ATV

Author: ATVLive

  • Presidenti palestinez Abbas i kërkon Hamasit të lirojë pengjet

    Presidenti palestinez Abbas i kërkon Hamasit të lirojë pengjet

    Presidenti palestinez, Mahmoud Abbas i ka bërë thirrje organizatës islamike Hamas që të lirojë pengjet që po mban.

    Duke folur në një tubim në Ramallah të mërkurën, Abbas tha se përfundimi i luftës në Gaza ishte prioriteti kryesor.

    ”Dorëzoni ata që janë në paraburgim dhe jepini fund kësaj situate”, kërkoi ai.

    Ai më tej tha se Izraeli nuk duhet t’i jepet asnjë pretekst për të vazhduar luftën, duke shtuar se ”qindra palestinezë po vriten çdo ditë në luftën e Gazës”.

    Sipas burimeve izraelite, 24 pengje ende mbahen në Rripin e Gazës, së bashku me trupat e 35 personave të rrëmbyer.

    Izraeli synon të rrisë presionin ndaj Hamasit me sulme të reja në brezin bregdetar për të siguruar lirimin e më shumë pengjeve.

    Abbas gjithashtu i bëri thirrje Hamasit që t’ia dorëzojë kontrollin e Rripit të Gazës Autoritetit Palestinez.

    Megjithatë, Hamasi dhe grupet e tjera ekstremiste deri më tani kanë refuzuar të dorëzojnë armët. Izraeli kundërshton çdo përfshirje të Hamasit në një qeveri të ardhshme në Gaza.

  • Disa detaje nga jeta e Shekspirit, gjeniu që u lind dhe vdiq në të njëjtën datë

    Disa detaje nga jeta e Shekspirit, gjeniu që u lind dhe vdiq në të njëjtën datë

    Gjeniu i letërsisë britanike, Uilliam Shekspir (William Shakespeare), u lind dhe vdiq në të njëjtën datë, më 23 prill (1564-1616), sipas BBC.

    Më poshtë janë disa fakte surprizë, të zbuluara nga historianët:

    1. Babai i tij ishte një shijues birre dhe një prodhues dorezash

    Shekspiri u lind më 23 prill 1564 në një qytet të quajtur Stratford-upon-Avon, në mes të Anglisë. Familja e tij ishte me të ardhura mesatare. Babai i tij bënte një sërë punësh, duke përfshirë shitjen e lëkurës dhe leshit, shijimin e birrës (në të vërtetë) dhe prodhimin e dorezave.

    2. Ai nuk mund të shkruante në mënyrë korrekte

    Edhe pse Shekspiri mësoi latinisht në shkollë, drejtshkrimi nuk ishte pjesë e mësimeve dhe të gjithë i shkruanin fjalët si të donin. Imagjinojeni atë! Shekspiri e shkruante emrin e tij në mënyra të ndryshme, përfshirë: Willm Shakp, William Shaksper, Wm Shakspe, William Shakspere dhe Willm Shakspere!

    3. U martua i ri

    I martuar në moshën 18-vjeçare me Anne Hathaway, ai pati tre fëmijë.

    4. Së pari u përpoq të bëhej aktor

    Shekspiri shkoi në Londër për t’u bërë aktor. Vëllai i tij Edmundi e ndoqi atë në qytet për të bërë të njëjtën gjë. Megjithatë, Shekspiri kishte më shumë fat që të shkruante shfaqje sesa të aktronte. Ai mësoi shpejt dhe shkroi tragjedi dhe komedi.

    5. Ishte shumë produktiv

    Shekspiri shkroi të paktën 37 drama në jetën e tij, të cilat ne i njohim – mesatarisht dy në vit! Ai gjithashtu shkroi shumë poezi, kryesisht poezi të quajtura sonete. Vetëm në një vit, 1609, ai botoi 154 prej tyre!

    6. Ai i mbijetoi një pandemie

    Ju keni më shumë të përbashkëta me Shekspirin sesa mendoni. Shekspiri jetoi dhe i mbijetoi një pandemie, një nga një sërë valësh të murtajës bubonike. Megjithatë, për fat të keq, djali i tij Hamnet vdiq nga murtaja, në moshën vetëm 11-vjeçare. Kjo ndikoi në shkrimet e tij.

    7. Na dha disa fraza të njohura

    Shekspiri sigurisht kishte anën e tij më të lehtë, krahasuar me vdekjen e djalit. Atij i pëlqente të vinte shaka në shfaqjet e tij, madje edhe në tragjeditë e tij, si dhe sajonte fraza që i përdorim edhe sot, si “i shkrirë në ajër” apo ”kam fjetur me një sy”.

    8. Fyerjet e vrazhda ishin specialiteti i tij

    Shekspiri ishte shumë njohur edhe për ofendimet si ”fytyra jote nuk ia vlen të shihet nga dielli” apo “je i trashë si gjalpi” apo ”unë do ta gudulis katastrofën tënde!”.

    9. Ai ishte një biznesmen i regjur

    Përveçse ishte një shkrimtar krijues, William ishte një biznesmen i regjur. Ai ishte bashkëpronar i kompanisë së tij teatrore, ”Lord Chamberlain’s Men”, dhe ”Globe”, një teatër i ndërtuar në Londër në vitin 1599. Ai madje hapi një teatër të dytë, një teatër elegant të quajtur ”Blackfriars”.

  • Pse uji i detit është i kripur?

    Pse uji i detit është i kripur?

    Fillimisht, uji i detit ishte po aq i freskët sa uji i lumit, shkruan focus.it.

    Përqendrimi aktual i kripës, rreth 35 gram për kilogram ujë, daton vetëm në një miliard vjet më pare, por si u formua ai?

    Duhet të shkojmë shumë më tej në kohë.

    Kjo do të thotë, kur, katër miliardë vjet më parë, Toka filloi të ftohet.

    Shirrat ranë në të gjithë planetin për mijëra vjet dhe uji u vendos në gropa në koren e Tokës për të formuar detet e para.

    Ujërat që ndërkohë vazhdonin të rrjedhin në sipërfaqen e kontinenteve, gradualisht u pasuruan me kripëra minerale të marra nga toka dhe i derdhën në oqeanet në formim.

    Kripësia e deteve gjithashtu ndryshon sipas thellësisë së tyre dhe është dukshëm më e lartë drejt sipërfaqes dhe ku ndodh avullimi i fortë.

    Megjithatë, është më i rrallë në ato dete ku furnizimi me ujë të freskët është më i qëndrueshëm, për shembull pranë një grykëderdhjeje.

  • ​Sorensen sot në Prishtinë

    ​Sorensen sot në Prishtinë

    Emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen, po qëndron sot në Prishtinë.

    Ai pritet të takohet me udhëheqësin e ekipit negociator të Kosovës, Besnik Bislimi.

    KosovaPress mëson se diplomati danez do të qëndrojë vetëm disa orë në Kosovë, në kuadër të një vizite të shkurtër./KP

  • Debat i ashpër mes Përparim Ramës e Dardan Sejdiut për PZHK-në

    Debat i ashpër mes Përparim Ramës e Dardan Sejdiut për PZHK-në

    Ka dështuar në mungesë të kuorumit, seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit komunal të Prishtinës, ku do të diskutohej Plani Zhvillimor komunal 2025-2033.

    Në seancë nuk kanë shkuar asambleistët e PDK-së dhe të Vetëvendosjes.

    Pas dështimit të seancës, aktivisti Dardan Sejdiu ishte i zëshëm duke i bërë pyetje kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama se në cilat lagje dhe me cilat lagje e kanë diskutuar këtë plan.

    “Kjo ka qenë puro politike që vetëm të zhagitet kjo çështje. Pikat që janë përmend aty, janë pika kur ne e kishim hapë këtë diskutim publik. Nuk janë cështje për bllokadë”, tha Rama.

    “Me cilat lagje e keni diskutu këtë plan? Veç keni thënë “lagje” – kurrgjë më shumë”, tha Dardan Sejdiu nga hapësira e gazetarëve.

    Por aty, Përparim Rama e quajti dezinformues Sejdiun, i cili kritikon ashpër që ky plan të diskutohet pak muaj para zgjedhjeve komunale.

    “Në të gjitha lagjet e kryeqytetit kemi pasë diskutime me publik. Ta qesim në miratim, jo sic dezinformon çifti i tij”, tha Përparim Rama.

    Këtë plan rregullativ, po e kundërshtojnë një pjesë e konsiderueshme e shoqërisë civile, për faktin se ata thonë se është bërë në mënyrë jotransparente dhe pa asnjë diskutim publik. Një arsye tjetër pse kritikohet plani, është se ai po vjen pak muaj para zgjedhjeve.

  • Dështoi seanca e jashtëzakonshme e KK të Prishtinës, s’ka kuroum, VV dhe PDK s’morën pjesë

    Dështoi seanca e jashtëzakonshme e KK të Prishtinës, s’ka kuroum, VV dhe PDK s’morën pjesë

    Ka dështuar të mbahet seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit Komunal të Prishtinës, në të cilën ishte paraparë të diskutohej propozim-vendimi për lënien në shqyrtim publik të projekt-dokumentit të Planit Zhvillimor Komunal 2025-2033, raporton EO.

    Në seancën e cila u thirr të enjten, nuk morën pjesë asamblistët e Lëvizjes Vetëvendosje dhe Partisë Demokratike të Kosovës.

    “Do të thotë, mbledhja është thirrur për të marrë vendim për diskutim publik të Planit Zhvillimor Komunal 2025-2033. Nuk ka të bëjë me miratimin e planit, por vetëm me hapjen për diskutim publik. Sipas Shërbimit të Kuvendit, nuk kemi pasur kuorum për ta mbajtur mbledhjen, për shkak të mungesës së asamblistëve të VV-së dhe të PDK-së”, deklaroi kryesuesi i Kuvendit, Ajet Brajshori.

  • Piculla: Serbia nuk mund të hyjë në BE derisa ta njohë Kosovën

    Piculla: Serbia nuk mund të hyjë në BE derisa ta njohë Kosovën

    Deputeti kroat në Parlamentin Evropian dhe raportuesi për Serbinë, Tonino Piculla, ka deklaruar se Serbia nuk do të mund të bëhet anëtare e Bashkimit Evropian pa e njohur pavarësinë e Kosovës dhe pa hequr dorë nga politika e “botës serbe”, transmeton Paparaci.

    Në një intervistë për gazetën kroate “Jutarnji list”, Piculla ka shprehur skepticizëm lidhur me zgjerimin e BE-së deri në vitin 2030, duke theksuar se as Mali i Zi, i cili ka përparuar më së shumti në negociata, nuk do të hyjë në Bashkimin Evropian deri atëherë.

    “Nuk jam optimist për sa i përket pranimit të anëtarëve të rinj. Sikur nesër të ishte mbajtur një referendum për anëtarësimin e Serbisë në BE, nuk duhet pritur ndonjë rezultat spektakolar”, ka thënë Piculla.

  • Krasniqi: Nuk është e lehtë të shpallesh kampione evropiane tri herë

    Krasniqi: Nuk është e lehtë të shpallesh kampione evropiane tri herë

    Distria Krasniqi ka fituar titullin e kampiones së Evropës për herë të tretë në karrierën e saj, shkruan KP.

    Medalistja e dyfishtë olimpike, fitoi medaljen e artë në Kampionatin Evropian të xhudos, që po mbahet në Podgoricë të Malit të Zi. Në finalen plot emocione, Krasniqi mundi italianen Odette Giuffrida, kategoria – 52 kg.

    Krasniqi: Nuk ishte e lehtë ta fitoja Kampionatin Evropian

    “Po ndihem shumë e lumtur, ka qenë shumë e vështirë për ta marrë këtë medalje sepse është më lehtë të merret për herë të parë se sa të përsëritet një rezultat. Është hera e tretë që po bëhem kampione evropiane, jam shumë e lumtur dhe është shumë medalje e veçantë për mua pasi që është kampionati i parë evropian pas Lojërave Olimpike dhe kjo shihet se jam ende e motivuar për të vazhduar me të njëjtin ritëm siç kam qenë para Lojërave Olimpike. Ishte e vështirë shumë, sidomos me xhudistët që jam ndeshur sot prej luftës së parë deri në finale me italianen kështu që ka qenë një ditë shumë e vështirë, shumë e lodhshme por gjithçka ka shkuar mirë dhe e kam pasur një performancë shumë të mirë dhe të gjitha ato përgatitje janë shpërblyer”, ka thënë Krasniqi.

    Ajo ka theksuar se tani do t’i fillojë përgatitjet për Kampionatin Botëror të xhudos i cili mbahet pas dy muajsh në Budapest dhe synimi është që edhe aty të rrëmbejë medalje.

  • 9 të vdekur e 63 të plagosur në Kiev, Trump: Duhet të bëjmë një marrëveshje me Zelenskyn

    9 të vdekur e 63 të plagosur në Kiev, Trump: Duhet të bëjmë një marrëveshje me Zelenskyn

    Bilanci i sulmit ajror rus në Kiev mbrëmjen e kaluar është të paktën 9 të vdekur dhe 63 të plagosur, përfshirë gjashtë fëmijë dhe një grua shtatzënë. 38 persona janë shtruar në spital, sipas agjencisë italiane të lajmeve ANSA, transmeton KP.

    Ministria ruse e Mbrojtjes njoftoi se ka rrëzuar 87 dronë ukrainas mbi rajone ruse dhe Krime. Ndërkohë, në skenën diplomatike po diskutohet një plan paqeje i administratës Trump që parashikon dorëzimin e Krimesë dhe 5 rajoneve lindore Rusisë në këmbim të ndaljes së luftës.

    Trump tha se ka arritur një “marrëveshje me Rusinë” dhe tani kërkon miratimin e Zelenskyt: “Duhet të arrijmë një marrëveshje me Zelenskyn… por deri tani ka qenë më e vështirë”. Ai akuzoi presidentin ukrainas për qëndrim jorealist dhe e paralajmëroi për pasoja shkatërruese nëse nuk pranon kompromisin.

    Në deklaratat e tij, Donald Trump shtoi gjithashtu se “së shpejti do të takohem me Putinin”, shkruan ANSA.

    Një takim i rëndësishëm në Londër, i paralajmëruar me bujë, dështoi pasi përfaqësuesit amerikanë dhe evropianë u tërhoqën në minutën e fundit. Bisedimet u zhvilluan mes përfaqësuesve britanikë, ukrainas, dhe disa këshilltarëve francezë, gjermanë dhe amerikanë, por përfunduan pa rezultat.

    Kievi refuzoi një draft-marrëveshje të përgatitur nga emisari i Trumpit, Steve Witkoff, që përfshinte njohjen e vijave aktuale të frontit dhe koncesione të mëdha ndaj Moskës. SHBA tani e shtyn këtë plan si ultimatum, ndërsa Trump paralajmëron: “Zelensky ose pranon paqen, ose rrezikon të humbasë gjithë vendin”.

    Zëvendëskryeministrja ukrainase Yulia Svyrydenko u shpreh se Ukraina është e gatshme për negociata, por “jo për kapitullim”. BE-ja dhe Franca mbështesin integritetin territorial të Ukrainës dhe ritheksojnë se “Krimea është Ukrainë”.

    Sipas rrjedhjeve mediatike, drafti amerikan përfshin njohjen de facto të pushtimit rus të pjesës më të madhe të Donbasit, pezullimin e sanksioneve, rikthimin e bashkëpunimit ekonomik SHBA-Rusi dhe lënien e Ukrainës jashtë NATO-s. Ukraina do të merrte vetëm garanci të paqarta sigurie nga Evropa dhe ndihmë për rindërtim.

  • ​Kështu përgjigjet Kurti, kur pyetet për Haxhiun

    ​Kështu përgjigjet Kurti, kur pyetet për Haxhiun

    Kosovës, Albin Kurti është pyetur nga KosovaPress se a do të jetë Albulena Haxhiu përsëri emri i propozuar për kryparlamentare por ai refuzoi të përgjigjet.

    Kurti tha se “ndërtojmë ura, e banorët e Rogovës ndërtojnë tokën”.

    Këto komente ai u bëri pas përurimit të urës në fshatin Rogovë të Hasit.

    “Ne ndërtojmë ura, banorët e Rogovës ndërtojnë tokën, e shiu është për bereqet”, tha ai.

    Po ashtu refuzoi të përgjigjet edhe për kallëzimin penal të paralajmëruar nga LDK-ja.

    E propozuara e LVV-së për kryetare të Kuvendit, Albulena Haxhiu nuk ka marrë votat për kryetare të Kuvendit, raporton KP.

    Në tentimin e pestë për t’u zgjedhur kryeparlamentare, Haxhiu mori vetëm 57 vota për nga LVV-ja dhe komunitetet, 46 kundër nga PDK, LDK dhe AAK dhe ndërkaq, tre deputetët e Nisma-s abstenuan.

    Vazhdimi i seancës konstituive pritet të mbahet të premten në orën 10:00.