ATV

Author: ATVLive

  • Kur poezia bëhet terapi – Blerina Rogova me rrëfim emocional për librin e saj “Thasë”

    Kur poezia bëhet terapi – Blerina Rogova me rrëfim emocional për librin e saj “Thasë”

    Në një bisedë të thellë e prekëse në emisionin LIBERO në ATV, poetja e njohur Blerina Rogova foli për librin e saj “Thasë”, të cilin e cilëson si më personalin dhe më shëruesin.

    Ajo zbuloi se pyetja që shpesh i shtrohej ishte: Si ia del një nënë, një krijuese dhe një grua në një periudhë të vështirë jetësore?

    Sipas saj, poezitë e librit “Thasë” janë shkruar në një periudhë të vështirë, ku sfidat e jetës dhe të qenët nënë u shkrinë në një përpjekje të përditshme për të mos e humbur veten.

    “Libri i Thasë është libri im i fundit me poezi… është i rëndësishëm për mua sepse brenda kapakëve të këtij libri flenë rrëfime të një periudhe shumë komplekse në jetën time… një periudhë të rëndë, kur sfidohesh me shkollimin, me fëmijë të vegjël… dominon motivi amnor. Ky libër më ka ndihmuar shumë, ka qenë një proces terapeutik për veten, poetik për veten”, tha ajo.

    Rrëfimin e plotë të Blerina Rogovës në emisionin LIBERO, e gjeni në videon më poshtë:

  • Guvernatori Ismaili takon shefin e Misionit të FMN-së për Kosovë, z. Amaglobeli në Washington D.C.

    Guvernatori Ismaili takon shefin e Misionit të FMN-së për Kosovë, z. Amaglobeli në Washington D.C.

    Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK), z. Ahmet Ismaili, i shoqëruar nga Anëtarja e Bordit jo-Ekzekutiv znj. Arta Hoxha, Zëvendësguvernatorja znj. Nesrin Shileku-Shala me bashkëpunëtorë, ka zhvilluar një takim bilateral me Shefin e Misionit të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) për Kosovën, z. David Amaglobeli dhe ekipin e tij, në kuadër të Takimeve Pranverore të FMN-së dhe Bankës Botërore.

    Gjatë takimit, Guvernatori Ismaili përditësoi z. Amaglobeli me zhvillimet më të fundit makroekonomike dhe financiare në Kosovë, si dhe për statusin e reformave të ndërmarra nga BQK-ja në funksion të rritjes së qëndrueshme ekonomike dhe forcimit të sistemit financiar në vend.

    Nga ana tjetër, z. Amaglobeli prezantoi pikëpamjet e FMN-së lidhur me zhvillimet globale ekonomike dhe ndikimet e mundshme që ato mund të kenë mbi ekonominë e Kosovës, derisa përgëzoi BQK për reformat e ndërmarra për sektorin financiar dhe kapacitetet institucionale.

    Në takim u diskutua gjithashtu për mundësitë e zgjerimit të bashkëpunimit ndërmjet FMN-së dhe BQK-së në fusha me rëndësi për stabilitetin financiar, si dhe për vazhdimin e ngritjes së kapaciteteve institucionale dhe teknike të BQK-së, me synim forcimin e mëtejshëm të rolit të saj si rregullator dhe mbikëqyrës financiar.

    Të dy palët theksuan rëndësinë e vazhdimin e bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet FMN-së dhe BQK-së, duke vlerësuar lart ecurinë e deritanishme të bashkëpunimit në kuadër të Programeve të mbështetura nga FMN.

    Guvernatori Ismaili shprehu falënderimin e tij për z. Amaglobeli dhe ekipin e tij për bashkëpunimin konstruktiv dhe ndihmën e vazhdueshme që FMN ka ofruar ndaj BQK-së, duke vlerësuar lartë angazhimin profesional dhe partneritetin e qëndrueshëm ndërinstitucional.

  • ​Bislimi e Sorensen diskutojnë zbatimin e marrëveshjes së Brukselit dhe Aneksit të Ohrit

    ​Bislimi e Sorensen diskutojnë zbatimin e marrëveshjes së Brukselit dhe Aneksit të Ohrit

    Zëvendëskryeministri i parë në detyrë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, ka pritur sot në takim Përfaqësuesin e Posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen.

    Bislimi dhe Sorensen diskutuan rreth zbatimit të marrëveshjeve të nivelit teknik e poashtu edhe për zbatimin e marrëveshjes së Brukselit dhe Aneksit të Ohrit, raporton KosovaPress.

    Sipas zyrës së kryeministrit ky ishte takimi i dytë mes tyre në Prishtinë, pas atij të mbajtur muajin e kaluar.

    “Biseduan rreth zbatimit të marrëveshjeve të ndryshme të nivelit teknik, e më tej u theksua edhe rëndësia e fillimit të diskutimeve të zbatimit të marrëveshjes së Brukselit dhe Aneksit Implementues të Ohrit në kuadër të procesit të dialogut”, thuhet në njoftim.

    Zëvendëskryeministri Bislimi e falënderoi emisarin Sorensen për takimin e bisedën si dhe bashkëpunimin mes tyre.

    Derisa Sorensen tha se vizita e tij në Kosovë është në kuadër të ushtrimit të mandatit të tij. Pas takimit me kreun e ekipit negociator të Kosovës, zëvendëskryeministrin në detyrë, Besnik Bislimi, diplomati danez tha se do udhëtojë për në Beograd.

  • Të shtunën do të lëshohet alarmi në Prishtinë – Komuna del me njoftim

    Të shtunën do të lëshohet alarmi në Prishtinë – Komuna del me njoftim

    Komuna e Prishtinës ka dal me njoftim se ditën e shtunë më 26 Prill 2025, në orën 12:05, do të bëhet testimi i Sistemit të Alarmit Publik në Kryeqytet.

    Gjatë këtij testimi, do të dëgjohet një alarm me zë të njëtrajtshëm dy herë nga 30 sekonda.

    “Ky është vetëm një test rutinë me qëllim që të verifikohet funksionaliteti dhe efektiviteti i sistemit në rast emergjence.

    Ju falënderojmë për mirëkuptimin” thuhet në njoftimin e Komunës së Prishtinës.

  • ​Koreja e Jugut akuzon shërbimin kinez DeepSeek për transferimin e të dhënave të përdoruesve pa leje

    ​Koreja e Jugut akuzon shërbimin kinez DeepSeek për transferimin e të dhënave të përdoruesve pa leje

    Koreja e Jugut akuzoi të enjten shërbimin kinez të inteligjencës artificiale (AI) DeepSeek për transferimin e informacionit të përdoruesve koreanë në disa kompani në Kinë dhe SHBA “pa leje”, tha mbikëqyrësi shtetëror për mbrojtjen e të dhënave.

    Komisioni për Mbrojtjen e Informacionit Personal pretendoi se DeepSeek transferoi informacione personale në tre kompani në Kinë dhe një në SHBA përpara 15 shkurtit, kur ndërpreu shërbimin e tij në Korenë e Jugut, sipas Yonhap News me bazë në Seul.

    Mbikëqyrja koreane zbuloi gjithashtu se përdoruesit e përmbajtjes që hynë në kërkesat e DeepSeek – për të gjeneruar përgjigje përmes shërbimit të AI – u nda me një kompani kineze, transmeton KosovaPress.

    DeepSeek, e cila ka pezulluar përkohësisht operacionet në Korenë e Jugut mes një polemike në rritje mbi praktikat e saj të të dhënave, publikoi politikën e saj të informacionit në kinezisht dhe anglisht. Komisioni tha se politika dështoi të përshkruante procedurat për shkatërrimin e të dhënave personale dhe nuk kishte detaje mbi masat e sigurisë, raporton AA.

    Sipas komisionit, DeepSeek pranoi transferimin e të dhënave të përdoruesit në një kompani të quajtur Volcano pa marrë pëlqimin e përdoruesit. Kompania tha se përdori shërbimin cloud të Volcano për të adresuar dobësitë e sigurisë dhe për të përmirësuar ndërfaqen e përdoruesit.

    Mbikëqyrësi shtoi se shërbimi kinez bllokoi transferimet e reja duke filluar nga 10 prilli pasi komisioni tha se transferimi i informacionit të futur nga përdoruesit në kërkesat e DeepSeek ishte i panevojshëm.

    Në përgjigje të akuzave, Ministria e Jashtme e Kinës tha se qeveria “i kushton rëndësi të madhe privatësisë dhe sigurisë së të dhënave dhe respekton masat mbrojtëse ligjore në këtë drejtim”.

    “Ne nuk kemi kërkuar – dhe nuk do të kërkojmë kurrë – nga kompanitë ose individët që të mbledhin ose ruajnë të dhëna përmes mjeteve të paligjshme,” u tha gazetarëve në Pekin zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme Guo Jiakun.

  • Pas pengimit të SIPA-s për të arrestuar Dodikun, rritet prania policore në Sarajevën Lindore

    Pas pengimit të SIPA-s për të arrestuar Dodikun, rritet prania policore në Sarajevën Lindore

    Rreth 20 pjesëtarë të Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB) të Republikës Sërpska (RS) u vendosën të enjten, më 24 prill, para qendrës administrative të Qeverisë së këtij entiteti në Sarajevën Lindore, një ditë pasi u pengua hyrja e pjesëtarëve të Agjencisë Shtetërore për Hetim dhe Mbrojtje (SIPA) në atë ndërtesë.

    Siç raporton reporteri i Radios Evropa e Lirë (REL), policët po pengojnë qasjen në ndërtesë, para të cilës ndodhet një grup gazetarësh, ndërkohë që nuk ka konfirmim zyrtar nëse presidenti i RS-së, Millorad Dodik, ndodhet brenda saj.

    Protokolli i presidentit të RS-së parashikon që ai të marrë pjesë të enjten në mesditë në hapjen e ndërtesës së Rektoratit të Universitetit në Sarajevën Lindore, dhe më pas do të zhvillojë një takim me udhëheqësit e komunave Palle dhe Sokollac.

    Policët e MPB-së së RS-së të mërkurën në mbrëmje ua ndaluan hyrjen pjesëtarëve të SIPA-s në ndërtesën e Qendrës Administrative në Sarajevën Lindore, në kohën kur Dodiku po zhvillonte një takim me përfaqësues të Qytetit të Sarajevës Lindore.

    Nga SIPA konfirmuan për REL-in se pjesëtarët e kësaj agjencie kishin synuar të vepronin sipas një urdhri të Gjykatës së Bosnjë e Hercegovinës dhe se nuk ka pasur përdorim force.

    Dodik, së bashku me kryetarin e Kuvendit dhe kryeministrin e RS-së, Nenad Stevandiq dhe Radovan Vishkoviq, është i dyshuar për sulm ndaj rendit kushtetues, dhe hetimet po zhvillohen nga Prokuroria e Bosnjë e Hercegovinës që nga fundi i vitit të kaluar.

    Në mes të marsit është lëshuar një fletarrestim qendror ndaj tyre në Bosnje e Hercegovinë, pasi ata nuk iu përgjigjën thirrjes së Prokurorisë për t’u paraqitur në një seancë dëgjimore.

    Paraprakisht, Gjykata e Bosnjë e Hercegovinës i kishte kërkuar Interpolit ta rishikojë vendimin për refuzimin e kërkesës për lëshimin e fletarrestimit të kuq për përfaqësuesit e udhëheqjes së entitetit të RS-së.

    Në fund të shkurtit, Dodiku u dënua në shkallën e parë nga Gjykata e Bosnjë e Hercegovinës me një vit burg dhe gjashtë vjet ndalim të veprimtarisë politike për mosrespektim të vendimeve të përfaqësuesit të lartë.

    Një ditë pas aktgjykimit të shkallës së parë ndaj Dodikut, Kuvendi Popullor i RS-së miratoi ligje antikushtetuese për ndalimin e funksionimit të katër institucioneve shtetërore në RS.

  • ​UEFA hap zyrën e Stambollit përpara turneut të madh

    ​UEFA hap zyrën e Stambollit përpara turneut të madh

    Presidenti i UEFA-s Alexander Ceferin inauguroi sot zyrën e re të organizatës në Stamboll, duke e quajtur atë një veprim strategjik për të siguruar ofrimin e pandërprerë të disa turneve të ardhshëm të futbollit të profilit të lartë.

    “Me kaq shumë ngjarje të mëdha në pritje, ne vendosëm të hapim një zyrë këtu në Stamboll për të krijuar një prani të fortë lokale dhe për të siguruar organizimin pa probleme të këtyre turneve prestigjioze,” tha Ceferin gjatë ceremonisë së hapjes.

    Zyra e Stambollit do të luajë një rol qendror në koordinimin e finales së Ligës Evropa në vitin 2026, finales së Konferencës së Ligës më 2027 dhe Kampionatin Evropian 2032, i cili do të bashkorganizohet nga Turqia dhe Italia.

    Duke theksuar rekordin e provuar të Turqisë në organizimin e ngjarjeve të mëdha të futbollit – duke përfshirë finalet e Ligës së Kampionëve më 2005 dhe 2023, finalen e Kupës UEFA më 2009 dhe Superkupën UEFA më 2019 – Ceferin vlerësoi angazhimin e vendit për përsosmëri, transmeton KosovaPress.

    “Turqia dhe Stambolli kanë ofruar vazhdimisht ngjarje të klasës botërore me madhështi të jashtëzakonshme. Tani me finalet e Ligës Evropa dhe Ligës së Konferencave që po afrohen, dhe EURO 2032 në horizont, Turqia vazhdon të tregojë ambicie dhe përkushtim në rritje për të vendosur veten si një nga mikpritësit kryesorë në sportet globale,” tha Ceferin.

    Ceferin shprehu besimin e tij në përpjekjet bashkëpunuese midis UEFA-s dhe autoriteteve turke, duke thënë, së bashku nuk do të përmbushin vetëm pritjet, por do t’i tejkalojnë ato, raporton AA.

    “Ne do të vendosim standardet për turnetë e ardhshëm. Ne presim turne fantastike. Unë pres një finale të EURO 2032 midis Turqisë dhe Italisë,” tha ai.

  • Vdekja e Papa Françeskut, Shqipëria shpall 26 prillin Ditë Zie Kombëtare

    Vdekja e Papa Françeskut, Shqipëria shpall 26 prillin Ditë Zie Kombëtare

    Shqipëria do të nderojë me një Ditë Zie Kombëtare ndarjen nga jeta të Atit të Shenjtë, Papa Françesku. Këshilli i Ministrave ka vendosur që e shtuna, 26 prill 2025, të shpallet ditë zie në shenjë dhimbjeje, respekti dhe mirënjohjeje për kreun e Kishës Katolike.

    Institucionet publike dhe zyrat shtetërore do të respektojnë këtë ditë zie, ndërsa flamujt do të ulen në gjysmështizë.

    Vendimi i plotë i Këshillit të Ministrave:

    “Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 4, të nenit 4, të ligjit nr.8926, datë 22.7.2002, “Për formën dhe përmasat e flamurit kombëtar, përmbajtjen e himnit kombëtar, formën dhe përmasat e stemës së Republikës së Shqipërisë dhe mënyrën e përdorimit të tyre”, të ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave

    V E N D O S I:

    1. Shpalljen ditë zie kombëtare ditën e shtunë, datë 26.4.2025, në shenjë dhimbjeje, respekti e mirënjohjeje për Atin e Shenjtë, Papa Françesku, i cili ndërroi jetë pas një sëmundjeje.”

  • Akili ndalet nga xhudisti gjeorgjian, mbetet në lojë për medalje

    Akili ndalet nga xhudisti gjeorgjian, mbetet në lojë për medalje

    Akil Gjakova është ndalur në çerekfinale të Kampionatit Evropian të xhudos.

