ATV

Author: ATVLive

  • Vrasësit e policëve dhe drejtësia

    Vrasësit e policëve dhe drejtësia

    Këtyre ditëve lajmi më tronditës në Kosovë ka qenë vrasja e policit Muhamed Lika. Krejt ajo që e ka pasur rastin mund të lexohet në dy mënyra. E para – shteti ishte në gjendje të reagojë mirë dhe Brenda javës të arrestojë një grup të të dyshuarve që kishin organizuar vrasjen – ose e dyta – që në një komunë që ka eksportuar veç pajisje kimike dhe terroristë – nën hundë të organeve të sigurisë është zhvilluar edhe një grup deri në nivel që një të mitur ta rekrutojë në një vrasës.

    Mirëpo, diçka që u bë publike kohëve të fundit, është se edhe ky rast indirekt lidhet me një dështim tjetër të fëlliqte të sistemit tonë të drejtësisë.

    BIRN-i ka raportuar se zbuloi se i dyshuari si vrasës i policit Muhabed Lika, R. B., ishte i njohur për drejtësinë. Kjo pasi që ishte dënuar me masë institucionale edukative për një vepër penale atë të dhunimit. Por këtë masë i mituri nuk e vuajti dënimin asnjëherë, pasi nuk iu përgjigj atij dënimi, ndërsa për këtë ishte vendosur edhe në listën e personave në kërkim me urdhër- arrest. Ky urdhër-arrest ishte aktiv edhe gjatë kohës sa ishte kryer vrasja deri tek arrestimi i të njëjtit.

    Pra, një dhunues gjykata e lë të lirë dhe ai më pas prej dhunimit, vec edhe një shkallë e ka – vrasjen – dhe shndërrohet nga dhunuesi në vrasës!

    Ky sistemi drejtësisë mund të jetë më i mirin ë rajon, por ka dështime të fëlliqta shumë dhe në momentin që i lëshon dhunuesit, kërcënuesit dhe kapadaitë që e enden me armë pa leje, ky sistem i drejtësisë është pjesa e sektorit publik që ka besueshmëri qytetarë shumë të ulët.

    Mirëpo, nuk e kisha nisë krejt këtë editorial, vetëm një rast të izoluar. Sot bre, hiç më larg, u dëshmua që sistemi i drejtësisë, jo vetëm që e butë e dënon, e gati e toleron dhunimin seksual, kërcënimin, armëmbajtjen pa leje, por s’është që fort me zell merret edhe me rastet e policëve të vrarë.

    Sot, hic më larg, Gjyqtari Agim Kuçi, i cili i kishte hequr masën e sigurisë të akuzuarit Enver Sekiraqa, lidhur me rastin e vrasjes së policit Triumf Riza, është sanksionuar nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës me vërejtje publike me shkrim dhe 20% zbritje në pagë për periudhën prej 6 muajsh. 6 muajt e ardhshëm, paska me e marrë 20% të pagës më pak njeri që e ka lënë të lirë Enver Sekiraqën.

    Qe për çka jemi kah flasim!

    Për krejt juve që keni qenë duke jetu dikah tjetër – qe një rikujtim i shkurtër. Më 2007 është vrarë polici Triumf Riza! Para 18 vjetëve.

    Ky sistem i joni i drejtësisë, është aq I mirë sa dorasin, gjegjësisht vrasësin, Arben Berishën e kishte dënuar me 35 vjet burgim, kurse për nxitje në vrasje, Enver Sekiraqën e kishte dënuar më 2016 me 36 vite burgim, më pas më 2019 me 20 vite burgim dhe më 2024, edhe një herë, më 2024, për vrasje të 2008-ës, më 25 vite burgim.

    Në shpallje të Aktgjykimit, Gjyqtari i çështjes Agim Kuçi kishte marrë Vendim të veçantë me të cilin i kishte hequr masën e arrestit shtëpiak të akuzuarit Sekiraqa. Por, Gjykata e Apelit, më 17.05.2024, mori Vendim për ta kthyer në paraburgim Enver Sekiraqën, mirëpo, nuk e kanë gjetë tash e gati një vjet.

    Nëse e shikojmë një rast tjetër të prillit, plagosjen në Gjakovë, ka qenë plagosja e katërt që e bën e bën i njëjti person. E katërta.
    Këqyre, në një sistem të drejtësisë që ta lejon katër herë me plagosë njerëz, që ta heqë arrestin shtëpiak pasi të ka dënuar 25 vjet, që të lën të lirë pasi të dënon për dhunim që të mund të vrasësh më pas një polic…

    Nëse nuk I besojmë sistemit të drejtësisë, ose kemi me u kthy në Kanun të Lekës, ose në ndonjë kanun tjetër, ose secili prej neve, kemi me e marrë drejtësinë në duart tona dhe mandej nuk na duhet shteti.

    Nëse disa njerëz në Kosovë mund të mbajnë armë pa leje, të dhunojnë cika, dhunojnë djem, të vrasin polic, vrasin kundërshtarë dhe për ta ka dënime të buta ose masa gjyqësore që ua mundësojnë të kryejnë krime sërish – ky më nuk është sistem i drejtësisë.

    Kështu që, shumë më shumë sesa kush bëhet kryetar ose kryetare e kuvendit, shumë më shumë sesa kush i merr do ministri që nuk punojnë kurrgjë, është e rëndësishme kush bëhet Kryeprokuror, kush bëhet shef i Këshillit Gjyqësor, kush bëhet ministër i drejtësisë dhe a e ka seriozisht shteti angazhimin për drejtësi.

    Tash, pyetja e krejt pyetjeve është çka duhet politika të bëjë në këtë rast? Deri tash i kemi parë dy qasje – e para është e famshme, ajo e Adem Grabovcit:

    E dyta është kjo e Alban Krasniqit:

    Pra, politika nuk e ndihmon sistemin e drejtësisë dhe nëse kjo qasje nuk ndryshon, jemi kah hyjmë në stad kur më nuk I besohet shtetit, sepse kanë dështuar gjykatat, mediat, spitalet dhe shkollat.

    Shteti i dështuar nuk duket ndryshe!

  • “10 orë para gjumit nuk duhet të konsumojmë kafe” – Neurologia Entela Basha tregon një rregull të thjeshtë që mund t’ju ndihmojë

    “10 orë para gjumit nuk duhet të konsumojmë kafe” – Neurologia Entela Basha tregon një rregull të thjeshtë që mund t’ju ndihmojë

    Në emisionin LIBERO në ATV, neurologia Dr. Entela Basha ka folur për një nga problemet më të zakonshme sot – pagjumësinë. Ajo ndau një këshillë praktike që mund të ndihmojë çdo njeri të përmirësojë cilësinë e gjumit.

    Sipas saj, çelësi është të ruani një rutinë të qëndrueshme dhe të ndiqni një rregull të njohur që e përgatit trupin për gjumë.

    “Të flesh në të njëjtën orë dhe të zgjohesh në të njëjtën orë, kjo është pjesa më e rëndësishme e gjumit. Pastaj, nëse doni të bëni një gjumë cilësor, ekziston edhe një rregull i cili quhet rregulli 10-3-2-1, që thuhet se nuk duhet të pini kafe 10 orë para se të flini, nuk duhet të hani 3 orë para se të flini, dy orë para se të flini duhet të pushoni së punuari ose së kryeri aktivitet fizik, sporte të tjera dhe njëkohësisht, duhet të keni shkëputje prej ekraneve në orën e fundit para se të bini për të fjetur”, tha ajo.

    Deklaratën e plotë të saj në LIBERO e gjeni në videon më poshtë:

  • Pas seancës gjyqësore, flasin avokatët e të dyshuarve për vrasjen e rreshterit Muhamed Lika

    Pas seancës gjyqësore, flasin avokatët e të dyshuarve për vrasjen e rreshterit Muhamed Lika

    Pas mbajtjes së seancës për caktimin e paraburgimit ndaj gjashtë të dyshuarve për vrasjen e rreshterit Muhamed Lika në Kaçanik, janë deklaruar edhe avokatët e të dyshuarve, raporton ATV.

    Ata kërkuan që rasti të trajtohet me kujdes dhe pa paragjykime publike.

    Avokati Musa Kongjeli, i cili mbron të dyshuarin Rilind Murati, deklaroi se klienti i tij mohon përfshirjen në këtë vepër penale, duke treguar ku ka qenë gjatë kohës kur dyshohet se është kryer vepra.

    “Sipas Prokurorisë, ata dyshohet se kanë kryer veprën penale ‘vrasje e rëndë’ në bashkëkryerje. Megjithatë, bazuar në provat e deritanishme, ne konsiderojmë se klienti im nuk ka qenë i përfshirë në këtë vepër. Ai deklaron se nga ora 22:00 deri në 03:00 të mëngjesit ka qenë me të fejuarën e tij, me të cilën është në martesë te hoxha”, tha avokati Kongjeli.

    Ndërsa avokatja Fehmije Bytyqi, e cila mbron të dyshuarin Diamant Gashi, tha se në dokumentet zyrtare nuk ka asnjë përmendje për ndonjë motiv ideologjik apo fetar që lidhet me këtë rast, duke
    apeluar për kujdes në raportimet mediale.

    “Unë kërkova që Prokuroria dhe Kryeprokurori i Ferizajt të dalin publikisht dhe të qartësojnë se në kërkesën për paraburgim nuk është përmendur askund ndonjë lidhje ideologjike, fetare apo islamiste. Familjet e të dyshuarve po etiketohet padrejtësisht në publik”, u shpreh ajo.

    Ndërkohë, sipas kërkesës së Prokurorisë së Ferizajt, të cilën e ka siguruar ATV, ndaj të dyshuarve për veprën penale “vrasje e rëndë në bashkëkryerje”, është kërkuar paraburgim për shkak të rrezikut të ndikimit në hetime. /atvlive.tv

  • Çfarë të bëjmë kur nuk na merr gjumi? Ja çfarë sugjeron psikologu Petrit Thaçi

    Çfarë të bëjmë kur nuk na merr gjumi? Ja çfarë sugjeron psikologu Petrit Thaçi

    Në emisionin LIBERO në ATV, psikologu Petrit Thaçi u pyet për një problem të përbashkët për shumë njerëz: pagjumësinë. Ai tregoi se rrënjët e këtij problemi shpesh janë më të thella sesa mendojmë – dhe zgjidhja nuk është gjithmonë e menjëhershme.

    Sipas tij, për të fjetur më lehtë, duhet të merremi me shëndetin emocional dhe të balancojmë mendimet që na ngarkojnë gjatë ditës.

    “Duhet me e kuptu biologjinë që është menja dhe funksionet e mendjes. Funksionet e mendjes janë jo gjithçka biologjike në njëfarë forme… është gjithmonë kjo dinamika që bashkëvepron njëra me tjetrën, sikur pamja e jonë në pasqyrë. Është shumë e rëndësishme ne me u siguru që gjendja e jonë emocionale dhe mendore është e qëndrueshme dhe pa frustrime të mëdha. Puna në aspektin emocional është punë komplekse, nuk është një punë vetëm momentale,” tha ai.

    Për më shumë, shikoni deklaratën e tij të plotë në videon më poshtë:

  • “Truri ynë kurrë nuk fle” – Neurologia nga Tirana tregon çka ndodh gjatë gjumit

    “Truri ynë kurrë nuk fle” – Neurologia nga Tirana tregon çka ndodh gjatë gjumit

    Në emisionin LIBERO në ATV, neurologia nga Tirana, Dr. Entela Basha, ndau një fakt interesant dhe pak të njohur për publikun: truri ynë qëndron aktiv edhe gjatë gjumit. Ajo tregoi çfarë ndodh me memorien ndërsa ne flejmë.

    Sipas saj, gjatë gjumit aktivizohen dy pjesë të rëndësishme të trurit që ndihmojnë në ruajtjen e kujtimeve.

    “Truri i jonë asnjëherë nuk fle, edhe në momentin që flem gjumë, ka struktura të veçanta të trurit të cilat janë në aktivitet. Veçanërisht, po flasim për dy struktura të rëndësishme të trurit siç janë hipokampusi dhe hipotalamusi. Njëkohësisht, të dyja këto struktura janë shumë të rëndësishme në ato që quhen depozitimi i memorjes që ne e kemi, memories afatshkurtër, depozitimet në hipokampus dhe më pas i gjithë ky proces ndodh gjatë gjumit, do të thotë më pas këto kujtime të depozituara mund t’i thërrasim në një moment të dytë”, tha ajo.

    Për më shumë, shikoni deklaratën e saj në videon më poshtë:

  • Dy persona shoqërohen në Polici, qëndronin para gjykatës ku po zhvillohet seanca për të dyshuarit ndaj Likës

    Dy persona shoqërohen në Polici, qëndronin para gjykatës ku po zhvillohet seanca për të dyshuarit ndaj Likës

    Në kohën kur dhe ka nisur seanca dëgjimore ndaj gjashtë të arrestuarve për vrasjen e rreshterit Muhamed Lika, Policia ka shoqëruar për në stacion dy persona që po qëndronin para Gjykatës Themelore në Ferizaj.

    Zëdhënësi i policisë në Ferizaj, Kanun Veseli, tha se dy personat nuk kishin dokumente identifikuese me vete.

    “Dy persona i kanë shoqëruar për verifikim se s’kanë pasë dokumente me vete”.

    Prokuroria në Ferizaj tashmë ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit ndaj gjashë të dyshuarve, ndërsa nën masën e paraburgimit është i dyshuari kryesor, 18-vjeçari Rejhan Bela.

  • Suksesi i Ekrem Bytyqit, bujqësia si pjesë e jetës dhe profesionit të tij

    Suksesi i Ekrem Bytyqit, bujqësia si pjesë e jetës dhe profesionit të tij

    Ekspert financiar nga Rahoveci, Ekrem Bytyqi është një shembull i shkëlqyer se si mund të bashkohen dy botë të ndryshme: puna e zyrës dhe dashuria për tokën.

    Ai krahas profesionit i përkushtohet edhe serrës së tij, të mbushur me kultura të ndryshme bujqësore e fidanishte.

    Veç përkushtimit në bujqësi, ai foli edhe për çmimet në treg dhe nevojën e ndihmës së shtetit për bujqit e vegjël.

    Intervistën e plot me të mund ta dëgjoni duke klikuar në materialin e përgatitur nga ATV:

  • Pas humbjes së burrit në luftë, Xhyla Hasani e gjeti qetësinë tek bletët

    Pas humbjes së burrit në luftë, Xhyla Hasani e gjeti qetësinë tek bletët

    Pasi humbi bashkëshortin në luftë, Xhyla Hasani mbeti e vetme me dy djemtë e saj, por nuk u dorëzua.

    Ajo gjeti forcë për t’u marrë me bletari, një zanat që i dha qetësi shpirtërore dhe një mundësi për të ecur përpara.

    Në fermën e saj të vogël, zonja Xhylë tregoi me krenari për procesin e prodhimit të mjaltit, për sfidat ekonomike dhe mungesën e mbështetjes, por mbi të gjitha për dashurinë dhe lidhjen e saj të veçantë me natyrën dhe bletët.

    Rrëfimin e saj të plot të dhënë për emisionin “E Jona Tokë” në ATV mund ta dëgjoni duke klikuar në linkun më poshtë:

  • ​Hapet Java e Agjencisë së Menaxhimit Emergjent, ekspozohen pajisjet e zjarrëfikjes

    ​Hapet Java e Agjencisë së Menaxhimit Emergjent, ekspozohen pajisjet e zjarrëfikjes

    Agjencia e Menaxhimit Emergjent ka hapur javën e aktiviteteve, ku janë ekspozuar pajisjet e zjarrfikësve, ekipit të barrierave dhe ekipit për shuarjen e zjarreve malore. Kjo ngjarje organizohet për herë të parë që nga themelimi i Agjencisë së Menaxhimit Emergjent, raporton KosovaPress.

    Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla deklaroi se fokus mbetet fuqizimi i kapaciteteve të kësaj Agjencisë dhe Menaxhimit Emergjent.

    “Me sfidat që çdo vit po sjell ngrohja globale, fokusi i përbashkët mbetet fuqizimi i kapaciteteve të AME-së për menaxhim të suksesshëm të çdo situate. Në këtë drejtim, ritheksoj gatishmërinë tonë të plotë për mbështetje në çdo kohë dhe në çdo formë. Vlerësoj shumë aktivitetet e kësaj jave që kanë fokus komunikimin me qytetarë sepse ata mbeten komponenta kyçe që ju të ballafaqoheni me sa më pak rreziqe të shkaktuara nga faktori njeri, veçanërisht tani kur hyjmë në periudhën e temperaturave të larta dhe zjarret mbesin sfidë reale dhe e përditshme”, deklaroi Sveçla, shkruan KosovaPress.

    Sipas tij, edukimi i masës për parandalimin dhe reagimin ndaj fatkeqësive natyrore është i domosdoshëm.

    “Si qeveri dhe si ministër i Punëve të Brendshme, tashmë ushtrues detyre jam angazhuar në reformimin e thellë dhe në fuqizimin e mëtejmë të saj. Me shtetet aleate të Republikës së Kosovës, kemi nënshkruar marrëveshje për bashkëpunim të ndërsjellë në menaxhimin e fatkeqësive natyrore dhe në saje të kësaj marrëveshje, një delegacion i prirë nga drejtori Metaj ishte pjesë e trajnimit të përbashkët të forcave të Republikës së Shqipërisë për reagim në rastet e vërshimeve…Në anën tjetër, në muajin kaluar 51 pjesëtarë të zjarrfikjes dhe shpëtimit i janë bashkuar agjencisë si vlerë dhe mbështetje e shtuar e ekipeve aktuale që shërbejnë në tërë territorin e Republikës së Kosovës. Po ashtu, buzë liqenit të Ujmanit kemi krijuar infrastrukturën për Njësinë e Kërkim Shpëtimit të AME-së”, shtoi Sveçla.

    Drejtori i Agjencisë për Menaxhim Emergjent, Genc Metaj tha se misioni i tyre është udhëheqja dhe koordinimi i përpjekjeve shtetërore në parandalim, gatishmëri, reagim dhe rimëkëmbje në rastet e emergjencave.

    “Ne po e fillojmë Javën e AME-së me një numër të madh të aktiviteteve, të cilat do të prekin një masë të madhe të qytetarëve në të gjithë vendin. Qëllimi ynë është që të ndikojmë në vetëdijesim dhe ndërgjegjësim, që të jemi afër qytetarëve, të promovojmë rolin dhe rëndësinë e agjencisë, të njësive profesionale të zjarrëfikjes dhe shpëtimit, të qendrave operative dhe emergjente 112, strukturave të mbrojtjes, shpëtimit dhe ndihmës, si dhe masat që duhet të ndërmerren në rast të fatkeqësive, e veçanërisht të fokusohemi në parandalimin e tyre”, deklaroi ai.

    Ai shtoi se zyrtarët e Agjencisë dhe Menaxhimit Emergjent dhe njësitë profesionale do të zhvillojnë aktivitete të rëndësishme në të gjithë vendin. /

  • Obiliqi shënon Ditën e Tokës me disa aktivitete për gjelbërimin e disa hapësirave publike

    Obiliqi shënon Ditën e Tokës me disa aktivitete për gjelbërimin e disa hapësirave publike

    Me rastin e 22 prillit, Ditës së Tokës, Komuna e Obiliqit organizoi disa aktivitete për pastrimin dhe gjelbërimin e hapësirave publike, si shenjë e kujdesit ndaj mjedisit, raporton KosovaPress.

    Fillimisht u bë mbjellja e luleve në rreth-rrotullimin kryesor të qytetit, ku morën pjesë edhe disa nxënës të qytetit, për të vazhduar më pastaj me mbjelljen e disa pishave në oborrin e Gjimnazit “17 shkurti”, dhe me mbjelljen e drunjve urbanë dekorativ në oborrin e QKMF-së.

    Në hyrje të qytetit tek rreth rrotullimi në Shkabaj u bë mbjellja e drunjve, një aktivitet i përbashkët mes Komunës së Obiliqit dhe Prishtinës, ku morën pjesë kryetarët e dy komunave.

    Kryetari i Obliqit, Xhafer Gashi, tha se njëqind drunj janë njëqind jetë të reja, duke pasur parasysh ndotjen e ambientit në këtë qytet.

    “Ne sot jemi këtu për ti mbjelljen njëqind drunjve, njëqind jetë të reja që për Obiliqin do të thotë shumë duke u bazuar shumë në industrinë që Obiliqi e ka për prodhimin e energjisë, ndotja e ambientit e shumë çështje të tjera. Mirëpo kjo është një nismë nga dy drejtorë me një marrëveshje, dhe mbesim me shpresë që këtë pjesë të marrëveshjes të fillojnë të implemtojnë edhe drejtorit e tjera, siç e parasheh edhe marrëveshja, bashkëpunimi ndërkomunal është jashtëzakonisht i mirë, janë bashkim i një fuqie të përbashkët në cilën do temë që ato zhvillohen”, theksoi ai.

    Ndërsa, kryetari i Prishtinës Përparim Rama deklaroi se si rezultat i bashkëpunimit ndër-komunal po i mbjellin njëqind drunj, dhe se përfitues përveç kryeqytetit do të jetë edhe Obiliqi.

    “Jemi këtu me kryetarin Xhaferi të Obiliqit në një bashkëpunim ndërkomunal sot për ditën e tokës të mbjellim njëqind drunj, kjo faktikisht është një proces bashkëpunimi si rezultat edhe i projektit madh Solar for Kosovo, ku gjithë ai projekt shkon për të mirën, shumica për të mirën e kryeqytetit, një pjesë edhe për të mirën e komunës së Obiliqit, mirëpo jemi shumë falënderues sepse toka që përdoret për “solar for Kosovo” është në pjesën e Komunës së Obiliqit edhe si rezultat i kemi planifikua disa pika të bashkëpunimit njëra ndër to është edhe mbjellja e drunjve, këtë që po e bëjmë sot”, tha ai.

    Dita e Tokës është një ngjarje vjetore që festohet në të gjithë botën me 22 prill për të demonstruar mbështetjen për mbrojtjen e mjedisit. Dita e Tokës për herë të parë është festuar në vitin 1970, ndërsa tani përfshinë ngjarje të ndryshme globalisht.