ATV

Author: ATVLive

  • ​Rusia konfirmon marrëveshjen me SHBA-në për të garantuar sigurinë e anijeve në Detin e Zi

    ​Rusia konfirmon marrëveshjen me SHBA-në për të garantuar sigurinë e anijeve në Detin e Zi

    Kremlini konfirmoi një marrëveshje të martën me SHBA-në për të garantuar sigurinë e transportit detar në Detin e Zi, një ditë pasi delegacionet nga Moska dhe Uashingtoni zhvilluan konsultime në Arabinë Saudite.

    Shtëpia e Bardhë tha në një deklaratë më herët se Rusia dhe SHBA ranë dakord të “sigurojnë lundrim të sigurt, të eliminojnë përdorimin e forcës dhe të parandalojnë përdorimin e anijeve tregtare për qëllime ushtarake në Detin e Zi” pas bisedimeve në Riad, raporton AA.

    U tha se SHBA do të ndihmonte në rivendosjen e aksesit të Rusisë në tregjet botërore për eksportet e bujqësisë dhe plehrave, dhe të dy vendet ranë dakord gjithashtu të zhvillonin masa për të ndaluar goditjet ndaj objekteve energjetike në Rusi dhe Ukrainë.

    Në një deklaratë Kremlini konfirmoi marrëveshjet në Riad, duke përfshirë sigurimin e zbatimit të Iniciativës së Kokrrave të Detit të Zi, si dhe ndihmën e Uashingtonit në rivendosjen e eksporteve të Moskës të produkteve bujqësore dhe plehrave.

    Vihet re se paragrafët e sipërpërmendur të marrëveshjes do të hyjnë në fuqi sapo të hiqen disa kufizime dhe sanksione ndaj Rusisë, përfshirë ato të vendosura ndaj Rosselkhozbank dhe organizatave të tjera financiare, transmeton KP.

    “Rusia dhe Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të punojnë për të arritur një paqe të qëndrueshme”, shtoi ai.

  • ​Dodik arratiset nga Bosnjë-Hercegovina, shfaqet në Izrael

    ​Dodik arratiset nga Bosnjë-Hercegovina, shfaqet në Izrael

    Presidenti i entitetit të Republikës Srpska në Bosnje dhe Hercegovinë, Milorad Dodik ka arritur të largohet nga ky shtet, pavarësisht se për të ishte lëshuar një urdhër-arrest. Ai mbrëmë nga Beogradi ka udhëtuar për në Izrael.

    Pas zbarkimit në Izrael, Dodik dërgoi një mesazh në rrjetin social X dhe tha se respekton thellësisht historinë dhe vendosmërinë e Izraelit.

    Avokati i Dodik thotë se vendimi nuk ka ardhur: Ai gjithashtu përmendi “një apelim të mundshëm”, raporton oslobodjenje.

    “Unë kam filluar një vizitë në Izrael, një vend, forcën, historinë dhe vendosmërinë e të cilit e respektoj thellësisht. Izraeli tregon se liria dhe siguria nuk kanë çmim dhe se një popull që e di se kush është – nuk pranon të jetë as një objektiv, as një vartës, shkroi ai.

    Ai shtoi gjithashtu se Republika Srpska dhe Izraeli mbrojnë njëri-tjetrin pa kërkuar falje.

    “Ashtu si Izraeli mbrohet pa falje, po ashtu edhe Republika Srpska mbron të drejtën e saj për të ekzistuar, vendosur dhe ruajtur besëlidhjen e të parëve të saj. Serbët dhe hebrenjtë janë popuj që u përpoqën të zhdukeshin plotësisht – dhe ata mbijetuan. Kjo është arsyeja pse ne e kuptojmë njëri-tjetrin. Dhe kjo është arsyeja pse ne qëndrojmë së bashku”.

    Meqë ra fjala, Milorad Dodik është planifikuar të marrë pjesë në Konferencën kundër Antisemitizmit në Jerusalem, Izrael, më 26 dhe 27 mars, sipas njoftimeve të mëparshme, transmeton KosovaPress.

    Largimi i Dodikut shkaktoi reagim të Policisë Kufitare në Bosnjë-Hercegovinë, pasi me urdhër të drejtorit Mirko Kupresakoviq nisi një hetim mbi mënyrën se si ai e ka kaluar kufirin shtetëror.

  • BDI për tragjedinë në Koçan: Institucionet e kanë ditur se çfarë po ndodhte, por kanë heshtur

    BDI për tragjedinë në Koçan: Institucionet e kanë ditur se çfarë po ndodhte, por kanë heshtur

    Bashkimi Demokratik për Integrim la akuzuar institucionet e Maqedonisë së Veriut se e kanë ditur se si ka funksionuar diskoteka “Puls” në Koçan, por kanë heshtur, ndërkohë ka theksuar se institucionet nuk përballen me mënyrën se si ka funksionuar lokali, por arrestohen ish-ministrin që nuk ka pasur kompetenca prej kohësh.

