ATV

Author: ATVLive

  • Presidentja Osmani dhe sekretari i jashtëm britanik Lammy diskutojnë për bashkëpunim në fushat e mbrojtjes dhe ekonomisë

    Presidentja Osmani dhe sekretari i jashtëm britanik Lammy diskutojnë për bashkëpunim në fushat e mbrojtjes dhe ekonomisë

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se në takimin me sekretarin e jashtëm të Mbretërisë së Bashkuar David Lammy, i propozoi lidhjen e marrëveshjes për thellimin e bashkëpunimit në fushat e mbrojtjes dhe ekonomisë, raporton EO.

    Ajo në konferencën për media pohoi se ky propozim u mirëprit nga sekretari britanik Lamy.

    “Kjo vizitë është një dëshmi e marrëdhënieve të shkëlqyera dhe të çmuara ndërmjet dy shteteve. Kam bërë propozimin për lidhjen e marrëveshjes për thellimin strategjik të bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuara që do të mbulojë fushën e mbrojtjes dhe ekonomisë. Sot kemi diskutuar gjerë e gjatë për bashkëpunimin në këto fusha. E vlerësoj faktin që e keni mirëpritur këtë bashkëpunim. Një temë e rëndësishme ishte edhe dialogu me Serbinë”, tha presidentja Osmani.

  • Policia arreston aktivistët që bllokuan dyert e ZRRE-së kundër shtrenjtimit të rrymës

    Policia arreston aktivistët që bllokuan dyert e ZRRE-së kundër shtrenjtimit të rrymës

    Një protestë kundër shtrenjtimit të energjisë elektrike në Kosovë, para Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE), e cila pritet të vendosë rreth një propozimi për ngritjen e çmimit të rrymës në vend, ka përfunduar me arrestimin e disa personave në mëngjesin e së mërkurës.

    Aktivistë kundër shtrenjtimit të rrymës bllokuan zyrat e ZRRE-së në lagjen Lakrishte, në Prishtinë, para se të prangoseshin nga Policia e Kosovës, raporton Radio Evropa e Lirë.

    Arsyeja e arrestimit të tyre nuk është bërë e ditur, dhe as numri i personave të arrestuar. Radio Evropa e Lirë ka kontaktuar Policinë e Kosovës, por nga ky institucion nuk kanë dhënë hollësi për këtë ngjarje.

    “ZRRE-ja është në bllokadë. Bllokimi do të vazhdojë deri në zotimin publik nga ZRRE se nuk do ta miratojë rritjen e çmimit të rrymës për 15%. Vetëm atëherë mund t’i kthehen punës”, u tha në një postim të faqes “KEDS t’i kthehet Kosovës”, para arrestimeve.

    ZRRE-ja paralajmëroi se, nga muaji prill, faturat e energjisë elektrike mund të rriten për 15 për qind.

    Aktualisht, për konsumatorët që shpenzojnë deri në 800 kilovatë në orë brenda një muaji, çmimi i rrymës gjatë ditës është 7.79 centë për kilovat. Në rast të shtrenjtimit për 15%, ata do të paguanin 8.96 centë.

    ZRRE-ja i shqyrton dhe cakton tarifat e energjisë elektrike çdo vit dhe ato janë në fuqi nga 1 prilli deri më 31 mars të vitit pasues.

    Vendimi për shtrenjtimin ose jo të rrymës këtë vit pritet të merret më 11 prill, ndërsa tarifat e reja është thënë se do të mund të hynin në fuqi retroaktivisht nga 1 prilli, ose nga 1 maji.

    Sipas ZRRE-së, rritja e tarifave këtë vit është e domosdoshme, për shkak të uljes së prodhimit të energjisë, rritjes së konsumit dhe varësisë së madhe nga importet me çmime të larta.

    Kosova nuk mund ta sigurojë energjinë e nevojshme për mbi 1.6 milion banorët e saj vetëm me prodhimin nga Korporata Energjetike e Kosovës (KEK).

    Një nga arsyet është vjetërsia me dekada e termocentraleve “Kosova A” dhe “Kosova B”.

    Prodhim ka edhe përmes burimeve të ripërtërishme, por në sasi më të vogla.

    Prodhimi i pamjaftueshëm bën që një pjesë e konsiderueshme e furnizimit të sigurohet përmes importeve, që janë të shtrenjta. /REL

  • Osmani pret sot në takim Sekretarin e Jashtëm të Mbretërisë së Bashkuar

    Osmani pret sot në takim Sekretarin e Jashtëm të Mbretërisë së Bashkuar

    Presidentja Vjosa Osmani, gjatë ditës së sotme do të presë në takim Sekretarin e Jashtëm të Mbretërisë së Bashkuar, David Lammy.

    Sipas Presidencës takimi parashihet të nisë nga ora 08:25.

    Pas takimit, Osmani dhe Lammy do të deklarohen për media.

  • Moti sot i vranët dhe me intervale me diell

    Moti sot i vranët dhe me intervale me diell

    Përgjatë ditës së mërkurë, sipas të dhënave të Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës, pritet të mbajë mot i vranët dhe me intervale me diell.

    Temperaturat parashihet të lëvizin nga 3 deri në 17 gradë Celsius.

    “Do të mbajë mot i vranët dhe me intervale me diell. Temperaturat minimale do të lëvizin nga 3 °C deri në 6°C, ndërsa maksimalet nga 13°C deri në 17°C. Do të fryjë erë e lehtë kryesisht nga drejtimi i verilindjes”, thuhet në njoftimin e IHMK-së.

  • Vrasja e policit në Kaçanik, i dyshuari ende në arrati

    Vrasja e policit në Kaçanik, i dyshuari ende në arrati

    I dyshuari për vrasjen e policit Muhamed Lika është ende në arrati.

    Këtë e ka konfirmuar për Klan Kosova zëdhënësi i policisë për rajonin e Ferizajt, Kanun Veseli.

    Gjithashtu, ai ka bërë me dije se ende nuk dihen motivet e kësaj vrasje.

    Policia e Kosovës ka treguar se mbrëmë rreth orës 23:00 në Kaçanik është vrarë rreshteri i Policisë së Kosovës, Muhamed Lika.

    Vrasja ka ndodhur afër banesës së të ndjerit.

    “Më 01.04.2025, rreth orës 23:00, kemi pranuar një informacion se një person është plagosur dhe gjendet në gjendje të rëndë në hyrje të ndërtesës së tij, në rrugën “Idriz Seferi” në Kaçanik. Viktima është një pjesëtar i Policisë së Kosovës Në vendngjarje, përveç njësive policore, ka dalë edhe ekipi i emergjencës së Kaçanikut, të cilët e kanë transportuar në Qendrën e Mjekësisë në Kaçanik. Si pasojë e plagëve të marra pjesëtari i Policisë ka ndërruar jetë, kjo është konstatuar nga mjekët në këtë qendër”, ka bërë me dije Policia.

  • Policia konfirmon vdekjen e policit në Kaçanik

    Policia konfirmon vdekjen e policit në Kaçanik

    Një pjesëtar i Policisë së Kosovës ka humbur jetën si pasojë e një plagosjeje të rëndë në Kaçanik.

    Sipas Policisë, rreth orës 23:00 të mbrëmjes së 1 Prillit, autoritetet kanë pranuar informacionin se një person ishte plagosur dhe ndodhej në gjendje të rëndë në hyrje të ndërtesës së tij, në rrugën “Idriz Seferi”.

    Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Ferizajt tha për Gazetën Express se në vendngjarje kanë arritur njësitë policore dhe ekipi i emergjencës, i cili ka transportuar viktimën në Qendrën e Mjekësisë në Kaçani, pavarësisht përpjekjeve për t’i dhënë ndihmën e nevojshme, pjesëtari i Policisë ka ndërruar jetë, gjë që është konfirmuar nga mjekët.

    “Policia ka nisur hetimet për të zbardhur rrethanat e ngjarjes, ndërsa ende nuk ka informacione lidhur me të dyshuarit apo motivet e mundshme të këtij akti”, tha ai.

  • Avokati Amer Alija tregon kur do të mbyllet Gjykata Speciale

    Avokati Amer Alija tregon kur do të mbyllet Gjykata Speciale

    Avokati Amer Alija, në emisionin CONTEXT në ATV, tha se Gjykata Speciale është drejt përfundimit të misionit të saj dhe pritet që, pas përmbylljes së rastit kryesor kundër Thaçit dhe të tjerëve, të mbyllet brenda pak vitesh.

    Sipas tij, tashmë nuk priten aktakuza të reja, ndërsa edhe stafi i dhomave të specializuara do të nisë të reduktohet gradualisht.

    “Unë e besoj që ky rast kundër Thaçit dhe të tjerëve është rasti kryesor. Tani më kanë pasur mjaftueshëm kohë që në rast se kanë pasur prova, të kishin ngritur akuza të reja. Besoj që gradualisht kompetencat dhe stafi i cili është angazhuar do të fillojë të reduktohet”, deklaroi Alija.

    Ai tha se mbyllja zyrtare do të ndodhë pas përfundimit të plotë të rasteve dhe pas njoftimit të Këshillit të Evropës nga Zyra e Prokurorit se nuk ka më aktakuza të planifikuara.

    “Pas përfundimit të rastit më të madh, nëse nuk ka rigjykim, brenda pak viteve do të kemi edhe mbylljen e kësaj gjykate. Kjo gjykatë është krijuar për një dyshim specifik që rrjedh nga raporti i Dik Martit, dhe provat kryesore kanë qenë ato që janë përdorur edhe në proceset e kaluara, në Tribunalin e Hagës, në UNMIK dhe EULEX”, shtoi Alija.

    Deklaratën e plotë të Amer Alijës në CONTEXT, e gjeni në videon më poshtë:

  • Avokati Taulant Hodaj jep një lajm të mirë për Gjykatën Speciale

    Avokati Taulant Hodaj jep një lajm të mirë për Gjykatën Speciale

    Avokati Taulant Hodaj, në emisionin CONTEXT në ATV, dha një lajm të mirë lidhur me Gjykatën Speciale në Hagë, duke thënë se nuk pritet të ngriten aktakuza të reja dhe se rasti aktual pritet të përfundojë në shkallë të parë brenda këtij viti.

    Hodaj theksoi se ndonëse procesi ka pasur shumë seanca të mbyllura, pritet që brenda vitit të ketë një vendim në shkallën e parë për rastin aktual.

    “Ky rast mendoj që në praktikën ndërkombëtare penale do të jetë një ndër rastet që më së paku ka pasë transparencë… por unë besoj që në fund të këtij viti të kryhet në shkallë të parë kjo rast,” deklaroi Hodaj.

    Ai zbuloi gjithashtu se nga ajo që ka parë dhe dëgjuar në përvojën e tij të drejtpërdrejtë, Gjykata Speciale nuk ka më qëllim të ngrejë aktakuza të reja për krime lufte.

    “Është një gjë e mirë që kjo gjykatë po shihet që nuk do të ngritë aktakuza të reja për krime lufte… kanë qenë rreth dyqind persona që janë marrë si të dyshuar dhe tani një numër i madh janë
    liruar nga ky status,” tha Hodaj.

    Deklaratën e plotë të Taulant Hodajt në CONTEXT, e gjeni në videon më poshtë:

  • Basha: Marrëdhënia personale Rama-Vuçiq ishte një iluzion i rrezikshëm dhe i dëmshëm për interesat kombëtare

    Basha: Marrëdhënia personale Rama-Vuçiq ishte një iluzion i rrezikshëm dhe i dëmshëm për interesat kombëtare

    Kryetari i Koalicionit Euroatlantik, Lulzim Basha, në emisionin CONTEXT në ATV, kritikoi ashpër personalizimin e politikës së jashtme nga kryeministri Edi Rama, duke e cilësuar marrëdhënien e tij me presidentin serb Aleksandar Vuçiq si një iluzion të dëmshëm për interesat kombëtare.

    Sipas Bashës, Rama ka ndërtuar një raport të rrezikshëm personal me Vuçiqin, i cili nuk i ka shërbyer as Kosovës dhe as Shqipërisë në momentet kur është dashur mbështetje.

    “Tirana zyrtare nën kryeministrin Rama është orientuar gabimisht që në fillim, duke pasë në fillim iluzionin, e tash nuk dihet çka, se mund të ndërtohet një partneritet direkt Tiranë-Beograd, bazuar mbi një marrëdhënie personale midis kryeministrit të Shqipërisë dhe presidentit serb Vuçiq. Kjo provoi të ishte një iluzion jo vetëm i kotë, por i dëmshëm, i rrezikshëm, sepse sa herë Kosova kishte nevojë që Tirana të ndërhynte tek Beogradi, kjo nuk funksiononte”, deklaroi Basha.

    Ai tha se Shqipëria duhet t’i qëndrojë besnike akseve strategjike euro-atlantike dhe të forcojë marrëdhëniet me vendet që ndajnë të njëjtat vlera perëndimore.

    “Akset tona strategjike janë të përcaktuara nga korniza e sigurisë euro-atlantike. Partnerët tanë në rajon janë Zagrebi, janë Sofja, kujdesi ynë i veçantë është Shkupi, është Podgorica – të gjitha të sulmuara nga një politikë revizioniste, neo-hegjemoniste e Serbisë. Dhe këtu duhet parë pa diskutim edhe roli i veçantë që Kosova ka dhe duhet të ketë në politikën tonë të jashtme”, theksoi Basha.

    Deklaratën e plotë të Lulzim Bashës në CONTEXT, e gjeni në videon më poshtë:

  • Basha: Shqipëria duhet t’i ndajë çdo vit Kosovës 50 milionë euro për ushtri

    Basha: Shqipëria duhet t’i ndajë çdo vit Kosovës 50 milionë euro për ushtri

    Kryetari i Koalicionit Euroatlantik, Lulzim Basha, në emisionin CONTEXT në ATV, deklaroi se Shqipëria duhet ta mbështesë Kosovën çdo vit me një fond prej 50 milionë eurosh për nevoja të mbrojtjes dhe sigurisë.

    Sipas Bashës, kjo mbështetje do të ishte një akt i qartë solidariteti kombëtar, pa cenuar asnjë zë të rëndësishëm të buxhetit të Shtetit Shqiptar.

    “Që prej një viti e disa muajsh në Parlamentin e Shqipërisë ndodhet propozimi im, që pas sulmit paramilitar në Banjskë, për t’i dhënë Kosovës çdo vit ndihmë ushtarake në vlerë prej 50 milionë eurosh nga buxheti i Shqipërisë për ta destinuar për mbrojtjen e saj. 50 milionë euro në një qeveri që shpenzon 7.2 miliardë euro në vit janë afërsisht gjysma e shpenzimeve të kësaj qeverie për perde, tavolina, makina të reja – pra për luks qeveritar. Nuk preket asnjë zë tjetër, as investime, as shpenzime sociale”, deklaroi Basha.

    Ai shtoi se kjo ndihmë do të duhej të menaxhohej në koordinim me aleatët perëndimorë, si një sinjal i qartë për rajonin dhe komunitetin ndërkombëtar.

    “Ky do të ishte një akt i qartë jo vetëm ndaj Kosovës, por ndaj gjithë Evropës, ndaj botës, ndaj Serbisë – që jemi në krah të Kosovës. Pesëdhjetë milionë euro të ndara për buxhetin e mbrojtjes së Kosovës, që ajo mund t’i destinojë në bashkëpunim me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me Bashkimin Evropian, me Britaninë e Madhe, me NATO-n për nevoja të mbrojtjes”, theksoi Basha.

    Deklaratën e plotë të Lulzim Bashës në CONTEXT, e gjeni në videon më poshtë: