ATV

Author: ATVLive

  • Estonia planifikon ndërtimin e një bazë të re ushtarake në kufirin me Rusinë

    Estonia planifikon ndërtimin e një bazë të re ushtarake në kufirin me Rusinë

    Estonia planifikon të ndërtojë një bazë ushtarake në qytetin Narva, duke regjistruar lëvizjen e fundit të vendit baltik për të forcuar sigurinë përgjatë kufirit me Rusinë.

    Tallin-i zyrtar aktualisht po kërkon një vendndodhje për bazën e vogël, e cila do të presë disa qindra trupa. Ato mund të përfshijnë gjithashtu forca nga aleatët e NATO-s që kanë trupa me bazë në vend, të tilla si Mbretëria e Bashkuar dhe SHBA-të.

    “Duke zhvendosur forcat më afër kufirit me Rusinë, baza e re do t’u dërgojë një sinjal banorëve se shteti estonez ka një prani të fortë”, tha gjeneralmajor Vahur Karus për kompaninë e transmetimit publik ERR në një intervistë radiofonike.

    Estonia ka marrëdhënie të tensionuara me Moskën dhe është një mbështetës i vendosur i luftimit të Ukrainës kundër pushtimit në shkallë të plotë të Rusisë.

    Vendi baltik ka dyfishuar buxhetin e saj të mbrojtjes vitet e fundit dhe planifikon të forcojë kufirin e saj lindor me qindra bunkerë dhe sisteme anti-drone.

    Narva ka qenë prej kohësh një pikë qendrore e tensioneve me Moskën. Pothuajse shumica e banorëve të saj flasin rusisht, jo estonisht, si gjuhën e tyre amtare dhe shumë prej tyre janë shtetas rusë.

  • Edhe Akil Gjakova kalon në rrethin e tretë në Evropianin e xhudos

    Edhe Akil Gjakova kalon në rrethin e tretë në Evropianin e xhudos

    Akil Gjakova ka kaluar në rrethin e tretë në Kampionatin Evropian të xhudos, i cili po mbahet në Podgoricë të Malit të Zi.

    Garuesi kosovar e kaloi rrethin e parë pa luftë, ndërsa në atë të dytë e mposhti francezin Maxime Gobert, i cili pësoi lëndim në gju dhe u tërhoq nga meçi pasi s’mundi të vazhdonte më”.

    Në rrethin e tretë, Akili do të ketë punë me moldavin Victor Sterpu, përmes së cilit synon ta sigurojë kualifikimin në çerekfinale.

    Gjakova synon të fitojë medalje në Evropianin e xhudos.

  • Trump: Ulja e tarifave varet nga Pekini

    Trump: Ulja e tarifave varet nga Pekini

    Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, tha të mërkurën se çdo ulje e tarifave mbi importet kineze do të varet nga veprimet e Pekinit, ndërsa tensionet tregtare mes dy ekonomive më të mëdha në botë mbeten të larta, sipas agjencisë turke të lajmeve AA, transmeton KosovaPress.

    I pyetur gjatë një takimi në Zyrën Ovale – ku ai nënshkroi urdhra ekzekutive – se sa shpejt dëshironte të ulte tarifat ndaj Kinës, Trump u përgjigj: “Epo, kjo varet prej tyre”.

    Më herët gjatë ditës, zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, e përforcoi qëndrimin e Trump në një intervistë për Fox News. “Nuk do të ketë asnjë ulje të njëanshme të tarifave kundër Kinës… Kina duhet të bëjë një marrëveshje me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, tha ajo.

    Trump përsëriti ankesën e tij të kahershme për praktikat tregtare të padrejta. “Ne kemi një vend shumë, shumë të madh që quhet Shtetet e Bashkuara të Amerikës, dhe është grabitur për vite e vite me radhë”, tha ai.

    Ai paralajmëroi se mosarritja e një marrëveshjeje do ta çonte Washingtonin drejt vendosjes së një norme tarifore, e cila sipas tij, mund të përcaktohet së shpejti. “Gjatë dy apo tre javëve të ardhshme, do ta vendosim numrin, dhe do të zgjedhim (një normë), mund të jetë edhe për Kinën”.

    “Nëse nuk arrijmë një marrëveshje, gjë që është e mundur, atëherë thjesht do ta vendosim çmimin”, shtoi Trump.

    Ai tha se vendet që duan të bëjnë biznes në SHBA duhet të vendosin nëse do të vazhdojnë të tregtojnë sipas atyre kushteve.

    Më herët, Trump kishte premtuar “një marrëveshje të drejtë me Kinën”, duke pretenduar se marrëdhëniet “dolën jashtë kontrollit” gjatë administratave të mëparshme.

    Deklaratat erdhën në mes të një lufte tregtare në përshkallëzim, ku Trump kohët e fundit rriti tarifat “reciproke” ndaj Kinës nga 84% në 125%, përveç një tarife prej 20% të lidhur me fentanyl-in të vendosur më herët këtë vit, duke e çuar normën efektive në 145% për shumicën e mallrave.

    Disa produkte kineze përballen me norma edhe më të larta për shkak të tarifave shtesë të Seksionit 301 që adresojnë praktikat e padrejta tregtare, me artikuj të caktuar si automjetet elektrike që përballen me deri në 245% detyrime në total.

    Si kundërpërgjigje, Kina ka vendosur tarifa deri në 125% për produktet amerikane dhe ka kufizuar eksportet e mineraleve të rralla tokësore, të domosdoshme për industritë e teknologjisë së lartë.

  • Dardan Cena e fiton edhe betejën e dytë në Evropianin e Xhudos, e mposht me Ippon ukrainasin

    Dardan Cena e fiton edhe betejën e dytë në Evropianin e Xhudos, e mposht me Ippon ukrainasin

    Dardan Cena e ka fituar edhe betejën e dytë në Kampionatin Evropian të Xhudos, i cili po mbahet në Podgoricë të Malit të Zi.

    Garuesi kosovar në rrethin e dytë në kategorinë deri në 73 kilogramë e mposhti me Ippon ukrainasin Said-Magomed Khalidov, shkruan Express.

    Paraprakisht, Cena e mposhti izraelitin Baruch Shmailov.

    Xhudisti pejan synon të shkojë sa më larg në Evropianin e Xhudos, ndërsa në rrethin e tretë do të takohet me rusin Danil Lavrentev, përmes të cilit do ta kërkojë kualifikimin në çerekfinale të Evropianit.

  • Sorenseni pritet në takim nga Barduani, flasin për situatën e sigurisë në mbarë rajonin

    Sorenseni pritet në takim nga Barduani, flasin për situatën e sigurisë në mbarë rajonin

    Komandanti i KFOR-it, Enrico Barduani, priti sot në takim emisarin e BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen.

    Vizita e sotme në Kosovë ishte e dyta në mandatin e Sorensenit, i cili nuk e humbi rastin të shkëmbejë mendime me komandantin e KFOR-it për zhvillimet në situatën e sigurisë në mbarë rajonin.

    Barduanui, sipas një njoftimi në faqen zyrtare të KFOR-it, nënvizoi përpjekjet e KFOR-it për të siguruar një mjedis për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë dhe në mbështetje të dialogut të lehtësuar nga BE-ja ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, ku KFOR-i dhe BE-ja veprojnë në koordinim të përhershëm.

    Barduani po ashtu theksoi përkushtimin e palëkundur të KFOR-it për të mbështetur të gjitha përpjekjet e Komunitetit Ndërkombëtar, në dobi të sigurisë së qëndrueshme në mbarë Kosovën dhe stabilitetit rajonal.

  • Murati thotë se Kosova do të ketë rritjen më të shpejtë ekonomike në Evropë

    Murati thotë se Kosova do të ketë rritjen më të shpejtë ekonomike në Evropë

    Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, ka deklaruar se Kosova pritet të ketë rritjen më të shpejtë ekonomike në Evropë për vitin 2025, sipas projeksioneve të fundit nga Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN).

    Në një postim në rrjete sociale të enjten, Murati theksoi se ky vlerësim pozitiv vjen pas përmbylljes së suksesshme të një programi dyvjeçar reformash të dakorduara me FMN-në.

    Ai ka thënë se gjatë muajit të kaluar ka pritur në Prishtinë dy delegacione të rëndësishme ndërkombëtare, zv. presidentin e Bankës Botërore, Akihiko Nishio, dhe misionin e FMN-së të udhëhequr nga David Amaglobelli.

    Sipas ministrit në detyrë, të dyja institucionet kanë përgëzuar Kosovën për performancën ekonomike dhe për maturinë fiskale që ka treguar në vitet e fundit.

    “Rezultatet e punës së mirë 4-vjeçare mund të mos shihen menjëherë, por herët a vonë do të vërehen”, u shpreh Murati, duke shtuar se Kosova ende nuk e ka arritur potencialin e plotë, por përkundër sfidave do të vazhdojë drejt progresit.

  • Presidentja Osmani ndan Medaljen Presidenciale Ushtarake për Forcat e Armatosura të Finlandës

    Presidentja Osmani ndan Medaljen Presidenciale Ushtarake për Forcat e Armatosura të Finlandës

    Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani gjatë ditës së djeshme në Pallatin Presidencial në Helsinki, ka ndarë Medaljen Presidenciale Ushtarake për Forcat e Armatosura të Finlandës.

    “Dje, në Pallatin Presidencial në Helsinki, kisha nderin ta ndajë Medaljen Presidenciale Ushtarake për Forcat e Armatosura të Finlandës, në shenjë mirënjohjeje për kontributin dhe angazhimin tyre e palodhur në mbështetje të Kosovës, që nga viti 1999, si pjesë e misionit të KFOR-it.

    Paqeruajtësit janë heronjtë që bëjnë të mundur paqen, edhe kur është e vështirë. Faleminderit Finlandës dhe çdo ushtari finlandez për rolin e tyre të pazëvendësueshëm në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit!”, ka shkruar Osmani.

  • ​Kërkohet angazhim më i madh institucional e financiar për të drejtat e komuniteteve

    ​Kërkohet angazhim më i madh institucional e financiar për të drejtat e komuniteteve

    Ne konferencën “avancimi i të drejtave të komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian, arritjet dhe sfidat” e organizuar nga zyra për qeverisje të mirë nga zyra e kryeministrit në bashkëpunim me projektin Roma Integration III e Këshillit të Evropës, është folur për sfidat që ky komunitet po has në nivelin institucional.

    Përfaqësuesi i komunitetit rom, Isak Skenderi u shpreh se në nivelin lokal sistemi i informimit është i fragmentuar e mekanizmat e raportimit janë jokonsistent.

    Skenderi tha se në nivelin komunal strategjia është e padukshme.

    Ai shtoi se presin nga niveli lokal e qendror që të mbështeten më shumë financiarisht.

    “Strategjia në vizionin e saj përputhet me disa angazhime më rajonale e ndërkombëtare si korniza e BE-së. Synimi ynë i kësaj strategjie nuk ka ecur me ritmin tonë. Kur bëhet fjalë në nivelin lokal me atë qendror sistemet e informimit janë të fragmentuar, mekanizmat e raportimit janë jokonsistent. Mungojnë në komuna kyçe. Ndonëse disa komuna kanë treguar nisma, vetëm 7 prej tyre kanë miratuar deri në vitin 2023. Strategjia mungon në nivelin lokal dhe është e padukshme. Pritja tani është më e madhe se kurrë që Qeveria e Kosovës me marrë një rol më të rëndësishëm financiar për mbështetje. Ajo çka na duhet një guxim më të madh politik institucional dhe financiar”, u shpreh ai.