    Ndërsa për kryeministrin, BDI tha se për të fshehur të vërtetën, urdhëron arrestime para kamerave dhe kërcënon në mënyrë vulgare.

    “Në vend që të përballet me pyetje se si objekti ka funksionuar për një vit të tërë, me licencë të falsifikuar, mbushur me të mitur, me piroteknikë dhe pa leje, pushteti arreston një ish-ministër i cili nuk ka pasur kompetenca prej kohësh, vetëm sepse nuk është i tyre. Në një shtet ku e gjithë shoqëria është në zi, kryeministri në skenë publike demonstron kërcënime vulgare, tërheqje për veshi dhe urdhëron arrestime para kamerave, jo për drejtësi por për të fshehur të vërtetën. Gjithnjë e më qarët bëhet se, institucionet kanë heshtur për një vit të tërë edhe pse e dinin se çfarë po ndodhte”, thotë BDI.

    Përndryshe, si pasojë e një zjarri në diskotekën në Koçan, kanë vdekur 59 persona, shumica e viktimave ishin të rinj, me moshë nga 14 deri në 24 vjeç. Në këtë tragjedi janë lënduar mbi 150 persona.

  • Politika ekonomike, “lufta e tarifave” dhe efektet

    Politika ekonomike, “lufta e tarifave” dhe efektet

    NGA AKADEMIK, PROF. DR. ANASTAS ANGJELI

    Ekonomia e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) ka qenë dhe mbetet një nga motorët kryesorë të rritjes globale për dekada. Megjithatë, në vitet e fundit, pasiguritë ekonomike, ndryshimet në politikat monetare dhe sfidat globale kanë nxitur debatin dhe shtruar pyetje nëse ekonomia e SHBA-ve do të përballet me një recesion në të ardhmen e afërt? Dhe ky recension a do shoqërohet me “efektin domino” në ekonominë e vendeve europiane dhe në ekonominë globale? A do të vazhdojë ekonomia amerikane në vitet që pasojnë dhe në periudhë afatgjatë të zhvillohet me ritme të larta dhe të ruajë lidershipin në ekonominë globale (duke sfiduar parashikimet e disa institucioneve ndërkombëtare (Goldman Sachs etj.) se në vitet 2050 dhe 2075 ekonomia amerikane nga pikëpamja e ritmeve të rritjes do të renditet në vend të tretë, pas ekonomisë kineze dhe asaj indiane? Çfarë ndikimi do të ketë i ashtuquajturi “Trampizëm në Ekonomi” me në qendër “Luftën e Tarifave”? Këto pyetje janë bërë nga shumë analistë, sidomos pas masave të para që Presidenti i porsazgjedhur Trump mori gjatë mbledhjes së tij të parë të kabinetit. Po cilat kanë qenë reagimet e Presidentit Trump për këtë çështje? Në një intervistë të tij, Presidenti Trump nuk mohoi faktin se ekonomia amerikane mund të hyjë në recesion, por kjo do të jetë një e keqe e përkohshme për një të mirë më të madhe, që do ta “bëjë Amerikën të madhe përsëri”. Trump tha: “US do përjetojë një ‘periudhë tranzicioni’, deri sa politikat e tij të japin efektet, kur u pyet nëse ekonomia mund të bjerë në recesion këtë vit. Ndërsa, Sekretari i Tregtisë, Howard Lutnick deklaroi se “nuk ka shanse” për rënie të ekonomisë. President Trump, gjithashtu, iu përgjigj pyetjeve të Maria Bartiromo në “Sunday Morning Future”, duke iu shmangur përgjigjes eksplicite në lidhje me një rrënjë të plotë të një shpërthimi recesionesh për ekonominë amerikane këtë vit. “Unë urrej të parashikoj gjëra si këto”, – tha ai për recesionin. Komentet e presidentit erdhën si përgjigje ndaj disa shqetësimeve të disa liderëve të biznesit në lidhje me paqëndrueshmërinë mbi tarifat e vendosura mbi Kinën, Kanadanë dhe Meksikën, si dhe në përgjigje të shqetësimit në rritje për një ngadalësim të zhvillimit ekonomik. Bazuar në faktet, analizat dhe mendimet e shprehura nga ekspertët në shtypin botëror, lë të kuptojmë se ku do të fokusohet politika ekonomike e SHBA-ve dhe nëse ajo do të hyjë në recesion, duke konsideruar faktorët kryesorë të politikave ekonomike, treguesit aktualë dhe perspektivat e mundshme.

    POLITIKA EKONOMIKE DHE “LUFTA E TARIFAVE”

    Në fund të janarit 2025, Presidenti Trump njoftoi vendosjen e tarifave prej 25% për importet nga Meksika dhe Kanadaja, duke filluar nga 1 shkurti 2025. Këto masa u morën si përgjigje ndaj çështjeve të lidhura me trafikimin e drogës dhe emigracionin e paligjshëm. Megjithatë, më 6 mars 2025, Presidenti Trump njoftoi pezullimin e këtyre tarifave deri më 2 prill 2025, pas një bisede telefonike me Presidenten e Meksikës, Claudia Sheinbaum. Pak ditë më vonë, e konfirmoi këtë element të politikës ekonomike si me Meksikën, ashtu edhe me Kanadanë. Në të njëjtën periudhë, Presidenti Trump njoftoi një rritje prej 10% të tarifave ekzistuese për importet nga Kina, duke filluar nga 1 shkurti 2025 dhe një shtesë të dytë 10% deklaruar në fillim të marsit). Kjo masë u mor për të adresuar shqetësimet lidhur me tregtinë e padrejtë dhe çështje të tjera ekonomike. Reagimi dhe kundërpërgjigja e Kinës ishte e menjëhershme. Së fundi Presidenti Trump u fokusua në raportet e SHBA-ve me Evropën për të vendosur tarifa ndaj importeve nga Bashkimi Evropian, duke përfshirë sektorë si automobilët, lëndët drusore dhe produktet farmaceutike dhe më një fokus të shpejtë për vendosjen e tarifës 200% për pijet alkoolike europiane. Shumë shpejt u zyrtarizuan edhe këto masa, pavarësisht se ishte shprehur që deri në mars 2025 do të negocionte me vendet europiane një nga një dhe jo me BE si tërësi dhe komisionin europian në veçanti. Ai kërkonte një qëndrim të veçantë të vendeve të veçanta, duke anashkaluar institucionet europiane. Këto masa kanë shkaktuar shqetësime në të gjitha ambientet ekonomike si në Europë, ashtu edhe në SHBA duke u shoqëruar me komente të ndryshme për këtë çështje. Nga ana tjetër, vendet e prekura kanë paralajmëruar për masa reciproke në rast të zbatimit të këtyre tarifave dhe shumë prej tyre kanë vendosur kundërmasa. Gjithë kjo ka krijuar një klimë pasigurie në tregjet ndërkombëtare dhe diskutime të pafundme ndërmjet analistëve ekonomik. Tregu i punës deri tani ka qenë relativisht i fortë, me norma papunësie në nivele historikisht të ulëta. Megjithatë, disa analistë kanë paralajmëruar se kjo mund të jetë një tregues që mund të ndryshojë shpejt, pasi ndërmarrjet mund të fillojnë të zvogëlojnë stafin, nëse kushtet ekonomike përkeqësohen. Kësaj “frike” i bashkohet dhe lëvizja e këshilltarit të presidentit, Elon Musk, i cili ka premtuar një ristrukturim të administratës shtetërore, me qëllim rritjen e eficiencës së saj. Në këtë aspekt ai synon:

    -Reduktimin e shpenzimeve të qeverisë, duke konsoliduar departamente dhe agjenci që kanë funksione të mbivendosura dhe eliminuar programet e paefektshme ose të paarsyeshme.

    -Reduktimin e burokracisë në sektorin publik, duke realizuar thjeshtimin e procedurave administrative, eliminimin e rregullimeve të tepërta që ngadalësojnë inovacionin dhe investimet, duke propozuar që qeveria të adoptojë në sektorin publik parime të menaxhimit nga sektori privat.

    -Musk, si një adhurues i madh i automatizimit dhe teknologjisë, mund të propozojë përdorimin e teknologjisë për të automatizuar proceset burokratike, duke reduktuar nevojën për punëtorë në disa sektorë të qeverisë. (Përdorimin e inteligjencës artificiale-IA) që do të kursenin fuqi punëtore dhe do të rrisnin cilësinë e shërbimeve shtetërore).

    Kjo reformë po shoqërohet me shkurtime shumë të mëdha të shumë vendeve të punës në administratën publike. Shumë ekspertë mendojnë se, nga kjo politike, pritet nga njëra anë të ketë presione në tregun e punës, nga ana tjetër potencialisht të bjerë konsumi i amerikanëve, nga frika të qenurit të papunë.

    Një tjetër efekt i pritshëm i politikës ekonomike të Presidentit Trump, sipas ekspertëve, mund të jetë dhe rritja e inflacionit. Tarifat e reja doganore në fund të fundit do t’i paguajnë konsumatorët amerikanë, gjë që do të shoqërohet me një rritje të ndjeshme të çmimeve dhe ulje të fitimeve të pritshme. Kjo, sigurisht, nuk do të lejojë që FED-i të bëjë uljen e normave të interesit për të stimuluar investimet dhe konsumin. Nëse do të kemi shenja inflacioniste në SHBA, sipas Jerome Powell, Kryetari (Chair) i Bordit të Guvernatorëve në FED, institucioni që ai drejton “nuk do të ishte indiferent ndaj masave të përshtatshme për stabilizimin e simptomave inflacioniste”. Pra, pritshmëritë për uljen e ndjeshme të përqindjeve të interesit në SHBA nuk janë të sigurta gjatë 6-mujorit të parë të këtij viti. Së fundit, por jo me më pak rëndësi është dhe fakti se tensionet tregtare dhe ndryshimet në ekonominë globale mund të kenë një ndikim të drejtpërdrejtë në SHBA edhe në aspektin e eksporteve të saj. Për shembull, një ngadalësim në Kinë ose Evropë mund të zvogëlojë kërkesën për eksportet amerikane dhe nga ana tjetër, përgjigja e shumë vendeve në “luftën e tarifave” të ulë konsumin e mallrave apo shërbimeve amerikane si në Europë, ashtu edhe në vendet e tjera. Konsideruar këtë ndikim të politikës ekonomike aktuale në SHBA mund të kemi një analizë më të detajuar të pritshmërive të saj.

    PO A DO TË HYJË EKONOMIA E SHBAVE NË RECENSION? JA DISA TREGUES QË MUND TË SHPREHIN MUNDËSINË E RECENSIONIT

    Të gjithë ekspertët e ekonomisë bien dakord se amerikanët “janë shumë të lidhur pas numrave” dhe mundohen çdo fenomen ta mishërojnë me një numër. Unë si sportdashës i basketbollit amerikan habitem se si për çdo ndeshje të luajtur, amerikanët kanë sajuar një mori treguesish (numra) që ta analizojnë atë në çdo këndvështrim. Ajo që më bën edhe më kurioz është se dhe publiku i kupton shumë mirë ato numra. E njëjta gjë ndodh edhe në ekonomi, ku në SHBA çdo gjë matet me një numër dhe protokollet e matjes pavarësisht që në shumë raste janë të paunifikuara, të japim një pamje të plotë të gjendjes ekonomike. Në këtë këndvështrim do të mundohemi t’u japim përgjigje pyetjeve tona. 1-TREGU I AKSIONEVE. Tregu i aksioneve ka qenë gjithmonë treguesi i parë për të gjykuar ecurinë e ekonomisë amerikane. Këto dy javët e fundit ai ka qenë i paqëndrueshëm, me rënie të mprehta, sidomos në disa aksione të caktuara. Po të shikojmë me kujdes numrat e aksioneve ku duket qartë se tregu po rikthehet në gjendjen e tij para zgjedhjeve dhe se rënia më e lartë është te S&P 500, pastaj dhe tek NASDAQ. Gjatë dy javëve të para të marsit 2025, tregjet amerikane të aksioneve pësuan rënie të ndjeshme. Indeksi S&P 500 ra me 4.7%, ndërsa NASDAQ me 4.8%. Duke pasur parasysh kapitalizimin e tregut të këtyre indekseve, këto rënie përkthehen në humbje prej disa trilionë dollarësh në vlerën e tregut të aksioneve. Këto zhvillime u ndikuan nga shqetësimet mbi ndikimin e tarifave të reja tregtare të administratës “Trump” në ekonominë amerikane. Në veçanti, aksionet e kompanive teknologjike si “Tesla”, “Nvidia”, “Meta”, “Amazon” dhe “Alphabet” pësuan rënie të ndjeshme gjatë kësaj periudhe.

    2-RËNIA E NDJESHME E DOLLARIT AMERIKAN.

    Duket që zhvlerësimi i dollarit amerikan ndaj euros dhe frika e një inflacioni të ri spostuan masa monetare nga tregu amerikan në atë europian. Kështu, patëm shitje masive të aksioneve të këtyre kompanive për t’u investuar në kompanitë e armatimeve si në Europë, ashtu edhe në SHBA. Gjatë muajve shkurt dhe mars 2025, kursi i këmbimit euro/dollar amerikan (EUR/USD) ka shfaqur luhatje të ndjeshme. Në fillim të shkurtit 2025, euro këmbehej me rreth 1.01 dollarë amerikanë. Një sondazh i “Reuters” në atë periudhë tregoi se gati një e treta e strategëve të valutave prisnin që euro të barazohej me dollarin ose të binte më poshtë, një rritje nga një e pesta e tyre muajin e kaluar. Në fillim të marsit 2025, euro këmbehej me rreth 1.09 dollarë amerikanë.[1] Kjo rënie e euros ndaj dollarit mund t’u atribuohet disa faktorëve, përfshirë zhvillimet ekonomike globale, ndryshimet në politikat monetare të bankave qendrore dhe luhatjet në tregjet financiare. Është e rëndësishme të theksohet se kursi i këmbimit ndikohet nga një sërë faktorësh dhe mund të ndryshojë në varësi të kushteve ekonomike dhe gjeopolitike. Njëkohësisht ky është dhe një shkak i lëvizjes së kapitaleve nga njëri vend në tjetrin, gjë që vërtetohet me spostimin e kapitaleve nga tregu amerikan në atë europian. Kush kishte investime në dollarë në tregun amerikan, ka vënë re që vlera e tyre është ulur ndjeshëm në muajin e fundit.

    3.BORXHI I MADH I EKONOMISË MË TË MADHE NË BOTË.

    Ray Dalio, themeluesi i “Bridgewater Associates”, një nga fondet më të mëdha në botë, është një zë i njohur në botën e financave dhe ekonomisë. Në intervistat dhe shkrimet e fundit, Dalio ka shprehur shqetësime të thella në lidhje me borxhin amerikan dhe ndikimin e tij në ekonominë globale. Dalio ka theksuar se SHBA-të po përballen me nivele historikisht të larta të borxhit publik dhe privat. Ai paralajmëron se kjo gjendje është e paqëndrueshme dhe mund të çojë në një krizë financiare, nëse nuk menaxhohet siç duhet. Një nga paralajmërimet më të mëdha të Dalio është se dollari amerikan mund të humbasë statusin e tij si monedhë globale rezervë. Ai beson se kombinimi i borxhit të lartë, inflacionit dhe konkurrencës nga monedha të tjera (si juani kinez) mund të çojë në një rënie graduale të dominancës së dollarit[2]. Dalio beson se ekonomitë kalojnë nëpër “cikle të borxhit” dhe se SHBA-të janë në një fazë kritike të këtij cikli. Ai kërkon reforma strukturore, përfshirë uljen e shpenzimeve qeveritare dhe rritjen e produktivitetit, për të shmangur një krizë të mëtejshme. Dalio e krahason akumulimin e borxhit me grumbullimin e pllakave në arteriet e njeriut, duke argumentuar se kjo mund të çojë në një “infarkt financiar”. Ai thekson se rritja e shpenzimeve për shërbimin e borxhit mund të bëhet e paqëndrueshme dhe të shkaktojë destabilizim ekonomik. A do të mundet Presidenti Trump ta zgjidhë këtë problem dhe çfarë politikash do përdorë, asnjë nuk është në gjendje ta thotë këtë zgjidhje. Dalio propozon uljen e deficitit buxhetor në 3% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) për të shmangur një krizë të mundshme borxhi. Ai gjithashtu paralajmëron se, nëse nuk merren masa për të adresuar këtë çështje, normat e interesit mund të rriten ndjeshëm, duke çuar në një recesion të mundshëm. Në librin e tij të ardhshëm, “Si shkojnë vendet në falimentim” (How Countries Go Broke), Dalio analizon ciklet e mëdha të borxhit dhe ofron një udhëzues për të njohur dhe adresuar situatat akute të borxhit. I pyetur se kur ekonomia amerikane mund të hyjë në krizë, Dalio u përgjigj që ekonomia amerikane do të hyjë në krizë kjo është e pashmangshme, por se kur këtë nuk besoj se mund ta di njëri. Mund të jetë për 5 muaj, për 5 vjet, por edhe për 15 vjet. Sigurisht që përderisa nuk mund ta dijë Rey Dalio se kur do të hyjnë SHBA-të në recesion, mos prisni që ky artikull t’i japë përgjigje kësaj pyetjeje, ndërkohë të gjithë tashmë e dinë që zhvillimi ciklik është element konstant i zhvillimit. Sakaq, politika ekonomike e Presidentit Trump synon të garantojë një zhvillim më të madh në dekadat e ardhshme.

  • ATV shpall konkurs për lektor të gjuhës shqipe

    ATV shpall konkurs për lektor të gjuhës shqipe

    Vende të lira: 1 pozitë

     

    Kriteret e kërkuara për aplikim:

    • Titull universitar në fushën e gjuhës, letërsisë, gazetarisë, ose një fushë të ngjashme;
    • Kulturë të përgjithshme në letërsi, kulturë, politikë dhe çështje aktuale;
    • Njohuri të shkëlqyeshme të gjuhës shqipe të shkruar, përfshirë gramatikën, semantikën, shenjat e pikësimit, sintaksën dhe stilin;
    • Përvojë të mëhershme relevante në lektorim;
    • Aftësi për të punuar me disa stile të shkrimit dhe për të përshtatur stilin sipas audiencave të ndryshme;
    • Kujdes ndaj detajeve dhe aftësi për të identifikuar dhe korrigjuar gabimet;
    • Aftësi për të komunikuar efektivisht me gazetarët, redaktorët, dhe të tjerët në ekip;
    • Aftësi për të dhënë rregulla konstruktive dhe për të argumentuar ndryshimet e propozuara;
    • Fleksibilitet për të punuar me tekstet e ndryshme dhe në fusha të ndryshme;
    • Aftësi për të analizuar tekstin për probleme gramatikore, stilistike, dhe logjike dhe për t’i bërë përmirësimet e duhura;
    • Aftësi të mira personale dhe aftësi për punë ekipore;
    • Aftësi të komunikimit verbal dhe me shkrim në gjuhën shqipe dhe gjuhën angleze dhe;
    • Aftësi të punës me kompjuter.

    Detyrat dhe përgjegjësitë:

    Kandidati/ja i/e suksesshëm do të jetë përgjegjës/e për:

    • Identifikimin dhe korrigjimin e gabimeve gramatikore, drejtshkrimore dhe sintaksore në tekst;
    • Sigurimin që teksti të ndjekë një stil të përcaktuar dhe të ketë një strukturë logjike;
    • Përmirësimin e qartësisë dhe komunikimit të mesazhit në tekst;
    • Verifikimin e informacionit dhe fakteve për të siguruar saktësinë dhe kredibilitetin e tekstit;
    • Përshtatjen e stilit dhe tonit të tekstit për të përmbushur pritshmëritë e audiencës së synuar;
    • Bashkëpunim me gazetarët dhe redaktorët për të diskutuar dhe zgjidhur çështje specifike të tekstit.

     

    Për aplikim, duhet të dërgoni CV-në dhe një letër motivuese përmes email në:

    [email protected]

    me subjekt: Aplikim për Lektor të Gjuhës Shqipe

     

    Konkursi mbetet i hapur deri më 27 mars 2025.

  • 101 deputetë kërkojnë pagën kalimtare pas përfundimit të mandatit të Kuvendit

    101 deputetë kërkojnë pagën kalimtare pas përfundimit të mandatit të Kuvendit

    E shtuna e 22 marsit 2025 ka qenë dita e fundit e mandatit të Legjislaturës së tetë të Kuvendit të Kosovës.Me përfundimin e këtij mandati, deputetëve që nuk kanë të hyra të tjera, ligjërisht u takon paga kalimtare për një periudhë deri në 12 muaj.

    Ligji për të Drejtat dhe Përgjegjësitë e Deputetit, e përcakton se paga kalimtare u takon ligjvënësve deri në fillimin e realizimit të të hyrave financiare nga ndonjë burim tjetër, ose nga realizimi i pensionit. Siç nuk u takon atyre që kanë të hyra tjera, paga kalimtare s’u takon as atyre që rizgjidhen deputet. Paga bazë e deputetit është mbi 1800 euro.

    Kallxo.com ka kërkuar qasje në Kuvendin e Kosovës për të marr vesh se cilët janë deputetët që kanë kërkuar të marrin këtë pagë. Me këtë rast, Kuvendi i Kosovës ka njoftuar se 101 deputetë kanë kërkuar të shfrytëzojnë të drejtën e përfitimit të pagës kalimtare.

    Nga Grupi parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje, për pagë kalimtare kanë aplikuar: Adelina Grainca, Adnan Rrustemi, Adriana Matoshi, Agon Batusha, Alban Bajrami, Arbër Rexhaj, Arbëreshë Kryeziu-Hyseni, Arijeta Rexhepi, Arjeta Fejza, Armend Muja, Arta Bajralija, Artan Abrashi, Avni Dehari, Besim Muzaqi, Burim Meta, Dimal Basha, Driton Hyseni, Enver Dugolli, Enver Haliti, Fatmire Kollçaku, Fitim Haziri, Fitore Pacolli-Dalipi, Fjolla Ujkani, Gani Krasniqi, Gazmend Gjyshinca, Halil Thaqi, Haxhi Avdyli, Hydajet Hyseni-Kaloshi, Jahja Kokaj, Jeta Statovci, Jetmire Vrenezi, Labinotë Demi-Murtezi, Luan Aliu, Mefail Bajqinovci, Milazim Salijaj, Mimoza Kusari-Lila, Mirlinda Tishukaj-Sadiku, Mirsad Shkreta, Nasuf Bejta, Nijazi Isaku, Salih Zyba, Shqipe Isufi, Shqipe Mehmeti-Selimi, Tinka Kurti, Valon Ramadani, Vendenis Lahu, Visar Korenica, Yllza Hoti.

    Deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës që kanë kërkuar pagën kalimtare janë: Abelard Tahiri, Ariana Musliu-Shoshi, Blerta Deliu-Kodra, Eliza Hoxha, Elmi Reçica, Florete Zejnullahu, Ganimete Musliu, Hajdar Beqa, Hisen Berisha, Isak Shabani, Memli Krasniqi, Mergim Lushtaku, Rashit Qalaj dhe Xhavit Haliti.

    Nga Grupi parlamentar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, për këtë pagesë kanë parashtruar kërkesë deputetët: Agim Veliu, Anton Quni, Arben Gashi, Armend Zemaj, Besian Mustafa, Doarsa Kica-Xhelili, Drita Millaku, Driton Selmanaj, Hykmete Bajrami, Marigona Geci, Rrezarta Krasniqi, Valentina Bunjaku-Rexhepi dhe Vlora Dumoshi.

    Nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, pagën kalimtare e kanë kërkuar: Albana Bytyqi, Albena Reshitaj (tash LVV), Bekë Berisha, Besnik Tahiri, Haki Abazi, Pal Lekaj, Shemsedin Dreshaj dhe Time Kadrijaj.

    Pagë kalimtare ka kërkuar edhe Fatmir Humolli, i cili deri në përfundim të mandatit ishte pa grup parlamentar. Deputetët e komuniteteve joshumicë, joserbe, që kërkuan pagën kalimtare janë: Adem Hoxha, Bekim Arifi, Duda Balje, Enis Kervan, Erxhan Galushi, Fidan Jilta, Fridon Lala dhe Samra Iljaz.

    Nga grupi parlamentar i Listës Serbe, pagë kalimtare kanë kërkuar: Blijana Maksiq, Cvetko Veljkoviq, Milan Joksimoviq, Milan Kostiq, Nenad Radenkoviq, Olivera Zdravkoviq, Rados Mihajloviq, Svetislav Jokiq dhe Zoran Maksimoviq. Nga 120 deputetët e Kuvendit të Kosovës, vetëm 19 nga ta nuk kanë paraqitur kërkesë për kompensim kalimtar.

    Deputetët që nuk e kërkuan këtë kompensim janë: Ardian Kastrati, Ardian Gola, Avdullah Hoti, Bahrim Shabani, Behgjet Pacolli, Bekim Haxhiu, Ekrem Mustafa, Eman Rrahmani, Enver Hoxhaj, Fadil Gashi, Ferat Shala, Fitim Uka, Glauk Konjufca, Gramoz Agusholli, Lumir Abdixhiku, Ksenija Bozoviq, Kujtim Shala, Ramush Haradinaj dhe Saranda Bogujevci.Më 22.03.2021 ishte mbajtur seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës e më pas ishte thirrur seancë e jashtëzakonshme dhe në po të njëjtën ditë edhe ishte votuar Qeveria Kurti 2.

    Sipas Kushtetutës së Republikës së Kosovës, Kuvendi i Kosovës ka mandat 4 vjeçar nga dita e seancës konstituive. Pas përmbylljes së këtij mandati, i vetmi organ që e ruan vijimësinë e punës së Kuvendit deri në konstituimin e legjislaturës së re është Kryesia e Kuvendit.

    Me përfundimin e mandatit kushtetues të Kuvendit, ka përfunduar edhe mandati i rregullt i Qeverisë. Nga 23 marsi, Qeveria e drejtuar nga Albin Kurti është me kompetenca të kufizuara.

  • Vushtrria s’gjenë qetësi: Të shtëna me armë, dyshohet për vrasje

    Vushtrria s’gjenë qetësi: Të shtëna me armë, dyshohet për vrasje

    Media lokale Jepi zë ka raportuar se ka pasur të shtëna armësh në Vushtrri.

    Mbrëmë në Vushtrri një 19 vjeçar e ka vrarë bashkëmoshatarin e tij në qendër të qytetit. Nuk dihet nëse të shtënat e dëgjuara sot lidhen me rastin apo jo.

    Ndonëse disa media raportuan se dyshohet për vrasje, Policia ende nuk ka raportuar nëse ka viktima.

  • Lituania planifikon t’i dërgojë 40 ushtarë në Kosovë

    Lituania planifikon t’i dërgojë 40 ushtarë në Kosovë

    Lituania po planifikon që në Kosovë t’i dërgojë rreth 40 ushtarë të cilët do të shërbejnë në misionin e NATO-s, KFOR.

    Ky veprim i shtetit Lituanez vjen pas një kërkese të bërë nga Gjermania.

    Kjo kërkesë është përfshirë në një projekt-rezolutë për pjesëmarrje operacionet ndërkombëtare, e cila u regjistrua javën e kaluar.

    Ky numër i ushtarëve edhe mund të rritet dhe mund të shkojë deri në 60.

    Kurse, mandati aktual mundëson vetëm dërgimin e pesë ushtarëve.

    “Diskutimet në nivelin e institucioneve të mbrojtjes të të dyja shteteve kanë përcaktuar se opsioni më i realizueshëm për pjesëmarrjen e përbashkët në operacionet ndërkombëtare është të dërgohen trupat lituaneze në një njësit ushtarak gjerman që merr pjesë në operacionin ndërkombëtar të udhëhequr nga NATO në Kosovë”.

    Dhjetorin e kaluar, Ministria e Mbrojtjes mori kërkesën e Berlinit për t’i caktuar një njësi lituaneze me madhësi toge një kompanie gjermane.

    Kjo njësi, së bashku me një element mbështetës kombëtar dhe një oficer ndërlidhës, do të formonte një kontingjent kombëtar shtesë prej rreth 40 trupash lituaneze.

  • Naim Maloku në Hagë: UÇK ka qenë ushtri e rregullt vullnetare, jo në bazë të ligjeve

    Naim Maloku në Hagë: UÇK ka qenë ushtri e rregullt vullnetare, jo në bazë të ligjeve

    Dëshmitari Naim Maloku u pyet në Hagë lidhur me një libër të tij, për të cilin tha se ka mundur që të ketë disa ekzagjerime të vogla për UÇK-në.

    “Mund të ketë pasur ndonjë ekzagjerim të vogël. Në përgjithësi libri pasqyron të kaluarën time”, tha Maloku, raporton Betimi për Drejtësi.

    Dëshmitari u pyet se çka ka ekzagjeruar në librin e tij lidhur me veprimtarinë dhe funksionin e UÇK-së.

    “Ndoshta e kam paraqitë strukturën organizative dhe zinxhirin komandues si strikte. Më lejoni t’ua sqaroj se Ushtria Çlirimtare e Kosovës, ka qenë ushtri e rregullt vullnetare. Nuk ka qenë e mobilizume në bazë të ligjeve, Qeverisë, Ministrisë së Mbrojtjes, por është organizu në baza vullnetare”, tha ai.

    Ai tha se çdo njësi vullnetare ka përgjegjësi dhe obligime që dallojnë nga njësitë e tjera që mobilizohen sipas ligjit.

    Dëshmitari u pyet edhe për rolin e Ilir Konushevcit në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.

    “Njeri kyç i logjistikës për UÇK-në në Shqipëri. Ishte këmbëngulës që sa më shumë oficerë dhe sa më shumë ushtarakë të futen në Kosovë në radhët e UÇK-së. E di që ka bërë përpjekje maksimale që shumë kolegë të mi që ishin me përvojë në luftërat në Kroaci dhe Bosnjë që të kyçemi”, tha dëshmitari, duke shtuar se përpjekje si Ilir Konushevci kishte bërë edhe Qerim Kelmendi.

    Dëshmitari Maloku tha se ka pasur rezerva për kyçjen e tyre në UÇK. Tha se në fillim të veprimtarisë së tij është marrë me trajnimin e vullnetarëve që kanë ardhur nga jashtë në dy kampe që kanë ngritur në malin e Dajtit në afërsi të Tiranës.

    Ai tha se më pas kanë shkuar edhe në bazat e logjistikës në Kukës dhe në Bajram Curr për të ngritë strukturën organizative të bazave që armët që grumbulloheshin të dekonzervohen dhe të kontrollohen teknikisht.

    Si rrjedhojë, Maloku tha se kjo ishte për shkak se në rast kur ushtarët të merrnin armën që të shkojnë në Kosovë, arma të jetë funksionale për shkak se ka pasur disa raste që kur kanë dalë ushtarët në pritë nuk iu kanë funksionuar armët.

    Ai gjithashtu tha se në ’98-ën kanë sugjeruar që të mos vendosin mina kundër këbësorisë.

    “E vetmja ushtri që gjatë kohës sa ka vepru dhe funksionu nuk ka qenë e trajnume dhe nuk ka pas në përdorim mina anti-këmbësori. Toka jonë ka qenë, shteti jonë ka qenë se ato mina kanë mujt me met aty të fshehura me dekada më vonë me dëmtu fëmijë, civil, kafshë dhe këtë ia kemi komuniku Ilir Konushevcit. Jo urdhër, se na nuk kemi pas mundësi me i dhënë urdhër Ilri Konushevcit, por i kemi këshillu dhe i kemi thënë që kurrë mos t’iu japë ushtarëve dhe të mos mësohen ushtarët për përdorimin dhe minimin dhe krijimin e fushave të minave anti-këmbësori në territorin e Kosovës”, tha ai.

  • Komuna e Prishtinës: Nga 31 marsi transportuesit për Podujevë obligohen të parkohen në Stacionin e Autobusëve

    Komuna e Prishtinës: Nga 31 marsi transportuesit për Podujevë obligohen të parkohen në Stacionin e Autobusëve

    Pas shumë ditëve grevë, drejtuesit e autobusëve që udhëtojnë çdo ditë nga Podujeva për në Prishtinë dhe anasjelltas, të premten arritën një marrëveshje.

    Komuna e Prishtinës sot nxori vendimin ku njoftohen transportuesit e udhëtarëve që operojnë brenda territorit të Podujevës se nga e hëna obligohen që të hyjnë në stacionin e autobusëve.

    Njoftohen të gjithë transportuesit e udhëtarëve që operojnë brenda territorit të Komunës së Podujevës se prej datës 31.03.2025 (e hënë) obligohen të hyjnë në Stacionin e Autobusëve.

    Nga kjo datë ndalohet parkimi dhe marrja e udhëtarëve në hapësirat e shfrytëzuara deri më tash.

    Ndaj secilit operator që vepron në kundërshtim me këtë njoftim do të merren masa ndëshkimore nga inspektorët dhe organet tjera kompetente.