Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, ka thënë se punimet në rrugën Prishtinë – Podujevë javë duke vazhduar.
Ai ka thënë se në këtë aks janë intensifikuar punimet në të gjitha llotet dhe se po angazhohen që kjo rrugë të përfundojë sa më shpejtë.
“Ky aks rrugor është vënë në rrugën e duhur me intensifikimin e punimeve në të gjitha llotet. Po bëjmë çmos që këtë rrugë ta përfundojmë sa më parë, rrugë kjo e rëndësishme jo vetëm për shpejtësinë e lidhjes me kryeqytetin, por edhe për sigurinë e të gjithë qytetarëve”, ka shkruar Aliu.
Një 76-vjeçar ka vdekur sot si pasojë e zjarrit në Panorc të Malishevës. Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Gjakovës, Sheremet Elezaj ka thënë se viktima nuk kishte mundësi të dilte nga shtëpia e cila ishte përfshirë nga zjarri.
Sipas tij, brenda shtëpisë ishin katër persona, derisa një nga tre të lënduarit është dërguar në gjendje të rëndë shëndetësore në QKUK.
“Rreth orës 02:40, Policia është njoftuar se në fshatin Panorc-Malishevë një shtëpi ishte përfshirë nga zjarri. Policia dhe zjarrfikësit kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe është kuptuar se në shtëpinë që ishte duke u djegur kishin qenë duke banuar katër persona, njëri prej të cilëve nuk kishte arritur të dilte. Pasi është lokalizuar zjarri është gjetur viktima i moshës 76-vjeçare, pa shenja jete dhe vdekjen e tij e ka konstatuar ekipi mjekësor në vendin e ngjarjes”, njoftoi Policia.
Në konsultim me prokurorin e shtetit është iniciuar rast “Zjarrvënie” dhe aktualisht janë duke u ndërmarrë veprimet e nevojshme për të hetuar shkaktarët e zjarrit.
Gjykata Supreme e ka refuzuar si të pabazuara kërkesat për mbrojtje të ligjshmërisë të dënuarit për krime lufte në Pejë Svetomir Baçeviq dhe mbrojtësit të tij, të ushtruara kundër aktgjykimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë dhe aktgjykimit të Gjykatës së Apelit.
Kërkesa e paraqitur nga vetë i dënuari, i cili kishte deklaruar në ankesë se vendimet e të dy Gjykatave paraqesin hakmarrje ndaj tij, sipas Supremes nuk ka pasur bazë ligjore, raporton atvlive.tv.
“Por duke iu referuar gjendjes faktike e sidomos deklaratës së të dëmtuarës T.K. pretendon se që të dy gjykatat kanë marrë një vendim i cili është hakmarrje ndaj të njëjtit dhe se si i tillë është një vendim i paligjshëm dhe skandaloz”, citohet deklarata e Svetomir Baçeviqit në vendimin e Supremes.
Tutje sipas kësaj Gjykate nuk qëndrojnë pretendimet e mbrojtjes lidhur me dëshminë e të dëmtuarës Tixhë Kadrijaj.
“Dëshmitarja e përshkruan personin i cili e ka marrë nga shtëpia e saj si “ai i B. dhe i thojshin hajn dhe se nuk ka qenë në uniformë”. Po ashtu, dëshmitarja që nga fillimi ka thënë se nuk është në gjendje ta identifikoj tani personin në fjalë, për shkak se kjo ka ndodhur 20 e më shumë vite me pare. Pra e dëmtuara-dëshmitarja asnjë moment nuk ka pretenduar se e ka identifikuar të dënuarin, por e ka dhënë përshkrimin e tij sipas kujtesës së natës kritike si dhe ka përshkruar ngjarjen dhe faktin se as atëherë nuk e ka njohur, por bashkëshorti i saj, Rexhepi, atë natë i ka thënë se “e kemi kojshi, mos u tut”, ndërsa e ka cek se ky person ka pas armë. Andaj, edhe nuk mund të pranohet pretendimi se e dëmtuara e ka ndryshuar deklaratën ngase e njëjta asnjëherë nuk ka pretenduar se e njeh të dënuarin dhe se mund ta identifikoj”, thuhet në vendimin e Supremes.
Mbrojtja e të dënuarit Baçeviq, avokati Dejan Vasiq kishte pretenduar se edhe dëshmitari serb, që ishte fqinji i saj nga fshati Bellopojë e Pejës kishte dhënë deklaratë kundërthënëse me viktimën, mirëpo sipas Supremes, gjykata e shkallës së parë, kishte konstatuar drejtë se I dënuari kishte marrë peng Tixhën pa dëshirën e saj, e nën kërcënimin e armës.
“Dëshmitari i cili e përshkruan ngjarjen duke deklaruar se e dëmtuara ishte e mbështetur për muri, duke qëndruar në këmbë e frikësuar, ndërsa S. ishte në distancë prej gjysmë metri nga ajo dhe bisedonte diçka me te. Më tutje, dëshmitari e përshkruan se si kishte grushtuar të dënuarin dhe e kishte e marrë të dëmtuarën, të cilën e kishte kthyer në shtëpinë e saj e cila kishte mbetur aty deri në fund të luftës”, thuhet tutje në vendimin e Supremes të publikuar të premten.
Svetomir Baçeviq është dënuar me pesë vjet burgim për krime lufte në Bellopojë të Pejës, për kidnapimin e Tixhë Kadrijajt nga ky fshat.
Vendimin e shkallës së parë e kishte vërtetuar edhe Apeli./atvlive.tv/
Këngëtarja kosovare Brikenda Karrica e ftuar në emisionin “Libero” në ATV foli për karrierën e saj, familjen si dhe rrugëtimin e saj në muzikë dhe jo vetëm. Përveç si këngëtare Brikena (Briki) është njohur edhe për pjesëmarrjen e saj në një ‘reality show’ në Shqipëri për çka Briki thotë se për këtë është paragjykuar shumë.
“Në fakt nuk e kam prit që kam me marr dashni aq shumë nga shqiptarët atje ndoshta më shumë se sa nga kosovarët mirëpo edhe jam paragjykua nga ajo që unë vij nga një fshat dhe ndoshta shpesh jam paragjykua prej atyre që i kam pasur të afërm dhe jo prej atyre që nuk i kam njohur”, tha ajo.
Tutje Brikenda përmendi se si në javën e parë që ishte pjesë e këtij emisioni nuk është ndjerë e mirëpritur nga vajzat aktuale të programit.
“Ka qenë dita ime e dytë në atë emision, ka qenë diçka e planifikuar besoj, ka qenë ngacmim direkt që besoj në plan ishte që Briki të nxjerrin një anë negative dhe e arritën atë qëllim sepse kisha shume emocione, stres dhe nuk disha se si me reagu. Për një moment një vajzë më është afru ka fol në mënyrë të ashpër dhe më ka godit dhe në atë të timen jam vetëmbrojtë, d.m.th. vetëm e kam largu”, shtoi ajo./atvlive.tv/
Në vendimin e Gjykatës së Apelit të siguruar nga ATV-ja përveç shkeljeve esenciale që kolegji në përbërje prej tre gjyqtarëve ka gjetur në vendimin e shkallës së parë rreth rikualifikimit të veprave penale, e vërtetimit të fakteve vendimtare, përmendet, edhe se si psikologia kishte ndërhyrë gjatë shqyrtimit gjyqësor pa qenë palë në procedurë.
Gjykata e shkallës së dytë e ka konsideruar shkelje një rast kur porkurorja kishte lejuar ndërhyrjen e piskologes në rrjedhën e intervistimit të 11 vjeçares.
Aty përmendet një shkresë në gjuhën angleze, për të cilën nuk dihet kush e ka shkruar, por që e dëmtuara e kishte përkthyer vetë në gjuhën shqipe.
“Duke i propozuar gjykatës, që të lexohet një shkresë e shkruar në gjuhën angleze nga e dëmtuara, për shkak se njëjta ndjehet më mirë me leximin e kësaj shkrese, sepse është më lehtë për viktimën që të shprehet në gjuhën angleze, në një gjuhë tjetër në mënyrë që të shkëputet nga ngjarja për shkak të traumave që ka përjetuar, dhe këtë arsyetim të psikologes e rrëzon menjëherë e dëmtuara se nuk qëndron ky arsyetim për faktin e thjeshtë vetë e përkthen në gjuhën shqipe”, thuhet në vendimin e Apelit.
“E dëmtuara e përkthen në gjuhën shqipe dhe këtë rrethanë e lejon prokurorja gjatë marrjes në pyetje, dhe nuk e dijë pse nuk ka reaguar psikologia kur ka filluar e dëmtuara që këtë shkresë ta përkthejë në gjuhën shqipe, kur e ka vërejtur se nuk e paska shqetësuar të dëmtuarën e mitur përkthimi I asaj shkrese, përkundër në qoftë se do të duhej të lexohej një shkresë e tillë ajo duhet lejuar vetëm nëse përpiluesja nuk është e qasshme përkatësisht nuk mund të sigurohet prezenca e saj, apo për arsye tjera, apo për faktin se nuk dihet kush e ka shkruar atë shkresë”, thuhet tutje në vendimin e Apelit.
Ministria e Ekonomisë ka lansuar thirrjen për subvencionimin e pajisjeve efiçiente për ngrohje për shtëpi dhe banesa. Përmes kësaj thirrjeje, qytetarët do të subvencionohen deri në 2 mijë euro. Afati do të jetë i hapur për aplikim deri më 22 nëntor të këtij viti. Ndërkaq, përmes kësaj thirrjeje po synohet që të kursehet energjia elektrike. Por, ka qytetarë që ngrohjen për dimër kanë vendosur ta bëjnë me dru.
Familja Demolli ka vendosur që edhe këtë vit të ngrohet me dru, pavarësisht që brenda në shtëpi i kanë të vendosura edhe nxehëset. Ngrohjen me dru ata po e shohin si alternativën më të lirë e më të mirë.
Ngrohjen me dru Vesel Demolli e sheh si alternativë edhe për vitet e ardhshme.
Shitësit kanë treguar se interesimi i qytetarëve për të blerë dru ka qenë shumë i madh. Ndërsa, një metër dru kushton nga 60 deri në 65 euro.
Për të kursyer energjinë elektrike, e për të mos ndotur ajrin, Ministria e Ekonomisë ka lansuar thirrjen për subvencionimin e pajisjeve efiçiente për ngrohje.
Por cilat janë pajisjet që do të subvencionohen?
Pompa termike – 30% e vlerës investive apo deri në 2 mijë euro
Kondicioneri – 40 për qind apo deri në 400 euro Kaldaja me biomasë – 70 për qind, apo deri në 1 mijë e 200 euro.
Stufa individuale me biomasë – 70 për qind apo deri në 435 euro
Ministrja e Ekonimise Artane Rizvanolli, dhe Alessandro Bianciardi nga Zyra e BE-së në Kosovë, kanë thënë se janë duke besuar se është duke u ngritur vetëdija e qytetarëve për rëndësinë për të kursyer energjinë që të ketë një të ardhme më të qëndrueshme.
Ndërsa për njohësin e energjetikës, Fatos Aliun, subvencionimet e efiçiencës konsiderohen si të pamjaftueshme.
Një person është vrarë dhe 15 të tjerë janë plagosur të premten si pasojë e një sulmi rus me raketë në qytetin qendror të Ukrainës, Kremençuk, njoftuan autoritetet.
“Pesëmbëdhjetë janë plagosur, në mesin e tyre një fëmijë”, tha Dmytro Lunin, guvernatori i rajonit qendror, Poltava, i cili përfshin edhe Kremençukun.
“Një person është vrarë”, shtoi ai.
Më herët gjatë ditës së premte, Lunin tha se Rusia e sulmoi me raketa infrastrukturën civile në qytetin qendror ukrainas.
“Një raketë u rrëzua nga forcat e mbrojtjes ajrore. Të gjitha shërbimet relevante po punojnë në vendin e ngjarjes”, tha ai.
Në fillim të kësaj jave, trupat ruse e goditën një rafineri nafte në Kremençuk./REL/
Pas takimit dypalësh me Presidentin e Zvicrës, Alain Berset, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, së bashku me ministrin e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, kanë takuar në ndërtesën e Ambasadës së Kosovës në Bern, kandidatët shqiptarë në zgjedhjet federale 2023.
Në njoftimin e Qeverisë thuhet se në një bashkëbisedim të hapur, kryeministri Kurti i përgëzoi ata për angazhimin e tyre publik e politik në Zvicër, duke e konsideruar atë si dëshmi të mirëintegrimit të shqiptarëve atje, por edhe si shumë të rëndësishëm për demokracinë.
“Diskutuan për lidhjet ndërmjet Kosovës dhe Zvicrës dhe rolin e potencialin e bashkëpunimit ndërmjet Qeverisë dhe mërgatës në fushën e ekonomisë, edukimit dhe shëndetësisë”, thuhet në komunikatë.
Kryeministri i njoftoi të pranishmit me disa prej zhvillimeve kryesore në vend dhe politikave prioritare të qeverisë, teksa nga kandidatët u njoftua më shumë për temat e tyre elektorale.
Ai i uroi të gjithë kandidatëve suksese në fushatën zgjedhore dhe në ditën e zgjedhjeve.
Në zgjedhje e 22 tetorit janë 30 kandidatë shqiptarë nga pothuajse secila parti politike që garojnë për ulëse në Këshillin Kombëtar. Ky është numri më i madh i kandidatëve shqiptarë në ndonjë palë zgjedhje.
Gazetari dhe prezantuesi i njohur, Zija Rexhepi, është emëruar drejtor i ATV-së, televizionit më të madh në vend.
Rexhepi sjell në rolin e tij të ri një përvojë të pasur, të fituar gjatë karrierës në fushën e medias.
Para emërimit në ATV, Rexhepi ka mbajtur pozita udhëheqëse në Kolegjin AAB, ku vazhdimisht ka dhënë rezultate kulmore. Shkathtësia e tij drejtuese dhe përkushtimi ndaj përsosmërisë njihen mirë brenda industrisë së medias.
Rrugëtimi i Rexhepit me ATV-në nisi që në fillimet e televizionit, ku kishte kaluar nga RTK.
ATV-ja është projekt i “Media Invest”, që funksionon mbi themelet e Kolegjit AAB, i cili nëpërmjet Fakultetit të Komunikimit Masiv dhe Gazetarisë̈, për me shumë se dy dekada me radhë, u ka dhënë mediave në Kosovë profesionistë të spikatur dhe të përkushtuar.
Për më pak se tri vite që nga themelimi, ATV vazhdon te jetë televizioni më i shikuar në Kosovë.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës, sipas emisarit për Ballkanin Gabriel Escobar, janë të shqetësuara për mesazhet nga Prishtina, lidhur me dialogun dhe akuzat ndaj Përfaqësuesit të Posaçëm të BE-së, Miroslav Lajcak.
Teksa masat ndëshkuese i vlerësoi të efektshme dhe se do ta ndihmojnë Kosovën që ato të hiqen më 2024, ai theksoi se ato nuk kanë afat dhe se varen nga progresi në shtensionim, si dhe në zbatimin e marrëveshjes bazë dhe shtojcës.
Pasi tha se SHBA-ja do të donte të shihte vullnet për lëvizje përpara, Escobar ritheksoi se nuk mbështesin Asociacion të komunave me shumicë serbe, që dëmton funksionimin e Kosovës.
Deklarata e Escobarit, sipas opinionistit Fidan Ukaj, është tregues se masat nuk do të hiqen shpejt dhe se më nuk lidhen vetëm me procesin e deeskalimit.
“Me barrikadimin e institucioneve të Kosovës dhe mosbashkëpunimin në zbatim të marrëveshjeve, po ashtu faktori ndërkombëtar po riorganizohet dhe ribarrikadohet në kërkesat e tyre, duke i shty masat dhe duke i ndërlidh masat edhe me marrëveshjen e Brukselit dhe Ohrit. Kjo ishte deklaratë e re”, tha Ukaj.
Ndërkaq, profesori Dritëro Arifi vlerëson se ka një keqkuptim dhe mosbesim ndërmjet Qeverisë dhe partnerëve ndërkombëtarë.
“Mesazhet janë shumë të qarta për Qeverinë e Kosovës. Duhet kuptuar se nga kush vijnë këto mesazhe, pra këto mesazhe vijnë nga shteti më i fuqishëm në botë, për shtetin më të pafuqishëm në botë. Duhet kuptuar ku qëndrojmë ne si shtet dhe ku qëndron fuqia jonë. Pra, kjo i bie që Qeveria të ketë vesh dhe mendje që të tregohet më diplomatike dhe më strategjike në vendimmarrje, sepse nëse masat zgjasin aq shumë ato do ta dëmtojnë pikërisht punën e Qeverisë së Kosovës”, tha Arifi.
Ukaj beson se Qeveria duhet të veprojë mbi zotimin amerikan se asociacioni duhet të jetë sipas ligjeve dhe Kushtetutës së Kosovës.
“Është një garanci e madhe, që të nisë me draftimin e asociacionit dhe ta prezantojë një draft zyrtar të Kosovës para faktorit ndërkombëtar. Dhe, më pas ta dërgojë në Gjykatën Kushtetuese, e po ashtu, ta bindë faktorin ndërkombëtar se ky asociacion është i duhuri”, tha Ukaj.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për të disatën herë brenda javës konfirmuan përkrahjen për emisarin evropian, Miroslav Lajcak, dhe theksuan se nuk ka alternativë tjetër pos dialogut.