ATV

Author: ATVLive

  • Reagon grupi i aktivistëve: 12 arrestuar, asnjë zyrtar i ZRRE-së s’do të mundë të punojë pa zotimin se s’ka aprovim për shtrenjtim të rrymës

    Reagon grupi i aktivistëve: 12 arrestuar, asnjë zyrtar i ZRRE-së s’do të mundë të punojë pa zotimin se s’ka aprovim për shtrenjtim të rrymës

    Policia e Kosovës ka arrestuar aktivistët që bllokuan dyert e Zyrës së Rregullatorit Energjetik për të kundërshtuar shtrenjtimin e rrymës.

    Iniciativa “Asnji Cent Ma Shumë!” tha se policia i arrestoi 12 aktivistë të tyre “brutalisht”.

    “Pas Presidentes, Ministrisë së Ekonomisë dhe ZRrE-së, stafeta kaloi te Policia e Kosovës. Të gjithë në mbrojtje të interesit privat. Të gjithë bashkë në ruajtjen dhe garantimin e përfitimeve të KEDS-it. Presidentja e Qeveria përmes ZRrE-së, përmes propozimeve dhe vendimeve politike kurse policia e Kosovës përmes grushtave dhe shufrave metalike”.

    Akvisitët e kësaj iniciative bllokuan zyrat që nga ora 08:00 kur edhe fillon orarin zyrtar i punës në ZRRE.

    “Me zell të pakuptueshëm nga ana e pjesëtarëve të policisë, janë arrestuar dhe rrahur 12 aktivistë/e. Janë rrahur egërsisht vetëm pse po protestonin kundër rritjes edhe ashtu të rritur të çmimit të energjisë. Të rrahur/a dhe të arrestuar/a po mbahen në polici. Ne kërkojmë lirimin e menjëhershëm të tyre, kurse qytetarët/et i ftojmë të na bashkohen te zyrat e ZRrE-së. Asnji zyrtar i ZrRE nuk mund të punojë aty. Jo deri në një zotim se nuk kanë për të aprovuar asnjë rritje. Deri atëherë ai nuk është vendi i tyre i punës. Deri atëherë ne jemi dhe duhet te jemi në bllokadë”.

    Grupi i aktivistëve ka kërkuar lirimin e qytetarëve dhe është zotuar se “asnjë zyrtarë i ZRRE-së nuk mund të punojë për të aprovuar rritjen e çmimit të energjisë elektrike”.

    “Ne kerkojmë lirimin e menjëhershëm të tyre, kurse qytetarët/et i ftojmë të na bashkohen te zyret e ZRrE-së. Asnji zyrtar i ZrRE nuk mund të punojë aty. Jo deri në një zotim se nuk kanë për të aprovuar asnjë rritje. Deri atëherë ai nuk është vendi i tyre i punës. Deri atëherë ne jemi dhe duhet te jemi në bllokadë”, thuhet tutje në reagim.

  • Propozimi për shtrenjtimin e rrymës për 15%, Rizvanolli: Kemi propozuar që kjo rritje të zbutet

    Propozimi për shtrenjtimin e rrymës për 15%, Rizvanolli: Kemi propozuar që kjo rritje të zbutet

    Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli është përpjekur që ta heqë nga vetja përgjegjësinë për propozimin për rritje të çmimit të energjisë elektrike, në një intervistë të rrallë për media të martën.

    Në një intervistë për RTK, me fillim të saj, Rizvanolli ZRRE-ja e theksoi se ZRRE-ja është “institucion i pavarur” dhe se ky institucion e ka propozuar rritjen.

    “Siç e dini, ZRRE-ja si institucion i pavarur i ka publikuar raportet konsultative më 14 mars dhe ka propozuar një rritje mesatare të çmimit rreth 15 për qind. E para: vendimi nuk është marrë për strukturën tarfore dhe e dyta: kjo rritje e propozuar nuk është përcaktuar ende sesi do të ndahet kjo rritje te bizneset apo te amvisëritë”, tha Rizvanolli të martën, transmeton Paparaci.

    Në vazhdim, përfaqësuesja e Qeverisë që erdhi në pushtet me premtime për zbritje të çmimit të rrymës, e pranoi se qeveria është pro shtrenjtimit të energjisë elektrike.

    Por, në një tjetër përpjekje dëshpëruese për t’u arsyetuar, tha se Qeveria ka propozuar që rritja të zbutet.

    Sipas Rizvanollit, Qeveria i ka propozuar ZRRE-së që të mos preken amvisëritë që shpenzojnë deri në 800 kw/H.

    “Ky është vendim i ZRRE-së, të cilët ata kanë thënë se do ta marrin brenda dy javësh në vijim, ndërsa ne si qeveri kemi propozuar që rritja të zbutet dhe për këtë kemi dhënë disa argumente. E dyta është që të mos preken nga rritja amvisëritë që konsumojnë nën 800 kW/h për muaj. E treta është që të shtohet numri i blloqeve të konsumit duke shtuar një ose më shumë breze të konsumit mbi këtë konsumin prej 800 Kw/h të cilën e kemi aktualisht”, tha ajo.

    Rizvanolli tha se statistikat tregojnë se amvisëritë që konsumojnë mbi 1000 kilovat për orë, përbëjnë një numër të vogël të ekonomive familjare.

    “Në nëntor të vitit 2024, vetëm 12 për qind e amvisërive kishin konsumuar mbi 1000 kW/h, mirëpo këto kishin konsumuar 39 për qind të konsumit të gjithëmbarshëm të familjeve”, sipas Rizvanollit.

    ZRRE-ja pritet që të marrë vendim për shtrenjtimin e propozuar të energjisë elektrike më 11 prill.

    Aktivistë të shoqërisë civile kanë zhvilluar një sërë aktivitetesh kundër shtrenjtimit të energjisë elektrike.

    Edhe opozita, e cila është e fokusuar aktualisht te veprimet politike paszgjedhore, e ka kundërshtuar rritjen e çmimit të rrymës.

  • Raporti për vrasjen e rreshterit Lika, nuk përmendet asnjë i dyshuar

    Raporti për vrasjen e rreshterit Lika, nuk përmendet asnjë i dyshuar

    Policia e Kosovës nuk e ka përmendur asnjë të dyshuar për rastin e vrasjes së rreshterit Muhamed Lika.

    Në raportin 24-orësh, të përditshëm policor, janë shpalosur pak informata për rastin i cili tronditi vendin të martën në mbrëmje.

    “Pasi është raportuar për një një person të plagosur, njësitë policore i janë përgjigjur vendit të ngjarjes dhe nga ekipi mjekësor është konstatuar se viktima mashkull kosovar (zyrtar policor) është pa shenja jete”, thuhet në raport.

    Policia tha se prokurori i rastit ka urdhëruar që trupi i pajetë i rreshterit Lika të dërgohet në Instituin e Mjekësisë Ligjore.

    “Lidhur me rastin janë ndërmarrë veprimet përkatëse nga të gjitha njësitë relevante policore si dhe prokurori me urdhër të të cilit trupi i pajetë është dërguar në IML për obduksion”, tha policia në raport.

    Muhamed Lika, zyrtar i Policisë së Kosovës, u vra të martën rreth orës 23:00 në hyrje të banesës së tij në Kaçanik.

  • Vrasja në Kaçanik, Haradinaj: Kërkoj nga institucionet zbardhjen e menjëhershme të rastit

    Vrasja në Kaçanik, Haradinaj: Kërkoj nga institucionet zbardhjen e menjëhershme të rastit

    Lideri i AAK-së, Ramush Haradinj, ka shprehur ngushëllime për vrasjen e mbrëmshme të policit Muhamed Lika në Kaçanik.

    Ai ka bërë me dije se është ndier thellësisht i prekur nga lajmi për rastin.

    Në profilin e tij në “Facebook”, Haradinaj ka kërkuar zbardhjen e menjëhershme të rastit.

    “Thellësisht i prekur nga lajmi për vrasjen në rrethana të paqarta të pjesëtarit të Policisë së Kosovës, Muhamed Lika, pranë shtëpisë së tij në Kaçanik. I ndjeri ishte një atdhetar i dëshmuar, i cili qysh si i ri iu bashkua radhëve të UÇK-së për çlirimin e vendit dhe më pas, në liri, i shërbeu me përkushtim Kosovës nën uniformën e Policisë. Jeta dhe vepra e tij janë shembull i përkushtimit ndaj atdheut dhe mbrojtjes së qytetarëve. Ngushëllimet më të sinqerta familjes Lika, kolegëve të tij në Policinë e Kosovës dhe të gjithë atyre që e njohën. Kërkoj nga institucionet zbardhjen e menjëhershme të këtij rasti dhe sjelljen e autorëve para drejtësisë!”, ka shkruar Haradinaj.

  • 26 vjet nga vrasja e 86 civilëve në Kralan të Gjakovës

    26 vjet nga vrasja e 86 civilëve në Kralan të Gjakovës

    Sot mbushen 26 vjet nga vrasja e 86 civilëve në Kralan të Gjakovës.

    Ishte 2 prilli i vitit 1999 kur në Kralan të Gjakovës forcat ushtarake dhe policore serbe ndanë disa qindra djem dhe burra nga grupi prej 1500 shqiptarëve që kishin braktisur vatrat për t’u shpëtuar krimeve serbe që kishin përfshirë tërë Kosovën. Të tjerët – gra, fëmijë dhe pleq, ishin urdhëruar që të shkojnë në Shqipëri.

    Dy ditë më vonë, më 4 prill, nga grupi i djemve dhe burrave të cilët janë mbajtur në livadh, gjatë gjithë kohës, të rrethuar me tanke, pa ujë dhe pa ushqim, një numër i madh i tyre është liruar. Janë mbajtur 86 prej tyre, ndër të cilët edhe 11 të mitur.

    Që nga ajo ditë, që nga ai moment, askush nga ta më nuk është parë i gjallë.

    Fondi për të Drejtën Humanitare (FDH) në vitin 2013 kishte bërë kallëzim penal ndaj disa eprorëve të Ushtrisë jugosllave për krime lufte në Kralan. Me këtë rast, u njoftua se trupat e 18 djemve dhe burrave të ndaluar, janë gjetur në një varrezë masive pranë liqenit të Peruçës, në Bajina Bashta të Serbisë.

    FDH, në bazë të deklaratave të dhjetëra dëshmitarëve, ka identifikuar gjashtë eprorë të ushtrisë dhe policisë serbe, të cilët kanë qenë në pozitat më të larta të njësive që dyshohen se kanë kryer krimet.

    Lidhur me krimet serbe në Kralan, në dhjetor 2014 një letër kryeprokurorit të Tribunalit të Hagës i ka dërguar kryetarja e Shoqatës “Familja dhe Shpresa” Arifete Bytyqi. Në emër të familjarëve të 86 viktimave të masakrës, Bytyqi kërkoi që të hetohet vrasja e 86 civilëve shqiptarë nga policia serbe më 4 prill 1999 në Kralan.

    Bytyqi në letrën e vet përkujton se edhe sot e kësaj dite askush nga fajtorët për masakrën nuk është dërguar para drejtësisë.

  • Rubio në qendër të vëmendjes në samitin e kryediplomatëve të NATO-s

    Rubio në qendër të vëmendjes në samitin e kryediplomatëve të NATO-s

    Më 3 dhe 4 prill, ministrat e Jashtëm të vendeve anëtare të Organizatës së Traktatit të Atlantikut Verior (NATO) do të mblidhen në Bruksel në takimin e tyre të rregullt pranveror.

    Sikurse edhe takimi i ministrave të Mbrojtjes në shkurt, të gjithë sytë do të jenë të drejtuar nga përfaqësuesi amerikan. Atëherë pjesëmarrës ishte sekretari i Mbrojtjes, Pete Hegseth, dhe kësaj radhe është sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio.

    Kur Rubios fillimisht iu dha roli në administratën e re të presidentit Donald Trump, shumica e evropianëve u gëzuan. Ai shihej si një “transaltantist” i zjarrtë.

    Tani, sipas diplomatëve në NATO me të cilët ka biseduar Radio Evropa e Lirë, ka një lloj nervozizmi. Ndërsa disa thonë “ai ende na kupton ne dhe aleancën”, ata pyesin se sa ndikim ka realisht ai brenda Qeverisë amerikane dhe çfarë do të thotë ai kur bëhet fjalë për Ukrainën, Rusinë dhe Kinën.

    Ashtu si Hegseth, Rubio do të këmbëngulë në mesazhin se aleatët evropianë duhet të rrisin shpenzimet për mbrojtje dhe të ketë në shumë hise sa i përket ndarjes së barrës.

    Dhe, sikurse në shkurt, aleatët do të shpresojnë se SHBA-ja do të rikonfirmojë angazhimin e saj ndaj NATO-s dhe nenit 5 të traktatit, që ka të bëjë me mbrojtjen e ndërsjellë.

    Pasi që takimet e vetme të tjera të NATO-s para samitit të qershorit janë takime joformale të ministrave të Jashtëm që do të mbahen në Turqi në mesin e majit dhe të Mbrojtjes në fillim të qershorit, takimi i kësaj jave shërben, në shumë mënyra, si provë gjenerale për samitin e Hagës që do të mbahet më 24-26 qershor.

    Qëllimi i atij takimi është i qartë: Të mbajë të bashkuar aleancën, duke rritur ndjeshëm shpenzimet për mbrojtje.

    Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, po kërkon që të çdo aleat të zotohet se do të shpenzojë të paktën 3.7 për qind të prodhimit të brendshëm bruto për mbrojtje sa më shpejt që të jetë e mundur dhe të ketë raporte të rregullta mbi përparimin.

    Kjo nismë synon të gjatë samitit ta qetësojë presidentin amerikan, Donald Trump, por disa aleatë evropianë do të hezitojnë që të zotohen shpejt për shpenzime të mëdha në mbrojtje, duke pasur parasysh se po përballen me rritje të ngadalshme ekonomike dhe me rritje të deficitit buxhetor.

    A do ta injorojë sërish Rubio shefen e diplomacisë së BE-së, Kaja Kallas?

    Ndoshta gjëja më e rëndësishme që duhet vëzhguar gjatë takimit ministror është sesioni i dedikuar raporteve NATO-BE, ku blloku evropian do të përfaqësohet nga shefja e politikës së jashtme, Kaja Kallas.

    Rubio e injoroi Kallasin kur ajo vizitoi SHBA-në më herët gjatë këtij viti dhe të gjithë diplomatët e BE-së me të cilët ka biseduar REL-i e pranuan se Uashingtoni nuk e sheh BE-në si një bashkëbiseduese serioze.

    Po ashtu, ka shumë tension, sidomos kur bëhet fjalë për propozimin e fundit të Komisionit Evropian mbi shpenzimet për mbrojtjen: një hua e mundshme prej 150 milionë eurosh për shtetet anëtare të BE-së për të blerë armë, por jo nga vendet jashtë Evropës. SHBA-ja është veçmas e shqetësuar ndaj çdo lëvizje që mund ta nxjerrë atë nga loja në rast se ka një rritje të shpenzimeve të mbrojtjes në Evropë.

    Por, shqetësimi më i madh, natyrisht është marrëdhënia në tregti, që po përkeqësohet.

    Vetëm një ditë para takimit të NATO-s, SHBA-ja pritet të vendosë një tarifë prej 25 për qind ndaj të gjitha importeve të automjeteve, një lëvizje që do të godasë shumë shtetet sikurse Gjermania. Kjo vjen pas taksës ekzistuese amerikane për çelikun dhe aluminin evropian, taksë ndaj të cilës Brukseli planifikon të kundërpërgjigjet me masa hakmarrëse më 13 prill.

    A do të rrisë SHBA-ja presionin ndaj Rusisë?

    Një tjetër i ftuar në takimin ministror është ministri i Jashtëm i Ukrainës, Andriy Sybiha. Pritet që ai të japë informacione të përditësuara sa i përket situatës në fushëbetejë, por sërish, Rubio do të jetë ai që do të jetë në qendër të vëmendjes.

    A do të rrisë SHBA-ja presionin ndaj Rusisë në rast se marrëveshjet për armëpushim, sa i përket infrastrukturës dhe trafikut në Detin e Zi, nuk respektohen?

    Ndërkohë, anëtarësimi i Ukrainës në aleancë nuk është në agjendë për momentin, shumica e aleatëve evropianë janë të interesuar që të paktën të sigurohen se armët amerikane do të vazhdojnë të dërgohen në Ukrainë dhe se misioni për trajnime i NATO-s për ushtarët ukrainas, NSATU, do të vazhdojë të operojë.

    Deri më tani, gjithçka po vazhdon si më parë. Nuk ka pasur asnjë ndryshim as sa i përket pozicionit të trupave amerikane në krahun lindor të NATO-s.

    Ajo që ka ndryshuar, megjithatë, është se SHBA-ja më nuk e kryeson Grupin e Kontaktit për Mbrojtjen e Ukrainës, i njohur si Grupi Ramshtajn, i cili koordinon mbështetjen ushtarake për Kievin. Mbretëria e Bashkuar e ka drejtuar takimin e fundit të grupit të mbajtur në shkurt, dhe takimi i radhës, i planifikuar për 11 prill, mund të bashkëdrejtohet nga Mbretëria e Bashkuar dhe Franca.

    Pritet që Londra dhe Parisi po ashtu të vazhdojnë të punojnë, të paktën në margjinat e samitit ministror, mbi një forcë të mundshme sigurie në Ukrainë, në rast se një armëpushim i përhershëm hyn në fuqi.

    Megjithatë, detajet sikurse numri i trupave, shteteve pjesëmarrëse dhe mandati i saktë aktualisht mbeten të paqarta.

    Ajo që po bëhet gjithnjë më e qartë është se puna mbi një strategji të re të NATO-s për Rusinë ka ngecur. Strategjia – e cila përcakton se si aleanca duhet të angazhohet me Moskën në të ardhmen – ishte paraparë të miratohej në samitin e Hagës. Por, Uashingtoni ka lënë të kuptohet se dëshiron të shmangë “zemërime” të mundshme në rrugën drejt një marrëveshjeje përfundimtare të paqes dhe një dokument i tillë strategjik mund ta bëjë pikërisht këtë.

    Ministrat e Jashtëm të katër partnerëve të NATO-s nga rajoni i Azi-Paqësorit – Australia, Japonia, Zelanda e Re dhe Koreja e Jugut – po ashtu do të marrin pjesë në një sesion me kërkesën e SHBA-së.

    Përderisa administrata amerikane e sheh Pekinin si rival, kritikat e saj publike ndaj Kinës deri më tani kanë qenë relativisht të përmbajtura.

    Në këtë sesion, ministrat do të jenë të interesuar të dëgjojnë pikëpamjet e Rubios mbi mënyrat se si t’iu qasen një sërë çështjesh që janë të lidhura me Kinën./Radio Evropa e lirë/

  • Dy të vdekur në aksidentin në autostradën Milot-Morinë/ Humb kontrollin e automjetit, del nga rruga

    Dy të vdekur në aksidentin në autostradën Milot-Morinë/ Humb kontrollin e automjetit, del nga rruga

    Rreth orës 23:35, të datës 01.04.2025, në autostradën Milot-Morinë, automjeti tip “Benz” ”, i drejtuar nga shtetasi A.K., 50 vjeç, banues në Tiranë, ka dalë nga rruga.

    Si pasojë ka humbur jetën drejtuesi i automjetit si dhe pasagjeri që ndodhej në automjet, shtetasi F.Gj., 35 vjeç, banues në Kukës.

    Grupi hetimor po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe shkakut të daljes nga rruga të automjetit.

  • Sindikata e Sektorit Privat: Shumë punëtorë me paga 250 euro, fatura e rrymës rreth 70 euro, si të mbijetojnë?

    Sindikata e Sektorit Privat: Shumë punëtorë me paga 250 euro, fatura e rrymës rreth 70 euro, si të mbijetojnë?

    Sindikata e Pavarur e Sektorit Privat shpreh shqetësimin për paralajmërimin e shtrenjtimit të energjisë elektrike 15 për qind, duke e cilësuar atë si një goditje të rëndë për punëtorët e sektorit privat, veçanërisht ata me paga të ulëta.

    Kryetari i kësaj sindikate, Jusuf Azemi, në intervistë për Ekonomia Online, vuri në pah se shumë punëtorë në Kosovë paguhen me vetëm 250 euro, duke theksuar se me faturat e energjisë që do të arrijnë deri në 70 euro, ata do të mbeten me shumë pak para për të mbijetuar.

    “Ne kemi pasur brengat dhe shqetësimet tona se si të mbijetojmë me këtë shumë që kemi pasur më herët lerë më tani me këtë shtrenjtim të rrymës 15 për qind, që dëmton të gjitha shtresat, me përjashtim ato kapitaliste. Në veçanti i atakon punëtorët e sektorit privat, sepse pagat tona janë jashtëzakonisht të vogla. Ne edhe sot në Kosovë kemi punëtorë që paguhen me 250 euro. Edhe nëse një pagë është e tillë dhe minimumi një faturë, e cila nga 1 prilli do të jetë rreth 50-70 euro, atëherë çka mund të bëjë njeriu me 170 eurot e tjera”, tha Azemi.

    Ai kritikoi qeverinë për mospërkrahje të shtresës së ulët. Ai vë në dukje se rritja e çmimit të energjisë elektrike vjen pas periudhës së zgjedhjeve, duke sugjeruar se është një veprim për të plotësuar interesat e grupeve të caktuara.

    “Përderisa kam pritur së paku për festën e Bajramit që qeveria të na gëzojë, siç nga gëzonte nganjëherë para zgjedhjeve me nga 100 euro, por po shihet se ato 100 euro tani po i paguajmë, dy-trefish, sepse nuk është duke e çarë kokën për shtresën e ulët të punëtorëve të sektorit privat. Me këtë shtrenjtim edhe bizneset do të atakohen. Të gjitha çka sillen dhe pështillen vijnë deri tek ne, sepse në moment që atakohen bizneset, punëtorët janë të parët që do ta paguajnë këtë faturë. Duhet ta bëjnë një krahasim: nga ajo që para disa muajve morën nga 100 euro menjëherë ato mjete po i bie që po na i merr për dy muaj”, thotë kryesindikalisti i sektorit privat.

    Azemi theksoi se rritja e çmimit të energjisë pas zgjedhjeve tregon se qeveria nuk ka pasur qëllim të ndihmojë shtresën e ulët, por ka vepruar për interesa të saj.

    “Nuk paska qenë qëllimi se si t’i ndihmojë shtresës së ulët, por siç po shihet rritjen e çmimit të energjisë e ka shtyrë deri më tani që të mos ketë ndikim tek votat dhe tek zgjedhjet. Në momentin që përfunduan zgjedhjet dolën me këtë opsion. Çka mund të themi ne kur edhe qeveritë e mëhershme dhe kjo e tanishmja në veçanti kanë premtuar që në momentin kur ta merr pushtetin, jo që nuk do të shtrenjtohet energjia, por do të ulet çmimi i saj . Së paku lëndën e parë si askush tjetër ne e kemi tonën, meqë KEK-u nuk ka rritur asnjë cent shitjen e megavateve tek KEDS-i dhe të tjerët, atëherë kjo të bënë me dije që me bindje të plotë ky ndryshim po bëhet për apetite të njerëzve në mënyrë individuale”, tha ai.

    Bordi i Zyrës së rregullatorit të Energjisë bëri të ditur se vendimi për çmimin e energjisë elektrike do të merret më 11 prill.

    Paralajmërimi për shtrenjtimin e rrymës 15 për qind shkaktoi pakënaqësi të gjerë. Në këtë kuadër, të shtunën më 5 prill do tw mbahet protestë në Prishtinë.

  • Mashtrime në emrin e Behgjet Pacollit në Shqipëri, kërkonin shuma deri në 95 mijë euro

    Mashtrime në emrin e Behgjet Pacollit në Shqipëri, kërkonin shuma deri në 95 mijë euro

    Kryetari i AKR-së, Behgjet Pacolli ka treguar se së fundmi një person i panjohur ka përdorur fotografinë e tij dhe përmes teknologjisë digjitale, ka imituar edhe numrin e telefonit të tij.

    Ai bëri të ditur se ky person ka kontaktuar disa nga miqtë e tij, duke u kërkuar para me justifikimin se i duheshin urgjentisht në Tiranë dhe se do t’i kthente ditën tjetër.

    Kërkesat kanë qenë për shumë të mëdha, nga 10 deri në 95 mijë euro.

    Pacolli më tutje tregon se fatkqësisht disa persona kanë besuar dhe kanë dërguar para.

    “Vetëm më 1 prill, një mik i vëmendshëm kuptoi se mënyra e të shkruarit nuk ishte e imja dhe më njoftoi menjëherë. JU LUTEM: MOS U MASHTRONI! Unë nuk kërkoj para nga askush. Nëse merrni ndonjë mesazh të dyshimtë në emrin tim, mos reagoni – por njoftoni menjëherë policinë ose më informoni mua direkt. Të gjithë së bashku mund t’u kundërvihemi këtyre mashtruesve pa skrupuj. Ju kërkoj ndjesë për shqetësimin dhe ju falënderoj për mirëkuptimin dhe besimin”, shkroi në facebook Pacolli.

  • “Asnji cent ma shumë”, aktivistët bllokojnë zyrat e ZRrE-së

    “Asnji cent ma shumë”, aktivistët bllokojnë zyrat e ZRrE-së

    Aktivistët e grupit “Asnji cent më shumë” mëngjesin e sotëm e kanë zhvilluar një aksion simbolik.

    Ata i kanë bllokuar zyrat e Zyrës së Rregullatorit për Energji.

    Kjo në shenjë pakënaqësie pas paralajmërit të ZRrE-së se do të shtrenjtohen për 15 për qind tarifat e rrymës.

    Aktivistët janë zotuar se zyrat do të jenë të bllokuara deri në zotimin publik nga ZrRE se nuk do ta miratojë rritjen e çmimit të rrymës për 15 për qind.

    “Vetëm atëherë mund t’i kthehen punës”, thuhet në njoftim.