ATV

Author: ATVLive

  • Kastriot Rexha nuk beson se ndonjë klub ka bërë ofertë prej 1.7 milionë euro për Hazrollaj

    Kastriot Rexha nuk beson se ndonjë klub ka bërë ofertë prej 1.7 milionë euro për Hazrollaj

    Analisti i përhershëm i emisionit ‘EKIPI A’ në ATV, Kastriot Rexha duke e analizuar ndeshjen Malisheva – Feronikeli 74, të cilën Malisheva e fitoi 2:1 me golat e futbollistit Drilon Hazrollaj ka deklaruar që 20 vjeçari po e bën dallimin te skuadra e trajnerit Qendrim Kida.

    Megjithatë, Rexha ka thënë se nuk beson në shifrat te cilat po përmenden në media që Malishevës i ka ardhur oferta 1.7 milionë euro për 20 sulmuesin.

    ‘Hazrollaj është duke e marrë përsipër në një moshë kaq te re barrën e skuadrës pasi po është vendimtar me golat e tij. Mendoj që është lojtari më i vlefshëm i kampionatit tonë. Ka cilësi shumë të mira indivudale, ka teknikë  mirë po ashtu e nuhat golin. Nëse Malisheva del në Evropë unë mendoj që këtij lojtari do t`i rritet vlera. Unë kam lexuar lajme se Malishevës i ka ardhur një ofertë mbi 1 milionë, por unë mendoj që nuk janë të vërteta aspak. Me qenë një milionë këta nuk e fusin në lojë thonë hajdeni merreni’ tha Rexhaj.

    Kujtojmë që vet trajneri Qendrim Kida në një nga emisionet sporitive në Kosovë kishte deklaruar që për lojtarin ka ardhur oferta 1.7 milionë.

    Mbetet për tu parë në merkaton e verës se ku do të transferohet sulmuesi.

  • Anulohet seanca e sotme ndaj ish-krerëve të UÇK-së

    Anulohet seanca e sotme ndaj ish-krerëve të UÇK-së

    Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, dje ka vazhduar seancës gjyqësore në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit. Kurse seanca e paraparë për sot është shtyrë më 28 shkurt.

    Dje, në Dhomat e Specializuara e ka dëshmuar dëshmitari i mbrojtur, i 47-ti me radhë, i Zyrës së Prokurorit të Specializuar. Prokurorja Sarah Clanton, në përmbledhjen për dëshmitarin e prezantoi atë si banor të Prizrenit që është ndaluar e keqtrajtuar prej pjesëtarëve të UÇK-së.

    Në seancën e djeshme është folur edhe për ecurinë e çështjes, ku u bë e ditur se seanca e paraparë për sot është shtyrë. Kryetari i trupit gjykues, njoftoi të hënën se dëshmia e dëshmitarit të radhës do të dëgjohet të mërkurën, më 28 shkurt, përmes video-lidhjes.

    Në çështjen gjyqësore Thaçi dhe të tjerët, për këtë javë ishin paraparë të mbahen tri seanca, por me gjasë do të mbahen vetëm dy, kjo pasi që seanca e 27 shkurtiti është shtyrë për nesër.

    Gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së ka nisur më 3 prill të vitit të kaluar, kurse të akuzuarit janë deklaruar të pafajshëm.

    Aktakuza e parë kundër katër të akuzuarve u konfirmua më 26 tetor 2020 dhe u bë publike më 5 nëntor 2020. Sipas aktakuzës, krimet e paraqitura në të u kryen më së paku prej marsit 1998 deri në shtator 1999 në disa vendndodhje në Kosovë, si edhe në Kukës dhe Cahan, në Shqipërinë Veriore.

  • Del raporti i policisë për vdekjen e 26 vjeçarit në Prishtinë

    Del raporti i policisë për vdekjen e 26 vjeçarit në Prishtinë

    Një i ri ka vdekur dje si pasojë e një aksidenti në rrugën “Agim Ramadani”, në Prishtinë.

    Sipas policisë lidhur me rasti është arrestuar një grua dhe e njëjta është dërguar në mbajtje.

    Ndërkaq, trupi i të riut është dërguar në IML për obduksion.

    “Rr. Agim Ramadani, Prishtinë 26.02.2024 – 12:50. E dyshuara femër kosovare duke e drejtuar veturën e saj ka goditur këmbësorin mashkull kosovar, i cili si pasojë e lëndimeve të marra ka ndërruar jetë. Vdekjen e viktimës e ka konstatuar mjeku kujdestar. Ndërsa me vendim të prokurorit e dyshuara është arrestuar dhe është dërguar në mbajtje, kurse trupi i pa jetë është dërguar për obduksion në IML-Prishtinë. Rasti nën hetime”, thuhet në raportin e policisë.

  • Osmani do ta përfaqësojë Kosovën në samitin për Ukrainën në Tiranë

    Osmani do ta përfaqësojë Kosovën në samitin për Ukrainën në Tiranë

    Sonte në Shqipëri, pritet të arrijë presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy, i cili do të pritet nga kryeministri Edi Rama.

    Në Samitin e parë mes Ukrainës dhe gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor që mbahet në Tiranë, e pranishme do të jetë edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

    Kjo është konfirmuar për klan kosova nga presidenca.

    Ndërkohë, pak ditë më parë në një mesazh në platformën “X”, kreu i shtetit të Ukrainës vlerësoi mbështetjen e Shqipërisë ndaj Ukrainës dhe shprehu padurimin për një të ardhme më të sigurt për gjithë Evropën. Shqipëria ka vendosur disa sanksione ndaj Rusisë, ndërsa ka dënuar luftën e saj në Ukrainë.

  • ​Abetarja e parë në gjuhën shqipe u botua para 127 viteve

    ​Abetarja e parë në gjuhën shqipe u botua para 127 viteve

    Që në fillimet e lëvizjes për çlirim nga Turqia, çështja e alfabetit doli në plan të parë: pa të nuk mund të flitej për Rilindje të popullit shqiptar, prandaj me nismën e Sami Frashërit, Jani Vretos e Pashko Vasës, më 27 shkurt 1897 u botua në Stamboll “Alfabetarja e gjuhës shqipe”

    Nëse i kthehemi të shkuarës, shohim se me 27 shkurt 1897, me nismën e Sami Frashërit, Jani Vretos dhe Pashko Vasës, u botua në Stamboll “Alfabetarja e gjuhës shqipe”.

    Që të kuptojmë rëndësinë e këtij botimi, duhet të kthehemi pas në kohë e në histori dhe të kujtojmë se shqipja, me sa dokumentohet deri tani, filloi të shkruhet që nga shekulli XV me alfabetin latin, të plotësuar me pesë shkronja të posaçme. U shkrua dhe me shkronja greke, e pas pushtimit turk, edhe me alfabetin turko-arab. Rruga tjetër që u ndoq, është ajo e krijimit të alfabeteve origjinale me përhapje të kufizuar. Që në fillimet e lëvizjes për çlirim nga Turqia, çështja e alfabetit doli në plan të parë: pa të nuk mund të flitej për Rilindje të popullit shqiptar, prandaj me nismën e Sami Frashërit, Jani Vretos e Pashko Vasës, më 27 shkurt 1897 u botua në Stamboll “Alfabetarja e gjuhës shqipe”.

    Sipas Radio Vatikanit, ky botim ishte një nga veprimtaritë më të rëndësishme të patriotëve shqiptarë të Stambollit, të cilët më 12 tetor 1879 themeluan “Shoqërinë e të Shtypurit të Shkronjave Shqip”, shoqëri kulturore që kishte për synim të nxiste zhvillimin e kulturës në gjuhën shqipe dhe ta vinte atë në shërbim të çështjes së çlirimit kombëtar nga Turqia.

    Me alfabetin, plotësonte një nga kërkesat bazë për përhapjen e propagandës atdhetare dhe i hapte rrugën botimeve të para serioze të Rilindjes sonë Kombëtare. Në gjirin e saj bashkëpunuan myslimanë të mëdhenj si vëllezërit Frashëri, katolikë të shquar, si Pashko Vasë Shkodrani e ortodoksë të mësuar e atdhetarë si Jani Vreto: ishte pra model i bashkëpunimit ndërmjet feve në shërbim të Atdheut. Gjithsesi çështja e alfabetit të shqipes do të zgjidhej përfundimisht vetëm me Kongresin e Manastirit, që u mblodh më 14 nëntor 1908, ku u hartua një alfabet i ri me shkronja latine. Është alfabeti që përdorin edhe sot e kësaj dite të gjithë ata që shkruajnë shqip.

