Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, në emisionin CONTEXT në ATV, tha se partia që përfaqëson nuk do të bëhet pjesë e qeverisë nëse ftesa nuk vjen me kushte të qarta dhe të respektueshme, duke refuzuar formatin “ose me neve, ose kundër neve” që, sipas tij, po e përdor Albin Kurti.
Haziri tha se LDK nuk do të pranojë presion publik për t’u rreshtuar politikisht sipas logjikës përjashtuese të kryeministrit Kurti.
“Nuk e pranojmë këtë format të kërkesës publike ndaj LDK-së, që ‘ja me neve, ja kundër neve’. Nuk guxojmë me leju me ra në gropën e Albin Kurtit, sepse ai po thotë: ‘kush nuk është me mua, është kundër meje’ dhe të përjashton, mandej edhe të cilëson me terma të ndryshme”, tha Haziri.
Ai sqaroi se LDK nuk pret ftesë për të hyrë në qeveri dhe nuk është e gatshme të bashkëqeverisë në këtë fazë, duke kujtuar eksperiencën e kaluar me Vetëvendosjen si mësim politik.
“Ne nuk presim ftesë me hy në qeverisje me VV-në dhe nëse bëhet ftesa, ne nuk jemi të gatshëm me hy në asnjë formulë të qeverisjes në këtë fazë… përvoja që kemi pasur me VV-në është e mjaftueshme për të nxjerrë mësimet tona”, deklaroi Haziri.
Deklaratën e plotë të Lutfi Hazirit në CONTEXT, e gjeni në videon më poshtë:
Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, në emisionin CONTEXT në ATV, tha se partia është e gatshme të shqyrtojë pjesëmarrjen në takimet e paralajmëruara, por nuk e konsideron Glauk Konjufcën si thirrës legjitim të tyre në këtë fazë.
Haziri tha se takimet politike duhet të kenë format dhe agjendë të qartë, duke shtuar se nuk është e qartë nëse Konjufca po flet si nënkryetar i Vetëvendosjes apo si kryetar i Kuvendit.
“Në nivelin e takimeve definohet agjenda, formati, nevoja e takimit – gjithçka duhet me u ditë saktë para se me shku. LDK-ja do ta shqyrtojë seriozisht këtë çështje, sikur çdo çështje tjetër”, tha Haziri.
Ai vlerësoi se është paradoksale që Konjufca kërkon takim me opozitën, ndërkohë që Kurti takon liderët e minoriteteve në zyrat e Qeverisë.
“Qysh kryetari i LDK-së duhet me shku në takim që e thërret nënkryetari i Vetëvendosjes, kur kryetari i Vetëvendosjes e takon Adem Hoxhën në zyrë të Qeverisë? Respekt për partinë e goranëve, por formati duhet me qenë i qartë,” u shpreh Haziri.
Deklaratën e plotë të Lutfi Hazirit në CONTEXT, e gjeni në videon më poshtë:
Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, në emisionin CONTEXT në ATV, ka reaguar pas publikimit të mesazheve të anëtarëve të kryesisë së partisë për dyshimet mbi manipulimin e votave nga diaspora, duke thënë se pavarësisht krizave, LDK ruan rolin e saj si forcë stabilizuese në skenën politike.
Haziri tha se pavarësisht se partia ka kaluar nëpër sfida të shumta në pozita të ndryshme, LDK ka mbajtur vazhdimisht peshën e vet politike dhe ka ruajtur standardet e përfaqësimit demokratik.
“Na ka përcjellë fati tash e disa vite, edhe si parti e parë kemi pasë raport tjetër, edhe forma tjetër, edhe le të themi, presion tjetër… përkundër numrit të ulëseve që i kemi, LDK-ja vazhdon me e rujtë rolin e vet, formatin e vet të përfaqësimit edhe si gardian i demokracisë, ndoshta edhe si çelës për me shkaktu edhe me mbyllë procesin,” tha Haziri.
