ATV

Author: ATVLive

  • Corrwatch: Prokurimi publik mbetet i ndjeshëm ndaj korrupsionit

    Corrwatch: Prokurimi publik mbetet i ndjeshëm ndaj korrupsionit

    Përgatiti: Alma Hysenaj

    Kosova ka shënuar përparim në parandalimin dhe luftimin e korrupsionit, ndonëse prokurimi publik vazhdon të mbetet i ndjeshëm ndaj kësaj dukurie.

    Kështu u tha gjatë një konference ku u prezantua raporti i koncorciumit të organizatave joqeveritare CorrWtch.

    Sa i përket proceseve rekrutuese del se shqetësim kryesor është numri i lartë i ushtrueseve të detyrës në pozitat e larta publike, ndonëse kjo gjendje ka shënuar përmirësim në vitin 2024.

    “Megjithatë tashmë kemi një numër më të vogël të ushtruesve të detyrës kur flasim për sekretar në ministri, tashmë janë vetëm dy ushtrues detyre në Ministri të Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor dhe në MINT”, tha Ema Pula, hulumtuese në GLPS.

    Në kuadër të kësaj konference u diskutua edhe shpenzimi i parasë publike përmes prokurimit dhe dhënies së granteve.

    “Vetëm gjatë vitit 2024 afro 9.31 për qind e bruto pruduktit vendor është realizuar përmes prokurimit publik. Numri i kontratave të nënshkruara gjatë vitit 2024 është përafërsisht 10,012, ku
    vlera e tyre kap 941.7 milionë euro”, tha Fidane Spahija, anëtare Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik.

    Por sfidë për këto organizata mbetet mos transparenca e institucioneve publike.

    “Ministria e Financave në rekrutim të disa pozitave, MINT gjithashtu, KPPM dhe Ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor”, tha Arbëresha Loxha-Stublla, drejtoreshë ekzekutive në GLPS.

    Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves deklaroi se shoqëria civile po hedh dritë mbi keqpërdorimin e fondeve publike.

    “Falë shumë prej jush, Kosova ka bërë përparime të rëndësishme në parandalimin dhe luftimin e korrupsionit”, tha Hargreaves.

    Konferenca është projekt i cili financohet nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë.

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve, në videon më poshtë:

  • Më 5 prill do të mbahet protesta kundër rritjes së çmimit të rrymës

    Më 5 prill do të mbahet protesta kundër rritjes së çmimit të rrymës

    Përgatiti: Alma Hysenaj

    Me slloganin “asnjëcentmëshumë” të shtunën e5 prillit do të mbahet protesta kundër rritjes së çmimit të energjisë elektrike, në sheshin “Skënderbeu”

    Sipas organizatorit të kësaj proteste, Luan Hasanaj, qytetarët nuk do të mund përballojnë edhe një rritje tjetër të çmimit të Energjisë.

    Për këtë shkak, ai kërkon që sa më shumë qytetarët t’i përgjigjen protestës.

    “Janë me qindra që janë lajmërua që do të marrin pjesë dhe ne gjatë tërë kohës nuk do ndalemi duke njoftu qytetarët, duke i ftu qe do të dalin në mënyrë demokratike ta kundërshtojnë këtë vendim të dëmshem, i cili na rëndon jetën e secilit”, tha Hasanaj.

    Disa prej qytetarëve mirëpriten organizimin e kësaj proteste, derisa thanë se në vend pagat janë të ulta e shtrenjtimi i energjisë do të ishte i papërballueshëm.

    “Në këto rrethana, në këto kushte nuk rriten rrogat nuk rritet kurgja me u rrit rryma, nuk është pyetje rryma, të gjitha kanë me u rrit e populli nuk ka mundësi, kjo ndikon edhe në aspketin social”, tha Gjon Hajdaraj, qytetar.

    “Paret kur mungojnë është vështirë, nuk osht mirë, se 15% i bjen bukur shumë rritje, por ne nuk na pyet askush”, thotë një qytetar.

    E nëse protesta nuk do të ketë rezultat dhe Zyra e Rregullatorit për Energji do të vendosë që të shtrenjtohet çmimi prej 15 %, nga grupi “asnjecentmashumë” do të ndërmarrin hapin e radhës.

    “Ne do të bëjmë thirrje që qytetarët të bojkotojnë edhe pagesën e energjisë elektrike, dhe protestat do të jenë të vazhdueshme nuk do të ndalemi me vetëm një protest, deri në zhbërjen e këtij vendimi”, tha organizatori i protestës, Luan Hasanaj.

    Edhe të hënën ky grup ka mbajtur një aksion simbolik në zyrat e ZRRE-së.

    ZRrE-ja bën shqyrtimin dhe caktimin e përvitshëm të tarifave të rrymës, të cilat shpallen çdo 1 prill dhe vlejnë deri më 31 mars të vitit pasues.

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve, në videon më poshtë:

  • Deficiti tregtar rritet për 20 % në dy muajit e parë të vitit

    Deficiti tregtar rritet për 20 % në dy muajit e parë të vitit

    Përgatiti: Krenare Mulliqi

    451,4 milionë euro është vlera e mallërave që Kosova e importoi vetëm brenda muajit shkurt.

    Kjo shifër është më e lartë për 54 milionë euro në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

    Por rritje nuk pati edhe në eksport.

    Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, eksportet e Kosovës për muajin shkurt ishin vetëm 59,7 milionë euro, duke shënuar një rënie prej 1,1 për qind.

    Tendenca e rritëse e deficitit tregtar nuk po mirëpritet fare mirë nga ekspert të ekonomisë.

    Andaj ekonomistët kërkojnë nga institucionet ndryshime në politikën ekonomike.

    E nëse rritja e deficitit vazhdon, Kosova mund të përballët me pasoja.

    Edhe në muajin janar, Kosova u përball me një rritje të deficitit tregtar, prej 29,6 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024, respektivisht 414,1 milionë euro.

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve, në videon më poshtë:

  • 101 deputetë kërkojnë pagën kalimtare pas përfundimit të mandatit

    101 deputetë kërkojnë pagën kalimtare pas përfundimit të mandatit

    Përgatiti: Krenare Mulliqi

    101 deputet të legjislaturës së 8, kanë kërkuar të marrin pagën kalimtare.

    Sipas Ligjit për të Drejtat dhe Përgjegjësit e Deputetit, paga bazë në vlerë 1 mijë e 800 euro u takon ligjvënësve për 12 muaj apo deri në fillimin e realizimit të të hyrave financiare nga ndonjë burim tjetër.

    Nga Kuvendi i Kosovës përmes një përgjigje për ATV, thanë se nga 120 deputetët e vetëm 19 nga ta nuk kanë paraqitur Kërkesë për kompensim kalimtar.

    Nëse kërkesa aprovohet, për 1 vit pagat e 101 deputetëve do t’i kushtojnë buxhetit të shtetit mbi 181 mijë euro.

    Për monitoruesit e Kuvendit kjo është e pritshme.

    “Kjo bëhet për të rujtur dinjitetin e deputetit të paktën deri të gjeje një burim tjetër financiar..”, tha Naim Jakaj nga IKD.

    Megjithatë Jakaj thotë se Ligji nuk do të duhej t’i përfshinte edhe ata që tashmë e kanë fituar edhe një mandat të deputetit.

    “Tek kjo pjesë e Ligjit ka hapësirë për diskutim sepse deputetët të cilat e kanë fituar mandatin nuk do duhet të aplikojnë edhe për pagën kalimtare”, tha Jakaj.

    120 deputetët e Kuvendit morën pagën bazë deri më 22 mars, kur përfundoi edhe mandati katërvjeçar i Qeverisë Kurti 2.

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve, në videon më poshtë:

  • Vuçiq takon Sorensenin

    Vuçiq takon Sorensenin

    Përgatiti: Teuta Arifaj

    Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, u takua në Beograd me të dërguarin e Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen. Në një postim në Instagram pas takimit, Vuçiq tha se takimi i tij i parë me të dërguarin e ri për dialogun ishte “i hapur dhe i drejtë”.

