ATV

Author: ATVLive

  • Në disa vende, muslimanët festuan sot Fitër Bajramin

    Në disa vende, muslimanët festuan sot Fitër Bajramin

    Në disa vende myslimanët festuan sot dhe mbushën xhamitë në ditën e parë të Fitër Bajramit, raporton Anadolu.

    Myslimanët në vendet si Iran, Pakistan, Irak, Indi, Malajzi, Indonezi, e festuan sot ditën e parë të Fitër Bajramin, sipas rezultateve të vëzhgimit të gjysmëhënës.

    Në këtë kuadër, myslimanët mbushën xhamitë për faljen e namazit të Bajramit.

  • Kryqi i Kuq i indinjuar për vrasjen e tetë mjekëve në Gazë

    Kryqi i Kuq i indinjuar për vrasjen e tetë mjekëve në Gazë

    Federata Ndërkombëtare e Shoqatave të Kryqit të Kuq dhe Gjysmëhënës së Kuqe (IFRC) tha se është “e indinjuar” nga vrasja e tetë mjekëve në detyrë, në qytetin Rafah në jug të Gazës.

    Ekipi prej nëntë personash u sulmua më 23 mars, tha IFRC-ja, ndërsa trupat e tyre u morën të dielën, pasi qasja në vendngjarje nuk u lejua për një javë.

    Një mjek është ende i zhdukur.

    Shoqata e Gjysmëhënës së Kuqe të Palestinës (PRCS) tha se trupat e stafit të saj u zbuluan së bashku me ato të gjashtë anëtarëve të Agjencisë së Mbrojtjes Civile të Gazës – të drejtuar nga Hamasi, organizatë e shpallur terroriste nga SHBA-ja dhe fuqi të tjera – si dhe të një punonjësi të OKB-së.

    Ata nuk thanë se kush hapi zjarr ndaj kolonës, por Hamasi fajësoi Forcat e Mbrojtjes të Izraelit për sulmin.

    Në një deklaratë të lëshuar të dielën, IFRC-ja tha se tetë trupat e punëtorëve të PRCS-së u morën “pas shtatë ditësh heshtjeje”.

    Forca e Mbrojtjes e Izraelit nuk e komentoi publikisht deklaratën e Kryqit të Kuq dhe Gjysmëhënës së Kuqe.

    Agjencia e lajmeve AFP raportoi se ushtria izraelite, të shtunën, ka pranuar se ka qëlluar mbi autoambulancat në jug të Gazës, të dielën e kaluar, pasi i ka identifikuar ato si “automjete të dyshimta”.

    Trupat izraelite “kanë hapur zjarr ndaj automjeteve të Hamasit dhe kanë eliminuar disa terroristë të Hamasit”, tha ushtria në një deklaratë për AFP-në.

    Ushtria shtoi se “pas një hetimi fillestar, është konstatuar se disa nga automjetet e dyshimta, kanë qenë ambulanca dhe kamionë zjarrfikës”.

    Izraeli rifilloi ofensivën e tij ushtarake në Gazë më 18 mars, pasi faza e parë e një armëpushimi që filloi në janar, përfundoi, ndërsa negociatat për fazën e dytë të marrëveshjes ngecën.

    Që atëherë u vranë më shumë se 900 njerëz nga sulmet e Izraelit në Gazë, tha Ministria e Shëndetësisë, e drejtuar nga Hamasi.

    Lufta filloi kur Hamasi sulmoi Izraelin jugor më 7 tetor të vitit 2023, duke vrarë rreth 1.200 njerëz dhe duke marrë pengje mbi 250 të tjerë.

    Izraeli u përgjigj me një ofensivë masive ushtarake, duke vrarë më shumë se 50.000 palestinezë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gazë, të udhëhequr nga Hamasi. /REL/

  • Profesoresha serbe: Vuçiqin nuk e do as nëna e tij

    Profesoresha serbe: Vuçiqin nuk e do as nëna e tij

    Dekania e Fakultetit Filozofik të Universitetit të Nishit, prof. Doktoresha Natalija Jovanoviq, e cila dje u sulmua me thikë nga një grua e panjohur, u lirua nga spitali po atë ditë dhe po shërohet në shtëpi.

