ATV

Author: ATVLive

  • Kurti nis takimet për qeverinë e re, arrin marrëveshjen e parë

    Kurti nis takimet për qeverinë e re, arrin marrëveshjen e parë

    Albin Kurti ka filluar takimet me partitë politike të pakicave për konsultim me to në lidhje me formimin e qeverisë së re, tha sot Qeveria e Kosovës në një njoftim për media.

    Qeveria tha se kryeministri në detyrë ka filluar konsultimet me partitë sipas afateve kushtetuese drejt formimit të legjislaturës dhe qeverisë së re.

    Në komunikatën e qeverisë thuhet se Kurti ka marrë mbështetje për bashkëqeverisje nga deputetja e zgjedhur e komunitetit boshnjak, Emilija Redzepi.

    “Në kuadër të këtyre diskutimeve, kryeministri u takua me zëvendëskryeministren e tretë për Çështje të Pakicave dhe të Drejtat e Njeriut dhe kryetaren e Partia e Re Demokratike (NDS), Emilija Rexhepi. Ajo e konfirmoi gatishmërinë e plotë për vazhdim të bashkëpunimit me Lëvizjen VETËVENDOSJE! si fituese e zgjedhjeve të fundit dhe mbështetjes së kryeministrit Kurti në formimin e qeverisë së re”, tha qeveria në njoftim.

    “Kryeministri Kurti e falënderoi znj. Rexhepi për bashkëpunimin e frytshëm, rezultatet e arritura gjatë këtij mandati dhe punët e mbara që na presin në katër vjeçarin e ardhshëm”, thuhet në njoftim.

    Lëvizja Vetëvendosje është shprehur e sigurt se do ta formojë qeverinë e re, pa përjashtuar mundësinë e krijimit të koalicioneve.

    Ministrja e Ekonomisë në largim dhe anëtarja e Vetëvendosjes, Artane Rizvanolli tha të martën se nuk ka alternativë tjetër përpo një qeverie të re me Kurtin kryeministër.

    “Sigurisht që në një kohë të tillë, gjithmonë formimi i institucioneve është një pyetje që nuk mund të tejkalohet. Unë mund të them që LVV-ja si forcë politike që tejkalon edhe fuqinë politike të dy partive të tjera që vijnë me radhë, sigurisht që do të formojë Qeverinë Kurti 3 dhe nuk ka asnjë alternativë tjetër se si do të ndodhte ndryshe me këto rezultate të zgjedhjeve”, tha Rizvanolli në një intervistë për RTK Prime në Transmetuesin Publik.

    E pyetur nëse LVV-ja do ta formojë qeverinë e vetme, ajo tha se nuk mund të flasë për këtë çështje momentalisht.

    “Kjo nuk është diçka për të cilën unë mund të them momentalisht”, u përgjigj ministrja në largim.

  • Konjufca për vrasjen e rreshterit Lika: Të kryhen hetime sa më të shpejta, autori të përballet me drejtësinë

    Konjufca për vrasjen e rreshterit Lika: Të kryhen hetime sa më të shpejta, autori të përballet me drejtësinë

    Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mbrëmë në rrugën “Idriz Seferi” në Kaçanik, ku Kosova u trondit nga vrasja e rreshterit të Policisë, Muhamed Lika. Ai u qëllua për vdekje para ndërtesës ku banonte në Kaçanik.

    Për vrasjen e rreshterit Lika, para pak minutash ka reguar kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca.

    Ai është shprehur i pikëlluar për këtë ngjarje dhe po ashtu ka bërë thirrje për hetimin e rastit dhe kapjen e autorit.

    “Shumë i pikëlluar për vrasjen e rreshterit policor Muhamed Lika në Kaçanik. Kjo është një ngjarje e rëndë dhe tejet pikëlluese, ku u qëllua për vdekje një zyrtar policor i Kosovës, i cili deri dje ishte në shërbim të mbrojtjes së rendit dhe sigurisë së qytetarëve.

    Bëj thirrje për hetime sa më të plota e të shpejta që është e mundur, në mënyrë që autori apo autorët e këtij krimi të vendosen përballë drejtësisë”, ka shkruar Konjufca në Facebook.

    Tutje, ai iu ka shprehur ngusëllimë familjarëve, miqve dhe kolegëve të rreshterit Muhamed Lika.

  • LVV nuk i përjashton koalicionet, thotë se ekziston vetëm një alternativë për qeverinë e re

    LVV nuk i përjashton koalicionet, thotë se ekziston vetëm një alternativë për qeverinë e re

    Lëvizja Vetëvendosje është shprehur e sigurt se do ta formojë qeverinë e re, pa përjashtuar mundësinë e krijimit të koalicioneve.

    Ministrja e Ekonomisë në largim dhe anëtarja e Vetëvendosjes, Artane Rizvanolli tha të martën se nuk ka alternativë tjetër përpo një qeverie të re me Kurtin kryeministër.

    “Sigurisht që në një kohë të tillë, gjithmonë formimi i institucioneve është një pyetje që nuk mund të tejkalohet. Unë mund të them që LVV-ja si forcë politike që tejkalon edhe fuqinë politike të dy partive të tjera që vijnë me radhë, sigurisht që do të formojë Qeverinë Kurti 3 dhe nuk ka asnjë alternativë tjetër se si do të ndodhte ndryshe me këto rezultate të zgjedhjeve”, tha Rizvanolli në një intervistë për RTK Prime në Transmetuesin Publik.

    E pyetur nëse LVV-ja do ta formojë qeverinë e vetme, ajo tha se nuk mund të flasë për këtë çështje momentalisht.

    “Kjo nuk është diçka për të cilën unë mund të them momentalisht”, u përgjigj ministrja në largim.

    Portali Nacionale, të dielën në mbrëmje raportoi se Nisma Socialdemokrate “do ta votojë qeverinë e propozuar nga Lëvizja Vetëvendosje” pas stagnimit në përpjekje për unifikim në një bllok të katër partive opozitare.

    Nacionale, duke cituar në një burim të mirëinformuar, raportoi se tre deputetë të Nismës “do t’ia votojnë qeverinë” Kurtit nëse dështon përpjekja opozitare për unifikim, por “pa hyrë në qeveri”.

    Sipas raportimit të medias, Limaj tashmë ia ka bërë të qartë këtë qëndrim të saj lidershipit të Partisë Demokratike të Kosovës. Kandidati për kryeministër i PDK-së, Bedri Hamza tha të premten se gjatë javës së kaluar ka zhvilluar negociata me LDK-në, AAK-në dhe Nismën.

    Të hënën, Fatmir Matoshi i Nismës tha se çështja e votimit të një qeverie me kryeministër Kurtin nuk është diskutuar brenda partisë.

    “Nuk është diskutu kjo temë”, tha Matoshi në një deklarim për Paparacin.

    Nisma ka shprehur pakënaqësi me angazhimin e deritashëm të subjekteve opozitare në përpjekje për krijimin e një blloku opozitar, i cili do ta dërgonte Kurtin në opozitë.

    Por, Matoshi u bëri apel subjekteve opozitare për dakordim “mes vete sa më parë”.

    “NISMA është e pakënaqur me angazhimin e partive të opozitës së deri tashme për të unifikuar qëndrimet për një bashkim të mundshëm dhe ju bëjmë thirrje që të dakordohen mes vete sa më parë”, tha anëtari i Nismës.

    Kryeministri në detyrë Albin Kurti tha të dielën se Vetëvendosje synon që të krijojë qeverinë brenda të njejtës ditë kur pritet të konstituohet Kuvendi i Kosovës.

    Këtë deklarim, Kurti e ka dhënë para mediave në takimin me rastin e Festës së Fitër Bajramit me myftiun e Bashkësisë Islame të Kosovës, Naim Tërnava.

    “Pasi u certifikuan rezultatet, është një seancë ku jepen betimet edhe masnej synojmë një seancë ku zgjedhet edhe kryetari, kryesia e Kuvendit edhe Qeveria qysh e kena bërë edhe herën e kalume për të njëjtën ditë”, tha Kurti.

    LVV ka siguruar 48 mandate në kuvend, PDK-ja 24, LDK-ja 20 dhe koalicioni AAK-NISMA tetë (AAK-ja pesë, Nisma tri). Lista Serbe do t’i ketë 9 deputetë, 1 ulëse nga komuniteti serb e ka fituar partia e Nenad Rashiqit.

  • Behluli: Gjuha e urrejtjes ndaj shqiptarëve është e përhapur në të gjitha nivelet në Serbi, madje fillon nga Parlamenti

    Behluli: Gjuha e urrejtjes ndaj shqiptarëve është e përhapur në të gjitha nivelet në Serbi, madje fillon nga Parlamenti

    Gazetarja Ardita Behluli, në emisionin COMPASS në ATV, tha se gjuha e urrejtjes ndaj shqiptarëve në Serbi është e përhapur në të gjitha nivelet, duke filluar nga Parlamenti e deri te mediat dhe institucionet shtetërore.

    Sipas saj, shqiptarët në Luginën e Preshevës përballen me diskriminim sistematik dhe përçmim të vazhdueshëm, i cili manifestohet publikisht dhe institucionalisht.

    “Gjuha e urrejtjes e kemi gjithkund – përpos në media, edhe në institucione. Në mediat nacionale dhe ato private, në debatet televizive, shohim mllefin që nxjerrin mysafirët, personalitete të caktuara në studio, tash i drejtohen shqiptarëve. Ajo që është më e rëndë dhe më e keqja është se fillimisht e shohim në Parlamentin e Serbisë karshi shqiptarëve. Çdo herë ku përmenden shqiptarët, ata në gjuhën e tyre nuk i quajnë ashtu siç duhet, por me një urrejtje duke i thënë ‘shqiptari’”, tha Behluli.

    Ajo tha se edhe përkundër raportimeve ndërkombëtare dhe reagimeve të liderëve shqiptarë në Serbi, shteti serb vazhdon të mos e marrë seriozisht këtë çështje.

    “Në fundin e vitit 2024 kishim edhe Raportin e Këshillit të Evropës, të cilët i kanë tërhequr vërejtje presidentit Vuçiq sa i përket diskriminimit të pakicave nacionale, e posaçërisht të shqiptarëve që jetojnë në Serbi. Por Vuçiq nuk ka pasur kohë të merret me këtë çështje – për të, pozicioni i shqiptarëve në Luginë të Preshevës duket shumë pak shqetësues, sepse ai tani po merret me problemet e veta që ia ka krijuar vetes populli i tij”, deklaroi gazetarja Ardita Behluli.

    Deklaratën e plotë të Ardita Behlulit në COMPASS, e gjeni në videon më poshtë:

  • Pamje nga vendi i vrasjes së rreshterit Muhamed Lika, policia vazhdon të qëndrojë në vendin e ngjarjes

    Pamje nga vendi i vrasjes së rreshterit Muhamed Lika, policia vazhdon të qëndrojë në vendin e ngjarjes

    Një veturë e Policisë së Kosovës shihet ende e pozicionuar në rrugën “Idriz Seferi” në Kaçanik, aty ku mbrëmë u vra rreshteri Muhamed Lika.

    Pamjet nga vendi i ngjarjes tregojnë prani të shtuar të policisë, ndërkohë që hetimet për zbardhjen e këtij rasti të rëndë janë në vazhdim, raporton ATV.

    Në hyrjen e objektit ku banonte viktima vërehen edhe shenja të dukshme në mur dhe derë, që mund të jenë pjesë e provave të mbledhura nga hetuesit.

    Ngjarja tragjike ndodhi pranë hyrjes së ndërtesës ku banonte viktima, rreth orës 23:00 të së martës.

    Rreshteri Lika u qëllua me armë zjarri në momentin që po hynte në banesën e tij. Ekipi i emergjencës e transportoi menjëherë në Qendrën e Mjekësisë në Kaçanik, por për shkak të plagëve të rënda ai nuk arriti të mbijetojë — vdekja e tij u konstatua nga mjekët.

    I dyshuari për këtë vrasje është ende në arrati, ndërkohë që motivet mbeten të panjohura.

    Kujtojmë se vrasja e rreshterit Muhamed Lika është vrasja e pestë që ka ndodhur në dhjetë ditët e fundit në Kosovë. /atvlive.tv

  • Behluli: Në Luginë ka shumë policë shqiptarë të kualifikuar, por pozitat udhëheqëse i mbajnë serbët

    Behluli: Në Luginë ka shumë policë shqiptarë të kualifikuar, por pozitat udhëheqëse i mbajnë serbët

    Gazetarja Ardita Behluli, në emisionin COMPASS në ATV, tha se në Luginën e Preshevës ka shumë policë shqiptarë të kualifikuar, por pozitat udhëheqëse në institucionet e rendit vazhdojnë të mbahen nga serbët.