Ai komentoi edhe mbi vonesat në veprime politike pas zgjedhjeve, duke kritikuar pritjet për certifikime, ndërkohë që sipas tij, duhet të kishte pasur iniciativë dhe vendimmarrje më të shpejtë.
“Praktikisht ne e kemi harxhu kohën në vonesë, në emër të pritjes. Pritja për çka? Për certifikim të rezultateve? Janë mekanizma ligjorë, janë mekanizmat e shtetit. Kjo nuk të ndal në iniciativë politike. Ne nuk kemi qenë si LDK në këtë fazë, por kemi mirëmbajtë raportet me të gjitha partitë politike që janë në Parlament,” deklaroi Haziri.
Deklaratën e plotë të Lutfi Hazirit në CONTEXT, e gjeni në videon më poshtë:
Ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, në emisionin CONTEXT në ATV, ka folur për rastin e Martin Berishajt dhe akuzat për përfitime nga shitja e energjisë, duke i cilësuar ato si sulme politike pa asnjë fakt konkret.
Ajo tha se nuk do të vazhdonte detyrën e saj si ministre po të kishte edhe një arsye të vetme për të besuar se dikush ka përfituar qëllimshëm nga kriza energjetike.
“Jo, jo dhe jo, sikur të kishte një fakt – jo fakt, po akuzë – për këtë çështje, unë nuk do të isha ministre, dhe nuk do të isha këtu duke folur për energji. Sikur të mendoja, sikur të kisha arsyen më të vogël për të menduar se dikush ka bërë diçka me qëllim për të përfituar prej krizës energjetike, nuk do të isha këtu duke biseduar me ty. Kjo duhet të dihet”, tha Rizvanolli.
Ajo e cilësoi të gjithë rastin si një sulm të qëllimshëm politik, duke thënë se energjia është bërë cak për shkak të ndjeshmërisë së situatës dhe krizës botërore.
“Ka qenë një sulm politik. Pse është fokusuar sulmi politik te energjia? Besoj që ka qenë sepse kjo është pika ku jemi më të ndjeshëm, se na kanë lënë një bombë të kurdisur në dorë… Emrat që përmenden, si në rastin e Nagip Krasniqit, të cilit ia kanë shkatërruar karrierën dhe ndoshta edhe jetën, nuk ka asnjë fakt, asnjë arsye me besu që asnjëri prej tyre kanë fituar asnjë cent prej trajtimit të energjisë elektrike”, u shpreh Rizvanolli.
Deklaratën e plotë të Artane Rizvanollit në CONTEXT, e gjeni në videon më poshtë:
Ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, në emisionin CONTEXT në ATV, tha se edhe pas më shumë se një dekade nga privatizimi i distribucionit, Kosova vazhdon të ketë humbje të mëdha të energjisë dhe raste të vjedhjes së saj.
Ajo tha se nuk është bërë monitorimi i investimeve të raportuara nga operatori, ndërsa humbjet mbesin shumë më të larta sesa standardet ndërkombëtare.
“Dua të cek një çështje, për të cilën jemi jashtëzakonisht të brengosur, e këto janë humbjet në distribucion. Fakti është që ne nuk kemi një zgjidhje afatgjatë për humbjet. 11 vjet nga operimi pas privatizimit të distribucionit, ne ende i kemi humbje të larta. Sigurisht që ka pasur ulje, mirëpo jemi larg normave të lejuara teknike rreth pesë për qind që janë në shtetet e zhvilluara”, tha Rizvanolli.
Sipas saj, raportet nga terreni tregojnë se shumë prej investimeve të raportuara si të realizuara nuk janë bërë fare, ndërsa mungesa e kapaciteteve në ZRRE ka pamundësuar mbikëqyrjen.
“Në Kosovë ende vidhet energjia. Monitorimi i investimeve nuk është bërë kurrë. Në raportimet që ZRRE-ja i ka pasur në Kuvend, veçanërisht nga Grupi Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje, ka pasur pyetje të vazhdueshme përse nuk janë monitoruar investimet. Përgjigja e ZRRE-së ka qenë se nuk kanë pasur kapacitete. Realisht, në terren, investimet që KEDS-i ka raportuar si të realizuara, nuk janë bërë”, u shpreh Rizvanolli.
Deklaratën e plotë të Artane Rizvanollit në CONTEXT, e gjeni në videon më poshtë:
Ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, në emisionin CONTEXT në ATV, tha se Qeveria i ka propozuar ZRRE-së vendosjen e një tarife të re për konsumatorët që shpenzojnë mbi 800 kilovatë orë energji elektrike në muaj.
Ajo tha se tarifa aktuale për konsumuesit e këtij blloku nuk është e drejtë, pasi e njëjta aplikohet edhe për ata që shpenzojnë shumë më tepër.
“E konsiderojmë që nuk është e drejtë që tarifa e lartë për bllokun mbi 800 kilovat orë të jetë e njëjtë sikur për dikë që i shpenzon 1000 kilovat orë, sikur për dikë që i shpenzon 5000 kilovat orë”, tha Rizvanolli.
Sipas saj, ky propozim është pjesë e një analize më të gjerë për të zbutur rritjen e tarifave dhe për të shpërndarë më drejt barrën e konsumit.
“Ne kemi propozuar tek ZRRE-ja disa ndryshime… E para është që të zbutet rritja, të ulen të hyrat e lejuara të kompanive dhe rrjedhimisht edhe të zbutet rritja në masën që është e mundshme… kemi kërkuar që kjo të reflektohet në uljen e tyreve të lejuara dhe rrjedhimisht edhe në tarifa”, tha Rizvanolli.
Deklaratën e plotë të Artane Rizvanollit në CONTEXT, e gjeni në videon më poshtë:
Ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, në emisionin CONTEXT në ATV, tha se një pjesë e vogël e amvisërive po konsumon pjesën më të madhe të energjisë elektrike.
Ajo tha se sipas të dhënave të analizuar kohëve të fundit, 12 për qind e familjeve kanë konsumuar rreth 40 për qind të energjisë në nëntor 2024.
“E kemi nga të dhënat që i kemi analizuar gjatë këtyre dy-tri javëve, e kemi parë që i kemi një fenomen, ku një pjesë e vogël e amvisërive e kanë një konsum jashtëzakonisht më të madh sesa të tjerat. Për shembull, në raste ekstreme, në nëntor 2024, vetëm 12 për qind e amvisërive kanë konsumuar mbi një mijë kilovat orë në muaj, mirëpo ato kanë konsumuar 39 për qind të konsumit të përgjithshëm të energjisë elektrike në Kosovë”, tha Rizvanolli.
Ajo shtoi se disa prej këtyre konsumatorëve shpenzojnë deri në 5000 kilovat orë edhe gjatë verës, duke ngritur dyshime për përdorime të pazakonshme si nxehja e pishinave apo pajisje për kriptovaluta.
“Është shumë vështirë të shpjegohet, veçanërisht përgjatë muajve të verës dhe të pranverës. Gjatë dimrit mund të thuash që një shtëpi e madhe me pishinë nëse nxehet gjatë gjithë kohës, i shpenzon kaq. Mirëpo përgjatë muajve të tjerë me të vërtetë është vështirë për ta shpjeguar, përveç ndoshta kryptovalutave ose prodhimit të drogës, apo prodhim tjetër që nuk është ilegal, por që është informal”, u shpreh Rizvanolli.
Deklaratën e plotë të Artane Rizvanollit në CONTEXT, e gjeni në videon më poshtë:
Ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, në emisionin CONTEXT në ATV, tha se Qeveria i ka propozuar ZRRE-së që të ketë një rritje më të butë të çmimit të energjisë elektrike, përmes uljes së të hyrave të lejuara të kompanive.
Sipas saj, Qeveria ka dhënë argumente konkrete që e justifikojnë këtë propozim, përfshirë edhe shtimin e kapaciteteve prodhuese nga Kosova B.
“Ne kemi propozuar tek ZRRE-ja disa ndryshime… E para është që të zbutet rritja, të ulen të hyrat e lejuara të kompanive dhe rrjedhimisht edhe të zbutet rritja në masën që është e mundshme… Pas intervenimeve që do të bëhen në Bllok B gjatë kësaj pranvere dhe vere, prej fundit të tetorit do të shtohet kapaciteti për pesëmbëdhjetë megavat, që do të thotë se për tridhjetë e nëntë gigavat orë në periudhën tetor-dhjetor do të rritet prodhimi i termocentralit Kosova B, dhe kjo nënkupton që diku rreth gjashtë milionë, së paku, do të ketë import më pak”, tha Rizvanolli.
Ajo tha se kërkuan edhe më shumë sqarime për propozimin aktual të ZRRE-së, pasi sipas saj, ka diskrepanca të mëdha krahasuar me vitin e kaluar.
“E kemi parë se përgjatë vitit të kaluar ka pasur njëfarë stabilizimi të kërkesës… çmimi ka qenë përafërsisht i njëjtë, por në fundvit ka qenë më i lartë… Prodhimi i KEK-ut ka qenë shtatë për qind më i lartë në vitin 2024 në krahasim me vitin 2023… Ka një diskrepancë shumë të madhe në propozime, prandaj kemi kërkuar më shumë sqarime shtesë”, tha Rizvanolli.
Deklaratën e plotë të Artane Rizvanollit në CONTEXT, e gjeni në videon më poshtë:
Kur javën e kaluar u mora me vrasjet në Vushtrri dhe me armët pa leje, në emision u bënë publike do të dhëna, që s’mund të trillohen, duhet të ndodhin që të besohen.
Këto të dhëna kallëzojnë që është lehtë të vrasësh dikë në Kosovë dhe është kah bëhet edhe më lehtë, nëse për armëmbajtje pa leje nuk dënohet askush, e nëse numri i vrasjeve rritet dhe pesha e këtij krimi do të relativizohet.
Mirëpo, këtë javë, e kemi një incident edhe më të rëndë, një polic u vra në Kaçanik. 4 plumba janë shkrepur, njëri ka qenë fatal, dy veta janë parë duke ikur, nuk ka të arrestuar, nuk ka as të dyshuar, nuk ka shumë deklarime për media, nuk ka shumë hallakamë.
Çka dihet tjetër – dihet që polici i vrarë ka qenë veteran i UÇK-së, dihet që ka qenë pronar i një lokali, dihet që atij lokali i ishte vënë flaka para 4 vjetëve dhe asnjëherë nuk ishte marrë vesh nga kush.
Këtë javë me sa kuptova Xhelal Sveçla e ka ndër mend të bëjë filma në veri prapë, por jo të shkojë në lindje, konkretisht në Kaçanik.
Tash prapë, edhe ky incident është i ndarë edhe nga vrasjet në Vushtrri edhe në Prishtinë edhe nga incidentet tjera të armatosura në Kosovë, që për pasojë kanë pasur vrasjet apo plagosjet.
Mirëpo, është i veçantë sepse në Kosovë nuk është standard që policët të jenë pronarë lokalesh, fort ma pak është standard që lokalet që janë pronë e policëve të digjen, aq më pak standard që ky rast të mos hetohet dhe gjykohet, kurse vrasjet e policëve në Kosovë numërohen në gishta.
Deri këtu, kishim të bëjmë me fakte, statistika, parafrazime ose konstatime.
Këtu e tutje nis pjesa e rrëshqitshme e muhabetit. Kreshnik Gashi, i kish listuar një sërë veprimesh që në kushte standarde i ndërmerr policia, e nuk i ka ndërmarrë për këtë rast.
S’kam çka unë ta luaj të mençmin, veç po e luaj megafonin dhe po them ende nuk është shpallur shpërblimi nga policia apo Ministria e Punëve të Brendshme për çdo informacion që mund të çojë në identifikimin e autorëve?
Pse policia nuk ka publikuar një përshkrim fizik të dyshuarve në lidhje me ngjarjen?
Pse nuk ka një linjë të destinuar për ndarjen e informacioneve?
Nëse një polici i digjet lokali, pse dikush në Kaçanik me shku me hapë lokal. Nëse shteti nuk është në gjendje ta hetojë dhe gjykojë këtë rast, për çfarë shteti jemi kah flasim këtu.
Nëse shteti ka ditur diçka dhe e ka futur krejt problemin nën tepih, tash nën tepih nuk futet vrasja – kjo nuk është diçka që harrohet ose mbulohet!
Kjo është foto e 2021-ës kur është zbuluar memoriali për policët e rënë në detyrë – atëherë kanë qenë 22 – sot janë 24.
Ndër policë të vrarë ka heronj të Kosovës, por ka edhe raste në të cilat organet e drejtësisë kanë dështuar keq.
Dëmi është bërë, njeri u vra – tash sistemi hetues dhe prokurorial i ka dy opsione: a do të jetë Afrim Lika një emër më shumë në atë memorial, apo vrasja e tij do të jetë edhe një rast i zgjidhur dhe një triumf për rendin, ligjin e drejtësinë në këtë shtet. Ndërkohë, politika mund të shikojë çka mund të bëhet tash e tutje të parandalohen ose të zbuten pasojat e këtyre tragjedive.
I madh e i vogël në këtë shtet janë kah flasin për armët pa leje, për dënimet e buta, për korrupsion në drejtësi e polici, për pasiguri gati totale juridike, pastaj për mungesë të sigurimeve jetësore e shëndetësore për policë, për nevojën për përditësim të infrastrukturës së sigurisë etj etj.
Qytetarët – e ne nuk kemi opsione – duhet t’i besojmë sistemit të drejtësisë e e qartë është nuk i besojmë – kjo vërtetohet në çdo sondazh dhe t’i besojmë policisë, që i besojmë dhe kjo vërtetohet në po të njëjtat sondazhe.
Lule-radhiqet që janë prej të parave lule që dalin në pranverë, kanë mbirë në stadiumin e Gjilanit.
Por, në këtë hapësirë, me shumë mundësi do të dalin e do të vyshken të gjitha lulet e stinës pa u luajtur asnjë ndeshje, meqenëse procedura për ndërtimin e stadiumit, përfundoi sërish në OSHP.
Vetëm disa ditë pasi ministria e kulturës e rekomandoi për kontratë operatorin ekonomik BM group SHPK, në organin shqyrtues të prokurimit u dorëzuan 2 ankesa, bazuar në të cilat u pezullua procedura.
Ankuesi i parë, Conex SHPK, kërkon që lënda të kthehet në rishqyrtim, meqenëse sipas tyre, autoriteti kontraktues Ministria e Kulturës, I ka shkelur hiç më pak se 7 nene të Ligjit për Prokurimin Publik. Conex shpk, poashtu pretendon se ofertuan për 500 mijë euro më lirë sesa operatori ekonomik i rekomanduar nga ministria, andaj për kaq para do të kursehej buxheti i shtetit.
Pezullim të procedurës kërkon edhe operatori i dytë ekonomik, RAF II shpk. Ky operator ekonomik pretendon se jo 7, por rrafsh 13 nene të LPP-së, u shkelën nga autoriteti kontraktues, në këtë rast ministria e kulturës.
Procedura për ndërtimin e këtij stadiumi kishte filluar qysh në fitin 2017. Aso kohe, projekti ishte iniciuar nga komuna e Gjilanit. Por, për shkak të prolongimit disavjeçar, procedura kaloi në duar të Ministrisë së Kulturës në fund të vitit 2024. Megjithatë, as ky autoritet kontraktues nuk arriti që suksesshëm të procedojë projektin që pritet të kushtojë afro 15 milionë euro.