    Ai ka thënë se e ka njoftuar Sorensenin, i cili javën e kaluar e vizitoi Kosovën “për problemet me të cilat ballafaqohen serbët” atje.

    “Shpreha shqetësim të veçantë për pozitën e vështirë në të cilën ndodhen serbët për shkak të lëvizjeve të shumta përshkallëzuese, të njëanshme dhe të dhunshme të Prishtinës”, shkroi Vuçiq.

    Presidenti serb e akuzoi Kosovën se po bën “pengesa të vazhdueshme në procesin e dialogut”, duke ripërsëritur se themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë “është parakusht për fillimin e një normalizimi thelbësor të marrëdhënieve”. Vuçiq tha se pret nga Bashkimi Evropian ta rrisë angazhimin e tij në mënyrë që të ruajë besueshmërinë e dialogut dhe të mbajë rol të paanshëm në këtë proces.

    Ai shtoi se qëndrimi i Serbisë është se vetëm dialogu konstruktiv dhe zgjidhjet kompromisi mund të kontribuojnë për paqen dhe stabilitetin afatgjatë në Ballkanin Perëndimor.

    Takimi i fundit në Bruksel i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, mes Kosovës dhe Serbisë, ishte zhvilluar më 17 dhjetor të vitit të kaluar.

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve, në videon më poshtë:

  • Kosova në pritje të pagesave të para nga plani i rritjes

    Kosova në pritje të pagesave të para nga plani i rritjes

    Përgatiti: Armand Hoti

    Kosova duhet ta ratifikojë në Kuvend marrëveshjen që i mundëson Republikës përfitimin e milionave, nga plani i rritjes i Bashkimit Evropian për Ballkanit Perëndimor.

    Komisioni Evropian ka kumtuar se pagesat e para nga mbi 880 milionë eurot, pritet të ekzekutohen ndërmjet tre mujorit të parë dhe të dytë të këtij viti.

    Megjithatë, Kosova tashmë ka kërkuar lirimin e 7% të shumës nga pakoja e parë e pagesave.

    “Komisioni dhe Kosova tani janë duke finalizuar hapat procedural të cilët duhet të lejojnë që lirimi i parafinancimit të bëhet sa më shpejt që të jetë e mundur në vitin 2025, në pritje të procesit të ratifikimit nga ana e Kosovës”, thuhet në njoftimin e Komisionit Evropian.

    Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, u bënë vendet e para që morën pagesat nga Bashkimi Evropian.

    Tirana zyrtare ka pranuar 64.5 milionë euro, prej të cilave 34 milionë dedikohen për kredi për buxhetin e shtetit, kurse pjesa tjetër në infrastrukturë.

    Deri në vitin 2027, Shqipëria mundë të përfitoj më shumë se 920 milionë euro.

    “Plani i Rritjes nxit ekonominë, forcon sundimin e ligjit, mbështet një Shqipëri më të gjelbër dhe fuqizon kapitalin njerëzor. BE qëndron me Shqipërinë në rrugën e saj drejt anëtarësimit”, tha ambasadori i BE-ës në Kosovë, Silvio Gonzato.

    Edhe Maqedonia e Veriut, pranoi pagesat e para të hënën.

    Paketa totale për të gjitha shtetet e rajonit kap një vlerë prej rreth gjashtë miliardë eurosh.

    Mbi 250 milionë Kosovës do t’i ndahen si para pa kthim, ndërsa pjesa tjetër në formën e kredive të volitshme.

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve, në videon më poshtë:

  • Naim Maloku vazhdon dëshminë, thotë se brenda UÇK-së nuk kishte urdhra

    Naim Maloku vazhdon dëshminë, thotë se brenda UÇK-së nuk kishte urdhra

    Përgatiti: Nora Luta

    Me kërkesë të Zyrës së Prokurorit të Specializuar, 67 nga 111 faqe të librit të Naim Malokut, janë pranuar si provë në gjykimin ndaj Thaçit dhe të tjerëve.

    Maloku, i cili për librin tha se mund të ketë pasur pak ekzagjerime, pas ballafaqimit me pyetje nga ZPS-ja, në ditën e dytë të dëshmisë ka filluar të përgjigjet në pyetjet e mbrojtjes.

    Ai, pasi tha se UÇK-ja buronte nga populli, theksoi se kishte marrë vetëm një urdhër nga Shtabi i Përgjithshëm.

    “Urdhri i vetëm që e kam marrë. Unë i kam thënë edhe ZPS-së: nuk mund t’i kuptoni këto, është e vështirë. Ushtria Çlirimtare e Kosovës është ngritur nga poshtë-lart. Nuk ka pasur urdhra, ka pasur votime me gisht, propozime, pajtime që Naim Maloku të jetë zëvëndëskomandant – pajtime që Ramush Haradini, 40 fshatra, të jetë komandant zone. Pra nuk ka pasur urdhra, ndërtim të strukturës nga lart poshtë”, ka deklaruar Maloku.

    Nga avokati i Thaçit, u pyet rreth raporteve me ish-presidentin, me të cilin tha të ketë biseduar rreth një interviste për media, ku kishte kërkuar që UÇK-ja të institucionalizohej.
    Gjatë luftës, tha se Thaçin, për të cilin i kishte kërkuar të mos deklarohej për media, e takoi tri herë.

    Ndër të tjera, Maloku u ballafaqua edhe me një intervistë, gjatë së cilës e kishte promovuar, bashkimin e UÇK-së me strukturat e ministrisë e Mbrojtjes që udhëhiqeshin nga qeveria në ekzil.
    Ai e ka konfirmuar se ndër të tjera kishte deklaruar se ushtria është e popullit e shteti i takon presidentit Ibrahim Rugova.

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve, në videon më poshtë:

  • Përkujtimi për masakrën e Krushës

    Përkujtimi për masakrën e Krushës

    Përgatiti: Arian Hajdaraj

    “Që 26 vjet më nuk kam shkelë në këtë vend. Më 25 mars 1999, këtu kemi fjetur mbi 1200 veta”, rrëfen i mbijetuari nga Masakra e Krushës, Afrim Zeqiri.

    Ndryshimi i relievit në luginë, Afrim Zeqirit nuk ia zbeh aspak kujtimet e natës kur me 1000 banorë të tjerë strehoheshin këtu, larg forcave serbe.

    Këta, nuk gjetën qetësi as këtu, meqë më 26 mars, u detyruan të largohen për në qendër të Krushës.

    “Na thanë kur bëhet ora 4 e masdites, me u lëshu në fshat”, thotë Zeqiri.

    Nën kërcënimin e armëve, urdhrin e zbatuan, pa e ditur se për disa prej tyre do të jenë hapat e fundit.

    “Kur kemi ardhë këtu, ishin kanë 15 policë, dhe na kanë thanë ‘ndaluni’”, rrëfen Zeqiri.

    Në këtë ndalesë, edhe e ndanë një grup prej 50 burrave, të cilët u masakruan, por për Zeqirin, fati kishte një tjetër plan.

    “Kur ka fillu gjuajtja mas shpinës, kanë shku shumë plumba për skaj shpinës sime, por nuk më kanë kapë. Por, kemi ra në gropë, ku kish pas të vramë më herët”, thotë Zeqiri.

    “Pastaj, kam fillu me lëviz, i kam pa edhe dy shokë tjerë që nuk janë vra…”, tregon Zeqiri.

    Shumica e të masakruarve me këtë grup, vazhdojnë të jenë të zhdukur, megjithatë, tek varrezat në Krushë, atyre u është ruajtur një vend.

    “Kur vi këtu, për mua është shumë rëndë. E mendoj se kam mundur të jem edhe unë këtu i varrosur, pranë shokëve të mi, të cilët ende nuk janë gjetur”, rrëfen Zeqiri.

