ATV

Author: ATVLive

  • Ukraina ende në pritje të koalicionit të vullnetit

    Ukraina ende në pritje të koalicionit të vullnetit

    Një muaj pas njoftimit të kryeministrit të Mbretërisë së Bashkuar, Keir Starmer, për themelimin e një “koalicioni të vullnetit”, në lidhje me krijimin e një misioni ushtarak në Ukrainë, shumë pyetje kanë mbetur pa përgjigje.

    Starmer tha se planin përfshinte “trupa britanike në terren dhe avionë në ajër, së bashku me të tjerët”.

    Kjo ngriti pyetje të menjëhershme se kush do të kontribuonte dhe si. Një muaj pas, përgjigjet janë të pakta.

    Kush mund të dërgojë trupa në Ukrainë?

    Deri tani, Franca është vendi i vetëm që ka bërë zotim të qartë për të dërguar forca ushtarake në Ukrainë, si pjesë e misionit.

    Konferenca e Londrës dhe takimet pasuese kanë përfshirë më shumë se 30 vende. Disa prej tyre me gjasë do të përfshihen në formë mbështetjeje nga jashtë.

    Gjermania, për shembull, ka shprehur gatishmërinë për të dërguar trupa nën një mandat të OKB-së, por Rusia e kundërshton një mision të tillë dhe do ta përdorte veton kundër tij. Pra, përfshirja e Berlinit ka më shumë gjasa të bëhet në formë të mbështetjes jashtë vendit, si logjistika.

    Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, u takua më 1 prill në Kiev me ministren e Jashtme në largim të Gjermanisë, Annalena Baerbock, dhe tha se një “rreth i ngushtë vendesh” është i gatshëm të dërgojë kontingjente.

    Disa vende kanë treguar se mund të jenë pjesë e këtij rrethi.

    I pyetur për dërgimin e trupave, kryeministri i Suedisë, Ulf Kristersson, tha se është “i gatshëm të ndihmoj… nën kushte të caktuara”, ndërsa ministri i Jashtëm i Danimarkës, Lars Lokke Rasmussen, tha se vendi i tij është i përgatitur për këtë “në parim”.

    Kryeministri i Australisë, Anthony Albanese ka thënë se vendi i tij mund të dërgojë “një kontribut të vogël”, por ai përballet me zgjedhje në maj. Belgjika tha se për të është e “logjikshme” të marrë pjesë.

    Disa nga 30 vendet kanë përjashtuar mundësinë e dërgimit të trupave, si për shembull Polonia, e cila po i jep përparësi shqetësimeve të saj të sigurisë për shkak të Rusisë dhe Bjellorusisë. Edhe Greqia ka deklaruar se nuk do të dërgojë trupa.

    Turqia, një fuqi e madhe ushtarake që kufizohet me Ukrainën dhe që ka kapacitete të konsiderueshme ajrore dhe detare, do të ishte kontribuese e rëndësishme. Megjithatë, ajo nuk ka bërë ende ndonjë deklaratë të qartë.

    Çfarë do të bënin trupat perëndimore në Ukrainë?

    Misioni shpesh është quajtur paqeruajtës, por ky është një term i pasaktë.

    “Nëse e quajmë ‘mision paqeruajtës’, zakonisht nënkuptojmë një mision brenda kuadrit të OKB-së, që kërkon pjesëmarrjen dhe marrëveshjen e të dyja palëve. Një ‘mision sigurie’ nuk kërkon miratimin e Rusisë”, tha një diplomat i NATO-s për Shërbimin ukrainas të Radios Evropa e Lirë (REL).

    Ideja është që, pasi të arrihet një marrëveshje për armëpushim ose për paqe, forcat të vendosen për ta bindur Ukrainën se Rusia nuk do ta sulmojë përsëri.

    “Nëse do të kishte përsëri agresion të përgjithshëm kundër territorit ukrainas, këto ushtri do të ishin nën sulm dhe atëherë do të vepronim sipas kuadrit tonë të zakonshëm të angazhimit”, tha presidenti i Francës, Emmanuel Macron, para një samiti të mbajtur nga koalicioni i vullnetit në Paris, më 27 mars.

    “Ushtarët tanë, kur janë të angazhuar dhe të dislokuar, janë aty për të reaguar dhe për t’iu përgjigjur urdhrave të komandantit të përgjithshëm dhe, nëse ndodhen në një situatë konflikti, për t’iu përgjigjur atij”, shtoi ai.

    Megjithatë, nuk parashikohet dislokimi në vijën e frontit.

    Duke folur pas takimit në Paris, Macron tha se forcat do të vendosen në “disa lokacione strategjike”.

    Starmer dhe Zelensky kanë thënë se forcat do ta mbulonin hapësirën ajrore, detare dhe tokësore.

    Gjatë javëve të fundit, planifikuesit ushtarakë kanë përgatitur skenarë të ndryshëm.

    Diplomatë të NATO-s i thanë REL-it se vizioni përfundimtar i kontingjentit të ardhshëm ende nuk është përcaktuar dhe do të varet kryesisht nga rrethanat që do të çojnë në dislokimin e tij.

    Kundërshtimi nga Rusia

    Rusia e ka bërë prej kohësh të qartë se kundërshton çdo dislokim të forcave në Ukrainë, të cilat përfshijnë vende të NATO-s. Pra, kjo përjashton mundësinë e një misioni të mandatuar nga OKB-ja.

    Megjithatë, vendet evropiane kanë treguar se do të ishin të gatshme të dislokohen edhe pa miratimin e Rusisë. Macron e bëri këtë të qartë në një intervistë rishtazi me gazetat rajonale franceze.

    “Nëse Ukraina kërkon që forcat aleate të jenë në territorin e saj, nuk i takon Rusisë ta pranojë apo ta refuzojë këtë”. tha ai.

    Por, edhe nëse Rusia nuk mund ta ndalojë misionin, mund të ketë një pengesë tjetër.

    Mbështetja nga SHBA-ja

    Qysh nga fillimi, dislokimi i forcave është mbështetur në ekzistencën e asaj që Starmer e quajti “backstop” i SHBA-së.

    Kjo i referohet ofrimit të mbështetjes ajrore, logjistikës dhe informatave të inteligjencës. Por, deri tani nuk ka pasur asnjë sinjal të qartë nga Uashingtoni se është i gatshëm të ndihmojë.

    Përkundrazi, ka pasur kritika të ashpra nga një nga ndihmësit më të ngushtë të presidentit të SHBA-së, Donald Trump. Steve Witkoff, një figurë kyçe në përpjekjet për të ndërmjetësuar një armëpushim ndërmjet Rusisë dhe Ukrainës, e hodhi poshtë këtë si “një qëndrim dhe një pozë”.

    Një diplomat nga një anëtar evropian i NATO-s i tha REL-it se kjo është një sfidë që duhet të tejkalohet.

    “Duhet të provojmë një propozim të qartë dhe t’ia paraqesim Shteteve të Bashkuara. Nuk duhet të demonstrojmë varësi të plotë nga prania amerikane. Duhet të kemi respekt për veten”, tha ai.

    “Duhet të veprojmë vetë dhe pastaj t’i ftojmë Shtetet e Bashkuara të na u bashkohen”, shtoi ai.

    Ish-kreu i ushtrisë amerikane në Evropë, Ben Hodges, i tha REL-it muajin e kaluar se Evropa duhet të veprojë vetë.

    “Ushtarët që kam takuar gjatë viteve nga Britania e Madhe, Franca, Gjermania, Holanda, Finlanda dhe Polonia janë burra dhe gra të cilësisë së lartë, me pajisje të mira”, tha ai.

    Çfarë pason?

    Që nga deklaratat e para të Starmerit, ka pasur një sërë takimesh në nivele të ndryshme për të punuar mbi propozimet.

    Rruga e këtij procesi mund të jetë e gjatë.

    “Kjo është një përpjekje për të gjetur një formë të re garancish nga partnerët tanë evropianë”, tha për REL-in Serhiy Leshchenko, këshilltar në zyrën e presidentit Zelensky.

    “Nevojitet kohë. Nuk është e nevojshme të presim zgjidhje të menjëhershme këtu”, përfundoi ai.

  • Dy të mitur raportohen të zhdukur, një në Podujevë dhe një Fushë Kosovë

    Dy të mitur raportohen të zhdukur, një në Podujevë dhe një Fushë Kosovë

    Dy persona janë raportuar të zhdukur në raportin 24 orësh të Policisë.

    Babai në Podujevë ka thënë se djali i tij 16 vjecar ka dalë mga shtëpia dhe nuk është kthyer.

    Ndërsa bë Fushë Kosovë babai e ka raportuar të zhdukur vajzën e tij të mitur

    “PERSON I ZHDUKUR- Lupq i Poshtëm, Podujevë / 05.04.2025 – 09:00. Ankuesi m/k ka njoftuar policinë se djali i tij 16 vjeçar ka dalë nga shtëpia dhe nuk dihet për vendndodhjen e tij. Rasti në hetime”

    “Rr. Nëna Terezë, Fushë Kosovë / 05.04.2025 – 23:00. Ankuesi m/k, ka njoftuar policinë se vajza e tij 14 vjeçare ka dalë nga shtëpia dhe nuk dihet për vendndodhjen e saj. Rasti në hetime.”

  • Vdekja e punëtorit në Veternik, arrestohet një person

    Vdekja e punëtorit në Veternik, arrestohet një person

    Një 40 vjeçar mbet i vdekur në një vendpunishte në lagjen “Veternik” të Prishtinës dhe lidhur me rastin është arrestuar një person.

    Siç bën të ditur policia e Kosovës në raportin 24 orësh, është arrestuar një mashkull kosovar dhe pas intervistimit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.

    Ditën e djeshme, gjatë punimeve në një objekt ndërtimi është shembur dheu duke zënë dy persona, njëri prej të cilëve nuk i mbijetoi plagëve të marra.

    “Është raportuar se gjatë punimeve te një objekt në ndërtim është shembur dheu dhe i ka nxënë dy persona meshkuj kosovar. Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë policore dhe urgjenca të cilët kanë arritur që ti nxjerrin personat nga gropa ku ju është ofruar tretman mjekësor, mirëpo njëri nga personat nuk ka arritur që tu mbijetojë plagëve dhe nga stafi mjekësor është konstatuar vdekja e tij, ndërsa personi tjetër është dërguar në QKUK për trajtim të mëtutjeshme. Lidhur me rastin është arrestuar një mashkull kosovar dhe pas intervistimit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje”, njofton policia.

  • Kosova dhe Austria forcojnë partneritetin ekonomik dhe teknologjik, fokusohen në infrastrukturë dhe digjitalizim

    Kosova dhe Austria forcojnë partneritetin ekonomik dhe teknologjik, fokusohen në infrastrukturë dhe digjitalizim

    Partneriteti ekonomik dhe teknologjik mes Kosovës dhe Austrisë ka marrë një zhvillim të rëndësishëm në vitet e fundit, duke u fokusuar gjithnjë e më shumë në shkëmbimin e shërbimeve dhe investimet në infrastrukturën moderne, raporton Ekonomia Online.

    Ekspertët dhe drejtuesit e shoqatave ekonomike austriake vlerësuan se marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve kanë evoluar në një partneritet të qëndrueshëm, ku fokusi ka kaluar nga investimet e drejtpërdrejta në zhvillimin e shërbimeve dhe infrastrukturës.

    Wilhelm Nest, drejtor i “Advantage Austria” në Kosovë, një organizatë e eksportit dhe e promovimit të investimeve të Qeverisë Austriake, tha se marrëdhënia mes dy shteteve është forcuar gjatë dekadës së fundit.

    “Ne kemi një marrëdhënie shumë të mirë me Kosovën për një kohë të gjatë. Ndërsa, le të themi 10 vjet më parë, tema kryesore ishte investimi i drejtpërdrejtë i huaj nga Austria në Kosovë. Tani, veçanërisht shkëmbimi i shërbimeve është ai që e bën marrëdhënien ndërmjet Kosovës dhe Austrisë të lulëzojë”, tha ai.

    Nest po ashtu vuri në pah interesin e Austrisë për investimet në infrastrukturën e Kosovës, veçanërisht në sektorët e energjisë dhe trafikut.

    “Natyrisht, Austria është shumë e interesuar për investime në infrastrukturën në Kosovë. E dimë që po punoni për përmirësimin e sektorit të energjisë, pastaj do të ketë infrastrukturë të trafikut që duhet të ndërtohet ose përmirësohet. Kjo është patjetër një fushë, ku kompanitë austriake janë të interesuara të bëjnë biznes. Por, natyrisht, është gjithashtu thjesht shitja e mallrave të zakonshme për konsumatorët si dhe makinave e pajisjeve për kompanitë kosovare”, tha ai.

    Christian Rupp, anëtar i Bordit Këshillues të Shoqatës së Miqësisë Austriake-Kosovare, theksoi rëndësinë e digjitalizimit dhe sigurisë kibernetike në zhvillimin e marrëdhënieve mes dy shteteve.

    “Ne të gjithë jetojmë në të njëjtin vend në Evropë. Dhe kemi një sovranitet të veçantë, le të themi, digjital. Për shembull, çfarë duhet bërë me sigurinë kibernetike, çfarë duhet bërë me shërbimet qeveritare digjitale ndërkufitare, çfarë duhet bërë për të nxitur dhe përgatitur ndërmarrjet tona të vogla dhe të mesme për digjitalizimin. Dhe në fund, qytetarët. Pra, duhet t’i përfshijmë edhe ata me aftësi digjitale, të cilat çdokujt i nevojiten për të punuar në të ardhmen”, tha ai.

    Rupp, i cili ka qenë edhe Sekretar Ekzekutiv Federal i Qeverisë Austriake, gjithashtu nënvizoi potencialin e madh të Kosovës në fushat e teknologjisë dhe digjitalizimit, duke përmendur studentët kosovarë si burim të rëndësishëm talenti.

    “Ne kemi vizituar dje dy universitetet: Universitetin e Prishtinës dhe UBT-në dhe keni studentë të shkëlqyer me shumë potencial, veçanërisht në fushën e sigurisë kibernetike, inteligjencës artificiale dhe digjitalizimit. Mendoj se kjo është vërtet pika juaj unike e shitjes për Evropën. Mendoj se potenciali është në çdo sektor. Sepse sot keni, për shembull, inteligjencën artificiale edhe në bujqësi, pra bujqësinë e mençur. E keni në shëndetësi, sektori i e-shëndetësisë. Keni telemjekësinë. Dhe pastaj keni shumë llogaritje me performancë të lartë në metavers dhe gjithashtu në fushën e llogaritjes kuantike dhe sigurisë kibernetike. Pra, patjetër që na duhen në çdo degë njerëz që kanë njohuritë e duhura”, tha ai.

  • Vuçiq dhe Brnabiq shpallen “persona non grata” në qytetin Çaçak

    Vuçiq dhe Brnabiq shpallen “persona non grata” në qytetin Çaçak

    Në një tubim qytetar të mbajtur në Çaçak, presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq dhe kryetarja e Kuvendit Kombëtar Ana Brnabiq janë shpallur persona non grata në këtë qytet, ndërsa ish-presidentit të Serbisë Tomislav Nikoliq i është hequr titulli i qytetarit nderi, që i ishte dhënë në vitin 2015.

    Vendimet janë marrë në një takim publik që, sipas këshilltarit të Kuvendit Komunal të Çaçakut, Dragan Savkoviq, përfaqëson vazhdimin e iniciativave të mëparshme qytetare. “Ne vetëm e kemi vazhduar atë që e kemi filluar para 20 ditësh, kur në një tubim qytetar e kemi shkarkuar kryetarin e komunës dhe kryetarin e Kuvendit të Qytetit të Çaçakut,” tha Savkoviq për N1.

    Si arsye për shpalljen e Vuçiqit dhe Brnabiqit persona non grata, Savkoviq përmendi “shkatërrimin e institucioneve, rrënimin ekonomik të vendit dhe përçarjet në shoqëri”, ndërsa në rastin e Brnabiqit, theksohet mbështetja e saj për nxjerrjen e litiumit.

  • Gjendet e vdekur një grua në Pejë

    Gjendet e vdekur një grua në Pejë

    Në një aneks të shtëpisë është gjetur trupi i viktimës femër.

    Sipas Policisë, ajo është gjetur në Pejë. Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë përkatëse, ndërsa ekipi mjekësor ka konstatuar vdekjen e viktimës, raporton kp.

    Me vendim të prokurorit, trupi i pajetë është dërguar në IML për obduksion.

  • Afër 42 mijë trupa të paidentifikuar në Japoni në 2023 pasi shumë të moshuar jetojnë vetëm

    Afër 42 mijë trupa të paidentifikuar në Japoni në 2023 pasi shumë të moshuar jetojnë vetëm

    Pothuajse 42,000 trupa mbetën të paidentifikuar në Japoni gjatë vitit kalendarik 2023, mes një rritje të numrit të të moshuarve që jetojnë vetëm, sipas një raporti të qeverisë.

    Trupat më pas u dogjën ose u varrosën nga autoritetet lokale, sipas studimit të parë të këtij lloji, raportoi Kyodo News me bazë në Tokio, raporton AA.

    41,969 trupa të identifikuar dhe të paidentifikuar, përbënin 2.7% të vdekjeve në 2023.

    Studimi i porositur nga Ministria e Shëndetësisë, Punës dhe Mirëqenies, tregoi se shumica e komunave nuk kishin një protokoll të vendosur për trajtimin e trupave, duke përfshirë edhe sa kohë duhet të mbaheshin para djegies, transmeton KosovaPress.

    Rreth 23.3 milionë nga 52.6 milionë familje, ose 44.3%, do të jenë familje me një person deri në vitin 2050, sipas parashikimeve të Institutit Kombëtar të Kërkimeve të Popullsisë dhe Sigurimeve Shoqërore.

  • Bie borë në Kosovë

    Bie borë në Kosovë

    Në kryeqytetin e Kosovës, Prishtinën, aktualisht po bie borë.

    Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka njoftuar se të dielën parashihet një ndryshim i shpejtë në shtresat e ulëta dhe të mesme të atmosferës (troposferë), i cili do të sjellë ulje të ndjeshme të temperaturave, si në vlerat minimale ashtu edhe në ato maksimale.

    Sipas institutit, fillimisht do të ketë reshje shiu, ndërsa më vonë pritet që reshjet të kalojnë në bore duke përfshirë edhe shumë pjesë të viseve të ulëta, raporton KosovaPress.

    “Megjithëse këto reshje do të jen të përkohshme. Në viset e larta parashihen vetëm reshje bore. Kjo situatë meteorologjike do të krijojë kushte për paraqitjen e ngricave në fillim të javës së ardhshme, të cilat mund të kenë ndikim negativ në kulturat e hershme bujqësore, veçanërisht në pemëtari. Udhëzohen bujqit dhe fermerët që të marrin masa preventive për të mbrojtur prodhimin dhe kulturat e ndjeshme nga ndikimi i këtyre kushteve të pafavorshme të motit”, thuhet në njoftim.

  • Veton Berisha: E kemi të nevojshme të jemi pjesë e një qeverie që na respekton

    Veton Berisha: E kemi të nevojshme të jemi pjesë e një qeverie që na respekton

    Kryetari i Partisë Liberale Egjiptiane, Veton Berisha, në emisionin COMPASS në ATV, tha se pjesëmarrja në qeveri është e nevojshme për komunitetin që ai përfaqëson, për sa kohë që ekziston respekt dhe gatishmëri për të adresuar kërkesat e tyre.

    Ai tha se janë të hapur për bashkëqeverisje me kryeministrin Albin Kurti, duke theksuar se tashmë janë pjesë e Kuvendit dhe ka nisur një fazë e re bashkëpunimi.

    “Ne deshtëm apo nuk deshtëm, për shkak të asaj që përfaqësojmë, ne e kemi… jo obligim, patjetër, por është e nevojshme dhe është mirë që ne të jemi pjesë e një qeverisje ku ne respektohemi, ku kërkesat tona kanë me u implementu dhe gjendja ka me ndryshu në komunitetin tonë”, tha Berisha.

    Sipas tij, nuk ka më pengesa për bashkëpunim me Kurtin dhe ka kërkuar që në kuadër të qeverisë të marrë përgjegjësi konkrete, përfshirë edhe një post ministror.

    “Në këtë bashkëqeverisje, unë e kam ly përgjegjësi, kam lyp, kam kërku që unë të marr detyra, domethënë jo vetëm të kërkoj nga Kryeministri, por në kuadër të kësaj qeverisjeje kam kërku të më japë detyra cilat unë do ta implementojë programin”, u shpreh Berisha.

    Deklaratën e plotë të Veton Berishës në COMPASS, e gjeni në videon më poshtë:

  • Demiri: Kemi kërkuar komunë boshnjake, kryeministri e përkrahu idenë

    Demiri: Kemi kërkuar komunë boshnjake, kryeministri e përkrahu idenë

    Kryetari i koalicionit VAKAT, Rasim Demiri, në emisionin COMPASS në ATV, deklaroi se një ndër kërkesat e para që ia kanë adresuar kryeministrit është formimi i një komune me shumicë boshnjake.

    Ai tha se kjo çështje është trajtuar me prioritet në të gjitha bashkëbisedimet që kanë pasur me kryeministrat e deritashëm.

    “Me çdo qeveri që kemi pasë më herët bashkëpunim, në çdo kërkesë ka qenë formimi i komunës ku jetojnë boshnjakët. Kështu ka qenë tema e parë edhe kur kemi folur me kryeministrin. Edhe më herët kur kemi bërë marrëveshjet me çdo kryeministër, ne kemi pasur këtë pikë në vendin e parë, sepse mendojmë që është një prej prioriteteve për komunitetin boshnjak”, tha Demiri.

    Sipas tij, kryeministri është i hapur për këtë diskutim, por vendimi përfundimtar varet nga votimi në Kuvend.

    “Kryeministri është i gatshëm që ta bisedojmë, por prapë nuk varet vetëm nga ai. Qeveria mund të marrë vendim, por na duhet edhe votimi në Parlament. Në Parlament na duhen gjashtëdhjetë e një vota, ose shumica e thjeshtë prej pesëdhjetë deputetësh nga komuniteti shqiptar, dhe dy të tretat nga njëzet deputetë që janë jo serbë dhe serbë. Do të thotë, na duhen njëmbëdhjetë vota”, u shpreh Demiri.

    Deklaratën e plotë të Rasim Demirit në COMPASS, e gjeni në videon më poshtë: