ATV

Author: ATVLive

  • Strategji për Ibrin, Lepencin dhe Moravën e Binçës

    Strategji për Ibrin, Lepencin dhe Moravën e Binçës

    Përgatiti: Pranvera Krasniqi

    Vetëm rreth 1 përqind e territorit të Kosovës mbulohet me ujë. Por as edhe kjo sasi e vogël ujore, nuk po trajtohet siç duhet.

    Andaj, Ministria e Mjedisit bashkë me ekspert të fushës nga vende të ndryshme, kanë hartuar një strategji qindra faqesh që specifikon problemet e sistemit ujor dhe zgjidhjet eventuale.

    Në këtë dokument konstatohet se resurset ujore janë nën presion, kryesisht në aspektin e sasisë dhe cilësisë.

    Përveç Ibrit, problematika të të njëjtit lloj janë specifikuar edhe në planin për menaxhimin e pellgut të lumit Lepenc, dhe Morava e Binçës.
    Dokumentet, aktualisht janë në konsultim publik.

    Menjëherë pas mbarimit të kësaj procedure rekomandohet të nis puna në teren.

    “Strategjitë janë shumë të mira nëse nuk mbesin vetëm në letër, i dimë çështjet e lumenjve ndër vite dhe situatën që gjenden…”, tha Besnik Shabiu, ambientalist.

    Reshjet me intensitet e kohëzgjatje të ndryshme në vend në fillim të pranverës, kanë ngritur nivelin e disa prej lumenjve. Andaj, meqë situatë e njëjtë pritet të përsëritet ditëve në vijim, instituti meteorologjik, bazuar në gjendjen aktuale të pellgjeve, druan se do të ketë vërshime.

    Strategjitë për menaxhimin e pellgut të lumit Ibër, Lepenc dhe Morava e Binçës, janë në konsultim publik deri më 5 gusht, 2025.

  • Dy vjet nga fillimi i procesit gjyqësor ndaj Thaçit dhe të tjerëve

    Dy vjet nga fillimi i procesit gjyqësor ndaj Thaçit dhe të tjerëve

    Përgatiti: Nora Luta

    Gjykata Speciale ka caktuar 23 prillin, datën e radhës kur do të mbahet seanca e radhës në rastin ndaj ish anëtarëve të Shtabit të Përgjithshëm të UCK-së, Hashim Thacit, Rexhep Selimit, Kadri Veslit dhe Jakup Krasniqit. Gjatë seancës përgatitore, që do të jete e para pas 15 prillit, kohës kur zyrtarisht ZPS përmbyll paraqitjen e provave, pritet te diskutohet rreth mundësisë se mbrojtjes për paraqitjen e kundërshtimeve per hedhjen e aktakuzës.

    “Nëse vendosin të dorëzojnë mocionin mbrojtja ka thënë më herët që i duhen 4 jave për tu përgatitur, dhe i mbetet trupit gjykues te vendos, dhe pas vendimit te trupit gjykues pastaj zyra e viktimave ka thënë se i duhet 1 ose dy jave për te prezantuar çështjen e tyre”, tha Angela Griep, zëdhënëse e Gjykatës Speciale .

    Sa i përket kohës se kur mund te përmbyllet dhe te kemi një vendim në rastin më të madh të Speciales, zëdhënësja e gjykatës ka thënë se është herët te përcaktohet një date.

    “Nëse mbrojtja vendos te paraqet dëshmitarët ata mund ti kërkojnë kohe gjykatës për tu përgatitur. Është shume herët për te ditur se kur mund te kemi verdikt ndoshta konferenca përgatitore mund te na jap ide me te qarte dhe mund te dimë me shume se përafërsisht kur mund te kemi verdikt”, tha Griep.

    Në një adresim për mediat, zëdhënësit e gjykatës kanë folur edhe për punën e dhomave gjatë këtyre viteve, duke theksuar se puna e gjykatës është e bazuar në ligjin që është aprovuar nga Kuvendi i Kosovës. Ndërsa sa i përket provave qe janë paraqitur në rastin e Thaçit dhe te tjerëve, Zëdhënësit kanë thënë se i takon trupit gjykues ti verifikoj dhe trajtoj ato.

    ‘Duam nga qytetarët e Kosovës ta kuptojnë rolin e gjykatës. Gjykata nuk është duke e targetuar askënd, është për të sjellë drejtësi. Gjykata punon bazuar në ligjin e miratuar nga Kuvendi dhe i trajton aktakuzat qe i pranon nga zyra e prokurorit të specializuar”, tha Michael Doyle, zëdhënës i dhomave të specializuara.

    Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Aktakuza ndaj tyre u konfirmua në nëntor të vitit 2020, dhe që atëherë ata po mbahen në paraburgim. Pas shumë seancave përgatitore, në prill të vitit 2023 nisi zyrtarisht gjykimi me paraqitjen e provave dhe dëshmitarëve të Prokurorit të Specializuar. Janë dëgjuar 125 dëshmitarë, prej tyre 75 me masa mbrojtëse, ndërsa shumë dëshmi të tjera janë pranuar me shkrim.

  • SHBA-ja vendosi tarifa 10% për produktet që importon nga Kosova

    SHBA-ja vendosi tarifa 10% për produktet që importon nga Kosova

    Përgatiti: Armand Hoti

    Kompanitë kosovare që eksportojnë mallra në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, do t’i nënshtrohen tarifës së re prej 10% më shumë, pas urdhrit ekzekutiv të Presidentit, Donald Trump.

    Tarifa të reja doganore për produktet që SHBA-ja importon në fakt zbatohen për të gjitha vendet e botës. E referuar të dhënave të Doganës, prej vitit 2021 deri në atë 2024, Kosova eksportoi mallra në vlerë prej rreth 400 milionë eurosh drejt SHBA-së.

    Vetëm vitin e kaluar, importi i mallrave amerikane qe më i lartë se eksporti i mallrave kosovare në ShBA.

    “Edhe në këtë rast një tarifë prej 10% dekurajon më tej eksportuesit kosovarë që të shohin tregun e Sh.B.A-së, si treg potencial për të plasuar produktet e tyre”, tha kryetari i Odës Ekonomike Amerikane, Arian Zeka.

    Edhe Kosova aplikon tarifa doganore prej 10% ndaj produkteve që importon nga SHBA-ja andaj Kryetari i Odës Ekonomike Amerikane të Kosovës përsërit kërkesën që Qeveria e vendit ta heq tarifën doganore për këto produkte.

    “Ndërmarrja e hapit të parë nga ana e autoriteteve të Kosovës, do të qonte në një heqje të tërësishme, ose shfuqizim të tarifës doganore që Amerika i ka bërë Kosovës”, tha Zeka.

    Por eksperti i ekonomisë, Emanuel Bajra, thotë se e tarifat e reja, nuk do ta afektojnë në formë direkte ekonominë brenda Kosovës.

    “Kjo natyrisht do t’i godasë marxhinat e këtyre kompanive, por në Kosovë si ekosistem, si vend, si ekonomi në përgjithësi, nuk është se do të ketë ndonjë efekt, material, konkret…efektet më të mëdha do të jenë mendoj unë asimetrike”, tha Bajra.

    E ish-drejtori i Doganës, Naim Huruglica, rekomandon marrëveshje të tregtisë së lirë me amerikanët.

    “Unë mendoj që edhe me Sh.B.A-të duhet ta kemi një marrëveshje të tregtisë së lirë. Nuk është që Kosova humb edhe ashtu diku 86 – 87% të imporitit e kemi me shtete me të cilat kemi marrëveshje të tregtisë së lirë”, tha Huruglica.

    Tarifa bazë prej 10% do të hyjë në fuqi më 5 prill, ndërsa tarifat reciproke do të hyjnë në fuqi pas një jave, më 9 prill.

  • Macron pezullon investimet franceze në SHBA pas tarifave të Trump, presidenti: Të shfrytëzojmë madhësinë e tregut europian

    Macron pezullon investimet franceze në SHBA pas tarifave të Trump, presidenti: Të shfrytëzojmë madhësinë e tregut europian

    Presidenti francez, Emmanuel Macron tha se pajtohet me liderët e BE-së se “asgjë nuk mund të përjashtohet” në përgjigje të tarifave të Trump pasi “të gjitha instrumentet janë në tryezë”.

    Ne duhet të bëjmë çdo gjë që është efektive dhe më proporcionale, por që gjithashtu tregon qartë se jemi të vendosur që, të mos i bëjmë këta sektorë viktima të këtyre tarifave”, tha Macron.

    Ndër mjetet e disponueshme, ai theksoi për një ndërhyrje të mundshme në shërbimet dixhitale, “ku Shtetet e Bashkuara përfitojnë jashtëzakonisht shumë nga Evropa”.

    Ai bëri thirrje për pezullimin e investimeve të reja franceze në SHBA deri në sqarimin e tarifave, duke thënë se vazhdimi i investimeve teksa goditen nga tarifat do të dërgonte një mesazh të gabuar.

    Ai gjithashtu u kërkon liderëve që të qëndrojnë të bashkuar dhe t’i rezistojnë tundimit për të “shkuar në luftë vetëm” dhe të shfrytëzojnë madhësinë e tregut europian në çdo përgjigje. /tch

  • Osmani takon presidentin kroat: Kroacia, aleate e çmuar në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë rajonale

    Osmani takon presidentin kroat: Kroacia, aleate e çmuar në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë rajonale

    Presidentja Vjosa Osmani sot është takuar me homologun e saj kroat, Zoran Milanoviq, në Sofje.

    Në në postim në Facebook, ajo ka deklaruar se Kroacia mbetet aleate e çmuar e Kosovës në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë rajonale.

    “Prandaj, sot në Sofje takova mikun dhe mbështetësin e fuqishëm të Kosovës, Presidentin e Kroacisë, Zoran Milanoviq, të cilit i përcolla urimet më të përzemërta për rizgjedhjen në këtë post”.

    “Me Kroacinë bashkëpunojmë në mbrojtje, në ekonomi dhe në çdo fushë tjetër, sepse raporti ynë është i bazuar në besim reciprok. Me miq si Kroacia, Kosova është çdo ditë e më e fortë”, ka thënë Osmani.

  • ​Kanadaja do të forcojë lidhjet tregtare me Gjermaninë pas tarifave të Trump

    ​Kanadaja do të forcojë lidhjet tregtare me Gjermaninë pas tarifave të Trump

    Kryeministri i Kanadasë Mark Carney dhe kancelari gjerman Olaf Scholz “ranë dakord të forcojnë marrëdhëniet e ndryshme tregtare” midis dy vendeve të tyre pas një telefonate sot në mëngjes.

    “Ndërsa përballemi me krizën e shkaktuar nga tarifat e presidentit Trump, partnerët e besueshëm tregtarë janë më të rëndësishëm se kurrë”, shkroi Carney në mediat sociale.

    Carney ka vendosur t’i drejtohet vendeve të tjera si partnerë alternativë të tregtisë dhe sigurisë për të reduktuar varësinë e Kanadasë nga Shtetet e Bashkuara, transmeton KosovaPress.

    Kryeministri, i cili mori rolin pasi paraardhësi i tij Justin Trudeau, njoftoi dorëheqjen e tij në janar, vizitoi Francën dhe Britaninë e Madhe për udhëtimin e tij të parë jashtë vendit dhe ditë më vonë njoftoi një marrëveshje me Australinë për radarët ushtarakë.

    Zëvendëspresidenti i SHBA-së JD Vance tha se tarifat gjithëpërfshirëse që Trump nënshkroi mbrëmë janë “një ndryshim i madh”, por i domosdoshëm, duke kundërshtuar një “ekonomi globaliste” që ka bërë që Shtetet e Bashkuara të kenë “një sasi të madhe borxhi për të blerë gjëra që vendet e tjera bëjnë për ne”.

  • ​ZPS-ja e përfundoi paraqitjen e provave, çka pritet tash në gjykimin ndaj Thaçit dhe të tjerëve?

    ​ZPS-ja e përfundoi paraqitjen e provave, çka pritet tash në gjykimin ndaj Thaçit dhe të tjerëve?

    Zyra e Prokurorit të Specializuar e ka përfunduar paraqitjen e provave në rastin Thaçi dhe të tjerët, raporton KosovaPress. Në një konferencë me gazetarë të enjten, zëdhënësit e Speciales thanë se seanca e radhës në ketë rast është caktuar për datën 23 prill.

    Në këtë proces gjyqësor kanë dëshmuar 125 dëshmitarë të ZPS-së, ndërkaq 117 dëshmi janë dhënë me shkrim.

    “Prokuroria ka thënë se ka përfunduar paraqitjen e provave të saj. Megjithatë, ata ende nuk e kanë mbyllur formalisht çështjen e tyre. Gjyqtari kryesues ka thënë se seanca e ardhshme do të planifikohet më 23 prill. Aktualisht, pritet që Prokuroria të mbyllë formalisht çështjen e saj deri më 15 prill. Deri më tani, 125 dëshmitarë kanë dëshmuar, ose në sallën e gjyqit ose përmes lidhjes me video, dhe 117 dëshmitarë janë pranuar vetëm në formë të shkruar. 73 dëshmitarë kanë dëshmuar me masa mbrojtëse, por vetëm 46 prej tyre kanë dëshmuar në seanca kryesisht private ose plotësisht private. Në vitin 2025, shumica e seancave kanë qenë në seancë publike. Deri tani, janë mbajtur 206 ditë gjyqësore. 154 viktima marrin pjesë në procedurat e çështjes”, tha Gripe.

    Ajo tha se po presin që ZPS-ja të mbyllë formalisht çështjen e saj deri më 15 prill. Shtoi se ekipet mbrojtëse do të kenë mundësi të kërkojnë rrëzimin e akuzave. Për këtë do t’u duhen katër javë përgatitje.

    Pasi trupi gjykues të vendosë mbi kërkesat e tilla, avokati i viktimave do të thërrasë disa dëshmitarit – që sipas deklarimeve publike janë tre ose katër sosh. Për këtë, do t’i duhen deri në dy javë. Më pas, vjen koha që mbrojtja të paraqes çështjen e saj, raporton KosovaPress.

    “Deri më tani, 125 dëshmitarë kanë dëshmuar në gjykatë ose përmes lidhjes video dhe 117 deklarata dëshmitarësh janë pranuar si prova në formë të shkruar. Përveç dëshmive të dëshmitarëve, provat përfshijnë gjithashtu dokumente, foto dhe eksponate të tjera. Fuqia e çështjes së prokurorisë do të përcaktohet nga Paneli Gjyqësor pasi të ketë dëgjuar ose parë të gjitha provat e çështjes. Paneli ka thënë disa herë se do të përcaktojë se çfarë peshe do t’i japë provave të caktuara në fund të gjykimit, kur të kenë parë dhe dëgjuar të gjitha provat dhe mund të shqyrtojnë çështjen në tërësi”, tha ajo.

    Ish-krerët e UÇK-së ndodhen në Hagë prej nëntorit të vitit 2020. Ata po përballën me një peoces të tejzgjatur gjyqësor me akuza për krime të pretenduara të luftës.

    Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Kasniqi e Rexhep Selimi janë deklaruar të pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës.

    Avokati kryesor i Thaçit, Luka Misetiq tha të mërkurën se “jam i zhgënjyer që u deshën 2 vjet e gjysmë që çështja e Prokurorisë të përfundonte, besoj se kjo çështje mund të përfundonte shumë më shpejt por jemi ku jemi tani”. Ai theksoi se provat kundër Thaçit kanë qenë shumë të dobëta.

    “Nuk mund të flas për provat tani por mendoj se në fund të gjykimit do të shihni se pretendimet që nisën me raportin e Martyt nuk kanë thuajse asnjë lidhje me provat e paraqitura kundër z. Thaçit në këtë gjykim për mbi 2 vjet. Në këtë kuptim jam shumë optimist për rezultatin që del nga ky rast, për z. Thaçi, mendoj se provat kanë qenë shumë të dobëta dhe patjetër se do t’i argumentojmë këto para Trupit Gjykues në kohën e duhur”, tha Misetiq.

    Në Gjykatën Speciale në Hagë nuk treguan nëse kryetarja e Gjykatës Speciale i është përgjigjur letrës së ministres në detyrë të Drejtësisë, Albulena Haxhiu lidhur me rastin e Thaçit i cili nuk u lejua nga Specialja që të marrë pjesë në varrimin e babait të vet.

    “Dhomat e Specializuara nuk japin detaje për korrespondencën e tyre përveç nëse bëhet pjesë e një dosjeje publike. Unë nuk di nëse dhe çfarë përgjigje ka dhënë kryetarja [e gjykatës] ndaj ministres”, tha zëdhënësja Angelia Griep, gjatë një konference me gazetarë nga Kosova, të enjten në Hagë.

    Më 17 mars, Haxhiu njoftoi se do t’i drejtohet me një letër kryetares së Dhomave të Specializuara të Kosovës, Ekatarina Trëndafilova, pasi ish-presidenti Thaçi nuk u lejua të marrë pjesë në varrimin e babait të vet, dy javë më parë.

    “Proceset gjyqësore duhet të jenë të drejta e të bazuara mbi respektimin e të drejtave më elementare njerëzore. Nuk ka gjë më njerëzore sesa të marrësh pjesë në varrimin e prindit”, shkroi Haxhiu duke e konsideruar absurde mos lejimin e Thaçit të marrë pjesë në ceremoninë e varrimit.

    Gjatë konferencës të enjten, zdhënësit u pyeten edhe nëse ka zyrtarë të kombësisë serbe që punojnë në gjykatë, shtetësi të shteteve të BE-së.

    “Çdo person që punon në KSC duhet të ketë shtetësinë e një shteti anëtar të BE-së ose të pesë shteteve kontribuuese. Nëse dikush ka shtetësi të dyfishtë, nuk e di”, tha ajo.

    Gjithashtu përgjigje nuk pati as për atë se në cilin shtet do ta vuajë dënimin Salih Mustafa.

    “Nuk do të spekuloj. Kjo do të jetë një çështje që do ta vendosë presidenti i KSC-së. Zotëri Mustafa aktualisht ka një çështje të papërfunduar para Dhomës së Posaçme të Gjykatës Kushtetuese”, tha Griep.

    Specialja nuk pati përgjigje nëse po zhvillohen hetime apo ku është procesi i zbardhjes së rastit të rrjedhjeve të dokumenteve – për të cilin ish-krerët e OVL-UCK, Hysni Gucati e Nasim Haradinaj janë dënuar dhe mbajtur në burg.

    “Për gjykatën, ajo që është e rëndësishme është ajo që prokuroria sjell para gjykatës që mund të trajtojmë, por nuk mund të komentojmë për diçka që nuk është para gjykatës në këtë moment. Pra, po, nuk ka shumë që mund t’ju them për këtë. Ajo që është e rëndësishme për ne, sigurisht, është që të ruhet konfidencialiteti dhe që dëshmitarët të jenë të sigurt. Dhe mendoj se tashmë kemi folur në detaje për mënyrën se si gjykata e siguron këtë. Pra, nuk jam e sigurt nëse ka diçka për të shtuar”, tha Griep. /KP

  • ​Shoqatat e tregtisë në Evropë tërbohen ndaj tarifave të Trump

    ​Shoqatat e tregtisë në Evropë tërbohen ndaj tarifave të Trump

    Shoqatat tregtare që përfaqësojnë një sërë industrish në Evropë kanë qenë të ashpër ndaj vendimit të presidentit amerikan Donald Trump për të vendosur tarifa gjithëpërfshirëse në kontinent.

    Tarifat e Trump janë një “pikë kthese themelore në politikën tregtare”, tha sot kreu i Shoqatës Gjermane të Industrisë së Automobilave (VDA).

    Të gjitha importet e makinave që hyjnë në SHBA tani do të përballen me një tarifë universale prej 25%, ndërsa të gjitha eksportet e tjera nga Bashkimi Evropian do të goditen me një tarifë prej 20%.

    “Ajo përfaqëson largimin e SHBA nga rendi tregtar global i bazuar në rregulla – dhe kështu një largim nga themeli për krijimin e vlerës globale dhe rritjen dhe prosperitetin përkatës në shumë rajone të botës. Kjo nuk është Amerika e para; kjo është vetëm Amerika,” tha presidentja e VDA-së Hildegard Müller.

    Federata Spanjolle e Verës (FEV) tha se tarifa prej 20% për produktet e BE-së do t’i japë një “goditje të rëndësishme” industrisë spanjolle të verës dhe do të çojë në çmime më të larta për konsumatorët amerikanë.

    “Tarifat e shpallura nga SHBA janë krejtësisht të pajustifikuara në rastin konkret të verës, duke pasur parasysh se hendeku aktual tarifor ndërmjet tarifave të aplikuara nga BE-ja dhe SHBA-ja është minimal”, tha në një deklaratë të enjten drejtori i FEV José Luis Benítez.

