Nënkryetar i LDK-së, Lutfi Haziri, në emisionin CONTEXT në ATV, tha se masat ndëshkuese ndaj Kosovës, nuk do të jenë dënim kolektiv, por sipas tij, ato do t’i vuajnë eksponentët politikë të Lëvizjes Vetëvendosje të Listës Guxo, si dhe partnerëvë të tyre politikë nga pakicat.
“Nuk po presim me pasë rikonfigurim të dialogut sepse situata e tillë kur kemi ngërçe të tilla të shkaktuara, ajo që po quhet pabarazi në dialog nga ana e kryeministrit në përfaqësim edhe në gjithçka që deri tash e kemi identifiku, sepse janë mbajtë tetë runde të takimeve në mes të Serbisë dhe Kosovës dhe nuk kanë sjellë asnjë rezultat, përkundrazi Kosova tani është në masa ndëshkimi, me efekte në Qeveri, në ekzekutiv, por çmimin e kanë paguar FSK-ja e para dhe tani kufizimi i lëvizjes së lirë dhe takimeve sipas një agjende të programuar, shumë ministrave të Qeverisë që lidhen me MSA, marrëdhënia e parë që ne si Qeveri e kemi sjellë, LDK-ja. Paralajmërim tek masa e vizave dhe liberalizimi, por ky është dënim kolektiv. Duhet me e falënderua shumë Berlinin sa që nuk lejoi me u zgjeru drejt një dënimi kolektiv, por masat ndëshkuese do të jenë ndaj zyrtarëve, eksponentëve politikë që i bjen Vetëvendosja e GUXO në këtë qeverisje të koalicionit si dhe pakicave të partnerëve të koalicionit”, tha Haziri.
Sipas tij, nëse nuk do të përballohet kjo situatë, masat ndaj Kosovës do të zgjerohen. /atvlive.tv
Nënkryetar i LDK-së, Lutfi Haziri, në emisionin CONTEXT në ATV, ka shpalosur detaje rreth programit të ri të LDK-së “Rruga e re”.
Ai tha se “Rruga e Re” është opsion qeverisës i projektuar mbi bazë fillimisht një projeksioni buxhetor dhe mandej identifikimi i të gjitha programeve, e cilat janë sistemore në Republikën e Kosovës.
“Ne kemi identifikuar probleme serioze në politikën e brendshme, kemi bo një projeksion buxhetor që me vendosë mbi parime të drejta. I kemi identifikuar burimet financiare, përveç buxhetit të Republikës, i cili do të shkon në 4.5 miliardë, burime tjera alternative financiare ndërkombëtare që lejojnë dhe Kosova ka mundësi me marrë, mandej kemi listu këto 100 projekte”, tha Haziri.
Për këtë program, Haziri tha se kanë punuar mbi 200 njerëz të profileve të ndryshme.
“Kanë punu mbi 200 njerëz, ekspertë, lokalë, teknokratë, profesorë të institucioneve të arsimit dhe institucioneve tjera shkencore në vendin tonë. Njerëz që kanë zierë politika brenda LDK-së për disa muaj dhe në fund, ne në një punim dyditor kemi arritë një grup më të vogël të koordinatorësh kryesisht, të politikave e sektoriale me i debatu dhe me i zbardhë, sepse është në interes me ditë cila është politika ndaj energjisë, cili ka qenë opsioni i parë i para disa viteve. LDK-ja ka qenë bartëse e projektit në qeverisjen me AAK-në për Kosovën C. Kemi bo një projekt detaj, kemi identifiku nevojat e energjisë, kemi propozu politika e qarta në energji, kemi pa sfida dhe natyrisht ky projeksion mandej nuk është vazhdu nga Qeveria pasuese është reduktu, është revidu dhe sot asaj dite jemi pa projeksion”, tha Haziri.
Ai tha se programi “Rruga e Re” ka shkaktu debat dhe ka dalë dalë përtej LDK-së.
“Edhe në politikat e reformave të domosdoshme në sistem edhe në investime publike në të veçanti dhe e kemi nxjerrë në publik. Tani çka nënkupton kjo? Deri në Kuvendin, Konventën që e kemi quajtur programore, kemi shkaktu debat. Është dalë përtej LDK-së programi, është dalë te grupet e interesit, të dalë te odat ekonomike, është dalë te shoqatat, shoqëria civile, te ambientalistët, te grupet e interesit, kushdo që janë edhe munden me e gjetë veten. Kemi marrë komente shumë të mira, për disa nga politikat kemi marrë komente shtesë kritika dhe natyrisht ky është qëllim. Ne kemi dashtë me shkaktu pjesëmarrje më të madhe dhe deri atëherë jemi të kënaqur që t’i japim më shumë, që të prodhojmë debati, jo zhurmë”, theksoi Haziri. /atvlive.tv
Në mungesë të kapaciteteve të reja prodhuese të energjisë elektrike, Termocentrali Kosova A, i vënë në funksion para më se gjysmë shekulli dhe i paraparë të mbyllej më 2017, u konfirmua si pjesë e “Planit A” të furnizimit edhe këtë dimër.
Zyra e Rregullatorit për Energji ia vazhdoi licencën për prodhimin e energjisë edhe për një vit këtij termocentrali, i cili me tri njësi prodhuese arrin kapacitetin rreth 390 megavatë/orë, apo rreth 40% të totalit të kapaciteteve nga thëngjilli.
Pasi tha se Kosova ka humbur mundësinë të ketë kapacitete të reja prodhuese me thëngjill, eksperti i ekonomisë, Safet Gërxhaliu, listoi disa probleme lidhur me mungesën e investimeve në këtë sektor.
“Në anën tjetër, Kosova e ka humbur betejën përballë mafies energjetike dhe, si duket, lobimi i tyre ka qenë aq i fuqishëm sa që e ka pezulluar ose parandaluar fillimin e ndërtimit të kapaciteteve të reja. Dhe, kur krejt kësaj i shtohet burokracia sa i përket energjisë alternative, qoftë me erë – qoftë me panele solare, vërtet duket se Kosova është shtet i gjykuar që të jetë i varur nga importi i energjisë”, tha Gërxhaliu.
Duke kritikuar politikat vendimmarrëse, ai theksoi se në vend të investimeve në kapacitete të reja, Kosova gjendet në një situatë sanuese.
“Nëse bëhet një kalkulim i thuktë i investimeve në mirëmbajtjen e kapaciteteve aktuale energjetike, qoftë në Kosovën A apo B, që nga viti ‘99 e deri sot, e them me përgjegjësi morale dhe profesionale se Kosova ka shpenzuar më shumë sesa të ndërtojë dy apo tri termo-elektrana të reja, që do ta faktorizonin Kosovën në aspektin strategjik, sa i përket energjisë elektrike”, tha Gërxhaliu.
Duke e vlerësuar të realizueshëm objektivin strategjik për kapacitete prej 1200 mw/h nga burimet e ripërtërishme deri më 2031, eksperti i energjisë, Naim Bujupi, theksoi se ndërtimi i tyre të lejonte mbylljen e Kosovës A.
“Ideja është që termocentrali Kosova A të mbyllet. Në strategji është vendosur që të përdoret si kapacitet rezervë, që d.m.th. të përdoret vetëm gjatë dimrit kur kemi mungesë të energjisë. Ndërsa, në strategji është vendosur që në vitin 2024 të rivitalizohet një njësi e Kosovës A dhe po të njëjtin vit të vendoset kur mbyllen dy të tjerat”, tha Bujupi.
Investimet për rivitalizim në vend se për kapacitete të reja, ai i arsyeton me periudhën kalimtare drejt energjisë së gjelbër dhe koston e përgjithshme.