    Drejtori i zyrës për qeverisje të mirë nga zyra e kryeministrit, Habit Hajredini tha se si qeveri kanë futur në funksion punësimin në mënyrë praktike të komunitetit rom.

    “Qëllimi i sotëm i kësaj konference është për të diskutuar lidhur me progresin, sfidat që kemi në aspektin e të drejtave të komuniteteve. Ne me këtë vazhdimësi të punës sonë kemi punuar në aspektin e shëndetësisë, arsimit, vendbanimit si dhe komponent tjera tepër të rëndësishme. Ka qenë për vite të tëra një nga sfidat më të mëdha. Kjo nismë që është miratuar e qeverisë ka ardhur nga sektori i shoqërisë civile. Ka futur në lëvizje, funksion dhe ka nxitur punësimin në mënyrë praktike. Fokusi jonë ka qenë i gjatë te sektori i sigurisë, policia, FSK dhe të tjera. Në sektorin e shëndetësisë kemi pasur në fokus kemi një shifër të rritjes të të punësuarve sidomos në Gjakovë në Qendra të Mjekësisë Familjare”, tha Hajredini. /KP

  • ​Përurohet ura në Rogovë të Hasit, Kurti tregon rëndësinë dhe dimensionet e saj

    ​Përurohet ura në Rogovë të Hasit, Kurti tregon rëndësinë dhe dimensionet e saj

    Në Rogovë të Hasit sot është përuruar ura e cila lidh trevën e Hasit me rrugën Gjakovë-Prizren. E ndërtimin e kësaj ure e konsideroi lajm të mirë për gjithë hasianët edhe kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti i cili tha se kjo urë kaq e vonuar më në fund u realizua, raportin KosovaPress.

    Kurti tha se brenda një viti janë kryer të gjitha punët për përurimin e urës sot.

    “Në fund të vitit 2023 është nënshkruar dhe në prill 2024 kanë filluar punimet, falënderojmë operatorin ekonomik që ka përfunduar gjithçka brenda një viti dhe ja ku jemi tash në prill të vitit 2025 po e lëshojmë në përdorim këtë urë e cila e ka gjerësinë 10 metra prej tyre 6 metra e gjysmë është për automjete. Në një farë mënyre 2/3 janë për automjete e 1/3 për këmbësorë. gjatësia e gjithmbarshme është rreth 134 metra dhe besoj që kjo ura kaq shumë e vonuar më në fund u realizua dhe është lajm i mirë edhe për juve dhe për të gjithë ata të cilët do të shkojnë e vijnë në Rogovë”, tha ai.

    Ministri në detyrë të Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu tha se në këtë urë janë kryer punime profesional.

    Ai pret që komuna e Gjakovës ta mbaj zotimin e dhënë që rruga të zgjerohet.

    “Mbetet që edhe pjesa e rrugës të zgjerohet konform edhe urës që do të jetë me dimensionet e saj dhe që besoj edhe komuna do ta bëjë pjesën e vetë të punës ashtu siç kanë premtuar. Ura i ka pesë fusha nga 25 metra pra 125 metra e ndërtuar me traje dhe kompania ka bërë një punë profesionale dhe kemi qenë në përcjellje të këtyre punime”, tha ai.

    Zëvendësministri në detyrë i MPHI-së, Hysen Durmishi tha se tashmë kjo urë e cila ka qenë e ngushtë tani është e ndërtuar sipas kritereve regjionale.

    “Kemi pas shqetësime të banorëve për rregullimin e kësaj ure dhe ka qenë disa vite në buxhet dhe komuna nuk ka bërë veprime. Prandaj, ne si ministri jemi detyruar që ta marrin përsipër ndërtimin e kësaj urë vetë. Në fillim ekipet profesionale kemi diskutuar këtu se si ta bëjmë një zgjidhje më të shpejtë pasi kjo ura është e frekuentuar. Kemi menduar në fillim ta bëjmë sanimin e urës me disa shtylla pa e prishur urën dhe në fund konkluzioni ka qenë që duhet të prishet ura pasi që duhet ndërtuar edhe trotuaret. Ju e dini qe ka qenë urë e ngushtë dhe tani i plotëson të gjithë kriteret regjionale edhe pse rruga është lokale”, tha ai.