  • Driton Latifi: Reagimet e tij tregojnë sa shumë e ka pasion futbollin Tahir Batatina

    Driton Latifi: Reagimet e tij tregojnë sa shumë e ka pasion futbollin Tahir Batatina

    Driton Latifi i ftuar në emisionin e sportit ‘EKIPI A’ në ATV, i ka komentuar reagimet të cilat i bën trajneri i Llapit, Tahir Batatina.

    Sipas gazetarit Driton Latifi, Tahir Batatina e ka pasion futbollin.

    ‘Unë mendoj që Tahiri është pasionant i futbollit, nuk mjafton me qenë veç profesionist, unë i shoh reagimet e tij ndoshta për dikë janë të tepruar, por unë e shoh si pasion’ tha Latifi.

    Emisionin live ‘EKIPI A’ mund të ndiqeni më poshtë.

  • Burri i Shkurte Fejzës: Sot u lirova nga spitali, falë Zotit shpëtova pa pasoja të rënda

    Burri i Shkurte Fejzës: Sot u lirova nga spitali, falë Zotit shpëtova pa pasoja të rënda

    Hajrush Behluli, burri i këngëtares Shkurte Fejza u godit nga një veturë të premten në Prizren.

    Ndërkaq, sot ai për herë të parë ka folur pas aksidentit të ndodhur.

    Ai tha se “falë zotit ka shpërtuar pa pasoja të rënda”.

    Behluli theksoi se sot u lirua nga spitali, derisa tha se gruaja dhe fëmijët kishin përjetuar skena të dhimbshme.

    “E mendoj sa vlerë të madhe ka të jesh mes njerëzve tu e të mos lodhesh për asgjë veq shëndetit. Ju faleminderit për kujdesin, thirrjet, vizitat dhe gjithçka që keni bërë në përkrahjen time dhe të familjes. Uroj që mos ta përjetojë askush të keqen. Zoti ju ruajtë e ju bekoftë kudo që jeni”, tha ai.

  • Ekskluzive: Alban Lumi tregon kush ishte pengesa e vetme e Ilir Dajës te Ballkani

    Ekskluzive: Alban Lumi tregon kush ishte pengesa e vetme e Ilir Dajës te Ballkani

    Analisit i përhershëm i emisionit ‘EKIPI A’ Alban Lumi ka treguar se kush ishte pengesa e vetme e Ilir Dajës te skuadra e Ballkanit.

    Lumi ka treguar që ish ndihmësi i Dajës, Artim Polozhani,ishte ai me të cilin Daja kishte krisur raportet.

    ‘Është koha ta themi publikisht, Ilir Daja kishte një pengesë ajo pengesë ishte Artim Pollozhani dhe gjatë përgaditjeve trajneri Daja vendosi për pjesën e dytë të kampionatit ta largojë nga ekipi i trajnerëve Pollozhanin dhe Arim Pollozhani ka vazhduar të mbetet pjesë e Ballkanit deri sot’ tha Lumi.

    Kur jemi te Ballkani, Kujtojmë që sot drejtuesit e këtij klubi ia vazhduan kontratën deri në verën e vitit 2026, trajnerit Ilir Daja.

    Emisionin e plotë ‘EKIPI A’ mund ta shikoni më poshtë.

  • Ish komandanti i UÇK-së e quan kryeministrin Kurti veteran mashtrues

    Ish komandanti i UÇK-së e quan kryeministrin Kurti veteran mashtrues

    Raporti: Nora Luta

    Pak pyetje kishte mbrojtja e Agim Çekut ndaj Daut Haradinajt, me kërkesë të së cilës edhe u ftua të dëshmojë në rastin “Veteranët”.

    Duke u përgjigjur në pyetjet e avokatit Ramë Gashi, Haradinaj tha se anëtarët e Komisionit Qeveritar, të akuzuar në këtë rast nuk janë përgjegjës për asnjë veteran të rrejshëm, duke ua vënë barrën zinxhirit komandues në nivel të zonave.

    Ish-eprori UÇK-së në zonën e Dukagjinit, tha se sa ishte deputet e kishte kundërshtuar ligjin, që sipas tij krijoi konfuzion.

    Mbrojtja pati disa herë kundërshtime në pyetjet e prokurorit special, Valdet Gashi, por nuk u aprovuan nga Gjykata, e cila lejoi Haradinajn të përgjigjet.
    Ndonëse, Haradinaj tha se kontribuoi në dizajnimin e aplikacionit, kur u ballafaqua me një të tillë që e kishte nënshkrimin e tij, tha se nuk i kujtohet.

    Tutje, Haradinaj, duke u përgjigjur në pyetjen rreth përcaktimit ligjor për të arrestuarit politik, iu referua kryeministrit Albin Kurti si mashtrues.

    “Përpos kryeministrit Kurti që është veteran mashtrues, për të tjerët nuk më kujtohet”, tha Haradinaj.

    Të akuzuarit shpesh dhanë komente gjatë dëshmisë, për çka kryetari i trupit gjykues Gazmend Bahtiri u tërhoqi vërejtjen, por jo edhe kur Shukri Buja i tha prokurorit që nuk ka njohuri për strukturën ushtarake.

    Gjykimi ndaj Agim Çekut, Nuredin Lushtakut dhe të tjerëve do të vazhdojë edhe të mërkurën.

    Apeli e ktheu rastin në rigjykim, pasi shkalla e parë i kishte liruar të gjithë të akuzuarit.

  • Qeveria synon ta bartë pronësinë e KOSTT-it nga kuvendi te Ministria e Financave

    Qeveria synon ta bartë pronësinë e KOSTT-it nga kuvendi te Ministria e Financave

    Përgatiti: Fatlum Jashari

    Qeveria synon që pronësinë e aksioneve të Operatorit të Sistemit të Transmisionit – KOSTT ta bartë nga Kuvendi te Ministria e Financave.

    Pushteti ekzekutiv synon që këtë ta bëjë nëpërmjet ndryshimeve në propozuara në Projektligjin për Energjinë Elektrike, i cili është vënë në konsultim publik.

    Projektligji i sponsorizuar nga Ministria e Ekonomisë parasheh që, brenda 60 ditësh nga hyrja eventuale në fuqi, Kuvendi të iniciojë procedurën për bartje të së drejtës së pronësisë.

    “Aktualisht, Operatori i Sistemit të Transmetimit të Energjisë Elektrike i raporton Kuvendit të Republikës së Kosovës. Për t’u siguruar që monitorimi e funksionimi i ndërmarrjes të bëhet në mënyrë optimale e efiçiente, si dhe për të liruar Kuvendin nga barra e mbikëqyrjes, kemi paraparë bartjen e të drejtës së pronësisë së KOSTT-it, te Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve”, tha Edita Pozhegu, këshilltare e Ministres së Ekonomisë.

    Referuar praktikave evropiane, eksperti i energjisë, Arben Kllokoqi, tha se kërkohet për dy ose më shumë ndërmarrje publike në sektorin e njëjtë, së paku, pronësinë ta mbajnë ministri të ndryshme.

    “Në rast se Qeveria ka asete edhe në transmision, dhe ka pronësi në gjenerim, apo në ndonjë biznes tjetër që ka të bëjë më prodhimin apo shitjen e energjisë elektrike, atëherë praktikë është që të jenë dy ministri të ndryshme. Në disa raste mund të jenë fonde të ndryshime, siç është rasti në Francë. Dhe, në këtë mënyrë arrihet përputhshmëria me direktivën. Megjithatë, përputhshmëria duhet të vlerësohet nga Sekretariati i Komunitetit të Energjisë”, tha Kllokoqi.

    Kllokoqi theksoi se, para hyrjes në fuqi të ligjit, duhet një lloj certifikimi nga Komuniteti i Energjisë në Vjenë për të shmangur elemente eventuale të monopolit.

    “Përveç konkludimit parimor se është në përputhje, duhet të shikohet se çfarë vendime, si vendoset bordi, çfarë vendime mund të marrë bordi dhe çfarë ndikimi ministritë përkatëse mund të kenë, apo edhe qeveria mund të ketë në vendimet e ndërmarrjes?”, tha Kllokoqi.

    Të hënën, në KOSTT nuk u përgjigjën lidhur me ndryshimet e propozuara.

    Ndërsa, qëndrim nuk dhanë as deputetë të dy partive opozitare, PDK e LDK.