“Në fazën tranzitore, këto investime janë vetëm për të siguruar furnizimin me energji për një periudhë derisa të ndërtohen kapacitetet e reja të burimeve të ripërtërishme. Pra çështja është se gjithmonë te një projekt në sektorin e energjisë shikohet kost-efektiviteti i projektit. Pra, sigurisht rivitalizimi i njërës njësi na garanton energji me çmime më të ulëta”, tha Bujupi.
Në strategjinë e energjisë është paraparë që për rivitalizimin e një njësie të termocentralit Kosova A, këtë vit dhe tjetrin, të investohen 120 milionë euro.
Ndërsa, në total, nga ky vit deri më 2025, parashihen më shumë se 415 milionë euro për investimeve kapitale, në dy termocentralet ekzistuese me thëngjill.
Një veturë që ishte e konfiskuar, së fundmi është vënë në funksion të Ministrisë së Punëve të Brendshme.
Ndërkohë, 1600 armë të konfiskuara, patën tjetër fat: ato u shkatërruan.
Sipas njohësve të fushës së drejtësisë, edhe armatimi mund të vihet në funksion të institucioneve të sigurisë, megjithëse Ministria e Punëve të Brendshme, të paktën deri në transmetimin e kësaj kronike, nuk ka treguar nëse mund të ndodhë diçka e tillë.
“Pasi kanë përfundu procedurat e ekzaminimit, ankimimit, ato me lejen e Prokurorisë, Policia e ka të drejtën, edhe pse rregullativë ligjore nuk ka… sepse në ligjin e armëve nuk flitet për këtë çështje”, tha Rrahman Sylejmani, kolonel në pension.
Koloneli tani në pension, Rrahman Sylejmani, thotë se të paktën në të kaluarën, Policia ka përdorur armë që ishin të konfiskuara.
“Sidomos me armë të gjata ka ndodhur… siç janë AK47… që janë në dispozicion të Policisë Kufitare dhe njësisë speciale… Dhe ato janë marrë një sasi dhe nuk ka asgjë të keqe…”, tha Sylejmani.
Megjithatë, para se të vihen në funksion të institucioneve të rendit, ka procedura.
“Pas përfundimit të procesit gjyqësor dhe shqiptimit të dënimit për personin përkatës… Sigurisht duhet të përzgjidhen edhe kalibrat që na shërbejnë…”, tha Drizan Shala, njohës i sigurisë.
Policia e Kosovës, në vit, mesatarisht konfiskon nga 1400 deri në 1600 armë pa leje. Të mërkurën, në një shkritore në Ferizaj, u shkatërruan afërsisht 1600 sosh.
Ministria e Mjedisit, Planifikim Hapësinor dhe Infrastrukturës, ka zhvilluar fazën e dytë për shkallën e ndotjes së ajrit nga automjetet.
Sipas zëvendësministrit të këtij dikasteri, Avni Zogiani, automjetet që lirojnë gazra mbi shifrën 5, do të marrin rekomandime të detyrueshme për t’iu nënshtruar kontrollit teknik sipas databazës.
“Ky projekt është bërë në bashkëpunim fantastik me Policinë e Kosovës, natyrisht edhe me departamentet e ministrisë tonë dhe akterë të tjerë. Ne shpresojmë që shumë shpejt do të kemi të dhëna të sakta mbi burimin, mbi atë se çfarë mase janë automjetet kontribuuese në mungesën e kualitetit të ajrit në Kosovë”, tha Zogiani.
Duke pasur parasysh ndotjen e ajrit nga numri i madh i automjeteve, Zogiani thekson rëndësinë e zëvendësimit të veturave me karburante, me ato elektrike.
“Nëse automjetet janë ndotëse, mund ta supozojmë tashmë, por në çfarë mase do ta kuptojmë shpejt, ndotës shumë të mëdhenj. Atëherë duhet të marrim politika që të shkojmë kah zëvendësimi i automjeteve me karburante me mjete elektrike, me transport elektrik, ose zëvendësimi i makinave individuale me transport publik”, tha Zogiani.
