ATV

Author: ATVLive

  • Lansohet motorola Edge 60 Fusion me funksionet ‘Moto AI’

    Lansohet motorola Edge 60 Fusion me funksionet ‘Moto AI’

    Telefoni i mençur Motorola Edge 60 Fusion vjen me një ekran të lakuar 6.7-inç, i certifikuar nga Pantone, me një frekuencë rifreskimi prej 120Hz dhe rezolucion 1.5K. Pajisja është e fuqizuar nga çipseti MediaTek Dimensity 7400, i kombinuar me deri në 12GB RAM dhe deri në 256GB hapësirë ruajtjeje, e cila mund të zgjerohet deri në 1TB përmes kartës microSD, shkruan Business Standard.

    Ky telefon është i certifikuar IP68/69, duke ofruar mbrojtje ndaj pluhurit dhe ujit, si dhe ka marrë certifikimin ushtarak MIL-810H për qëndrueshmëri. Motorola premton tre vjet përditësime të sistemit operativ dhe katër vjet përditësime të sigurisë për Edge 60 Fusion.

  • Osmani: Dezinformimi, sfidë por edhe rrezik real për Kosovën

    Osmani: Dezinformimi, sfidë por edhe rrezik real për Kosovën

    Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë dhe Rrjeti Ballkanik për Gazetari Hulumtuse, BIRN Kosova kanë publikuar raportin rreth gjuhës së urrejtjes dhe dezinformimit gjatë fushatës për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit në Kosovë, raporton KosovaPress.

    Në Ditën Ndërkombëtare të Verifikimit të Fakteve, shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Aivo Orav tha se dezinformimi është më shumë se thjeshtë përmbajtje mashtruese. Ai shtoi se dezinformimi përbënë një kërcënim të drejtpërdrejtë për vetë thelbin e demokracisë.

    Orav tha se çdo individ mund të bëhet objektiv i manipulimit të informacionit.

    Ndër të tjera, Orav potencoi se raporti në fjalë zbulon se narrativat dezinformuese që u përhapën jo vetëm nga aktorët politikë vendorë, por edhe nga forca të jashtme, me qëllimin për të destabilizuar besimin e publikut në procesin zgjedhor të Kosovës.

    Orav tha se Bashkimi Evropian mbetet thellësisht i përkushtuar në mbështetjen e lirisë së medias, gazetarisë së bazuar në fakte dhe përpjekjeve për të luftuar dezinformimin.

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani tha se dezinformimi nuk është vetëm sfidë por rrezik real për shtetin tonë. Ajo shtoi se gazetaria qytetare e ndihmuar nga teknologjia dhe Intelegjenca Artificiale e kanë bërë verifikimin e fakteve më sfidues, raporton KosovaPress.

    Sipas saj ne nuk duhet të leojmë të jemi të manipuluar, derisa potencoi se pa të vërtetën nuk mund të kemi demokraci të mirëfilltë dhe shoqëri të sukseshme.

    Osmani theksoi se Serbia dhe Rusia kanë promovuar dezinformimin për ta minuar procesin e demokracisë në Kosovë dhe nxitjen e tensioneve në rajon.

    Ndërkaq, të gjeturat kryesore të raportit rreth gjuhës së urrejtjes dhe dezinformimit gjatë fushatës për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit në Kosovë i shpalosi Kreshnik Gashi nga BIRN Kosovo.

    Ai thekson se zgjedhjet në Kosovë u karakterizuan me gjuhë të urrejtjes dhe dezinformata nga Kremlini dhe Serbia.

    Po ashtu, Gashi tha se pati gjuhë të urrejtjes dhe dehumanizim për kundërshtarët politik brenda vendit.

    Në zgjedhjet e 9 shkurtit sipas këtij raporti pati përdorim të lartë të rrjeteve sociale në multiplifikimin e gjuhës së urrejtjes dhe narrativave dezinformiese.