    Rindërtimit të kësaj ure që lidh Rogovën me pjesë tjera të Kosovës i janë gëzuar shumë edhe banorët e kësaj ane.

    Gëzim Thaçi tha se kjo urë është dashur të bëhej edhe më herët, por edhe tani që përfundoi do iu shërbej 60 mijë banorëve të kësaj ane.

    “Është shumë e rëndësishme se i ka 60 mijë banorë që kalojnë mbi këtë urë. Kjo është dashur të bëhet edhe më herët u vonua pak, por mirë pasi u krye”, tha ai.

    Të rëndësishme urë për gjithë trevën e sheh edhe Baki Gashi i cili ka ardhur nga diaspora.

    “E rëndësishme është shumë për neve… për fshatin tonë dhe gjithë trevën është shumë e rëndësishme”, tha ai. /KP

  • Fetoshi për vizitën e patriarkut serb në Moskë: I dërguar special i Vuçiqit

    Fetoshi për vizitën e patriarkut serb në Moskë: I dërguar special i Vuçiqit

    Kisha në Serbi dhe ajo në Rusi janë pjesë e një strukture politike me qëllime hegjemoniste, thotë drejtori i Institutit për Studime të Luftës Hibride “Octopus”, Arben Fetoshi. Kjo sipas tij konfirmohet edhe me takimin e patriarkut të Kishës Ortodokse Serbe me presidentin rus Vladimir Putin, gjatë vizitës së tij disa ditore në Moskë.

    “Ai [Porfirije] atje më tepër ka shërbyer si një i dërguar special i Vuçiqit”, thotë Fetoshi.

    Në një intervistë për KosovaPress, Fetoshi thekson se deklaratat e kreut të kishës serbe nuk kanë të bëjnë me vlerat e krishtera dhe angazhimet që nënkupton roli i tij si udhëheqës fetar.

    Gjatë takimit Porfirije, ndër të tjera, i ka thënë Putinit se “ju e dini shumë mirë se pa mbështetjen tuaj dhe mbështetjen e Kinës, nuk e di se çfarë do të kishte ndodhur me Kosovën”.

    Veprime të tilla, sipas Fetoshit, tregojnë aktivitetin e luftës hibride të Serbisë kundër Kosovës në nivelin diplomatik që ndërlidhet me rolin e Rusisë dhe Kinës në Këshillin e Sigurimit të OKB-së për ta penguar konsolidimin ndërkombëtar të Kosovës.

    “Deklarata të pritshme ndonëse absolutisht të papranueshme dhe brutale nga një udhëheqës fetar [të patriarkut Porfirije]. Por, ajo që instituti Octopus e ka thënë në vazhdimësi ndërlidhet me konstatimin që kisha edhe në Serbi edhe në Rusi ka qenë pjesë e një super strukture politike për qëllime hegjemoniste. Këtë e konfirmon edhe vizita e fundit e patriarkut të kishës serbe në Moskë dhe takimi i tij me Putinin. E konfirmon fakti që deklaratat e tij nuk kanë lidhje me vlerat e krishtera dhe angazhimet që nënkupton roli i tij si udhëheqës fetar. Por, ai atje më tepër ka shërbyer si një i dërguar special i Vuçiqit, për t’i përcjellur përshëndetjet e Vuçiqit për Putinin. Për ta njoftuar Putinin që Vuçiq më 9 maj do të jetë në paradën e fitores në Moskë. Kjo tregon gjithë aktivitetin e luftës hibride të Serbisë kundër Kosovës në nivelin diplomatik që ndërlidhet me rolin e Rusisë dhe Kinës në Këshillin e Sigurimit të OKB-së për ta penguar konsolidimin ndërkombëtar të Kosovës si vend anëtar i OKB-së”, thotë Fetoshi.

    Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka thënë se më 9 maj do të jetë në Moskë dhe do të takohet me Putinin.

    Ky do të ishte takimi i parë i tyre prej kur Rusia filloi pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës, në vitin 2022.

    Serbia nuk ka vendosur sanksione ndaj Rusisë, pavarësisht thirrjeve nga Bashkimi Evropian.

    Fetoshi thotë se angazhimi i vazhdueshëm i kishës si entitet i rëndësishëm konsiston në dezinformimin, propagandën e narrativat mashtruese që kanë për qëllim përforcimin e sentimenteve antiperëndimore dhe “mobilizimin shpirtëror të qytetarëve serb për agjendat politike hegjemoniste të Serbisë”.

    “Është një prej segmenteve të strategjisë hibride të Serbisë kundër Kosovës e cila ka për qëllim që ta portretojë Kosovën si shtet diskriminues ndaj pakicës serbe, e cila në vazhdimësi përpiqet që nëpërmjet modelit darvo të ndërrojë rolin mes viktimës dhe agresorit. Krejt kjo strategji propagandistike e ka pikënisjen, ndonëse që nga përfundimi i luftës në Kosovë, në veçanti ndërlidhet me trazirat e marsit 2004, prej të cilave Serbia ka filluar ta ndërtojë narrativen e saj për pogramin serb. Tashmë kohëve të fundit kemi edhe një segment të ri të kësaj strategjie për ta përfshirë edhe viktimizimin e komunitetit rom në Kosovë. Gjithmonë, duke u përpjekur që ta portetojnë Kosovën si një shtet të dështuar, të cilin e ka pushtuar NATO-ja brenda Serbisë dhe një shtet i cili nuk i respekton të drejtat e njeriut”, potencon Fetoshi.

    Në këtë kontekst, Fetoshi thekson se krahas rolit të kishës, institucioneve të shtetit e bandave terroriste, mediat kanë rol jashtëzakonisht të rëndësishëm.

    Fetoshi, derisa iu referua propagandës dhe dezinformimit të vazhdueshëm të mediave serbe të kontrolluara nga Vuçiqi, nënvizoi se pengimi i të vërtetës jo vetëm që përbën kërcënim për sigurinë dhe stabilitetin në rajon, por e pamundëson paqen e qëndrueshme dhe marrëdhëniet e normalizuara ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve në Kosovë.

    “Krahas rolit të kishës, institucioneve të shtetit, bandave terroriste, mediat kanë rol jashtëzakonisht të rëndësishëm. Gjithmonë, nëse e kemi parasysh vlerësimin e organizatave ndërkombëtare për mediat në Serbi, si media të kontrolluara nga Vuçiqi duhet të kuptojnë, ato janë thjeshtë aparat në shërbim të luftës hibride të Serbisë që kanë për qëllim të pengojnë maksimalisht të vërtetën. Dhe pengimi i të vërtetës pa dyshim që jo vetëm përbën kërcënim për sigurinë dhe stabilitetin në rajon, por e pamundëson paqen e qëndrueshme dhe marrëdhëniet e normalizuara ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve në Kosovë”, thekson Fetoshi.

    Pas deklaratave të kreut të kishës serbe, reagoi edhe ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla.

    “Presim reagim të qartë nga Bashkimi Evropian, si ndërmjetësues i dialogut Kosovë–Serbi. Heshtja ndaj deklaratave që minojnë paqen dhe nxisin urrejtje nuk është neutralitet – është normalizim i gjuhës së urrejtjes”, shkroi Gërvalla në Facebook.

    Ajo tha se Kosova është e përkushtuar për paqe, dialog dhe bashkëpunim.

    “Ne jemi të gatshëm të punojmë me udhëheqës politikë e fetarë që ndërtojnë ura mes njerëzve, kombeve dhe besimeve. Shpresojmë sinqerisht që një ditë, edhe në krye të Kishës Ortodokse Serbe, të kemi një partner të tillë për të ardhmen”, tha Gërvalla.