ATV

Tag: Ballina

  • Ka filluar rigjykimi ndaj katër të akuzuarve për dhunim të 11 vjeçares nga Prishtina

    Ka filluar rigjykimi ndaj katër të akuzuarve për dhunim të 11 vjeçares nga Prishtina

    Përgatiti: Nora Luta

    Shtatë muaj pas aktgjykimit të Gjykatës Themelore të Prishtinës, ajo e Apelit e ktheu në rigjykim rastin e 11-vjeçares.

    Sipas arsyetimit të kolegjit të gjykatës së shkallës së dytë, të siguruar nga televizioni, gjatë shqyrtimit gjyqësor nga shkalla e parë, nuk është bërë ballafaqimi dhe konkretizimi i veprimeve të të miturve në raport me viktimën. Sipas Apelit, të dëmtuarës nuk i është kërkuar asnjëherë identifikimi i tyre në sallën e gjykimit.

    Në vendimin e Apelit thuhet se gjykata e shkallës së parë nuk arriti ta vërtetojë moshën e viktimës, e vlerësoi gabimisht rolin e psikologes në këtë proces dhe nuk u arritën të vërtetoheshin deklaratat kundërthënëse të viktimës.

    “Siç është konstatuar në deklaratën e dhënë në polici, e mitura, me dt. 28.08.2022, gjithmonë është thirrur në përshkrimin e veshjes dhe dukjes së të miturve dhe të akuzuarve, dhe asnjëherë nga ajo nuk është kërkuar që t’i identifikojë ata persona që ajo i përshkruan sipas veshjes dhe dukjes, se cilët janë ata persona që gjenden në sallën e shqyrtimit gjyqësor, si dhe lidhur me rrethanat kundërthënëse për të cilat është deklaruar lidhur me të akuzuarin, i cili është liruar nga akuza. Po ashtu, rrethanat dhe mënyra e kryerjes së veprës penale nuk janë sqaruar edhe në këtë deklaratë, ngase edhe këto theksohet se të tre të miturit kanë kryer marrëdhënie seksuale me të dëmtuarën dhe pas gjysmë ore përsëri që të tre kanë kryer marrëdhënie me të njëjtën, përderisa të tre të miturit kanë deklaruar se edhe herën e parë edhe herën e dytë ka ndodhë me pëlqimin e dyanshëm, ndërkaq në të dy deklaratat e dhëna nga e dëmtuara si në polici edhe në prokurori, kemi një rrëfim krejt tjetër, lidhur me rrjedhën e kësaj Ngjarje”, thuhet në vendimin e Gjykatës së Apelit.

    Gjithashtu Apeli e ka konsideruar shkelje mosballafaqimin e viktimës me pyetje nga të akuzuarit, pasi palët ishin pajtuar që vetëm deklaratat e saj të dhëna në polici e prokurori të pranohen si dëshmi.

    “Përkundër faktit së të dëmtuarës i është mundësuar që me rastin e dhënies së dëshmisë së saj, që për çdo rast që do të mund të ndikonte në çdo shqetësim eventual të të miturës, të mos jetë prezente në sallën e gjykimin, pra është krijuar mundësia që ajo të mos ballafaqohet me të akuzuarit dhe të miturit, mirëpo pa filluar parashtrimi i asnjë pyetje nga ana e palëve në procedurë, pa u udhëzuar e mitura lidhur me faktin se a është në gjendje të kuptojë detyrimin për të dëshmuar, jepen propozimet e palëve që të lexohen këto deklarata të dhëna në polici dhe në prokurori”, thuhet më tej në vendim.

    Ndërkohë, të premten, në seancën e shqyrtimit fillestar, Gjykata e ka aprovuar kërkesën e mbrojtjes për ekzaminim psikiatrik për secilin nga të akuzuarit.

    Rasti i cili tronditi opsionin publik, kishte ndodhur vitin e kaluar. Sipas aktakuzës vajza 11-vjeçare ishte dhunuar seksualisht për 7 orë, në lagjen “Arbëria” të kryeqytetit. Personat ishin arrestuar dy ditë pas raportimit të rastit, ndërsa dorëheqje kishte dhënë nga pozita e drejtorit të përgjithshëm të Policisë, Samedin Mehmeti.

    Katër nga pesë të akuzuarit në këtë rast, ishin dënuar me 40 vjet burgim gjithsej, ndërsa njëri ishte liruar nga akuza në mungesë të provave.

  • Shpërthimin në veri Sveçla e lidh me arrestimin e serbëve për krime lufte

    Shpërthimin në veri Sveçla e lidh me arrestimin e serbëve për krime lufte

    Përgatiti: Arton Hamiti

    Veriu i Kosovës, assesi nuk po gjen qetësi.
    Mbrëmjen e së enjtes, ky oborr i një shqiptari në “Lagjen e Boshnjakëve” ishte cak i një granate dore. Dëmet nga shpërthimi, i cili, sipas Policisë, ndodhi në orën 22 e 40 minuta, ishin vetëm materiale.

    Deri më tani nuk ka informacione për personin, apo personat e dyshuar në lidhje me shpërthimin.

    Ndërkaq, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, pretendoi se shpërthimi i granatës në Mitrovicë të Veriut, ishte në shenjë revolte për arrestimin e tre serbëve, nën dyshime për krime lufte.

    “Krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë do të ndiqen deri në fund, ndërsa hedhja e granatës ushtarake të dorës nga grupet kriminale nuk mund të zmbrapsë drejtësinë. Në shenjë revolte ndaj arrestimit të këtyre personave, si mesazh ndaj drejtësisë sonë dhe me qëllim të shkaktimit të terrorit te qytetarët tanë, grupe kriminale mbrëmë kanë hedhur granatë dore ushtarake në Lagjen e Boshnjakëve”, tha Sveçla.

    Reagime për ngjarjen në veri, pati edhe nga Bashkimi Evropian.

    “Sigurisht ne jemi të shqetësuar me vazhdimin e situatës në të cilën nuk ka shtensionim të qartë. BE-ja është në kontakt me autoritetet kompetente dhe ne do të reagojmë kur ta vlerësojmë”, tha zëdhënësi i BE-së, Peter Stano.

    Ndryshe, tensionet në këtë pjesë të Kosovës – të banuar me shumicë serbe, vazhdojnë të jenë të larta që nga fundi i majit. Qytetarët serbët po kundërshtojnë kryetarët e rinj shqiptarë të zgjedhur në prill, votime që u bojkotuan nga partitë dhe qytetarët serbë.

  • Nora Gjakova i sjell Kosovës medaljen e artë në Grand Slamin e Bakusë

    Nora Gjakova i sjell Kosovës medaljen e artë në Grand Slamin e Bakusë

    Pas medaljes së argjendtë të Distria Krasniqit, Nora Gjakova i ka sjellë tjetër medalje Kosovës, kësaj radhe me ngjyrë ari, nga Grand Prix-i që po mbahet në Baku të Azerbajxhanit.

    Në kategorinë deri në 57 kilogramë, Nora Gjakova e ka mposhtur në finale xhudisten nga Gjeorgjia, Eteri Liparteliani për ta fituar të artën në këtë Grand Slam, raporton KP.

    Deri te medalja e artë, Gjakova raundin e parë e kaloi pa luftë, në të dytin e mposhti polaken, Arleta Podolak, kurse në raundin e tretë fitoi ndaj xhudistes nga Gjermania, Seija Ballhaus.

    Gjakova vazhdoi me fitore edhe në çerekfinale, ku e mposhti francezen Priscilla Gneto, ndërsa në gjysmëfinale fitoi ndaj xhudistes nga Turqia, Hasret Bozkurt.

    Fitorja ndaj Bozkurt e kualifikoi Norën në finale, ku edhe e mposhti gjeorgjianen Liparteliani për ta fituar medaljen e artë në këtë kategori.

  • BE reagon për granatën në Veri: Jemi të shqetësuar që s’ka deeskalim të tensioneve

    BE reagon për granatën në Veri: Jemi të shqetësuar që s’ka deeskalim të tensioneve

    Bashkimi Evropian ka reaguar për rastin e mbrëmshëm që ka ndodhur në Lagjen e Boshnjakëve në Mitrovicën e veriut, ku në një shtëpi është hedhur granatë dore.

    Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, ka thënë se BE-ja po e vëzhgon me shumë vëmendje dhe shqetësim situatën në veri të Kosovës.

    “Jemi të shqetësuar për vazhdimin e situatës ku nuk ka një de-përshkallëzim të tensioneve”, ka thënë Stano.

    Ndërkaq, ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla ka thënë se ky sulm me granatë dore vjen si shenjë revolte ndaj arrestimit të tre personave për krime të kryera ndaj popullatës civile gjatë luftës në Kosovë dhe si mesazh ndaj drejtësisë e me qëllim të shkaktimit të terrorit tek qytetarët e asaj pjese./RTK

  • Dhuna ndaj trevjeçarit/ Kuvendi komunal i Fushë Kosovës mban seancë e jashtëzakonshme

    Dhuna ndaj trevjeçarit/ Kuvendi komunal i Fushë Kosovës mban seancë e jashtëzakonshme

    Keqtrajtimi i një trevjeçarit në çerdhen publike “Gëzimi ynë” në Fushë Kosovë ka bërë që Partitë Opozitare në këtë komunë të thirrin një seancë të jashtëzakonshme. Me ftesë të asamblistëve të PDK-së dhe me mbështetje të atyre të VV-së dhe AAK-së, Kuvendi Komunal i Fushë Kosovës ka mbajtur seancë të jashtëzakonshme.

    Mirsad Qyqalla asamblist i PDK-së në një lidhje direkte për emisionin “A LIVE” tha se gjatë kësaj mbledhjeje u sugjeruan disa rekomandime me të cilat synohet parandalimi I rasteve të tilla në institucionet publike.

    “Ne në vazhdimësi kemi ngritur shqetësimet dhe gjithmonë kemi pasur kërkesa e sugjerime por shumica nga to janë injoruar nga qeverisja aktuale në këtë komunë. Mirëpo ngjarjet e tilla për neve si subjekt politikë dhe çdo akt i dhunës është I papranueshëm kudo që ndodhë ajo mirëpo meqenëse akoma më keq ndodh në një çerdhe publike dhe kemi konstatuar të mblidhemi dhe të debatojmë. Ne si grup parlamentar I kemi sjellë 7-8 rekomandime që kemi besuar se i kontribuojnë edhe ngjarës që ka ndodhur por edhe që ndihmojnë në parandalimin që rastet e tilla të mos përsëriten”, tha ai.

    Tutje derisa Qyqalla përmendi disa nga rekomandimet, ai tha se kanë kërkuar edhe shkarkimin e drejtoreshës së çerdhes./atvlive.tv/

    Për më shumë ndiqni videon e mëposhtme:

  • Dita Ndërkombëtare Pa Makina – qytetarët me biçikleta e trotinetë e shfrytëzojnë sheshin deri te rrethi i Flamurit

    Dita Ndërkombëtare Pa Makina – qytetarët me biçikleta e trotinetë e shfrytëzojnë sheshin deri te rrethi i Flamurit

    Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës në bashkë organizim me Ministrinë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Policinë e Kosovës, Komunën e Prishtinës, OJQ-në “Marakli t’biçiklave”, kanë shënuar “Ditën Ndërkombëtare Pa Makina”, raporton EO.

    Me këtë rast në kryeqytet nga ora 10:00 deri në orën 15:00 është mbyllur edhe rruga për qarkullim të veturave rruga “Dëshmorët e kombit” nga bulevardi “Xhorxh Bush”, deri te Rrethi i Flamurit.

    E qytetarët e pranishëm kanë mundësi të marrin pa pagesë, njërën nga 160 biçikletat ose 60 trotinetët për qarkullim nga fillimi i kësaj rruge deri në fund rrethi i Flamurit.

  • Diplomojnë 302 rekrutë të rinj të FSK-së, Maqedonci: Shërbeni atdheut dhe qytetarëve të Kosovës

    Diplomojnë 302 rekrutë të rinj të FSK-së, Maqedonci: Shërbeni atdheut dhe qytetarëve të Kosovës

    Ka diplomuar gjenerata 01-2023 në kazermën “Skënderbeu” në Ferizaj, ku 302 rekrutë të rinj iu shtuan Forcës së Sigurisë së Kosovës.

    Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, me rastin e ceremonisë së diplomimit të rekrutëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës, ka thënë se formësimi i tyre si ushtarak fillon sot, dhe nuk duhet të përfundojë asnjëherë.

    Maqedonci, theksoi se duhet shërbyer me vullnet dhe gatishmëri për atdheun dhe qytetarët e Kosovës.

    “Pesha e uniformës që mbani sot veshur është e rëndë, se të shumë rënda e të vështira ishin vitet kur Ademi e Hamza, Zahiri e Luani, Agim Ramadani, e mijëra dëshmorë të tjerë sfidonin vdekjen duke përqafur luftën për jetë dhe liri”, u shpreh Maqedonci.

    “Formësimi i juaj si ushtarak fillon këtu, dhe nuk duhet të përfundojë asnjëherë, siç nuk duhet të përfundojë vullneti dhe gatishmëria e juaj për t’i shërbyer atdheut dhe qytetarëve të vendin tonë”.

  • ​Osmani: Gratë në Kosovë kanë qenë gjithnjë në ballë të proceseve të paqes

    ​Osmani: Gratë në Kosovë kanë qenë gjithnjë në ballë të proceseve të paqes

    Presidentja Vjosa Osmani me ftesë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, mori pjesë në takimin e nivelit të lartë dedikuar agjendes për Gratë Paqen dhe Sigurinë (ËPS)

    Në organizimin e mbajtur në selinë e OKB-së, Presidentja Osmani, në emër të Republikës së Kosovës, shpalosi të arriturat dhe objektivat e Kosovës për sa i përket zbatimit të Agjendës për Gratë, Paqen dhe Sigurinë.

    Presidentja vuri në pah rolin e jashtëzakonshëm që gratë e Kosovës kanë luajtur në procese të paqes dhe sigurisë përgjatë etapave të ndryshme të historisë. Ajo potencoi se Kosova tashmë po i udhëheq përpjekjet në rajon për zbatimin e kësaj agjende.

    Për më tepër, Presidentja tha po ashtu se Kosova është e gatshme të japë kontribut në nivel ndërkombëtar për zbatimin e kësaj agjende, me ç’rast vuri në pah përpjekjet e Kosovës për të ndihmuar gratë në Ukrainë, Afganistan dhe në çdo vend ku po ndodhin shkelje të rënda të të drejtave të njeriut.

    Më këtë rast, Osmani foli edhe për Forumin global për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, i cili mbahet këtë vit për herë të dytë në Kosovë, si dhe paralajmëroi që Kosova do të bëhet së shpejti vendi nikoqir i qendrës rajonale të ekselencës për Gratë, Paqen dhe Sigurinë.

    Sipas një komunikate të Presidencës, Zyra e Sekretarit Blinken vuri në pah arritjet e Kosovës në këtë drejtim dhe punën e Presidentes dedikuar kësaj agjende, duke e quajtur Kosovën si një ndër shembujt më të mirë të këtij angazhimi.

  • ‘Dita pa makina’ – nga ora 10:00 kjo rrugë në kryeqytet mbyllet për vetura

    ‘Dita pa makina’ – nga ora 10:00 kjo rrugë në kryeqytet mbyllet për vetura

    Komuna e Prishtinës sot do të shënojë aktivitetin ‘Ditën pa makina’ në kryeqytet, raporton Gazeta Sinjali.

    Sipas njoftimit, nga ora 10:00 deri në orën 15:00 do të mbyllet për qarkullim të veturave rruga ‘Dëshmorët e kombit’ [nga bulevardi ‘Xhorxh Bush’ deri te Rrethi i Flamurit.

    “Ndërsa, ju qytetarë të dashur mund të merrni me qera, pa pagesë, njërën nga 160 biçikletat ose 60 trotinetët për qarkullim nga fillimi i kësaj rruge deri në fund (rrethi i Flamurit). Pavarësisht se çfarë zgjedhje bëni, kujdesuni për mjedisin dhe bëni ndryshime të vogla në jetën tuaj për të ndihmuar në mbrojtjen e planetit tonë”, thuhet në njoftim.

    ‘Dita pa makina’, një ngjarje ndërkombëtare, e cila organizohet në 2000 qytete të botës, dhe që ka për qëllim inkurajimin e qytetarëve që t’i përdorin sa më pak makinat për transport, e në vend të tyre të shfrytëzojnë transportin publik apo biçikletat.

  • Ministria e Ekonomisë mban konferencë për media në lidhje me subvencionimin e pajisjeve efiçiente për ngrohje

    Ministria e Ekonomisë mban konferencë për media në lidhje me subvencionimin e pajisjeve efiçiente për ngrohje

    Ministria e Ekonomisë me rastin e lansimit të “Thirrje për subvencionim të pajisjeve efiçiente për ngrohje” të financuar nga Bashkimi Evropian (BE), mban konferencë për medie.

    Në njoftimin për media nga kjo ministri thuhet se konferenca do të mbahet para objektit të Ministrisë së Ekonomisë duke filluar nga ora 11:30.