    Ajo tha se edhe pse shqiptarët kanë grada të larta arsimore dhe përfaqësojnë profesione deficitare, nuk u jepet hapësirë në pozita vendimmarrëse.

    “Pikërisht në institucionet e rendit, në organet e rendit, me theks të veçantë në stacionin policor, ne kemi shumë policë që janë të kualifikuar me gradat më të larta të nivelit arsimor, e që ndoshta edhe janë profesione deficitare, që shumë pak kadetë të nacionalitetit serb, që kanë mbaruar studimet në Beograd, i zotërojnë. Por ata zënë një vend pune, një pozicion shumë të thjeshtë, përkundër asaj se në pozitë të lartë udhëheqëse mbeten të jenë serbët. Dhe normalisht kjo është një shqetësim pa rezervë”, tha Behluli.

    Ajo shtoi se pavarësisht reagimeve të liderëve lokalë dhe raporteve ndërkombëtare, diskriminimi ndaj shqiptarëve në Serbi vazhdon, madje me heshtje edhe nga faktori ndërkombëtar.

    “Këto shqetësime i ka shprehur edhe deputeti, i shprehin herë pas here edhe kryetarët e komunave, edhe liderët e partive. Por edhe më tutje kërkesat e shqiptarëve të Luginës së Preshevës po hasen në vesh të shurdhër. Ajo çfarë është shqetësuese është se kemi edhe një heshtje nga faktori ndërkombëtar. Shumë rrallë kemi reagime apo reflektim nga korri diplomatik, nga ambasadat e akredituara në Serbi. Në fund të vitit 2024, edhe Këshilli i Evropës i ka tërhequr vërejtje presidentit Vuçiq për diskriminimin e pakicave, posaçërisht të shqiptarëve që jetojnë në Serbi”, u shpreh gazetarja Ardita Behluli.

    Deklaratën e plotë të Ardita Behlulit në COMPASS, e gjeni në videon më poshtë:

  • Vrasja e rreshterit Muhamed Lika, hetimet vazhdojnë

    Vrasja e rreshterit Muhamed Lika, hetimet vazhdojnë

    Në vendin ku mbrëmë u vra rreshteri Muhamed Lika, shihet ende e pozicionuar një veturë e Policisë së Kosovës, teksa hetimet po vazhdojnë, raporton ATV.

    Ngjarja tragjike ndodhi në rrugën “Idriz Seferi” në Kaçanik, pranë hyrjes së ndërtesës ku banonte viktima, ndërsa hetimet vazhdojnë.

    Rreshteri Lika u qëllua me armë zjarri rreth orës 23:00 të së martës, në momentin kur po hynte në banesën e tij. Ekipi i emergjencës e transportoi menjëherë në Qendrën e Mjekësisë në Kaçanik, ku mjekët konstatuan vdekjen e tij.

    I dyshuari për vrasjen është ende në arrati, ndërkohë që motivet e këtij akti të rëndë mbeten të panjohura. /atvlive.tv

  • ​Këto janë tre të panjohurat e mëdha para se Trump të vendos tarifat në “Ditën e Çlirimit”

    ​Këto janë tre të panjohurat e mëdha para se Trump të vendos tarifat në “Ditën e Çlirimit”

    Mesazhi i Donald Trump është i qartë: tarifat po vijnë. Ky ka qenë një qëndrim i presidentit amerikan.

    Por cilat tarifa dhe kur? Taksa mbi importet janë vendosur aq shpesh dhe shpejt që nga marrja e tij e detyrës, saqë është e vështirë t’i mbash mend të gjitha, shkruan BBC.

    Trump tashmë ka rritur detyrimet mbi importet kineze, çelikun, aluminin dhe disa mallra nga Kanadaja dhe Meksika. Taksat më të larta për makinat pritet të hyjnë në fuqi këtë javë, transmeton KosovaPress.

    Tani pritet që Donald Trump të zbulojë detajet e planit të tij për një grup më të gjerë tarifash, të cilin ekipi i tij e ka zhvilluar gjatë javëve të fundit.

    Shtëpia e Bardhë e quan atë “Dita e Çlirimit”. Pra, çfarë mund të mësojmë të mërkurën, tregon BBC News.

    Sa të larta janë tarifat?

