ATV

Tag: Ballina

  • Osmani takohet me presidentin amerikan – Biden ia mbanë dorën

    Osmani takohet me presidentin amerikan – Biden ia mbanë dorën

    Presidentja Vjosa Osmani, është takuar me presidentin amerikan Joe Biden, gjatë vizitës në ShBA.

    Osmani publikon foto me presidentin e ShBA-së, Biden, të kapur për dorësh dhe shkruan “Aleanca e lirisë, aleanca e përjetshme”.

    Osmani, po qëndron në Nju Jork ku po mbahet sesioni i 78-të i Asamblesë së Kombeve të Bashkuara.

  • Lajçak pas takimit me Osmanin: Patëm një bisedë të detajuar dhe të dobishme

    Lajçak pas takimit me Osmanin: Patëm një bisedë të detajuar dhe të dobishme

    I dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak është deklaruar pas takimit që pati të enjten me presidenten Vjosa Osmani, në Nju Jork.

    Lajçak ka shkruar në “X” se me Osmanin patën një bisedë të detajuar dhe të dobishme.

    Ai theksoi se kanë rënë dakord që të vazhdojnë diskutimin.

    “Pata një bisedë të detajuar dhe të dobishme me Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, mbi gjendjen e dialogut dhe rrugën përpara në avancimin e zbatimit të marrëveshjes në rrugën e normalizimit. Ramë dakord të vazhdojmë diskutimin tonë”, ka shkruar ai në “X”.

  • Kërkoi njohjen e pavarësisë së Kosovës, gazetarja ukrainase: Duhet të luftojmë propagandën ruse

    Kërkoi njohjen e pavarësisë së Kosovës, gazetarja ukrainase: Duhet të luftojmë propagandën ruse

    Gazetarja ukrainase Iryna Synelnyk e cila kishte kërkuar që të pranohet pavarësia e Kosovës, nga vendi i saj ka treguar vështirësitë e raportimit pas agresionit ushtarak rus të filluar në shkurt të 2022-ës.

    Synelnyk me anë të një shkrimi thotë se mediet lokale janë të domosdoshme për të raportuar në kohë lufte.

    “Ato janë shpesh të vetmet burime informacioni për banorët e komunitetit, pikërisht informacioni lokal. Ky është gjithashtu një front, vetëm informues”, ka shkruar Synelnyk.

    Ajo tregon se mediet sociale dhe televizionet ishin burimet kryesore të informacionit në atë kohë.

    “Kisha frikë se mund të më arrestonin. Por unë isha edhe më e shqetësuar se familja ime mund të vuante për shkak të veprimtarisë sime gazetareske dhe pozitës civile. Megjithatë, vazhdova të punoja, për sa kohë kisha qasje në internet”, tregon ajo.

    “Mediet sociale dhe TV ishin burimet kryesore të informacionit në atë kohë. Sa për mua, është lufta e parë që po del online. Shumë prej tyre përshkruan përvojat e tyre në rrjetet sociale. Mund të shihnim foto dhe video nga vendet e ngjarjes. Unë gjithashtu i mblodha këto materiale, por e kuptoj që burimet nga rrjetet sociale duhet të kenë verifikim të detajuar. Meqë ishte e mundur kontaktova me zyrtarë apo pushtetin vendor për të verifikuar informacionin”, shton Synelnyk.

    Në këtë shkrim autorial, ajo shpreson që një ditë rezultatet e punës së gazetarëve ukrainas të bëhen pjesë e historisë.

    “Mua më dukej e nevojshme t’i tregoja gjithë botës se si jetojnë njerëzit në Chernihiv, se nuk kemi energji elektrike, nuk kemi ujë, ka probleme me ushqimin, njerëzit janë vënë në kushte të vështira mbijetese dhe kjo po ndodh në vitin 2022 në qendër të Evropës. Unë dhe kolegët e mi punuam pa pauza. Puna ime më dha forcë. Më duhej të punoja sepse doja të tregoja të vërtetën, doja t’u tregoja të gjithëve se çfarë po ndodhte, sepse gjithçka që po ndodhte ishte kaq e padrejtë dhe e tmerrshme”, shkruan ajo.

    “Shpresoj që një ditë rezultatet e punës së gazetarëve ukrainas të bëhen pjesë e historisë. Do të doja t’i botoja këto tregime si një libër me përkthim në anglisht, në mënyrë që më shumë njerëz të dinë të vërtetën për luftën në Ukrainë, sepse jam e sigurt se përvoja individuale është pasqyrë e ngjarjeve në vend”, pohon gazetarja ukrainase.

    Sipas Synelnykut, pavarësisht luftimeve në qytetin e saj, shumë gazetarë qëndruan për të raportuar.

    “Në atë kohë, roli i medieve sociale u rrit dhe kanalet televizive ishin një burim i rëndësishëm informacioni aktual. Çdo qeveri vendore krijoi kanalin e vet Telegram. Kanali i mediave lokale, për shembull, ‘Suspilne Chernihiv’ kishte mijëra përdorues. Disa nga gazetarët qëndruan në qytet dhe vazhduan të punojnë”, shton Synelnyk.

    Në fund, ajo bën thirrje që të luftohet propaganda ruse.

    “Disa gazetarë mbeten jashtë vendit dhe vazhdojnë të punojnë. Njëjtë edhe unë. Unë vazhdoj të punoj sepse e di që informacioni i vërtetë është po aq i vlefshëm sa buka në luftë. Ne duhet të luftojmë propagandën ruse”, përfundon ajo.

    Kujtojmë se Synelnyk dhe Lyudmila Makey, dy gazetaret ukrainase kanë qëndruar në Kosovë, ndërsa tashmë janë kthyer në Ukrainë për shkaqe familjare.

  • Bashkimi Evropian konsideron se u ka dhënë udhëzime të qarta Kosovës dhe Serbisë

    Bashkimi Evropian konsideron se u ka dhënë udhëzime të qarta Kosovës dhe Serbisë

    Përgatiti: Fatlum Jashari

    Bashkimi Evropian konsideron se u ka dhënë udhëzime të qarta Kosovës dhe Serbisë, për të lëvizur përpara në dialogun për normalizim të marrëdhënieve.

    Në këtë kontekst, zëdhënësi për politikë të jashtme, Peter Stano, theksoi nevojën për angazhimin e palëve për përmbushjen e obligimeve që palët morën përsipër në Bruksel dhe Ohër.

    “Palët e dinë shumë mirë se çfarë pritet që ato të bëjnë në mënyrë që të përparojnë në të dyja, në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve të tyre dhe në rrugën e tyre evropiane, sepse këto dy procese janë të lidhura”, tha Stano.

    Edhe pse nuk e tha prerazi, zëdhënësi Stano la të kuptohet se propozimi i saj është final, teksa iu referua deklaratës së 27 shteteve anëtare që thekson se BE-ja pret që zbatimi të nisë pa vonesa, bazuar në propozimin që Kosova e ka refuzuar.

    “Shtetet anëtare e theksuan qartë cila është rruga përpara. Kështu që u takon Serbisë dhe Kosovës të sigurohen dhe shtojnë përpjekjet për të lëvizur përpara. Nuk do të lëshohemi në detaje sërish, ne nuk do t’i zhvillojmë negociatat në publik, ne e kemi dialogun e lehtësuar nga BE-ja si platformë të veçantë për t’i zhvilluar negociatat, për ta lehtësuar dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, dhe për t’iu ndihmuar atyre për të gjetur rrugën dhe kompromiset e nevojshme për të arritur normalizimin e marrëdhënieve të tyre”, tha Stano.

    Propozimi, sikurse edhe deklarata e 27 vendeve anëtare, thekson se puna për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe duhet të nisë pa asnjë vonesë apo parakusht të mëtejmë.

    Kosova nuk është pajtuar me propozimin e BE-së, duke akuzuar përpiluesin e saj, Përfaqësuesin e Posaçëm, Miroslav Lajcak, për anim kah Serbia.

  • Në Prelez shkatërruan mbi 1600 armë të gjata e të shkurtra, të konfiskuara nga Policia

    Në Prelez shkatërruan mbi 1600 armë të gjata e të shkurtra, të konfiskuara nga Policia

    Përgatiti: Arian Hajdaraj

    Këto armë pas disa orëve do të shndërrohen në kapakë për kanalizim si këta.

    Por, para se të nisin procedurat për shkrirjen e armatimit që u konfiskua nga Policia, 60 nga 1600 armët e gjata e pistoletat, u ekspozuan në oborrin e shkritores, e cila ka tenderin për ta kryer këtë shërbim.

    Pas peshimit, pistoletat u vendosën direkt për shkrirje.

    Ndërsa, pushkët e gjata u prenë në copa.

    Më pastaj, nën vëzhgimin e njësisë speciale, të gjitha, një për një, u vendosën në shkritore.

    Me asgjësimin e këtyre armëve, sipas zëvendësdrejtorit të Policisë, po parandalohen vrasje.

    “Qëndroj këtu para juve krenar dhe i privilegjuar. Nuk jemi këtu vetëm për t’i shkatërruar armët pa leje, por edhe për të dërguar mesazh se Kosova po punon në uljen e kriminalitetit. Çdo armë që po shkatërrohet sot, prezanton një tragjedi që ka mundur të ndodhë”, tha Dejan Jankoviç, zëvendësdrejtor i Policisë.

    Në këtë formë, sipas zëvendësministrit të Punëve të Brendshme, Kosova tregon përkushtim për zbatimin e standardeve evropiane për armët.

    “Ne vazhdojmë përpjekjet për ta rritur sigurinë. Është progres i jashtëzakonshëm. Njëkohësisht, edhe mesazh që tregon përkushtimin për uljen e potencialit të dhunës…”, tha zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Blerim Gashani.

    Bazuar në të dhënat zyrtare, Policia e Kosovës në vit, konfiskon mesatarisht 1400 deri në 1600 armë dhe rreth 30.000 municion pa leje.

    Vitin e kaluar konfiskoi 1473 armë zjarri dhe 29.903 municion të kalibrave të ndryshëm.

    Ndërsa, vetëm në shtatë muajt e parë të vitit 2023 janë konfiskuar 636 armë pa leje.

  • Presidentja dekreton Ligjin për Zyrtarët Publikë pa u përmirësuar nenet

    Presidentja dekreton Ligjin për Zyrtarët Publikë pa u përmirësuar nenet

    Përgatiti: Krenare Mulliqi

    Ndonëse Ligji për Zyrtarë Publikë nuk u përmirësua nga Kuvendi siç kërkon Gjykata Kushtetuese, presidentja e dekretoi atë. Nga 8 nene të cilat Gjykata Kushtetuese i shfuqizoi, ligji u dekretua pa u përmirësuar paragrafët 3 dhe 5 i nenit 9.

    Ky nen përcakton kriteret e përgjithshme për pranim të zyrtarit publik, ndërsa Kushtetuesja ka vlerësuar që përcaktimi i kriterit të “përshtatshmërisë” s’është në përputhje me garancitë kushtetuese.

    As në nenin 27 në të cilin janë përcaktuar të drejtat e zyrtarëve publikë nuk u përmirësua paragrafi 3, me të cilin parashihet që nëpunësit civilë të paraqesin ankesë në Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës të Shërbimit Civil të Kosovës, në rast të cenimit të së drejtës së punës.

    Në këtë ligj, sipas kërkesës së Kushtetueses, u përmirësua neni 12. Në të u ndryshua paragrafi 2, në të cilin ishte paraparë që Qeveria t’i raportojë Kuvendit për gjendjen e zyrtarëve publikë, deri më 31 mars për çdo vit kalendarik. Edhe nenet 67, 88 dhe 104 u përmirësuan.

    Anëtarë të Komisionit për Administratë Publike thanë se nuk u lejuan t’i përmirësojnë nenet.

    Kritika për dekretim të Ligjit nga ana e presidentes, kanë edhe anëtarë të Institutit të Kosovës për Drejtësi.

    Ndërkaq, përmes një përgjigje për ATV-në, Presidenca njoftoi se nuk është detyrë e saj përmirësimi i ligjeve dhe se do të kërkojë nga Kuvendi ta rregullojë çështjen.

    “Përgatitja e tekstit konform aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, është detyrë dhe përgjegjësi e Kuvendit. Nëse ka ndodhur ndonjë gabim teknik në procesin e përgatitjes së Ligjit nga ana e Kuvendit, Presidentja do të kërkojë nga Kuvendi që urgjentisht të rregullohet ky lëshim, në përputhje me praktikat ekzistuese të së kaluarës kur ka pasur lëshime teknike”, thuhet në përgjigjen e Bekim Kupinës, këshilltar për media i presidentes.

    Pasi ishte miratuar në Kuvend, Ligjin për zyrtarë Publikë partitë opozitare e patën dorëzuar në Gjykatën Kushtuese.

  • Qëndrime të kundërta për emisarin e BE së, Konjufca: Lajçak po artikulon pozicione të Serbisë

    Qëndrime të kundërta për emisarin e BE së, Konjufca: Lajçak po artikulon pozicione të Serbisë

    Përgatiti: Armand Hoti

    Kryeparlamentari Glauk Konjufca, njëherësh edhe numri dy i partisë në pushtet, ripërsëriti qëndrimin e shefit të tij, në raport me rolin e emisarit special të Bashkimit Evropian për lehtësimin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak.

    “Është vërejtur me thënë të drejtën, qysh në fillim, që Lajçaku qëndrimet të cilat i artikulon më shumë janë, le të themi, ato marrje e pozicionit të Serbisë fillimisht e pastaj përpjekje që përmes mekanizmave të ndryshëm edhe formulimeve që ai i qet në zgjidhjet që i propozon, të mundë të jenë pikënisje e pozicionit të Serbisë, si të mundë të akomodohet në mënyrë sa më të përshtatshme pozicioni i Serbisë… Tash Lajçak po thotë që aty është vetëm Asociacioni. Njohja i përket Serbisë kur do ajo, do të thotë ky është pozicion i Serbisë”, tha Konjufca.

    Por, ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffery Hovenier, theksoi sot se ShBA-ja beson në të deleguarit e BE-së, për lehtësimin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve mes dy shteteve.

    “SHBA-ja ka besim të plotë në BE-në në ndërmjetësimin e saj të dialogut, SHBA-ja ka besim të plotë në përfaqësuesin e lartë të BE-së, Josep Borrell, dhe përfaqësuesin e posaçëm për dialogun Kosovë – Serbi, Mirosllav Lajçak, si zbatues objektivë të kësaj politike”, tha Hovenier.

    Në fjalën e tij në kuadër të Samitit për Paqe dhe Demokraci, ambasadori Hovenier tha se implementimi i marrëveshjes së Brukselit me aneksin e zbatimit për të cilin palët u dakorduan në Ohër, ndihmon Kosovën drejt integrimit të saj në institucionet euro-atlantike.

    “Është e rëndësishme që të gjithë aktorët në këtë operacion, në këtë proces, të pranojnë procesin në të cilin janë dhe të luajnë poker me letrat që u kanë rënë. Dhe të kenë në mendje këtë vizion, puna për normalizimin e raporteve, për zbatimin e plotë të Marrëveshjes së Ohrit dhe të Aneksit, nga të dyja palët, gjë që është pritja jonë, është rruga përpara. Kjo e sjell Kosovën më afër vizionit që ne ndajmë për integrimin e plotë në strukturat euro-atlantike”, tha Hovenier.

    Edhe Christian Ramet, këshilltari i emisarit Lajçak, ishte pjesë e Samitit për Paqe dhe Demokraci.

    Në të, ai përmendi se Bashkimi Evropian po kërkon nga palët të fillojnë pa e vonuar implementimin e marrëveshjes së Brukselit dhe aneksit të Ohrit. Ai potencoi se tash tre muaj pas dakordimit të arritur Ohër, ende nuk është bërë asnjë progres në zbatimin e marrëveshjes.

  • Tre dëshmitarë, dëshmuan në procesin gjyqësor, që po zhvillohet ndaj Caslav Joliq për krime lufte

    Tre dëshmitarë, dëshmuan në procesin gjyqësor, që po zhvillohet ndaj Caslav Joliq për krime lufte

    Përgatiti: Nora Luta

    Për lëndimet që i kishte marrë Zef Malësia në pranverën e vitit 1998, fqinji Lush Palokaj nga Gurrakoci i Istogut, ka rrëfyer versionin e tij para trupit gjykues në Gjykatën Themelore të Prishtinës.

    Në Departamentin Special të kësaj gjykate po zhvillohet gjykimi për krime lufte ndaj Çasllav Joliqit, të cilin Prokuroria ndër të tjera e ngarkon edhe me akuzën se kishte ushtruar dhunë sistematike ndaj Zef Malësisë.

    Megjithatë, ai ka dhënë deklarata kundërthënëse, teksa është ballafaquar edhe me deklarimet e tij dhënë para hetuesve policorë.

    Me deklaratat që i kishte dhënë në Polici, vitin e kaluar, 66-vjeçari u sfidua edhe nga mbrojtja.

    Por, Palokaj thotë se edhe familja e tij është dëmtuar nga lufta, kur ishin detyruar ta braktisin shtëpinë, e cila ishte shfrytëzuar si shkollë e për takime politike.

    Për maltretimet që Zef Malësia kishte pësuar nga Joliqi, ka folur edhe dëshmitari Gjon Palokaj.

    Ndërkohë, gjatë kësaj seance ka dëshmuar edhe Gjergj Palokaj. Gjykimi ndaj Jolliqit, i arrestuar në qershor të vitit të kaluar në Istog, do të vazhdojë në nëntor.

  • Zelensky falënderon Ramën: Sot ti i tregove botës se si ta trajtojë saktë Rusinë

    Zelensky falënderon Ramën: Sot ti i tregove botës se si ta trajtojë saktë Rusinë

    Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy, ka falënderuar kryeministrin e Shqipërisë, Edi Ramën për faktin që i ka dalë në mbrojtje sot gjatë drejtimit të presidencës në Këshillin e Sigurimit të OKB-së.

    “I dashur Edi Rama, sot ti i tregove botës se si ta trajtojë saktë Rusinë, gënjeshtrat dhe hipokrizinë e saj. Të falënderoj që e drejton Presidencën në një mënyrë kaq parimore”, shkroi Zelenskyy, i cili postoi edhe një video të shkurtër ku duket Rama duke iu drejtuar përfaqësuesit të Rusisë të pranishëm në sallë.

    “Përderisa e përsëritët shumë herë se shkelja këtu ka të bëjë me fjalimin e presidentit Zelenskyy para anëtarëve të këshillit të mbledhur, ka një zgjidhje për këtë, nëse jeni dakord. Ju ndalojeni luftën dhe presidenti Zelensky nuk do ta marrë fjalën”, i thotë Rama kolegut të tij rus.

  • “Naftarët fitojnë 20-30 centë për litër”, Berjani: Shteti duhet të marrë masa ndaj të gjithë atyre që abuzojnë me çmime

    “Naftarët fitojnë 20-30 centë për litër”, Berjani: Shteti duhet të marrë masa ndaj të gjithë atyre që abuzojnë me çmime

    Gjatë ditës së djeshme, ATV raportoi se naftëtarët mesatarisht fitojnë nga 20 deri në 30 centë për litër naftë. Çmimi mesatar i importit në 18 ditët e para të muaji, sipas të dhënave të doganës, llogaritet të jetë 1 euro e 20 centë, përfshirë edhe taksat. Megjithatë, në disa pompa, çmimi i naftës arrin në 1.58 centë për litër, apo 38 centë më shtrenjtë se mesatarja e importit.

    Për të folur për këtë, në emisionin A LIVE në ATV ishte i ftuar kryetari i Shoqatës së Natarëve, Fadil Berjani.

    Ai në këtë emision mohoi se mazha e fitimit të natarëve mund të jetë 28 cent.

    “Mazha e fitimit sa i përket kanë qenë dy-tri vendime, po ato vendime nuk kanë qenë aq profitabile që kanë mujt me ulë çmimin. E kemi pasë muajin e kalum një vendim të tillë, ai vendim i cili ndoshta na ka dëmtu konkurrencën treg me bo, se konkurrenca treg e ul çmimin. Për momentin konkurrenca e madhe është në treg, që rast konkret unë sot punoj me 8 centë mazhë fitimi, mazha e fitimit ka qenë dymbëdhjetë centë përpara me pakicë, ndërsa importi ka qenë 2 centë”, tha Berjani.

    Ai tha se, në qoftë se këto të dhëna janë të sakta, shteti duhet të marrë masa.

    “Ju lutem, mos të ketë dezinformata. Në qoftë se ka dikun, Qeveria duhet me marrë masa. 28 centë, ju lutem, është shumë e madhe. Unë s’e kam dëgjue deklaratën e ministrit Murati, po unë nuk di që ka dikun mazhë të fitimit 28 centë. Ajo është fitim i madh. Aty duhet ndërmarrë masa shteti, të kontrollon qysh duhet shteti. Unë i gjykoj ata në qoftë se ata fitojnë 28 centë. Atëherë shteti duhet të merr masa të ndryshme, si është e mundur. unë për veti po fola më herët, se unë mazhën e fitimit sot e kam 8 centë, bruto. Ku është punëtori, ku janë taksat, ku janë ato obligime tjera, ama 28 centë mos është një dezinformatë se mua nuk ma merr mendja, mos e ka edhe dogana gabim, sepse unë s’kam këso informata. Edhe apeloj te kryeministri dhe te ministri Murati, te Rozeta Hajdari, të gjithë ata të cilët abuzojnë me çmime, merrni masa”, u shpreh Berjani. /atvlive.tv