    Rritje të përdorimit të inteligjencës artificiale në dezinformim, prani të influencës kineze në artikuj të sponzorizuar e transparencë e ulët e financimit të fushatës, janë ndër karakteristikat e zgjedhjeve paralmentare sipas Gashit.

  • Vrasja e rreshterit policor, kryetari i Kaçanikut jep detaje

    Vrasja e rreshterit policor, kryetari i Kaçanikut jep detaje

    Kryetari i Komunës së Kaçanikut, Besim Ilazi ka deklaruar se nuk i di motivet e vrasjes së rreshterit policor, Muhamed Lika i cili u vra mbrëmë pranë banesës së tij në këtë komunë, raporton KosovaPress.

    Kryetari Ilazi para medieve tha se deri tani nuk dihet kush është kryesi i kësaj vrasje, dhe as motivi, por shtoi se organet e hetuesisë po vazhdojnë hetimet.

    “Deri më tani nuk kemi informacione se cili është kryesi i aktit megjithatë organet e drejtësisë janë duke e bërë punën e tyre dhe shpresojmë se në momentin kur kemi informacione më të sakta do t’ua japin edhe medieve”, tha ai.

    Ilazi tha se meqenëse kjo komunë konsiderohet e qetë, “është shokuar me vrasjes e rreshterit policor”.

    Ai shton se rreshterin policor, Muhamed Lika e ka njohur si një njeri të edukuar dhe se nuk ka dëgjuar se kishte ndonjë shqetësim me dikë.

    “Meqenëse komuna e Kaçanikut ka qenë një komunë mjaftë e qetë prej këtyre rasteve një rast që na ka shokuar të gjithëve dhe nuk i dimë ende motivet se si ka ndodhur ky rast. Por, megjithatë po presim të dhënat zyrtare që do të vijnë dhe atëherë do të kemi informacione të plota…edhe ata nuk kanë asnjë lloj piste hetimi deri tani po flas nga fjalët e komandantit të Policisë, megjithatë organet e hetuesisë janë duke e bërë punën e vetë… Për mua është një çudi një rast i tillë sepse ka qenë një zyrtar policor dhe person dhe njeri mjaftë i edukuar dhe absolut nuk kemi dëgjuae asnjë rast të vetëm të shqetësimit që ka ndodhur nga ai . Për ata për neve ka qenë një rast i befasishëm”, theksoi ai.

    I pari i komunës së Kaçanikut tha se nuk ka informacione nëse janë duke u bërë patrullime në këtë qytetet pas rastit të mbrëmshëm.

    “Ndoshta që rasti është ende në hetuesi nuk kemi ndonjë urdhër apo së paku informacion që patrullat e policisë janë ne vendet e patrullimit”, theksoi ai.

    Kryetari Ilazi tha se ndonëse ende nuk dihet se kur do të varroset rreshteri policor, ai tha se do ta varrosin në varrezat e dëshmorëve në këtë komunë.

    Rreshteri policor, Muhamed Lika është vrarë mbrëmë rreth orës 23:00 me armë zjarri në afërsi të banesës së tij në Kaçanik. Ndërkohë, i dyshuari për rastin akoma është në arrati.

  • Milaim Rama rrëfen nisjen e vështirë të karrierës në Zvicër dhe ëndrrën që u bë realitet

    Milaim Rama rrëfen nisjen e vështirë të karrierës në Zvicër dhe ëndrrën që u bë realitet

    Në emisionin ALARM në ATV, ish-futbollisti Milaim Rama ndau rrëfimin e tij për jetën pas emigrimit në Zvicër dhe sfidat që e shoqëruan deri në momentin kur u bë shqiptari i parë që veshi fanellën e Zvicrës në një Kampionat Evropian.

    Duke folur për fillimet e tij si emigrant i ri dhe pasionin për futbollin, ai tregoi se nuk e kishte imagjinuar kurrë se do të arrinte të përfaqësonte një kombëtare.

