ATV

Author: ATVLive

  • Kosova dhe Serbia të martën diskutojnë për dinarin

    Kosova dhe Serbia të martën diskutojnë për dinarin

    Vendimet e fundit për qarkullimin e valutave nga Banka Qendrore e Kosovës do të jenë temë kyçe e disktuimit të së martës në Bruksel, ka konfirmuar në Bashkimin Evropian për Kohën.

    Tek kanë thënë se takimi me palën kosovare dhe atë serbe do të mbahen në mëngjes “ai do të kenë rrjedhën e takimeve në formatin e zakonshëm të dialogut”.

    Zëdhënësja e BE-së për çështje të Politikes së Jashtme dhe Sigurisë, Nabila Masralli tha se të dyja palët e kanë konfirmuar pjesëmarrjen por nuk ka saktësuar se kush do të shkojë nga Kosova në këtë takim.

    “Ajo që unë mund të them është se po, do të kemi takim nesër. Takimi i nesërm është takim i dialogut i cili do të fokusohet në zgjidhjet e çështjeve të hapura lidhur me vendimet e fundit për qarkullimin e valutave nga Banka Qendrore e Kosovës. Takimi do të nisë në mëngjes dhe do të ketë rrjedhën e takimeve në formatin e zakonshëm të dialogut. Dhe po, të dyja palët kanë konfirmuar pjesëmarrjen e tyre“ ka thënë ajo.

  • Daut Haradinaj në gjykatë: Kurti është veteran mashtrues, për të tjerët s’më kujtohet

    Daut Haradinaj në gjykatë: Kurti është veteran mashtrues, për të tjerët s’më kujtohet

    Në seancën e së hënës në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në rastin e njohur si “Veteranët”, Daut Haradinaj, ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, në cilësinë e dëshmitarit, e ka quajtur Kryeministrin Albin Kurti ‘veteran mashtrues’.

    Haradinaj, duke u përgjigjur në pyetjen e prokurorit special Valdet Gashi, se meqenëse sipas përcaktimit ligjor përcaktohet se secili person i cili për shkak të veprimtarisë së tij si pjesëtar i UÇK-së është arrestuar gjatë periudhës ‘97-‘99 dhe është mbajtur në burg nga forcat e Serbisë, a ka pasur ndonjë kategori të tillë të personave që kanë aplikuar për veteranë luftëtarë, dëshmitari Haradinaj tha se “përpos Kryeministrit Kurti që është veteran mashtrues, për të tjerët nuk më kujtohet”.

    Haradinaj ka deklaruar se te asnjë formular që është plotësuar nga kandidatët për veteranë pjesëtarë ose pjesëmarrës, anëtarët e komisionit qeveritar nuk kanë qenë të involvuar, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    Sipas tij, përgjegjësit kanë qenë në nivelet e dyta e të treta të komandantëve të kompanisë dhe skuadrës.

    “Unë personalisht (mbaj) përgjegjësinë e komandantit të brigadës. I kam edhe me statistika. Prej krejt listës së aplikantëve, 24 janë përjashtu që nuk kanë qenë pjesëmarrës në luftë, ndërsa të tjerët në mënyrë kolektive e kom konfirmu që kanë qenë ushtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, ka thënë Haradinaj,

    Ai tha se prej luftëtarëve që kanë marrë pjesë më 24 mars 1998, të plagosur në Deçan janë 1 mijë e 264, kurse të vrarë 166 dëshmorë.

    “Këtë e thash me qëllimin që me kuptu gjykata që shtabet lokale në nënzonat operative në rajonin e Dukagjinit kanë me qindra dëshmorë deri në krijimin e brigadave. Tash nëse ju nuk ju njihni veteranëve qysh e njohim statusin e dëshmorit ose invalidit të luftës, këta duhet me kuptu gjykata që pikërisht këtu është kontesti”, tha Haradinaj.

    Tutje, i njëjti ka sqaruar se ai nuk kishte marrë pjesë në verifikim, por ka qenë i involvuar direkt dhe se mban përgjegjësi për të gjitha nivelet, prej komandantit të brigadës deri te ushtari i fundit se si ka shkuar procedura.

    “Asnjë formular nuk është pranu në komision nëse nuk e ka pas nënshkrimin e udhëheqësve të njësive, po flasim në nivelin lokal, që i bie komandant të shtabeve lokale, komandant skuadre, shef logjistike, shef i policisë ushtarake apo secili në sektorin e vet e ka marrë përgjegjësinë për atë që i takon. Që i bjen që mban përgjegjësi secili për atë që e ka shkru e që e heq përgjegjësinë nga komisioni qeveritar”, ka thënë Haradinaj.

    Ai tha se, meqenëse ka qenë një proces voluminoz, ka mundur të ketë lëshime apo shpërdorime në raste të kufizimeve të individëve.

    “Por për këtë situatë, kemi njësi lokale të cilat merren me shpërdorimin e caktuar dhe qëndrimi im ka qenë që institucionet të bëjnë punën e vet, aty ku u bë shpërdorimi në nivele më të ulta, por jo te komisionet qeveritare”, tha Haradinaj.

    Tutje, ai tha se jo vetëm Agim Çeku, por asnjë kryetar apo anëtar i komisionit nuk ka mundur të ndërhyjë në nivel të udhëheqësve lokalë.

    Haradinaj tha se nuk është e vërtetë që ka nënshkruar ndonjë formular, por se ka qenë i inovluar indirekt prej ditës së parë derisa ka përfunduar procesi.

    Ai tha se komandanti i brigadës e ka organizuar komplet funksionimin e strukturave për aplikim nga aplikantët, dhe se gjithçka në këtë drejtim është përgjegjësi e tij personale si komandat i zonës, i Brigadës 131, apo më saktësisht i rajonit të Deçanit.

    Tutje, Haradinaj tha se në radhët e UÇK-së kishte të angazhuar edhe dhjetëra të mitur të cilët shërbenin në logjistikë, në mirëmbajtjen e objekteve apo në kuzhinë. Ai tha se njëri nga ata ka qenë ai vetë.

    “Unë personalisht jam një prej veteranëve që kam qenë nën moshën 18-vjeçare aktiv në luftë”, tha ai.

    Seanca është duke vazhduar në sesionin e pasdites me dëgjimin e dëshmitarëve të tjerë.

    Daut Haradinaj pritet të fillojë dëshminë në rastin “Veteranët”

    Prishtinë- Në seancën e së hënës në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në rastin e njohur si “Veteranët”, pritet të fillojë dëshminë Daut Haradinaj, ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK).

    Në këtë rast, për keqpërdorim të detyrës zyrtare akuzohen ish-kryeministri Agim Çeku, ish-ministri i Mbrojtjes, Rrustem Berisha, ish-deputeti Shkumbin Demalijaj, Nuredin Lushtaku, Sadik Halitjaha, Qelë Gashi, Shukri Buja, Ahmet Daku, Faik Fazliu, Smajl Elezaj, Fadil Shurdhaj dhe Xhavit Jashari, raporton “Betimi për Drejtësi“.

    Në seancën e fundit për këtë rast, më 21 dhjetor 2023 ka dëshmuar ish-komandanti i Zonës Operative të Drenicës, Sami Lushtaku.

    Ndryshe, seanca e 16 dhjetorit 2022 kishte dështuar në mungesë të të akuzuarve Fazliu dhe Elezaj, ndërsa ajo e 15 marsit 2023, ishte anuluar me kërkesë të prokurorit Valdet Gashi.

    Seanca e 15 qershorit 2023, kishte dështuar për shkak se të akuzuarit Sadik Halitjaha, Qelë Gashi, Shukri Buja, Ahmet Daku, Xhavit Jashari, nuk kishin angazhuar avokatë. Kurse, seanca e 18 shtatorit 2023 është anuluar për shkak se prokurori Valdet Gashi ishte në udhëtim zyrtar. Ndërsa, ajo e 28 shtatorit 2023 dështoi në mungesë të të akuzuarit Shukri Buja.

    Gjykata Themelore në Prishtinë, më 16 prill 2021 të akuzuarit i kishte liruar nga akuza. Por, Gjykata e Apelit më 26 prill 2022 e ka kthyer në rigjykim këtë rast.

    Sipas Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), të akuzuarit duke keqpërdorur detyrën e tyre zyrtare, për kohën sa ishin pjesë e Komisionit Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Dëshmorit të Kombit, Invalidit, Veteranit, Pjesëtarit dhe të Internuarit të Luftës së UÇK-së, i kanë shkaktuar dëm buxhetit të Kosovës në vlerë prej 88.769.217.04 euro.

    Për këto akuza, Gjykata Themelore në Prishtinë kishte marrë aktgjykim lirues edhe më 19 janar 2021.

    Aktgjykimi në këtë rast ishte përpiluar tre muaj më vonë, ku PSRK brenda 15 ditësh kishte pasur mundësi të ushtrojë ankesë ndaj këtij aktgjykimi.

    Ndryshe, Gjykata Themelore në Prishtinë, më 19 qershor 2019, e kishte konfirmuar aktakuzën për këtë rast, ndërsa këtë vendim e kishte konfirmuar edhe Gjykata e Apelit në gusht të vitit 2019.

    Me aktakuzën e PSRK-së, po ashtu ishte kërkuar që Gjykata Themelore në Prishtinë, të urdhërojë Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS), që të pezullonte pagesën e pensioneve për 19 mijë e 500 veteranë, deri në përfundimin e procesit gjyqësor.

    Por, më 1 prill 2019, gjykata e kishte refuzuar këtë kërkesë me arsyetimin se propozimi për masën e përkohshme nuk është ndaj të akuzuarve, por ndaj MPMS-së, si palë e tretë.

    Kurse pas seancave të mbajtura, Gjykata Themelore në Prishtinë, më 19 janar 2021, ka shpallur aktgjykim lirues ndaj të akuzuarve në këtë rast.

    Sipas aktakuzës së përgatitur nga ish-prokurori special, Elez Blakaj, personat e përfshirë thuhet se prej vitit 2011 deri në vitin 2017, duke vepruar si anëtarë të Komisionit Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Dëshmorit të Kombit, Invalidit, Veteranit, Pjesëtarit dhe të Internuarit të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kanë shfrytëzuar detyrën dhe autoritetin zyrtar, duke tejkaluar kompetencat me dashje dhe duke mos i përmbushur detyrat zyrtare, me qëllim që të përfitojnë personat e tjerë në mënyrë të kundërligjshme, në vazhdimësi, në dëm të Buxhetit të Republikës së Kosovës.

    Në këtë aktakuzë, janë përfshirë 12 persona, të cilët ngarkohen me veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

    Siç kishte raportuar “Betimi për Drejtësi”, listës së personave të akuzuar i prin Agim Çeku, i pasuar nga Nuredin Lushtaku, Sadik Halitjaha, Shkumbin Demaliaj, Qelë Gashi, Shukri Buja, Ahmet Daku, Rrustem Berisha, Faik Fazliu, Smajl Elezaj, Fadil Shurdhaj dhe Xhavit Jashari.

    PSRK-ja, po ashtu i kishte propozuar gjykatës, që ta lëshonte masën për ndalimin e pagesës së pensioneve të fituara në mënyrë të kundërligjshme si veteranë luftëtarë të UÇK-së, deri në përfundimin e procedurës penale.

    Tutje, sipas PSRK-së, nga provat e siguruara ishte vërtetuar se nga pagesat e kundërligjshme për veteranët luftëtarë të UÇK-së, buxheti i Republikës së Kosovës ishte dëmtuar në shumë prej 68.153.533.14 euro.

    Ndërsa, me aktakuzën e dorëzuar në gjykatë më 7 dhjetor 2018, pretendohet se buxheti i Republikës së Kosovës ishte dëmtuar në shumë prej 88.769.217.04 euro.

  • Vdekja e katërvjeçares – Vitia: Raportet tregojnë se s’ka të bëjë me neglizhencë, çdo pretendim tjetër për momentin është spekulim

    Vdekja e katërvjeçares – Vitia: Raportet tregojnë se s’ka të bëjë me neglizhencë, çdo pretendim tjetër për momentin është spekulim

    Vdekja e katërvjeçares nga Gjakova, ishte temë diskutimi ndërmjet Komisionit për të Drejtat e Njeriut dhe Komisionit për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale me krerët e shëndetësisë kosovare, raporton Ekonomia Online.

    Aty u kërkua sqarime nëse mjekët e kanë neglizhuar këtë rast por që u mohua nga ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia.

    Vitia tha se pacientja është diagnostikuar me SEPS.

    Vitia para anëtarëve të komisionit tha se sipas raporteve nga Spitali i Gjakovës dhe QKUK dhe ekzaminimeve që janë bërë, nuk bëhet fjalë për shenja dhune tek vajza e cila ka ndërruar jetë, ashtu siç kanë pretenduar prindërit e saj.

    Çdo pretendim që çdo veprim ndryshe, ka mund të kishte një epilog tjetër, sipas tij për momentin është vetëm spekulim.

    “Është diagnostikuar me Seps. Për diagnozën përfundimtare duhet t’i presim dhe rezultatet e fundit të hetimeve që kanë nisur. Kjo lloj e Sepses që është infeksion i rëndë i gjakut dhe se vdekshmëria është shumë e lartë. Sipas raporteve dhe bisedave me profesionistët e fushës që i kanë trajtuar pacientët s’ka shenja që ka pasur shkaktarë të jashtme që e kanë rënduar gjendjen e pacientës. Shkaktari dhe pse duhet t’i presim rezultate përfundimtare, duket që ka qenë një bakterie që gjendet në hundë, dhe me rënien e imunitetit mund të shkaktojë diagnozë të tillë të rëndë që në raste jo të rralla është vdekjeprurëse. Për momentin çdo pretendim të diagnostikimit me kohë është sfidë për mjeksisë. Këtë do ta vertetojnë hetimet. Por çdo pretendim tani që çdo veprim ndryshe se ka mund të jetë epilog tjetër për momentin qëndron vetëm si spekulim”, ka thënë Vitia.

    Vitia tha se megjithëse dhe ai vet në fillim kishte doza dyshimi, sipas raporteve të deritanishme nuk është evidentuar se bëhet fjalë për neglizhencë.

    “Kur e kam marrë lajmin edhe unë kam pasur doza dyshimi, që mund të bëjë me neglizhencë potenciale. Kjo vjen dhe për shkakun se përkunder angazhimit të profesionistëve shëndetësore, nuk mund të mohojmë faktin se ka pasur dhe ka raste të tilla në sistemin tonë shëndetësor. Por siç e dalloni raportet paraprake nuk kanë evdientuar ende se bëhet fjalë për neglizhencë të qëllimshme apo të çfarëdo lloji”, tha ai.

    Ndërsa ka treguar në hollësi se si është trajtuar 4 vjeçarja në Spitalin e Gjakovës dhe QKUK.

    “Sipas raportit pacientja nga momenti i pranimit në Spitalin e Gjakovës është ekzaminuar nga shtatë mjekë nga lëmit të ndryshme dhe se nuk dihej qartë shkaku i gjendjes. Nga ekzaminimet e mjekëve nuk paraqiteshin shenjat e dhunës siç thonin prindërit. Ajo është transferuar në QKUK me autoambulantë. Gjatë 14 orëve që është trajtuar në spitalin e Gjakovës është vizituar nga shtatë mjekë. Gjatë trajtimit në spital janë bërë shumë ekzaminime. Pas të gjitha ekzaminimeve sipas raportit është e qartë se nuk është evidentuar asnjë shenjë dhune që do të rrezikonte jetën e saj. Ajo pastaj është referuar në QKUK, ku kanë vazhduar ekzaminimet dhe trajtimi i duhur”, tha Vitia.

    Drejtori i ShSKUK-së, Elvir Azizi shpjegoi kronologjikisht ngjarjen se si ka ndodhur, duke thënë se pacientja 4-vjeçare nuk ka pasur shenja dhune. Tha se gjendja e pacientes ka qenë e rëndë kur është transferuar në QKUK.

    Shtoi se pacientja ka marrë trajtimin e nevojshëm në spitale rajonale si dhe në QKUK.

    Në këtë komision i ftuar ka qenë edhe kryetari i komunës së Gjakovës, Ardian Gjini, por nuk ishte prezent.

    Deputeti nga radhët e PDK-së, Bekim Haxhiu ka pyetur Ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia se cila ka qenë arsyeja që nuk janë trajtuar si temë diskutimi edhe disa raste të rënda që kanë ndodhur muajve më parë.

    Haxhiu pyeti se nuk ka pas tryezë edhe për rastin e vdekjes së gruas para QKUK-së, për rastin e futjes së fëmijës në lavatriçe në Spitalin e Pejës, gjithashtu pyeti se përse nuk ka pasur një diskutim për djegien e pacientit në klinikën e psikiatrisë.

    Deputeti shtoi se duhet të trajtohen të gjithë të barabartë.

    Kryetarja e Komisionit, Fatmire Kollçaku, kundërshtoi deklaratën e deputetit, Bekim Haxhiu se nuk janë marrë masa rreth ngjarjeve të ndjeshëm që kanë ndodhur më herët.

    Bazuar në ngjarjen e ndodhur në Pejë, pra futja e fëmijës në lavatriçe, Kollçaku tha se nuk pajtohet me mendimin e Haxhiut se nuk janë marrë masa për faktin se është shkarkuar drejtori mjekësor dhe drejtori për infermieri.

    “Nuk pajtohem me deputetin Haxhiu, për faktin se janë shkarkuar persona”, tha Kollçaku, duke mos marrë një replikë nga deputeti Bekim Haxhiu.

  • Avokatja e Konjufcës mirëpret vendimin për lirim: Munguan provat me të cilat do të vërtetohej e kundërta

    Avokatja e Konjufcës mirëpret vendimin për lirim: Munguan provat me të cilat do të vërtetohej e kundërta

    Vendimin për lirim nga akuza ndaj kryeparlamentarit Glauk Konjufca, e ka mirëpritur avokatja e tij, Arbnora Zeqiri. Ajo në një deklarim për media, tha se vendimi është i drejtë dhe se u vërtetuan se Konjufca nuk e ka kryer veprën për të cilën ngarkohej, raporton EO.

    Zeqiri tha se përgjithësia për këtë rast bie mbi Prokurorinë dhe Gjykatën, ndërsa procedurat e tejzgjatura, nuk janë në interes të askujt.

    “Gjykata Themelore në Prishtinë sapo shpalli aktgjykimin lirues ndaj mbrojtësit tim, Glauk Konjufca, lidhur me aktakuzat për përdorimin e armeve apo mjeteve të rrezikshme. Konsiderojmë që ky vendim ka qenë i pritur edhe nga ana e mbrojtjes edhe me bindjen tone ka qenë i pafajshëm lidhur me akuzat e përdorimit të armeve apo mjetit të rrezikshëm. E konsiderojmë si vendim të drejt dhe në përputhje me gjendjen faktike të cilës i mungojnë provat dhe argumentet me të cilat do të vërtetohej e kundërta”, tha ajo.

    “Lidhur me ketë vendim përgjithësia është e prokurorisë dhe po ashtu e gjykatës dhe normalisht nuk është në interesin më të mirë të asnjë personi procedurat e tejzgjatura me vite lidhur me një aktakuzë, andaj konsiderojmë që vendimi i sotëm e dha drejtësinë për të cilën është shpallur i pafajshëm dhe është një garanci që drejtësia që është bërë”, tha tutje ajo.

  • Deri në një vit e gjysmë pritje për kryerjen e koronarografisë në QKUK

    Deri në një vit e gjysmë pritje për kryerjen e koronarografisë në QKUK

    Ka gati një vit e gjysmë që Zejush Misini, rreth 60 vjeç, pret për të bërë një koronarografi në Klinikën e Kardiologjisë të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).

    Kjo procedurë shërben për të diagnostikuar problemet në zemër, përkatësisht për të analizuar enët që e çojnë gjakun në zemër.

    Varësisht rezultatit të saj, pacienti mund të referohet për procedura të tjera, deri tek operacioni.

    Misini – i cili vjen nga komuna e Obiliqit, rreth 10 kilometra larg Prishtinës – tregon se mjeku i tij ia ka rekomanduar koronarografinë qysh në shtator të vitit 2022.

    “Nuk e di pse duhet pritur kaq gjatë. Mendoj se nuk është normale të pritet kaq gjatë”, thotë ai.

    Radio Evropa e Lirë bisedoi me të në javën e tretë të shkurtit, kur ai kishte shkuar në QKUK – për të disaten herë – për t’u interesuar për termin.

    As atë ditë nuk kishte marrë përgjigje pozitive, me justifikimin se prioritet i kanë rastet urgjente.

    Misini dyshon se mund të ketë nevojë për vendosje të stentës në zemër – një spirale që ndihmon për t’i mbajtur hapur enët e gjakut – sepse, siç thotë, “disa analiza që i kam bërë, nuk po më dalin mirë”.

    Çka thonë mjekët?

    Drejtori i Kardiologjisë, Lulzim Kamberi, pranon se ka lista të gjata pritjesh në klinikën që udhëheq.

    Kjo, sipas tij, ndodh për faktin se pacientët nga e gjithë Kosova referohen në QKUK. Po ashtu, ka edhe një numër të madh pacientësh që referohen nga klinikat e tjera të QKUK-së.

    “Gjithçka që kemi mundësi dhe kushte, jemi duke e bërë. Rastet urgjente nuk presin. Ato trajtohen menjëherë. Jemi shumë të ngarkuar me punë”, thotë Kamberi për Radion Evropa e Lirë.

    Pos në QKUK, koronarografitë kryhen edhe në disa spitale private në Kosovë, por se janë shumë më të kushtueshme.

    Kamberi thotë se, brenda ditës, në Kardiologji kryhen 10 deri në 13 procedura të tilla.

    Klinika i ka vetëm dy salla, që, sipas Kamberit, nuk mjaftojnë.

    “Jemi me një sallë, ndërsa një tjetër është rinovuar para tre muajsh. Na duhen minimumi edhe dy-tri salla të tjera”, thotë ai.

    Kamberi kujton se, deri vonë, ka qenë një komision që e ka përpiluar listën e pacientëve që kanë nevojë për koronarografi, ndërsa tash rastet regjistrohen vetë, vetëm me një rekomandim të mjekut.

    “Më herët janë regjistruar 5-6 pacientë në ditë, kurse tani kemi 15 e më shumë”, thotë ai.

    Një arsye tjetër që mund të ketë ndikuar në fluks të madh pacientësh, është edhe vetëdijesimi gjithnjë e më i madh i qytetarëve për shëndetin, thotë kardiologu Agron Qerimi, i cili punon në një institucion privat në Kosovë.

    Pritjet për një periudhë të shkurtër ndodhin edhe në vende të tjera, por jo më shumë se një vit.

    “Duhet të mundohemi që pacientëve t’u ofrojmë shërbime sa më të hershme, sa më të shpejta, sa më kualitative dhe më të sigurta”, thotë Qerimi.

    Sa persona janë në pritje?

    Duke folur në kushte anonimiteti, një infermiere e Kardiologjisë i tha REL-it se, aktualisht, janë mbi 1.600 persona në listë të pritjes për koronarografi.

    Pritja, sipas saj, zgjat nga disa javë deri në disa muaj.

    “Ka raste kur i thërrasim pacientët dhe na thonë: jo, e kemi kryer këtë punë… Ka raste kur na konfirmojnë se vijnë dhe nuk paraqiten… Por, ka raste edhe kur na thonë se pacienti ka vdekur”, tha ajo.

    Këto të fundit, sipas saj, janë kryesisht “të moshave mbi 80 vjeç”.

    Në një nga takimet e fundit, Bordi i Shërbimit Spitalor Klinik dhe Universitar të Kosovës (SHSKUK) – institucion që mbikëqyr QKUK-në dhe spitalet rajonale – u bëri thirrje udhëheqësve të klinikave që t’i kushtojnë më shumë kujdes planifikimit të terminëve për pacientë.

    Duke diskutuar konkretisht për situatën në Kardiologji, bordi tha se pritjet deri në një vit e gjysmë janë “të pakuptimta dhe të paarsyeshme”.

    I pyetur nga REL-i nëse ka plane konkrete për trajtimin e kësaj problematike, drejtori i përgjithshëm i SHSKUK-së, Elvir Azizi, tha:

    “Ne planifikojmë të ndajmë edhe mjete të tjera për Klinikën e Kardiologjisë, në mënyrë që të ofrojmë sa më shumë shërbime dhe ta ulim numrin e rasteve në pritje”.

    Azizi nuk specifikoi më shumë, por për vitin e kaluar SHSKUK-ja ndau 1.62 milion euro për furnizimin e Kardiologjisë me material shpenzues dhe stenta.

    Atë vit, sipas një dokumenti që pa Radio Evropa e Lirë, në Kardiologji janë kryer 4.050 koronarografi dhe janë vendosur 3.458 stenta.

    Sipas drejtorit të SHSKUK-së, shumë e ngjashme parash është ndarë edhe për vitin 2024.

    Por, Kardiologjia nuk është e vetmja klinikë, ku pacientët përballen me pritje. REL-i ka raportuar më herët për pritje deri në tre vjet në Klinikën e Kirurgjisë Vaskulare të QKUK-së dhe në të tjera.

    Atëkohë, nga Ministria e Shëndetësisë kanë thënë se “përmirësimi i cilësisë së shërbimeve është i paraparë të bëhet përmes decentralizimit të sistemit spitalor dhe riorganizimit të QKUK-së”.

    Por, ndërkohë që pritjet e gjata vazhdojnë, një faktor që nuk i ndihmon ato, është edhe mungesa e mjekëve.

    Kosova, prej vitesh, përballet me largimin e stafit shëndetësor.

    Të dhënat e Odës së Mjekëve të Kosovës tregojnë se, vitin e kaluar, 160 mjekë kanë marrë të ashtuquajturën certifikatë të pastërtisë etiko-profesionale, që do të thotë se janë larguar nga Kosova, ose janë në proces të largimit.

    Sipas kësaj ode, të larguarit – që kryesisht emigrojnë drejt vendeve të Bashkimit Evropian – ankohen për kushte jo të mira pune, paga të ulëta dhe keqmenaxhim.

    Paga bruto e një mjeku specialist në Kosovë është rreth 1.200 euro, ndërsa në Gjermani, për shembull, arrin në mbi 4.000 euro. /REL/

  • Prokuroria nis hetimet për aksidentin me fatalitet në Prishtinë

    Prokuroria nis hetimet për aksidentin me fatalitet në Prishtinë

    Një person ka humbur jetën si pasojë e një aksidenti në Prishtinë.

    Rasti ka ndodhur kur një veturë ka përplasur semaforin e më pas i njëjti ka goditur këmbësorin, duke i shkaktuar plagë të rënda, të cilat më pas sollën vdekjen e këmbësorit.

    Laureta Ulaj, zëdhënëse e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, ka bërë të ditur se Prokuroria ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka nisur hetimet për të sqaruar rrethanat e ngjarjes.

    Ajo në një përgjigje me shkrim, ka thënë se hetimet po kryhen në bashkëpunim me Policinë dhe kanë çuar në inicimin e një rasti penal “Rrezikimi i Trafikut Publik” me fatalitet.

    “Rastit të cilit i referoheni, ju njoftojmë se prokurori kujdestar ka dalë në vendin e ngjarjes së bashku me njësitë relevante. Në këtë aksident janë përfshirë një veturë dhe një këmbësor, ku nga plagët e marra këmbësori ka ndërruar jetë. Prokurori i Shtetit ka iniciuar rast në drejtim të veprës penale “Rrezikimi i trafikut publik” (me fatalitet), derisa viktima do t’i nënshtrohet obduksionit në Institutin e Mjekësisë Ligjore. Prokuroria në koordinim me policinë janë duke ndërmarrë veprime hetimore, andaj për veprimet e tjera karshi këtij rasti do të njoftoheni me kohë”, ka thënë Ulaj për Dukagjinin.

  • Gjykata Themelore liron Glauk Konjufcën nga akuzat për hedhje të gazit lotsjellës

    Gjykata Themelore liron Glauk Konjufcën nga akuzat për hedhje të gazit lotsjellës

    Gjykata Themelore e Prishtinës e ka liruar nga akuzat e Prokurorisë për hedhje të gazit lotsjellës, kryetarin e Kuvendit Glauk Konjufca, raporton ATV.

    Konjufca akuzohej se sa ishte deputet hodhi gaz lotsjellës në mbledhjen e kryesisë së Kuvendit, në kundërshtim të ratifikimit të marrëveshjes për demarkacion me Malin e Zi.

    Sipas Gjykatës nuk është provuar gjatë gjykimit se Konjufca e ka kryer këtë vepër penale. /atvlive.tv

  • BIK pubikon vaktinë e Ramazanit

    BIK pubikon vaktinë e Ramazanit

    Kryesia e Bashkësisë Islame të Republikës së Kosovës ka publikuar vaktin e Ramazanit për vitin 2024.

    Dita e parë e Ramazanit është me 11 mars, ku koha e syfyrit është në ora 04:16, ndërsa iftari në ora 17:45

    Kurse, dita e fundit e Ramazanit është më 9 prill, ndërkaq dita e parë e Fitër Bajramit është më 10 prill, ditë e mërkurë.

  • Kurti nënshkruan marrëveshje prej 400 milionë eurosh me BERZH-in

    Kurti nënshkruan marrëveshje prej 400 milionë eurosh me BERZH-in

    Kryeministri Albin Kurti ka bërë të ditur se ka nënshkruar marrëveshje me BERZH-in për investime 400 milionë euro në sektorët kryesorë të zhvillimit ekonomik të Kosovës

    Kryeministri Albin Kurti me presidenten e Bankës Evropiane për Zhvillim dhe Rindërtim (BERZH), Odile Renaud Basso.

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka e ka nënshkruar një memorandum të marrëveshjes me presidenten e BERZH-it, Odile Renaud Basso.

    Siç ka bërë të ditur Kurti në platformën X, ky partneritet pritet të sjell një investim prej 400 milionë eurosh në sektorët kryesorë për periudhën 2024–27.

    Kurti ka theksuar se kjo shifër është më e madhe se totali i 340 milionë eurove në kredi dhe grante sovrane të marra gjatë tërë 11 viteve që Kosova është anëtare e kësaj organizate.

    “Partneriteti me BERZH-in është më i fortë se kurrë. Sapo kam nënshkruar një Memorandum të marrëveshjes me Presidenten Odile Renaud për 400 milionë euro investime në sektorët kryesorë për periudhën 2024–27—më shumë se 340 milionë euro në kredi dhe grante sovrane gjatë tërë 11 viteve që Kosova është bërë shtet anëtar”, ka shkruar Kurti.

  • ​Berisha: FSK po bën një punë të mirë

    ​Berisha: FSK po bën një punë të mirë

    Kryetari i Komisionint për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes, Bekë Berisha, ka deklaruar se Forcat e Sigurisë së Kosovës janë duke punuar mjaft mirë sa i përket problemeve të sigurisë që po shkaktohen në vend.

    Berisha pas raportimit të Komandantit të Forcës së Sigurisë së Kosovës, Gjenerallejtënan Bashkim Jashari, ka thënë se komandanti është duke ë bërë një punë të shkëlqyer me ushtrinë, duke shtuar se gjitha problemet që shfaqen janë duke u eliminuar.

    “FSK dhe komandanti i FSK-së janë duke e bërë një punë të mirë, dhe gjithë ajo punë që e bëjnë është e mirë për vend e për të gjithë. Janë duke avancuar në gjitha problemet që i kemi pas dhe që i kemi theksuar janë duke i eliminuar”, tha Berisha.

    I pyetur nga gazetarët nëse gjatë mbledhjes me komandantin e FSK-së, është diskutuar për vendimin e qeverisjes Haradinaj që ishte marrë në vitin 2019, lidhur me pagat e ushtarëve të FSK-së, Berisha ka thënë se propozimi është që të kthehet ai ligj në fuqi, në mënyrë që të ketë rritje të pagave në këtë drejtim.

    “Është një problem që ka ndodhë, pasi që ligji njëherë ka qenë në fuqi pastaj është shfuqizuar. Ankesa ka mjaft, mirëpo janë individuale, është çështje ligjore. Unë nuk e di çfarë do të ndodhë dhe çfarë epilogu ka me marrë. Por, si propozim është që të kthehet ai ligj në fuqi në mënyrë që me pas ngritje të pagave”, shtoi Beka.

    Mes tjerash është pyetur nëse kishte diskutim nga ana e komandantit për vijën kufitare me Serbinë nëse ka policë serbë që janë duke patrulluar, për çfarë tha se kanë diskutuat për gjitha temat, mirëpo se nuk dihet tendenca e tyre gjatë qëndrimit në vijë kufitare.

    “Kemi diskutuar për të gjitha temat, normalisht se në vijën kufitare patrullojnë edhe policë dhe ushtarë serbë, në pjesën e tyre… Nuk mundem me ditë se çfarë tendence apo çfarë mund të bëjnë”, përfundoi Beka.