Kryetari i Koalicionit Euroatlantik, Lulzim Basha, në emisionin CONTEXT në ATV, tregoi për mënyrën se si nisi replikimi i tij me kryeministrin Edi Rama, përmes tekstit të një këngë të Unikkatilit.
Sipas Bashës, gjithçka nisi kur Rama për disa ditë me radhë pyeste publikisht se ku ishte ai, ndërsa përgjigja e tij erdhi me vargun “Ku të mbetën shokët?”, duke përmendur emra të afërt të Ramës që janë në burg apo në hetim.
“Zoti Rama kishte ditë që pyeste: Ku je? Ku është Luli? Dhe unë iu përgjigja: Jam këtu, me bashkëpunëtorët e mi, po bëj gati fushatën. Ti ku je? Më e rëndësishmja, ku i ke shokët? Sepse një pjesë e mirë e shokëve të Edi Ramës – nga Erion Veliaj, Arben Ahmetaj, Ilir Beqja, Saimir Tahiri, Lefter Koka, te Vangjush Dako – janë në burg, rrugës për burg ose po mundohen t’i shpëtojnë burgut”, deklaroi Basha.
Ai tha se pas kësaj replike, një mik i kujtoi këngën e Unikkatilit, e cila u bë pjesë e komunikimit të tij me kryeministrin, por me një domethënie të qartë politike.
“Një mik më kujtoi vargjet e këngës së njohur të Unikkatilit: ‘Ku të mbetën shokët?’. Kështu u fut Unikkatili me një varg shumë domethënës në një kontekst të qartë politik, sepse mesazhi është dhe mbetet thellësisht politik”, u shpreh Basha.
Deklaratën e plotë të Lulzim Bashës në CONTEXT, e gjeni në videon më poshtë:
Kryetari i Koalicionit Euroatlantik, Lulzim Basha, në emisionin CONTEXT në ATV, tha se është koha që shqiptarët të votojnë lirshëm, pa pengesa burokratike dhe pa presione politike, duke kërkuar votim dhe numërim elektronik.
Ai tha se votimi përmes shenjës së gishtit është i mundur dhe tashmë zbatohet edhe në shtete me sfida më të mëdha se Shqipëria.
“Shqiptarët, qytetarët e Republikës së Shqipërisë meritojnë të votojnë pa pengesa, pa gryka shishesh. Shqipëria ka një databazë biometrike të gjithë qytetarëve. Është plotësisht e mundur që një shqiptar kudo ku jeton – nga Australia, Kanadaja, Suedia apo edhe Greqia – të identifikohet thjesht dhe vetëm me shenjën e gishtit. Kjo shmang gjithë burokracinë dhe mundëson votim elektronik, numërim elektronik”, deklaroi Basha.
Sipas tij, qeveria po e kufizon të drejtën e diasporës për të votuar përmes një procesi selektiv dhe jotransparent.
“Qeveria është angazhuar në një proces selektiv në raport me diasporën. Vetëm një pjesë e vogël do të kenë mundësi të votojnë. Sistemi është jotransparent sepse ne vuajmë nga problematika të patronazhimit. Vjen dikush dhe u thotë: hajdeni këtu, mbushni këto fletë votimi, votoni për këtë parti, dhe hajt t’i postojmë. Sistemi që është vënë në funksion është një larje goje me premtimin akoma të pambajtur për votë të lirë e të pakushtëzuar për diasporën”, theksoi Basha.
Deklaratën e plotë të Lulzim Bashës në CONTEXT, e gjeni në videon më poshtë:
Kryetari i Koalicionit Euroatlantik, Lulzim Basha, në emisionin CONTEXT në ATV, tha se 11 maji është dita kur qytetarët mund ta kthejnë pushtetin në duart e tyre dhe të zgjedhin një alternativë të pastër, përballë keqqeverisjes dhe korrupsionit.
Ai tha se Edi Rama kërkon një mandat të katërt pavarësisht dështimeve, ndërsa Berisha po tenton të rikthejë figura të konsumuara, disa prej të cilëve janë të përfshirë në hetime penale.
“Edi Rama kërkon një mandat katër, dymbëdhjetë vjetësh don dhe katër vjet tjera, ndërkohë që problemet janë të pafundme, që janë krijuar nga keqqeverisja, nga korrupsioni. Zoti Berisha, nga ana tjetër, po kërkon të riciklojë emra që e kanë kryer ciklin e tyre politik, e ca janë edhe në cikël penal, pikërisht për shkak të korrupsionit, fshehjes së pasurisë, pastrimit të parave, siç është rasti i zotit Meta, ish-kryeministër, ish-president, aleati kryesor i zotit Berisha”, tha Basha.
Sipas Bashës, Koalicioni Euroatlantik është alternativa që i jep fund kësaj loje të vjetër dhe i kthen qytetarëve shpresën për të ardhmen.
“Koalicioni Euroatlantik është aty si zgjidhje, si alternativë. E kemi paraqitur programin tonë që nga 1 qershori i vitit të kaluar, me një ekip të hapur e dinjitoz, dhe jemi çdo ditë me qytetarët për t’iu shpjeguar se si vota për numrin katër i bën ballë kësaj loje. Nëse ju dhimbsen fëmijët tuaj, familjet tuaja, nëse ju dhimbset Shqipëria, atëherë zgjidhjen e keni: Koalicioni Euroatlantik, numri katër”, deklaroi Basha.
Deklaratën e plotë të Lulzim Bashës në CONTEXT, e gjeni në videon më poshtë:
Kryetari i Koalicionit Euroatlantik, Lulzim Basha, në emisionin CONTEXT në ATV, deklaroi se mbyllja e një të tretës së listave zgjedhore nga Rama dhe Berisha ka përkeqësuar kushtet demokratike në Shqipëri.
Sipas Bashës, ky veprim u ka hequr qytetarëve të drejtën për të zgjedhur përfaqësuesit e tyre, duke i kthyer listat në “kazerma politike personale”.
“Zoti Rama dhe zoti Berisha bashkuan votat dhe mbyllën plot një të tretën e listave, duke krijuar kështu predispozitat për kazerma politike personale dhe duke i mohuar qytetarëve të Shqipërisë të zgjedhin ata dhe jo kryetarët e partive se kush do të shkojë në Parlamentin e ardhshëm”, deklaroi Basha.
Ai tha se Koalicioni Euroatlantik ka reaguar duke vendosur 100 për qind lista të hapura dhe duke garantuar që vetëm ata që marrin më shumë vota shkojnë në Parlament.
“Koalicioni Atlantik numri katër në listën e votimit i është përgjigjur me listat e hapura njëqind. Te ne, te Koalicioni Euroatlantik, ai që votohet, ai që merr një votë më shumë, janë ata që shkojnë në Parlamentin e Shqipërisë”, theksoi Basha.
Deklaratën e plotë të Lulzim Bashës në CONTEXT, e gjeni në videon më poshtë:
Qe një temë e mirë mirë – viberi! Aplikacioni numër 1 në Ballkan për biseda pa pare, vendlindja e PSD-së arena e debatit në LDK.
Reporteri, taktikisht për Bajram, e para një prillit, e ka bëre një punë te mirë që i ka lëshu do screenshota të komunikimit të një grupi në viber të zyrtarëve të LDK-së, ku vërehen jo vetëm pakënaqësitë e zyrtarëve të kësaj partie me numrin e votave në diasporë, por kalohet në akuza serioze.
Për ta parafrazuar Arben Gashin, pa u identifikuar problemi saktë si skemë e organizuar kriminale, nuk mund të shpëtohet partia.
Pra, brenda LDK-së është kah flitet për manipulim ose për skemë kriminale, kurse nëse e parafrazojmë kryetarin e partisë, Lumir Abdixhikun, luks është të merresh me këtë temë tani, kush do të merret, le ti adreson ne polici ose prokurori, ato janë vota të LDK-së dhe shqetësim për të është pse nuk janë 40 mijë vota për LDK-në në diasporë, por janë përgjysmë më pak.
Për më tepër Abdixhiku pohon se edhe brenda partisë ka pasur grupacione pesëshe të deputetëve që kanë marrë vota joproporcionale nga disa degë, qysh ka marrë një dhjetëshe e deputetëve vota joproporcionale nga diaspora.
I bie që tek votat e diasporës i kemi dy mënyra të intervenimit! E para është ndërhyrja direkte si në rastin e Martin Berishajt, i cili shkon si car i merr votat vet, pa vëzhgues dhe mandej ato vota anulohen dhe po m duket që po e shoh LDK-në tu thanë: Martin, mbajma qëtë birrë, këqyre qysh bëhet kjo punë!
Këqyre, efekti i kësaj hallakame edhe brenda LDK-së, edhe ankesave poshtë e përpjetë është vetëm medial dhe mund të jetë politik.
Rezultatet janë certifikuar, deputet e legjislaturës së nëntë dihen, Kuvendi do të mblidhet më 15 prill në seancë konstituive dhe dalja e këtij skandali në publik nuk do të prodhojë pasoja për
deputetët e rinj, nuk do të shkaktojë zvarritje në formim të institucioneve të reja, në rregull jemi, pini maca ujë!
Mirëpo, duhet thënë po ashtu që për tu certifikuar rezultatet, është dashur që të kalojnë nëpër PZAP dhe nëpër Gjykatë Supreme. Për rezultatet e LDK-së në diasporë është ankuar Vetëvendosja,
por të dyja këto instanca e kishin refuzuar ankesën e kësaj partie.
Pra, këto vota janë të rregullta dhe për këtë punë kanë vendosur gjyqtarë në dy shkallë, se jo një.
Tash, a nuk ka ditë Vetëvendosja ta formulojë ankesën, a gjyqtarët seriozisht nuk kanë parë asnjë parregullsi, a nuk po dinë njerëzit e LDK-së – krejt këto janë tema të mira, por nuk kanë pasoja!
Kuptohet, pasojat e daljes në publik të komunikimeve në viber në LDK nuk kanë shkaktuar as përafërsisht pasojat kur një gjë e tillë i kishte ndodhë Vetëvendosjes dhe kishte lindur PSD-ja, që një kohë ka qenë ndër grupet e viberit më me ndikim në Kosovë.
Nëse për LDK-në vlejnë rregullat e Whatsappit edhe në viber, atëherë për të pakënaqurit po bëhet mirë!
Viber ishte appi në të cilin Shkëmb Manaj shprehu pakënaqësinë dhe pretendoi se është dëmtuar nga njerëzit e LDK-së dhe pasi kjo doli në publik, Manaj u bë nënkryetar i Prishtinës!
Çka ndodhë me tjerët, e marrim vesh më 15 prill, pikërisht për këtë datë është caktuar seanca konstituive e Kuvendit.
Procedura, nëse krejt shkon sipas planit parasheh që fillimisht, çdo parti cakton një anëtar në Komisionin e Përkohshëm për Verifikimin e Kuorumit dhe Mandateve. Ky komision kontrollon nëse në sallë ka kuorum dhe nëse të gjithë deputetët kanë mandate të vlefshme. Komisioni do të udhëhiqet nga një deputet i Lëvizjes Vetëvendosje.
Pas prezantimit të raportit të komisionit, ai votohet nga Kuvendi. Vetëm pas kësaj vazhdohet me betimin.
Deputetët bëjnë betimin solemn dhe marrin zyrtarisht mandatin e tyre si përfaqësues të zgjedhur.
Më pas votohet Kryetari i ri i Kuvendit, që duhet propozohet nga partia më e madhe parlamentare. Zgjedhja bëhet me shumicën e votave të të gjithë deputetëve. Nëse zgjidhet, ai menjëherë merr drejtimin e seancës.
Tutje, vijohet me zgjedhjen e pesë nënkryetarëve: tre propozohen nga tri partitë më të mëdha (LVV, PDK dhe LDK), një nga deputetët e komunitetit serb, dhe një tjetër nga deputetët e komuniteteve të tjera jo-shumicë. Kandidati i subjektit më të madh duhet të jetë i gjinisë tjetër nga Kryetari.
Seanca konsiderohet e përmbyllur – e rrjedhimisht Kuvendi i konstituar – vetëm pasi zgjidhen Kryetari dhe të gjithë nënkryetarët. E megjithatë, nuk ka asnjë afat të përcaktuae kohor për zgjedhjen e tyre, duke lënë hapësirë për zvarritje të procesit.
Por nëse seanca ndërpritet për çfarëdo arsyeje, pauza nuk mund të zgjasë më shumë se 48 orë.
Kuptohet, kryetari i Vetëvendosjes Albin Kurti pohoi se po punon që në të njëjtën ditë të votohet edhe Qeveria e re. Në atë rast jemi kah flasim për një seancë të re, të jashtëzakonshme të Kuvendit, pas kësaj seancës konstituive.
Kuptohet, e gjatë është lista e mundësive dhe manovrave të mundshme për të zvarritë procedurat, edhe më e gjatë është lista e telasheve që shakktohen ose nuk trajtohen, duke mos pasë institucione me mandat.
Në garën për deputet, në zgjedhjet e 9 shkurtit, Shkëmb Manaj, hyri përmes degës së Lidhjes Demokratike në Istog.
Por pasi nuk arriti të sigurojë ulëse në Kuvend, të premten ai u emërua nënkryetar i Prishtinës, nga kryetari Përparim Rama.
Pavarësisht prejardhjes, Rama thotë se Manaj e njeh mirë Prishtinën.
Manaj nuk është i vetmi që merr pozitë ekzekutive në kryeqytet, e që më herët ishte angazhuar politikisht në tjetër komunë. Drejtoresha e Kulturës, Sibel Halimi, në zgjedhjet lokale të 2021-ës, ishte kandidate e LDK-së për kryetare të Ferizajt.
Mirëpo, kjo praktikë nuk është e re në Prishtinë. Edhe kryetari para Përparim Ramës, Shpend Ahmeti, kishte emëruar drejtorë që nuk janë nga Prishtina. Arbërie Nagavci, që tash është ministre,
udhëhiqte me drejtorinë e Arsimit. Edhe Salih Zyba e Hysen Durmishi, me prejardhje nga Suhareka, udhëhiqnin me Inpekcionin dhe Infrastrukturën në Prishtinë.
Kenan Gashi nga rrjeti i OJQ-ve AVONET thotë se këtë nuk e ndalon ligji, por emërimet duhet të bazohen mbi njohuritë për problemet e kryeqytetit.
“Në parim nuk sanksionon asnjje ligj, por praktikat e tilla nuk jane të duhura e të mira, kur dihet që në Prishtinë ka njerëz që mund të mbajnë atë pozicion e udhëheqje. Kjo është një dokuri negative, dhe eshtë shqetësuese se si nuk i orienton kryetari njerëzit e prishtinës të kenë pozita të tilla”, tha Kenan Gashi, avonet.
Nga pozitat udhëheqëse në kabinetin e kryetarit Përparim Rama, dhanë dorëheqje kandidatët që fituan ulëse në Kuvendin e Kosovës.
Ka disa muaj që kanë filluar punimet por ndërtimi i platesë në Breg të Dielli ende nuk ka përfunduar.
Banorët ndërkaq janë të pakënaqur me punë të lëna anash nga Komuna.
“Na kish pëlqy me konë pak më mirë,ma pastër. (00:21) Po mbesin në gjysmë keq, me i ndreq ma mirë.Këtu kur të rregullohet kemi dëshirë me dalë e me shëtit. (00:46) Qysh ja kanë nisë, ishalla e përfundojnë”, tha Selvete Bytyqi, qytetare.
Por nga Komuna thonë se janë afër përfundimit të punimeve.
“Janë pjesë të gjelbërimit të cilat duhet t’i përfundojë ndërmarrja “Gjelbër”, por meqë ende jemi në kohën e dimrit është e pamundur që ato të përfundohen dhe gjatë Prillit apo Majit do ta kemi të gjelbëruar atë pjesë.(01:01) Një detaj tjetër i vogël që ka mbetur është që qasjet për persona me nevoja të veçanta do të ngjyrosen për tu ditur se për çfarë shërbejnë”, tha zëdhënësi i komunës së Prishtinës, Donat Lushaku.
Ky projekt në lagjen “Bregu i Diellit” i ka kushtuar Komunës rreth 800,000 euro.
Punime siç njoftoi Komuna do të ketë në Lakrishtë dhe zona tek Posta.
Qytetarët e Kosovës, që ndër vite u faturuan për shpenzimin e rrymës në katër komunat veriore të Kosovës, akoma nuk kanë filluar të kompensohen.
Madje as nuk dihet se kur do të ndodh.
Distributori KEDS po vazhdon të mos e zbatojë vendimin, pavarësisht se kërkesa për shtyrje të vendimit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë, iu refuzua nga dy shkallët e Gjykatës Komerciale, si dhe nga Gjykata Supreme.
“Gjykata përkatësisht Departamenti për Çështje Administrative, duke vepruar sipas kësaj çështje me aktvendimin e datë 17.05.2024, ka refuzuar kërkesën e KEDS për shtyrjen e ekzekutimit të vendimit të ZRrE, deri në marrjen e vendimit gjyqësor përfundimtar me padi, si të pabazuar. Dhoma e Dytë e Gjykatës Komerciale, me aktvendimin e datë 18.06.2024 ka refuzuar si të pabazuar ankesën e propozuesit dhe ka vërtetuar vendimin e Dhomës së Shkallës së Parë”, thuhet në aktvendimin e Gjykatës Komerciale.
Vendimi i ZRRE-së thotë se qytetarët duhet kompensuar në vlerë prej rreth 40.8 milionë eurosh, që vërtetohen se kanë paguar aktivisht për periudhën shkurt 2012 – tetor 2017.
“Padia ndaj vendimit të ZRRE-së me të cilën jemi obliguar të bëjmë kompensimin 40 milionësh është parashtruar në gjykatë më 7 maj 2024. Kërkesa për shtyrje të ekzekutimit të vendimit të ZRRE-së na është refuzuar në të gjitha shkallët, kurse për çështjen kryesore ende nuk jemi ftuar. Arsyet pse KEDS e ka kontestuar vendimin e ZRRE-së me padi është se KEDS nuk ka qenë fare palë ndërgjyqëse në procesin kontestimor nga i cili ka dalë Vendimi i Gjykatës, i cili obligon kompensimin e faturave të paguara për katër komunat në veri”, thuhet në përgjigjen nga KEDS-i.
Mbështetur në aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese, ZRRE-ja para një viti obligoi KEDS-in t’ua kthejë borxhin kosovarëve, duke i kompensuar çdo muaj nga qershori 2024 – deri në prill 2030.
“ZRRE është dashur përkundër zvarritjeve që tenton t’ia bëjë KEDS dhe KESCO, është dashur ta obligojë KEDS dhe KESCO-n, ta rimbursojë këtë më së buti ta quaj zbutje të qytetarëve përmes faturës së energjisë, në rimbursim të faturës së energjisë, që vështruar sipas pasqyrave të të hyrave të lejuara të ZRRE-së…që nga prilli i vitit 2024 fatura e rrymës për qytetarët është dashur të jetë më e ulët për 10.47%”, tha Izet Ibrahimi, ekspert i energjisë.
Sidoqoftë, ekonomisti Jakup Bellaqa, thotë se qytetarët pësojnë nga mos-kompensimi në kohën kur paralajmërohet shtrenjtim i rrymës.
ZRRE nuk ktheu përgjigje nga java e kaluar e deri të martën, për këtë çështje.
Të rralla ishin lëvizjet në selinë e Lidhjes Demokratike të Kosovës, paraditen e së martës.
Edhe më të rralla se lëvizjet, nga kjo parti qenë reagimet publike, anise me ato në grupe private bënë goxha bujë.
Së fundmi, pas shkrimit kritikues të Avdullah Hotit dhe publikimit të disa mesazheve më pastaj, për situatën i formuloi disa fjali edhe kryetari i partisë, Lumir Abdixhiku, i cili gjithë diskutimin tentoi ta zhvendosë jashtë subjektit, pa pohuar ose mohuar asnjë nga pretendimet për keqpërdorim me vota.
“Temat e brendshme janë diskutuar tashmë në Kryesi. LDK i beson institucioneve tona në çdo drejtim; dhe në këtë drejtim. Ne nuk bëjmë as prokurorinë e as gjyqësinë. LDK i ka besuar institucioneve tona edhe kur ka fituar në tri nivele betejën e tentim anulimit të votave tona me partinë në pushtet”, ka deklaruar Abdixhiku.
Por, nga njohës të çështjeve politike, vlerësohet se pikërisht Abdixhiku nuk arriti ta menaxhojë situatën.
“Ai është mundu me i mbytë zërat e shqetësuar. E jo duke I marrë parasysh, e që me ta me u mundu me i zgjidhë të gjithë, duke u mundu me hedh fajin jashtë, se nëse ka një problem, është një problem I brendshëm, e jo i jashtëm”, tha Bekim Kabashi, njohës i çështjeve politike.
Meqenëse gjithë situata u zhvillua për shkak të votave, përmes tyre vlerësohet se do të mund të zgjidhet e tëra, krahas hetimeve nga prokuroria.
“Konsideroj se zgjedhjet e brendshme do ta zgjidhnin situatën”, tha Kabashi.
Në fakt, askush nga LDK, nuk e ka mohuar përmbajtjen e mesazheve në një grup të brendshëm, në të cilin zyrtarët e partisë pretendojnë se votat nga diaspora u keqpërdorën.
Seanca e së martës në Hagë përfundoi më herët se që ishte planifikuar.
Gjykimi ndaj katërshes së UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi dhe Kadri Veseli, të akuzuar për vepra që ndërlidhen me krime të lufte nuk u mbajt meqë dëshmitari i paraparë nuk u paraqit në gjykatë.
Ky dëshmitar ishte i fundit i propozuar nga Zyra e Prokurorisë së Specializuar por dëshmia e tij do të pranohet me shkrim.
“Sot si rregull do të kishim filluar të dëgjojmë dëshminë e dëshmitarit të prokurorisë…. Sidoqoftë dëshmitari nuk është në gjendje të vij sot, edhe ZPS-ja ka kërkuar që të pranohet dëshmia e tij sipas rregullit 155”, ka thënë kryetari i Trupit Gjykues, Charles Smith.
Dëshmitari i cili duhej të dëshmonte ishte i 125-ti derisa nga Zyra e Prokurorit të Specializuar shpesh herë kanë thënë se nuk do të ftojnë asnjë dëshmitar pas 4 prillit.
Dhe tani kur seancat në këtë proces gjyqësor janë shtyrë për afat të pacaktuar kurdo që rifillojnë në bankë do të ulen dëshmitarët e mbrojtjes.
Aktakuza ndaj Thaçit, Veselit, Selimit dhe Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.