ATV

Author: ATVLive

  • ​Kaçanik: Kapet një 23 vjeçar me kartmonedha të dyshuara false

    ​Kaçanik: Kapet një 23 vjeçar me kartmonedha të dyshuara false

    Është shoqëruar në polici një person për “Falsifikim të parasë” dhe “Mbajtje në pronësi, posedim apo kontroll të paautorizuar të armëve”

    Sipas policisë, sot rreth orës 03:50 të mëngjesit në rrugën “Idriz Seferi” në Kaçanik është ndaluar një veturë e tipit Seat me targa vendore, e drejtuar nga i dyshuari B. R., 23 vjeç, raporton KosovaPress.

    Gjatë kontrollit të kryer nga njësitë policore, tek i dyshuari janë gjetur dhe sekuestruar 27 kartëmonedha prej 100 dollarësh, të gjitha me numër serik të njëjtë, të dyshuara si të falsifikuara.

    Pas intervistimit në stacionin policor në Kaçanik dhe në konsultim me prokurorin kujdestar, është iniciuar rasti “Falsifikim i parasë”.

    “Në vijim të veprimeve hetimore, është realizuar një bastisje në shtëpinë e të dyshuarit në Han të Elezit, ku janë gjetur dhe sekuestruar municion i ndryshëm, mjete të mprehta, një boks hekuri, një shkop bejzbolli si dhe një shkrepëse në formë arme. Për këtë është iniciuar rasti i dytë ‘Mbajtje në pronësi, posedim apo kontroll të paautorizuar të armëve’”, thuhet tutje.

  • Kriptomonedha e Trump shënon rritje 70%, presidenti fton investitorët për darkë

    Kriptomonedha e Trump shënon rritje 70%, presidenti fton investitorët për darkë

    Çmimi i kriptomonedhës së Donald Trump ka shënuar një rritje të ndjeshme pasi presidenti amerikan premtoi organizimin e dy eventeve speciale për investitorët më të mëdhenj të saj, njofton BBC Newsm transmeton KP.

    Faqja zyrtare e monedhës $Trump – një monedhë meme – njofton se 220 zotëruesit më të mëdhenj do të ftohen në një darkë gala private me presidentin më 22 maj, të cilës i referohet si “FTESA më EKSKLUZIVE në botë”.

    Sipas platformës së tregtimit të kriptove Coinbase, vlera e $Trump u rrit me mbi 70% pas njoftimit. Megjithatë, ajo mbetet shumë poshtë rekordit të saj prej mbi 74 dollarësh, të arritur menjëherë pas lançimit në janar.

    Kjo kriptomonedhë është një nga disa iniciativat të lidhura me botën e kriptove të nisura nga biznese të afërta me Trump, i cili e ka cilësuar veten si “presidenti i kriptos”. Përveç darkës gala, që do të zhvillohet në Klubin Nacional të Golfit “Trump” në Washington DC, faqja zyrtare njofton edhe për një “pritje VIP ultra-ekskluzive private me Presidentin” për 25 mbajtësit kryesorë të monedhës.

    Tokenët $Trump në qarkullim kanë aktualisht një vlerë totale rreth 2.5 miliardë dollarë. Ata u lançuan pak ditë para inaugurimit të Trump më 20 janar.

    Kjo lëvizje është kritikuar nga disa figura të industrisë së kriptove, të cilët e kanë quajtur “një show mediatik”. Edhe Zonja e Parë, Melania Trump, lançoi një kriptomonedhë në prag të inaugurimit.

    Meme coin-at përdoren shpesh nga spekulatorët për të gjeneruar fitime ose për të shprehur mbështetje ndaj një personazhi publik apo një momenti në kulturën e internetit.

    Pak pas rikthimit në Shtëpinë e Bardhë këtë vit, Trump nënshkroi një urdhër ekzekutiv për krijimin e një grupi pune presidencial për të propozuar ligje dhe rregullore të reja për kriptovalutat.

    Ai ka nënshkruar gjithashtu një urdhër për krijimin e një Rezerve Strategjike të Bitcoin-it si dhe një Stok Digjital të Pasurive, që do të përfshijë edhe monedha të tjera digjitale.

