresit…Vendimi juaj për të kontribuar në IDA-21 fuqizon objektivat tona të përbashkëta: zhdukjen e varfërisë dhe ndërtimin e shoqërive të barabarta. Ai na sfidon të gjithëve të rishpikim atë që është e mundur kur vendet ndjekin rrugën e tyre me vendosmëri. Vendosmëria çon në rritje kur kultivohet me partneritet, dhe kjo mund të kapërcejë kufijtë dhe brezat”, tha ai.

    Në anën tjetër, ministri Hekuarn Murati ka vlerësuar lartë bashkëpunimin që ka vendi me Bankën Botërore. Ai ka theksuar se deri më tani sa i përket marrëveshjeve ndërkombëtare është mbështetësi me vëllimin më të madh.

    Sipas Muratit kontratat deri më tani të nënshkruara dhe të ratifikuara janë 376 milionë euro.

    “Sa i përket financimit dhe bashkëpunimit që kemi me Bankën Botërore mund të them se është një partner krucial në zhvillimin gjithëpërfshirës të shtetit tonë. Agjencia Ndërkombëtare për Zhvillim ka qenë mbështetëse dhe Kosova tash e 15 vite është anëtare e Bankës Botërore dhe tash e 15 vite ka përfituar nga mbështetja e vazhdueshme nga Agjencia Ndërkombëtare për Zhvillim. Deri më tani sa i përket marrëveshjeve ndërkombëtare është mbështetësi me vëllimin më të madh që kemi aktualisht. Kontratat deri më tani të nënshkruara dhe të ratifikuara janë 376 milionë euro, ndërkaq mbështetja që është disbursuar është 289 milionë euro deri më tani. Përveç kësaj kemi edhe marrëveshje tjera që janë në vijim, që janë të nënshkruara apo priten të nënshkruhen siç janë, marrëveshja për mbështetjen e tregtisë dhe transportit që do të mbështesë korridoret e gjelbra, lehtësimin e transportit e kësisoj shpresoj edhe lehtësimin e eksportit dhe rritjen e vazhdueshme të eksportit. Përveç kësaj kemi edhe projektin për sistemin informativ shëndetësor, apo mbështetjen e sektorit të shëndetësisë që tashmë është nënshkruar vitin e kaluar dhe pret për ratifikim në Kuvend. Uroj që në legjislaturën që po vije këto marrëveshje të kenë mbështetjen e nevojshme”, tha Murati. /kp