Në realizim të projektit ka kontribuar edhe qeveria japoneze.
“Është Qeveria e Kosovës ajo që ka kërkuar asistencën nga Qeveria e Japonisë. Kosova është shtet i ri, 15-20 vjet kështu që ka nevojë ende për asistencë, dhe në të njëjtën kohë Japonia e ka pasur të njëjtën përvojë me ndotjen diku 40-50 vjet përpara, kështu që mund t’ia japim ekspertizën tonë Qeverisë së Kosovës, për të përmirësuar procedurat administrative“, tha Kuwahara Fumihiko, udhëheqës i projektit nga “JICA”.
Kjo është faza e dytë e këtij projekti nga agjencia japoneze “JICA”, që ka filluar prej rreth një viti e gjysmë dhe parashihet të përfundojë në fund të vitit 2025.
Për herë të parë ishte në rend dite në prill e pas më shumë se 5 muajve u arrit që të votohet për të.
Megjithatë, rezoluta e propozuar nga opozita për punën dyvjeçare të Qeverisë Kurti u hodh poshtë, pasi nuk i mori votat e mjaftueshme për miratim.
Për të votuan 19 deputetë, kundër ishin 49, kurse tre abstenuan.
Ndërkohë, në rend dite në seancën e së enjtes, pati edhe marrëveshje ndërkombëtare.
Ani pse pati mbështetjen e Lidhjes Demokratike të Kosovës, nuk pati kuorum të mjaftueshëm për ta votuar ratifikimin e Marrëveshjes së financimit mes Kosovës dhe Bankës Evropiane për Investime, për projektin “Rehabilitimi i linjës hekurudhore 10 B”.
“Do të lejoj operimin e kësaj hekurudhe deri në 100 km/h në shumicën e seksioneve të linjës, në përputhje me standardet e Bashkimit Evropian”, tha ministri i Financave, Hekuran Murati.
“Ne si grup parlamentar e mbështesim këtë marrëveshje ndërkombëtare, ky projekt ka shtatë-tetë vjet që ka nisur të realizohet. Më vjen mirë që po shkon drejt finalizimit, së paku pjesës së financimit”, tha deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti.
“Jemi vend i sanksionuar, jemi vend që po izolohemi çdo ditë e më tepër dhe nuk ka kurrfarë kuptimi të marrim pjesë në votimin e kësaj marrëveshjeje”, tha deputeti i PDK-së, Abelard Tahiri.
Ndërkohë, LDK-ja përkundër dy partive të tjera opozitare, PDK e AAK, u dha përkrahje edhe disa projektligjeve.
Me 62 vota për, u miratua në lexim të dytë Projektligji për parandalimin dhe mbrojtjen nga dhuna në familje, dhuna ndaj grave dhe dhuna në baza gjinore.
Gjithashtu, në seancë, me 66 vota për u miratua edhe Projektligji për të drejtat e autorit dhe të drejtat e përafërta.
Për herë të parë, Shqipëria kryesoi mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.
Duke drejtuar sesionin me temë “Ruajtja e Paqes dhe e Sigurisë së Ukrainës”, kryeministri Edi Rama tha se Rusia nuk mund ta përdorë pavarësinë e Kosovës si arsyetim për të pushtuar territore të huaja.
“Rusia dhe të tjerë janë përpjekur ta keqpërdorin realitetin e ndryshuar të Ballkanit Perëndimor e sidomos lindjen e Republikës së Kosovës, për të justifikuar ëndrrat e tyre apo makthet e tyre që kanë eksportuar. Pavarësisht sa përpiqeni pavarësia e Kosovës është sanksionuar nga Gjykata Ndërkombëtare Penale, kreu 14 i kësaj Karte të OKB-së. Gjykata Ndërkombëtare Penale nuk mund të shërbejë si pretekst për rrëmbim territoresh, apo aneksim të paligjshëm”, tha Rama.
Por për paralelet e Ramës mes Kosovës dhe luftës në Ukrainë, njohës të politikës ndajnë qëndrime të ndryshme.
Profesori Basri Muja thotë se Shqipëria ka humbur një rast të rrallë për ta tematizuar çështjen e Kosovës në organizatën më të rëndësishme në botë.
“Mendoj se Shqipëria do të duhej që çështjen e Kosovës ta problematizonte më shumë. Nuk mendoj që kryeministri Rama e shfrytëzoi këtë skenë aq sa duhet për ta problematizuar çështjen e Kosovës. Nuk mendoj se Shqipërisë do t’i vijë më ky rast”, tha Muja.
Kurse, sipas analistit Arbnor Sadiku, deklarata e Ramës, para liderëve botërorë, ishte pozitive në kontekst të qartësimit të legjitimitetit të pavarësisë së Kosovës.
“Është vendim i drejtë dhe i qëlluar, këtë gjë e ka konfirmuar edhe Gjykata e Drejtësie ndërkombëtare në vitin 2010, ku ka theksuar më tej se Kosova e ka shpallur në mënyrë të drejtë pavarësinë e saj”, tha Sadiku.
Në këtë mbledhje të Këshillit të Sigurimit, për herë të parë fizikisht ishte i pranishëm edhe presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky.
Presidenti kroat Zoran Milanoviq gjatë fjalimit të tij në sesionin e 78-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara bëri thirrje për njohjen e Kosovës dhe ndryshimin e ligjit zgjedhor në Bosnje dhe Hercegovinë.
E për këtë ka shkruar kryetari i shoqatës së miqësisë japoneze-kosovare, Micky Haxhiislami, i cili ka shprehur edhe mirënjohje ndaj presidentit kroat.
“Faleminderit ~ thank you ~ hvala lijepa gospodine predsjedniče! Presidenti i Kroacisë, z. Zoran Milanoviq, dje në seancën e 78-të të Asamblesë së Kombeve të Bashkuara ka bërë thirrje për njohjen e Kosovës si anëtare e OKB-së”, ka shkruar ai.
Ndryshe, Milanoviq të mërkurën shprehu shqetësimin për ngjarjet e fundit në raportet Kosovë-Serbi.
Ai njëherish bëri thirrje për depërshkallëzimin e tensioneve, por edhe për njohjen universale të Kosovës si anëtare e plotë e bashkësisë ndërkombëtare.
Ka dështuar të votohet marrëveshja ndërkombëtare për ratifikimin e Marrëveshjes së financimit ndërmjet Republikës së Kosovës, përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve dhe Bankës Evropiane për Investime për projektin “Rehabilitimi i linjës hekurudhore 10 B”.
Në sallë ishin 82 deputetë të mjaftueshëm për të nisur procedurën e votimit, por jo të gjithë morën pjesë në votim.
Kryetari Glauk Konjufca tha se mungon kuorumi, prandaj kjo pikë do të votohet në seancë tjetër.
“Janë vetëm 72 vota, s’janë të mjaftueshme për votimin e marrëveshjeve ndërkombëtare. Prandaj, kjo i bartet një seance të re”, tha Konjufca.
Këtë marrëveshje refuzoi ta votojë Grupi Parlamentar i PDK-së, ndërsa ai i LDK-së ishte pro.
Nëse Serbia nuk dëshiron të anëtarësohet në BE dhe në vend të kësaj preferon të ushqejë marrëdhëniet e saj me Rusinë, BE-ja nuk duhet ta detyrojë atë, tha eurodeputetja dhe raportuesja në Parlamentin Evropian për Kosovën, Viola von Cramon, në një intervistë për Euractiv, duke e adresuar edhe çështjen e shqiptarëve në jug të Serbisë për pasivizimin e adresave.
“Nëse Serbia nuk dëshiron të anëtarësohet në BE, ne nuk duhet t’i detyrojmë. Ndoshta ata duan të qëndrojnë jashtë dhe të shohin se si të gjitha shtetet e tjera të Ballkanit Perëndimor anëtarësohen në BE. Është vendimi i tyre”, tha von Cramon. Von Cramon e ka theksuar edhe ndihmën që Bashkimi Evropian ia jep Serbisë. “Por që t’i shtysh me zor dhe t’iu bësh oferta aktraktive, pse pra Serbia ka interesa më të mëdha për të punuar me Rusinë”, tha ajo.
Eurodeputetja ka marrë për bazë raportet e Serbisë me Kosovën për të dëshmuar se Serbia nuk është një vend i përshtatshëm për të punuar me të në BE.
“Por kur bëhet fjalë për Kosovën, mendoj se tani është koha për të kapërcyer këtë retorikë të vjetër shumë, shumë agresive, këtë qasje të tmerrshme nacionaliste. Me këtë, ne nuk mund të punojmë së bashku në Bashkimin Evropian, nuk mund të pranojmë një vend që ende jeton në të kaluarën dhe ende jeton me këto narrativa të vjetra”, shpjegoi ajo. Von Cramon tha se ajo më parë mendonte se Serbia kishte interes për t’u anëtarësuar në BE dhe për t’u bërë një lojtar aktiv në procesin e anëtarësimit, por ngjarjet e fundit, duke përfshirë përkeqësimin e marrëdhënieve me Kosovën, kanë hedhur dyshime për këtë. “Por ne duhet të shohim dhe duhet të vlerësojmë se muaji i fundit nuk ka shkuar në këtë drejtim. Dhe pas një kohe, ndoshta duhet të bëjmë një pushim,” tha ajo. Von Cramon vuri në dukje edhe mënyrën se si i trajton Serbia gazetarët, mediat, sundimin e ligjit dhe çështje të tjera. Por eurodeputetja shtoi se duhet të ketë më shumë kritika ndaj Serbisë, veçanërisht në lidhje me BE-në.
Deputetët e Parlamentit Evropian në vazhdimësi kanë bërë thirrje që Serbia të bashkohet me Perëndimin dhe të largohet nga Rusia në politikën e jashtme. Por Serbia ka injoruar këto thirrje dhe në situatën aktuale gjeopolitike ajo ka intensifikuar edhe më shumë raportet me Rusinë, të cilës nuk i ka vendosur sanksione siç kanë bërë shtetet e Perëndimit. Në raportin për Serbinë, eurodeputetët thonë se negociatat e pranimit me Beogradin duhet të avancojnë vetëm nëse vendi përputhet me sanksionet e BE kundër Rusisë dhe bën përparim të rëndësishëm në reformat e lidhura me BE. Eurodeputetët theksuan rëndësinë e harmonizimit me politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë të BE-së, veçanërisht në lidhje me luftën e Rusisë kundër Ukrainës.
Parlamenti Evropian është i shqetësuar për uljen e fundit të mbështetjes publike për anëtarësimin në BE në Serbi, të cilën ata e konsiderojnë si rezultat i retorikës politike të gjatë anti-BE/pro-ruse të përhapur përmes mediave të kontrolluara nga qeveria dhe zyrtarët qeveritarë.Sipas raportit, ky ishte rezultat i një dështimi të madh nga përfaqësuesit e qeverisë për t’u përballur dhe për t’u pajtuar me të kaluarën e Serbisë. Eurodeputetët duan që BE të rishqyrtojë masën e ndihmës së saj financiare për Serbinë nëse mbështetja për politikat antidemokratike vazhdon dhe i bëjnë thirrje Komisionit Evropian të sigurojë që të gjitha shpenzimet e BE-së të jenë plotësisht në përputhje me qëllimet dhe interesat strategjike të BE-së.