    Këto fonde do të furnizohen me kriptomonedha të konfiskuara nga qeveria federale si pjesë e procedurave penale ose civile, shkruan BBC News.

    Këtë javë, kompania mediatike e Trump-it njoftoi planet për lançimin e fondeve të tregtuara në bursë (ETFs).

    Këto produkte financiare, që do të lançohen nga Trump Media & Technology Group – pronari i platformës Truth Social – dhe partnerët e saj, do të përfshijnë pasuri digjitale si dhe aksione me fokus “Made in America”.

    ETF-të janë fonde investimi që mbajnë pasuri të ndryshme dhe mund të blihen e shiten njësoj si aksionet.

  • Mijëra njerëz presin me orë në diell për ta parë kufomën e Papa Françeskut

    Mijëra njerëz presin me orë në diell për ta parë kufomën e Papa Françeskut

    Mijëra njerëz pritën me orë në radhë nën diellin e nxehtë pranveror të mërkurën në Sheshin e Shën Pjetrit për t’ia dhënë respektin e fundit Papa Françeskut, arkivoli i thjeshtë i drunjtë i të cilit është vendosur në altarin kryesor të bazilikës së shekullit XVI, ku do të qëndrojë deri të premten në mbrëmje.

    Papa Françesku vdiq në shtëpinë e tij në Casa Santa Marta të hënën në moshën 88-vjeçare pas një sulmi në tru dhe dështimit të zemrës. Ai ishte duke u shëruar nga pneumonia e dyfishtë, që e kishte lënë në spital për pesë javë, raporton gazeta “The Guardian”.

    Ndryshe nga shumica e paraardhësve, arkivoli i tij, të cilin po e ruajnë dy roja zvicerane, nuk është ngritur në një platformë. Kjo ishte njëra nga rregullat e shfuqizuara nga Papa Françesku, kur vitin e kaluar i kishte thjeshtësuar rregullat për funeralet e papëve.

    Mesha e funeralit të tij do të mbahet të shtunën në mëngjes në Sheshin e Shën Pjetrit, ngjarje në të cilën do të marrin pjesë udhëheqës të ndryshëm botërorë, përfshirë presidentin amerikan, Donald Trump, dhe kryeministrin britanik, Keir Starmer. Papa më pas do të varroset në Bazilikën “Santa Maria Maggiore” në lagjen Esquilino të Romës, duke thyer një traditë të gjatë të Vatikanit.

    Deri të mërkurën në mbrëmje, një zyrtar i Vatikanit tha se gati 20 mijë njerëz, nga të gjitha anët e botës, ishin pjesë e turmës që po priste në radhë, e cila shtrihej përgjatë rrugës që çon në Qytetin e Vatikanit. Shumë prej njerëzve po mbanin çadra për t’u mbrojtur nga dielli.

    Të përgatitur për pritjen e gjatë, një grua e quajtur Abigail dhe familja e saj nga Kalifornia e ShBA-së kishin marrë edhe ushqim me vete. “Presim me qejf aq gjatë sa të nevojitet. Është privilegj të jesh këtu” – tha ajo.

    Edhe pse njerëzit ishin të vetëdijshëm se Papa Françesku ishte i sëmurë seriozisht, disa që po prisnin në radhë për ta respektuar ende e kishin të vështirë ta besonin vdekjen e tij. “Duke e çuditshme që ai nuk është më me ne” – tha Piotr Grzeszkyk nga Polonia./Nacionale

  • ​Prishtina-Llapi, kur zhvillohet finalja e Kupës së Kosovës?

    ​Prishtina-Llapi, kur zhvillohet finalja e Kupës së Kosovës?

    Prishtina ka dhënë një mesazh të qartë se është rikthyer fuqishëm në garë për trofe dhe dalje në Evropë. Skuadra kryeqytetase është kualifikuar në finalen e Kupës së Kosovës pas një fitoreje të madhe ndaj Dritës, me rezultat 3:0, në sfidën e kthimit të gjysmëfinales, të zhvilluar të mërkurën në mbrëmje në stadiumin “Fadil Vokrri”, shkruan KosovaPress.

    Ndonëse përballë kishin liderin aktual të Superligës dhe njërën prej skuadrave më stabile të këtij edicioni, bardhekaltrit e drejtuar nga Arsim Thaçi shkëlqyen në çdo aspekt të lojës, duke e mbyllur gjysmëfinalen me rezultat të përgjithshëm 4:0 pas dy ndeshjeve.

    Heroi i mbrëmjes për Prishtinën ishte Ardian Muja, që realizoi dy gola në pjesën e parë. Ai shënoi në minutën e 10-të pas një asistimi të saktë nga Ramiz Bytyqi, ndërsa gjeti rrjetën sërish në minutën e 39-të pas kombinimit me Leotrim Kryeziun. Në të dyja rastet me gjuajtje nga brendësia e zonës së 16-metërshit.

    Vetëm pak minuta më pas, në fundin e pjesës së parë, Albin Krasniqi vendos “vulën” e fitores me një supergol nga gjuajtja e lirë, që ngriti në këmbë tifozët prishtinas, të cilët përkundër reshjeve të shiut i qëndruan besnikë skuadrës së tyre të zemrës.

    Kësisoj, në finalen e Kupës së Kosovës do të ballafaqohen Prishtina dhe Llapi. Kjo do të jetë përballja e parë e këtyre dy skuadrave në një finale të kupës. Për Prishtinën kjo është hera e tretë radhazi që do të luajë në finale. Vitin e kaluar humbi nga Ballkani, kurse dy vjet më parë triumfoi ndaj Gjilanit.

    Ndërkaq, për Llapin kjo është finalja e tretë në katër vitet e fundit. Në dy herat e kaluara arriti edhe t’i gëzohet trofeut, në vitet 2021 dhe 2022.

    Ndeshja finale është paraparë të zhvillohet më 14 maj në stadiumin “Fadil Vokrri”, kurse fituesi krahas trofeut e siguron edhe pjesëmarrjen në garat evropiane, më saktësisht në UEFA Europa League.

  • Dy të arrestuar në Deçan, u gjet armatim në shtëpinë e tyre

    Dy të arrestuar në Deçan, u gjet armatim në shtëpinë e tyre

    Dy persona u arrestuan në Baballoq të Deçanit.

    Policia më parë gjeti një mori armësh në shtëpinë e tyre.

    Sipas policisë, tri pushkë, një pistoletë, një thikë dhe 12 fishekë u gjetën gjatë një kontrolli në shtëpinë e të dyshuarve.

    Pas marrjes në pyetje, me vendim të prokurorit, të dyshuarit u liruan në procedurë të rregullt.

    Rasti është cilësuar si “Armëmbajtje pa leje”.

  • ​Arrestohen tre persona nën dyshimin për kultivim të narkotikëve

    ​Arrestohen tre persona nën dyshimin për kultivim të narkotikëve

    Policia e Kosovës, ka arrestuar tre persona të dyshuar në rrugën “Ukë Bytyqi”, në Prizren për kultivim të bimës së hashashit, shkurres së kokainës, bimëve të kanabisit.

    Policia e Kosovës ka bërë me dije se çka është gjetur dhe sekuestruar gjatë kontrollit të dy banesave.

    “Janë arrestuar një mashkull shtetas i R. Shqipërisë, një femër shtetase e R. Shqipërisë dhe një mashkull kosovar pasi që gjatë kontrollit të dy banesave, janë gjetur dhe sekuestruar sasi e narkotikëve të llojit marihuanë, 175 bimë të mbjellura Kanabis Sativa, pajisje përcjellëse të laboratorit për kultivim dhe 6 telefona mobil”, thuhet në njoftimin e policisë.

    Në raportin 24 orësh të policisë, bimët narkotike si dhe pajisjet përcjellëse me urdhër të prokurorit janë shkatërruar, derisa me vendim të prokurorit pas intervistimit tre të dyshuarit janë dërguar në mbajtje.

  • Shoqata e Qumështit e ashpër ndaj VV-së pas thirrjeve për bojkot: Sulm ndaj prodhuesve vendorë

    Shoqata e Qumështit e ashpër ndaj VV-së pas thirrjeve për bojkot: Sulm ndaj prodhuesve vendorë

    Shoqata e Industrisë së Qumështit të Kosovës (SHIQK) ka reaguar me shqetësim dhe keqardhje të thellë ndaj një deklarate të sekretarit organizativ të Lëvizjes Vetëvendosje!, Alim Rama, ku bëhej thirrje për bojkotim të produkteve të prodhuesve vendorë, duke i stigmatizuar ata në mënyrë të pabazë dhe të papranueshme.

    SHIQK shpreh indinjatën se një përfaqësues politik po nxit linçim ndaj prodhuesve vendorë, të cilët për vite me radhë kanë kontribuar ndjeshëm në zhvillimin ekonomik, punësimin dhe sigurinë ushqimore të vendit, transmeton klankosova.tv

    “Është e papranueshme që në vitin 2025 të ketë thirrje për bojkot dhe përçarje ndaj sektorëve prodhues, sidomos nga një subjekt politik që ka ushtruar dhe vazhdon të ushtrojë pushtet në institucionet publike”, thuhet në reagimin e shoqatës.

    Sipas SHIQK-së, sektori i qumështit përfshin mbi 20 mijë fermerë dhe prodhon mbi 300 mijë litra qumësht në ditë. Bojkoti ndaj këtij sektori konsiderohet si goditje e rëndë ndaj ekonomisë vendore dhe mirëqenies së mijëra familjeve.

    Shoqata shpreh zhgënjimin e thellë për kushtet aktuale, të cilat, siç thuhet në reagim, janë më të pafavorshme për prodhuesit vendorë sesa në vitet pas luftës, duke theksuar se sot, më shumë se kurrë, nevojitet përkrahje institucionale dhe jo mesazhe përçarëse.

    Në fund, SHIQK u bën thirrje drejtuesve të Lëvizjes VETËVENDOSJE të distancohen nga deklaratat e Alim Ramës dhe të marrin masa konkrete për të parandaluar dëmtimin e mëtejshëm të sektorit vendor të prodhimit.

    “Qëndrime të tilla nxisin urrejtje dhe janë në kundërshtim me interesin kombëtar dhe ekonomik të Kosovës”, përfundon reagimi.

  • Kinezët prodhojnë një “Rolls-Royce” për… të varfërit!

    Kinezët prodhojnë një “Rolls-Royce” për… të varfërit!

    Kompanitë kineze të automobilave po tregojnë fuqinë e tyre duke prodhuar automjete luksoze me një çmim që evropianët mund ta përballojnë, duke sfiduar kështu hapur gjigandët e këtij sektori në kontinentin e vjetër.

    Së fundmi kompania kineze Zeekr ka krijuar modelin SUV, Zeekr 9X , tepër luksoz, i cili po prezantohet këto ditë në Auto Show në Shangai.

    Ajo çka tërheq vëmendjen është pamja e jashtme e kësaj makine që të kujton SUV-in luksoz të Rolls Royce Cullinan, me elementë të dizajnit që të kujtojnë grilën e Cullinan dhe shtyllën e tretë të saj në pjesën e pasme.

    Megjithatë, Zeekr 9X, pavarësisht pranisë së tij, duket më pak i freskët dhe inovativ në krahasim me SUV-të luksoze evropiane, pasi i mungojnë veçoritë futuriste si dorezat e fshehura apo dyert e pasme që hapen me kokë poshtë.

    Prania e Zeekr 9X në treg pritet të shkundë segmentin e SUV-ve luksozë, pasi është një model hibrid dhe mundë të arrijë shpejtësi nga 0 në 100 km/h, në afërsisht 3 sekonda. Edhe pse kompania nuk i ka konfirmuar plotësisht specifikimet teknike, 9X duket se ndjek formulën e suksesshme të kompanisë për automjetet elektrike ose hibride.

    Zeekr 9X pritet të dalë në treg me çmime që fillojnë nga 60,000 euro në Kinë, gjë që e vendos atë në kategorinë premium evropian të SUV-ve edhe pse nuk prek luksin e Cullinan apo Range Rover.

  • Krejt çka dihet për plagosjen e mbrëmshme në Emshir

    Krejt çka dihet për plagosjen e mbrëmshme në Emshir

    Mbrëmjen e së mërkurës (23 prill), në lagjen Emshir të Prishtinës, një person mbeti i plagosur nga të shtënat me armë zjarri.

    Lidhur me rastin, policia ka identifikuar një person të dyshuar, bëri të ditur zëdhënësi i policisë për rajonin e Prishtinës, Agron Borovci.

    “Rreth orës 21:00 është raportuar për të shtëna me armë zjarri në rrugën ”Rexhep Krasniqi” në Prishtinë. Nga informacionet e para bëhet e ditur për një person të plagosur, jashtë rrezikut për jetë, i cili po merr trajtimin e nevojshëm mjekësor në QKUK. Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes, ka identifikuar një person të dyshuar, si i implikuar në rastin në fjalë, përderisa po vijon punën hetimore me qëllim zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje”, tha Borovci.

    Personi i dyshuar për plagosjen me armë zjarri është identifikuar si Valton Sadiku.

    Sipas të dhënave të deritanishme, ndaj Sadikut janë të hapura disa raste penale, përfshirë incidente me armë zjarri.

    Ai dyshohet gjithashtu për një tentim vrasjeje në një rast të mëparshëm, ndërsa për organet e rendit konsiderohet si person me rrezikshmëri të lartë dhe me prirje të përsëritura kriminale.

    I plagosuri i përket moshës rreth 25-vjeçare, ndërsa i dyshuari sipas policisë gjendet ende në arrati.

    I riu i plagosur është jashtë rrezikut për jetën dhe po mjekohet në QKUK.

  • ​Asamblistët e LVV-së në Prishtinë bojkotojnë seancën për Planin Zhvillimor Komunal

    ​Asamblistët e LVV-së në Prishtinë bojkotojnë seancën për Planin Zhvillimor Komunal

    Lëvizja Vetëvendosje, qendra në Prishtinë ka reaguar ndaj seancës së jashtëzakonshme të Kuvendit Komunal ku pritet të jetë vetëm një pikë e rendit të ditës Pani Zhvillimor Komunal.

    Sipas LVV-së ky është tentimi i radhës për ta kontrabanduar dokumentin kryesor komunal mbi zhvillimin e qytetit, për të cilin ministria e Mjedisit ka konstatuar qartë shkelje të shumta procedurale dhe ligjore, raporton KosovaPress.

    Andaj LVV ka paralajmëruar se grupi i asamblistëve të tyre nuk do të merr pjesë në këtë seancë.

    “Ky draft aktual i PZHK-së, me 28 komente negative nga MMPHI, ndër të tjera parashikon zgjerim të zonave ndërtimore në mënyrë të pakontrolluar, projekton rrugë që kalojnë nëpër toka bujqësore të cilësisë së lartë dhe rrezikon zonat e mbrojtura ujore. Për këtë arsye, Grupi i Asamblistëve të Lëvizjes VETËVENDOSJE! nuk do të marrë pjesë në këtë seancë klandestine të thirrur nga kryetari në ikje. Ne refuzojmë të bëhemi pjesë e një procesi joligjor, joprofesional dhe të dëmshëm për Prishtinën”, thuhet në reagimin e LVV-së.

    LVV ka ftuar të gjithë kolegët asambleistë nga të gjitha subjektet politike që ta bojkotojnë këtë mbledhje, dhe të mos e legjitimojnë me praninë e tyre një dokument që rrezikon të kthehet në pasojë për të ardhmen e qytetit.

    “Prishtina ka nevojë dhe do ta ketë një Plan Zhvillimor të ligjshëm, vizionar dhe të ndërtuar mbi interesin publik, e jo plan mbi tavolina të errëta me interesa private e partiake – siç po propozon kryetari të cilit i kanë mbetur vetëm edhe pesë muaj mandat”, thuhet tutje.

    Ndërkaq, sot mbahet seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit Komunal të Prishtinës me pikën e rendit të ditës propozim-vendimi për lënie në shqyrtim publik të projekt-dokumentit të Planit Zhvillimor Komunal 2025-2033.