ATV

Author: ATVLive

  • ​Borxhi i Bullgarisë në 2024 ishte 24.1% e PBB-së, tregojnë të dhënat preliminare

    ​Borxhi i Bullgarisë në 2024 ishte 24.1% e PBB-së, tregojnë të dhënat preliminare

    Borxhi i Qeverisë së Bullgarisë për vitin 2024 arriti në 48.846 miliardë leva (BGN – valutë bullgare), ose 24.1% e PBB-së, sipas të dhënave paraprake mbi deficitin/fazllikun dhe borxhin për sektorin e përgjithshëm qeveritar për vitin 2024, të publikuara të martën nga Instituti Kombëtar i Statistikave (NSI).

    Borxhi i vendit në vitin 2023 ishte 42.383 miliardë leva, që përbënte 23.1% të PBB-së, sipas agjencisë bullgare të lajmeve BTA.

    Në vitin 2024, sektori institucional i Qeverisë së Përgjithshme raportoi një deficit prej 6.158 miliardë leva, ose 3.0% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB). Deficiti në nënsektorin e Qeverisë Qendrore arriti në 5.277 miliardë leva, ose 2.6% të PBB-së. Një vit më parë ai ishte 3.454 miliardë leva, ose 1.9% e PBB-së, dhe 3.375 miliardë leva, ose 1.8% e PBB-së, përkatësisht, përcjell KosovaPress.

    Nënsektori i Qeverisë Vendore raportoi një deficit prej 810 milionë leva dhe nënsektori i Fon¬deve të Sigurimeve Shoqërore një deficit prej 71 milionë leva. Në vitin 2023, deficiti në nënsektorin e Qeverisë Vendore ishte 201 milionë leva, ndërsa nënsektori i Fondeve të Sigurimeve Shoqërore regjistroi një suficit prej 121 milionë leva.

  • Prokuroria kërkon paraburgim ndaj personit të dyshuar për keqpërdorim të pozitës zyrtare në Prizren

    Prokuroria kërkon paraburgim ndaj personit të dyshuar për keqpërdorim të pozitës zyrtare në Prizren

    Prokuroria Themelore në Prizren në bashkëpunim me policinë dje kanë arrestuar të dyshuarin A.H., dhe për të njëjtin ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Prizren, caktimin e masës së paraburgimit në afat prej 30 ditësh, raporton KP.

    Sipas Prokurorisë, A.H., ishte arratisur nga Republika e Kosovës që nga viti 2021, dhe ndaj tij kishte urdhër-arrest dhe letër-rreshtim (vendor e ndërkombëtar).

    “I njëjti, është arrestuar për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprat penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”. Sipas kërkesës i pandehuri, A.H., si person zyrtar, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar i tejkalon kompetencat e tij me qëllim që të përfitoj çfarëdo dobie për vete dhe që t’i shkaktojë dëm personit tjetër, në atë mënyrë që në cilësinë e analistit kreditor në njërin prej institucioneve Mikro-Financiare në Prizren, në vazhdimësi prej periudhës kohore 06.10.2016 e deri me datë 11.12.2019, duke rregulluar dokumentacionin për aplikim për kredi të dyzet (40) personave/të dëmtuarve, të njëjtëve paraprakisht ua keqpërdor të dhënat personale dhe kundërligjshëm ua përvetëson të hollat, të cilat i kishin marrë përmes kredive, i cili në total, kundërligjshëm dyshohet se ka përvetësuar shumën e të hollave prej 150,660.61€ (Njëqind e pesëdhjetë mijë e gjashtëqind e gjashtëdhjetë euro e gjashtëdhjetë e një cent), duke u shkaktuar të dëmtuarve dëme të konsiderueshme pasurore”, thuhet në komunikatë, transmeton KP.

    Sipas prokurorisë, më këto veprime, i njëjti ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” sipas KPRK-së.

    “Po ashtu, A.H., si person zyrtar, në dokumentin zyrtar shënon të dhëna të rreme, në atë mënyrë që me datë 25.01.2019, në ambientet e institucionit Mikro-Financiar në Prizren, përpilon kontratën për kredi, për shfrytëzuesen e kredisë – të dëmtuarën, pa qenë ajo fare prezente dhe në rubrikën ku figuron nënshkrimi i huamarrëses – në vend të saj shënon me dorën e tij emrin e të dëmtuarës, dhe në vend të bashkëhuamarrëses – të dëmtuarës, po ashtu me dorën e tij e shënon emrin dhe mbiemrin e saj. Me këto veprime, ka kryer veprën penale “Falsifikimi i dokumentit zyrtar”sipas KPRK-së”, thuhet në komunikatë.

