ATV

Rama qartëson realitetin e pavarësisë së Kosovës në KS të OKB-së

Written by

in

Përgatiti: Armand Hoti

Për herë të parë, Shqipëria kryesoi mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

Duke drejtuar sesionin me temë “Ruajtja e Paqes dhe e Sigurisë së Ukrainës”, kryeministri Edi Rama tha se Rusia nuk mund ta përdorë pavarësinë e Kosovës si arsyetim për të pushtuar territore të huaja.

“Rusia dhe të tjerë janë përpjekur ta keqpërdorin realitetin e ndryshuar të Ballkanit Perëndimor e sidomos lindjen e Republikës së Kosovës, për të justifikuar ëndrrat e tyre apo makthet e tyre që kanë eksportuar. Pavarësisht sa përpiqeni pavarësia e Kosovës është sanksionuar nga Gjykata Ndërkombëtare Penale, kreu 14 i kësaj Karte të OKB-së. Gjykata Ndërkombëtare Penale nuk mund të shërbejë si pretekst për rrëmbim territoresh, apo aneksim të paligjshëm”, tha Rama.

Por për paralelet e Ramës mes Kosovës dhe luftës në Ukrainë, njohës të politikës ndajnë qëndrime të ndryshme.

Profesori Basri Muja thotë se Shqipëria ka humbur një rast të rrallë për ta tematizuar çështjen e Kosovës në organizatën më të rëndësishme në botë.

“Mendoj se Shqipëria do të duhej që çështjen e Kosovës ta problematizonte më shumë. Nuk mendoj që kryeministri Rama e shfrytëzoi këtë skenë aq sa duhet për ta problematizuar çështjen e Kosovës. Nuk mendoj se Shqipërisë do t’i vijë më ky rast”, tha Muja.

Kurse, sipas analistit Arbnor Sadiku, deklarata e Ramës, para liderëve botërorë, ishte pozitive në kontekst të qartësimit të legjitimitetit të pavarësisë së Kosovës.

“Është vendim i drejtë dhe i qëlluar, këtë gjë e ka konfirmuar edhe Gjykata e Drejtësie ndërkombëtare në vitin 2010, ku ka theksuar më tej se Kosova e ka shpallur në mënyrë të drejtë pavarësinë e saj”, tha Sadiku.

Në këtë mbledhje të Këshillit të Sigurimit, për herë të parë fizikisht ishte i pranishëm edhe presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky.

Comments

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *