ATV

Author: ATVLive

  • SHBA ekstradon dy kosovarë për krime kibernetike dhe shitje të të dhënave të kartave të kreditit

    SHBA ekstradon dy kosovarë për krime kibernetike dhe shitje të të dhënave të kartave të kreditit

    Përgatiti: Kastriot Tahiri

    Dy Kosovarë janë ekstraduar në SHBA.

    Në një njoftim të publikuar nga Ambasada amerikane në Prishtinë, thuhet se atje do të përballen me aktakuzë për dëmtim të qytetarëve amerikanë.

    Fjala është për dy të rinj – Ardit Kutleshin, 26 vjeç, dhe Jetmir Kutleshin, 28 vjeç – të cilët ishin arrestuar më 12 dhjetor të vitit të kaluar, në bazë të kërkesës së SHBA-së për ekstradim.

    “Ne e vlerësojmë shumë bashkëpunimin e vazhdueshëm të autoriteteve kosovare në ndihmën ndaj qeverisë amerikane për këtë çështje, duke forcuar përpjekjet tona të përbashkëta për të mbajtur të sigurta si Kosovën ashtu edhe Shtetet e Bashkuara”, thuhet në njoftimin e Ambasadës së SHBA-së”, thuhet në njoftimin nga Ambasada Amerikane në Kosovë.

    Ardit Kutleshi dhe Jetmir Kutleshi përballen me disa akuza për vjedhje identiteti dhe mashtrimi, të gjitha të lidhura me rolin e tyre si administratorë të faqes Rydox.

    Kjo faqe thuhet se ka kryer mbi 7,600 shitje të informacionit që gjeneruan rreth 230 mijë dollarë. Ata akuzohen se, ndër tjerash, kishin shitur të dhënat e kredit kartelave të mijëra “viktimave që jetojnë në SHBA”.

    “Akuza pretendon se, për më shumë se tetë vjet, të pandehurit administruan një treg të paligjshëm në internet që shiste PII, informacione të kartave të kreditit dhe kredencialet e hyrjes që ishin vjedhur nga mijëra viktima amerikane”, ka thënë Nicole m. Argentier, zëvendës-ndihmës Prokure e Përgjithshme.

    Në aktakuzën e ngritur edhe një shtetas tjetër kosovar, Shpend Sokoli, ishte arrestuar në Shqipëri për të njëjtin rast.

    Sipas Departamentit të Drejtësisë, nëse shpallen fajtorë, ata mund të përballen me 20 vjet burgim vetëm për pastrim parash e 10 për mashtrim me kredit kartela.

  • Shpërthen granata te zyra e Postës së Kosovës në Zveqan

    Shpërthen granata te zyra e Postës së Kosovës në Zveqan

    Përgatiti: Armand Hoti

    Pa u bërë një javë që kur u hap, ndodhi një shpërthim te zyra e Postës së Kosovës në Zveçan.

    Në minutat e parë të së martës, dy granata u hodhën tek objekti, por vetëm njëra shpërtheu.

    “Nuk mundë të them diqka për grupin apo njerëzit që kanë hedhur granatat e dorës aty, përpos se kjo është pjesë e hetimit dhe jemi duke u marë seriozisht me të”, tha zëvendësdrejtori i Policisë në veri, Veton Elshani.

    Vendi ku ndodhet zyra, është edhe zonë banimi. Kjo hapësirë mbikëqyret edhe nga kamerat e sigurisë.

    Pamjet e tyre, por gjithë situatën gjatë ditës, e monitoruan njësitet e policisë.

    “Situata në veri të vendit është delikate por e qetë”, tha Elshani.

    Në terren dolën edhe zyrtarët e ndërmarrjes publike, që menaxhon zyrat postare.

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, konsideron se sulmi ka për synim destabilizimin e veriut.

    “Sulmi tinëzar me granatë në terrin e natës është orvatje nga dëshpërimi dhe pafuqia e atyre që nuk sundojnë më në veriun e Kosovës. Posta e Kosovës do të qëndrojë aty si ndërmarrje publike, xhami i ri do të vendoset e shërbimet legale do të vazhdojnë të ofrohen për të gjithë qytetarët”, tha Kurti.

    Edhe nga Posta e Kosovës, kumtuan se kjo zyre do të rihapet.

    Kryetari Zveçanit, Ilir Peci, kërkon qetësi nga qytetarët.

    Edhe në fund të muajit nëntor, me granatë dore ishte sulmuar objekti i komunës së Zveqanit dhe stacioni i policisë në këtë qytezë.

  • Shtyhet për dy javë kontrolli i përbashkët i kufirit Kosovë – Maqedoni e Veriut

    Shtyhet për dy javë kontrolli i përbashkët i kufirit Kosovë – Maqedoni e Veriut

    Përgatiti: Driton Sadiku

    Pritjet për të kaluar matanë kufirit në Maqedoni të veriut, variojnë nga 5 deri në 10 minuta.

    Koha e pritjes, synohet të shkurtohet edhe më shumë me menaxhimin e përbashkët të kufirit, që planifikohej të fillonte nga kjo e martë, por që u shty për pak ditë.

    Ndërkaq, Ministria e punëve të brendshme Maqedonase, tregoi për televizionin se çfarë ka mbetur pa përfunduar, para se marrëveshja mes dy shteteve të filloi së zbatuari.

    “Përgatitja teknike dhe logjistike nënkupton disa aspekte, ndër të cilat:
    • konfigurimin dhe instalimin e aplikacionit për shkëmbimin e përbashkët të të dhënave
    • testimin e platformave të komunikimit dhe procedurave operacionale,
    • sigurimin e mbështetjes teknike në terren
    • rregullimin dhe pajisjen e zyrave të përbashkëta dhe ambienteve të punës dhe shërbimet
    • bashkërendimin e punëve lidhur me logjistikën dhe funksionimin e pandërprerë të ekipeve të përbashkëta”, thuhet në njoftimin nga Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë së Veriut.

    Pritjet janë që kontrolli i përbashkët të filloi nga 14 prilli, teksa qytetarët e shohin si mjaftë të nevojshëm.

    Marrëveshja për kontrollin e përbashkët të kufirit, ishte nënshkruar në nëntor të 20024-tës në mbledhjen e përbashkët mes qeverive të të dyja vendeve, teksa fillimisht planifikohej të niste së zbatuari nga 1 janari.

  • Skadoi kontrata, Kazerma Adem Jashari mbetet pa kompani të mirëmbajtjes

    Skadoi kontrata, Kazerma Adem Jashari mbetet pa kompani të mirëmbajtjes

    Përgatiti: Arian Hajdaraj

    Të paktën në 2 javët e fundit, asnjë nga tualetet, korridoret e as zyrat brenda afro 30 objekteve të kazermës Adem Jashari, nuk janë pastruar nga punëtorët e kompanisë për mirëmbajtje, sipas burimeve të ATV-së.

    Më 16 mars, ka skaduar kontrata mes ministrisë së mbrojtjes dhe konzorciumit të kompanive E-Commerce -Kosova CAPITAL X FET, e cila ishte nënshkruar pikërisht më 16 shtator të vitit 2024, në kohëzgjatje prej 6 muajsh.

    Vlera e parashikuar e kontratës kornizë ishte 100 mijë euro.

    Në këtë rast, autoriteti kontraktues – Ministria e Mbrojtjes, kishte funksionuar me procedurën e negociuar, ku kishin tenderuar 2 operatorë ekonomikë. Njëra nga to kishte ofertuar me 199 mijë euro, ndërsa tjetra me 112 mijë, e cila si ofertë më e ulët u zgjodh fituese.

    Tek përshkrimi në platformën e komisionit rregullativ të prokurimit publik, kontrata e dhënë aso kohe, specifikohet se ishte kontratë emergjente, pa publikimin e njoftimit për kontratë.

    ATV kupton se në mungesë të punëtorëve të mirëmbajtjes, njësia e “mjekësisë” e ka pastruar vet objektin në të cilin funksionojnë.

    E Ministria e Mbrojtjes, nuk ka kthyer përgjigje për ATV-në lidhur me këtë çështje.

  • Osmani cakton 15 prillin si datë për seancën konstituive të Kuvendit

    Osmani cakton 15 prillin si datë për seancën konstituive të Kuvendit

    Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, pas certifikimit të rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve për Kuvendin e Republikës së Kosovës, të mbajtura më 9 shkurt 2025 dhe në përputhje me autorizimet kushtetuese dhe afatet ligjore, ka thirrur mbledhjen e parë të Legjislaturës së nëntë të Kuvendit të Kosovës për datën 15 prill 2025.

    Gjatë kësaj seance zgjidhet kryetari dhe nënkryetarët e Kuvendit, dhe deputetët e rinj bëjnë betimin.

  • Kamberi refuzon ftesën e Vuçiq: Shqiptarët nuk do marrin pjesë në konsultimet për qeverinë e re

    Kamberi refuzon ftesën e Vuçiq: Shqiptarët nuk do marrin pjesë në konsultimet për qeverinë e re

    Deputeti shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi i është përgjigjur negativisht ftesës së presidentit Aleksandar Vuçiq lidhur me konsultimet që po kryen për qeverinë e re serbe.

    Kamberi thekson se shqiptarët janë sipas tij pakica më e diskriminuar në Serbi gjatë 13 viteve të pushtetit të Vuçiq.

    “Njoftova Presidentin se nuk shoh të arsyeshme të bëhem pjesë e një procesi të rrejshëm të demokracisë, sa për të përmbushur formën, ndërkohë që bashkëkombasit e mi mbeten pakica skajshmërisht e diskriminuar në sistemin shtetëror në 13 vitet e fundit”, shprehet Kamberi përmes një postimi në rrjetet sociale.

    Ai shprehet se sipas tij, asnjë qeveri e drejtuar nga Vuçiq, nuk ka parë të arsyeshme që të bashkëpunojë me përfaqësuesit shqiptarë për realizimin e kërkesave legjitime të shqiptarëve.

    “a. Pasivizimi i shqiptarëve vazhdon edhe sot;

    b. Mosnjohja e diplomave të studentëve tanë, që kanë përfunduar studimet në Universitetet e Republikës së Kosovës, vazhdon të jetë arsyeja kryesore e ikjes masive të të rinjëve shqiptarë nga Lugina e Preshevës;

    c. Dyert e institucioneve publike vazhdojnë të mbeten të mbyllura për shqiptarët dhe punësimi i tyre nëpër këto institucione është akoma i pamundur;

    d. Gjuha e urrejtjes (edhe pse personalisht kishit premtuar se do të angazhoheshit për parandalimin e saj) po vazhdon të mbetet pjesë e komunikimit të përditshëm të përfaqësuesve të lartë shtetërorë me shqiptarët, ndërsa

    e. Presheva, Bujanoci dhe Medvegja, po vazhdojnë të mbeten komunat më të pazhvilluara në Serbi.

    f. Mjekët të cilit gjatë pandemisë Covid19 kishin punuar në Shtëpinë e shëndetit në Preshevë, përtej udhëzimit të Qeverisë se do duhej të punësoheshin me vendim të përhershëm, po vazhdojnë të mbeten të papunë,

    g. Njësoj sikur që papunë kanë mbetur edhe kuadrot e specializuara shqiptare në polici.

    h. Me vite të tëra as edhe një polic shqiptar nuk është punësuar në policinë lokale në Preshevë, Bujanoc e Medvegjë”, shkruan Kamberi.

  • Përfundojnë dëshmitë e Prokurorisë në gjykimin ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë

    Përfundojnë dëshmitë e Prokurorisë në gjykimin ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë

    Në seancën e 1 prillit në Hagë u mbyll faza e prezantimit të dëshmitarëve të ftuar nga Zyra e Prokurorit të Specializuar në rastin e gjykimit të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK)

    Në mungesë të dëshmitarit të fundit të ftuar nga Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS), seanca u përfundua më herët se që ishte planifikuar, pa u dhanë një datë e re kur do të vazhdojë gjykimi.

    “Pjesa e mbetur e seancave të kësaj jave janë anuluar dhe gjykimi është shtyrë deri në një njoftim të mëtejshëm”, thuhet në njoftimin e publikuar në uebfaqen e Dhomave të Specializuara të Kosovës.

    Zëdhënësi i ZPS-së, Chrisopher Bennet, konfirmoi për REL-in se ZPS-ja do ta përmbyllë të gjithë rastin e saj deri më 15 prill.

    “Në këtë fazë, ZPS-ja nuk do të japë deklarata të mëtejshme në gjykatë”, tha Bennet.

    Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ish-deputeti Rexhep Selimi dhe dy ish-kryetarët e Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi, akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

    Dëshmitari i cili ishte planifikuar të jepte dëshminë e tij sot ishte i 125-ti i ftuar nga Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS), që më parë kishte thënë se nuk do të ftonte asnjë dëshmitar pas 4 prillit.

    Pasi u tha se dëshmitari i fundit “nuk ishte në gjendje të paraqitej”, ZPS-ja kërkoi që dëshmia e tij të pranohej me shkrim.

    Pasi ZPS-ja përfundon marrjen në pyetje të dëshmitarëve, ekipet mbrojtëse të katër të pandehurve – të cilët janë deklaruar të pafajshëm – do të paraqesin rastin e tyre.

    Mbrojtja e Thaçit tha në fund të vitit të kaluar se, nëse vendos të sjellë dëshmitarët e saj, nuk do të jenë më shumë se 10 të tillë.

    Gjykimi ndaj tyre nisi në prill të vitit 2023, teksa ekipet mbrojtëse vazhdimisht janë ankuar për kohëzgjatjen e këtij procesi.

    Ata gjenden në qendrën e paraburgimit në Hagë që katër vjet dhe vazhdimisht kërkesat e tyre për lirim nga paraburgimi janë refuzuar nga gjykatësit.

    Në nëntor të vitit të kaluar, kryetarja e Dhomave të Specializuara të Kosovës, Ekaterina Trendafilova, kishte thënë se u takon gjykatësve që të vendosin nëse do të lirojnë nga paraburgimi katër ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kur Prokuroria e Specializuar të përfundojë rastin e saj.

    Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte konfirmuar aktakuzën ndaj ish-krerëve të UÇK-së në tetor të vitit 2020, por e bëri publike vetëm një muaj më vonë.

    Aktakuza i ngarkon të akuzuarit për përgjegjësi “personale”, por edhe për “krimet e kryera nga vartësit e tyre”.

    Aktakuza thotë se katër të akuzuarit dhe anëtarë të tjerë të UÇK-së ishin pjesë e një “ndërmarrjeje të përbashkët kriminale” dhe “kanë ndarë qëllimin e njëjtë për të marrë dhe ushtruar kontrollin në gjithë Kosovën me të gjitha mjetet, përfshirë edhe frikësimin, keqtrajtimin, ushtrimin e dhunës dhe eliminimin e atyre që i konsideronin kundërshtarë”.

    Gjykata Speciale apo Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar hetojnë krimet e pretenduara të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë që nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000.

    Gjykata është themeluar në vitin 2015 nga Kuvendi i Kosovës dhe është pjesë e sistemit gjyqësor të Kosovës, por vepron me personel ndërkombëtar dhe ka selinë në Hagë. /REL

  • Policia: Nga 3 prilli, gjobat e trafikut dërgohen në shtëpi

    Policia: Nga 3 prilli, gjobat e trafikut dërgohen në shtëpi

    Policia e Kosovës ka njoftuar qytetarët të martën se nga data 3 prilli do të fillojë dërgimi i gjobave të trafikut në adresë të pronarit të automjetit për kundërvajtjet e identifikuara përmes kamerave dhe radarëve në trafikun rrugor.

    Në një njoftim në Facebook, policia bënë të ditur se gjobat do të dërgohen tek kundërvajtësit përmes Postës së Kosovës dhe përmes platformës elektronike e-Kosova.

    “Çka duhet të dini? Pronari i automjetit do të pranojë gjobën në adresën e tij. Nëse ai nuk ishte drejtuesi i mjetit në momentin e shkeljes, është i detyruar të sigurojë të dhënat e shoferit. Mosdorëzimi i këtyre të dhënave sjell masa ligjore për personat fizik dhe juridik sipas nenit 254 të Ligjit nr. 08/L-186”, bëhet e ditur në njoftimin e policisë.

    Po ashtu, sipas policisë se qytetarët kanë edhe lehtësira të cilat janë: Përfitojnë 50% zbritje në pagesë, nëse e paguani brenda afatit ligjor dhe kanë të drejtën e ankesës nëse nuk pajtoheni me gjobën.

    “A keni shitur një automjet? Nëse nuk e keni më në pronësi një automjet, njoftoni autoritetet dhe transferoni pronësinë, për të shmangur gjobat dhe shqetësimet e panevojshme”, thuhet ndër të tjera në njoftim.

  • Aktakuzë kundër dy të pandehurve për rrëmbim në Pejë

    Aktakuzë kundër dy të pandehurve për rrëmbim në Pejë

    Prokuroria Themelore në Pejë, ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurve, A.K dhe B.S për veprën penale “Rrëmbimi”, transmeton KP.

    Sipas aktakuzës, dy të pandehurit në bashkëkryerje me datë 17 dhjetor të vitit 2024, rreth orës 10:00, në rrugën “Zahir Pajziti në Pejë, nën kanosje për vrasje ose dëmtim të rëndë të shëndetin, marrin vikamën, D.K, me qellim që mos ta lirojnë derisa t’i nxjerrin paratë, gjegjësisht derisa të ju kthej borxhin, vëllai i viktimës K.K, që ua kishte të pandehurve shumën prej 1.500 euro të pandehurit A.K dhe 2000 euro të pandehurit B.S.

    Sipas njoftimit, derisa ditën kritike e urdhërojnë viktimën të futet në veturën e tyre dhe nisen në drejtim të Prishtinës, duke ju drejtuar me fjalët “tash deri në ora gjashtë babai yt i paguan paret, ose të qojmë në Shalë të Bajgores dhe e dimë se çfarë bëjmë me ty”.

    “Mirëpo, viktima D.K arrin që ta njoftoj shokun e tij, të cilit i tregon se është i rrëmbyer dhe pas bashkëpunimit mes policisë së Pejës dhe atyre të Podujevës, të pandehurit arrihen që të lokalizohen në fshatin Lupç të Komunës së Podujevës dhe të arrestohen”, thuhet në komunikatë.

    Sipas Prokurorisë, me këto veprime “ekziston dyshimi i bazuar mirë se të pandehurit kanë përmbushur elementet e veprës penale të përshkruar si me lartë”.

    Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes se aktakuzës, i ka propozuar gjykatës që të pandehurit të shpallën fajtore dhe të dënohen sipas ligjit për veprën penale e cila ju vihet në barrë.

  • Kurti takohet me drejtorin e Bosch Rexroth, e fton të vijë të investojë në Kosovë

    Kurti takohet me drejtorin e Bosch Rexroth, e fton të vijë të investojë në Kosovë

    Kryeministri Kurti u takua me drejtorin ekzekutiv të kompanisë Bosch Rexroth, Steffen Haack

    Kryeministri në detyrë Albin Kurti ka mbërritur në Hannover të Gjermanisë, ku po merr pjesë në panairin “Hannover Messe 2025”.

    Ai, së bashku me ministren e Industrisë, Rozeta Hajdari u takua me drejtorin ekzekutiv të Bosch Rexroth, Steffen Haack, siç njoftoi Zyra e Kryeministrit.

    “Temë kryesore e bisedës mes tyre ishte mundësia e investimeve në Kosovë, gjersa kryeministri e njoftoi atë mbi reformat e suksesshme dhe arritjet e qeverisë përgjatë këtij mandati”, thuhet në njoftim.

    ZKM tha se u diskutua gjithashtu “mundësia e bashkëpunimit në fushën e kërkimit, hulumtimit dhe zhvillimit në sektorët e automatizimit dhe teknologjisë industriale”.

    “Kryeministri theksoi gatishmërinë e institucioneve të Kosovës për të mbështetur iniciativat e kompanive gjermane në themelimin e qendrave të inovacionit dhe trajnimit profesional në vend, në bashkëpunim me universitetet”, thuhet në njoftimin e ZKM-së.