    “Gjatë gjithë këtyre dy viteve, me të vërtetë kam thënë edhe do e përsëris prapë, unë kam ardhë në moshën shumë të re në Zvicër, në moshën 17-vjeçare, ku prindi i jonë kishte emigruar prej viteve ’79 dhe në fillim të vitit 1993 emigruam edhe ne me familje. Unë, pasi që e kam dashur jashtëzakonisht futbollin edhe në Kosovë, në moshën e fëmijërisë, dëshira e madhe ka qenë që një ditë të arrij në futboll diçka… Po që se unë të bëhem me të vërtetë një profesionist dhe më në fund t’i mbrojë edhe ngjyrat e një kombëtare të huaj, ose të Zvicrës ta them, nuk e kisha paramenduar kurrë. Por si të them, një ëndërr që e ke, më në fund është realizuar. Unë arrita t’i mbrojë 7 herë, ta vëshi fanellën e kombëtares helvetike, të jem shqiptari i parë që do të luajë edhe në një kampionat evropian dhe kështu besoj që megjithatë besoj që ia ka vlejtë”, tregoi Rama.

    Ai tregoi se largimi nga Kosova në atë kohë ishte i detyruar dhe vështirësitë e para në Zvicër nuk e ndalën që të ndjekë ëndrrën e tij, e cila filloi nga niveli më i ulët.

    “Në moshën e re e lash Kosovën jo me dëshirën time, por siç e dimë të gjithë, sidomos kjo mosha e ime edhe para meje edhe mbas meje, kemi qenë në një kohë të robëruar, në një kohë të vështirë, ku edhe shkollat na u mbyllën. Dhe më në fund vendosëm që edhe ne të vijmë në Zvicër. Fillova në rangun më të ulët këtu në Zvicër dhe gradualisht, me një kohë shumë të shpejtë, arrita që të jem një lojtar i klubit futbollistik FC Thun-it. Më pas arritëm edhe të gjitha sukseset që unë krenohem me to”, rrëfeu Rama.

    Rrëfimin e plotë të Milaim Ramës në emisionin ALARM, e gjeni në videon më poshtë:

  • 10 hapat deri në konstituimin e Kuvendit

    10 hapat deri në konstituimin e Kuvendit

    Gazetari Haris Ademi, në rubrikën “Navigim” të emisionit COMPASS, ka sqaruar procesin që çon drejt konstituimit të Kuvendit të ri të Kosovës, pas certifikimit të rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të 9 shkurtit 2025 nga ana e KQZ-së.

    Ai ka ndarë me publikun 10 hapat kyç që duhet të ndiqen deri në mbajtjen e seancës konstituive, të paraparë për datën 15 prill.

    Sipas Ademit, gjithçka fillon me një seancë të jashtëzakonshme, e cila, ndonëse procedurale, është vendimtare për funksionimin institucional pas zgjedhjeve. Përgatitjet paraprake bien mbi Kryetarin e legjislaturës së kaluar, Glauk Konjufca, i cili duhet të organizojë një takim me përfaqësuesit e partive, ndërsa vetë seancën do ta drejtojë deputeti më i vjetër, i ndihmuar nga më i riu.

    Më pas, krijohet Komisioni i Përkohshëm për Verifikimin e Kuorumit dhe Mandateve, i cili duhet të raportojë për vlefshmërinë e mandateve, para se deputetët të japin betimin solemn.

    Procesi vijon me zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit dhe pesë nënkryetarëve, përfshirë përfaqësues nga partitë kryesore dhe komunitetet jo-shumicë, ndërkohë që nuk ka një afat të përcaktuar për përmbylljen e këtij procesi, duke e lënë mundësinë e zvarritjeve të hapur.

    Për më shumë, shikoni videon e plotë më poshtë ku Haris Ademi shpjegon 10 hapat drejt konstituimit të Kuvendit:

  • Sot varroset rreshteri i Policisë që mbeti i vrarë në Kaçanik

    Sot varroset rreshteri i Policisë që mbeti i vrarë në Kaçanik

    Një ngjarje e rëndë tronditi mbrëmë qytetin e Kaçanikut, ku rreshteri i Policisë, Muhamed Lika, u qëllua me armë zjarri para banesës së tij dhe për pasojë humbi jetën.

    Lika u qëllua me armë në rrethana që ende nuk janë bërë të qarta, ndërsa ekipet hetimore po punojnë për të ndriçuar rastin dhe për të kapur autorin e krimit.

    Policia e Ferizajt ka dalë me një deklaratë zyrtare, duke konfirmuar se i dyshuari për vrasjen është në arrati dhe se operacionet për kapjen e tij janë duke vazhduar me intensitet të lartë.

    Ndërkohë, familja ka njoftuar se Muhamed Lika do të varroset sot, pas namazit të ikindisë, në fshatin Shtrazë të komunës së Kaçanikut.

    LEXO EDHE:

    Pamje nga vendi i vrasjes së rreshterit Muhamed Lika, policia vazhdon të qëndrojë në vendin e ngjarjes

  • Zyrtari i NATO-s: Nuk do të lejojmë të rrezikohet siguria në Ballkanin Perëndimor

    Zyrtari i NATO-s: Nuk do të lejojmë të rrezikohet siguria në Ballkanin Perëndimor

    “Vizita e Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s në Ballkanin Perëndimor tregon se rajoni është ende lartë në agjendën e NATO-s dhe se ai është i rëndësisë së madhe strategjike, gjë që u përsërit nga liderët tanë në Samitin e korrikut të kaluar”, ka thënë një zyrtar i lartë i NATO-s në Bruksel para takimit të ministrave të jashtëm të NATO-s që fillon nesër.

    Ai ka thënë se siguria e Ballkanit Perëndimor është e një rëndësie jetike për stabilitetin e Aleancës dhe ne nuk do të lejojmë që ajo të rrezikohet, transmeton Paparaci.

    Ai ka përkujtuar se këtë javë ministrat e jashtëm do të takohen për të diskutuar për vazhdimin e përgatitjeve për Samitin e NATO-s në Hagë, në fund të qershorit.

    “Ata pritet të ndajnë pikëpamjet se si të ruajnë vrullin në rritjen e shpenzimeve të mbrojtjes dhe se si të rivendosin prodhimin industrial në sektorin e mbrojtjes. Ne gjithashtu presim që ata të paraqesin pikëpamjet mbi mbështetjen tonë të vazhdueshme për Ukrainën dhe se si do të zhvillojmë më tej bashkëpunimin tonë tashmë të vendosur mirë për çështje me interes të ndërsjellë dhe në disa fusha me partnerë nga rajoni Indo-Paqësor (Australia, Japonia, Zelanda e Re dhe Republika e Koresë)”, ka thënë ky zyrtar i NATO-s.

    Ai ka thënë se takimi i kësaj jave i ministrave të jashtëm të NATO-s vjen disa javë pas dy vizitave të rëndësishme të Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

    “Ai vizitoi Sarajevën dhe, së bashku me Këshillin e Aleancës, personelin tonë në Kosovë që shërben në KFOR dhe Ekipin Këshillues për Ndërlidhje të NATO-s (NALT). Të dyja vizitat përfaqësonin një tjetër demonstrim të prekshëm se Ballkani Perëndimor mbetet lart në agjendën e NATO-s, ky është një rajon me rëndësi strategjike, siç u përsërit nga liderët tanë perëndimor në samitin tonë të sigurisë dhe ne nuk do të lejojmë që ai të rrezikohet”, ka thënë zyrtari i NATO-s.

  • Mitsotakis: Greqia fillon modernizimin më të madh në histori të mbrojtjes

    Mitsotakis: Greqia fillon modernizimin më të madh në histori të mbrojtjes

    Anëtarja e NATO-s, Greqia, do të shpenzojë 25 miliardë euro për rinovimin më të rëndësishëm të mbrojtjes në historinë e saj moderne, njoftoi sot kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis.

    “Në një botë që po ndryshon me ritme të paparashikueshme dhe në një mjedis ndërkombëtar të pasigurt, Greqia ka 25 miliardë euro për të kryer rinovimin e forcave të armatosura, më i rëndësishmi në historinë moderne të vendit”, tha ai në parlament.

    Duke folur në parlament për të paraqitur planin e ri të armatimeve, kryeministri Mitsotakis tha se “projekti më emblematik” i planit do të jetë një sistem i mbrojtjes ajrore, i quajtur “Mburoja e Akilit”.

    Siç shpjegohet nga ”Kathimerini”, ”Mburoja e Akilit” përbëhet nga teknologji antidronë, kundërajrorë dhe raketa balistike dhe pritet të prodhohet nga kompanitë izraelite të mbrojtjes.

    Projekti, i vlerësuar të kushtojë 2,8 miliardë euro, përfshin blerjen e sistemeve të raketave tokë-ajër me rreze të lartë, të mesme dhe të shkurtër (HSAM, MSAM) së bashku me një rrjet të sofistikuar radarësh për zbulimin dhe klasifikimin e kërcënimeve ajrore.

    Njoftimi i sotëm i Mitsotakis pason takimin e tij në Jerusalem të dielën e kaluar me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu, me të cilin ai diskutoi projektet e mundshme të prodhimit të përbashkët të armëve midis vendeve të tyre.

    Bashkëpunimi do të përfshijë kompani izraelite në këtë sektor, duke përfshirë IAI, ”Rafael” dhe ”Elbit”.

  • KMDLNJ kundërshton arrestimin e aktivistëve para ZRrE- së

    KMDLNJ kundërshton arrestimin e aktivistëve para ZRrE- së

    Zyrtarë të Policisë së Kosovës arrestuan 12 aktivistë që protestuan para zyrave të ZRrE – së kundër rritjes së çmimit të energjisë elektrike prej së paku 15 përqind e që është e papranueshme dhe e papërballueshme për pjesën më të madhe të qytetarëve të Kosovës.

    KMDLNj e përkujton opinionin se kjo është rritja e tretë e çmimit të rrymës gjatë mandatit 4 vjeçar të qeverisë Kurti 2 që nënkupton se rritja e tretë e çmimit të rrymës e kompleton shifrën prej 146 përqind . KMDLNj e përkujton opinionin se ZRrE në afatin 15 vjeçar ka vjedhur qytetarët e Kosovës duke ua fryrë faturat për të kompensuar shpenzimin e rrymës nga ana e serbëve gjë që e ka konstatuar edhe gjykata kompetente duke marrë vendim që të kompensohen e që ZRrE nuk e ka bërë.

    ZRrE ka diskriminuar qytetarët e Kosovës ekskluzivisht në baza etnike që është në kundërshtim të plotë me ligjet në fuqi dhe Kushtetutes së Kosovës. Qeveritë nuk kanë ndërmarrë asnjë veprim për të mbrojtur qytetarët por janë rreshtuar pas një institucioni diskriminues dhe shkelësi i të drejtave të njeriut që është ZRrE. Propozimin e fundit për rritje të çmimit të rrymës e kanë kundërshtuar të gjitha institucionet , qytetarët , shoqëria civile , bizneset , odat ekonomike dhe mediat.

    Qeveria e Kosovës ka dalë me një propozim mashtrues dhe diskriminues duke përkrahur rritjen e çmimit të energjisë elektrike për qytetarët që shpenzojnë mbi 800 Kw në muaj që rëndë e shkelë parimin kushtetues për trajtim të barabartë dhe jodiskriminues të qytetarëve e që është në kundërshtim të plotë me dokumentet kombëtare dhe ndërkombëtare për të drejtat e njeriut.

    KMDLNj ftonë qytetarët e Kosovës që të dalin në numër sa më të madh në protestën e paralajmëruar me 5 prill 2025 për të kundërshtuar rritjen e çmimit të energjisë elektrike dhe për të kërkuar përgjegjësi për vjedhje 15 vjeçare që ua ka bërë ZRrE si dhe për moskompensim të dëmit të bërë.

    KMDLNj përkrahë çdo protestë paqësore sikur që ishte protesta e sotit duke kërkuar që protesta të valëzohet në tërë Kosovën , në mbrojtje të standardit edhe ashtu të mjerë të shumicës së qytetarëve të Kosovës.

    KMDLNj ftonë Policinë e Kosovës që të mos instrumentalizohet nga politika dhe të mos pengojë protestat paqësore , si njërën ndër të drejtat elementare të njeriut.

    KMDLNj paralajmëron opinionin se rritja e çmimit të energjisë elektrike do të prodhojë efekte zinxhirore duke rritur çmimet e të gjithë artikujve tjerë dhe shërbimeve . Dilni sa më shumë në protesta , mos iu jepni ngjyrime politike dhe mos bini nën ndikime politike por protestoni ekskluzivisht kundër rrezikimit flagrant të standardit duke kërkuar në të njëjtën kohë indeksimin e çmimeve dhe rritjen e pagave , pensioneve, asistencës sociale si kusht për ta përballuar inflacionin . Kërkoni të hiqet taksa fikse prej 2 eurosh për çdo njehësorë në Kosovë dhe kërkoni përgjegjësi për këtë .

    KMDLNj kërkon lirimin e tê arrestuarve dhe arrestimin e përgjegjësve konkret e që janë brenda ZRrE – së dhe Ministrisë përkatëse.

  • Stambolli pret takimin e dytë të normalizimit të marrëdhënieve SHBA-Rusi

    Stambolli pret takimin e dytë të normalizimit të marrëdhënieve SHBA-Rusi

    Rusia ka njoftuar se takimi i saj i dytë me SHBA-në për normalizimin e marrëdhënieve do të zhvillohet në Stamboll.

    Duke folur në një konferencë për media në Moskë, ministri i Punëve të Jashtme i Rusisë, Sergey Lavrov, nuk dha një datë të saktë për takimin, por përmendi se presidenti Vladimir Putin kërkoi nga ai dhe ministri i Mbrojtjes, Andrey Belousov, për një informim mbi përparimin në bisedimet me SHBA-në për çështjen e Ukrainës.

    Lavrov theksoi se Rusia dhe SHBA-ja aktualisht janë fokusuar në tre tema, respektivisht në zgjidhjen e konfliktit në Ukrainë aktualisht duke u marrë me një moratorium mbi sulmet që shënjestrojnë infrastrukturën energjetike, rivendosjen e Iniciativës së Drithërave të Detit dhe largimin e “irrituesve” në lidhjet dypalëshe.

    Sipas shefit të diplomacisë ruse, këta “irritues” pengojnë ndjeshëm funksionimin e ambasadës ruse në Uashington dhe ambasadës amerikane në Moskë.

    “Në Stamboll u zhvillua një takim dhe tani është duke u përgatitur një takim i dytë. Ndërkohë, komunikimi vazhdon përmes telefonave dhe video-konferenca”, theksoi ai.

    Lavrov tha se “problemet e ambasadave” datojnë që nga administrata e Barack Obama e viteve 2009-2017, drejtpërdrejtë para mandatit të parë të administratës së Donald Trumpit.

    “Unë përmbahem nga parashikimet, përparim i dukshëm është arritur, duke reflektuar vendosmërinë e partnerëve tanë amerikanë për të eliminuar këto pengesa krejtësisht të papranueshme për funksionimin normal të diplomacisë në kryeqytetet e njëri-tjetrit”, tha ai.

    Më 27 shkurt, delegacionet ruse dhe amerikane u takuan në rezidencës e Konsullatës së Përgjithshme të SHBA-së në Stamboll për të diskutuar mbi operacionet e ambasadave të tyre përkatëse në kuadër të përpjekjeve dypalëshe.