    Ajo në një bashkëbisedim me portalin Nova thotë se është më e zemëruar se kurrë dhe se ka vendosur ta padisë shtetin dhe se populli pas asaj çka i ndodhi duhet të kërkojë vetëm një gjë.

    “Populli duhet të kërkojë që Aleksandar Vuçiq duhet të humbasë çdo detyrë publike”.

    Kjo pasi thotë se presidentin e Serbisë nuk e do as nëna e tij.

    “Kam marrë mbështetje nga Kolegjiumi i Dekanëve të Beogradit dhe Novi Sadit dhe nga Rektorati, si dhe nga kolegë nga jashtë. Kjo do të thotë shumë për mua, sepse mbështetja nga të gjitha anët tregon se sa jemi. Vuçiqin është një njeri që nuk e do as nëna e tij, e lëre më tifozët në stadium”, thotë ajo.

    Kjo nuk është hera e parë që ajo është shënjestër e një sulmi – në shkurt ajo u sulmua fizikisht nga një grua e moshuar, e cila më parë kishte sulmuar studentët.

    Sulmet verbale dhe fizike ndaj profesorëve dhe studentëve po bëhen gjithnjë e më të shpeshta, ndërsa ditëve të fundit janë shënuar incidente në Novi Sad, ku janë rrahur studentë dhe është sulmuar profesoresha Dragana Budakov.

    Këto sulme ndaj Jovanoviqit vijnë pasi presidenti serb Aleksandar Vuçiq e thirri atë në disa paraqitje publike, duke e quajtur atë një “hajdut në kub” dhe duke insinuuar se ajo është një kriminele.
    Ai më parë kishte deklaruar se kishte bërë një gabim duke falur njerëz “si ajo”, duke pretenduar se ajo ishte duke udhëhequr demonstratat në Nish dhe se kishte çanta të shtrenjta.

    “Kam bërë gabimin më të madh që kur jam bërë president sepse kam falur disa njerëz. Në mesin e tyre është ajo gruaja nga Nishi, gruaja e Bane Bananës, e cila ka çantat më të shtrenjta se unë kam ngrënë akullore në jetën time dhe luan rolin e një revolucionari të madh. A është ajo dekane e Fakultetit Filozofik?”, tha në atë kohë Vuçiq.

    Pas sulmit, bashkëshorti i saj Branislav Jovanoviq e akuzoi drejtpërdrejt Vuçiqin, duke thënë se ai kishte bërë një fushatë kundër tyre prej disa kohësh dhe se shalli i përgjakur i gruas së tij ishte “vazhdim i këmishave të përgjakur në Serbi”.

    Opozita dhe personazhet publike gjithashtu e konsiderojnë Vuçiqin përgjegjës, duke theksuar se fjalimet e tij dhe mediat pro-qeveritare kanë krijuar një atmosferë në të cilën sulmet ndaj disidencës janë normalizuar.

  • Al Jazeera: Ky është ndër profesionet më të kërkuara në Kosovë

    Al Jazeera: Ky është ndër profesionet më të kërkuara në Kosovë

    Mungesa e fuqisë punëtore të kualifikuar po bën që një numër në rritje i të rinjve në Kosovë të zgjedhin arsimin profesional, raporton sot Al Jazeera Balkans.

    Mediumi ndërkombëtar i ka kushtuar vëmendje aftësimit të të rinjve kosovarë për punë profesionale.

    Sipas Al Jazeera, automekanikët janë ndër profesionet më të kërkuara në tregun e punës në Kosovë.

    “Pagat në këtë profesion janë më të larta se mesatarja”, raporton Al Jazeera, e cila ka vizituar shkollën profesionale të mesme të lartë “Shtjëfen Gjeçovi” në Prishtinë.

    Ndryshe nga të rinjtë me diploma akademike, të cilët kanë vështirësi për të gjetur punë, ata me kualifikime profesionale kanë mundësinë të zgjedhin se ku duan të punojnë, raporton Al Jaazera.

