ATV

Zveçan, kryetari Ilir Peci synon të kthehet në objektin e komunës

Written by

in

Përgatiti: Driton Sadiku

Ndërtesa e Komunës së Zveçanit tashmë po sigurohet vetëm nga Policia. Pjesëtarët e KFOR-it janë larguar, meqë vlerësuan se situata është stabilizuar.

Për të marrë shërbime në komunë, qytetarëve të komunitetit serb u duhet të shkojnë në objektin e improvizuar në fshatin Lipë, mbi 5 km larg nga qendra.

Megjithatë, kryetari Ilir Peci po planifikon të zhvendoset në objektin e Komunës, tash pas largimit të KFOR-it.

“Në koordinim me ambasadorët do të marrim vendimin e duhur, por jo të shpejtë që të gabojmë, kështu që besoj që do të shkojmë”, tha Peci.

Peci thotë se ka komunikim të vazhdueshëm me qytetarë, gjë që i jep besim se prezenca e tij në komunë nuk mund të risjellë tensione.

“Tash kemi pothuajse çdo ditë takime me qytetarët serbë, nuk është ajo frymë e cila ka qenë te qytetarët serbë dhe besoj që nuk do të përsëritet e njëjta gjë”, tha Peci.

Sidoqoftë, në afërsi të objektit qytetarët serbë ndonëse më të paktë në numër, vazhdojnë të qëndrojnë në të njëjtat tenda që i vendosën në maj, kur kundërshtuan zgjedhjen e Pecit kryetar.

Largimi i KFOR-it nga objekti i komunës, thonë se nuk përbën ndonjë ndryshim për ta.

“Sipas meje, largimi i tyre nuk do të ketë ndikim në ndryshimin e gjendjes. Siguria është në nivel, edhe sikur të rrinin asgjë nuk do të ndryshonte”.

Rreth deeskalimit në veri, shefi i diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrell, tha se përpjekjet dështuan edhe një herë në takim me kryeministrin Albin Kurti e presidentin serb Aleksandër Vuqiq, më 16 shkurt, pas Konferencës së Sigurisë në Munih.

Comments

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *