Superkompjuteri i Opta-s e sheh Arsenalin si favorit për ta fituar Ligën e Kampionëve 2026/27, ndërsa kampioni në fuqi, Paris Saint-Germain, renditet vetëm në pozitën e pestë.
Edhe pse janë zhvilluar vetëm dy xhirot e para të fazës së ligës, parashikimet për fituesin e mundshëm të trofeut më prestigjioz evropian kanë filluar të marrin formë.
Sipas simulimeve të fundit të Opta-s, Arsenali kryeson listën e favoritëve me 21.34 për qind mundësi për ta fituar trofeun. Në vendin e dytë renditet Bayern Munich me 15.60 për qind, ndërsa Manchester City zë pozitën e tretë me 13.65 për qind.
Barcelona është e katërta me 12.59 për qind, përpara Paris Saint-Germain, që pavarësisht statusit si kampion në fuqi, ka vetëm 8.33 për qind mundësi për ta mbrojtur titullin, sipas modelit parashikues.
Në listën e skuadrave favorite, Real Madridi renditet i gjashti me 6.13 për qind, i ndjekur nga Liverpooli me 5.86 për qind dhe Aston Villa me 3.40 për qind.
Parashikimet bazohen në 10 mijë simulime të garës, duke marrë parasysh mundësitë e skuadrave për të avancuar dhe për ta fituar trofeun.
Megjithatë, këto përqindje nuk garantojnë rezultatin përfundimtar. Liga e Kampionëve mbetet një garë e paparashikueshme, ku forma e skuadrave, dëmtimet dhe paraqitjet në ndeshjet vendimtare mund të ndryshojnë gjithçka.