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve, në videon më poshtë:

  • ​Tragjedia në Koçan, Qeveria e Maqedonisë së Veriut ndryshon 7 ligje për licencat

    ​Tragjedia në Koçan, Qeveria e Maqedonisë së Veriut ndryshon 7 ligje për licencat

    Pas tragjedisë në Koçan, Qeveria e Maqedonisë së Veriut në mbledhjen e rregullt të 63-të që është mbajtur sot, ka ndryshuar shtatë ligje të cilat janë nën kompetencë të Ministrisë së Transportit, transmeton TV21.

    “E informojmë opinionin se në mbledhjen e sotme të Qeverisë u miratuan propozimet për ndryshime dhe plotësime të shtatë ligjeve që janë në kompetencë të Ministrisë së Transportit. Duke pasur parasysh ngjarjet e fundit tragjike, synimi është kryerje e kontrolleve më të shpeshta për të gjithë poseduesit e licencave, lejeve dhe autorizimeve. Duke pasur parasysh se jepen shumë licenca, leje apo autorizime nga Ministria e Transportit, këto ndryshime ligjore synojnë të parashikojnë detyrim ligjor për të kryer atë kontroll dy herë në vit për të gjithë poseduesit e licencave të lëshuara sipas Ligjit. Kjo, sigurisht, nuk e përjashton mundësinë e kryerjes së më shumë kontrolleve sesa është paraparë me ligj, me qëllim sigurimin e shërbimeve cilësore dhe sigurisë për qytetarët që janë përdorues të këtyre shërbimeve nga personat e licencuar. Për më tepër, ndryshimet ligjore parashikojnë që për kontrollet e ardhshme ankesa të mos e shtyjë ekzekutimin, pra pezullimi do të zbatohet menjëherë”, njoftojnë nga Qeveria, transmeton KosovaPress.

  • ​AFP kërkon lirimin e fotoreporterit të arrestuar në Turqi

    ​AFP kërkon lirimin e fotoreporterit të arrestuar në Turqi

    AFP dënon ashpër ndalimin e gazetarit dhe fotografit të saj, Yasin Akgül, dhe kërkon lirimin e tij të menjëhershëm, duke e cilësuar si një sulm serioz ndaj lirisë së medias.

    Sipas autoriteteve turke, Yasin Akgül po merrte pjesë në një tubim të paligjshëm në Stamboll. Ky ndalim, i cili nuk ka asnjë bazë ligjore, ndodhi më pak se 24 orë pasi ai u arrestua në shtëpinë e tij në agim, përpara bashkëshortes dhe dy fëmijëve të tij të vegjël.

    “Burgosja e tij është e papranueshme. Kjo është arsyeja pse po ju kërkoj të ndërhyni sa më shpejt të jetë e mundur për të siguruar lirimin e menjëhershëm të gazetarit tonë,” tha Fabrice Fries, kryetari i AFP, në një letër drejtuar presidencës turke.

    “Yasin Akgül nuk ishte pjesë e protestës. Si gazetar, ai po mbulonte njërën nga shumë demonstratat që janë organizuar në vend që nga e mërkura, 19 mars. Ai ka bërë saktësisht 187 fotografi që nga fillimi i protestave, secila dëshmi e punës së tij si gazetar,” shtoi Fries.

    “Detyra e një fotografi është të jetë aty ku ndodhin ngjarjet, duke përfshirë edhe momentet mes protestuesve dhe forcave të rendit. Yasin Akgül është një nga fotografët më të mirë dhe cilësitë e tij profesionale njihen në mbarë botën,” shtoi ai.

    Prej 10 vitesh, Yasin Akgül ka mbuluar lajmet politike turke për AFP, në të gjitha aspektet e tyre, përfshirë tubimet politike të presidentit Recep Tayyip Erdogan.

    AFP i bën thirrje autoriteteve turke të respektojnë lirinë e shtypit dhe punën e gazetarëve, që janë shtylla thelbësore të çdo shoqërie demokratike.