  • ZKM: Kurti udhëton sot për në Hannover për të marrë pjesë në Panairin Ndërkombëtar “Hannover Messe 2025”

    ZKM: Kurti udhëton sot për në Hannover për të marrë pjesë në Panairin Ndërkombëtar “Hannover Messe 2025”

    Zyra e Kryeministrit të Kosovës ka njoftuar se kryeministri në detyrë, Albin Kurti, udhëton sot për në Hannover të Gjermanisë për të marrë pjesë në panairin më të madh ndërkombëtar të industrisë dhe teknologjisë, “Hannover Messe 2025”. Kjo është hera e dytë që Kryeministri Kurti merr pjesë në këtë ngjarje të rëndësishme globale për inovacionin, automatizimin dhe transformimin industrial.

    Gjatë vizitës së tij, Kryeministri Kurti bashkë me ministren e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, do të zhvillojë një tur të udhëzuar nëpër pavijonet e kompanive lidere si Bosch Rexroth, Festo, Siemens, Aleph Alpha, SAP dhe Schneider Electric, me fokus në teknologjitë inteligjente të prodhimit, automatizimin industrial dhe ekosistemet digjitale.

    Në kuadër të pjesëmarrjes në panair, Kryeministri do të zhvillojë takime bilaterale me drejtues të kompanive dhe institucioneve ndërkombëtare, përfshirë takimin me Dr. Jochen Köckler, Drejtor Ekzekutiv i Deutsche Messe AG, si dhe një takim me Kryeministrin e landit të Baden-Württemberg, z. Winfried Kretschmann.

    Po ashtu, Kryeministri Kurti do të vizitojë stendën e Kosovës në Panair, ku këtë vit janë të pranishme disa kompani nga Kosova, përfshirë Tenton, Innovation Academy, Proton Cable, UBT, Nori Glass dhe kompani të tjera që përfaqësojnë kapacitetin prodhues dhe inovativ të vendit tonë. Stenda e Republikës së Kosovës financohet nga KIESA.

    Pjesëmarrja në “Hannover Messe 2025” konfirmon përkushtimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për të fuqizuar ekonominë, tërhequr investime të huaja dhe ndërtuar partneritete strategjike me kompani dhe shtete të zhvilluara.

  • Zelensky: Rusia nuk dëshiron asgjë përveç luftës

    Zelensky: Rusia nuk dëshiron asgjë përveç luftës

    Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky kishte rezervuar disa fjalë për liderin rus në fjalimin e tij të natës.

    Prej disa javësh, ka një propozim të SHBA-së për një armëpushim pa kushte dhe pothuajse çdo ditë, në përgjigje të këtij propozimi, ka dronë rusë, bomba, granatime artilerie dhe sulme balistike.

    “Gjeografia dhe brutaliteti i sulmeve ruse, jo vetëm herë pas here, por fjalë për fjalë çdo ditë dhe natë, tregojnë se Putinit nuk kujdeset për diplomacinë”, tha ai, shkruajnë mediat e huaja.

    Presidenti i Ukrainës u bëri thirrje gjithashtu Shteteve të Bashkuara dhe partnerëve të saj që të rrisin presionin ndaj Rusisë për të “thyer kapacitetin e saj për të bërë luftë”.

    “Rusia meriton presion të shtuar – të gjitha masat e ashpra që mund të thyejnë kapacitetin e saj për të bërë luftë dhe për të mbështetur sistemin që nuk dëshiron asgjë përveç luftës”, shtoi ai.

    Më tej ai theksoi se sanksionet kundër Rusisë janë thelbësore.

    “Sanksionet kundër Rusisë janë thelbësore. Më shumë mbrojtje ajrore për Ukrainën është thelbësore. Më shumë bashkëpunim dhe unitet midis të gjithë partnerëve është thelbësor”.

  • Prej nesër e deri më 30 shtator, ndryshon orari i tarifës së ulët të rrymës në Kosovë

    Prej nesër e deri më 30 shtator, ndryshon orari i tarifës së ulët të rrymës në Kosovë

    Ndërrimi i orës, ka ndryshuar edhe orarin e tarifës së ulët të rrymës.

    KESCO, përmes një njoftimi në Facebook ka njoftuar se ky orar do të vlejë nga nesër e deri me 30 shtator.

    Tarifa e ulët gjatë kësaj periudhe, do të jetë nga ora 23:00 deri në ora 08:00

    “Nga nesër e deri më 30 shtator tarifa e ulët është nga ora 23:00 deri në ora 08:00”, ka shkruar KESCO.

  • Masakra e Pastaselës dhe Burimit, Osmani: Kërkojmë drejtësi

    Masakra e Pastaselës dhe Burimit, Osmani: Kërkojmë drejtësi

    Presidentja e vendit, Vjosa Osmani. ka përkujtuar sot 26 vjetorin e masakrës së Pastaselës së Rahovecit dhe atë të Burimit të Malishevës.

    Osmani tha se kujtesa jonë nuk zbehet dhe se historia nuk mund të harrohet. Ajo tha se me përkushtim dhe vendosmëri, do të vazhdojë ta mbrojmë të vërtetën dhe të kërkojë drejtësi për viktimat e këtij gjenocidi.

    “Një çerek shekulli më parë, forcat e regjimit gjenocidal të Serbisë kryen krime të tmerrshme kundër popullsisë civile në Kosovë. Më 1999, në Pastaselë të Rahovecit, 106 burra, gra dhe fëmijë u vranë e u masakruan brutalisht. E njëjta valë dhune vazhdoi në Burim të Malishevës, ku 42 civilë të pafajshëm u ekzekutuan pa mëshirë.

    Por kujtesa jonë nuk zbehet. Historia nuk mund të harrohet. Me përkushtim dhe vendosmëri, ne do të vazhdojmë ta mbrojmë të vërtetën dhe të kërkojmë drejtësi për viktimat e këtij gjenocidi”, thuhet në njoftimin e zyrës për informim të Presidencës.

  • Deliu-Kodra: Posti i kryeministrit i takon PDK-së si parti e dytë

    Deliu-Kodra: Posti i kryeministrit i takon PDK-së si parti e dytë

    Partitë opozitare nuk kanë gjetur ende një konsensus për bashkëpunim të mundshëm për formimin e Qeverisë nëse një gjë të tillë nuk e bën partia fituese Vetëvendosje.

    Opozitarët ende nuk i kanë harmonizuar qëndrimet nëse vije koha për një shumicë parlamentare. Posti i kryeministrit deri më tash është ngërçi midis PDK-së dhe LDK-së.

    Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra, tha se ky post i takon partisë së dytë në rast se dështon VV-ja.

    Absolutisht, ne e kemi thënë tash e sa kohë, jo vetëm që po thotë PDK-ja, por ashtu e donë rendi sepse kjo është e rregulluar me mënyrën se si ne kemi dal nga një proces legjitim zgjedhor ku PDK-ja ka fituar aq mandate sa për të kërkuar edhe kryeministrin në rast se nuk do të ketë një Qeveri të cilët do ta bëj ai që i ka fituar mandatet më së shumti. Këto janë në nivel të diskutimeve të akterëve të PDK-së, kryetari Memli Krasniqi, kandidati për kryeministër Bedri Hamza janë në takime me përfaqësues të opozitës për përafrim të qëndrimeve tona. Kjo mbetet të shihet se si do të shkojë procesi”, tha ajo për rtv21.

  • Haradinaj, nderon martirët e Pastaselit dhe Burimit: Gjaku i tyre nuk u derdh kot

    Haradinaj, nderon martirët e Pastaselit dhe Burimit: Gjaku i tyre nuk u derdh kot

    Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka nderuar kujtimin e 106 martirëve të ekzekutuar nga forcat serbe në fshatin Pastasel të Rahovecit, gjatë luftës së Kosovës në pranverën e vitit 1999. Ai e ka quajtur këtë tragjedi si një moment që forcoi më tej vendosmërinë e popullit shqiptar për liri dhe shtetndërtim.

    Haradinaj tha se aparati shtetëror serb, duke parë fundin e tij, aktivizoi makinerinë e tij vrastare kundër popullit shqiptar, duke lënë pas dhimbje të pashlyeshme për shumë familje dhe tërë kombit. Ai kujtoi gjithashtu 42 shqiptarë të pafajshëm nga fshati Burim i Malishevës, të cilët patën të njëjtin fat dhe u ekzekutuan nga forcat serbe.

    Haradinaj theksoi se Kosova kurrë nuk do të harrojë ata që dhanë jetën për lirinë e këtij vendi, dhe që do të mbeten të nderuar dhe të përjetshëm në kujtesën e kombit.