ATV

Author: ATVLive

  • Përkeqësohet bilanci tregtar, bie eksporti e rritet importi

    Përkeqësohet bilanci tregtar, bie eksporti e rritet importi

    Eksporti i mallrave kosovare ka shënuar rënie në mars të këtij viti krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2024. Përderisa ka rritje të theksuar të importit. Kështu thuhet në raportin e Agjencisë së Statistikave të Kosovës, të publikuar sot, raporton KosovaPress.

    Agjencia e Statistikave të Kosovës bën të ditur se të dhënat nga tregtia e jashtme e mallrave në Kosovë tregojnë për një deficit tregtar prej 21,8 për qind në muajin mars 2025, në raport me periudhën e njëjtë të vitit 2024, gjegjësisht në vlerë prej 535,7 milionë eurosh, krahasuar me deficitin prej 439,7 milion eurosh në vitin 2024.

    Sipas ASK-së, eksporti mbulon importin me vetëm 12.2 për qind.

    “Eksporti i mallrave në muajin mars 2025 kishte vlerën 74.7 milionë euro, ndërsa importi 610.5 milionë euro, që është një rënie prej 7. 2 për qond për eksport, si dhe një rritje prej 17. 3 për qind për import, duke krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2024”, thuhet në raportin e ASK për tregtinë e jashtme, transmeton KosovaPress.

    ASK tha se sipas të dhënave të grupeve kryesore të eksportit: 23,6% e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre; 11,9% e përbëjnë plastika, goma dhe artikujt prej tyre; 11,8% e përbëjnë ushqimet e përgatitura; 10,7% e përbëjnë artikujt e ndryshëm të prodhuar; pijet dhe duhani; 9,0% e përbëjnë produktet minerale, etj.

    Ndërsa sipas të dhënave të grupeve kryesore të importit: 15,9% e përbëjnë produktet minerale; 12,8% e përbëjnë makineritë, pajisjet mekanike dhe elektrike; 10,7% e përbëjnë ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani; 10,3% e përbëjnë mjetet e transportit; 9,0% e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre, etj.

    Sipas ASK-së, eksportet e Kosovës në vendet e BE-së arritën në 25,9 milionë euro, ose rreth 34.8 për qind e eksporteve të përgjithshme, me një rënie prej 15,8%). Partnerët kryesorë për eksportin e mallrave në BE ishin: Gjermania (10,8%), Holanda (3,3%), Italia (3,3), etj.

    Importet e Kosovës nga vendet e BE-së ishin rreth 249,0 milion Euro, ose 40,8% e importeve të përgjithshme, me një rënie prej (-1,1%). Importet me pjesëmarrje me të lartë ishin nga: Gjermania (12,6%), Italia (5,5%), Polonia (3,2%), etj.

    Po ashtu sipas ASK-së, eksportet e Kosovës me vendet e CEFTA-s arritën në 33,5 milionë euro, ose 44,8% të eksporteve të përgjithshme, me një rritje prej 3,3%. Partnerë kryesorë për eksport nga vendet e CEFTA-s ishin: Maqedonia e Veriut (15,8%), Shqipëria (14,7%), Mali i Zi (6,6%), Serbia (5,9%).

    “Importet nga vendet e CEFTA-s arritën në 101,5 milion Euro, ose 16,6% të importeve të përgjithshme, me një rritje prej 51,1%. Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import ishin: Maqedonia e Veriut (6,5%), Shqipëria (5,1%), Serbia (3,7%)”, thuhet në raport.

    Ndërsa, sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, eksportet e Kosovës me vendet e tjera të botës arritën në 15,3 milion Euro, ose 20,5%. Si partnerë më të rëndësishëm nga këto vende për eksport ishin: Zvicra (10,1%) dhe SHBA (3,0%). “Importet e Kosovës me vendet e tjera të botës arritën në 259,9 milion Euro, ose 42,6%. Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import në këtë grup ishin: Turqia (14,0%) dhe Kina (12,0%)”, thuhet në raport.

  • ​KE e BQE paralajmërojnë: Çrregullimet tregtare i detyrojnë qytetarët të kursejnë

    ​KE e BQE paralajmërojnë: Çrregullimet tregtare i detyrojnë qytetarët të kursejnë

    Pritjet e konsumatorëve evropianë u përkeqësuan në prill për të dytin muaj radhazi, duke rënë në nivelin e tyre më të ulët në një vit e gjysmë, sipas një sondazhi të Komisionit Evropian, me Bankën Qendrore Evropiane (BQE), duke paralajmëruar se ndërprerjet në tregtinë ndërkombëtare mund t’i shtyjnë qytetarët të jenë të kujdesshëm dhe të kursejnë.

    Indeksi që mat pritjet e konsumatorëve në eurozonë ra 2.2 pikë në prill në krahasim me marsin, në minus 16.7 pikë, llogariti Komisioni në një raport të publikuar të martën. Ky është niveli më i ulët që nga nëntori 2023, kur ishte minus 16.9 pikë, raporton KosovaPress.

    Në muajin mars, ai ra me 0.9 pikë, pas një rritjeje të lehtë në muajin shkurt. Konsumatorët e BE-së gjithashtu treguan pesimizëm të theksuar në prill, me indeksin që ra me 2.1 pikë në minus 16 pikë. Në mars, ajo kishte rënë me një pikë.

    Ndikimi i inflacionit dhe tensioneve tregtare

    Sondazhi tregoi se ndjenja e konsumatorit evropian në prill u largua më shumë nga mesatarja afatgjatë, duke rënë në nivelin më të ulët në tetëmbëdhjetë muaj, sipas Komisionit, i cili kreu anketën nga 1-21 prill në 26 vende të BE-së, me përjashtim të Spanjës. Të dhënat mbulojnë 89.3 për qind të totalit të konsumit final privat në eurozonë dhe 90.9 për qind në BE.

    Inflacioni në Eurozonë dhe BE u dobësua lehtë në mars, në 2.2 dhe 2.5 për qind respektivisht, treguan përllogaritjet e Zyrës Evropiane të Statistikave.

    Banka Qendrore Evropiane (BQE) uli sërish normat e interesit javën e kaluar, me një çerek pikë përqindjeje, duke paralajmëruar se vala e tarifave kishte krijuar një shkallë të lartë pasigurie për ekonominë e eurozonës.

    Ndërprerjet në tregtinë ndërkombëtare, tensionet në tregjet financiare dhe pasiguria gjeopolitike rëndojnë mbi investimet e biznesit dhe qytetarët mund të tregojnë më shumë kujdes dhe një tendencë më të madhe për të kursyer, theksuan ata.

    KE do të publikojë një raport të plotë mbi gjendjen ekonomike në fund të muajit.

  • ​Verërat evropiane mbajnë nivel “alarmant” të kimikatit TFA, zbulon studimi

    ​Verërat evropiane mbajnë nivel “alarmant” të kimikatit TFA, zbulon studimi

    Nivelet e një kimikati të njohur pak, të quajtur acid trifluoroacetik (TFA), janë rritur në mënyrë “alarmante” në verërat evropiane gjatë dekadave të fundit, sipas një analize të kryer nga Rrjeti Evropian i Veprimit kundër Pesticideve (Pesticide Action Network Europe), shkruan theguardian.

    Ky kimikat, që rrjedh nga prishja e përbërjeve të qëndrueshme të njohura si Pfas, është i lidhur me rreziqe të mundshme për fertilitetin dhe është gjetur në përqendrime shumë më të larta në verë sesa në ujë, ku më parë është matur, transmeton KP.

    Studiuesit analizuan 49 shishe verë të prodhuara në periudha të ndryshme dhe gjetën se verërat e prodhuara para vitit 1988 nuk përmbanin gjurmë të TFA-së. Në kontrast, ato të prodhuara pas vitit 2010 treguan një rritje të ndjeshme të ndotjes. Të dy llojet e verërave – organike dhe konvencionale – shfaqën prani të TFA-së, megjithëse nivelet në verërat organike ishin zakonisht më të ulëta.

    “Verërat me përqendrimet më të larta të TFA-së ishin zakonisht ato që kishin edhe më shumë mbetje pesticidesh“, tha Salomé Roynel nga Rrjeti Evropian i Veprimit kundër Pesticideve, duke i bërë thirrje Komisionit Evropian dhe shteteve anëtare të ndalojnë përdorimin e pesticideve që përmbajnë Pfas.

    Studimi përfshiu 10 verëra nga rajone rurale të Austrisë që datojnë që nga viti 1974, si dhe 16 verëra të blera kohët e fundit në supermarkete, nga vitet 2021–2024. Pas zbulimeve fillestare, studiuesit kërkuan mostra edhe nga vende të tjera të Evropës. Rezultatet nga 10 shtete evropiane konfirmuan mungesën e TFA-së në verërat e vjetra, një rritje të moderuar midis viteve 1988 dhe 2010, dhe një rritje të fortë më pas, me nivelet mesatare që arrinin 121 mikrogramë për litër në verërat më të fundit.

    Pfas janë kimikate të përdorura gjerësisht në produkte të përditshme, disa prej të cilave tashmë njihen për ndikime të dëmshme shëndetësore. Ndërsa rreziku nga TFA është shpërfillur për një kohë të gjatë, studimet e fundit në kafshë kanë sugjeruar se ai mund të ndikojë në shëndetin riprodhues. Vjet, një rregullator kimik gjerman propozoi që TFA të klasifikohej si toksik për riprodhimin në nivel të Bashkimit Evropian.

    Një studim tjetër paralajmëronte se përhapja e TFA-së dhe rezistenca e tij ndaj degradimit natyror e bëjnë atë një kandidat për të përmbushur kriteret e një „kërcënimi të kufirit planetar“, duke rrezikuar potencialisht procese themelore të sistemit të Tokës.

    Sipas Hans Peter Arp, kërkues në Universitetin e Shkencave dhe Teknologjisë në Norvegji, rritja e TFA-së është në përputhje me atë që komuniteti shkencor ka vënë re në shumë mediume mjedisore. Ai theksoi se pesticidet Pfas janë ndoshta një burim i madh i ndotjes në zonat bujqësore, përveç burimeve të tjera si refrigerantët dhe produktet farmaceutike.

    TFA besohet se rrjedh kryesisht nga F-gazet – refrigerantë të fluorinuar që u përhapën pas ndalimit të klorofluorokarboneve në vitin 1987 – dhe nga pesticidet që përmbajnë Pfas, të përdorura gjerësisht në Evropë që nga vitet ’90. Një tjetër studim nga Gjermania tregoi rritje të ndjeshme të TFA-së në ujërat nëntokësore në zonat bujqësore.

    Gabriel Sigmund, studiues në Universitetin Wageningen, tha se TFA nuk degradohet në mënyrë natyrale dhe është shumë e vështirë dhe e kushtueshme për t’u larguar gjatë trajtimit të ujit. Ai shtoi se mungesa e të dhënave për mënyrën dhe shkallën me të cilën TFA formohet nga pesticidet e mëparshme e bën të vështirë parashikimin e përhapjes së mëtejshme.

    “Edhe nëse ndalojmë përdorimin e këtyre pesticideve sot, përqendrimet e TFA-së ka të ngjarë të vazhdojnë të rriten në vitet që vijnë“, paralajmëroi ai.

  • “Autobusi” shqipton 56 gjoba në rajonin e Prishtinës

    “Autobusi” shqipton 56 gjoba në rajonin e Prishtinës

    Policia e Rajonit të Prishtinës respektivisht, Njësiti i Trafikut të Kryeqytetit që nga 14 prilli në koordinim me inspektorët komunal dhe ata të Ministrisë së Transportit është duke e implementuar planin “Autobusi”.

    Gjatë implementimit të planit bëhet e ditur janë shqiptuar 56 gjoba ,të ndryshme lidhur me mosrespektimin e rregullave mbi transportin e personve në komunikcionin rrugor.

    Bëhet fjalë për gjoba që kanë të bëjnë me ndalim në vendin e ndaluar me shenjë të komunikacionit, bartja e pasagjerëve më tepër se sa lejohet në mjet si dhe mosrepsktimi i itinerarit me autobusë brenda qytetit.

  • Një person i arratisur nga drejtësia në Kosovë paraqitet si viktimë në Speciale

    Një person i arratisur nga drejtësia në Kosovë paraqitet si viktimë në Speciale

    Në konferencën mbi ecurinë e çështjes nga Thaçit dhe të tjerëve në Hagë, trupi gjykues ka dhënë disa urdhra me gojë, ndër të cilët edhe një për pranimin e disa dokumenteve që flisnin për një person të arratisur nga drejtësia në Kosovë.

    Sipas trupit gjykues, bëhet fjalë për një viktimë të pretenduar e cila thuhet se ka bërë krime të rënda në Kosovë dhe më pas ka ikur nga drejtësia.

    Ky ishte urdhri i gjashtë i trupit gjykues më 23 prill.

    Në konferencë u tha se janë tre artikuj për një viktimë të pretenduar e që sipas mbrojtjes së Krasniqit janë të rëndësishëm. Për të vlerësuar besueshmërinë e viktimës së pretenduar.

    Trupi gjykues konstaton se tri dokumentet përmbushin kriteret prima facie të rregullues 138. Sa i takon relevancës, trupi gjykues vlerëson se tri dokumentet janë relevante për besueshmërinë e personit që pretendohet se është mbajtur i ndaluar nga UÇK-ja dhe për të cilin shumë dëshmitarë, përfshirë edhe dëshmitarin 04758 kanë dhënë dëshmi. Trupi gjykues vëren se personi që është objekt i këtyre artikujve nuk është thirrur për të dhënë dëshmi. Relevanca e materialit lidhet me dëshminë e këtij dëshmitari që pretendohet se ja ka dhënë një personi tjetër i cili më pas erdhi dhe dha dëshmoni para turpit gjykues”, tha kryetari i trupit gjykues.

    “Sa I takon vlerës provuese, trupi gjykues vërën se ndonëse saktësia e këtij informacioni që gjendet në artikuj, nuk mund të verifikohet në mënyrë të pavarur, sidoqoftë, tre artikujt kanë data të ndryshme, vinë nga burime të ndryshme mediatike, citojnë burime të ndryshme dhe sugjerojnë se viktima e pretenduar është dënuar për vepra të rënda penale në Kosovë dhe është arratisur nga Kosova. Trupoi gjykues konstaton se ndonëse dokumentet relevanten e kanë shumë të vogël, kanë një lloj vlere provuese e cila mjafton për të përmbushur standardin prima facie”, shtoi Smith.

    Në këtë konferencë, mbrojtja e Hashim Thaçit, avokati Luka Misetiq tha ndër të tjera se Zyra e Prokurorit të Specializuar ka kërkuar që disa materiale nga çështja e Thaçit ku akuzohet për pengim të drejtësisë, të pranohen edhe në rastin për krime të pretenduara të luftës.

    Misetiq tha se kanë të drejtë të dorëzojnë një kërkesë dhe të kërkojnë mjete juridike përkatëse.

    Mbrojtja e Thaçit tha se mocioni i prokurorisë ngritë disa çështje që cenojnë disa nga të drejtat themelore të ish-presidentit – si atë për proces të drejtë juridik.

    Misetiq kërkoi kohë dhe fjalë shtesë për ta kundërshtuar zyrtarisht kërkesën e ZPS-së./KP

  • ​Distria në finale të Evropianit

    ​Distria në finale të Evropianit

    Distria Krasniqi ka siguruar tjetër medalje të vlefshme. Ajo u kualifikua në finale të Kampionatit Evropian që po mbahet në Podgoricë.

    Në gjysmëfinale të kategorisë deri 52 kg, Distria e mposhti spanjollen Ariane Toro Soler. Ndaj saj fitoi me Ippon, shkruan KP.

  • Komuna e Prishtinës jep shpjegim për kolonat: E kuptojmë plotësisht frustrimin tuaj, dje pati aksidente e punime

    Komuna e Prishtinës jep shpjegim për kolonat: E kuptojmë plotësisht frustrimin tuaj, dje pati aksidente e punime

    Komuna e Prishtinës sot doli me një njoftim për punimet që po bëhen në disa rrugë të kryeqytetit e që ishin ndër shkaqet e kolonëve të mëdha me të cilat u përballen dje qytetarët.

    Për këtë, Komuna thotë se “e kupton” frustrimin e qytetarëve, por shtoi se për ato kolone ndikuan edhe një numër aksidentesh që ndodhën dje.

    “Dje, hyrjet dhe rrugët e Prishtinës kanë qenë të mbingarkuara dhe e kuptojmë plotësisht frustrimin dhe indinjatën tuaj. Me përmirësimin e motit, kemi nisur disa ndërhyrje afatshkurtra rehabilituese në zona të ndryshme të qytetit, për të përmirësuar infrastrukturën rrugore dhe rritur sigurinë për të gjithë”, tha Komuna.

    Komuna tha se “çdo ndërhyrje që po bëjmë është në shërbim të një Kryeqyteti më të sigurt, më të qetë dhe më funksional”.

    Postimi i plotë:

    Të dashur qytetarë,

    Dje, hyrjet dhe rrugët e Prishtinës kanë qenë të mbingarkuara dhe e kuptojmë plotësisht frustrimin dhe indinjatën tuaj.

    Me përmirësimin e motit, kemi nisur disa ndërhyrje afatshkurtra rehabilituese në zona të ndryshme të qytetit, për të përmirësuar infrastrukturën rrugore dhe rritur sigurinë për të gjithë:

    ️‍Punimet në rrugë përfshijnë:

    • Rr. Malush Kosova – në proces rehabilitimi, e hapur me pengesa në qarkullim

    • Rr. Don Shtjefën Kurti – e mbyllur për qarkullim

    • Rr. Nimete Progonati – e mbyllur për qarkullim

    • Rr. Agim Ramadani – ndërhyrje për rregullimin e pjesëve të dëmtuara

    ️🚧 Punime në rrjetin e kanalizimit:

    • Në rrugën B/C, ku përkohësisht është mbyllur një korsi në dalje nga rruga B dhe një korsi në hyrje të rrugës C.

    Por njëkohësisht kemi pasur edhe situata të paparashikuara. Nga ora 16:00 e tutje, në kryeqytet janë regjistruar 7 aksidente trafiku, në këto lokacione:

    • Rrethi i Flamurit

    • Rr. Ibrahim Lutfiu

    • Rr. Isa Kastrati

    • Rr. Xheladin Rekaliu

    • Rr. Vicianum

    • Rr. Bill Klinton

    • Rr. Ramiz Cernica

    Të gjitha këto kanë ndikuar në krijimin e ngarkesave dhe vonesave të shumta në qarkullim.

    E kuptojmë shqetësimin tuaj por çdo ndërhyrje që po bëjmë është në shërbim të një Kryeqyteti më të sigurt, më të qetë dhe më funksional.

    Faleminderit për mirëkuptimin dhe durimin tuaj!

  • Osmani në Finlandë: Vizioni i Kosovës për integrimin evropian, paqen dhe stabilitetin

    Osmani në Finlandë: Vizioni i Kosovës për integrimin evropian, paqen dhe stabilitetin

    Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka udhëtuar për vizitë pune në Finlandë, me ftesë të Presidentit finlandez, Alexander Stubb.

    Vizita do të nisë me një ceremoni zyrtare, të organizuar në Pallatin Presidencial në Helsinki, pas së cilës të dy presidentët do të zhvillojnë një takim tête-à-tête, pasuar nga një takim ndërmjet delegacioneve respektive të dy shteteve. Në kuadër të vizitës, Presidenti Stubb do të shtrojë drekë zyrtare për Presidenten Osmani dhe delegacionin e saj në pallatin presidencial në Helsinki.

    Në kuadër të kësaj vizite, Presidentja Osmani do të ndajë Medaljen Presidenciale Ushtarake për Forcat e Armatosura të Finlandës, për kontributin e tyre për paqe e siguri në Kosovë, në kuadër të forcave të NATO-s – misionit të KFOR-it.

    Presidentja Osmani gjatë vizitës në Finlandë do të pritet gjithashtu nga Jussi Halla-aho, kryetar i Parlamentit të Finlandës si dhe nga ministrja për Punë të Jashtme të Finlandës, znj. Elina Valtonen.

    Në kuadër të agjendës, Presidentja Osmani do të mbajë një diskutim në Universitetin e Helsinkit me temën “Vizioni i Kosovës për integrimin evropian, paqen dhe stabilitetin”, ku para studentëve, profesorëve dhe diplomatëve do të shpalosë prioritetet strategjike të Republikës së Kosovës.

    Po ashtu, gjatë qëndrimit në Finlandë, Presidentja Osmani do të zhvillojë një takim me përfaqësues të mërgatës kosovare, për të bashkëbiseduar me ta për zhvillimet e fundit në Kosovë dhe për të shprehur mirënjohje për kontributin e tyre të çmuar në fuqizimin e vendit.

  • Mocionet për rrëzimin e akuzave: Mbrojtja e krerëve të UÇK-së kërkon afat deri në mes të qershorit

    Mocionet për rrëzimin e akuzave: Mbrojtja e krerëve të UÇK-së kërkon afat deri në mes të qershorit

    Avokatët e krerëve të UÇK-së kanë kërkuar afat deri në mes të qershorit, për të dorëzuar mocionin për rrëzimin e aktakuzës.

    Kështu ka bërë të ditur avokati i Thaçit, Luka Misetiq.

    Ai ka thënë se lënda është e ngarkuar, dhe si rezultat iu duhet kohë shtesë.

  • Tre tërmete të fuqishme godasin Stambollin, më i forti me magnitudë 6.2 sipas shkallës Rihter

    Tre tërmete të fuqishme godasin Stambollin, më i forti me magnitudë 6.2 sipas shkallës Rihter

    Një tërmet me magnitudë 6.2 ka goditur pranë Stambollit të Turqisë, duke shkaktuar dridhje të forta në qytetin më të madh të vendit dhe duke detyruar banorët të braktisin ndërtesat në panik, raporton BBC, përcjell ATV.

    Sipas shërbimeve emergjente turke, tërmeti ndodhi të mërkurën në orën 12:49 sipas kohës lokale (09:49 GMT) dhe u regjistrua në një thellësi prej 6.92 kilometrash.

    Epiqendra e tërmetit ishte në zonën e Silivrisë, rreth 80 kilometra në perëndim të Stambollit. Për momentin nuk ka raportime për viktima apo dëme të mëdha materiale, por autoritetet janë duke vazhduar vlerësimin e situatës në terren.

    Lëkundjet janë ndier gjerësisht edhe në Stamboll, duke shkaktuar frikë te qytetarët, të cilët janë parë duke dalë me shpejtësi nga banesat dhe objektet publike. Autoritetet i kanë bërë thirrje qytetarëve të qëndrojnë të qetë dhe të ndjekin udhëzimet zyrtare.

    Ndërkohë, ekipet e emergjencës po monitorojnë zonat e prekura për të vlerësuar dëmet dhe për të ndihmuar nëse paraqiten nevoja urgjente.

    Tërmetet janë një fenomen i shpeshtë në Turqi, një vend që ndodhet në një zonë me aktivitet të lartë sizmik. /atvlive.tv