    Shtëpia e Bardhë nuk ka thënë se sa të larta mund të jenë tarifat, megjithëse analistët kanë parashikuar norma të ndryshme të mundshme.

    Gjatë fushatës vitin e kaluar, Donald Trump mbështeti një tarifë prej 10% mbi të gjitha importet që hyjnë në SHBA, duke sugjeruar ndonjëherë se mund të ishte 20% – madje 60% për importet nga Kina.

    Pasi mori detyrën, ai prezantoi idenë e tarifave “reciproke”, duke sugjeruar se normat mund të ndryshojnë nga një vend në tjetrin.

    “Shumë thjesht, nëse ata na taksojnë, ne i taksojmë ata”, tha ai në shkurt, pak para se të urdhëronte zyrtarët të zhvillonin një plan të tillë.

    Shtëpia e Bardhë e ndërlikoi menjëherë situatën, duke vënë në dukje se rekomandimet e tyre do të pasqyronin jo vetëm tarifat, por edhe politika të tjera që ata i konsiderojnë të padrejta ndaj bizneseve amerikane, siç është Tatimi mbi Vlerën e Shtuar (TVSH).

    Kjo ka shkaktuar pasiguri mes bizneseve dhe liderëve politikë, të cilët përpiqen të kuptojnë se sa e madhe do të jetë kjo taksë për produktet e tyre dhe si ajo që do të shpallet të mërkurën do të ndërveprojë me tarifat e tjera, si ato për çelikun dhe aluminin, që tashmë janë në fuqi.

    Zyrtarët në Evropë, për shembull, po përgatiten për një tarifë dyshifrore mbi eksportet e tyre. Donald Trump tha më herët këtë vit se planifikon të vendosë një taksë importi prej 25% mbi mallrat nga Bashkimi Evropian, transmeton KosovaPress.

    Cilat vende mund të preken?

    Administrata Trump nuk ka konfirmuar ende cilat vende do të preken, megjithëse ka sugjeruar se njoftimi i së mërkurës do të jetë i gjerë.

    Të dielën, presidenti tha se tarifat e reja mund të zbatohen për “të gjitha vendet”, duke sugjeruar një rikthim të mundshëm te tarifa e përgjithshme që ai mbështeti në fushatë.

    Kjo shuajti shpresat e disa vendeve, si Britania e Madhe, që mendonin se mund të mos binin në sy, megjithëse shumë ende shpresojnë të negociojnë një marrëveshje.

    Por ende nuk është e qartë nëse tarifat do të zbatohen njësoj për të gjithë apo do të jenë më të synuara.

    Muajin e kaluar, Sekretari i Thesarit, Scott Bessent, tha se përpjekjet ishin të përqendruara te “15-të e ndoturit” – 15% e vendeve që përbëjnë pjesën më të madhe të tregtisë me SHBA dhe vendosin tarifa ose rregulla të tjera që vendosin në pozitë jo të favorshme firmat amerikane.

    Zyra e Përfaqësuesit të Tregtisë së SHBA, teksa përgatitej të hartonte rekomandime, identifikoi vendet për të cilat ishte “veçanërisht e interesuar”.

    Këto përfshinin: Argjentinën, Australinë, Brazilin, Kanadanë, Kinën, Bashkimin Evropian, Indinë, Indonezinë, Japoninë, Korenë, Malajzinë, Meksikën, Rusinë, Arabinë Saudite, Afrikën e Jugut, Zvicrën, Tajvanin, Tajlandën, Turqinë, Mbretërinë e Bashkuar dhe Vietnamin.

    Trump vetë ka rezervuar disa nga kritikat e tij më të ashpra për aleatët historikë dhe partnerët e mëdhenj tregtarë, si Kanadaja dhe BE.

    “Miku ka qenë, shpeshherë, shumë më i keq se armiku”, deklaroi ai javën e kaluar.

    Çfarë ndikimi do të kenë tarifat?

    Tarifat janë taksa mbi importet. Pra, pyetja e madhe është, kush do të paguajë?

    Teknikisht, përgjigja është e thjeshtë: kompanitë amerikane që sjellin mallra do të jenë ato që do të përballojnë faturën, veçanërisht nëse Shtëpia e Bardhë fillon të zbatojë tarifat “menjëherë”, siç sugjeroi zëdhënësja Karoline Leavitt të martën.