    Shoqata Irlandeze e Fermerëve tha se tarifat do të “ndikonin në konkurrencën” e produkteve irlandeze, si gjalpi Kerrygold.

    “Kerrygold është tani marka e dytë më e shitur e gjalpit në SHBA, ku dërguam produkt me vlerë pothuajse 500 milionë euro (rreth 554 milionë dollarë) në vitin 2024. Tregu përbën rreth 7.5% të totalit të eksporteve tona të qumështit”, thuhet në deklaratë, raporton KosovaPress.

  • ​Nafta bie shkaku i frikës nga lufta tregtare

    ​Nafta bie shkaku i frikës nga lufta tregtare

    Çmimet e naftës ranë sot për shkak të shqetësimeve se lufta tregtare e presidentit Donald Trump do të ngadalësojë ekonominë botërore dhe se OPEC po e mbifurnizon tregun.

    Kontratat e së ardhmes së naftës në SHBA ranë me 7% në 66.52 dollarë për fuçi, duke e lënë naftën në rrugën e duhur për ditën e saj më të keqe që nga korriku 2022. Nafta e papërpunuar Brent, standardi botëror, ra me 6%, raporton KosovaPress.

    OPEC+ i befasoi investitorët të enjten duke njoftuar se Arabia Saudite, Rusia dhe gjashtë anëtarë të tjerë kanë rënë dakord të përshpejtojnë ndjeshëm rritjen e planifikuar më parë të prodhimit duke filluar nga maji.

    Lëvizja e papritur nga OPEC+ përforcoi shqetësimet në lidhje me pasojat ekonomike të përshkallëzimit masiv të tarifave të Trump.

    “Është një ngjarje e shkatërrimit të kërkesës dhe do të prishë zinxhirin e furnizimit. Tregu është i shqetësuar për kërcënimin e recesionit, inflacionit dhe papunësisë,” tha Robert Yawger, drejtor ekzekutiv në Mizuho Securities, për CNN.

    Nëse lufta tregtare në rritje ngadalëson fluksin e mallrave dhe shërbimeve, kjo do të dëmtojë kërkesën për energji si nafta e papërpunuar.

    “Lajmi i mirë është se çmimet në pompë do të ulen. Por nëse ne po shkojmë në recesion, ju nuk do të shkoni aq shumë në pompë,” tha Yawger, raporton KosovaPress.

  • ​Marrëveshja e TikTok do të arrihet para afatit të 5 prillit

    ​Marrëveshja e TikTok do të arrihet para afatit të 5 prillit

    Zëvendëspresidenti i SHBA-së JD Vance tha se do të arrijnë një marrëveshje për TikTok përpara afatit të 5 prillit, duke siguruar që ata janë në “një vend të mirë”, por ngurrojnë të kalojnë përpara presidentit Trump në çdo njoftim zyrtar.

    “Do të dalë përpara afatit”, tha Vance për Fox & Friends. “Ne kemi disa ditë për të vazhduar punën për të, për të finalizuar disa gjëra dhe sigurisht, do ta lëmë presidentin të shpallë atë që ne përfundimisht do të vendosim.”

    Duke adresuar shqetësimet e mundshme të sigurisë nga ekzistenca e aplikacionit në pajisjet amerikane, Vance tha: “Dëshironi të siguroheni që aplikacioni TikTok në Shtetet e Bashkuara nuk po spiunon njerëzit.”

    Por ai tha se kjo duhet të balancohet me numrin e madh të amerikanëve që përdorin dhe shijojnë TikTok.

    “Ne duhet t’i realizojmë të dyja këto gjëra. Mendoj se jemi në një vend të mirë. Ne do të vazhdojmë të punojmë në të, por unë do ta lë presidentin ta bëjë atë njoftim,” tha Vance.

    Këshilltarët e Trump, duke përfshirë Vance, drejtorin e Inteligjencës Kombëtare, Tulsi Gabbard, këshilltarin e Sigurisë Kombëtare, Mike Waltz dhe sekretarin e Tregtisë, Howard Lutnick, i paraqitën presidentit opsionet për një marrëveshje për të investuar në TikTok të mërkurën, duke përfshirë një numër të kapitaleve sipërmarrëse, fonde të kapitalit privat dhe kompani të teknologjisë, transmeton KosovaPress.