    Siç njofton Prokuroria, “Gjithashtu, A.H., me anë të paraqitjes së rreme të fakteve apo duke i fshehur faktet dhe me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete dhe duke i shkaktuar dëm financiar personave tjerë, i mashtron të njëjtit duke i nxitur që të kryejnë veprime në dëm të pasurisë së tyre, në atë mënyrë që në vend dhe periudhë të njejtë kohore të përshkruar si më lart, dyshohet se ka arritur të përfitojë shumën e të hollave prej 150,660.61 € (Njëqind e pesëdhjetë mijë e gjashtëqind e gjashtëdhjetë euro e gjashtëdhjetë e një cent), duke u shkaktuar dëme të konsiderueshme pasurore. Në këtë mënyrë, i njëjti ka kryer veprën penale “Mashtrimi” sipas KPRK-së”.

    Në fund thuhet se Prokuroria Themelore në Prizren, vazhdon të mbetet e përkushtuar në luftën ndaj kriminalitetit, forcimin e sundimit të ligjit dhe vënien para drejtësisë të të gjithë atyre që bien ndesh me ligjin.

  • ​Kosova U16 shënon fitoren e dytë radhazi në turneun zhvillimor të UEFA-s

    ​Kosova U16 shënon fitoren e dytë radhazi në turneun zhvillimor të UEFA-s

    Kombëtarja e Kosovës U16 ka vazhduar me paraqitje mbresëlënëse në kuadër të turneut zhvillimor të UEFA-s, duke shënuar edhe fitoren e dytë radhazi. Të përzgjedhurit e trajnerit Mehmed Kurda mposhtën Andorrën, me rezultat 2:1, në një ndeshje ku dominuan me lojë dhe karakter.

    Heroi i kësaj sfide ishte Unejs Mustafa, i cili realizoi të dy golat për Dardanët e rinj. Ai kaloi Kosovën në epërsi në minutën e 40-të, ndërsa e dyfishoi epërsinë në fillim të pjesës së dytë (48’), kur shënoi edhe golin e dytë personal dhe të ekipit, duke i siguruar Kosovës epërsinë e nevojshme për fitore.

    Pas ndeshjes, Mustafa u shpreh i lumtur për golat dhe fitoren: “Jam shumë i lumtur që i kam dhënë dy gola. Është fitorja e dytë me Kombëtaren e Kosovës dhe shpresoj të ecim kështu. Besoj se edhe në ndeshjen e tretë kundër Shqipërisë do të arrijmë sukses”.

    Në minutat e fundit të ndeshjes, Andorra arriti të shënojë një gol për ta ngushtuar rezultatin në 2:1, por pa arritur të rrezikojë seriozisht fitoren e Kosovës.

    Trajneri Mehmed Kurda u shpreh i kënaqur me angazhimin dhe karakterin e treguar nga lojtarët e tij: “Edhe sot djemtë treguan një karakter të fortë. Edhe pse patëm një kundërshtar jashtëzakonisht të fortë dhe të papërshtatshëm, ia arritëm të fitojmë 2:1. I përgëzoj djemtë për përkushtimin dhe paraqitjen dinjitoze në këtë turne”.

    Ndeshjen e fundit në këtë turne zhvillimor, Kosova U16 do ta luajë më 25 prill kundër Shqipërisë, ku synon ta mbyllë me sukses të plotë këtë paraqitje të shkëlqyer.

  • Mbyllet restoranti i Milan Radoiçiqit në veri të Mitrovicës

    Mbyllet restoranti i Milan Radoiçiqit në veri të Mitrovicës

    Milan Radoiçiq, një biznesmen kontrovers, i cili pas konfliktit të armatosur në Banjskë, u tërhoq nga të gjitha kompanitë në Serbinë qendrore dhe ia la ato Zvonko Veselinoviqit, i dha fund edhe biznesit të tij në Kosovë. Nova raporton se restoranti “Grej”, i cili drejtohej nga bashkëshortja e tij Ema Radoiçiq, është mbyllur zyrtarisht

    Milan Radoiçiq është ende i lirë, edhe pse kundër tij janë duke u zhvilluar procedura penale si në Beograd ashtu edhe në Kosovë për shkak të rastit Banjska dhe vdekjes së katër personave. Ai mori përgjegjësinë për sulmin ndaj Policisë së Kosovës që ndodhi më 24 shtator 2023.

    Ndonëse kanë kaluar një vit e gjysmë nga ajo ngjarje, hetimet në Serbinë qendrore po ngecin. Ende nuk ka aktakuzë.

    Në anën tjetër, i është konfiskuar e gjithë pasuria në Kosovë, e vlerësuar në 3.4 milionë euro dhe sipas Agjencisë Kosovare për Menaxhimin e Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara, vetëm vila në liqenin e Gazivodës kap vlerën e rreth dy milionë euro.

    Restoranti “Grey”, i cili gjendet në Mitrovicën veriore, kap vlerën e rreth 400 mijë eurove.

    Siç tregojnë të dhënat nga APR, ai është fshirë nga regjistri dhe është mbyllur.

    Milan Radoiçiq tani zyrtarisht nuk zotëron asnjë kompani, pasi ai transferoi aksionet e tij në gjithsej pesë kompani te Zvonko Veselinoviq dhe vëllai i tij Zharko.

    Në të njëjtën kohë, gruaja e tij doli si investitore në një vilë në Dedinje, ndërtimi i së cilës do të kushtojë rreth 310 milionë dinarë ose 2.65 milionë euro.

    Ajo pronë në bulevardin ‘Princ Aleksandar Karagjorgjeviq’ ishte regjistruar si pronë e përbashkët e Milan Radoiçiqit dhe gruas së tij Ema, por ndërkohë ai ia kaloi asaj pronën. Në afërsi të vilës ndodhet edhe një mur me Ljiljana Bozhoviqin gruan e Zvonko Veselinoviq, Nikola Petroviq – kumbari i Presidentit Aleksandar Vuçiqit.

  • Albulena Haxhiu shkon në Institut të Mjekësisë, thotë se po renovohet për herë të parë që nga 2005’ta

    Albulena Haxhiu shkon në Institut të Mjekësisë, thotë se po renovohet për herë të parë që nga 2005’ta

    Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka shpërndarë fotografi nga objekti i Institutit të Mjekësisë Ligjore, i cili është në renovim.

    Ajo ka thënë se renovimi është në vlerë prej rreth 1 milion euro.

    “Sot nga afër përcjellëm punimet e renovimit të objektit të Institutit të Mjekësisë Ligjore. Për herë të parë që nga viti 2005 po bëhen renovimet në objektin e Institutit të Mjekësisë Ligjore, në vlerë prej rreth 1 milion euro. Shpreh mirënjohjen time për secilin që ka kontribuar në jetësimin e këtij projekti madhor dhe aq të rëndësishëm. Renovimi po realizohet në përputhje të plotë me standardet më të larta profesionale dhe teknike, me qëllim të krijimit të kushteve moderne për punë, si dhe ofrimin e shërbimeve më cilësore në fushën e mjekësisë ligjore.”

  • Nesër konferenca e parë pas paraqitjes së provave nga ZPS-ja në rastin e ish-krerëve të UÇK-së

    Nesër konferenca e parë pas paraqitjes së provave nga ZPS-ja në rastin e ish-krerëve të UÇK-së

    Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, të mërkurën më 23 prill pritet të mbahet konferenca e parë për ecurinë e çështjes pasi që Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) ka përfunduar paraqitjen e provave në rastin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

    Në këtë konferencë, pritet të diskutohet për hapat procedural pas përfundimit të paraqitjes së provave nga ZPS, pasi edhe mbrojtja ka njoftuar se do të bëjë kërkesë për rrëzimin e një ose më shumë akuzave në aktakuzë, raporton “Betimi për Drejtësi“.

    Ndryshe, sipas Rregullores së procedurave dhe provës, në varësi të vendimit për këto mocione, mbrojtësi i viktimave do të ketë mundësinë që t’i paraqes provat e veta, të cilën të drejtë ka paralajmëruar se do ta shfrytëzojë.

    Po ashtu, edhe mbrojtja e të akuzuarve ka thënë se planifikojnë që të thërrasin dëshmitarët e tyre, por për siguri do presin vendimin lidhur me mocionet për rrëzimin e akuzave.

    Ndërkohë, më 15 prill 2025, Prokuroria ka njoftuar se ka përfunduar paraqitjen e provave në këtë rast.

    Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.

    Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

    Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.

    Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020. /BetimipërDrejtësi

  • Publiku e gjykon ashpër për ngjyrën e tij të re të flokëve, George Clooney përgjigjet

    Publiku e gjykon ashpër për ngjyrën e tij të re të flokëve, George Clooney përgjigjet

    Aktori 63-vjeçar George Clooney pranoi se ngjyra e errët e flokëve që kishte bërë për rolin e gazetarit legjendar Edward R. Murrow në shfaqjen e Broadway, Good Night and Good Luck, nuk ishte e përshtatshme, shkruan Daily Mail, transmeton KosovaPress.

    Në një intervistë për CBS Mornings, ai u përgjigj ndaj publikut që e kritikuan pamjen e tij të re, duke përmendur flokët e ngjyrës së errët dhe bronzin portokalli të lëkurës. Disa prej tyre u shprehën se dukej “20 vjet më i vjetër”, ndërsa të tjerë e krahasonin me ngjyrën e markerit permanent “sharpie”.

    Clooney vetë e pranoi se nuk ndihej rehat me pamjen e re: “E di që nuk është mirë. Nuk jam mësuar ende me këtë pamje”. Ai tregoi se kishte filluar të thinjej që në moshën 25-vjeçare dhe nuk ishte aspak i apasionuar pas ndryshimit. Kur udhëheqësja e programit, Gayle King, komentoi se duhej pak kohë për t’u mësuar me flokët e tij të errët, George iu përgjigj: “E di që nuk është mirë!”, madje shtoi me humor se “as gruaja ime nuk ka problem, por fëmijët qeshin me mua”. Ai pranoi se nuk ka gjë që të të bëjë të dukesh më i vjetër sesa të jesh një burrë 63-vjeçar me flokë të ngjyrosur.

    Në lidhje me jetën personale, Clooney theksoi marrëdhënien e tij të shkëlqyer me bashkëshorten, Amal Clooney, duke thënë se nuk kanë pasur asnjëherë një debat. “Po kërkojmë ndonjë gjë për të debatuar”, tha ai me humor, duke shtuar se ndihen me fat dhe të bekuar që janë së bashku. Ai e përshkroi Amal si një grua të jashtëzakonshme dhe e konsideron veten “njeriun më me fat në botë”. Çifti ka dy fëmijë, binjakët Ella dhe Alexander, dhe e përshkruajnë martesën si “më të lehtë se çdo gjë tjetër në jetën e tyre”.

  • ​Humb një burrë në Izrael pas sulmit të peshkaqenit

    ​Humb një burrë në Izrael pas sulmit të peshkaqenit

    Një burrë ka humbur pas një sulmi të peshkaqenit në bregun e veriut të Izraelit të hënën, rast i cili po cilësohet si i jashtë të zakonshmes.

    Ngjarja ndodhi në detin e Haderës, rreth 40 km në veri të Tel Avivit, njofton BBC.

    Incidenti u pa nga njerëz në plazhin Olga, të cilët mund të dëgjohen duke bërtitur me befasim në pamjet që janë postuar në mediat sociale.

    Peshkaqenët janë të njohur për t’u grumbulluar aty ku uji i ngrohtë lirohet nga një fabrikë rryme, dhe sidomos në këtë periudhë të vitit, por ata zakonisht janë të padëmshëm.

    Nuk ka pasur sulme fatale të regjistruara të peshkaqenëve në ujërat përreth Izraelit që nga krijimi i vendit në vitin 1948, përcjell KosovaPress.

    Policia ka mbyllur plazhin dhe është duke u zhvilluar një kërkim për njeriun e humbur, shkruan BBC News. Në një video të shpërndarë online, një burrë shihet në distancë, dukshëm disa qindra metra larg nga bregu. Ai shihet duke lëvizur përreth ndërsa njerëzit në plazh bërtasin që ai po sulmohej.

    “Unë isha në ujë, pashë gjak dhe dëgjova britma”, tha një dëshmitar, Eliya Motai, për faqen e lajmeve Ynet.

    “Isha disa metra larg nga bregu”, shtoi ai. “I frikshëm. Kemi qenë këtu edhe dje dhe pamë peshkaqenët që na rrotulloheshin”.

    Peshkaqenët “Dusky” dhe “Sanbar” janë të njohur për t’u grumbulluar në këtë zonë, e cila dominon nga stacioni i energjisë Orot Rabin, më i madhi në Izrael.

    Ata tërhiqen nga uji i ngrohur nga fabrika dhe nga peshqit që barten nga një lumë afër.

    Incidenti i të hënës është vetëm sulmi i katërt i dokumentuar i peshkaqenëve në historinë e Izraelit, sipas YNet.

  • ​Të shtëna me armë zjarri te stacioni i autobusëve në Pejë

    ​Të shtëna me armë zjarri te stacioni i autobusëve në Pejë

    Të shtëna me armë zjarri janë dëgjuar mesditën e së martës pranë Stacionit të Autobusëve në Pejë.

    Policia e Kosovës në Pejë konfirmoi për KosovaPress se për rastin që ka ndodhur në rrugën “Vëllezërit Gërvalla”, informatën e kanë pranuar rreth orës 12:20.

    ”Sot rreth orës 12:20 kemi marrë informata për të shtëna me armë zjarri në rrugën ‘Vëllezërit Gërvalla’. Menjëherë kemi dalë në vendin e ngjarjes dhe aktualisht jemi në grumbullim të provave dhe informacioneve”, zyrtari për informim në Policinë rajonale të Pejës, Driton Rugova.

    Policia nuk ka dhënë më shumë detaje veçse ka konfirmuar se rasti po hetohet.

  • Mbahet punëtoria tre-ditore në kuadër të projektit “Dizajnimi i Programit të Përbashkët Master në Shkencat Forenzike (FSE-JM)” i udhëhequr nga Kolegji AAB

    Mbahet punëtoria tre-ditore në kuadër të projektit “Dizajnimi i Programit të Përbashkët Master në Shkencat Forenzike (FSE-JM)” i udhëhequr nga Kolegji AAB

    Është mbajtur punëtori tre-ditore në kuadër të projektit “Dizajnimi i Programit të Përbashkët Master në Shkencat Forenzike (FSE-JM)”, me Kolegjin AAB si bartës, në partneritet me Bradenburgische Technische Universität (BTU) nga Gjermania dhe Universitetin e Evropës Juglindore (UEJL) nga Maqedonia e Veriut. Projekti mbështetet financiarisht nga programi Erasmus+ i Bashkimit Evropian.

    Gjatë kësaj punëtorie, ekipet e projektit nga tri universitetet partnere punuan në mënyrë intensive për hartimin e programit të përbashkët të studimeve master në Shkencat Forenzike. Ky program do t’iu shërbejë studentëve të këtyre institucioneve si dhe të tjerëve në nivel rajonal dhe ndërkombëtar, duke ofruar një qasje të avancuar dhe ndërdisiplinare në fushën e shkencave forenzike.

    Rektori i Kolegjit AAB Blerim Olluri, iu uroi mirëseardhje partnerëve nga Gjermania dhe Maqedonia e Veriut, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit ndërkombëtar në ngritjen e cilësisë së arsimit të lartë dhe duke shprehur vullnetin e institucionit për bashkëpunime të mëtejshme.

    Ky program i përbashkët Master sjell një sërë përfitimesh për studentët, duke u mundësuar atyre që të pajisen me njohuri dhe aftësi praktike të nevojshme për të kontribuar në drejtësi, siguri dhe sundim të ligjit.

    Projekti promovon bashkëpunimin ndërkulturor, zhvillimin profesional të qëndrueshëm dhe nxit ndërtimin e institucioneve më të forta demokratike në shtetet pjesëmarrëse. Gjithashtu ndihmon në ndërtimin e kapaciteteve për të trajtuar çështje të ndërlikuara forenzike që kanë ndikim të drejtpërdrejtë në ruajtjen e të drejtave të njeriut dhe integritetin e proceseve gjyqësore.