ATV

Author: ATVLive

  • Këshilli Prokurorial e mban mbledhjen e radhës, e miraton planin vjetor të punës për 2025-ën

    Këshilli Prokurorial e mban mbledhjen e radhës, e miraton planin vjetor të punës për 2025-ën

    Këshilli i Prokurorial i Kosovës (KPK) ka mbajtur sot takimin e 265-të, i cili ishte i udhëhequr nga kryesuesi Ardian Hajdaraj.

    Në njoftimin e lëshuar për media thuhet se janë miratuar një mori pikash, ndër to edhe plani vjetor i punës së KPK-së për vitin 2025.

    Më poshtë i keni pikat e plota që janë miratuar:

    – Aprovoi kërkesën e Autoritetit Kompetent të Prokurorisë Themelore në Prizren për fillimin e hetimeve në rastin AD.nr.4/25 dhe themeloi Panelin hetimor për këtë rast disiplinor ndaj një prokurori;

    – Miratoi Raportin Vjetor për zbatimin e Planit të veprimit të Planit strategjik të sistemit prokurorial të Kosovës për vitin 2022-2024;

    – Miratoi Planin Vjetor të Punës së Këshillit Prokurorial të Kosovës për vitin 2025;

    – Emëroi prokurorin Shukri Jashari në detyrën e anëtarit të Këshillit Drejtues në Akademinë e Drejtësisë nga radhët e prokurorëve të prokurorive themelore;

    – Miratoi Raportin e Komisionit për Transferim dhe Avancim dhe avancoi prokurorin Anton Hasanaj në Departamentin për Krime të Rënda në Prokurorinë Themelore në Gjakovë;

    – Miratoi Raportin Përmbledhës të Vlerësimit Vjetor nga kryeprokurorët për prokurorët e shtetit për vitin 2024.

  • Osmani i kërkon Kurtit t’i heqë tarifat ndaj produkteve amerikane: Të çojmë mesazh se jemi për raport më të fortë me SHBA-në

    Osmani i kërkon Kurtit t’i heqë tarifat ndaj produkteve amerikane: Të çojmë mesazh se jemi për raport më të fortë me SHBA-në

    Presidentja Vjosa Osmani i ka kërkuar Qeverisë në detyrë që të pezullojë taksën prej 10% që Kosova e ka të vendosur ndaj mallrave të SHBA-së.

    Kjo kërkesë e Osmanit vjen pas vendimit të Administratës Trump për vendosje të tarifës 10% për të gjitha importet në SHBA, përfshirë edhe Kosovën.

    Osmani tha se me këtë vendim do të çohej mesazh se Kosova është për raport më të fortë me SHBA-në.

    “Sot, zyrtarisht i kërkova Qeverisë së Kosovës që të pezullojë tarifat e importit për të gjitha produktet amerikane – një hap i rëndësishëm për të thelluar lidhjet ekonomike me aleatin tonë më të ngushtë dhe për të dërguar një mesazh të qartë: Kosova është e gatshme për një marrëdhënie më të fuqishme me Shtetet e Bashkuara, me një vizion të qartë që do t’i bënte të dyja vendet tona më të forta, më të sigurta dhe më të begata”.

    Osmani tha se është e bindur se kjo lëvizje do të hapë mundësi të reja për krijimin e vendeve të punës, shkëmbimin e teknologjisë dhe rritjen ekonomike afatgjatë.

    “Më shumë se një lëvizje ekonomike, ky është një objektiv i politikës së jashtme, duke riafirmuar përkushtimin tonë të qëndrueshëm ndaj aleancës Kosovë-SHBA, e ndërtuar mbi vlerat e përbashkëta të lirisë dhe dekada të mbështetjes së palëkundur”.

    Trump dje ka vendosur tarifa edhe më të larta për vendet që ai i quan “shkelësit më të këqij”, në një moment vendimtar për tregtinë globale.

    Tarifat gjithëpërfshirëse të Trump mbi importet amerikane ndezën kërcënimet për hakmarrje të enjten, ndërsa kompanitë dhe qeveritë u nxituan të numërojnë kostot nga një luftë tregtare në përshkallëzim që kërcënon të shkundë aleancat globale.

  • ​Klinika e Neonatologjisë bëhet me autoambulancë neonatale

    ​Klinika e Neonatologjisë bëhet me autoambulancë neonatale

    Klinika e Neonatologjisë për herë të parë është pajisur me autoambulancë neonatale, e cila do të sigurojë transport të shpejtë, komod dhe të sigurt për foshnjat e porsalindura, duke u mundësuar qasje në kujdesin intensiv.

    Ministria e Shëndetësisë përmes huamarrjes së Bankës Botërore ka siguruar autoambulancën neonatale në vlerë 198 mijë euro, raporton KosovaPress.

    Kjo autoambulancë do të përdoret edhe për transferime urgjente për të sapolindurit që kanë nevojë për trajtim më të specializuar në një spital tjetër, si dhe për transferime elektive ose për t’i kthyer foshnjat e shëruara nga spitali në shtëpitë e tyre.

    Klinika e Neonatologjisë mbetet qendra e vetme referente e nivelit tretësor për kujdesin shëndetësor të foshnjave të porsalindura në Kosovë.

  • Kosova përfaqësohet me simbolet shtetërore në Kongresin e 49-të të UEFA-s në Beograd, reagime të ashpra në Serbi

    Kosova përfaqësohet me simbolet shtetërore në Kongresin e 49-të të UEFA-s në Beograd, reagime të ashpra në Serbi

    Në Beograd është mbajtur Kongresi i 49-të i UEFA-s.

    Në këtë ngjarje të madhe, Kosova është përfaqësuar nga presidenti i Federatës së Futbollit, Agim Ademi, dhe u.d. sekretari i përgjithshëm, Markus Weidner.

    Megjithatë, në Serbi fokusi ka qenë te delegacioni i Kosovës.

    Pasi një video e kryetarit të FFK-së, Agim Ademi, pranë flamurit të Kosovës, ka ngritur shumë reagime.

    Screenshot

    Të parët që reaguan ishin tifozët e Yllit të Kuq, të cilët dogjën flamurin e Kosovës në mesnatë, por më pas Federata e Futbollit të këtij vendi u kujdes për propagandën që i shërben konsumit të brendshëm në Serbi, e cila gënjeu se e kishte hequr flamurin e Kosovës.

    Është vetë Federata e Futbollit të Kosovës që ka reaguar për lajmet e fundit, duke konfirmuar se Kosova ka marrë pjesë në Kongresin e 49-të të UEFA-s me të gjitha simbolet shtetërore.

    “Sa i përket pretendimeve për largimin e flamurit shtetëror të Kosovës gjatë punimeve të Kongresit, theksojmë se Kosova ishte e përfaqësuar zyrtarisht me simbolet e saj shtetërore, njësoj si çdo anëtare tjetër e UEFA-s. Çdo veprim i mundshëm në përfundim të mbledhjes, kur presidenti i FFK-së nuk ishte më në sallë, nuk e ndryshon faktin se Kosova ishte dhe mbetet pjesë e barabartë e këtij organizimi, ashtu siç është në familjen e futbollit evropian dhe botëror”, thuhet në reagimin e FFK-së.

    Ndryshe, në Beograd, UEFA ka zgjedhur disa anëtarë nderi të Komitetit Ekzekutiv për një mandat 4-vjeçar, si dhe janë zgjedhur disa anëtarë të Këshillit të FIFA-s për një mandat katërvjeçar.
    Kujtojmë se Kongresi i radhës do të mbahet më 12 shkurt 2026 në Bruksel të Belgjikës.

  • ​Përgatitjet për seancën konstituive, Konjufca do të takojë kryetarët e partive

    ​Përgatitjet për seancën konstituive, Konjufca do të takojë kryetarët e partive

    Më 8 prill nga ora 12:00 do të mbahet mbledhja e kryetarit në detyrë të Kuvendit të Kosovës Glauk Konjufca me kryetarët e partive politike.

    Në rendin e ditës janë përgatitjet për seancën konstituive të legjislaturës së nëntë të Kuvendit të Kosovës.

    Presidentja Vjosa Osmani ka caktuar 15 prillin si datë për konstituimin e Kuvendit të ri pas zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit, raporton KP.

  • ​Krimi i organizuar, ngrihet aktakuzë ndaj 11 personave

    ​Krimi i organizuar, ngrihet aktakuzë ndaj 11 personave

    Prokuroria Speciale e Kosovës, pas zhvillimeve të hetimeve, ka ngritur sot aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Departamentin Special, ndaj një grupi të organizuar kriminal prej 11 personave.

    Të pandehurit O.T, A.G, B.B., I.K., D.M., F.B., A.R., L.H., A.A., K.I., V.K. përmes kompanisë së regjistruar në ARBK, por të pa licencuar për ndërmjetësim financiar kanë kryer mashtrime të mëdha financiare nga tetori 2018 deri në nëntor 2022, raporton KosovaPress.

    Në krye të grupit ka qëndruar i pandehuri O.T. – shtetas i Izraelit, ndërsa pandehurit tjerë, duke u prezantuar si brokerë kanë mashtruar viktimat nga vende të ndryshme të botës, duke përdorur identitete të rreme dhe platforma të parregulluara investimi, ku fitimet e shfaqura kanë qenë vetëm simulime.

    Viktimave iu kanë premtuar fitime të larta me rrezik minimal dhe në atë mënyrë i kanë nxitur të investojnë shuma të mëdha parash, të cilat pastaj janë transferuar në llogari të bizneseve të regjistruara dhe të kontrolluara nga grupi kriminal, duke u fshehur gjurmët financiare.

    Me këto veprime të pandehurit kanë kryer veprat penale: “Krim i Organizuar”, “Mashtrimi” dhe të pandehurit O.T. dhe D.M. akuzohen edhe për veprën penale: “Shpëlarje e parave”.

    Prokuroria Speciale i ka propozuar Gjykatës që të pandehurit të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit.

  • Zëdhënësit e Speciales: Gjykata e Hagës mban përgjegjës individët, jo grupet etnike, organizatat apo komunitetet

    Zëdhënësit e Speciales: Gjykata e Hagës mban përgjegjës individët, jo grupet etnike, organizatat apo komunitetet

    Zëdhënësit e Gjykatës Speciale, Michael Doyle dhe Angela Griep, kanë mbajtur sot një konferencë për media për gazetarë nga Kosova, lidhur me procesin gjyqësor që po vazhdon në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së, e për të cilin në Kosovë po bëhen kritika të mëdha.
    Zëdhënësit kanë thënë se Gjykata është e themeluar në bazë të Kushtetutës së Kosovës dhe përgjigjet rreth legjitimitetit të saj janë në Kushtetutën e Kosovës. Ata thonë se duan që njerëzit të kuptojnë se roli i Gjykatës është që të japë gjykime të drejta, të paanshëm dhe të pavarura.

    “Gjykata është themeluar në bazë të Kushtetutës së Kosovës që doli nga marrëveshja ndërkombëtare me Kosovën. Pyetja rreth legjitimitetit të Gjykatës gjen përgjigje në Kushtetutën e Kosovës. Megjithatë, kur bëhet fjalë për legjitimitetin, ne duam që njerëzit të kupton që roli i kësaj Gjykate është që të japë gjykime të drejta, të pavarura dhe të paanshme për individët të cilët Prokuroria Speciale i ndjek, apo për të mbrojtur dëshmitarët dhe për të siguruar të drejtat dhe dinjitetin e viktimave”, kanë thënë atë në konferencën për media.

    Tutje ata kanë theksuar se Gjykata Speciale merret vetëm me përgjegjësi penale individuale dhe se Dhomat e Specializaura mbajnë përgjegjës “vetëm individët për krimet me të cilat ngarkohen në aktakuzë” dhe jo “grupet etnike, organizata apo komunitete”.

    Në këtë konferencë zëdhënësit kanë përmendur edhe ankesën që mbrojtja e Hashim Thaçit ka bërë ndaj gjyqtarëve për pyetjet që kanë bërë ndaj dëshmitarëve dhe për përgjigjen që gjyqtarët kanë pasur ndaj kësaj ankese.

    “Gjyqtarët rikujtuan se në bazë të Rregullores së Punës dhe provave atyre u lejohet apo edhe kërkohet që të bëjnë pyetje pasi që është detyrë e tyre të përcaktojnë të vërtetën. Kufizimi i aftësisë së tyre për të bërë pyetje do të ndërhynte në rolin e tyre si një gjetës neutral i fakteve”.

  • Hargreaves tregon çka foli Sekretari Lammy me opozitarët

    Hargreaves tregon çka foli Sekretari Lammy me opozitarët

    Ambasadori britanik, Jonathan Hargreaves, tha se Sekretarit të Jashtëm të Mbretërisë së Bashkuar, David Lammy, ia ka prezantuar politikanët e partive opozitare nga PDK, LDK dhe AAK në fund të vizitës së tij në Kosovë.

    Hargreaves tha se Lammy ka përgëzuar ata për zgjedhjet paqësore të 9 shkurtit dhe se e pret formimin e qeverisë.

    “Në përfundim të vizitës së tij, e kam njohur Sekretarin e Jashtëm David Lammy me politikanë të PDK-së, LDK-së dhe AAK-së. Ai e përgëzoi Kosovën për zgjedhjet paqësore në shkurt dhe e pret formimin e shpejtë të një qeverie që është e fokusuar në një qasje pozitive ndaj dialogut të lehtësuar nga BE-ja dhe adresimin e nevojave të të gjithë qytetarëve të saj”, tha ambasadori britanik.

    Lammy pas takimit që pati me presidenten Osmani dhe kryeministrin në detyrë Kurti u takua edhe me Memli Krasniqin e PDK-së, Ramush Haradinajn e AAK-së, si dhe nga LDK nënkryetaren Doarsa Kica-Xhelili.

  • ZRRE-ja del me reagim për protestën kundër shtrenjtimit të rrymës ku u arrestuan 12 aktivistë

    ZRRE-ja del me reagim për protestën kundër shtrenjtimit të rrymës ku u arrestuan 12 aktivistë

    Zyra e Rregullatorit për Energji ka dalë me një reagim pas protestës që aktivistë të grupit “Asnji Cent Ma Shumë” zhvilluan para këtij institucioni, që përfundoi me arrestimin e 12 prej tyre.

    Në reagim, ZRRE thotë se respekton të drejtën e qytetarëve për të protestuar në mënyrë paqësore, si një e drejtë e garantuar nga ligjet e Republikës së Kosovës, por ka kërkuar që të mos e pengojnë në ushtrimin e detyrave, konform mandatit.

    “Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) është e vetëdijshme për shqetësimet e qytetarëve lidhur me procesin e tanishëm tarifor, të shprehura sot përmes protestës pranë zyreve të ZRRE-së. ZRRE respekton të drejtën e qytetarëve për të protestuar në mënyrë paqësore, si një e drejtë e garantuar nga ligjet e Republikës së Kosovës. ZRRE në vazhdimësi angazhohet për një proces të hapur, të drejtë dhe transparent në shqyrtimin e çdo komenti nga qytetarët dhe palët e interesuara, duke siguruar që çdo vendim të merret në përputhje me legjislacionin ne fuqi. Andaj, kërkojmë mirëkuptimin e qytetarëve për të mos penguar ushtrimin e detyrave të ZRRE, konform mandatit te saj”, thuhet në reagim.

    Policia e Kosovës ka thënë se në protestën e sotme tek Zyra e Rregulallatorit të Energjisë kundër shtrenjtimit të rrymës, ka arrestuar 12 protestues.

    Zëdhënësja e Policisë pë Rajonin e Prishtinës, Florie Ahmeti, ka deklaruar se ata kanë shpërfillur urdhrat e zyrtarëve policorë dhe se i kanë penguar disa zyrtarë të hyjnë në zyrat e tyre.

    “Sot rreth orës 08:00 në rrugën “Bekim Fehmiu” në Prishtinë, disa persona kanë zhvilluar një aktivitet të paparalajmëruar. Të njëjtit kanë shpërfillë urdhërat e zyrtarëve policor dhe kanë penguar disa zyrtarë të hyjnë në zyrat e tyre. Duke u gjendur në rrethana të tilla, policia ka shoqëruar në stacionin policor 12 prej protestuesve dhe aktualisht të njëjtit janë duke u proceduar konform autorizimeve policore në koordinim me Prokurorin e shtetit”, ka deklaruar Ahmeti.

  • ​Avokati i Hashim Thaçit: E pyes veten pse është akuzuar – provat janë të dobëta

    ​Avokati i Hashim Thaçit: E pyes veten pse është akuzuar – provat janë të dobëta

    Avokati Luka Misetiq thotë se ish-presidenti Hashim Thaçi është krejtësisht i pafajshëm dhe se provat e paraqitura nga ana e Prokurorisë janë shumë të dobëta.

    Misetiq në një intervistë për mediat e Kosovës, në dyvjetorin e fillimit të procesit gjyqësor, shprehet i bindur se ish-presidenti Thaçi është i pafajshëm dhe se akuzat ndaj tij nuk kanë asnjë lidhje me provat e paraqitura në gjykim.

    “Në përgjithësi, mendoj se ky rast dhe provat kundër z. Thaçi kanë qenë shumë të dobëta. Nuk mund të flas për provat tani, por mendoj se në fund të gjykimit do të shihni se pretendimet që nisën me raportin e (senatorit zviceran Dick) Marty nuk kanë thuajse asnjë lidhje me provat e paraqitura kundër z. Thaçit në këtë gjykim për mbi dy vjet. Në këtë kuptim jam shumë optimist për rezultatin që del nga ky rast, për z. Thaçi, mendoj se provat kanë qenë shumë të dobëta dhe patjetër se do t’i argumentojmë këto para Trupit Gjykues në kohën e duhur”, tha Misetiq.

    Avokati Misetiq thotë se ka pasur raste kur gjatë procesit gjyqësor ka pyetur veten pse është akuzuar ish-presidenti Thaçi.

    “Siç dihet nuk mund të jap komente rreth asaj që është thënë në seanca private, nuk mund ta komentoj, por mund të ju them se nëse flas në përgjithësi, për mendimin tonë provat kundër z. Thaçi janë jashtëzakonisht të dobëta deri në atë pikë që nganjëherë gjatë procesit e kam pyetur veten “pse është akuzuar z. Thaçi?” Do t’i dorëzojmë parashtresat tona Trupit Gjykues në kohën e duhur, por nuk ka shumë gjëra që mund të them për prova specifike të rastit, por jemi të bindur për rezultatin për z. Thaçi dhe e vetmja gjë që ka mbetur tani është të kalojmë nëpër fazat tjera të procesit sa më shpejt dhe ta kemi aktgjykimin sa më parë të jetë e mundur”, tha ai.

    Misetiq ka theksuar se Prokuroria nuk ka arritur të dëshmojë apo të sjellë prova të mjaftueshme për disa pjesë të caktuara të dosjes së tyre.

    “Tani nuk mund të jap detaje, sepse nuk është as vendi e as koha e duhur, do ta bëjmë këtë brenda gjykatores, por po, ne besojmë që Prokuroria ka dështuar të paraqesë fakte të mjaftueshme për pjesë të caktuara të aktakuzës”, tha ai.

    Avokati Misetiq ka thënë se pala mbrojtëse do të thërrasë dëshmitarët që mendon se janë të përshtatshëm.

    Ai pret një konferencë statusore për ecurinë e çështjes në fund të muajit prill ku do të diskutohen afatet dhe periudhat kohore e çështje tjera specifike, por në këtë pikë nuk ka një afat të caktuar të vendosur nga ana e gjykatës.

    “Mesazhi është që ta lënë procesin të rrjedhë këtu, ne i kemi vërtetuar faktet që lidhen me z. Thaçi në këtë rast dhe le ta lëmë procesin të rrjedhë. Nuk mund të them diçka më shumë në lidhje me këtë, duhet të kem besim në sistemin e drejtësisë dhe në faktin se gjyqtarët do të sigurohen se këtu ka drejtësi dhe nëse ata i shohin gjërat me sytë tanë atëherë në fund do të ketë rezultat shumë pozitiv për z. Thaçi. Nuk mund të flas për motivet e tyre, ata duhet të përgjigjen se pse bëjnë gjëra të caktuara, por qëndrimi ynë është se dhe kjo shihet nëse e lexoni aktakuzën, se prokuroria nuk pretendon se është ndërhyrë tek ndonjëri prej dëshmitarëve dhe mendoj se kjo është e rëndësishme të theksohet. Ky rasti, pra rasti kryesor do të vendoset bazuar në provat që Prokuroria ka menduar se i kanë në fillim, gjithë ato prova tani janë para Trupit Gjykues, janë sfiduar me kundërpyetje, epo shumica prej tyre sepse disa nuk janë sfiduar, por për shumicën ka pasur kundërpyetje. Dhe ne besojmë se kredibiliteti i atyre provave është testuar mjaftueshëm në atë mënyrë që siç thashë besoj se do të kemi rezultat pozitiv për z. Thaçi. Në këtë pikë do të shmang çdo diskutim politik. Kemi bërë më të mirën që mundemi me mjetet që i kemi dhe mund t’i kthehemi kësaj më vonë e ta diskutojmë, por tani besoj se edhe me mjetet që i kemi pasur kemi qenë në gjendje të dëshmojmë se akuzat që i ngarkohen z. Thaçi nuk mbështeten në fakte të mjaftueshme… Siç thashë ne besojmë se gjatë procesit është qartësuar dështimi i Prokurorisë për të vërtetuar pretendimet kundër z. Thaçi. Pra edhe njëherë, nëse gjyqtarët e shohin këtë rast sikurse ne, gjithë çfarë mund të bëjmë është të shpresojmë për rezultatin pozitiv të cilin po e presim në fund të gjykimit”, tha avokati Misetiq.

    Ai tha se është i zhgënjyer që ish-krerët e UÇK-së po mbahen për më shumë se katër vjet e gjysmë në paraburgim në Hagë dhe se janë nevojitur dy vjet e gjysmë që çështja e prokurorisë të përfundonte.

    Gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, është shtyrë dje për shkak të mosparaqitjes së një dëshmitari të Prokurorisë.Lajmi është konfirmuar nga Gjykata Speciale në një njoftim zyrtar. Seancat e planifikuara për pjesën e mbetur të javës janë anuluar, ndërsa gjykimi është shtyrë deri në një njoftim tjetër.

    Ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) akuzohen për kinse përndjekje, burgosje, ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë, vrasje gjatë luftës në Kosovë. Procesi gjyqësor ndaj tyre nisi në prill të vitit 2023, pasi Gjykata e Posaçme u themelua në vitin 2015 dhe vepron në bazë të ligjeve të Kosovës, por me personel ndërkombëtar.