    Por sa më të mëdha të jenë tarifat, aq më shumë do të kërkojnë firmat mënyra për të kompensuar ato kosto, qoftë duke ndryshuar furnitorët, duke i shtyrë partnerët e biznesit të ndajnë barrën – ose duke rritur çmimet për amerikanët.

    Shumë kompani kanë thënë se tashmë po përgatiten për këtë hap. Por kjo është një lojë e rrezikshme, sepse nëse kompanitë rrisin çmimet shumë, blerësit thjesht do të largohen.

    Këto dinamika kanë rritur rreziqet e një recesioni ekonomik si në SHBA – ashtu edhe përtej kufijve të saj, ku shumë kompani mbështeten te shitjet në Amerikë.

    Trump thotë se kompanitë që duan të shmangin tarifat thjesht mund të bëjnë biznes në SHBA, por kjo nuk është një zgjidhje e menjëhershme apo e lehtë, duke pasur parasysh kostot e larta të punësimit dhe ngritjes së fabrikave.

    Nëse përfshijmë luhatjet valutore dhe hakmarrjen e mundshme nga vendet e tjera, pasojat e përpjekjes së Trump për të ribalancuar tregtinë globale ka të ngjarë të mbeten të paparashikueshme edhe shumë kohë pas njoftimit të së mërkurës.

  • Lladrovci: Kushtetuta e lejon që deputetët e partive opozitare të votojnë qeverinë

    Lladrovci: Kushtetuta e lejon që deputetët e partive opozitare të votojnë qeverinë

    Avokati Petrit Lladrovci, në emisionin COMPASS në ATV, tha se Kushtetuta e Kosovës nuk e ndalon që deputetët e opozitës ta votojnë formimin e një qeverie të re.

    Ai tha se mandati i deputetëve është individual dhe ata u përgjigjen qytetarëve, jo domosdoshmërisht partive që i përfaqësojnë.

    “Kushtetuta dhe rregullorja e punës së Kuvendit thotë që për votimin e Qeverisë duhet të jenë 61 deputetë, pa marrë parasysh. Secili e ka mandatin e vet, secili i ka marrë votat prej popullit, andaj edhe pse mundet me iu përgjigj vetëm popullit dhe jo partisë politike, qysh ka ndodhur edhe në të kaluarën, kanë dalë më pas edhe si deputetë të pavarur. Kështu që për formimin e qeverisë duhen 61 vota, nuk është e përcaktuar se nga cili subjekt politik vinë votat”, deklaroi Lladrovci.

    Deklaratën e plotë të Petrit Lladrovcit në COMPASS, e gjeni në videon më poshtë:

  • Lladrovci: Brenda ditës mund të formohet edhe Qeveria, nevojitet vetëm një kusht

    Lladrovci: Brenda ditës mund të formohet edhe Qeveria, nevojitet vetëm një kusht

    Avokati Petrit Lladrovci, në emisionin COMPASS në ATV, tha se nëse një subjekt politik i ka numrat, Qeveria mund të formohet edhe brenda një dite.

    Sipas Lladrovcit, nëse mandatarit i besohen votat dhe bindet presidentja, procesi i formimit të Qeverisë mund të përfundojë shumë shpejt.

    “Sipas deklarimeve dhe nëse i kanë numrat, atëherë edhe mund ta propozojnë që mandatari i Qeverisë të diskutojë me presidentin, ta bindë që i ka numrat dhe mund të thirrë seancën për zgjedhjen apo formimin e Qeverisë brenda ditës. Mandatari propozon kabinetin qeveritar dhe e paraqet para deputetëve. Tashmë e kam dhënë betimin, andaj mund të formohet edhe brenda ditës, sepse nuk ka ndonjë afat të caktuar kohor të rregulluar”, tha Lladrovci.

    Ai shtoi se nëse ekziston përgatitja dhe numrat e nevojshëm, votimi për Qeverinë mund të përmbyllet në të njëjtën ditë.

    “Jo, nëse i kanë përgatitje të tilla, nëse i kanë numra, atëherë edhe mund të përgatitet brenda gjithë ditës dhe të kryhet edhe votimi i Qeverisë, i cili duhet të jetë nëse ngjallen votat e deputetëve”, shtoi avokati Petrit Lladrovci.

    Deklaratën e plotë të Petrit Lladrovcit në COMPASS, e gjeni në videon më poshtë: