Gjykata e shkallës së parë e ka liruar kryetarin e Kuvendit Konjufcën, nga akuzat për hedhje të gazit lotsjellës, pasi tha se gjatë gjykimit nuk u provua fajësia e tij.
Gjykata ka konfirmuar se pika dy e akuzës ndaj kryetarit të Kuvendit për veprën penale pengim i personit zyrtar, është parashkruar.
Mbrojtja Vendimin e cilëson të drejtë.
Konjufca akuzohej se sa ishte deputet hodhi gaz lotsjellës në mbledhjen e kryesisë së Kuvendit, në kundërshtim të ratifikimit të marrëveshjes për demarkacion me Malin e Zi, në gusht të vitit 2016.
Gjatë këtij gjykimi dëshmuan Sabri Hamiti, Pal Lekaj dhe disa ish-deputetë të cilët nuk e inkriminuan direkt Konjufcën.
Hamiti gjatë dëshmisë kishte thënë se ishin përfaqësuesit e Vetëvendosjes, që kishin hedhur gaz dhe si pasojë ishte ndërprerë mbledhja e kryesisë.
Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, tha se, me rritjen e vlerës së koeficientit të pagave në 110 euro, mjekët kosovarë tash e kanë pagën më të lartë në rajon.
Por Oda e Mjekëve të Kosovës po e kundërshton këtë konstatim, meqë thotë se profesionistët shëndetësorë paguhen më mirë në shtetet fqinje.
Paga mesatare për një mjek specialist në Kosovë është 1260 euro, ndërkohë një i tillë në shtetet fqinje, si në Mal të Zi paguhet 2500 euro, kurse Shqipëri dhe Bosnjë Hercegovinë është 2000 euro.
“Nuk pajtohemi me këtë deklaratë të Ministrit, pasi që ne kemi pagën më të ulët të mjekëve në rajon….”, tha kryetari i Odës së Mjekëve të Kosovës, Pleurat Sejdiu.
Sipas kryetarit të Odës, Pleurat Sejdiu, paga e mjekëve në Kosovë është dinjitoze vetëm atëherë kur krahasohet me sektorët e tjerë në nivel vendi, dhe jo me shtetet tjera ballkanike.
“Nëse bëjmë llogaritje për pagat në vend po, por me vende të tjera jo, nuk i kemi më të larta”, tha Sejdiu.
Të pakënaqur me pagat janë edhe infermierët. Ata paralajmëruan grevë para Ministrisë së Shëndetësisë për të hënën, mirëpo i vetmi që doli ishte Enlirat Duraku.
“Infermierët nuk kanë dalë edhe pse kemi pasë së bashku me grevu, këtu para MSH-së, ata po frikësohen. Nuk kanë dalë për këtë, por unë nuk do të ndalem duke pritur që kërkesat tona të realizohen. Pra jemi të vetëdijshëm që 99 për qind të infermierëve janë të frikësuar prej shefave të tyre, sidomos eprorëve të tyre, pra frika është shkaku kryesor”, tha Duraku.
Në bazë të ligjit të pagave, infermierët paguhen nga 535.5 deri 588 euro, derisa ndihmësit e tyre i marrin nga 472 euro. Kurse kryeinfermieri merr rrogë prej 672 eurosh deri 651.
Dyshimet e para të prindërve për vdekjen e vajzës së tyre 4 vjeçare nga Gjakova, ishin si pasojë e lëndimeve trupore dhe neglizhencës së mjekëve.
Por në raportin e SHSKUK-së dhe Spitalit të Përgjithshëm “Isa Grezda” në Gjakovë, i cili u diskutua të hënën ndërmjet Komisionit për të Drejtat e Njeriut dhe atij për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale me krerët e shëndetësisë, thuhet se vajza është diagnostikuar me SEPSË.
“Është diagnostikuar me SEPSË. Për diagnozën përfundimtare duhet t’i presim dhe rezultatet e fundit të hetimeve që kanë nisur. Kjo lloj e SEPSE-së që është infeksion i rëndë i gjakut dhe se vdekshmëria është shumë e lartë. Sipas raporteve dhe bisedave me profesionistët e fushës që i kanë trajtuar pacientët s’ka shenja që ka pasur shkaktarë të jashtme që e kanë rënduar gjendjen e pacientes…”, tha ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia.
Për procedurën e trajtimit të 4 vjeçares foli drejtori i përgjithshëm i SHSKUK-së, Elvir Azizi.
Ndonëse të ftuar, në komision nuk morën pjesë kryetari i Gjakovës, Adrian Gjini, e as drejtoresha e shëndetësisë në këtë komunë, Adelina Shehu.
Por, pjesë e diskutimit ishin dy deputet gjakovar, të cilët patën disa pyetje për ministrin.
“Meqë SEPS është sëmundje ngjitëse, a është kontrolluar familja e vajzës…”, tha Fridon Lala, deputet i IRDK-së.
“Informatën për vdekjen e vajzës e kanë marrë nga mediat, si mund të ndodh kjo…në autoambulancë nuk u lejuan prindërit…”, tha Agon Batusha, kryetar i LVV-së në Gjakovë.
Për gjitha këto, ndonëse të mangëta, Vitia pati përgjigje.
“Është rregull të mos ketë shoqërues, po ne kemi kontrolluar familjen jemi në kontakt të vazhdueshëm me ta…”, tha Vitia.
Ndërkaq, për diagnozën përfundimtare, Vitia tha duhet t’i presim edhe rezultatet e fundit të hetimeve që kanë nisur.
4 vjeçarja, vdiq më 19 shkurt në QKUK, 2 ditë pasi ishte transferuar nga spitali i përgjithshëm “Isa Grezda” në Gjakovë, për trajtim të mëtutjeshëm.
Ndërtesa e Komunës së Zveçanit tashmë po sigurohet vetëm nga Policia. Pjesëtarët e KFOR-it janë larguar, meqë vlerësuan se situata është stabilizuar.
Për të marrë shërbime në komunë, qytetarëve të komunitetit serb u duhet të shkojnë në objektin e improvizuar në fshatin Lipë, mbi 5 km larg nga qendra.
Megjithatë, kryetari Ilir Peci po planifikon të zhvendoset në objektin e Komunës, tash pas largimit të KFOR-it.
“Në koordinim me ambasadorët do të marrim vendimin e duhur, por jo të shpejtë që të gabojmë, kështu që besoj që do të shkojmë”, tha Peci.
Peci thotë se ka komunikim të vazhdueshëm me qytetarë, gjë që i jep besim se prezenca e tij në komunë nuk mund të risjellë tensione.
“Tash kemi pothuajse çdo ditë takime me qytetarët serbë, nuk është ajo frymë e cila ka qenë te qytetarët serbë dhe besoj që nuk do të përsëritet e njëjta gjë”, tha Peci.
Sidoqoftë, në afërsi të objektit qytetarët serbë ndonëse më të paktë në numër, vazhdojnë të qëndrojnë në të njëjtat tenda që i vendosën në maj, kur kundërshtuan zgjedhjen e Pecit kryetar.
Largimi i KFOR-it nga objekti i komunës, thonë se nuk përbën ndonjë ndryshim për ta.
“Sipas meje, largimi i tyre nuk do të ketë ndikim në ndryshimin e gjendjes. Siguria është në nivel, edhe sikur të rrinin asgjë nuk do të ndryshonte”.
Rreth deeskalimit në veri, shefi i diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrell, tha se përpjekjet dështuan edhe një herë në takim me kryeministrin Albin Kurti e presidentin serb Aleksandër Vuqiq, më 16 shkurt, pas Konferencës së Sigurisë në Munih.
400 milionë euro në tri vitet e ardhshme, pritet të investohen në Kosovë, nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim.
Kjo është vlera e memorandumit të mirëkuptimit që kryeministri Albin Kurti e nënshkroi të hënën me BERZH-in dhe që do të përdoret për investime që Qeveria i cilëson si prioritare, deri më 2027.
Paraprakisht, Kurti mori pjesë në tryezën e përbashkët me liderët e Ballkanit Perëndimor, për të joshur sa më shumë investitorë për vendet e tyre.
Ai foli për infrastrukturën ligjore dhe fuqinë e re punëtore, derisa tregoi edhe sektorët ku ka nevojë të investohet.
“Ne kemi nevojë për investime në transport dhe energji, në lidhje me infrastrukturën, rrugë, autostrada dhe hekurudha, po ashtu projekte me 1.2 gigavatë energji të ripërtërishme, që janë bazike për rritjen e lidhjes rajonale dhe zhvillim të qëndrueshëm, ashtu si në edukim dhe zhvillim të kapitalit njerëzor”, tha Kurti.
Njësoj bëri edhe Edi Rama, që tregoi për shifrat rekorde në sektorin e turizmit.
“Shqipëria ka ndryshuar shumë, nga një vend i stigmatizuar, si një vend i pasigurt, në një vend që vitin e kaluar arriti 10 milionë turistë”, tha Rama.
Kur në këso panele janë bashkë liderët e Kosovës dhe Serbisë, vështirë i tejkalojnë temat politike.
Kurti i replikoi kryeministres serbe Ana Bernabiq, për mënyrën si e quajti Kosovën, kur po fliste për shifra ekonomike në Samitin e Investimeve në Ballkanin Perëndimor.
“Kur them Serbia Qendrore, dua të them Serbia, që nuk e përfshin në statistika provincën tonë autonome Kosovën e Metohinë, të cilën ne e konsiderojmë pjesë të Serbisë”, tha Bernabiq.
Më pas, Kurti e përdori togfjalëshin zyrtar të shtetit që s’e njeh Beogradi.
“Emri i vendit tim është Republika e Kosovës, jo siç u tha këtu, Kosova e Metohija. Nëse do të vazhdoja njësoj, do t’ju merrnim kohë, sepse në vend të Serbia, do të thosha Serbia, e Vjojvodina, Sanxhak, Toplica, Rashka, Lugina e Preshevës, dhe provinca e Timokut”, tha Kurti.
Kosova e Serbia ishin kushtëzuar në nëntor të vitit të kaluar, se duhet të përparojnë në normalizimin e marrëdhënieve mes vete, për të përfituar nga pakoja 6-miliardëshe e Komisionit Evropian. Këtë nuk e theksoi të hënën, komisioneri Olivier Varhelyi, i cili tha se këto para do të ndikojnë në zhvillimin e gjithë rajonit.
Në anën tjetër, BERZH-i thotë se, deri më tash, në gjithë Ballkanin Perëndimor janë investuar më shumë se 18 miliardë euro.
Pa kujdesia e shoferit, dyshohet se shkaktoi vdekjen e një personi rreth moshës 30 vjeç.
Sipas një dëshmitari, në udhëkryqin tek objekti I Ministrisë së Arsimit, një shofere, duke tentuar të mbërrijë sinjalin e gjelbër, derisa po kthehej në gjysmërreth në rrugën “Agim Ramadani”, goditi semaforin, e më pas semafori goditi viktimën.
“Dyshimet e para janë se një shofere, nga mos kujdesi i duhur ka shkaktua aksident, ku fillimisht ka goditur pengesat për anti-parking e më pas dyshohet që u godit edhe këmbësori. Jemi duke punuar me prokurorinë sidomos në monitorimin e kamerave për rreth qe janë funksionale. E te shohim më në detaje për veprimet qoftë të shoferes ose këmbësorit”, tha drejtori i Divizionit të Trafikut Rrugor, Jeton Rexhepi.
Laureta Ulaj, zëdhënëse e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, përmes një përgjigje me shkrim për ATV-në, ka bërë të ditur se Prokuroria ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka nisur hetimet për rastin.
“Rastit të cilit i referoheni, ju njoftojmë se prokurori kujdestar ka dalë në vendin e ngjarjes së bashku me njësitë relevante. Në këtë aksident janë përfshirë një veturë dhe një këmbësor, ku nga plagët e marra këmbësori ka ndërruar jetë. Prokurori i Shtetit ka iniciuar rast në drejtim të veprës penale “Rrezikimi i trafikut publik” (me fatalitet), derisa viktima do t’i nënshtrohet obduksionit në Institutin e Mjekësisë Ligjore. Prokuroria në koordinim me policinë janë duke ndërmarrë veprime hetimore, andaj për veprimet e tjera karshi këtij rasti do të njoftoheni me kohë”, njoftoi Laureta Ulaj, zëdhënëse në Prokurorinë Themelore Prishtinë.
Dy javë më parë edhe një këmbësor tjetër u godit nga vetura derisa po kalonte zebrat në afërsi të Fakultetit të Shkencave Natyrore.
Enver Sekiraqa është rikthyer në arrest shtëpiak nga Gjykata e Apelit.
Sipas njoftimit të apelit Sekiraqës i është caktuar masa e arrestit shtëpiak prej 1 muaji e cila do të llogaritet nga data 23 shkurt të këtij viti.
“Gjykata e Apelit e Kosovës me aktvendimin PN1.S.nr.37/24, të datës 23.02.2024, e ka aprovuar ankesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, ndërsa aktvendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë – Departamenti për Krime të Rënda, PKR.nr.170/2020, të datës 09.02.2024, e ka ndryshuar, dhe ndaj të pandehurit E.S është caktuar masa e arrestit shtëpiak në kohëzgjatje prej 1 (një) muaj, e cila do t’i llogaritet nga data 23.02.2024. Masa e arrestit shtëpiak të pandehurit i është caktuar konform dispozitës ligjore nga nenin 181 paragrafi 1 nënparagrafi 1.1 e 1.2 të KPPRK”, thuhet në njoftimin e Apelit.
Sekiraqa po akuzohet si shtytës për vrasjen e policit Triumf Riza, i cili u privua nga jeta në vitin 2007.
Tirana do të jetë mikpritëse e dy samiteve më 28 dhe 29 shkurt.
I pari do të mbahet të mërkurën e 28 shkurtit ku për herë të parë në kryeqytetin e Shqipërisë do të organizohet një samit dedikuar Ukrainës, ku prezent do të jetë edhe vetë presidenti, Volodymyr Zelenksy.
Kreu i shtetit të Ukrainës pritet që të mbërrijë mbrëmjen e së martës për të marrë pjesë në këtë samit, ku do të jenë të pranishëm edhe liderët e vendeve të Evropës Juglindore.
Policia e shtetit ka marrë të gjitha masat për mbarëvajtjen e vizitës së presidentit të Ukrainës, ndërkohë që në këtë kuadër duke nisur nga nesër disa rrugë do të bllokohen.
Kështu 1 mijë e 500 forca policore do të jenë në terren, ndërkohë që të gatshëm do të jetë i gjithë reparti RENEA.
Policia rrugore do të ndalojë që nga nesër parkimet në rrugët që do të bllokohen për dy samitet. Po ashtu në të gjitha pikat kufitare janë dërguar të gjitha informacionet dhe përmbajtjet e personave që dyshohet se kanë prirje ekstremiste të mos lejohen të futen në vend.
Në Ministrinë e Mbrojtjes u miratua Kurrikula Trajnuese për Qendrën Shtetërore Trajnuese për Siguri Kibernetike.
Në ambientet e Ministrisë së Mbrojtjes, sot është miratuar Kurrikula Trajnuese për Qendrën Shtetërore Trajnuese për Siguri Kibernetike. Hartimi i kësaj kurrikule, e cila u miratua nga ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, është mbështetur nga Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar dhe është implementuar nga DCAF me ekspertë vendor dhe ndërkombëtarë.
Ministri Maqedonci në fjalën e tij, para të pranishmëve, theksoi rëndësinë e kësaj ngjarje, duke e cilësuar si një hap mjaft të rëndësishëm për luftimin e sulmeve dhe kërcënimeve hibride, që tani është duke u përballur Kosova dhe vendet tjera të rajonit dhe më gjerë.
Këto kërcënime dhe sulme tani janë edhe të përmasave globale.Krejt në fund, ministri e falënderoi Ambasadën e Mbretërisë së Bashkuar, DCAF dhe gjithë përfaqësuesit e institucioneve, të cilët kanë dhënë kontribut në hartimin e Kurrikulës ku dhe ndau mirënjohje për të gjithë kontribut dhënësit.
Vendim i Komisionit të Garave për ndeshjen Ferizaj – Ulpiana
Komisioni i Garave i Federatës së Futbollit të Kosovës ka vendosur lidhur me regjistrimin e ndeshjeve të javës së 16-të të Raiffeisen Ligës së Parë – Grupi–B, si dhe të ankesës së ushtruar nga: KF Ferizaj, lidhur me parregullsinë e paraqitur në këtë ndeshje nga: KF “Ulpiana”, të lojtarit i cili ka qenë i shënuar në protokol dhe është aktivizuar në ndeshje, Komisioni i Garave si Organ i autorizuar dhe kompetent, konform nenit 71 të Regullores së Garave, me datë: 26.02.2024 mori këtë:
Me këtë rast, është pranuar ankesa e Klubit të Futbollit – Ferizaj dhe ndeshja e javës së 16-të e Raiffeisen Ligës së Parë – Grupi-B, në mes KF “Ferizaj“ dhe KF “Ulpiana” e përfunduar me rezultat 2:3 në fushë për KF “Ulpiana”, regjistrohet me rezultat zyrtar 3:0 në favor të KF “Ferizaj”.
Në këtë vendim thuhet se KF “Ulpiana“ ka aktivizuar në lojë lojtarin me nr. 15 . ENES HAJRULLAHU, me nr. të regjistrit: I.D. 014222M07- i cili ka qenë i shënuar- regjistruar në protokolin zyrtar dhe është aktivizuar në ndeshje.
Ndaj KF “Ulpiana” dhe lojtarit të sipërpërmendur, konform nenit 77, paragrafi 3 të Rregullorës së Garave inicohet procedura disiplinore.