ATV

Author: ATVLive

  • Bislimi: Ende pa zbatim të Marrëveshjes Bazike dhe Aneksit të Ohrit

    Bislimi: Ende pa zbatim të Marrëveshjes Bazike dhe Aneksit të Ohrit

    Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi në një vjetorin e Marrëveshjes Bazike të arritur në Bruksel më 27 shkurt, ka akuzuar Serbinë se po refuzon ta nënshkruaj dhe ta zbatojë.

    Ai ka dhënë detaje duke thënë se në vetëm një vit, të gjitha këto akte e sjellje, dëshmuan se Serbia po e pengon fuqishëm avancimin në rrugën drejt normalizimit të plotë të marrëdhënieve e njohjes reciproke.

    “Kur do të duhej të ishim në rrugën e drejtë të zbatimit të plotë dhe pa kushte të Marrëveshjes së Brukselit, shënojmë një vit nga dita kur u dakordua ajo, dhe Serbia ende refuzon ta nënshkruajë e rrjedhimisht dhe zbatojë marrëveshjen. Përkundrazi, përgjatë kësaj periudhe një vjeçare jemi përballur me shkeljet e Serbisë, eskalimet e saj në terren, refuzimin verbal dhe zyrtar të marrëveshjes dhe qasjes së vazhdueshme destruktive. Me 27 shkurt në Bruksel, me 18 mars në Ohër, me 14 shtator në Bruksel, me 26 tetor në Bruksel, me 8 shkurt në Neë York, plot pesë herë u ofrua dhe publikisht nënshkrimi i marrëveshjes, por u refuzua. Përtej kësaj, Serbia ka shkelur tetë nene të Marrëveshjes Bazike, preambulën e saj dhe nene të Aneksit Implementues. Pas dakordimit të Brukselit dhe Ohrit, shantazhuan e kërcënuan serbët e Kosovës të mos marrin pjesë në zgjedhjet lokale të prillit, sulmuan një muaj më pas institucionet tona, KFOR-in dhe gazetarët, rrëmbyen brenda territorit tonë tre zyrtarë policorë, sulmuan veriun e shtetit tonë me 24 shtator në aktin e agresionit të Banjskës, afruan trupat ushtarake përreth kufirit tonë dhe si kërcënim i qartë dhe i hapur deklaruan se nuk do ta njohin sovranitetin e integritetin territorial të Republikës së Kosovës, si dhe zyrtarisht me shkrim konfirmuan refuzimin e Marrëveshjes së Brukselit përmes letrës së kryeministres Brnabiq në dhjetor. Në vetëm një vit, të gjitha këto akte e sjellje, dëshmuan se Serbia po e pengon fuqishëm avancimin në rrugën drejt normalizimit të plotë të marrëdhënieve e njohjes reciproke. Kosova nga ana e saj, qëndron konstruktive dhe e angazhuar në këtë rrugëtim, në zbatimin e plotë, të drejtë e pa kushte të Marrëveshjes Bazike dhe Aneksit Implementues, përmes një plani të sekuencimit të balancuar mes palëve. Marrëveshja e Brukselit dhe Aneksi i saj Implementues, duhet të zbatohen sa më parë. Rajoni ka nevojë për zhvillim e prosperitet, harmoni e marrëdhënie të mira fqinjësore mes të gjitha shteteve të rajonit”, ka shkruar ai.

  • ​Baza e NATO-s në Kuçovë, Rama: Infrastrukturë e avancuar për avionët luftarakë

    ​Baza e NATO-s në Kuçovë, Rama: Infrastrukturë e avancuar për avionët luftarakë

    Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama përcolli sot pamje nga transformimi rrënjësor i Aeroportit Ushtarak të Kuçovës.

    Rama u shpreh se kjo bazë ajrore taktike do të luajë rol kyç në mbështetjen e operacioneve të NATO-s.

    “Baza Ajrore Taktike e NATO-s që hapet së shpejti në Kuçovë do të luajë një rol kyç në mbështetjen e operacioneve dhe stërvitjeve të NATO-s, duke shërbyer edhe si një qendër për aktivitetet e Forcave Ajrore, me infrastrukturë të avancuar për avionët luftarakë dhe ata të transportit të Aleancës” shkroi Rama në rrjetet sociale.

    Komandanti i Forcës Ajrore, gjeneralbrigade Ferdinand Dimo shpjegoi investimin e zhvilluar në aeroportin e Kuçovës.

    “Në vitin 2021 u parashikuan të kryheshin investimet për rivitalizimin e instalimeve të bazës së Kuçovës. Tashmë sot jemi në përfundim të implementimit të 3 projekteve të rëndësishme siç është sistemi i rrethimit dhe i sigurisë, po ashtu edhe i mbrojtjes perimetrale të bazës”, tha ai.

    “Nga NATO janë të investuara afërsisht 50 milionë euro dhe më shumë se 5 milionë euro janë të investuara nga qeveria shqiptare”, u shpreh Komandanti i Forcës Ajrore, i cili ndër të tjera ka sqaruar edhe funksionet që do të kryhen nga kjo bazë.

    “Jemi në përfundim të të gjitha punimeve që trupat e Forcës Ajrore të stërviten në këtë bazë. Por jo vetëm kaq, trupat e NATO-s dhe mjetet fluturuese të NATO-s mund të akomodohen, të stërviten dhe të fluturojnë duke u nisur nga baza ajrore e Kuçovës, që tashmë është një bazë ajrore taktike e NATO-s”- u shpreh Dino. /ATSH/

  • Atentat në Mal të Zi, raportohet se është vrarë shqiptari që ishte pjesë e një grupi kriminal ‘Skaljari’

    Atentat në Mal të Zi, raportohet se është vrarë shqiptari që ishte pjesë e një grupi kriminal ‘Skaljari’

    Një anëtar i një grupi të organizuar kriminal ka mbetur i vrarë mëngjesin e sotëm nga të shtënat me armë zjarri në Tivar të Malit të Zi.

    Siç raporton mediumi malazez “Vijesti” nga burime brenda policisë, i vrarë në këtë atentat ka mbetur Edmond Mustafa.

    Policia ka bllokuar qytetin dhe është në kërkim të autorëve.

    Dëshmitarët okularë nga lokalet në rrugën ku ndodhi rasti thanë se dëgjuan disa të shtëna dhe se një grua ishte me viktimën.

    Dëshmitarët okularë thanë se sulmuesi është arratisur me motoçikletë, ndërsa viktima është transportuar me autoambulancë.

    Mustafa prej vitesh njihej si pjesëtar i klanit kriminal të Skaljarit.

  • Dalin në shitje biletat e miqësores Suedi – Shqipëri

    Dalin në shitje biletat e miqësores Suedi – Shqipëri

    Federata Shqiptare e Futbollit njofton të gjithë tifozët e Kombëtares se kanë dalë sot në shitje biletat e ndeshjes miqësore Suedi – Shqipëri, që do të luhet më 25 mars në stadiumin “Friends Arena“ të Stokholmit në Suedi.

    Tifozët shqiptarë do të kenë në dispozicion 1500 bileta në sektorët 118 dhe 119. Çmimi i biletës për këtë ndeshje miqësore do të jetë 100 krona suedeze.

    Dalin në shitje biletat e miqësores Suedi – Shqipëri – FSHF

  • Beyonce zbulon përse preu krejtësisht flokët kur u tradhtua nga Jay-Z në 2013

    Beyonce zbulon përse preu krejtësisht flokët kur u tradhtua nga Jay-Z në 2013

    Martesa mes Beyonce dhe Jay-Z, i cili është 12 vjet më i madh, ka tërhequr gjithmonë vëmendjen e publikut, sidomos gjatë periudhës së turbullt kur reperi i famshëm akuzohej vazhdimisht për tradhti.

    Beyonce së fundmi dha një intervistë të rrallë për të shënuar lansimin e linjës së saj të re të kujdesit të flokëve, Cecred.

    Gjatë bisedës së gjerë, ajo ka reflektuar për vendimin e saj të paharrueshëm për të prerë flokët në vitin 2013 për shkak të tradhtisë së bashkëshortit të saj.

    Ai vit ishte padyshim një nga vitet më të këqija për çiftin. Jay-Z është akuzuar se e ka tradhtuar Beyoncen disa herë brenda pak muajsh.

    Madje dyshohet se e tradhtoi për herë të parë pikërisht një vit pasi ajo lindi fëmijën e tyre të parë, Blue Ivy.

    Në janar 2013, qarkulluan thashetheme se Jay-Z kishte një lidhje me Rita Orën, e cila u nënshkrua me kompaninë e tij diskografike Roc Nation në 2008.

    Megjithatë, Rita e mohoi një gjë të tillë.

    Dhe disa muaj më vonë, në nëntor, Jay-Z nxiti më tej thashethemet për tradhti kur u pa me një grup modelesh në Belgjikë – në të njëjtën kohë ai dhe Beyonce thuhet se po planifikonin të divorcoheshin.

    Beyonce nuk u bë publike në atë kohë, por në vitin 2016 ajo u dha fansave një pasqyrë të qartë të asaj se si ndihej me publikimin e albumit të saj “Lemonade”, i cili kryesisht pasqyronte tradhtinë e Jay-Z. Një vit më vonë, Jay-Z pranoi për New York Times se kishte tradhtuar Beyonce.

    Mes gjithë dramës që rrethoi tradhtinë e Jay-Z në vitin 2013, Beyonce i befasoi fansat duke prerë krejtësisht flokët.

    Duke reflektuar për lëvizjen, artistja pranoi se vendosi t’i priste flokët sepse donte të ndihej e “çliruar” në atë kohë të jetës së saj.

    “Më kujtohet dita kur vendosa të shkurtoja të gjitha flokët. Nuk kisha një stil specifik në mendje. Nuk ishte një zgjedhje estetike, ishte një transformim i madh emocional që po kaloja”, tha ajo, raporton telegrafi.

    “Dhe kjo ishte ajo që duhet të kisha bërë. Pas kësaj u bëra shumë e guximshme. Ishte hapi i parë drejt shumë vendimeve më të guximshme që mora në jetën dhe karrierën time, të cilat më çuan këtu ku jam tani”, shtoi këngëtarja e famshme botërore.

  • Ushtarja britanike që shërbeu në Kosovë thotë se donte të vetëvritej për shkak të abuzimeve seksuale

    Ushtarja britanike që shërbeu në Kosovë thotë se donte të vetëvritej për shkak të abuzimeve seksuale

    Një ish-ushtare britanike e cila ka shërbyer në Kosovë ka deklaruar se donte të vetëvritej për shkak të abuzimeve seksuale e ngacmimeve gjatë asaj kohe.

    Gemma Morgan, e cila tash është 50-vjeçare dhe jeton në Hertfordshire të Anglisë, iu bashkua Ushtrisë më 1996 në moshën 22-vjeçare. Ajo ka shkruar një libër biografik për përvojën e saj në ushtri, i cili do të publikohet të premten.

    Teksa ka folur “ITV” , 50-vjeçarja ka treguar se si puna në ushtri e ka bërë që ta mendonte t’i jepte fund jetës.

    Për pasojë, ajo kishte qëndruar në një klinikë psikiatrike për dy muaj si rezultat i këtyre përvojave të hidhura.

    “Po që se hyje, kjo pjesë vinte me punën dhe natyrisht që s’ishte e sigurt të kërkoje ndihmë ose të ankoheshe sepse sistemi do të të kthehej në agresor. Andaj njerëzit s’ankoheshin sepse në fund dilte se ‘është faji yt, ju ishit në vend të gabuar e ju po pini shumë. E turpëruar dhe në faj… Më shpiu të mendoja t’i jepja fund jetës”, ka treguar ajo.

    Ajo tutje ka treguar se përvoja e ka traumatizuar dhe mungesa e përkrahjes ia shtoi stresin.

  • Hoti kritikon Qeverinë Kurti për borxhin shtetëror

    Hoti kritikon Qeverinë Kurti për borxhin shtetëror

    Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, vlerëson se asnjëri nga tre indikatorët kryesorë të borxhit shtetëror nuk është përmirësuar gjatë qeverisjes së Albin Kurtit.

    Sipas tij krahasimet duhet të bëhen mes vitit të para pandemisë 2019 dhe vitit 2023.

    “Borxhi shtetëror si përqindje e PBB-së: 17.63% në 2019 dhe 17.19% në 2023; Koha mesatare deri në maturim të borxhit: 5.29 vite në 2019 dhe 5.72 vite në 2023; Norma mesatare e interesit: 2.16% në 2019 dhe 2.44% në 2023”, ka shkruar Hoti.

    Sipas tij disbursimi i mjeteve nga marrëveshjet e borxhit gjatë viteve 2021-2023 ka qenë shumë joefektiv.

    “Vetëm gjatë vitit 2023, janë ratifikuar 8 marrëveshje në vlerë 288 milionë euro, prej të cilave 5 nuk janë as efektive ende. Vonesat në disbursim kanë ekzistuar edhe në të kaluarën, por në këtë mandat ka përkeqësim”.

    Postimi i plotë i tij:

  • “Akullnaja e Ditës së Gjykimit” po shkrihet me shpejtësi/ CNN: Shkencëtarët sigurojnë provat se kur filloi dhe pse

    “Akullnaja e Ditës së Gjykimit” po shkrihet me shpejtësi/ CNN: Shkencëtarët sigurojnë provat se kur filloi dhe pse

    Shkencëtarët janë kthyer pas në kohë për të rindërtuar jetën e “Akullnajës së Ditës së Gjykimit” të Antarktidës, e emërtuar në mënyrë të tillë pasi rënia e saj mund të shkaktojë një rritje katastrofike të nivelit të detit.

    Ata kanë zbuluar se akullnaja filloi të tërhiqej me shpejtësi në vitet 1940, sipas një studimi të ri që ofron një pasqyrë alarmante për shkrirjen e ardhshme. Akullnaja Thwaites në Antarktidën Perëndimore është më e gjera në botë dhe përafërsisht me madhësinë e Floridës. Shkencëtarët e dinin se ajo po shkrinte me një ritëm të përshpejtuar që nga vitet 1970, por për shkak se të dhënat satelitore shkojnë vetëm disa dekada, ata nuk e dinin saktësisht se kur filloi shkrirja e konsiderueshme.

    Tani ka një përgjigje për këtë pyetje, sipas një studimi të botuar të hënën në revistën Proceedings of the National Academy of Sciences. Duke analizuar bërthamat e sedimenteve detare të nxjerra nga poshtë dyshemesë së oqeanit, studiuesit zbuluan se akullnaja filloi të tërhiqej ndjeshëm në vitet 1940, me gjasë të nisur nga një ngjarje shumë e fortë El Niño – një luhatje natyrore klimatike që tenton të ketë një ndikim ngrohjeje.

    Që atëherë, akullnaja nuk ka qenë në gjendje të rikuperohet, gjë që mund të pasqyrojë ndikimin në rritje të ngrohjes globale të shkaktuar nga njerëzit, sipas raportit. Ajo që ndodh me Thwaites do të ketë jehonë globale. Akullnaja tashmë kontribuon me 4% të rritjes së nivelit të detit pasi hedh miliarda tonë akull në vit në oqean. Rënia e plotë e tij mund të rrisë nivelin e detit me më shumë se 0.7 metër. Por ai gjithashtu luan një rol jetik në stabilitetin e Akullit të Antarktikut Perëndimor, duke vepruar si një tapë që mban pjesën e madhe të akullit pas saj. Rënia e Thwaites do të minonte stabilitetin e shtresës së akullit, e cila mban mjaftueshëm ujë për të rritur nivelin e detit me të paktën 10 metra, duke shkaktuar përmbytje katastrofike globale.

    Gjetjet e studimit përputhen me kërkimet e mëparshme në akullnajën fqinje të Pine Island, një nga rrjedhat më të mëdha të akullit në Antarktidë, që shkencëtarët zbuluan gjithashtu se filloi të tërhiqej me shpejtësi në vitet 1940. Kjo e bën kërkimin të rëndësishëm, tha Julia Wellner, profesoreshë e asociuar e gjeologjisë në Universitetin e Hjustonit dhe një nga autorët e studimit. Ajo që po ndodh me Thwaites nuk është specifike për një akullnajë, por pjesë e kontekstit më të madh të një klime në ndryshim, tha ajo për CNN.

    “Nëse të dyja akullnajat po tërhiqen në të njëjtën kohë, kjo është një provë e mëtejshme se ato në të vërtetë po detyrohen nga diçka,” tha Wellner.

    Për të krijuar një pamje të jetës së Thwaites gjatë gati 12,000 viteve të fundit, shkencëtarët morën një anije akullthyese afër buzës së akullnajës për të mbledhur bërthamat e sedimentit të oqeanit nga një sërë thellësish. Këto bërthama ofrojnë një afat kohor historik. Çdo shtresë jep informacion rreth oqeanit dhe akullit që daton mijëra vjet më parë. Duke skanuar dhe datuar sedimentet, shkencëtarët ishin në gjendje të përcaktonin se kur filloi shkrirja e konsiderueshme.

    Nga ky informacion, ata besojnë se tërheqja e Thwaites u nis nga një El Niño ekstrem që ndodhi në një kohë kur akullnaja ka të ngjarë të ishte tashmë në një fazë shkrirjeje, duke e rrëzuar atë jashtë ekuilibrit. “Është disi sikur të shkelmohen kur tashmë je i sëmurë, do të ketë një ndikim shumë më të madh,” tha Wellner. Gjetjet janë alarmante sepse ato sugjerojnë se sapo të shkaktohen ndryshime të mëdha, është shumë e vështirë t’i ndalosh ato, tha James Smith, një gjeolog detar në Antarktikun Britanik dhe një bashkautor i studimit.

    “Pasi të vihet në lëvizje një tërheqje e shtresës së akullit, ajo mund të vazhdojë për dekada, edhe nëse ajo që filloi nuk përkeqësohet”, tha ai për CNN.

    Ndërsa tërheqje të ngjashme kanë ndodhur shumë më larg në të kaluarën, shtresa e akullit u rikuperua dhe u ripërtëri, tha Smith. Por këto akullnaja “nuk tregojnë shenja rikuperimi, gjë që ka të ngjarë të pasqyrojë ndikimin në rritje të ndryshimeve klimatike të shkaktuara nga njeriu”.

    Ted Scambos, një akullnajalog në Universitetin e Kolorados Boulder, i cili nuk ishte i përfshirë në hulumtim, tha se studimi konfirmon dhe shton detaje në të kuptuarit tonë se si filloi tërheqja e Thwaites. Një sistem që tashmë ishte afër të qenit i paqëndrueshëm “mori një goditje të madhe nga një ngjarje kryesisht natyrore”, tha Scambos, duke iu referuar El Niño. “Ngjarjet e mëtejshme që lindin më shumë nga prirja e ngrohjes së klimës i çuan gjërat më tej dhe filluan tërheqjen e përhapur që po shohim sot,” tha ai për CNN.

    Martin Truffer, një profesor i fizikës në Universitetin e Alaskës Fairbanks, tha se hulumtimi tregon nëse një akullnajë është në një gjendje të ndjeshme, “një ngjarje e vetme mund ta rrëzojë atë në një tërheqje nga e cila është e vështirë të rikuperohet”.

    “Njerëzit po ndryshojnë klimën dhe ky studim tregon se ndryshimet e vogla të vazhdueshme në klimë mund të çojnë në ndryshime hap pas hapi në gjendjen e akullnajave,” tha Truffer, i cili nuk ishte i përfshirë në hulumtim.

    Antarktida quhet nganjëherë “gjigandi i fjetur”, sepse shkencëtarët ende po përpiqen të kuptojnë se sa i prekshëm mund të jetë ky kontinent i akullt dhe i izoluar ndërsa njerëzit ngrohin atmosferën dhe oqeanet.

    Wellner është një gjeologe – ajo fokusohet në të kaluarën dhe jo në të ardhmen – por ajo tha se ky studim jep një kontekst të rëndësishëm dhe alarmues për atë që mund të ndodhë me akullin në këtë zonë jetike të Antarktidës.

    Ajo tregon se edhe nëse një shkas për shkrirjen e shpejtë ka përfunduar, kjo nuk do të thotë se përgjigja ndalon. “Pra, nëse akulli është tashmë në tërheqje sot,” tha ajo, “vetëm sepse ne mund të ndalojmë ngrohjen, ai mund të mos ndalojë tërheqjen e tij.” /TCH

  • Disa pjesëtarë të KFOR-it kanosen në Prizren, policia jep detaje

    Disa pjesëtarë të KFOR-it kanosen në Prizren, policia jep detaje

    Disa pjesëtarë të KFOR-it, derisa kanë qenë duke qëndruar në një lokal janë kanosur dje nga dy të dyshuar në fshatin Lubiqevë të Prizrenit.

    Policia e Kosovës, në raportin e saj 24-orësh thuhet se pas një pune hetimore janë ndaluar dhe arrestuar të dyshuarit.

    “Pas intervistimit të dyshuarit me vendim të prokurorit janë dërguar në mbajtje”, thuhet në raport.

    Gjatë kontrollit në shtëpinë e njërit nga të dyshuarit është gjetur dhe sekuestruar një pushkë gjuetie, derisa rasti është nën hetime.

    “Fsh. Lubiqevë, Prizren 26.02.2024 – 09:00. Disa pjesëtarë të KFOR-it, derisa kanë qenë duke qëndruar me një lokal, dy të dyshuar meshkuj kosovarë i kanë kanosur. Të dyshuarit janë larguar nga vendi i ngjarjes. Pas një pune hetimore janë ndaluar dhe arrestuar dy të dyshuarit meshkuj kosovarë. Pas intervistimit të dyshuarit me vendim të prokurorit janë dërguar në mbajtje. Gjatë kontrollit në shtëpinë e njërit nga të dyshuarit është gjetur dhe sekuestruar pushkë gjuetie. Rasti nën hetime”, thuhet në raport.

  • Prepolli: Ballkani nuk bën dot pa Ilir Dajën, ai bëri diçka që nuk kishte ndodhur kurrë në Kosovë

    Prepolli: Ballkani nuk bën dot pa Ilir Dajën, ai bëri diçka që nuk kishte ndodhur kurrë në Kosovë

    Analisti i përhershëm i emisionit ‘EKIPI A’ Arsim Prepolli ka komentuar vazhdimin e kontratës nga Ballkani me trajnerin Ilir Daja.

    Prepolli ka deklaruar që Ballkani nuk bën dot pa Ilir Dajën dhe se ky klub ka shkruar historinë nën drejtimin e strrategut të lindur në Tiranë.

    ‘Veprim shumë i duhur sepse e dina se çfarë ka bërë Ilir Daja me klubin e Ballkanit. Po te isha unë në kryesi të Ballkanit edhe mos me dal në Evropë nuk e kisha shkarku këtë trajner. Ilir  bëri diçka që nuk kishte ndodhur kurrë në Kosovë’ tha Prepoilli.

    Kujtojmë që Ilir Daja dhe Ballkani e kanë vazhduar bashkëpunimin deri në vitin 2026.