    Xhudisti më i mirë kosovar është mposhtur nga xhudisti gjeorgjian Lasha Shavdatuashvili, në një duel maratonik që zgjati 13 minuta në “Golden Score”.

    Sidoqoftë, përkundër humbjes, Gjakova do ta ketë një tjetër rast për t’u kthyer me medalje nga Podgorica, kryqyteti i Malit të Zi që është nikoqir i kampionatit.

    Gjakova do ta kërkojë medaljen përmes repesazhit, ku fillimisht do të përballet me hungarezin Daniel Szegedi.

  • Themelorja cakton masën e paraburgimit ndaj tre të pandehurve për krime lufte

    Themelorja cakton masën e paraburgimit ndaj tre të pandehurve për krime lufte

    Gjykata Themelore në Prishtinë ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Speciale dhe ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji për secilin, ndaj të pandehurve B. T., M. I. dhe N. C., për shkak të dyshimit të bazuar se kanë kryer veprën penale Krime lufte kundër popullatës civile.

    “Gjyqtari i procedurës paraprake, pas seancës dëgjimore vlerësoj se janë përmbushur kushtet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit për të pandehurit B. T., M. I. dhe N. C, pasi ekziston dyshimi i bazuar se të njëjtit kanë kryer veprën penale Krime lufte kundër popullatës civile”, thuhet në njoftim, raporton KosovaPress.

    Gjykata ka konstatuar se ekziston rreziku real dhe i arsyeshëm se nëse të pandehurit ndodhen në liri, mund të arratisen për të shmangur përgjegjësinë penale, të ndikojnë mbi dëshmitarët, përfshirë këtu edhe të dëmtuarit, mund të bashkëpunojnë me bashkëkryerësit e tjerë të përfshirë në këtë rast penal, si dhe mund të përpiqen të zhdukin ose të dëmtojnë provat materiale.

    “Gjykata vlerëson se pesha e veprës penale është e natyrës së rëndë andaj caktimi i masës së paraburgimit është masë e domosdoshme në këtë rast penal dhe se çdo masë tjetër do të ishte e pamjaftueshme, për zbatimin e suksesshëm të procedurës penale. Kundër këtij aktvendimi, palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë”, thuhet në njoftim.

    Gjykata poashtu ka bërë me dije dyshimet e bazuara ndaj të pandehurve:

    “Eekziston dyshimi i bazuar se të pandehurit B.T. dhe M.I., në cilësinë e personave zyrtar-gardian të Burgut të Prishtinës dhe paraleles në Lipjan, gjatë periudhës së konfliktit të armatosur, përkatësisht luftës në Kosovë 1998-1999, në Burgun e Prishtinës dhe në paralelen në Lipjan, në bashkëkryerje edhe me zyrtarë tjerë të këtyre burgjeve duke vepruar në kundërshtim dhe duke shkelur rregullat e të drejtës ndërkombëtare gjatë konfliktit të armatosur, përkatësisht kohës së luftës, në mënyrë sistematike i kishin maltretuar të burgosurit shqiptarë, duke i torturuar në mënyrë ç‘njerëzore me mjete të ndryshme si shkop gome, shufra metalike, shqelma e grushte, deri në alivanosje, duke i ‘u shkaktuar lëndime trupore. E pandehura N.C., dyshohet se në cilësinë e personit zyrtar-gardiane e Burgut të Prishtinës-Paralelja në Lipjan, gjatë periudhës së konfliktit të armatosur, përkatësisht luftës në Kosovë 1998-1999, në Burgun e Prishtinës-Paralelja në Lipjan, në bashkëkryerje edhe me zyrtare tjera të kësaj Paralele, duke vepruar në kundërshtim dhe duke shkelur rregullat e të drejtës ndërkombëtare gjatë konfliktit të armatosur, përkatësisht kohës së luftës, në mënyrë sistematike i kishin maltretuar të burgosurat shqiptare, duke i torturuar në mënyrë ç‘njerëzore me mjete të ndryshme si shkop gome, shqelma e grushte, deri në alivanosje, duke i ‘u shkaktuar lëndime trupore”.